Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

11 shtatori, familja kujton Simon Dedvukajn
Publikuar me 07 Sht 2011

11 shtatori, familja kujton Simon Dedvukajn

Më 11 shtator 2001, 26-vjeçari Simon Dedvukaj, ndodhej në njërën nga kullat binjake të Nju Jorkut kur ajo u godit nga terroristët. Jeta e shkurtër e Simonit u ndërpre papritur bashkë me atë të disa mijra të tjerëve. Sot, pas 10 vjetësh, familja dhe të afërm të tjerë e kujtojnë Simonin me mall dhe thonë se asgjë nuk mund t’ua shërojë plagën, por jeta duhet të vazhdojë.

Familja Dedvukaj jeton në Mohegan Lake të Nju Jorkut, një vend piktoresk dhe plot gjelbërim. Prindët e Simonit, Marashi dhe Viktoria janë njerëz të fortë, por sa herë përmendet emri i të birit, mallëngjimi tek ata është i dukshëm.

“Risku i tij ishte se atë ditë ndodhej në kullën numër 1, kur ishte duke punuar. Ishte risku edhe i shumë të tjerëve. Me të ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj,” Marash Dedvukaj, i ati i Simonit.

Brenda shtëpisë shikon kudo sende që lidhen me Simonin, birin e kësaj familjeje bujare nga Hoti i Malsisë. Janë disa portrete të tij, pastaj një jorgan që i është dhuruar familjes nga disa amerikanë dhe ku ndodhen fotografitë me kujtime nga jeta e shkurtër e Simonit.

Për prindërit, Marash dhe Viktoria Dedvukaj, jeta ndryshoi përgjithmonë pas 11 shtatorit 2001. Viktoria jeton çdo çast me kujtimin e të birit. Ajo ka mbledhur pjesë nga gazetat e atyre ditëve dhe ka krijuar album pas albumi, me shpresën se në ndonjërën nga fotografitë do të shihte Simonin e saj.

11 shtatori e ndërpreu jetën e Simonit kur ai sapo kishte krijuar familje; kishte vetëm 7 muaj që ishte martuar dhe punonte si mbikqyrës në një kompani të mirëmbajtjes në kullat binjake. Viktoria e pa për herë të fundit atë mëngjes para se të shkonte në punë. Sot ajo ruan si kujtim të çmuar një pjesë të vogël nga dheu dhe gurët e kullave binjake.

Kjo është një familje e madhe – katër vëllezër dhe katër motra, të gjithë fëmijë të sjellshëm dhe punëtorë. Është një familje tipike malësore, ku tradita respektohet dhe ku të gjithë fëmijët flasin shqip megjithëse kanë lindur në Amerikë.

Në dy-tri vende, jo shumë larg shtëpisë, autoritetet shtetërore dhe banorët kanë ngritur pika përmendore, të vogla e të mëdha, për viktimat e 11 shtatorit.

Xhaxhai i Simonit, Dedë Dedvukaj thotë se shqiptarët e Amerikës, kudo që janë i kanë bërë një nderim dinjitoz nipit të tij.

“Në ceremoninë e parë që është bërë kur është deklaruar vdekja e tij, ka mundësi të kenë qenë 5 mijë e 500 shqiptarë, prej besimeve të ndryshme dhe zonave të ndryshme. Ka patur edhe amerikanë por 98 përqind kanë qenë shqiptarë. 700-800 veta ishin nga Miçigani që erdhën në ceremoni për të na forcuar dhe ndihmuar.”

Në një varrezë të Kontesë Uestçester të Nju Jorkut familja dhe të afërmit e kujtojnë Simonin me një përmendore që dallon nga të tjerat.









1206
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI