Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

BALLDRENI,fshati me dy shenjtore.
Publikuar me 23 Mar 2009

BALLDRENI,fshati me dy shenjtore.

Nga Fatos BAXHAKU: Tani duket si një kanal i fjetur, i rrethuar nga kallamishtet dhe nga mbeturinat që njerëzia kanë hedhur mbi të për shekuj me radhë. E çon ujin e tij si me përtim drejt detit, njësoj sikur një dorë e epërme t‘i ketë caktuar një detyrë që ai nuk e ka dashur aspak. Është Drini, emër i njohur. Porse nuk është ai i famshmi, ai që mban mbi shpinë diga, liqene e hidrocentrale, por paraardhësi i tij i thjeshtë: Drini i Vjetër. Ne jemi në Balldren, në afërsi të Lezhës, në anë të rrugës Tiranë-Shkodër. Për shekuj me radhë Drini rridhte në këtë shtrat që kemi sot para syve, deri sa në fund të shekullit XIX disa tërmete të forta e kthyen shtratin e tij në drejtim të Bunës. Drinasa - kështu e quajtën asokohe rrjedhën e re - shkoi drejt Bunës. Shtrati i vjetër, ai që kalonte përmes Zadrimës deri në derdhjen në afërsi të Lezhës, vazhdoi të ekzistonte, porse vetëm si një kujtim i vjetër, një kanal jo fort i pjerrët që mbledh ujërat e fushës së madhe.


Shna Prenda dhe Shën Ana


Në fillim shkojmë në shkollë. Kështu na ndodh shpesh. Është vendi më i parë ku mund të mësosh ndonjë gjë për historinë. Ndërsa presim një mik të vjetër, rrimë e kundrojmë fëmijët në pushimin e madh. Një pulë e shëndoshë lemeriset nga një top që i fluturon mbi kokë. Një djalë porsa ka shënuar një gol për lumturinë e gocave që e kundrojnë që matanë fushës. Kemi kaluar një urë mbi Drin për të shkuar te shkolla. Miqtë tanë na thonë se ura është ndërtuar vonë. Për të shkuar në shkollë apo për të bërë pazar duhej kaluar mbi një trap. Trapi ka funksionuar deri në mesin e viteve ‘70. Fshatarët e kujtojnë mirë edhe emrin e trapaxhiut: Zef Gegë Ndoci nga Rraboshta, një fshat i afërt.

Uji ka qenë mbase fjala më e përdorshme në Balldren deri në mesin e viteve ‘70, kur Këneta e Kakarriqit (një hapësirë e madhe ujore që shtrihej mes Malit të Rrencit dhe atij të Kakarriqit) u bonifikua për t‘ia lënë vendin asaj që sot e quajmë Fusha e Torovicës. Deri në atë kohë Balldreni ishte i rrethuar krejt nga uji. Në njërën anë ishte këneta, në anën tjetër Drini i Vjetër. Kur Marin Bici, peshkopi shkodran i Tivarit e vizitoi fshatin në pranverën e 1610 shkroi: "Fshat me 50 shtëpi ose pak më shumë. Aty shërbente vendasi D. Andre Julsi në kishën e Shna Prendës. Ka kelqe e veshje mjaft të mira. Ka një kambanore katërkëndëshe por pa kambanë. Banorët janë të gjithë të krishterë latinë, vetëm dy shtëpi janë turq (myslimanë)".

Vetëm pak minuta më pas jemi te kujtimi më i vjetër i Balldrenit. Kisha që përmend Bici është ende në këmbë. Duket e lodhur nga pesha e motive, por është ende aty, në majë të kodrës që zotëronte dikur fshatin e vjetër. Të nisur nga koha e datimit të kishës së manastirit të Shna Nout, që është vetëm pak më në jug të saj, shumëkush mendon se kisha është fort e vjetër, mosha e saj shkon deri në 700-vjeçare.

Heshtja e ka rrethuar kishën e moçme. Nga vendasit mësojmë se kisha nuk e mban më emrin e Shna Prendës, por atë të Shën Anës. Një tjetër kishë, një që është ndërtuar kohët e fundit, ka marrë emrin e shenjtores më të njohur të fshatit. Kishës së vjetër do t‘i duhet të mësohet me një emër të ri, me atë të Shën Anës. Kemi pra në të njëjtin fshat dy shenjtore mbrojtëse.

Në fakt, Shna Prendën dhe Shën Anën i lidhin shumë pika të përbashkëta. Shna Prenda është version katolik shqiptar për Shën Venerandën, Shën Venerën, Shën Parashqevinë apo për Shën e Premten. Të gjithë këta emra kanë parash të njëjtin njeri. Shna Prenda ishte vajza e vetme e një çifti tregtarësh të pasur. Lindi në Sicili, plot 35 vjet pas martesës së prindërve. Ishte viti 100 pas Krishtit. Ajo lindi një të Premte të Shenjtë të Pashkëve. Lindja e saj u pa si një mrekulli dhe kaq mjaftoi që vajza t‘i kushtohej fesë gjithë jetën e saj. Pasi e fali të gjithë pasurinë e saj për të vobektit, iu kushtua vetëm një qëllimi, përhapjes së besimit të krishterë në të gjithë Sicilinë. U ekzekutua me prerje koke kur ishte 43 vjeçe. Legjendat kristiane thonë se vdiq e lumtur, pasi mori një mesazh nga vetë Zoti se ai do t‘i kishte për zemër të gjithë ata që i kushtoheshin me devocion jetës së përshpirtshme.

Shën Ana është diçka më e vjetër se Shna Prenda. Ajo nuk është as më shumë e as më pak se sa vetë gjyshja e Jezu Krishtit, nëna e Shën Mërisë. Ana kishte qenë një herë e martuar. Nga martesa e parë pati dy vajza. Të dyja bijat e saj u bënë më pas nëna shenjtorësh të tjerë. Pas vdekjes së burrit të parë, Ana u martua me Jakun (edhe ky shenjtor), një burrë i zoti nga fisi i Judës, gjak nga Davidi i famshëm. Porse edhe pas 20 vjetësh çifti nuk po arrinte të bënte fëmijë. Për judejtë e atëhershëm kjo gjë ishte një shenjë e keqe. E çfarë burri je kur nuk i dhuron fëmijë Izraelit? Kjo pyetje e ka torturuar aq shumë Jakun, sa që ka vendosur të braktisë të shoqen dhe Jerusalemin dhe të endet nëpër shkretëtirë. Legjenda thotë se një mesazh hyjnor u erdhi të dyve pas disa kohësh. Sipas mesazhit, nëse bashkoheshin, atëherë do të bënin patjetër fëmijë. Dhe kështu ndodhi. Nëntë muaj pas takimit të Anës dhe Jakut te "Porta e Artë", lindi Maria, nëna e ardhshme e Krishtit. Një kishë kushtuar Shën Anës është ngritur në Jerusalemin verilindor nga kryqtarët që në shekullin XII. Ata besonin se kjo ishte lagjja ku ajo kishte jetuar së bashku me Jakun dhe me Marinë e vogël.

Ana dhe Prenda paskan plot pika të përbashkëta. Të dyja historitë kanë lidhje me pritjen e prindërve për fëmijët. Njëra ka lindur vetë pas 35 vjetësh martese të prindërve, tjetra ka lindur Marinë pas 20 vjetësh. Mbase jo rastësisht të dyja kujtohen më 26 korrik. Një rast për fshatarët e Balldrenit që të bëjnë një festë të vetme për dy shenjtore njëherësh.

Teksa rrimë e kujtojmë këto histori biblike, kishës i afrohet një figurë e vogël, e veshur sipas mënyrës malësore. Është një plakë e imët, e mbledhur sa një grusht nga pesha e moteve që ka mbi shpinë. E lemë një copë herë të mirë plakën të thotë lutjet e saj. Pastaj e takojmë në derë të kishës. "Jam tu fol bash e n‘derë t‘kishës. Majini mirë mend kto që do ju tham…", plaka bën edhe një herë kryq para se të nisë bisedën me ne. Është 86 vjeçe, Dava Frrok Marku. Ka lindur në bajrakun e Selitës, diku afër Rrëshenit të sotëm në Mirditë. Burri i ka vdekur 58 vjet më parë. Ka pasur jetë të vështirë. Ka mbetur jetime që e vogël. Në Balldren është vendosur së bashku me djemtë e saj, në fillim si e internuar. Njëri nga djemtë ka bërë shumë vite burg politik. "Boll e vujtun jam kenë - na thotë Nana Davë - porse kjo Shqipni nuk po m‘pëlqen. Jena kenë të varfën, na kanë futë ndër burgje, porse s‘i ka prek kush me dorë fmit. Jo! Kto qi po nigjojmë s‘i kena pasë ditë besa!". I lutemi Nanës Davë që të na e përsërisë atë lutjen që po thoshte pak më parë në kishë. "Ah - psherëtin plaka - djelt e djelve u dashkan ma shumë se vetë djelt" dhe pastaj nis të thotë uratën: "Oj Zoja Shna Prende, atyne nipave t‘mi nepu men me msu, nepu jetë me jetu, nepu shnet, nepu punë me punu, por nepu edhe vullnet qi t‘shkojnë kaiherë në shpi t‘vet". Duket sheshit se plakën e urtë e ka këputur malli për nipat e saj që janë në emigracion. Përballë na shikon një pikturë ku pasqyrohet Shën Ana me Marinë e vogël në prehër. Për Nanën Davë kjo nuk do të thotë asgjë. Ajo është mësuar tashmë t‘i drejtohet vetëm Shna Prendës. Atë njeh më mirë.


Një "kazmanaut" i ditur


Ka punuar gjithë jetën në kazmë, por pasioni i tij i madh kanë qenë e mbeten librat. "Jam kazmanaut", bën shaka Mark Pashku dhe bën sikur punon me kazmë. Marku, që mban edhe mbiemrin Celaj apo Malota, është ndër banorët e hershëm të Balldrenit. Vendi ka pësuar disa popullime. Që nga koha e 50 familjeve të Marin Bicit ka rrjedhur shumë ujë. Malësorët e Dukagjinit dhe të Malësisë së Madhe dimëronin me tufat e tyre të mëdha në fushat në anë të kënetës së dikurshme. Shtimi i familjeve bëri që pak nga pak, një pjesë e tyre të vendoseshin përfundimisht këtu. Marku është njëri prej tyre. Tashmë, pasardhësit e malësorëve blegtorë të dikurshëm e quajnë veten të vjetër në këto troje. Dhe janë vërtet të vjetër, sepse pas tyre u vendosën të tjerë të ardhur nga malësitë, por edhe nga krahina të tjera të Shqipërisë. Kështu u krijua Balldreni i Ri. "Janë Pallatet e Komanit", thonë në Balldren kur e kanë fjalën për ato që u ngritën këtu në vitet ‘70. Banorët e tyre janë të gjithë punëtorë hidrocentralesh ose bijtë e tyre. Gjithsej, 32 familje. Disa kanë arritur të punojnë në pesë hidrocentrale.

Marku e mban mend mirë kohën e kënetës. "Uji shkote deri atje ku asht xhadja sot. Ka qenë klimë e keqe. Ne gzoheshim kur shkoshim për verim ndër malet e të parve tanë. Ktu ka pasë shumë malarje, por ne nuk jena prekë shumë. Kena metë racë e fortë si tanë malsort. Baba jem, Pashko Prela, e axha jem kanë kenë burra t‘fortë. Po kur ishim të ri nuk e dishim që e keqja vjen ma vonë. Unë e ime shoqe, bashkë me fmit e mi kena ba punë të randa. Na qushin me biografi t‘keqe. Nji herë u tha kneta, pastaj u ndrru xhadja për Shkodër. Kohët ikshin e na veç në kazëm". Me Markun shohim disa fotografi të vjetra. Shtëpia e tij është e stërmbushur me libra. Disa janë të porsadalë në qarkullim. "Na i bani lekt libra", bën shaka e shoqja, Nana Mri. Fare afër shtëpisë së re të Markut është ende në këmbë kulla e gurtë. Një ngrehinë solide tashmë e pabanuar. "Në kët shpi jena kenë nji herë shtatë nuse bashkë", tund kokën Nana Mri. Lemë pas Balldrenin dhe vazhdojmë më tej. Kush e di se përse na sillet ndër mendje një shprehje që Marku na e pat thënë si me të qeshur: "I marri nuk din çka thotë e i meçmi nuk thotë ça din". Kjo sigurisht që nuk ka lidhje me historitë tona, por gjithsesi ia vlen të hidhet në letër.


2025
  
1

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI

balldre

Bukur. Vend me vlera!

Mërkurrë, 27 Maj 2015 16:09