Lifestyle
|
|
Një raport i kohëve të fundit tregon se fëmijëve që e kanë më të vështirë të përballojnë stresin emocional, shpesh u mbahet goja. Ndërsa shkencëtarët thonë se 50 deri në 80 për qind të këtyre fëmijëve e kalojnë këtë fazë deri në moshën pesë vjeç, nuk ka ndonjë kurë për belbëzimin nëse vazhdon përtej kësaj moshe.
Nuk ka shërim për mbajtjen e gojës dhe askush nuk e di nga se shkaktohet, megjithëse besohet se trashëgimia dhe tani temperamenti luajnë një rol. Fondacioni ndërkombëtar për belbëzimin vlerëson se deri në 60 milionë vetë në gjithë botën e kanë këtë problem.
Paaftësia për të komunkuar siç duhet sjell dëshpërim dhe zemërim dhe ndonjëherë edhe tërheqje, thotë profesor Edward Conture i Universitetit Vanderbilt në Nashville të Tenesisë: “Nuk mund të komunikosh kur të duash, apo atë që do të thuash dhe si të duash. Dhe gjithkush mund ta kuptojë sesa pa shpresë të bën të ndihesh një gjë e tillë”.
Doktor Conture ndoqi 111 fëmijë nga mosha dy në 5 vjeç. Është grupmosha kur bëhet më e qartë që dikujt i mbahet goja. Megjithëse studimi është bërë në Shtetet e Bashkuara, fëmijët ndjekin të njëjtën rutinë loje, mësimi dhe përpjekjesh në gjithë botën. Djemtë janë 3 herë më shumë të prirur sesa vajzat që të belbëzojnë.
Megjithëse ka një lidhje gjenetike familjare, doktor Conture arriti gjithashtu në përfundimin se shumë nga këta fëmijë bëhen më shumë emocionalë gjatë këmbimeve të një situate normale loje. Në përgjithësi iu desh më shumë kohë që të qetësoheshin pasi ishin nervozuar. Reagimet emocionale shkaktonin pastaj belbëzimin.
Doktor Conture thotë se prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë duke krijuar një ambjent më qetësues, që i jep fëmijës kohë të mjaftueshme për t’u shprehur. Ata duhet gjithashtu të mos kritikojnë apo të zëmërohen kur fëmija nuk i nxjerr dot fjalët dhe të kërkojnë ndihmën e një terapisti të të folurit që të punojë me fëmijën. Me këto masa ka shpresa që fëmija ta kalojë këtë problem.
Marre nga VOA
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje