Revista
|
|
Qindra murgesha katolike dhe mjaft qytetarë të Calcuttës në Indi kanë shënuar 100 vjetorin e lindjes së saj me një meshë speciale në selinë e misionit të bamirësisë të cilin ajo themeloi 60 vjet më parë.
Në këtë meshë u lexua edhe një mesazh nga Papa Benedict XVI.
<!-- end_story -->Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni priten sot të zhvillohen veprimtari të shumta.
Në Shqipëri veprimtaritë nisën me meshën shenjtë tek Katedralja e T'Lumes "Nënë Tereza" në Vaun e Dejës.
Në Maqedoni parlamenti do të zhvillojë një seancë solemne. Një spital në vendlindjen e saj, në Shkup do të marrë emrin 'Nënë Tereza'.
Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës edhe më Kosovë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, duke filluar nga seminari shkencor e deri te liturgjitë kishtare.
Në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Letersisë dhe Kulturës shqiptare, sapo ka përfunduar një tryezë shkencore për figurën e saj.
Por si vlerësohet figura e Nënës Terezë në Kosovë, sot në 100 vjetorin e lindjes.
Hajredin Kuqi zëvendëskryeministër i Kosovës thotë se figura e Nënë Terezës është pjesë e krenarisë kombëtare, dhe megjithë aktivitet ka pasur mundësi që të bëhet akoma më shumë:
“Besoj se ne e kemi dhënë kontributin tonë, por gjithnjë ka hapësirë edhe për më shumë, për një rrezatim për veprën e saj, për angazhimin e saj, jo vetëm në ngritjen dhe lartësimin e personalitetit të saj, sepse ajo tani më është personalitet botëror, por në përvetësimin e vlerave që i ka pasur ajo. Do të thoja se Kosova dhe shqiptarët kanë më shumë nevojë për personalitetin e Nënë Terezës, se sa që Nënë Tereza ka nevojë për mbikqyrjen që do ta bëjmë ne”, thotë ai.
Megjithëse Kosova e ka shpallur këtë vit “Vit të Nënë Terezës, janë të shumtë ata që mendojnë se nuk është bërë sa duhet për ikonën e bëmirësisë shqiptare, sic është vlerësuar shpesh ajo.
Qytetarët thonë se jo gjithmonë Kosova, Shqipëria apo Maqedonia, kanë ditur ta japin respektin e duhur për Nënën Terezë.
Ata thonë se shqiptarët nuk kanë ditur t’i vlerësojnë sa duhet figurat e mëdha kombëtare, dhe në këtë rast thonë se më shumë kanë përfituar se sa që kanë dhënë për të.
Figura e Nënë Terezës
Dom Lush Gjergji është njëri prej autobiografëve më të spikatur të Nënë Terezës.
Në një intervistë për BBC-në, ai është shprehur se vlerat e mirëfillta të Nënë Terezës do të njihen tek me vonë, sespe dimensionet e figurës së saj thotë ai, janë shumë më të mëdha se sa që njihen sot.
Ai thotë se Prishtina dhe Tirana nuk i kanë dhënë asaj respektin e merituar.
“Megjithë aktivitet që ka pasur dhe ka në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, nuk mund të themi se kemi bërë mjaft. Unë shpresoj që ta kemi mishëruar në mendjet dhe në zemrat tona, dhe mbi të gjitha të mos jetë vetëm një festim i lavdërimit të emrit të saj, por mbi të gjitha nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës të mësojmë atë që është thelbësore që është mirësia, dashuria, bujaria, dialogu ndëretnik, dialogu ndërfetar që janë cilësi absolute për historinë e njerëzimit”.
Dom Lush Gjergji thotë se është i kënaqur pjesërisht me akivitet që janë organizuar për nder të figurës së Nënë Terezës, dhe që sipas tij ka më shumë hapësirë dhe mundësi që jeta dhe vepra e saj të zbërthehen në dimensionet që kanë.
Ai po ashtu thotë se shqiptarët nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë sa duhet emrin e saj, dhe vlerat.
“Nënë Tereza e bëri një sintezë të mrekullueshme të botëse së të varfërve dhe të pasurve dhe u bë nëna e gjithë njerëzimit, e pse të mos jetë edhe nëna e popullit shqiptar. Ne asnjëherë nuk jemi paraqitur në prizmën e asaj që janë vlerat dhe virtytet e Nënë Terezës. Unë gjithnjë kam thënë se Nëna Tereze është letërnjoftimi ynë, është identiteti ynë burimor shqiptar dhe nëse ne shkojmë gjurmëve të saj të gjitha dyert do t’i kemi të hapura”.
Manifestimet për shënimin e 100 vjetorit të Nënë Terezës kanë filluar muaj më parë, meqenëse viti i sivjetmë me vendimin e presidentit të Kosovës është shpallur “Viti i Nënë Terezës”, por manifestimi qendror do të mbahet me 5 shtator, kur do të përurohet edhe katedralja që mban emrin e saj.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje