Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

A po shkon Ilir Meta tek Edi Rama?
Publikuar me 13 Pri 2012

A po shkon Ilir Meta tek Edi Rama?

Nga: HENRI ÇILI
Me këtë që ndodhi dje në Parlament, lidhur me votimin për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ia vlen të shtrohet pyetja thelbësore: A po shkon Ilir Meta drejt Edi Ramës në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013? Jo? Por…!
Nuk i kemi ende të dhënat e mjaftueshme për të pohuar se ka, ose do të ketë, krisje në koalicionin qeveritar, por ndërkohë kriza brenda mazhorancës, ose më saktë mes partnerëve Meta-Berisha të Koalicionit për Integrim, në lidhje me votimin për anëtarin e ri të KLD-së, shërben si një test për të ngritur disa pikëpyetje të mëdha në lidhje me koalicionin qeveritar.

Më shumë sesa për të ngritur pikëpyetje në lidhje me mundësinë potenciale të një bashkëpunimi eventual Rama-Meta, kjo që ndodhi, ose situata aktuale, ngre pikëpyetje mbi sensin e vijimësisë së këtij koalicioni politik sui generis.
Janë të paktën tri prej këtyre pikëpyetjeve të cilat shtrohen si më poshtë: A ka kuptim koalicioni PD-LSI, në qoftë se dy muaj më vonë Berisha do të zgjedhë Presidentin e Partisë Demokratike, ndërsa Ilir Metës do i duhet veçse të votojë për të? (A ka kuptim pluraliteti dhe nuanca brenda koalicionit nëse ndodh kështu?)
Pikëpyetja e dytë: A ka kuptim oferta e përbashkët PD-LSI për alternativën e 2013-ës me këtë përmbajtje të ekipit qeveritar, me këtë performancë dhe me këtë stanjacion?
Pikëpyetja e tretë: Cila është arsyeja politike e këtij koalicioni, jashtë inatit ose raportit kontradiktor Berisha-Meta? Për të gjitha këto, votimi i një djaloshi me CV modeste, për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të paktën ia vlejti për të ngritur këto tri pikëpyetje.
Pikëpyetjet në fjalë, në një formë a në një tjetër, duket se do të jenë edhe shinat në të cilat do ‘rrëshqasë’ ose ‘ngecë’, jo vetëm partneriteti në qeverisje i Berishës me Metën, por edhe partneriteti i aluduar i Metës me Ramën. Votimi i djeshëm në Kuvend për anëtarin me CV modeste, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte vetëm akti i parë i një showdown-i politik, trajtat e të cilit do të formësohen edhe më, dy muaj më pas, kur në sallën e Kuvendit ndeshja të jetë e ‘peshës së rëndë’ dhe trofeu politik: Presidenti i Republikës.


1008
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI