Revista
|
|
Nga Adrian Sherka
Alfred Nobeli e thotë shkurt e suedisht një gjë e cila në shkurt e shqip do të mund të përkthehej: “...nga punimet e fituesi të çmimit duhet të përfitojë njerëzimi”. Po i lexuat argumentet e komitetit të këtij çmimi për zgjedhjen e laureatit në mesin e kandidatëve, do ta konstatoni se ato ndryshojnë nga rasti në rast. Për shembëll, në vitin 1953, Komiteti i Çmimit Nobel për Letërsi e zgjedh ish-kryeministrin britanik Winston Churchill (i vetmi kryeministër i një shteti në botë që ka marrë Çmimin Nobel për Letërsi) “për zotërimin e përshkrimit historik e biografik dhe gjithashtu për dikursin e shkëlqyer në mbrojtje të vlerave njerëzore.”
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadaré ka qenë i propozuar disa herë për këtë çmim edhepse në shoqërinë e tij (në shoqërinë shqiptare) sot ende ka fëmijë të pafajshëm të ngujuar. Ata fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak se një i çmendur i familjes së tyre ka bërë krim. Ky fenomen do të duhej ta shokonte shkrimtarin shqiptar. Nëse ka vetëm pak humanizëm në qenien e tij, Ismaili duhet ta ketë obsesion më të madh çrrënjosjen e këtij fenomeni nga mentaliteti i popullit të tij sesa fitimin e Çmimit Nobel.
Duke u bazuar në fjalët e vetë Nobelit, të komitetit të ndarjes së këtij çmimi për letërsi dhe në faktet që u përmendën më lart, mund ta bëjmë pyetjen vijuese: A e meriton me të vërtetë Ismail Kadare çmmin Nobel?
Përgjigja ime është negative. Por, meqë është ende gjallë, ky shkrimtar mund të përmirësohet dhe t’i riparojë gabimet e tij të mëdha.
Sipas mendimit tim, Ismail Kanadre nuk shkruan që të përfitojë njerëzimi nga shkrimet e tij. Diskursi i tij mund të jetë i shkëlqyer në formë sepse, pa dyshim, ka pasur gjithmonë ndihmë dhe këshilla në këtë drejtim. Por në përmbajtje, letërsia e tij nuk është në mbrojtje të vlerave njerëzore. Në të kundërtën, diskursi i i tij i “shkëlqyer” është në mbrojtje të antivlerave.
Ismail Kadaré ia mvesh gjakmarrjen popullit shqiptar si tipar kulturor derisa vetë populli e quan atë fenomen kancer. Në një intervistë, shkrimtari në fjalë quan gjakmarrjen “margaritar të zi” të populli shqiptar. Qoftë i zi apo i bardhë, kur flet për margaritar, ai flet për vlerë të popullit të tij. Pra, e cilëson si vlerë krimin apo vrasjen ma paramendim.
Sipas disa analistëve kritikë të Kanunit, libërthi 106 faqesh i kodifikuar me emrin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është i përgatitur nga Akademia e Skencave Serbe në kohën e Pashiqit dhe se nuk ka asnjë lidhje me Lekë Dukagjinin i cili vetëm përmendet në kopertinë. Ky fakt meriton analizë shkencore.
Pikërisht, sipas këttyre analistëve, qëllimi i keqbërësve ka qenë që, së pari, t’i mvishen popullit shqiptar antivlerat e këtij libërthi për t’ia përlyer imazhin në botë. Së dyti, që mundësisht (sa më shumë që është e mundur!) të binden vetë shqiptarët, përmes njerëzve që i kanë ngritur si Kadarenë dhe ata që kanë interes nga krimi, siç janë ndërhyrësit apo pajtimtarët - të cilët në fakt janë nxitës të gjakmarrjes - se ato antivlera (të cilat shpien në shkatërrim dhe vetëshkatërrimin e një shoqërie) janë pjesë të identietit shqiptar. Me një fjalë, u sugjerohet shqiptarëve t’i vënë ato antivlera në praktikë dhe t’i mbrojnë.
Sikur kemi një gjurmë të vogël në këtë drejtim: Paragrafi “§.63. i Kanunit, me titull “Tagri i Parbinis ( i dialit të parë)” piaka “d” thotë: “Me kênë derë Vojvodet, djalit të parë të vllaut të parë i perket prîja”... Fjala "vojvodë" është kombinim i dy fjalëve serbe: “Voj” (ushtri) dhe “Voda” (udhëheqës). Pra, vojvoda është titull EKSKLUZIV i një udhëheqësi ushtarak çetnik serb. Vojisllav Shesheli, për shembëll, i cili ka paraqitur sheshit plane për zhdukjen e shqiptarëve, e ka këtë titull. Tani për tani, (jemi në vitin 2015) numri i shqiptarëve të cilët e kanë fituar titullin “vojvodë” është po aq i madh sa numri i shqiptarëve të cilët e kanë fituar çmimin Nobel për lerërsi.
Siç mund ta konstatoni duke e lexuar “Prillin e thyer”, autori nuk e lavdëron aspak gjakmarrjen si fenomen. Përkundrazi, e paraqet si një biznes shumë fitimprues të planifikuar me mjeshtri e dinakëri. E përshkruan deri diku realitetin e sugjeruar. Por, faji i shqiptarit Ismail Kadaré është i një niveli tjetër shumë më subtil: Edhepse e kritikon në njëfarë mënyre planin makiavelik të kodifikuar me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ai e konfirmon dhe i jep vulën e një “shkrimtari të madh” (në një shoqëri ku, gabimisht, kulti i personaliteteti ka përmasa tepër të mëdha) se përmbajtja e këtij libërthi me përralla të kodifikuara si ligje i përket, me të vërtetë, mentalitetit dhe vlerave kombëtare të popullit shqiptar.
Ja një argument tjetër se gjakmarrja nuk është e vetmja antivlerë e Kanunit. Në përkthimin e romanit “Prilli i thyer” në frëgjisht, shprehja e Kanunit “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” përkthehet “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikpritësit”. Shprehja origjinale në shqip do të ishte joligjore në një shoqëri të civlizuar! Shtëpia i takon pronarit me të githa të drejtat ndërsa miku e ka vetëm një të drejtë në shtëpinë e tjetrit: të ketë frikë se po pengon!
Si mund të jetë pasuria më e madhe e shumicës së njerëzimit në nivelin e rruzullit tokësor, siç është shtëpia, jo e pronarit por e ... dikujt tjetër? Sado zemërgjerë që mund të jetë qytetari Ismail Kadaré, kurrë nuk do të pranonte që shtëpia e tij të jetë e tjetrit! Ju që e njihni personalisht, shkoni dhe provojeni këtë gjë. Hyni në shtëpinë e tij, qoftë si mik, qoftë si armik (duke pretenduar se keni të drejta në shtëpinë dhe pasurinë e tij) dhe do ta shihni si do të reagojë!... Do ta thërrasë policinë!!!
Gjithmonë sipas analistëve kritikë të Kanunit dhe aktivistëve kundër gjakmarrjes, për ta përpiluar atë libërth prej 106 faqesh, serbët janë bazuar në dy dokumente të dy miqve (njëri me tjetrin) shqiptarë. I pari: Pjesa më e madhe insiprohet nga Kushtetuta e Gjon Marka Gjonit dërguar në Beograd bashkë me kërkesën për njohjen e Republikës së Mirditës si shtet. I dyti: Pjesa tjetër (më e vogël) inspirohet nga dokumenti i mikut dhe bashkëpunëtorit të të parit, Esat Pashë Toptani, i cili dokument quhej “Pleqëria e Shqipërisë së Mesme”. Këto fakte meritojnë të vërtetohen dhe të krahasohen.
Monedha e Kanunit është groshi. Ai përmendet (vetëm përmendet!!!) si monedhë në dokumentin e Esat Pashë Toptanit. Në fakt, groshi është përdorur si monedhë në Kanunin e Sulltan Sylejmanit por kurrë... ASNJËHERË!... në trojet shqiptare, as në rrethin e Mirditës as në rrethet tjera! Kjo është provë se shoqëria e Kanunit, nuk ka egzistuar kurrë në trojet shqiptare por vetëm si projekt në mendjen e keqbërësve.
Bëhet pyetja: Pse pranon atëherë Ismail Kadare që popullit shqiptar t’i mvishen antivlerat e Kanunit?
Jovetëm që pranon por jep edhe kontribut në këtë drejtim. Sepse u rri gjithnjë besnik keqbërësve. Pa kontratën për projektin e mveshjes dhe vulosjes së antivlerave si pjesë të identitetit shqiptar, kurrë Ismail Kadare nuk do të ishte ngritur në nivelin që është tani si shkrimtar.
Bëhet pyetja tjetër: A mund t’i përmirësojë Ismail Kadaré gabimet e tij të mëdha?
Të shpresojmë se do ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është vonë për të që ta afirmojë të kundërtën e antivlerave. Ai ka qenë komunist dhe është kthyer kundër komunizmit, së paku publikisht, edhepse komunistët ia kanë dhënë të gjitha mjetet dhe hapsirën për të vepruar. Pse të mos bëjë një gjë të tillë me keqbërësit dhe t’i bëjë një analizë kritike planit makiaveik (Kanunit) me argumente? Pse të mos e thotë sheshit se ajo që përmban libërthi me 106 faqe në fjalë nuk ka të bëjë as me vlerat shqiptare, as me verat humane?
Për të shkuar më larg, Ismail Kadare mund të krijojë një personazh me vlera humane, një njeri të shkolluar, i cili kur ndodhet në famijen e cila impozon mbylljen e fëmijëve të pafajshëm, nuk pranon një gjë të tillë. Nuk pranon të jetë anëtar i një familjeje të “ndershme” e cila vepron si celulë apo organizatë terroriste! Ai pesonazh deklaron se gjykata e dënon vrasësin ndërsa anëtarët tjerë të familjes së vrasësit nuk kanë faj sepse nuk kanë bërë faj. Ai personazh i kallëzon në polici familjarët e tij që kërkojnë të holla për gjak, ata që përcjellin të holla për gjak (apo porosi kërcënuese) dhe ata që japin të holla për gjak ose u nënshtrohen kërcënimeve në vend se ta lajmërojnë policinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare.
Së fundi, edhe nëse nuk e bën një gjë të tillë Ismail Kadare, tema dhe rrugët janë të hapura për një shkrimtar shqiptar të talentuar dhe zemërgjerë nga punimet e të cilit do të përfitojë njerëzimi... siç sugjeron vetë Nobeli.
Mëgjithatë... Ismail Kadaré mbetet gjithnjë në pozitën më të mirë që ta meritojë me të vërtetë atë çmim “për zotërimin e përshkrimit historik (krijimi i Kanunit) e biografik (kallëzimi i mandatit të tij për vënien në praktikë të këtij plani makiavelik) dhe gjithashtu për dikursin e shkëlqyer në mbrojtje të vlerave njerëzore (puna e tij e ardhshme argumentative dhe letrare me qëllim që shoqëria shqiptare të shërohet nga kanceri i shkaktuar nga keqbërësit).”
Adrian Sherka, korrik 2015
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje