Revista
|
|
Gazeta Rilindja Demokratike ka botuar sot të plotë dosjen gjyqësore të deputetit Arben Ndoka, i dënuar në vitin 2003 për shfrytëzim prostitucioni.
Sipas kësaj dosje, deputeti Ndoka dhe vëllai i tij janë dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Madje siç raporton RD një prej viktimave të dy vëllezërve Ndoka ka qenë shtetasja S.Gj., ish- e fejuara e të vëllait të Arben Ndokës.
Pas dhënies së dënimit, çështja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Lezhës ku më vonë është rishqyrtuar dhe gjyqtare ka qenë Parashqevi Ademi, gjyqtarja e arrestuar para pak javësh për marrje ryshfeti.
Ja çfarë shkruhet në dosjen e botuar në RD:
“Nga shqyrtimi i akteve që ju paraqitën Gjykatës rezultoi se, shtetasi Arben Ndoka është banor i qytetit të Lezhës dhe në vitin 1995, ai ka qenë në shtetin italian si emigrant.
Më datën 1 shkurt 1995 shtetësja shqiptare, Suela Gj. siç është deklaruar nga ajo, në moshën 20-vjeçare ka ikur në Itali, ku ndodhej i fejuari i saj, shtetasi Kujtim Ndoka, i cili është vëllai i shtetasit Arben Ndoka, aktualisht i dënuar dhe objekt i këtij vendimi, me shpresën e gjetjes së ndonjë pune.
I dënuari Arben Ndoka dhe vëllai i tij, Kujtim e çuan shtetasen Suela Gj. të prostituonte. Më vonë, ata e transferuan atë në Romë, ku Suela Gj. njohu një klient të quajtur Margheri Mario me të cilin pati marrëdhënie sentimentale, ku si rezultat i këtij veprimi ka ardhur dhe vendimi i denoncimit të ish-të fejuarit të saj, Kujtim Ndoka, për shfrytëzim prostitucioni, ku ky i fundit u arrestua dhe më pas ai është liruar.
Më datën 9 shkurt, Suela Gj. po udhëtonte me një veturë që drejtohej nga shoku që bashkëjetonte me të, Mario Margheti, kur mjeti është ndaluar nga një veturë “Golf” ku gjendej ish-i fejuari i Suela Gj., shtetasi Kujtim Ndoka, bashkë me tre shqiptarë të tjerë, e kanë detyruar Suela Gj. të zbriste nga makina e italianit dhe të shkonte me të te një avokat, para të cilit të tërhiqte akuzat në ngarkim të shtetasit Kujtim Ndoka, pasi ky do të gjykohej pas disa ditësh nga Gjykata e Romës për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në dëm të vajzës.
Në makinë ishin shtetasit Kujtim e Arben Ndoka dhe shtetas të tjerë shqiptarë. Vetura është drejtuar në drejtim të Milanos, ku shtetësja Suela Gj. do t’ju besohej disa shqiptarëve të tjerë. Mëngjesin e ditës tjetër, në Bollate, pasi ka hyrë në një bar me bashkëkombasit e saj, shtetësja Gjoni ka arritur të flasë me një kameriere, të cilës i ka kërkuar të lajmëronte karabinierët, ku më pas me ardhjen e tyre aty, ajo ka bërë denoncimin e saj. Ajo ka dëshmuar se ishte bërë objekt goditjeje nga ana e Kujtimit dhe kërcënimesh nga ana e dy vëllezërve Ndoka.
Edhe dëshmitari Margheri, ka dëshmuar para Gjykatës se makinës së tij i kishte prerë rrugën “Golfi Diesel” dhe kishin zbritur dy djem, ku njëri nga ata ishte shtetasi i dënuar Arben Ndoka, të cilët me kërcënimin e një pistolete që linte të kuptohej që e mbanin në xhep, kishin detyruar vajzën të zbriste e kishin nxjerrë nga makina dhe duke e mbajtur për krahu e kishin hipur në “Golf”.
Për të gjitha këto veprime të kundraligjshme, shtetasi shqiptar Arben Ndoka është deklaruar fajtor për krimin e parashikuar nga nenet 81, 110, 48, 61 n. 2 në referim të nenit 372, 605 të K.Penal dhe përfundimisht është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim ndalimi në zyrat publike prej 5 vjetësh dhe lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këtë dënim, ku vuajtja e dënimit nga data e burgimit është dt. 31.05.2002″.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje