Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Skizofrenia, ‘kriza’ e shoqërisë moderne
Publikuar me 05 Mar 2010

 Skizofrenia, ‘kriza’ e shoqërisë moderne

Çfarë është skizofrenia? Përgjigja në këtë pyetje do të ndryshojë varësisht nga orientimi teorik i “ekspertit” të cilin pyesim. E vërteta është se, sot, askush nuk mund të deklarojë me autoritet çfarë saktësisht është skizofrenia, apo çfarë e shkakton këtë çrregullim... Sidoqoftë, shumë ekspertë pajtohen që ky term i referohet një çrregullimi shkatërrues, apo grup çrregullimesh, i cili prekë afërsisht 1% të popullsisë në të gjithë botën. Ajo është një sindromë që nënkupton njohjen tepër të gabuar të realitetit të brendshëm dhe të jashtëm, gjatë të cilit personi i prekur reagon në mënyra që dëmtojnë jetën e tij/ose të saj. Kjo njohje e gabuar e realitetit, që është dhe thelbi psikotik i sëmundjes, manifestohet me çrregullimet e perceptimit, mendimit, emocionit, të folurit dhe aktivitetit fizik.


Shenjat janë mendime të përgjithshme të indikatorëve fizik të sëmundjes, si hipertensioni p.sh. simptomat janë sjellje që lidhen me çrregullime si deluzionet, fiksimi në larjen e shpeshtë të duarve, p.sh. Në listën e çrregullimeve mendore në dsm-4, nuk janë të njohura shenja në të cilat do të bazohej diagnoza, diagnoza bazohet komplet në shfaqjen e simptomave i.e., vëzhgimit të sjelljes dhe deklarimeve të vet personit. Skizofrenia ka qenë problematikë në kuptimin e shkaktarëve dhe klasifikimit që kur është përshkruar për herë të parë, para mëse një shekulli, fillimisht si çmenduri. Gjithashtu, është bërë shumë e stigmatizuar dhe gjendje e pakuptueshme. Skizofrenia tani mund të diagnostikohet seriozisht duke përdorur kriteret e zhvilluara gjatë dekadave të kaluara, dhe është e njohur si diagnozë ekzistuese në sistemet e klasifikimeve internacionale.


Sidoqoftë, diagnoza përfshinë një grup të larmishëm të individëve, tek të cilët shfaqen në mënyra të ndryshme dhe kërkojnë një rreth të gjerë të trajtimit të vërtetë terapeutik, Bleuer (1911), kur së pari përdori termin, iu referua si “grupi i skizofrenëve”. Si rezultat i shfaqjeve të ndryshme të simptomave, Persons (1986) dhe Bentall dhe kolegët (1988) kanë argumentuar për simptome të individëve si halucinacione, deluzione, dhe çrregullim të mendimeve, më tepër se për diagnozë. Në DSM-IV-TR, skizofrenia definohet me grupin e simptomave karakteristike, si halucinacione, deluzione apo simptome negative, keqësim në marrëdhëniet shoqërore, profesionale, apo marrëdhëniet interpersonale; dhe shenja të vazhdueshme të shqetësimeve për së paku 6 muaj. Veç kësaj, çrregullimi skizoafektiv dhe çrregullimi i humorit me tipare psikotike janë përjashtuar, dhe shqetësimi nuk ka të bëjë me efekte të drejtpërdrejta psikologjike apo me gjendje të përgjithshme mjekësore.


Epidemiologjia


Skizofrenia llogaritet të ketë përfshirë nga 0.5% deri në 1% të njerëzve në gjithë botën. Ajo mund të paraqitet në çdo moshë, por mosha kur më së shpeshti paraqiten episodet e para psikotike është 21 vjeç te meshkujt, dhe 27 vjeç te femra. Nga personat me skizofreni, 9 nga 10 meshkuj dhe vetëm 2 nga 3 femra mund t’u paraqitet në të 30-at. Mosha e paraqitjes me gjasë ka të bëjë edhe me kontrollin gjenetik edhe me atë ambiental, por ende nuk dihet pse te femrat sëmundja paraqitet më vonë sesa te meshkujt. Njerëzit me skizofreni rrezikohen nga sjellja suicidale. Rreth 1/3 e tyre tentojnë vetëvrasje, dhe 1 në 10 përfundimisht vrasin veten. Faktorët e rrezikut për vetëvrasje përfshijnë gjininë mashkullore, të moshës më të re se 30 vjeç, të papunë, me depresion të mëhershëm, me trajtim të mëhershëm të depresionit, me histori të abuzimit të substancave dhe ata të cilët janë lëshuar së fundi nga spitali.


Etiologjia


Shkaktarët e çrregullimit të skizofrenisë ende nuk dihen. Siç shkroi Langfeldt më 1939, pacientët me këtë diagnozë më tepër janë heterogjenë. Në përgjithësi disa pacientë kanë çrregullime të ngjashme me skizofreninë, derisa të tjerët kanë çrregullime të ngjashme me çrregullim të humorit. Në bazë të disa rezultateve, çrregullimi me sa duket ka ngjashmëri me natyrën episodike të çrregullimit të humorit. Megjithatë, disa të dhëna, dëshmojnë një lidhje të ngushtë me skizofreninë. Në mbështetje të lidhjes me çrregullimin e humorit, disa studime kanë treguar se pacientët me çrregullim të skizofrenisë, si grup, kanë më shume simptome efektive (veçanërisht mania), dhe rezultate më të mira sesa pacientët me skizofreni. Veç kësaj, dukuria në rritje e çrregullimeve të humorit tek të afërmit e pacientit me çrregullimin skizofreniform, ndikon në lidhje me çrregullimet e humorit. Kështu, të dhënat biologjike dhe ato epidemiologjike janë më të qëndrueshme me hipotezat se kategoria diagnostike aktuale, definon një grup pacientësh, disa prej të cilëve kanë çrregullim të ngjashëm me skizofreninë, deri sa të tjerët kanë çrregullim të ngjashëm me çrregullim të humorit. Ndonëse patogjeneza e skizofrenisë mbetet mister, kërkimet e dekadës së fundit me teknologji të reja kanë rritur njohuritë tona mbi çrregullimin dhe kanë filluar të ndriçojnë copëza të reja të enigmës.


 Sistemet neurotransmetuese


Një nga teoritë që diskutohet më gjerë për shkakun biologjik të skizofrenisë është hipoteza e dopaminës. Kjo hipotezë bazohet në idenë se, mekanizmi i veprimit i mjekimit antipsikotik mund të hedhë dritë në fizpatologjinë e çrregullimeve skizofrenike që këto barna mjekojnë. Barnat antipsikotike kanë treguar se bllokojnë sitet e receptorëve dopaminikë në tru. Kjo ka bërë që, studiuesit të spekulojnë se skizofrenia mund të përfshijë nivele të ekzagjeruara të veprimtarisë së dopaminës si neurotransmetues. Efikasiteti klinik i barnave neuroleptikë, lidhet ngushtësisht me aftësinë e tyre për bllokimin më shumë të receptorëve të dopaminës se tipit II(D2) se sa të tipit të I-rë (D1), dhe në këtë mënyrë tipi II i receptorit merr vëmendje të madhe. Kohët e fundit, janë zbuluar tipat e receptorëve III, IV,V, (D3,D4,D5), por roli i tyre nuk njihet ende. Hipoteza e dopaminës mund të shpjegojë efektet e barnave antipsikotike në skizofreni, por ajo paraqet disa probleme. Ndërmjet sistemeve të tjera neurondokrinë që implikohen në patogjenezën e shizofrenisë, janë ato të serotoninës, norepinefrinës dhe të acidit gamma-aminobutirik(GABA), por që asnjë nuk është aq i qëndrueshëm. Një hipotezë e re tregon se në shizofreninë luajnë rol edhe anomalitë e glutamatit, që është një neurotransmetues dominant i korteksit cerebral.


 


Disfunskionet e trurit


Te pacientët me sëmundje të skizofrenisë paraqitet një deficit relativ i aktivizimit në rajonin inferior parafrontal të trurit, ndërsa pacienti është duke kryer një detyrë të veçantë psikologjike. Edhe pse, disa të dhëna tregojnë se pacientët me çrregullim të skizofrenisë mund t’i kenë të zgjeruara ventrikulët e trurit, të llogaritura me tomografi dhe përmes pamjeve me anë të rezonancës magnetike, të dhëna të tjera tregojnë se, ndryshe nga zgjerimi i parë në skizofreni, zgjerimi ventrikular tek çrregullimi skizofreniaform nuk lidhet as me rezultatin as me matjet biologjike.


 


Matje të tjera biologjike


Edhe pse studimet e imazhit të trurit tregojnë për një ngjashmëri midis çrregullimit të skizofreniaform dhe skizofrenisë, të paktën një studim i aktivitetit elektrodermal tregoi një ndryshim. Pacientët me skizofreni që kishin lindur gjatë muajve të dimrit dhe pranverës (një periudhë e rrezikut të lartë për lindjen e këtyre pacientëve) kishin reagime të larta përçuese të lëkurës, por kjo lidhje mungon te pacientët me çrregullim të skizofreniaform. Domethënia dhe kuptimi i këtij studimi të vetëm janë të vështira për t'u interpretuar, por rezultatet tregojnë kujdes në supozimin e ngjashmërisë në mes të pacientëve me skizofreni dhe atyre me çrregullim skizofreniaform. Të dhënat nga të paktën një studim i përcjellë me sy në dy grupe, gjithashtu tregojnë se ata mund të ndryshojnë në disa masa biologjike.


 


Gjenetika


Shkaku i bazës gjenetike në çrregullimet skizofrenike është përkrahur nga një varg studimesh, duke përfshirë studimet e adaptimit, të cilat tregojnë për një varg studimesh, duke përfshirë studimet e adaptimit, të cilat tregojnë për një përqindje të rëndësishme të skizofrenisë në të afërmit biologjikë të individëve skizofrenë të rritur në mjedise të ndryshme dhe, studimet binjakëve që tregojnë një konkordancë më të lartë për skizofreni në mes binjakëve identikë sesa në mes të binjakëve biovularë. Megjithatë, studime të ndryshme mbi transmetimin gjenetik nxjerrin rezultate kontradiktore. Kështu p.sh., pacientët skizofrenë me anomali të mëdha të trurit, duket se kanë më pak të afërt biologjikë me skizofreni se sa pacientët pa patologji të shprehur trunore. Kështu, kontributi i gjenetikës në zhvillimin e skizofrenisë ndoshta varion nga pacienti në pacient, dhe pacientët “skizofrenë” duhet të ndahen në nëngrupe më homogjene përpara se të merret ndonjë informacion i kuptimit rreth bazës gjenetike të këtij grupi çrregullimesh.


 


Ambienti


Asnjë prej faktorëve ambientalë nuk është provuar të influencojë në etiologjinë e skizofrenisë. Disa studime sugjerojnë se ekspozimi ndaj infeksioneve virale ose kequshqyerja në uterus, mund të predisponojnë për skizofreni, duke ndryshuar zhvillimin e trurit.


 


Simptomat karakteristike


Skizofrenia afekton të menduarit, ndjenjat, lëvizjen dhe sjelljen. Një nga vështirësitë më të mëdha për ata që studiojnë skizofreninë është të mësojnë dhe të kuptojnë shumëllojshmërinë e shenjave dhe simptomave që duken në shtrirjen e dëmtimeve kognitive dhe emocionale. Simptomat karakteristike përfshijnë mosfunksionimin gati në të gjitha kapacitetet me të cilat truri i njeriut është në gjendje të perceptojë, të mendojë, gjuha, kujtesa dhe funksionet tjera zbatuese. Simptomat ndonjëherë ndahen në dy grupe: pozitive dhe negative. Simptomat pozitive (halucinacionet, deluzionet, të folurit e ç’organizuar, sjellja shumë e ç’organizuar ose katatonike) karakterizohen me shfaqjen e diçkaje qe s’do duhej të shfaqej. Simptomat negative (sheshimi emocional, mungesa e të folurit spontan, mungesa e iniciativës) karakterizohen me mungesën e diçkaje që do duhej të shfaqej.


Simptomat pozitive


Simptomat pozitive janë shfaqje të ndjesive, besimeve dhe sjelljeve të cilat normalisht nuk shfaqen. Këto janë simptome që bien mjaftë në sy ndërsa njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për to.


Çrregullimet në procesin e të menduarit


 


Procesi i të menduarit mund të çrregullohet në atë mënyrë që një mendim nuk lidhet direkt me mendimin paraprak. Apo, mendja mund të luaj në atë mënyrë që gjërat të cilat nuk janë të vërteta të duken si të vërteta. Mendimet mund të ndërpriten në gjysmë, sikur diçka e ndalon aftësinë e tyre që të mendojnë qartë. Kjo e vështirëson mjaftë bisedën e tyre me të tjerët. Gjithashtu, mund t’u duket se mendimet e tyre po transmetohen aq zëshëm, saqë të tjerët mund t’i dëgjojnë.


 


Deluzionet


 


Deluzionet janë besime të pavërteta. Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të deluzioneve. Nëse beson se të tjerët po mundohen të të lëndojnë, e në fakt s’është e vërtetë, atëherë vuani nga deluzioni paranoik. Kjo mund të jetë një përvojë e tmerrshme sepse duket aq e vërtetë. Deluzionet lidhen me ambientin dhe duket se lidhen direkt me ty, edhe pse s’kanë të bëjnë fare me ty. Për shembull: mund të të duket se njerëzit po flasin për ty, apo mesazhe personale speciale po të komunikohen përmes TV-së, radios apo ndonjë mediumi tjetër. Deluzionet somatike janë besime të gabuara për trupin tënd, p.sh. që një sëmundje e tmerrshme ekziston në trupin tënd apo diçka nga jashtë ka hyrë ne trupin tënd apo po të kalon nëpër tru.


Deluzionet e madhështisë paraqiten kur ti beson se je shumë i veçantë apo ke fuqi apo aftësi të veçanta.


 


Halucinacionet


 


Kur ti dëgjon, sheh, ndjen aromë, shijon apo ndjen diçka që në të vërtetë nuk është, ti ke halucinacione. Ekzistojnë 5 lloje të ndryshme të halucinacioneve:


Dëgjimore - dëgjon gjëra që të tjerët nuk i dëgjojnë


Pamore - sheh gjëra që të tjerët nuk i shohin


Nuhatje - nuhatë gjëra që të tjerët nuk i nuhasin


Prekje - ndjen që diçka po të prek lëkurën, pa të prekur fare


Shijon - shijon diçka që nuk është aty.


 


Simptomat negative


 


Simptomat negative janë mungesë e aftësive të rëndësishme. Disa nga to përfshijnë:


* Paaftësinë që të shijojnë aktivitetet e ndryshme.


* Energji të ulët.


* Shprehje të zbrazëta dhe të topitura të fytyrës, apo kanë më pak lëvizje të fytyrës sidhe lëvizje fizike.


* Motivacion të ulët.


* Vështirësi në iniciativa.


* Paaftësi për të bërë shokë apo për të mbajtur shoqëri, apo s’duan të kenë fare shokë.


 


Edhepse në shikim të parë këto simptome mund të duken më pak përçarëse se zërat, mendimet e çuditshme, apo deluzionet, ato mund të afektojnë jetën tuaj mjaftë. Fatmirësisht, antipsikotikët e rinj ndihmojnë shumë në trajtimin e simptomave negative.


Simptomat kognitive


Simptomat kognitive i referohen vështirësive me koncentrimin dhe kujtesën:


* Të menduarit e çrregulluar.


* Të menduarit e ngadalësuar.


* Vështirësi në të kuptuar.


* Koncentrim i dobët.


* Kujtesë e dobët.


* Vështirësi në shprehjen e mendimeve.


* Vështirësi në integrimin e mendimeve.


 


Mënyrat e trajtimit


 


Pas një episodi të skizofrenisë, duhet të vazhdohet me barna antipsikotike nga 12 deri në 24 muaj. Nëse personi ndjehet mirë atëherë duhet të ndërpritet, sepse ka pak fakte se ilaçi mund të ndihmojë tutje, për shkak të rrezikut të diskensia tardive, dhe efekteve të tjera anësore. Pacientët të cilët kanë pasur episode të shpeshëhershme apo simptome të vazhdueshme, zakonisht vazhdojnë me medikamente për vite të tëra, dhe duhet të mbikëqyren rregullisht. Klozapina ka një rol të rëndësishëm në reagimin e dobët të pacientit. Gjithashtu, mund të ulë rrezikun për vetëvrasje. Simptomat negative nuk përmirësohen me antipsikotikë, as me klozapinë. Përkundrazi, ekziston një mit se barërat i shkaktojnë ato. Ngjashëm, medikamentet kanë efekt të pakët në përgjithësi, për të mirë apo për të keq, në simptomat kognitive, edhepse antipsikotikët jotipik mund të bëjnë përmirësime të vogla.


Trajtimet e përgjithshme fizike


Benzodiazepina është e dobishme për qetësim për një kohë të shkurtër. Antidepresantët duhet të përdoren në mënyrë normale gjatë ngjarjeve depresive në shizofreni. ECT nuk është efektive, përveç shtangimit katatonik.


Trajtimet psikologjike


Dy intervenimet që përdoren më së shumti, janë forma e terapisë familjare dhe TBK.Përveç këtyre intervenimeve specifike, duhet të dimë se një marrëdhënie me psikoterapi mbështetëse është pjesë përbërëse e menaxhimit (sikur në të gjitha sëmundjet e tjera kronike).


Përkrahja e familjes është mëse e domosdoshme. Terapia familjare fokusohet në të mësuarit rreth sëmundjes, dhe në ndryshimin e sjelljes së familjes. Një rishikim i fundit sistematik konfirmon efektet e saj, por është mjaftë e vështirë që të implemetohet, për shkak të përmbajtjes praktike dhe asaj financiare. TBK duket të jetë efikase kundër halucinacioneve auditive dhe deluzioneve, dhe po përdoret si komponent i pandashëm në menaxhimin e skizofrenisë, posaçërisht për trajtimin e simptomave të mbetura.


1867
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI