Revista
|
|
1. 21 tetor 1995
Tre punonjës të SHIK marrin peng në Tiranë Remzi Hoxhën, një tregtar shqiptaro-maqedonas i duraluminit që punonte në kryeqytet. Pas rrëmbimit, askush nuk jep informacion, sa që nxirret konkluzioni se ai ka vdekur nga rrahja. Në qershor 2003 arrestohen tre drejtues të SHIK, një prej të cilëve lirohet në shtator.
2. 31 tetor 1995
Merret peng Erion Nushi, një fëmijë 5 vjeç. Pengmarrësit i kërkojnë të atit biznesmen një shumë të konsiderueshme parash. Hetimet nxorën se autorë ishin pjesëtarë të organizatës "Hakmarrje për Drejtësi". Kjo është edhe akuza zyrtare e prokurorisë ndaj 11 pjesëtarëve të kësaj organizate.
3. 8 qershor 1998
Merret peng në shtëpinë e tij, Koço Dado, 45 vjeç, një biznesmen i fuqishëm dhe kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve shqiptarë. Që nga ajo ditë nuk dihet fati i tij. Pas një jave është dorëzuar një kasetë filmike me pamjen e tij të lidhur në këmbë dhe sytë të zënë me natriban.
4. 9 dhjetor 1998
Merret peng në Tiranë, Petrit Gazheli, një nga biznesmenët më të njohur të konfeksioneve nga Turqia. Gazheli, 45 vjeç, ishte duke ecur me makinën e tij në rrugën e Kavajës, kur persona të panjohur e morën me vete. I kërkonin 2 milionë dollarë, ndërkohë që ai iu dha 400 mijë USD. Pas një operacioni të policisë, ai lirohet.
5. Mars 1999
Tre persona vrasin për një ditë tre policë dhe katër shqiptarë. Më pas ngujohen në një shtëpi, dhe marrin peng një çift me fëmijën e tyre 7 muajsh. Më pas njoftohet policia dhe RENEA. Pas negociatave arrijnë të lirojnë tre pengjet. Pengmarrja përfundon me vdekjen e tre pengmarrësve.
6. 28 maj 1999
Flamur Pisli, 25 vjeç, merr peng tetë persona në një autobus në Selanik të Greqisë dhe kërkon një shumë të madhe parash në këmbim të tyre, si dhe kthimin në Shqipëri. Autobusi futet në vendin tonë, siç kishte kërkuar pengmarrësi. Pisli vritet mëngjesin e 29 majit gjatë një operacioni të RENEA-s në Qafë-Kërrabë të Elbasanit. Së bashku me të humbet jetën edhe njëri nga pengjet.
7. 5 qershor 1999
Katër persona marrin peng Sofie Gogën, 4 vjeçe, nga Kakavija, e bija e një biznesmeni nga Fushë-Bardha e Gjirokastrës. Pengmarrësit kërkuan 50 milionë dhrahmi. Pas disa ditësh familja pagoi 5 milionë dhe pas një aksioni të policisë fëmija lirohet. Arrestohen Myrteza Onja dhe Alfred Shehu nga Fushëbardha, ndërsa dy të tjerë i arratisen.
8. Qershor 1999
Merret peng në Tiranë biznesmeni kinez Li, një tregtar i farmaceutikës. Pesë djem e kishin marrë atë në dyqan dhe më pas u kërkonin familjarëve milionat. Pengmarrësit e mbyllën në një fortifikim në oborrin e shtëpisë përdhese. Pas një jave, policia bëri të mundur lirimin e tij dhe arrestimin e autorëve.
9. 15 korrik 1999
Aleksandër Nana merr peng në Gumenicë, qytezë pranë Selanikut, një autobus me 40 persona dhe kërkon në këmbim 250 mijë dhrahmi. Pas negociatave të para, pengmarrësi lëshon 35 persona dhe niset me autobus në drejtim të Shqipërisë, por nuk lejohet të kalojë kufirin. Ai vritet në momentin kur do të merrte paratë. Nana pretendonte se policia greke e kishte dhunuar dhe i kishte grisur dokumentet.
10. 29 qershor 2002
Halit Nazifi, 35 vjeç, merret peng në Tiranë dhe i kërkohet familjes 1 milionë euro. Personat që e morën tek vila e tij në Allias ishin veshur me uniformë policie. Gjatë operacionit për lirimin e tij, plagoset Gentian Caka, duke dyshuar se në këtë ngjarje është e implikuar "Hakmarrja për Drejtësi", por nuk zyrtarizohet asnjëherë.
11. Dhjetor 2002
Merret peng në Gostivar të Maqedonisë, Irfan Idrizi, imami i qytetit dhe vëllai i biznesmenit të njohur shqiptaro-maqedonas. Më pas pengun e çojnë në Kukës dhe atje në bashkëpunim edhe me disa vendas e mbajnë pengun në këmbim të 2 milionë dollarëve. Pasi është dhënë 1 milionë dollarë, pengu nuk është liruar. Nuk dihet fati i tij, në dhjetor të 2003 policia ka arrestuar 3 persona.
12. 23 prill 2003
Merret peng nipi i biznesmenit të Vlorës, Klajdi Shehu. Në këmbim të të riut pengmarrësit i kërkuan me anë të telefonit biznesmenit Sulo Shehu 10 milionë dollarë. Policia bëri të mundur lirimin e Klajdit dhe arrestimin më pas të pesë pengmarrësve. Ndërsa gjykata e Vlorës ka dhënë dënimin për Besnik Gjata, Elton Ismaili, Luan Saraçi, Besnik Saraçi dhe Julian Metushi.
13. 31 korrik 2003
Dy kosovarë janë marrë peng dhe nën presionin e armëve u janë kërkuar rreth 100 mijë euro, për lirimin e tyre. Ngjarja ka ndodhur pasi dy të rinjtë kanë zbritur nga autobusi i linjës Athinë -Tiranë. Policia e kryeqytetit ka mundur që të prangosë vetëm njërin prej të dyshuarve, Hamdi Calin.
14. 22 shtator 2003
Edmond Zdrava djali i një biznesmeni është marrë peng nga tre "miqtë" e tij. Pengmarrësit kërkonin 10 milionë lekë në këmbim të lirisë. Ndërkohë, pasi e kanë keqtrajtuar, Arjan Morini, Aurel Mio dhe Klodjan Selami, të cilët janë arrestuar nga policia si pengmarrës, e kanë lënë të lirë 17-vjeçarin.
15. 27 dhjetor 2003
Katër fëmijë janë marrë peng në fshatin Pla të rrethit të Hasit, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të familjarëve të tyre dhe të policisë ata janë liruar pas 6 orësh. Policia dyshon se fëmijët janë marrë peng për qëllime përfitimi. Policia bën të mundur arrestimin e tre autorëve.
16. 17 korrik 2004
Merret peng Fatjon Demrilika dhe në shkëmbim të tij pengmarrësit vendosin 100 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur kur Fatjon Demirlika kishte hyrë në një karburant në rrugën "Myslym Shyri" dhe tre ish-shokët e tij, Gjergji Cukali, Ilir Kodumi dhe Ledio Lito e kanë goditur dhe e kanë marrë peng për dy ditë. Ndërkohë, gjykata dënon me 131 vjet burg gjashtë të pandehurit për këtë pengmarrje.
17. 11 nëntor 2004
Merret peng shtetasi kanadez, Pluton Diko. Personat që ndodheshin në makinë i kanë drejtuar armët dhe i kanë vënë kapuç në kokë. Pas denoncimit të familjarëve, Diko lihet i lirë pas 72 orësh. Ndërkohë policia ka bërë të mundur arrestimin e dy prej pengmarrësve.
18. 15 dhjetor 2004
Dy shqiptarë marrin peng 25 pasagjerë grekë. Leonard Murataj dhe Elton Resulaj kanë mbajtur për disa orë peng pasagjerët e autobusit të linjës Tiranë-Athinë. Pas negocimit të vëllait të njërit prej pengmarrësve është bërë i mundur lirimi i pengjeve e më pas policia greke ka bërë të mundur arrestimin e dy emigrantëve shqiptar.
19. 22 janar 2005
Merret peng Izabela Ferra bashkë me vajzën e saj. Në pranga bien si të akuzuar për këtë pengmarrje, Genci Sanxhaku, Fatjon Delia dhe Klodian Memoali. Sipas policisë, shuma ishte 100 mijë euro, të cilën duhet ta paguante një francez i quajtur Alen Monuz. Memoali dhe Delia rifitojnë lirinë, ndërsa Sanxhaku vazhdon të jetë në qeli.
20. 23 janar 2005
Alfred Beqiri, pronari i një punishteje druri në Tiranë, merret peng nga një person, i cili ka paguar 3 mijë euro për një vizë angleze dhe nuk e ka marrë në dorë. Sipas policisë së Tiranës, Beqiri, i cili ka qëndruar 10 orë peng, ka bërë denoncim në polici pasi është lënë i lirë.
21. 7 korrik 2005
Merret peng kryetari i PD-së së Hasit, Behar Kastrati. Pas shumë kërkimesh, trupi i pa jetë i mjekut të Hasit është gjetur në liqenin e Fierzës nga disa fëmijë në 28 gusht. Pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë vënë në pranga dy vëllezërit, Abedin dhe Qamil Rexha. Gjykata lë në qeli edhe Ibrahim Gecin, si bashkëpunëtor në vrasje.
22. 28 tetor 2005
Merren peng një grua e 3 fëmijët e saj nga ish- kunati. Me thikë në dorë, Sazan Xhemali ka rrëmbyer tre fëmijët e vëllait të ish-gruas së tij, Teutës, bashkë me nënën e tyre. Arsyeja e rrëmbimit ka qenë rikthimi i ish-bashkëshortes së tij në shtëpi. Ndërkohë, pas ndërhyrjes së policisë katër pengjet janë lënë të lirë, ndërsa pengmarrësi është arrestuar nga policia.
23. 29 tetor 2005
Adoleshenti Redi Kola është marrë peng për disa orë dhe është dhunuar nga dy bashkëmoshatarë të tij në rrugën "Siri Kodra" të Tiranës. Më pas 17-vjeçari është braktisur në zonën e Stacionit të Trenit. Pak orë më vonë, policia e Tiranës arrin që të arrestojë njërin nga pengmarrësit, Vjolti Xhafën.
24. 8 shkurt 2006
Merret peng autobusi i linjës Tiranë-Kukës nga dy vëllezër, të cilët kishin për qëllim kryerjen e një akti terrorist. Mbi dyzetë pasagjerë kanë qëndruar për 140 minuta nën ankth dhe kërcënimin e dy vëllezërve, Ramiz dhe Rifat Onuzi. Nga kjo pengmarrja ka mbetur i vdekur polici Fran Kaçorri, një pasagjer dhe shtatë të plagosur, madje dhe një nga vëllezërit. Ndërkohë, pas disa orë negociatash të forcave RENEA, dy vëllezërit u dorëzuan.
25. 27 shkurt 2006
Merret peng nga shokët e tij, më pas gjendet i vdekur. Trupi i Erlin Shapllo është gjetur i vrarë dhe i hedhur në afërsi të fshatit Ferraj. Sipas policisë, arsyeja e marrjes peng e më pas vrasjes se 19-vjeçarit është prishja e pazareve për një armë. Ndërkohë, uniformat blu të kryeqytetit arrestojnë shokët e të riut.
26. 8 gusht 2006
Një punëtor nga Lushnja është marrë peng nga tre durrsakë për 2 milionë lekë të reja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ndërkohë që pengu është lënë i lirë vetëm pas ndërhyrjes së policisë. Riza Dyrmishi ka rënë peng në duart e dy vëllezërve, Gjergji e Ndue Kola dhe mikut të tyre, Fetah Matmuja.
27. 26 shtator 2006
Tre persona i kanë prerë rrugën automjetit tip fuoristradë në pronësi të Banush Ibërliut, ku pas një breshërie automatiku marrin peng 57-vjeçarin. Është dashur ndërhyrja e specialeve të RENEA-s dhe një helikopteri, që situata të marrë fund pa viktima. Ndërkohë, policia është në kërkim të tre autorëve që morën peng pronarin e autobusëve të linjës së këtij fshati.
28. 3 tetor 2006
Avioni i kompanisë "Turkish Airlines" me 113 pasagjerë niset nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" në drejtim të Turqisë dhe ndryshon itinerarin, duke u marrë peng nga turku Hakan Ekënxhi. Ky i fundit donte të shkonte në Romë për t'i dërguar një letër Papës. Pas bisedës me pilotin e avionit, turku ulet në Brindisi e më pas vetëdorëzohet te autoritetet italiane.
29. 8 tetor 2006
Adrian Sina, një 25-vjeçar nga Kodër-Kamza ka kërcënuar jetët e 25 pasagjerë të autobusit të linjës Durrës-Tiranë. Kërkesa e tij e vetme: "Më çoni në Rinas, se dua të iki në Itali për të gjetur punë". I ulur fare pranë shoferit Gëzim Gjana, 25-vjeçari ka nxjerrë në mes të rrugës një granatë.
30. 9 tetor 2006
Për 30 minuta, një 18-vjeçar është rrahur dhe masakruar nga Ardian Protoduari. Dyshimi se Jonuz Çobo mund t'i kishte vjedhur 8 milonë lekë i ka mjaftuar Protoduarit për të marrë peng dhe më pas për të rrahur të riun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën në Urën Vajgurore, ndërsa policia është në kërkim të autorit.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje