Revista
|
|
Agron Gjekmarkaj
Zbulimi i dokumenteve sekrete të raportimit në Vatikan
Fishta si pak të tjera personazhe të historisë sonë ka qenë objekt intrigash jo vetëm pas vdekjes për arsye tashmë të njohura, por dhe atëherë kur ai ishte në apogjeun e famës dhe autoritetit. Të çudit fakti se ai sulmohej e spiunohej nga sivëllezërit e tij meshtarë të urdhrit jezuit të cilët ishin kryesisht italianë. Çuditërisht, një prej denoncuesve të tij kryesorë në Vatikan është Giuseppe Valentini. (I konvertuar kulturalisht në shqiptar dhe i njohur si Zef Valentini.) Një nga identifikuesit e kësaj autorësie ishte dhe At Zef Pllumi. Valentini me të drejtë konsiderohet si njëri prej albanologëve më në zë për kontributin cilësor e kryesisht për veprën e tij 26-vëllimëshe “Acta Albania Veneta”). Jo rastësisht ne gjetëm në Arkivin e Shtetit një raport të rrallë, i cili është marrë në Vatikan nga një dorë dhe mendje e kujdesshme dhe është sjellë në Shqipëri para pak vitesh me dëshirën që historianët të jenë sa më afër të vërtetave historike. Materiali në fjalë është i kompozuar nga disa letra të ndryshme me objekt të njëjtë: Fishtën, të cilat i dërgoheshin Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit nga klerikët e lartë jezuitë nga Shkodra. Ajo çka na habit më shumë në këtë rast është fakti se nuk kemi të bëjmë me informacione të detyrueshme rutinë, por me akte të vullnetshme e të pastra spiunimi, me një nivel të larte intrigash me qëllimin e përcaktuar të denigrimit dhe dobësimit të pozitave të Fishtës në Vatikan, duke e paraqitur atë si anti-jezuit, anti-italian dhe më shumë patriot shqiptar se ç’ia lejonte petku. Nuk hezitohet aspak në këtë tentativë të shpërdoret letërsia e tij si argument shoqëror dhe politik në favor të tezave jezuite. Kemi të bëjmë me një manipulim të rrethanave dhe kontekstit historik me këto hipoteza, thashetheme me burime informacioni të ashtuquajtura sekrete, që dëshmojnë për një mënyrë të vepruari meskine dhe mungese respekti ndaj shtetit shqiptar dhe ligjeve te tij. Inicialet me të cilat janë firmosur disa syresh të shpien te Zef Valentini, aso kohe personazh në pah i publicistikës në Shqipëri, si drejtor i revistës ‘Leka’. Në thelb të konfliktit është përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat e klerit, ndaj së cilës Jezuitet ishin kategorikisht kundër. Fishta ishte një nga mbështetësit kryesorë, gjë që e kishte dëshmuar që në vitin 1902, kur ishte drejtor i shkollës françeskane, duke futur shqipen si gjuhë mësimi e jo tashmë kur shteti shqiptar ishte i konsoliduar dhe françeskanët dhe shkolla e tyre letrare kultin e gjuhës e kishin bazik.
Këto letra variojnë në momentin kur shteti shqiptar humbet gjyqin në Hagë për çështjen e shkollave katolike, të cilat u mbyllën në vitin 1933 nga ministri i atëhershëm Mirash Ivanaj, në emër të një shkolle kombëtare laike. Diku nga fillimi i vitit 1935 Gjergj Fishta ngarkohet nga Vatikani që të negociojë me mbretin Zog për rihapjen e këtyre shkollave, në bazë të vendimit të gjykatës ndërkombëtare. Gjatë këtyre bisedimeve At Gjergj Fishta do të kërkonte të gjitha të drejtat e mohuara, për të cilat Zogu u tregua mjaft i arsyeshëm, por meqenëse ai ishte përfaqësues i të gjithë klerit, pra edhe i jezuitëve në këto bisedime, nga këta të fundit ai do të shihej me shumë dyshim, sepse Mbreti premton hapjen e shkollave, por vë si kusht gjuhën shqipe, gjë që përkon dhe me bindjen e Fishtës. Nga ky moment ata mendojnë se Zogu (i cili pas amnistisë mbretërore të vitit 1929 i kishte përmirësuar mjaft raportet me poetin françeskan) është cytur nga Fishta për të arritur në një përfundim të tillë dhe, me pretekstin që nuk kanë trupë pedagogjike për këtë gjuhë, ndërtojnë një mekanizëm akuzash të rënda pranë Selisë së Shenjtë për t’i hequr atij të drejtën e përfaqësimit pranë Oborrit mbretëror. Në këtë përpjekje, siç do të shohim edhe nga letrat e përkthyera, dalin në pah të gjitha kontradiktat e hershme ndërmjet klerikëve italianë, të cilët në disa raste mbronin edhe interesat e qeverisë fashiste. Këto letra hedhin dritë mbi një periudhë të caktuar historike e sidomos për Fishtën kaq të përfolur. Ato rrëzojnë versione pasionante të disa studiuesve shqiptarë që vënë në dyshim kontributin e tij kombëetar dhe marrëedhëeniet me Italinë e Fashizmit. Ne e dimë që dy rrymat më të fuqishme të klerit katolik në Shqipëri kanë qenë Françeskanët dhe Jezuitët, të cilët në aktivitetin e tyre kanë patur disa ndryshime thelbësore përsa i përket qëndrimeve ndaj gjuhës, kulturës, kombësisë dhe politikës. Françeskanët si Fishta, Gjeçovi, Prenushi etj. kishin studiuar në Bosnjë dhe ishin influencuar dukshëm nga profesorët kroatë krijues të formulës “Atme e Fe’’, çka do të thotë krahas doktrinës kristiane edhe përpjekje për identitet kombëtar e kulturë kombëtare. Kjo formulë dhe ky parim dominoi veprimtarinë fetare dhe kulturore edhe në Shqipëri, me Fishtën si autoritet të padiskutueshëm. Ndërsa Jezuitet janë më universalë. Ata përgjatë historisë së tyre, që kur u themeluan si urdhër nga Injacio La Jola, janë marrë kryesisht me ruajtjen e autoritetit të Selisë së Shenjtë dhe formimin shpirtëror e teologjik të besimtareve, duke synuar globalizmin katolik, pa u interesuar shumë për veçoritë kombëtare të popujve pranë të cilëve ata ishin misionarë. Ky dallim në fillim të shekullit tjetër e në vazhdim qe shumë i dukshëm në Shqipëri, sepse mbështetja që gëzonin françeskanët ishte shumë e lartë. Natyrisht kjo u kushtëzua nga zgjedhja e tyre në favor të shkrimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe problemeve kombëtare. Këto letra janë një lakmus që na ndihmon për të rrokur me mend sot aspekte të ndërlikuara historike dhe në një farë mënyre rikonfirmojnë postulatin e jezuitëve “Njihe armikun më mirë se veten”.
LETRA 1
At Gjergj Fishta zhvillon bisedime me Ahmet Zogun
Shkëlqesisë së Tij të Lartë Monsinjor Giuseppe Pizzardo
Sekretar i S.C AA.EE.SS-Vatikan
Shkëlqesi fort e nderuar,
Duke mbajtur parasysh që Selia e Shenjtë na ka shprehur shumë herë me qartësi dhe vendosmëri vullnetin e saj që Etërit e Kompanisë së Jezuitëve ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre në misionin në Shqipëri edhe në veçanti në Seminarin Pontifik të Shkodrës e në Institutet shkollore për rininë laike të Shkodrës dhe Tiranës,e kemi quajtur detyrën tonë ndaj Selisë së Shenjtë që të informojmë Sekretarinë e Shtetit të Shenjtërisë së Tij për rreziqet që aktualisht mund të kërcënojnë vetë ekzistencën e të mbiquajturve institute, si dhe pjesën tjetër të instituteve të drejtuara nga familjet e tjera fetare italiane. At Gjergj Fishta, ministër i Provincës Shqiptare të Fretënve Minorë, aktualisht po zhvillon bisedime me lartmadhërinë e tij Mbretin Zog I të Shqipërisë për rihapjen e shkollave katolike. Ati në fjalë, vetëm dy ditë para nisjes së tij në kryeqytetin Tiranë, pra me 15 të këtij muaji pati një bisedë me Superiorin e misionit të Eterve Jezuitë në Shqipëri, por nuk mori asnjë kontakt me Institutet e tjera fetare italiane e nuk ngjan të ketë renë dakord me ordinarët lokalë. Në këtë bisedë ai i paralajmëroi jezuitët se Madhëria e tij Mbreti Zog, që tashmë ia kishte lejuar atij hapjen e shkollave françeskane, do të ishte kundër rihapjes së Instituteve të Jezuiteve; që ai P. Fishta kishte treguar kujdesin e nevojshëm për të kërkuar rihapjen e të gjitha instituteve katolike të mëparshme, por me programe dhe gjuhë mësimi e drejtues krejt shqiptar. Ai gjithashtu, përsëriti me detaje padrejtësitë e shkuara dhe të tashme që mendonte se i ishin bërë atij nga Eterit Jezuitë, duke shprehur gatishmërinë për t’i falur.
Ati superior i jezuiteve iu lut Fishtës që të mënjanonte çdo ndarje midis nesh e të mos i propozonte pikërisht ai kufizimet në të drejtën e Kishës për një shkollë të lirë. Në fakt, kushtet e parashikuara nga At Fishta, praktikisht, mund të jenë të tilla që të na e bëjnë të pamundur neve dhe instituteve fetare me mësime në italisht vazhdimësinë e veprës shkollore në Shqipëri.
Me tej, nëse do të propozoheshin po këto kushte edhe për seminarin Pontifik të Shkodrës ose nëse thjesht do të pranoheshin nga shtëpitë e formimit fetar të Etërve françeskanë, ekzistenca e të mbiquajturit Seminar Pontifik do të rrezikohej seriozisht.
(Nga informacione private rezulton se Etërit françeskanë kanë krijuar mundësinë e një konflikti …. Për të rinjtë françeskanë në Tiranë … shënim me laps)
Duke vërejtur shenjat e ndezura kombëtare të njohura tashmë të At Gjergj Fishtës e duke konstatuar disa hapa tash së fundi, njerëz me autoritet, edhe nga kleri shekullar (e shtuar me laps) lokal edhe shqiptar na këshilluan të informojmë për gjithçka Sekretarinë e Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Për të qenë më i qartë po bashkëngjis një skemë për atë që mund të bëhej në dobi të instituteve tona shkollore si dhe në dobi të instituteve të tjera shkollore të bashkësive fetare italiane që janë të pranishme në Shqipëri.
I nënshkruari është në dispozicion të Shkëlqesisë Suaj, ndaj të cilit deklaron devocion e përunjësi në lidhje me dokumentacionin apo hollësi të tjera të nevojshme për atë çka parashtrova.
Prefekti i studimeve në Seminarin Pontifik Shqiptar.
Në emër të superiorit e Misionit Shqiptar të Etërve Jezuitë në Shqipëri.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
mirsada pjeshka |
Premte, 27 Mars 2015 18:51 |