Lifestyle
|
|
Agjencia e parë e "shërbimeve për tradhtarët" lindi dy vite më parë në Itali. Por që atëherë janë të shumtë ata që kanë kuptuar potencialin e këtij biznesi. Kanë kopjuar idenë e një siciliani, Piero Liombardo, i vendosur prej vitesh në Bukuresht, aktiviteti i të cilit bazohet te krijimi i alibive të patundshme (me çmime të kripura) për bashkëshortët jo besnikë.
Biznes që tani po përhapet veçanërisht në Francë e në Itali, ku pas emërtimeve elegante false, shpesh fshihen agjenci që u ofrojnë burrave mundësinë të tradhtojnë pa lënë asnjë provë prapa. Shërbimi kryesor i këtyre menaxherëve të gënjeshtrës është ngritja e alibive të patundshme, falë të cilave bashkëshortët mund të vërtetojnë se si kanë qenë të zënë me punë, si kanë fjetur vetëm në hotel, si kanë marrë pjesë në një mbledhje apo trajnim të rëndësishëm e të tjera të dhëna të këtij lloj.
Lista e shërbimeve
Dikush kërkon të shkojë me pushime në ndonjë ishull sekret nën shoqërinë e sekretares, pa e marrë vesh bashkëshortja? Nuk ka gjë më të thjeshtë. Ekspertët marrin të gjitha masat që bashkëshortja t‘i besojë kësaj historie. Përgatisin broshura për ndonjë kompani të caktuar, e cila organizon evenimentin që do përdoret si justifikim dhe i dërgojnë në adresën e shtëpisë. Në të jepet çdo adresë e numër telefoni që ka të bëjë me evenimentin. Pas kësaj janë po këta ekspertë që përgjigjen, duke u hequr si recepsioni i hotelit, apo sekretaria e konferencës. Ndërkaq, klienti mund të shijojë pushimet pa rrezikuar të zbulohet nga partnerja.
"Sigurisht që në këtë pikë ne mjekët kemi përparësi", shpjegon një dentist, i cili këto udhëtime pune i ka kthyer në mënyrë jetese. Por shton, "deri në çastin kur ime shoqe vendosi të më bënte një vizitë në Bruksel. Një agjenci e tillë do të më kishte nxjerrë nga halli atë ditë".
Publiciteti i agjencisë "Babalucio", një prej atyre që ofrojnë këtë lloj shërbimi, është tepër i qartë: "Doni të kaloni një fundjavë apo një javë me mikeshën/mikun dhe nuk dini si ta justifikoni në familje? Zgjidhja jemi ne". Më poshtë ofrohet një listë shërbimesh: "Do t‘ju dërgojmë një adresë e-maili ku thuhet se duhet të merrni pjesë në një trajnim, në një kongres, në një takim të rëndësishëm, për gjueti apo peshkim, më pas do t‘ju japim edhe materialet për të provuar ku keni qenë (blloqe shënimesh, bluza, broshura të takimit apo kongresit...)".
Kostot
"Mjaft të paguani dhe në fund të udhëtimit klandestin do të gjeni në dhomë një zarf me suvenire (që u përkasin vendeve ku supozohet se keni qenë gjatë udhëtimit) për bashkëshorten e fëmijët".
Kostot për shërbimet e këtyre agjencive shkojnë nga 200 euro e lart, në varësi të kompleksitetit të alibisë, të ditëve që duhen mbuluar dhe të vlerës së dhuratave të blera për llogari të klientit. Një shërbim i ndërlikuar mund të arrijë edhe në disa mijëra euro.
E vetmja gjë që u kërkohet tradhtarëve është të kenë kujtesë të mirë e të mësojnë përmendësh, përpara se të kthehen pranë familjes, relacionin që agjencia do të përgatisë për kongresin apo lokalitetin që përdoret si mbulesë. Në rast se keni qëndruar në një hotel të qytetit ku banoni, por bashkëshortes i keni thënë se ishit në Paris, do të ishte mirë të mësonit emrin dhe specialitetet e ndonjë restoranti, përveç emrit të rrugës dhe të hotelit ku "qëndruat" gjatë atyre ditëve.
Pas kthimit ju pret kutia e alibisë: një miniaturë e Kullës Eifel për t‘ia dhuruar shërbyeses së shtëpisë, shampanjë, një çantë "haute couture", apo ndonjë bizhuteri për bashkëshorten (sigurisht gjithçka "Made in France").
Pa fantazi
Pra, në rast se më parë ishin vetëm të pasurit me sekretare eksperte ata që kishin luksin e mbulimeve të tradhtive, tani kushdo mund të gjejë dikë që ta ndihmojë gjatë aventurave jashtëmartesore.
"Gjithsesi, komenton një zonjë që sapo ka inauguruar një agjenci të tillë në Varshavë (sigurisht që nuk mund të na e japë emrin), ata që kërkojnë shërbime të tilla nuk kanë probleme me paratë. Klientët më të mirë të kësaj vere? Rusët. Udhëtojnë në Itali me të dashurat e më pas arrihen edhe nga gratë. Është detyra jonë të mbajmë të ndara këto ‘dy jetë‘".
Këto agjenci rriten falë krizës në familje, por edhe falë mungesës së fantazisë së këtyre tradhtarëve kronikë.
Ndihma e siteve të internetit
Në ndihmë të atyre që nuk e shohin martesën si fundin e aventurave, vijnë një seri e tërë sitesh interneti, ku në forume këmbehen këshilla e përvoja. Si në rastin e hetimeve gjyqësore, ku celulari është objekti mbi të cilin duhet përqendruar vëmendja kryesore. Falë regjistrimit të të gjitha thirrjeve të bëra apo të marra, sms-ve e zileve të posaçme, celularët mund të kthehen në burime fatale provash që mund të gozhdojnë edhe më ekspertin ndër tradhtarët. Në sitin italian www.tradimento.net gjendet edhe një "udhërrëfyes për tradhtarët, me rregulla mjaft të qarta: evitoni zilet e telefonit në orare të sikletshme. Në rast se nuk bëni dot pa të, mbajeni me dridhje nën jastëk dhe me justifikimin se po shkoni në banjë, përgjigjuni me mesazhe. Zilja për thirrjet nga numri i bashkëshortes duhet të jetë ndryshe nga ajo e mikeshës. Por kjo e fundit nuk duhet të jetë ndonjë melodi shumë romantike, e llojit "Love story". Fshini menjëherë mesazhet...
Dekalogu
Rregullat për t‘u ndjekur nga tradhtari i përsosur
1. Mos ndrysho
Mos i modifiko zakonet dhe oraret, as gjendjen shpirtërore: ngjall dyshime dhe është e vështirë të jepen shpjegime
2. Vetëm një herë
Më mirë ndonjë tradhti e rastësishme. Kështu nuk krijoni asnjë dyshim
3. Pagesat
Mos përdorni kurrë kartën e kreditit: lë gjithnjë shenja të dukshme
4. Telefoni
Përdorni skeda të ndryshme telefonike dhe kujtohuni t‘i zëvendësoni
5. Fshehtësi
Mos i tregoni askujt për lidhjen jashtëmartesore
6. Në zyrë
Shmangni marrëdhëniet me kolegët/koleget e punës
7. Celulari
Fshini menjëherë nga celulari thirrjen e bërë apo të marrë
8. Bisedat
Të keni gjithnjë në mendje argumente për të zhdukur çdo lloj hijeje dyshimi
9. Gabimet
Lërini partneres përshtypjen se në anën tjetër të telefonin është dikush që ka ngatërruar numrin
10. Fantazi
Bëni sikur jeni gjatë një bisede pune dhe mbylleni duke thënë se linja kishte ndërhyrje
P.S Duhet me i mesu permendsh :P :P
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje