Revista
|
|
Blendi Fevziu zbulon dëshmitë e emigrantëve në Paris: Enver Hoxha me prirje homoseksuale
Anastas Plasari rrëfen qarqet që frekuentonte Hoxha, të njohura për lirinë seksuale dhe skandalet
Kushdo që i doli para rrugës së rinisë, paçka se i dhanë edhe strehë e bukë, u eliminua. Vetë me dorën e tij firmosi vendimet e pushkatimeve apo burgosjeve. Shpëtuan vetëm ata që nuk u ndjenë. E, në këto kushte, Enver Hoxha mund ta ndërtonte të kaluarën e tij si të donte. Në kujtimet e tij, ai paraqet takime me krerë komunistë francezë gjatë kohës së qëndrimit në Paris, shkrime me pseudonime në shtypin e kohës, ndërsa të mbijetuarit tregojnë të tjera gjëra dhe e kanë të vështirë të vërtetojnë pretendimet e Enver Hoxhës. Në biografinë që mban emrin e diktatorit, Blendi Fevziu flet edhe për thashethemet e përhapura në qarqet e emigrantëve në Francë në vitet ’30 e shumë më vonë edhe në Shqipëri, mbi jetën seksuale të Enver Hoxhës. Duke iu referuar qarqeve që ai frekuentonte, për të cilat rrëfen Anastas Plasari, për të cilin Hoxha dha urdhër ta eliminonin, një vjershe të Arshi Pipës dhe ca fletushkave që qarkullonin, Enver Hoxha ishte homoseksual. Madje, Fevziu thotë se një fletushkë e tillë i ka rënë në dorë edhe Ministrisë së Brendshme, çka mund të ketë ndikuar edhe në eliminimin e Mehmet Shehut në vitin 1981.
Orientimi seksual dhe jeta e diktatorit Hoxha ne France
Enver Hoxha në fakt nuk ka qenë asnjëherë student në Sorbonë - shënim i autorit). Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se Hoxha nuk përmend në asnjë rast në kujtimet e tij të mëvonshme as Münzenbergun, - dhe është e kuptueshme sepse ky më 1944 do të "spastrohej" nga Stalini me të cilin kishte hyrë në konflikt, - por as drejtpërsëdrejti Lucien Vogel-in, ndonëse kuptohet që ka qenë i informuar jo keq për jetën e "intelektualëve francezë të partisë" të rritur e të frymëzuar nga bohema e Montparnasse-it, në Closerie des Lilas, Pavillon de Flore, Bateau-Lavoir dhe lokale të tjera që ai i përmend dhe ku, sipas tij, "dolën Aragonët, Elsa Trioletë dhe shumë miq të tjerë të Lazarevëve, Tristan Carave, të dadaistëve, kubistëve dhe njëmijë e një shkollave dekadentë të letërsisë dhe artit". Sigurisht që nuk përmend as vajzën e tij Marie- Claude, që sipas Fundos dhe Cancos kishte qenë e njohura e tij, çfarë mund të ketë lidhje me angazhimin e mëpasëm të "shoqes" Marie-Claude, e cila jo vetëm u bë militante e Partisë Komuniste Franceze, por edhe deputete e kësaj partie për disa dhjetëvjeçarë në Parlamentin francez. Ose me martesën e saj të dytë, pas vdekjes së burrit të parë Paul Vaillant-Couturier, me një tjetër politikan të rëndësishëm të Partisë Komuniste Franceze, Paul Villon. Nuk dihet që as ajo të ketë folur për Hoxhën, derisa ndërroi jetë në vitin 1996 në Paris. Vetë dandy Lucien Vogel vdiq në vitin 1954, pasi la mjaft gjurmë në jetën e avangardës pariziane. Sipas autorëve që kanë shkruar për jetën dhe veprën e tij, soirées-të e Lucien Vogel-it frekuentoheshin shumë edhe nga personazhe me orientim seksual të hapur, pa komplekse, përfshi mes tyre edhe gay. Ishte një dimension i njohur dhe i pranuar në ato mjedise. Ky mund të ketë qenë edhe njëri nga shkaqet që, ose prej asaj kohe ose prej komenteve të atyre që e kanë njohur në atë kohë, në Shqipëri qarkulloi për shumë vite nën zë komenti ose mërmërima se Enver Hoxha në të ritë e tij kishte qenë gay. Ishte një akuzë që madje, në qarqet e emigracionit antikomunist, qarkulloi publikisht dhe konkretisht. Në vitin 1990, kur regjimi komunist nuk kishte rënë ende në Shqipëri, Arshi Pipa, njëri prej antikomunistëve aktivë në mërgim, përmblodhi në një libër anglisht të titulluar "Albanian Stalinism", gjithë veprimtarinë e tij publicistike dhe studimore kundër regjimit komunist të Tiranës. Në fund të librit ai rendiste edhe një vjershë të shkruar vite më parë, në të cilën Hoxhën e portretizon kështu me vargjet:
"O bandill të lumtë bitha,/
Ajo i shpjegon të gjitha!
Ç'duhen dituri e mend/
Kur njeriu ka fatin tënd!"
Janë vargje të krijuara në ndonjë moment zemërimi ekstrem, por pothuajse 20 vjet më parë Pipa kishte botuar edhe në formën e një fletëvolanti komentet e tij për jetën e lirë seksuale të Hoxhës dhe sidomos për orientimin e tij homoseksual. Ajo fletë që qarkulloi në emigracion, afërmendsh që ra edhe në duart e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri: një dokument që, me shumë gjasë, duhet të ketë ndikuar fort në eliminimin e Mehmet Shehut në vitin 1981. Pas vitit 1991 kjo zhurmë, për të cilën mund të dënoheshe me vdekje në Shqipëri nëse shkonte në vesh të Sigurimit të Shtetit, u bë një lloj akuze thuajse publike. U përmendën emra gay-sh të famshëm tiranas etj. të cilët, sipas traditës orientale, e paskëshin pasur Hoxhën dylber të tyrin, por deri më sot, përveç thashethemnajës, askush nuk ka dhënë ndonjë fakt në këtë drejtim: asnjë prej miqve të tij të vjetër, edhe prej atyre pak që mbijetuan, nuk ka ditur të thotë diçka konkrete për këtë dimension të tij. Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve '30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë dhe pikërisht për këtë arsye, si dhe për akuzat që po bëheshin gjithnjë e më publike dhe po ktheheshin në skandale, Kominterni vendosi të mos i financonte më. Në këtë kohë Hoxha shfaq edhe njëfarë interesi për t'u përfshirë në politikë, ose së paku për t'u bërë pjesë e rretheve politike të opozitës zogiste që vepronin në Paris. Djaloshi i mbetur pa bursë u rrek të afrohej me personazhe të njohura shqiptare në mërgim dhe të bëhej pjesë e organizatave të tyre. Nëse i referohesh kujtimeve të Hana Këlcyrës, ai vizitoi disa herë të atin e saj, një militant i njohur politik, antizogist, Ali Këlcyrën që jetonte në Paris. Hoxha e përmend edhe vetë këtë në kujtimet e veta, por duke shtuar se kjo kishte ndodhur vetëm një herë dhe në atë rast për t'i dorëzuar një letër të Bahri Omarit. Hoxha flet me mllef dhe përçmim për pritjen që i bëri Këlcyra dhe e mbyll rrëfimin e tij: "Këtij njeriu nuk ia pashë më sytë, as në Francë dhe as në Shqipëri...". Në të vërtetë ishte Enver Hoxha që e detyroi Këlcyrën të kthehej në mërgim në nëntor të vitit 1944: një mërgim që nuk do të merrte fund kurrë. Edhe sot eshtrat e Këlcyrës prehen në varrezat e katolikëve, pranë Piramidës në Romë. Këlcyra nuk u kthye dot më në vendin e tij as i gjallë dhe as i vdekur. Hana Këlcyra tregon se ishte Ali Këlcyra që, me lutjen e Bahri Omarit, i gjeti Enver Hoxhës një punë me kohë të pjesshme në periferi të Parisit, derisa disa muaj më vonë ai që e kishte ndihmuar për bursën, ministri i Punëve të Jashtme të mbretërisë Eqrem Libohova, iu gjend sërish. Ia rekomandoi Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës që ta merrte sekretar në Konsullatë. Siç dëshmon edhe Hana Këlcyra: "Përfundimisht Eqerem Libohova, që ishte ministër në atë kohë. i gjeti një punë në Bruksel, në Konsullatën e nderit shqiptare". Enver Hoxha udhëtoi nga Parisi në Bruksel me tren në vitin 1935. U nis nga Garë dë l'Est pas pothuajse 11 muajsh qëndrimi në Paris, qëndrim që nuk do ta harronte gjatë gjithë jetës së tij. Qëndroi në Bruksel për gati një vit. Sipas dokumenteve, u emërua sekretar i konsullit të nderit të Shqipërisë në Belgjikë Georges Marothy, një pasanik i madh që kishte marrë pëlqimine Libohovës dhe të vetë mbretit Zog për të përfaqësuar Shqipërinë pranë Mbretërisë Belge. Nga qëndrimi në Bruksel janë dokumentuar fare pak gjëra. Është vërtetuar se ai u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë, në rrugën "Franklin Ruzvelt" në vitin akademik 1934-1935, por në numrin e regjistrit të tij, 2821, kartela është e bardhë, pra nuk figuron të ketë dhënë asnjë provim. Këtë e pranon edhe vetë Hoxha në kujtimet e veta. Ai flet pak gjëra për Brukselin, edhe pse memuaristika e pas vitit 1991 e bën atë atje protagonist të disa incidenteve që nisnin nga kapja në një bordello të Brukselit dhe deri te paraqitja në një pritje të Pallatit Mbretëror si princi trashëgimtar i Shqipërisë. Ka shumë gjasë që të gjitha këto të jenë fryt i fantazisë së kundërshtarëve të tij përderisa asgjë nuk është vërtetuar zyrtarisht. E vetmja gjë që dihet është se në kohën që ai ishte sekretar i Konsullit të Nderit u vodh arka e konsullatës dhe ky qe shkaku kryesor dhe zyrtar i shkarkimit të tij. Hana Këlcyra u referohet kështu kujtimeve të ministrit të Punëve të Jashtme Eqrem Libohova për këtë ngjarje: "Pastaj ndodhi një aksident, që kasa e konsullatës u vodh, nuk dihet nga kush, por ky ishte përgjegjës. Thoshin që ky e vodhi për vete, por kjo mbeti një enigmë". Enigmë mbeti edhe fakti se përse Hoxha nuk u kthye përsëri në Paris ose nuk u vendos pranë të motrës në Bari të Italisë, siç kishte një ide. Nuk ka ndonjë dokument që ta shpjegojë këtë, por nuk është çudi që të ketë vendosur të kthehet në atdhe pasi mori premtimin për një punë të sigurt. Eqerem Libohova ishte interesua sërish për të dhe Ministri i Arsimit i dha mundësinë të punonte si mësues plotësues pak muaj në Gjimnazin e Tiranës dhe më pas në Liceun e Korçës. Eqerem Libohova, njeriu që e ndihmoi tri herë, ndryshe nga shumë mecenë të tjerë të tij, nuk e pësoi drejtpërsëdrejti. Kryeministër i Shqipërisë në vitin 1943, në bashkëpunim me italianët ai u arratis në Romë, ku ndërroi jetë herët në vitin 1948. Në vitet e fundit të jetës Libohova nuk arrinte ta besonte, siç dëshmojnë gjithë miqtë e tij, sesi ai djalosh pa shkollë dhe problematik, të cilit qe përpjekur t'i gjente disa herë punë, ishte shndërruar në kryeministër të Shqipërisë dhe "udhëheqës" i saj. Eqerem Libohova ndërroi jetë si numri 7 i listës së "Kriminelëve të luftës", që qeveria e Enver Hoxhës i kishte dënuar me vdekje në mungesë dhe për të cilët kërkonte ekstradimin nga Italia
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje