Revista
|
|
Shqiptarët janë komuniteti i huaj me rritjen më të shpejtë në gjirin e Kishës Katolike në Itali. Ata përbëjnë përqindjen më të lartë, ndër etnitë joitaliane, të atyre që kthejnë besimin dhe i bashkohen fesë së krishterë në shtetin fqinj. Këtë e deklaron don Pasquale Ferraro, koordinatori kombëtar i veprës pastorale të shqiptarëve katolikë në Itali. “Bashkësia katolike shqiptare në vendin tonë numëron sot mijëra besimtarë,” pohon ai. Të organizuar në 70 bashkësi lokale, ata takohen rregullisht dhe e kremtojnë meshën në gjuhën shqipe. Lindja, rritja dhe konsolidimi i kësaj bashkësie i detyrohet kryesisht emigracionit. Një pjesëe mbi 500 mijë qytetarëve Shqiptarë të larguar në drejtim të Italisë këto vitet e fundit i përkasin besimit katolik. Për shumë syresh, besimtarë active në vendin e origjinës, frekuentimi I kishës në Itali është një vazhdimësi e natyrshme. Për të tjerë akoma konteksti i ri emigracionit, me vështirësitë dhe sfidat që mbart me vete, përbën një terren të përshtatshëm për lindjen dhe gjallërimin e besimit. Pal Marku, anëtar i bashkësisë katolike shqiptare të Torinos, pohon se për të “besimi në Zot është një mbështetje më shumë, një kënaqësi, një inkurajim, një forcë më tepër për të përballuar jetën.” Baba i tre fëmijëve, ai është detyruar të largohet nga Shkodra, qyteti i lindjes, për arsye ekonomike. “Këtu në Itali,” vijon ai, “frekuentoj rregullisht funksionet fetare, si në gjuhën Italjane, ashtu edhe në Shqip. Por në meshën në gjuhën Shqipe ndjej më shumë kënaqësi pasi jam më afër rrjetit, ndihem më afër vendit tim”. Funksionet fetare në gjuhën Shqipe i preferon edhe mjeku Injac Simoni. I larguar nga Shqipëria në moshë të madhe, për tu bashkuar me fëmijët e emigruar, në Itali atij i është dashur ta nisë rrugëtimin e profesionit thuajse nga e para, pas një karriere të gjatë e të suksesshme si mjek ligjor në spitalin e Shkodrës. Pavarësisht impenjimeve familjare dhe profesionale, ai rrallë mungon në meshën e së Djelës. “Më pëlqen të vij,” thotë ai, “pasi këtu kam mundësinë të takohem me bashkëatdhetare, të bisedojmë, si edhe të ndihmojmë ndokënd që mund të ketë nevojë”. Prejardhja, kisha si vend takimi me bashkëatdhetarët dhe besimi si mbështetje në jetën shpesh jo të lehtë në emigracion; këto, por jo vetëm, janë motivet që i shtyjnë shqiptarët të shtojnë radhët e Kishës Katolike në Itali. Sipas don Pasquale Ferraros, vala e parë e konvertimeve, fill pas rënies së komunizmit, përbëhej kryesisht nga persona që nuk kishin patur mundësi ta pagëzoheshin në Shqipëri, për arsye të njohura. Ndërsa sot, ata që kthejnë besimin dhe i bashkohen Kishës Katolike janë kryesisht njerëz që i kanë zbuluar pikërisht në Itali rrënjët e tyre të krishtera. “Dihet,” pohon ai, “se ata që e quajnë veten myslymanë
Shqiptarë nuk kanë ndonjë traditë të rrënjosur edhe aq thellë. Ata thonë se janë myslymanë pasi e tillë është origjina e familjes së tyre. Nuk besoj se ka patur ndonjëherë ndonjë besim të madh tek feja myslymane, që ka qënë më tepër një imponim i Turqve.” “Vatikani i Shqipërisë”, Shkodra dhe Zoja e saj shtegtare e Këshillit të Mirë Një pjesë e mirë e besimtarëve Shqiptarë katolikë në Itali janë me origjinë nga Shkodra dhe rrethinat e saj. E mbiquajtur edhe “Vatikani I Shqipërisë”, - për numrin e lartë të kuvendeve
katolike që janë vendosur aty, - Shkodra është gjithashtu edhe vendlindja e njërit prej kulteve më të forta të katolicizmit Shqiptar të të gjitha kohërave: atij kushtuar Zojës së Shkodrës, apo Zojës së Këshillit të Mirë. I adhuruar që herët, kulti i Zojës së Shkodrës u shndërrua në mit në vitin 1467. Sipas legjendës, Zoja e Shkodrës, një afresk i hershëm i Shën Mërisë me Krishtin në krahë, që zbukuronte kishën e Zojës në të hyrë të qytetit, u shkëput nga muri dhe fluturoi drejt perëndimit, për të shpëtuar nga njollosja islamike, gjatë rrethimit të Shkodres nga ushtritë osmane. Shtegtimi I mrekullueshëm i afreskut përfundoi në një qytezë te vogël pranë Romës, Genazzano, ose Gjenacanë, siç e thërresin besimtarët katolikë shkodranë. Në Gennazzano, si edhe në lokalitetin e quajtur Castiglione Tinella, në rajonin e Piemontit, kulti i Zojës është adhuruar pandërprerje, prej pesë shekujsh. Këto njëzet vitet e fundit edhe më fort se më parë, falë valës së re të emigracionit Shqiptar, për anëtarët e së cilit Zoja e Shkodrës është shndërruar në një simbol shumë të rëndësishëm. “Edhe ajo, ashtu si ata,” thotë don Pasquale, duke shpjeguar suksesin e kultit të Zojës ndër emigrantët Shqiptarë “është një pelegrine, e cila i ndjek bijtë e saj në emigrim.”
Fytyra e re e katolicizmit Shqiptar në Itali Kulte të hershme, pra dhe tradita shekullore, por besimi katolik ndër Shqiptarët e Italisë ka sot edhe një fytyrë të re, atë të qindra të rinjve e të rejave, studentë e punëtorë që kanë përqafuar rishtaz fenë e Krishterë. Ashtusi mjeku i ri Andrea Skanjeti, i cili,së bashku me të motrën Anamarinë, gjithashtu e diplomuar në Universitetin e Torinos, drejton tashmë prej disa vitesh grupin e të rinjve katolikë Shqiptarë të qytetit. “Vetëm në kishën e Romës që i është caktuar bashkësisë Shqiptare,” pohon don Pasquale, “këtë viti kemi 13 kandidatë për t’ju bashkuar fesë së krishterë. Ndërsa në Torino, disa vite më parë, ndër 30 të pagëzuar natën e Pashkëve, 20 syresh ishin Shqiptarë”. Komuniteti katolik Shqiptar në Itali luan një rol të rëndësishëm për imazhin e mbarë bashkësisë Shqiptare. “Shpesh është diskutuar mbi identitetin kulturor në dhe të huaj, mbi vështirësitë që janë hasur sa herë personat janë deklaruar shqiptarë, pasi paragjykime të pamotivuara e kishin pështjelluar e bërë të vështirë integrimin edhe në vendin e punës,” thotë don Pasquale. “Sot, këto paragjykime janë kapërcyer e në shumë raste janë shndërruar në lavdërime për ta,aq sa në shumë vende ata duhen e falenderohen. Krenaria dhe shpresa pra, zgjedhohen së bashku me foljen “integroj”, aq sa ta bëjnë bartëse të një limfe të re jetësore edhe në Kishën italiane”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje