Revista
|
|
Hero gazetash? Biznesmen brilant? Vrasës i dhimbsur? Burrë i devotshëm në familje? I lindur më 17 janar 1899 në Bruklin të New Jork-ut, Alphonese Gabriel Capone i kishte të gjitha këto gjëra, por edhe asgjë prej tyre. Një njeri kontradiktor, ai ishte produkt i kohës së tij, i talentit të tij dhe instinktit të tij. Ai ishte në shumë mënyra si stuhi perfekte, nuk mund të ekzistonte i vetëm në atë vend që jetoi.
Si u bë gangster djali i emigrantit italian
E kush mund të bëhej tjetër? Ai vinte nga familja e Gabriel Caponit nga Jugu i Italisë. Pra, i kishte të gjitha "mundësitë" për të arritur majën e kupolës mafioze. I ati zbarkoi në brigjet e Ellis Island në fillim të shekullit të kaluar për të vazhduar jetën në Bruklin të Nju Jorkut. Pikërisht në këtë lagje lindi Alpohonse. Dhe, një gabim në regjistrim bëri që mbiemri Caponi, të shkruhej Capone dhe të mbetej për tërë jetën. Por, për tërë jetën mbetën edhe bëmat e tij. Vetëm 10 vjeç bën aksionin e parë. Rreh mësuesin e tij dhe përjashtohet nga shkolla. Stacioni i ri i jetës, rruga dhe grupe të tëra djelmoshash që pushtonin rrugët. Dhe, vetëm në moshën 16-vjeçare, ai kishte mbi shpinë akuza të tilla si rrahje, grabitje dhe vjedhje. S'kishte ku të fuste kokën, kështu i dha lamtumirën Nju Jorkut për t'i thënë mirë se të gjeta Çikagos. Aty ai jo thjesht do të niste një jetë të re, por do të ngrinte një perandori, një biznes kriminal, që në momentin që e menaxhoi në një godinë në afërsi të qendrës së qytetit, ajo mori emrin "Caponeville". Uiski derdhej lumë në qytetin më të dehur në botë, grabitjet, gjobat, prostitucionet, aferat ishin sektorët e tij. Dhe, ndërsa FBI e shënoi në listën e saj mes 25 emrave më të inkriminuar në SHBA, Al Kapone ia ktheu duke hapur mensa falas për të ngrënë supë të varfrit. Mjaftoi një dokument dhe ai u arrestua. Por, jo për akuzat e krimeve të rënda, por për shmangie nga taksat. Dhe, përpara jurisë ai mbajti atë fjalim të famshëm duke iu drejtuar prokurorëve dhe gjykatësve: Ju jeni klientët e mi!
Pasuria e Al Kapones
Arriti majën pikërisht kur atëherë llogaritë thoshin: Al Kapone fiton në javë 100 mijë dollarë. Më shumë, më mirë, më bukur dhe më pasur se kaq nuk kishte më. Por, jo vetëm kaq. Një vilë për merak, një makinë "Cadillak" e blinduar që peshonte 7 tonë, një shpurë badigardësh, por mbi të gjitha drejtues i tregut të uiskit në të gjithë Çikagon, e bëri atë pa diskutim më të famshmin dhe më të pasurin. Duke vërtetuar shprehjen e famshme, se prapa një pasurie përrallore, ndodhet një vepër kriminale përrallore. Dhe, Al Kapone jetonte në kohën e tij. Ai ishte produkti i saj. Një lloj shteti brenda shtetit. Mjafton të përmendim se "Cadillaku" i tij ishte i dyti për nga siguria pas Presidentit Franklin Rusvelt.
Fundi nga sifilizi
Sëmundja e tij e sifilizit në fakt u diagnoztifikua që në burgun e Alkatrazit. Por, ai jetoi edhe shumë vite të tjerë. Ishte një moment përpara se të vdiste, që ai madje hoqi dorë nga biznesi. Vetëm një vit përpara se të vdiste, gjithçka ia la bandës së tij që drejtoi me sukses, por edhe familjes. Sëmundja e lodhi shumë, sa më 25 janar të vitit 1947 pësoi një infarkt që i mori jetën. Një jetë që më pas u kthye me të vërtetë një folklor rrugësh, gazetash e deri sot, kur ai është një mit. Një mit, që ashtu kriminal që ishte, tregon një epokë që prodhoi një gangster me emrin Al Kapone.
ALFONS KAPONE
Emri: Alfonse
Mbiemri: Capone
Atësia. Gabriel
Amësia: Tereze
Origjina: Siçili, Itali
Ditëlindja: 17 janar 1889
Vendlindja: Bryklin, Nju Jork, USA
Gjendja familjare: I martuar, me një djalë
Aktiviteti: çikago
Profesioni: Biznesmen
Dita e vdekjes: 25 janar 1947, ora 19:25
TE DHENA PER AKTIVITETIN
Kishte monopolin e tregtisë së birrës dhe të uiskit
AKUZAT E DREJTESISE
Kontrabandë pijesh
Mospagim taksash
Vrasje dhe pagesa për vrasje
I akuzuar direkt për masakrën e Shën Valentinit
DENIMET
Dëbuar nga çikago
10 muaj burg për mospagim taksash
DENIMI
Dëbuar nga qyteti i Çikagos
Dënimi i parë: 10 muaj burg për mospagim taksash, u lirua dy muaj më parë për sjellje të mirë në burg
I dënuar: 10 vjet burg, bëri 2 vjet
Arrestimi i dytë: 3 maj 1932
Lirohet: në 6 janar 1939
.............
Në qelinë muze të Al Kapones në burgun e Alkatrazit
Sot burgu i Alkatrazit në San Francisko të SHBA-së nuk "punon" më. Është thjesht një muze dhe famën e vjetër nuk e ka për metodat që gardianët vinin në përdorim ndaj të dënuarve. Për dy vjet rresht, bash aty, ka qenë i strehuar gangsteri më i madh i të gjitha kohërave në SHBA, por dhe në të gjithë botën. Për Al Kaponen e kemi fjalën. Është një qeli e ruajtur si ato ditë kur biznesmeni me pistoletë në sqetull vuante dënimin aty në muret e zhveshura nga lagështira, por që edhe në ato pak metra katrorë ai notonte në luks. Kishte një krevat përsëmbari, një tavolinë pune, një shandan, një kolltuk, një pasqyrë dhe një radio. Një radio? Ishin vitet '30 dhe në SHBA ishte me të vërtetë e rrallë të kishe një radio. Por Al Kapone jo vetëm që e kishte, por e kishte brenda në qelinë e tij. Dhe, si "rob i mirë" që ishte ftonte në qeli edhe gardianët që tundoheshin nga ai dollap që fliste dhe dëgjonin së bashku muzikë, lajme e emisione.
I dënuari "i mirë", Al Kapone
Po tjetër? Po të hysh, aty mëson në radhë të parë, se sa i vështirë ishte ai burg. Por kjo nuk funksiononte për Al Kaponen që dinte të bënte marifete. Imagjinoni, burgu ishte një ishull me një sipërfaqe sa ajo e burgut në formë kështjelle dhe largësia më e afërt nga bregu i Oqeanit ishte 2.2 kilometra. Nuk kishte gjë më të sigurt. Por, përsëri kjo nuk vlente për Al Kaponen. Ai dinte ta rregullonte situatën. Për gjatë gjithë kohës që ai qëndroi në burg, familjarët e tij të gjithë u vendosën në një hotel në breg të oqeanit. Po aty jetuan në këtë kohë edhe të gjithë pjesëtarët e bandës dhe kjo afërsi bënte që ai jo vetëm të vazhdonte aktivitetin dhe biznesin, por edhe burgu të mos i dukej burg. Të dhënat flasin se Al Kapone pothuajse për ditë kishte njerëz që e vizitonin. Dhe, a e dini përse gardianët dhe administrata sillej mirë për të? Ai ishte modeli i burgut. Jo thjesht në sjellje, jo thjesht në komunikim dhe mospjesëmarrje në sherre dhe zënka. Al Kapone kundërshtoi çdo organizim për rebelim në burg apo tentativa për arratisje. Atëherë, përveçse t'i varnin në qafë një tabelë mirënjohje, çfarë mund të bënin tjetër krerët e burgut. Kështu, ai, Big Ali, tmerri i Çikagos, autori i sa e sa vrasjeve, kontrabandës së uiskit, veprimeve gangstere e të tjera e të tjera si këto, u lirua një ditë të bukur për sjellje të mirë në burg.
Burgu Alkatraz
Një burg si ai. Sot SHBA mund ta quajë më të sigurtin, por edhe më të çmendurin. I ndërtuar dhe i hapur më 1934, ai pati vetëm 21 vjet jetë. U ndërtua në formën e një kështjelle në ishull dhe kishte një siguri të padiskutueshme. Jo vetëm nga largësia ujore dhe kështjella, por edhe për faktin se askush nuk do të tentonte hedhjen në ujë ku peshkaqenët kishin shtëpinë e tyre. I vetmi rast largimi shënohet një vit përpara se të mbyllej, ku tre të burgosur u arratisën, por nuk u gjet asnjë shenjë e tyre pas hedhjes në ujë. Duket se peshkaqenët ishin gardianët më të mirë se ata që qëndronin në tokë.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje