Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Tiranë, vdes i riu italian, i kuronin kancerin me sodë buke
Publikuar me 26 Tet 2012

Tiranë, vdes i riu italian, i kuronin kancerin me sodë buke

TIRANE- Në spitalet shqiptare ndodhin histori nga më tronditëset. Këtë e konfirmon më së miri, rasti i 27-vjeçarit nga Siçilia, i cili ka ndërruar jetë vetëm një javë më parë në një nga spitalet private të Tiranës, i cili funksionon vetëm në një pjesë të tij.

Atij jo vetëm që i është aplikuar një trajtim me bazë bikarbonatin e natriumit, që në gjuhën popullore është thjeshtë sodë buke dhe që nuk njihet nga protokollet mjekësore në asnjë vend të botës, por është vetëm mjekësi alternative, por këtë kurë ia ka rekomanduar një mjek onkolog italian, i cili në vendin e tij të origjinës i është hequr licenca për ushtrimin e profesionit për mashtrim në masë dhe vrasje të pacientëve të tij. Por në vendin tonë ky mjek ushtron i lirë profesionin dhe pa i ‘hyrë gjemb në këmbë”. Të paktën deri më tani.

Pasi tashmë edhe në organet e drejtësisë shqiptare, ka një padi të ngritur ndaj tij nga prindërit e Luca O., 27-vjeçarit që ndërroi jetë më 18 tetor të këtij viti tek “Nënë Tereza”. Lajmi është publikuar dje nga një gazetë siçiliane, e cila i referohet denoncimit që kanë bërë prindërit e 27-vjeçarit ku kërkojnë zbardhjen e së vërtetës.

Sipas mediave italiane, 27-vjeçari nga Katanja, i prekur nga tumori në tru, ndërroi jetë pas trajtimit me një terapi me bazë bikarbonat natriumi, në klinikë private "Universal Hospital" në Tiranë, ku ishte shtruar “për t’iu nënshtruar një terapie të përshkruar nga mjeku Tullio Simoncini, me bazë mjekimin tradicional”, shpjegon përfaqësuesi ligjor i familjes. Më tej mediat italiane raportojnë se mjeku Tullio Simoncini ka qenë edhe në të kaluarën në qendër të ngjarjeve të tilla të rënda, pasi ai shprehet i bindur se kanceri është vetëm një kërpudhë, që mund të trajtohet edhe me mënyra alternative, siç është edhe terapia tradicionale me bazë sodën e bukës.

Mësohet se i riu Luka, është diagnostikuar me tumor në tru në muajin qershor të këtij viti dhe është shoqëruar drejt Tiranës nga prindërit e tij. “Në Itali, në fakt, praktika e aplikuar nga Simoncini është e ndaluar”, - shkruajnë mediat italiane. Familjarëve u është thënë nga specialisti, - lexohet në denoncimin e depozituar si në Tiranë ashtu edhe në prokurorinë e Romës, që nëpërmjet terapisë me bazë bikarbonat natriumi “mundësitë për të mposhtur tumorin ishin 70 për qind, përballë një rreziku prej 2 për qind për trombozë dhe infeksione klinike”... Çmimi që duhet të paguajnë për të marrë të gjithë kurën, me para në dorë, - është shkruar në denoncim, - “20 mijë euro”, - raportojnë mediat italiane. Pas shtatë seancash me bikarbonat, - thuhet më tej në denoncimin e familjarëve, - Luka filloi të ketë dhimbje të forta koke që e bindën mjekun Simoncini t’ia ndërpresë terapinë, për ta rifilluar sërish pas dy ditësh.

Pak pas rifillimit të terapisë së mbetur me bazë bikarbonatin e natriumit, të riut iu shkaktuan të njëjtat simptoma të dy ditëve më parë, të cilat iu rënduan me spazma të forta muskulore. Në këtë pikë, një mjek shqiptar, vendos në mënyrë të pavarur që t’i japë një flakon valium.

Megjithatë gjendja shëndetësore e Lukës, erdhi duke u rënduar, dhe u transferua menjëherë pranë spitalit “Nënë Tereza” ku edhe vdes pak minuta pasi mbërriti. Çështja tashmë po kalon nën sitën e prokurorisë së Romës, e cila ka hapur një dosje mbi vdekjen e të riut italian: Sot prokuroria e Katanias, do t’i delegojë prokurorisë së Romës nj kërkesë, ku do të kërkojë bërjen e autopsisë. “Është një histori tronditëse, - thotë Francesco Lauri, avokati i familjes, ku një terapi krejtësisht e pavërtetuar shkencërisht për efektet që ka në nivel kombëtar, është praktikuar, - kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh, - dhe një papërgjegjshmëri e strukturave për të përballuar emergjencat. Ne shpresojmë që autoritetet shqiptare të kryejnë hetimet e duhura paralel me autoritete e Romës”, shkruhet në mediat italiane.


1220
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI