Revista
|
|
Jam demokrate dhe në një të ardhme thjeshtësia dhe dashamirësia ime mund t’i japin shumë këtij populli”. Kjo është një nga frazat më të pastra dhe më paqësore të shprehura nga anëtarja më e re e Këshillit Rinor Demokratik të Shqipërisë, Çiljeta Xhilaga lidhur me ambiciet e saj në politikë. Por, duke qenë se shumica prej nesh e njohin më shumë si këngëtare, domosdo që nuk i jemi shmangur edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me sukseset e saj në këngë. Por jo vetëm kaq! Në rrëfimin e mëposhtëm të saj të gjithë ju të dashur lexues do mund të gjeni përgjigjet e pyetjeve tuaja lidhur me dashurinë e madhe të Çilit, Romeon. Këndvështrimi i saj për politikën e djathtë dhe të majtë. Miqtë dhe domosdoshmëria e tyre. Ambiciet në këngë dhe…së fundmi në reklama!
“Pas disa vitesh do të më shikoni në politikë”. Kjo është një frazë e dalë nga goja juaj dhe siç duket e bërë realitet këto kohët e fundit. Mund të na e thoni Çiljeta çfarë ua jepte këtë siguri, se një ditë ju do të ishit pjesë e politikës?
Në fakt do të thosha që ka qëlluar një rastësi. Ka qenë një nga dëshirat e mia, duke qenë se edhe studimet i kam mbaruar për Shkenca Politike. Sigurisht që, në të ardhmen veten e kam menduar në një punë zyre, sepse nuk e kisha menduar që do të këndoj, si Madonna, derisa të shkoja 50 vjeç. Pra thjesht kam shprehur dëshirën që të jem pjesë e politikës, sepse më pëlqen të udhëheq, apo të sundoj.
Pati shumë diskutime mbi përfshirjen tënde në politikë dhe jo vetëm biseda tavolinash, por le të themi dhe ironi të krahut të kundërt të politikës që ju përfaqësoni. Si i quani këto reagime ju Çiljeta? Zili profesionale, apo personale?
Personale jo, sepse unë nuk është se kam patur njohje më përpara me ta që të mund të kem patur ndonjë konflikt. Mendoj se kjo ka të bëjë më shumë që mua më përdorin si karremin e tyre, për t’ju kundërvënë partisë kundërshtare, pra PD-së. Kështu që, duke u kapur tek këngët, ose tek fotot e mia kanë patur material, por mua nuk më intereson shumë. Unë e përdor shumë këtë shprehjen “Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”, kjo ka rëndësi për mua.
Vazhdimisht keni shprehur simpatinë për bindjen tuaj politike, sigurisht e djathtë. Mund të na thoni keni pasur ndonjëherë frikë nga ndonjë “kërcënim”, apo ironi e militantëve të majtë?
(Qesh) Jo, asnjëherë. Unë jam rritur me frymën e partisë demokratike në familjen time, kështu që kam qenë pjesëmarrëse e shoqatave të tyre qëkur unë kam qenë 6 vjeç dhe babai më mbante kalipiç dhe unë ngrija duart për të mbështetur PD-në, por pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë. Gjithmonë e kam pranuar faktin që jam demokrate dhe do ta pranoj gjithmonë. Shumë politikanë futen në politikë për të fituar një karrige, ose një post dhe që kërkojnë që të mbrojnë vetëm interesat e tyre, ndërsa unë këtë gjë nuk e bëj për pushtet, sepse unë politikën e kam shumë qejf dhe të jem pjesë e PD-së për mua është diçka shumë e madhe, sepse kam qenë simpatizantë e saj me kohë. E theksoj se nuk e bëj këtë gjë për pushtet, sepse pushtetin e kam arritur me artin. Këtë e bëj, sepse jam demokrate dhe ndoshta në një të ardhme thjeshtësia dhe dashamirësia ime mund t’i japin shumë këtij populli.
Angazhimi aktual në politikë. Me se po merreni konkretisht?
Për momentin jam thjesht anëtare e Këshillit Kombëtar, marr pjesë në mbledhjet që bëjnë gratë e partisë politike, si edhe po merrem edhe me koncertet që po organizon momentalisht Partia Demokratike dhe po presim zgjedhjet për kryebashkiakët. Natyrisht që pjesëmarrja ime është e dukshme në mbledhjet që ne bëjmë.
Ku e sheh veten Çiljeta pas 5 vitesh në politikë?
Është pak shpejt të flas për këtë, sepse unë jam në hapat e parë. Ndërsa, nëse do të më pyesje se çfarë dëshire do të kisha, që të jem pas pesë vitesh do të thosha që sigurisht të isha ministre, por kjo mbetet thjesht një dëshirë e imja (qesh).
Dhe çfarë ministrie do të doje të drejtoje?
Kam shumë dëshirë që të jem Ministre e Jashtme (qesh).
Një showgirl, emri i së cilës është lakuar shumë nga mediat “rozë”. Në fakt a mërzitet ndonjëherë Çiljeta kur i kërkojnë të japë shumë intervista dhe prononcime?
Në fakt, ndonjëherë bëhet diçka shumë e bezdisshme. Dhe kjo jo, sepse nuk më pëlqen që të jap intervista, por për faktin që marrin një personazh që të shitet gazeta dhe unë fatkeqësisht bëj pjesë tek këto personazhe. Pra bëhen të bezdisshëm për faktin se, sa herë nuk kanë se çfarë të shkruajmë më marrin dhe më pyesin çfarë na thua ndonjë gjë që të të nxjerrim. Kjo më ka bezdisur ndonjëherë, megjithatë prapë jam munduar t’i kaloj.
Marrëdhënia juaj me gazetarët?
Gazetarëve u jam mirënjohëse, sepse në fakt media është ajo që bën pjesën më të madhe të një artisti, “artist”.
Cili ka qenë reagimi yt më i ashpër kur ke lexuar një artikull që nuk ju ka pëlqyer fare?
Unë jam pak tip impulsiv, por më shumë jam paqësore, kështu që nuk është se kam reaguar rëndë. Sigurisht që jam mërzitur, por nuk është se kam bërë ndonjë gjë, ndaj edhe kur flasin keq mendoj që: familja ime më njeh mua, shoqëria ime më njeh mua, pra njerëzit pak a shumë më njohin dhe, nëse shkruajnë keq nuk është se i kushtoj shumë rëndësi, sepse çiltërsia që më ka falur Zoti shpesh më bën që të them edhe ndonjë gjë që nuk duhet të them. Të gjithë që shkruajnë të tilla gjëra i prishin punë vetes, sepse mua tashmë më njohin pjesa më e madhe, kështu që nuk ju kushtoj asnjë lloj vëmendje.
Pse përgjithësisht personave publikë nuk u pëlqejnë që t’i pyesin për jetën private, ndërkohë që ata duhet të marrin parasysh që, përderisa janë imazhe publike gazetarët këtë synojnë, të mësojnë diçka më shumë?
Unë jam dakord me faktin se, kur je person publik njerëzit janë kureshtarë që të mësojnë diçka për ty dhe unë këtë gjë besoj se e kam rezauruar, sepse paparacët dolën në modë pikërisht në momentin që unë jam lidhur me Romeon dhe shpesh kemi qenë pré e tyre, pra ne ishim ato që e promovuam në Tiranë. Deri diku ishte një eksperiencë e rëndësishme, por më pas çdo gjë filloi t’i kapërcejë limitet, sepse një çift nuk duhet të jetë gjatë gjithë kohës nën vëzhgim. Çiftet kanë ulje dhe ngritje në marrëdhënien e tyre. Mund të grindesh dy javë, një muaj, mund të pajtohesh etj., por kjo nuk do të thotë që sa herë të zihesh, apo të pajtohesh duhet të dalësh në gazeta, ndërsa unë dal. Kështu që, kjo është diçka që mua më ka bezdisur shumë dhe ndonjëherë jam bërë edhe shumë arrogante, ose disi impulsive me gazetarët.
Për një periudhë kohe, jo vetëm nga gazeta jonë, por edhe të tjera u përfol sikur ti je ndarë nga Romeo. Në fakt që ta dinë të gjithë lexuesin një herë e mirë, si po shkon marrëdhënia juaj?
Marrëdhënia ime këtë verë kurorëzohet me pesë vjet. Jemi shumë mirë. Sigurisht, duke qenë se kemi bërë pesë vjet bashkë, tashmë jemi bërë si të familjes. Momentet që ne shkojmë shumë mirë, natyrisht janë më të shumtat, por nuk mund të përjashtohen këtu momentet e zënkave. Çdo gjë në një lidhje ka bukuritë e tyre. Në marrëdhënien tonë, duke qenë se, të dy jemi shumë kokëfortë edhe kjo bën ndonjëherë që zënka jonë të zgjasë edhe më shumë. Ndoshta ka patur edhe shumë njerëz që kanë dashur të ndërhyjnë në marrëdhënien tonë gjatë lidhjes, pra gjatë rrugës së dashurisë tonë 5-vjeçare, por kanë rezultuar të kota, pa sukses ndërhyrjet e tyre.
Jeni natyrë xhelozeje Çiljeta?
Jam xheloze, por më shumë se xheloze do të thosha që jam posesive. Ndihem posesive për faktin se unë jam vajzë e vetme, që nuk kam patur, as motër, as vëlla, ndaj përqendrimin tim më të madh e kam tek i dashuri im, Romeo. Ndërsa Romi është më shumë xheloz, sesa posesiv ndaj meje. Ai e shpreh më rrallë xhelozinë e tij, sepse nuk ka arsye, ndërsa unë e kam më të tepërt, duke qenë se femrat sot janë bërë pak më të rrezikshme (qesh). Gjithmonë, sa herë që futem në ndonjë lokal me Romeon ata duan që të më ngacmojnë me shikimet e tyre, në mënyrë që unë të ndihem xheloze karshi Romeos, por unë filloj qesh, ose qeshim që të dy. Për mua këto janë femra të vogla që duan të arrijnë diçka, duke i dhënë rëndësi vetes së tyre për diçka pa vlerë.
Çfarë vlerësoni më shumë në lidhjen tuaj?
Vlerësoj pastërtinë e kësaj marrëdhënie, duke qenë se ka patur shumë njerëz që kanë dashur të ndërhyjnë në marrëdhënien tonë. Mua më pëlqen shumë kënga e Hulio Eglesias “ Se mi lascie, non vale”, pra “nëse më lë nuk ia vlen”. Kjo këngë ka një tekst shumë të bukur, ku thuhet që mashkulli që të tradhton, të tradhton përgjysmë, pra vetëm për pesë minuta dhe pastaj është atje ku duhet të jetë, pra tek vendi që i takon. Kjo është kënga e preferuar e të dyve ne.
Ju kemi parë që luani shpesh me look-un. Po t’ju pyesnim, cili është modeli i flokëve më i preferuar për ju, cila do të ishte përgjigjja?
Në qoftë se nuk do të isha një personazh publik do t’i mbaja flokët e shkurtra dhe bionde, por meqë jam person publik dhe më duhet që t’i kem flokët e gjata, modeli im i preferuar janë flokët kafe me fije të bardha që i bëj kaçurrela.
Vazhdimisht të komplimentojnë për sytë, buzët, hundën e vogël, etj.. Po vetë Çiljeta, çfarë pëlqen më shumë tek vetja?
Kam përshtypjen se, sytë janë kontakti i parë që ke me njerëzit, ndaj falënderoj Zotin që mi ka falur të këndshëm. Pra dhe unë i vlerësoj shumë sytë, sepse janë edhe mënyra ime më e mirë për të shprehur diçka.
Dhe çfarë nuk pëlqen?
Tek paraqitja? Po, duke qenë se këto ditë kam shtuar disi në peshë, kjo nuk është se më pëlqen shumë, gjithashtu do doja të kisha përmasa pak më të vogla të gjoksit (qesh).
Çfarë nuk duroni dot dhe çfarë vlerësoni më shumë tek njerëzit?
Nuk duroj dot hipokritët, kjo është një gjë e stërthënë nga shumë njerëz, por hipokrizia për mua është një gjë shumë e ulët. Çfarë vlerësoj? Vlerësoj humanizmin dhe dashamirësinë që mbartin brenda vetes së tyre. Janë dy gjëra shumë të rëndësishme që të jenë në rregull me mua.
Miqësia. Çfarë do të thotë për ju kjo fjalë?
Miqësia është një fjalë shumë e madhe dhe sot është e vështirë që të gjesh miq të vërtetë, ndaj,ose duhet të kesh miq që në fëmijëri, ose të arrish t’i njohësh mirë që në fillim. Personalisht jam krenare që kam miq të vërtetë.
Mikja juaj më e ngushtë?
Mikja ime më e mirë është Skandinada Lalaj, që e kam mike të mirë prej shumë vitesh. Atë e kam miken time më të mirë dhe më besnike deri më sot.
Po miku juaj më i mirë?
Nuk dua të gënjej, por kam një shok prej shumë vitesh dhe ai është Flori që ka marrë pjesë edhe tek videoklipi im. Është një ndër miqtë e mi më të ngushtë.
Momenti më i lumtur i jetës tënde?
Momente të lumtura ka pasur shumë, përfshirë këtu rezultat e mira në punë, momentet e bukura pranë të dashurit tim dhe pranë familjes time. Pra të gjitha këto për mua janë momente të bukura dhe nuk dua të veçoj asgjë.
Më i trishtuari?
Ka shumë edhe momente të trishtuara, por nuk më kujtohen. Unë jam natyrë optimiste dhe çdo gjë mundohem që ta kaloj, ose ta harroj shpejt.
Ditët e gjithsecilit përgjithësisht janë të njëjta. Punë-kafe-shtëpi. Në fakt çfarë bën Çiljeta për ta thyer rutinën e përditshmërisë?
Sigurisht shkoj në palestër, pi kafe me miqtë e mi si gjithmonë dhe më pas shkoj në studio për të punuar te Flori lidhur me këngët. Ndërsa ditën e diel bëhemi 10 veta dhe shkojmë në kinema me miqtë e mi.
Në gardërobën tuaj çfarë mbizotëron më shumë në këtë sezon pranverë/verë?
Fustanet e pambukut i kam shumë qejf, por nuk përjashtoj këtu as këpucët që një pjesë të tyre ende nuk i kam veshur fare. Më pëlqejnë shumë ngjyrat e ndezura dhe në përgjithësi më pëlqen të kem një larmi koloresh.
Pas cilit aksesor jeni e fiksuar?
Pas varëseve, por edhe çantat më pëlqejnë shumë.
Rroba më e shtrenjtë që keni blerë?
Nuk jam një fanse e madhe e rrobave të shtrenjta. Rëndësi ka që të më rrinë mirë, por natyrisht që kam edhe gjëra shumë të shtrenjta që më rrinë shumë mirë. Nuk dua që të përmend ndonjë çmim, sepse më duket shumë katunareske.
Pushimet më të bukura?
Pushimet me të bukura kanë qenë pushimet që kam kaluar me Romeon në Sarandë, ndërsa këtë vit kemi menduar që t’i kalojmë pushimet jashtë, por kismet.
Stina e preferuar dhe “çmenduritë” më të mëdha që keni bërë për personin tuaj të dashur?
Stina ime e preferuar është pranvera. Është një stinë që më rigjeneron dhe që më bën të ndihem shumë energjike. Çmenduri ka shumë, por nuk thuhen të gjitha (qesh). Ka çmenduri nga më të ndryshmet dhe po t’i dëgjonit do të thoshit nuk ka mundësi, nuk është Çiljeta kjo! Unë jam tip që dashuroj shumë dhe kam qejf që të jem me të (Romeon) përjetësisht. Nuk jam natyrë që më pëlqejnë gjërat e përkohshme dhe, duke qenë se më pëlqejnë gjërat e përjetshme kam bërë edhe shumë çmenduri, por që nuk dua t’i them.
Martesa është në planet e Çiljetës?
Nuk e di, për momentin kam disa plane më të rëndësishme ekonomike/financiare për të arritur drejt altarit. Do të thosha që më pëlqejnë martesat tradicionale, “alla” shqiptare dhe nuk më pëlqen bashkëjetesa.
Për ta mbyllur. Planet tuaja më të fundit profesionale?
Në qershor do të hedh në treg albumin tim më të fundit, i cili do të ketë gjashtë këngë të reja që do t’i kem në bashkëpunim me Florian Mumajesin, si dhe një bashkëpunim me grupin “2P2” nga Kosova. Ky album do të përmbajë një përmbledhje të këngëve të mia hite. Shpresoj që këtë vit të realizoj edhe kalendarin tim, (kalendarin e vitit 2011), duke qenë se e kam patur në plan edhe më përpara. Ndërkohë kam nënshkruar një kontratë dy vjeçare me “Birra Tiranën”, ku unë do të jem imazh i saj për dy vjet, ose edhe më shumë. Në të do përfshihen reklamat, billbordat dhe shumë elemente të tjerë.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje