Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

"A eshte Mel Gibson Skenderbeu?"
Publikuar me 26 Pri 2009

"A eshte Mel Gibson Skenderbeu?"

Elton TAFARUÇI

Mel Gibson do të luajë Skënderbeun. Një nga aktorët më të njohur të Hollivudit do të mund ta shohim nën rrobat e Heroit tonë Kombëtar dhe së shpejti do të jetë një kolosal i Hollivudit. Nuk është fantazi dhe as një dëshirë e fshehur, por një mundësi që mund të bëhet realitet. Lajmi i publikuar nga “Tirana Observer” një vit më parë është konfirmuar edhe nga regjisori amerikano-shqiptar dhe producenti i filmit dokumentar “Mbreti Luftëtar”. Nik Gjonaj tha për “Gazetën Shqiptare” se është vënë në kontakt dhe po bashkëbisedon me “Icon Production”, të aktorit australian Mel Gibson për filmin mbi Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeu. Nuk është ende e konfirmuar, por ai shprehu lumturinë e tij se “Illyria Entertainment” ka lidhur kontakte edhe me regjisorin e famshëm amerikan, Francis Ford Coppola, i njohur nga të gjithë për kryeveprat e tij kinematografike dhe për më shumë për filmin “Kumbari”.
Megjithatë deri tani çdo gjë është në nivel bisedimesh dhe Gjonaj nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth këtyre bisedimeve me dy kolosët e Hollivudit. Por, nëse ky projekt do të shkonte në port, atëherë për herë të parë ne shqiptarët do të përfaqësoheshim me prodhimin kinematografik më të denjë në Hollivud. Dhe në lojë janë dy personalitete kinematografike më të njohur dhe më me influencë në këto 20 vitet e fundit në botën e kinemasë amerikane. Filmi dokumentar për Skënderbeun duket se ka ngjallur shumë interes dhe ndoshta kjo ka qenë edhe kartëvizita më e mirë që ka ulur në një tavolinë Mel Gibsonin dhe Kopolën. Sigurisht që projekte të tilla janë madhështore dhe për realizimin e tyre nevojiten me miliona dollarë. Dhe në kohë krize ekonomike nuk është aspak e lehtë t’i gjesh. Por, nëse në lojë do të futen këta dy emra prestigjiozë dhe me eksperiencë në industrinë e filmit, atëherë suksesi është pothuajse i garantuar. Në termat historikë ata që do të përfitojnë më shumë do të jenë shqiptarët, të cilët kësaj radhe do të kenë shansin më të mirë për të imortalizuar nëpër kinema dhe ekranet televizive njeriun më të madh në historinë e kombit dhe më i njohuri në të gjithë literaturën dhe enciklopeditë botërore, dhe në të njëjtën kohë mban edhe titullin e “Atletit të Krishtërimit”.

Filmi dokumentar për Skënderbeun
Në ekranet e televizionit shumë shpejt do të shfaqet një film dokumentar mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Prodhimi është i regjisorit amerikano-shqiptar, Nik Gjonaj. Kjo falë edhe kontributin e kompanisë “Ilyria Entertainment”, e cila mundësoi këtë projekt të madh, ku Gjonaj është edhe bashkëthemelues. Roli kryesor është luajtur nga Anton Gojcajn dhe për këtë projekt kanë kontribuar shumë shqiptarë të Amerikës. Historia është marrë nga Marin Barleti, nga ku është bazuar edhe skenaristi Nua Gjelaj. Skenat e filmit janë xhiruar në shumë vende. Ato janë të ndryshme dhe për të janë përdorur pyjet e Holly-t në Michigan, Krujë, Kosovë, pjesë të ndryshme të Shqipërisë, Austri, Itali dhe Britani e Madhe. Por për nxjerrjen e fakteve historike mbi Skënderbeun nuk ishte aspak e lehtë. Për të u gërmua nëpër arkivat e universitetit të Kembrixhit, Notingamit dhe ato sekrete të Vatikanit. Në pamjet filmike bëjnë pjesë edhe përkrenarja dhe shpata e Skëndërbeut e cila ndodhet në Vjenë. Për përgatitjen e këtij dokumentari është xhiruar në 3 kështjella dhe 12 qytete, dhe deri tani ai ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët. Madje ai ka fituar edhe dy çmime ndërkombëtare në SHBA.

Projektet për filmat e Skënderbeut
Për realizimin për jetën e Skënderbeut ka pasur shumë projekte. Njëri prej tyre është edhe ai i regjisorit dhe producentit të njohur shqiptaro-amerikan, Sten Dragoti. Para dy vjetësh u shpreh se do të realizonte një film për historinë e jetës së Skënderbeut. Ndërkohë që projekte të ndryshme gjatë viteve janë paraqitur dhe nga regjisorë të vendeve fqinjë, si ai i italianit Roberto de Feo. Por deri më sot filmi i vetëm dinjitoz me metrazh të gjatë është ai i realizuar nga rusët, në vitin 1957.

Sten Dragoti
Regjisori amerikan me origjinë shqiptare, gjatë vizitës së tij dy vjet më parë në Shqipëri deklaroi se do realizonte një film për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Është një film që ne do ta bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme. “Unë nuk mund të bëj një film si “Braveheart”, për të cilin u deshën 60-70 milionë dollarë. Nuk kam dëshirë të bëj një film me shpata e mburoja. Skënderbeu bëri shumë beteja dhe për këtë do të duhej një film i gjatë 20 orë. Por jam i interesuar në një gjë: Askush deri më sot nuk ka pasqyruar në një film se cili ishte Skënderbeu, çfarë mendonte ai në kokën e tij, cilat ishin shqetësimet e tij dhe ç’e shtyu të vinte nga Turqia, ku u rrit si figurë ushtarake e të kthehej në vendlindje, duke e ditur se ata do të hakmerreshin me të gjithë forcën kundër tij”, ka thënë Sten Dragoti dy vjet më parë në një intervistë. Ndërkohë është parashikuar që Skënderbeu më parë të realizohej në një film për fëmijë, në mënyrë që të familjarizohej publiku që nuk e njeh këtë figurë.

Projekti “Skanderbeg”
Një nismë të ngjashme me atë Sten Dragotit, para katër vitesh do ta merrte dhe Cinecittà në Itali. Regjisori Roberto de Feo mori përsipër realizimin më të madh që ishte parë ndonjëherë në Itali. Një film që do t’i kushtohej Heroit tonë Kombëtar dhe që do kishte skena magjepsëse të betejave. Madje De Feo dhe bashkëpunëtorët kishin llogaritur të sfidonin dhe efektet skenike të filmit “Troja”. De Feo vendosi për të realizuar projektin me ndihmën e arbëreshëve të Italisë, por edhe sot në ekranet e kinemasë nuk është parë i realizuar ky projekt.

Projekti rus
Filmi “Skënderbeu” është një nga prodhimet më serioze të kinematografisë sonë në bashkëpunim me atë sovjetike. Filmi u realizua në vitin 1953. Drejtor i filmit ishte Sergei Jutkeviç, skenarist Mikhail Papava. Në rolet kryesore luanin aktori gjeorgjian, Akaki Khorava, në rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Besa Imami në rolin e Donikës, Adivie Alibali në rolin e Mamicës, aktori rus Semion Sokolovski në rolin e Hamzait, aktorja ruse Veriko Anxhaparizhe në rolin e Dafinës, Naim Frashëri në rolin e Palit dhe në rolet e tjera aktorët rusë, Xhorxhi Çernovolenko, Oleg Zhakov, Aleksandër Vertinski, Sergo Zakariaxhe, Vladimir Belokurov, Vagram Papazian, Boris Tenin. Në Amerikë u shfaq në vitin 1953, me titullin “Great Ëarrior Skanderbeg”, (Luftëtari i Madh Skënderbe). Filmi u xhirua në dy vende, në Shqipëri dhe në Rusi, dhe është i gjatë 90 minuta. Edhe pse bashkëpunim shqiptaro-rus filmi “Skënderbeu” është i pari prodhim kolosal i Kinostudios shqiptare.

Kush eshte Akaki Alekseyevich Khorava
Lindi në 29 prill të vitit 1895 në Ochkhamuri, provinca Ajaria, sot Gjeorgjia. Vdiq në 23 qershor të vitit 1972 në Tbilisi të Gjeorgjisë. Është aktor i njohur dhe ka marrë pjesë në 19 filma të prodhimit rus. Karrierën e tij e ka nisur që në vitin 1924 me filmin “The Lost Treasure”. Filmat e tjerë vijnë sipas radhës dhe padyshim që tematika e tyre nuk mund të ishte jashtë kontureve të sistemit komunist të instaluar në Rusinë e Stalinit. Por për ne shqiptarët do të kujtohet për aktrimin në rolin e Skënderbeut në vitin 1953.

Çmimi në Kanë
“Great Warrior Skanderbeg”, (Luftëtari i Madh Skënderbe) është edhe filmi i parë që përfaqësoi vendin tonë në Festivalin e Kanës, ku u nominua me një çmim për regjisorin. Por në të njëjtën kohë ishte edhe nga të fundit me të cilët u nderua Shqipëria. Megjithatë këtë na e shpjegon instituti “Luce”, i cili në një dokumentar për historinë moderne të vendit tonë ka bërë të ditur se prodhimi i përbashkët ruso-shqiptar u pëlqye dhe u nderua me këtë çmim. Një gjë e panjohur ky më parë për shqiptarët të cilët ishin në hije të këtij fakti. Por vetë filmi për Skënderbeun gjatë regjimit komunist u shfaq shumë rrallë në ekranet e televizionit shqiptar. Sido që të jetë edhe pse mund të ketë pasur mangësi nga pikëpamja kinematografike, ai është një kolosal që u pëlqye dhe u vlerësua nga kritika e kohës. Dhe këtu bëhet fjalë për atë ndërkombëtare e cila vlerësoi me nota të larta filmin 90 minutash mbi heroin tonë kombëtar që njihej pothuajse në të gjithë Evropën. Ishte shumë prestigjoze duke marrë parasysh se vendi ynë ishte një vend i mbyllur dhe vinte nga një e kaluar e prapambetur dhe nuk kishte tradita në kinematografi. Për këtë sot ai është i vetmi projekt kinematografik i cili arriti të shikojë sallat e kinemasë. Në të njëjtën kohë mbetet edhe unikal në llojin e tij si film i parë dhe i fundit kolosal dhe tashmë ka hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare.


3559
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI