Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

"Bombë në Beograd", një triller shqiptar
Publikuar me 16 Gus 2012


Romani “Bombë në Beograd” i shkrimtarit Albatros Rexhaj vjen në këtë verë të nxehtë në një botim të shtëpisë botuese “Dudaj”. Pas një promovimi të bërë në Prishtinë, Tiranë e më pas në Prizren, romani ka gjetur një interes të gjerë te lexuesit shqiptarë. Një rrëfim imagjinar, por ku ngjashmëritë me persona dhe ngjarje konkrete janë të mundshme. Kosovë, verë e vitit 1998. Një armë e shkatërrimit në masë, një bombë atomike, gjendet në duar të shqiptarëve me mision mbërritjen në Beograd dhe përfundimin e luftës me një goditje të vetme. Ndërkohë, brenda pak ditësh, një luftë e vogël shndërrohet në arenën e përplasjeve botërore midis interesave amerikanë dhe rusë. CIA amerikane, RDB jugosllave, SHISH-i shqiptar e të tjerë përplasen me njëri-tjetrin në këtë rrëfim. Në sfond zhvillohet një dashuri e fuqishme në mes të dy protagonistëve të romanit, të cilët ndërsa luftojnë për atdheun e tyre edhe një herë më shumë luftojnë për njëri-tjetrin. Me pak fjalë, kjo është fabula e romanit “Bombë në Beograd”, i cili lexohet i tëri me një frymë. I shkruar në një stil të veçantë, romani në një mënyrë të këndshme kronologjike të prezanton me historinë e dashurisë së dy luftëtarëve për liri, duke paraqitur paralelisht në mënyrë koncize rrjedhën historike të luftës së Kosovës. Shumë libra janë shkruar e do të shkruhen për luftën e një populli, por ky roman nuk është një libër si gjithë të tjerët. Ai është i shkruar me çiltërsi, thjeshtësi mendimi, saktësi historike dhe pabesueshmërisht në mënyrë të paanshme. Shkrimtari në mënyrë të përkryer arrin të ngrihet mbi realitetin dhe ndjenjat e përkatësisë kombëtare për të dhënë një përshkrim si një sy i jashtëm e i pacenueshëm të ngjarjeve të përgjakshme, të hidhura e tragjedive dhe masakrave të shkaktuara në pozitën e një konflikti jo vetëm të padrejtë, por si një luftë absolutisht e pabarabartë. Autori kalon nga një vend në tjetrin në mënyrë të këndshme, në stilin triller, lexuesi rrëmbehet në përshkrimet e viseve shqiptare, historisë së fshehur në përshkrimet gjeografike dhe luftarake, e ndien të përjetosh episode të tëra të shkruara në stilistikën e një njohësi të thellë të psikologjisë dhe terminologjisë luftarake, për t’u gjendur i zhveshur përballë përshkrimeve të fuqishme të ndjenjave dhe shpirtit njerëzor. Dashuria përballë luftës, dashuria përballë arsyes, dyshimit dhe gjykimit të ftohtë, cilësi pa të cilat nuk mund të kuptohet personaliteti i një komandanti të madh. Agroni vjen në roman si një strateg i kujdesshëm, me klas, një shpirt njerëzor i trazuar që në fëmijëri, me dramë të fortë personale, rigjen forcë të bëhet një ushtarak karriere i shkëlqyer, dhe të vërë dijet dhe aftësitë e tij në funksion të një çështjeje të madhe, më të rëndësishme se dashuria më e madhe e jetës së tij. Në mënyrë simbolike edhe pas humbjes së tij, e dashura dhe shoqja e luftës vazhdon misionin e tij për të arritur atje ku buronte dhe lufta e tij e madhe, në Beograd.


1531
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI