Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Bregdeti i Jugut dhe ndertimoret e cuditshem
Publikuar me 13 Qer 2007

Bregdeti i Jugut dhe ndertimoret e cuditshem

E mbani mend Jalën? Po fadromat e Ndërtimores që shkatërronin hotele dhe lokale të ndërtuara pranë plazhit? Më në fund, a ju kujtohet sesi e pati akuzuar aleati politik Vangjel Dule kryeministrin për “interesa të paligjshme” në këtë zonë? Të gjitha këto detaje, të vecuara e pa lidhje në dukje, mund të kenë një sfond, një motiv më mirë. Pas këtij aksioni të bujshëm në perlën e bregdetit shqiptar, pas reagimeve të ashpra dhe hedhjes së dyshimeve nga politika dhe mediat se Berisha “ka një plan”, revista ’MAPO’ bën publik një projekt turistik, i cili vërtet është më i gjerë se Jala e vogël, porse ka rënë në një dorë që ndoshta fsheh dicka.
Janë rrethanat për të besuar se qeveria i ka fshehur arsyet e vërteta të ndërhyrjes në Jalë. Pas një kërkimi intensiv disajavor, ‘MAPO’ ka vërtetuar se kreu i qeverisë Sali Berisha, nuk ka thënë të vërtetën për ndërhyrjen e përshpejtuar të fadromave. Kryeministri Berisha mban prej javësh mbi tryezën e tij të punës një superstudim për bregdetin në jug të vendit, i cili parashikon ndërtimin e resorteve turistike, pjesë e të cilit është dhe zona në Jalë. E gjeni dot se cili është drejtuesi i këtij projekti? Ai quhet Jamarbër Malltezi dhe është dhëndërri i zotit Berisha. Projekti është porositur nga vetë qeveria “Berisha” dhe për realizimin e tij është marrë një hua e madhe, në formë kredie nga Banka Botërore, e cila arrin vlerën e 38 milion eurove.

Projekti i dhëndrrit
Projekti i quajtur “Integrated Coastal Development Study and Plan”, ka përfunduar në shkurt të vitit 2006 dhe është udhëhequr nga vetë dhëndrri i kryeministrit, zoti Jamarbër Malltezi. Studimi ka qenë vetëm pjesa e parë e projektit, për të cilin qeveria shqiptare i ka marrë (për totalin e projektit) rreth 38 milion euro kredi Bankës Botërore. Materiali i disponuar përfaqëson vetëm studimin e projektit, ndërsa fazat e tjera do të jenë miratimi dhe zbatimi i tij në terren. Nëse kreu i qeverisë, zoti Berisha, pretendon se ndërhyrja në Jal ka pasur thjesht arsye “ligjore”, të shkatërrimit të ndërtimeve pa leje, projekti “Integrated Coastal Development Stdudy and Plan”, që kryeministri nuk e bën publik, saktëson numrin dhe katet e hoteleve që priten të ndërtohen në Jalë por këtë herë, “me leje”.
Kjo histori nuk mbaron me kaq. Kryeministri disponon të dhëna të sakta e të detajuara edhe për zonat e tjera të përzgjedhura nga studimi që ka udhëhequr dhëndri i tij, e që tashmë disponohen të plota e të detajuara edhe nga ‘MAPO’. Sipas këtij projekti tejet ambicioz për gjithë bregdetin jugor, pritet që të kthehen në fshatra turistike dhe zonat e Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Himarë-Livadhjasë, Himarë-Pilurit, Porto Palermos, Qeparoit të vjetër etj. Nuk mund të mungonte dhe Kakomeja. Projekti në fjalë ka legjitimuar dhe ndërhyrjet e kryera në këtë fshat në vitin 2005, me urdhër të ish-kryeministrit Fatos Nano.

“Familja”
Në fund të vitit 2005 qeveria e kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha vendos të hartojë një projekt ambicioz për zhvillimin e turizmit në zonat bregdetare të jugut të vendit. Për të vënë në jetë këtë qëllim qeveria kontaktoi Bankën Botërore, së cilës i kërkoi një hua prej 38 milionë eurosh në total, me të cilat do të realizoheshin të gjitha fazat e projektit. Banka Botërore pranoi kërkesën e qeverisë shqiptare. Për pasojë, qeveria ishte “e detyruar” të fillonte punën për krijimin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit, të pagëzuar “Integrated Coastal Development”. Procedurat zyrtare të shtetit shqiptar përcaktojnë se personi që do të jetë në krye të Njësisë së Menaxhimit të Projektit, duhet të jetë i propozuar nga qeveria dhe i miratuar më tej nga Bordi Mbikëqyrës i Bankës Botërore. Drejtor Projekti u propozua zoti Jamarbër Malltezi, i cili është dhe bashkëshort i së bijës së kryeministrit, zonjës Argita Berisha (Malltezi). Ky fakt bie në kundërshtim me atë cka ka deklaruar qeveria Berisha, e cila pretendoi se dhëndrrin e kryeministrit e kishte përzgjedhur vetë Bordi i posaçëm i Bankës Botërore, por që në fakt rezultoi se ky bord vetëm sa kishte aprovuar “personin” që ofroi qeveria shqiptare.

Fshehja e studimit
Në të gjithë panoramën e zhvillimeve të kësaj çështjeje ka shumë pikëpyetje. Së pari lidhur me fshehtësinë me të cilën qeveria po e trajton këtë projekt. Asnjë prej grupeve të interesit apo faktorëve të tjerë social-politikë në vend nuk kanë qenë dhe ende nuk janë të informuar në lidhje me ecurinë dhe rezultatet e fazës së studimit që disponon revista ‘MAPO’. Ndërsa ndërhyrja në Jal ka prekur pikërisht ato territore, të cilat janë rrethuar me shirit të kuq në projekt, kryeministri Berisha e justifikon aksionin e ndërtimorëve në këtë zonë vetëm me “parrullën” e prishjes së ndërtimeve pa leje! Cila është arsyeja që e bën kreun e qeverisë të mos shqiptojë asnjë gërmë për një projekt që prej më shumë se një viti e mban mbi tavolinë?!
Për realizimin e studimit të zonave ku do të ndërtohen resortet turistike, vetë dhëndri i kryeministrit ka pajtuar një firmë të huaj, e cila ka bërë studimin në fjalë. Më tej do të duhet që ky studim t’i paraqitet KRTRSH-së për miratim, e nëse kjo e fundit e miraton, atëherë studimi i publikuar sot për herë të parë nga revista “MAPO”, do të jetë masterplani ligjor për ndërtimet në vijën jugore të bregdetit shqiptar. Një tjetër fakt i dyshimtë lidhet dhe me “garniturën”, që shoqëroi ndërhyrjen e qeverisë në Jal. Pak ditë pas aksionit në Jal, ndërhyrja e fadromave u përqendrua tek-tuk edhe në zona të tjera të vendit, por që në mënyrë të çuditshme në këto zona qeveria u mjaftua vetëm me disa minuta aksion, që më shumë se aksion alla-ndërtimor u shndërrua në aksion të pastër mediatik. Këto veprime të mëvonshme ndezën dyshime të forta se qeveria po përpiqej të hiqte vëmendjen nga shkatërrimet e papritura që ndodhën në Jal.

Zyra speciale
Projekti qeveritar i koordinuar nga vetë dhëndërri i Kryeministrit është trajtuar nga ekzekutivi si një sipërrmarje e dorës së parë. Këtë e vërteton dhe akomodimi që i është bërë atij dhe stafit që drejton. Zyra e punës e zotit Malltezi, si koordinator i këtij projekti, ndodhet në katin e tretë të Ministrisë së Transporteve! Një përqasje e rrallë kjo, pasi është e cuditshme që “Njësitë e Menaxhimit të Projekteve”, të funksionojnë në ambiente publike e aq më pak ministrore. Nëse i referohemi objektivave që ka kjo zyrë e drejtuar nga zoti Malltezi, si rregull ajo do të duhet të ndodhej diku pranë rivierës shqiptare, pasi i gjithë menaxhimi që kryen kjo zyrë lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë vetëm me vijën e bregdetit të jugut.
Pasi ‘MAPO’ siguroi projektin e mbajtur sekret, kërkoi menjëherë të kontaktonte zyrën e punës së zotit Malltezi. Me shumë kujdes, zoti Malltezi na komunikoi se axhenda e tij e ngjeshur nuk i jepte kohë për t’i dhënë përgjigje interesimit tonë. Gjithsesi ai na siguroi se tre bashkëpunëtoret e tij në këtë zyrë do të ishin në dispozicion. Duke mos patur tjetër mundësi ju drejtuam nëpunësve të “Njësisë së Menaxhimit të Projektit”, pa e ditur se materiali për të cilin po interesoheshim do të na kthente në gazetarë “non grata”. I gjithë “zelli bashkëpunues” i treguar në fillim nga punonjëset e zyrës, u shua porsa ato shfletuan materialin që ne i dorëzuam, e që për ironi nuk ishte gjë tjetër, veçse një produkt i thurur dhe i elaboruar pikërisht nga kjo zyrë koordinimi. “Përse keni ardhur këtu? Përse na i tregoni këto? Ju lutem më tregoni pak kartat që vërtetojnë se jeni gazetar. Unë nuk do t’u kthej asnjë përgjigje për këto që ju më pyesni”, - tha ndër të tjera, në fund të “takimit”, njëra prej tre punonjesve të projektit “Integrated Coastal Development”.


1921
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI