Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Rreziku i Hipertensionit
Publikuar me 07 Gus 2007

Rreziku i Hipertensionit

Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shkaqet janë të shumta dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: Hipertensioni arterial esencial, i cili edhe pas një sërë ekzaminimesh nuk kuptohet se nga vjen. Shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra origjinë të brendshme. Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm, që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular. Shkak tjetër mund të jenë sëmundje të tilla të veshkave, si p.sh ngushtimi i arteries renale, që furnizon veshkën me gjak. Duke mos u furnizuar si duhet, në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit. Shkak tjetër janë problemet me gjëndrat e tiroides, prodhimi i tepërt të hormonit të tiroides shton rrahjet e zemrës, e për pasojë shkakton rritje të tensionit të enëve të gjakut. Shkaqe të tjera janë diabeti dhe tumori i gjëndrave mbiveshkore.
Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara
Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës dhe me rritjen e moshës, rritet dhe përqindja e të prekurve. Shkaqet për këtë janë trashëgimia, stresi, duhani, sëmundjet e veshkave etj. Por më të predispozuar për t'u prekur nga kjo sëmundje është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50-55 vjeç për gratë. Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit. Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut. Kohët e fundit po vihet re se hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja. "Fajtorët" për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.
Si ndikon stresi në shfaqjen e hipertensionit
Stresi krijon një dominante në sistemin nervor, e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.
Cila është periudha më problematike për këta të sëmurë?
Periudha e dimrit, për shkak të së ftohtit, por dhe luhatjeve të theksuara të temperaturave. I ftohti ngushton enët e gjakut dhe rrit tensionin. Prandaj këtyre pacientëve u rekomandohet të jenë korrekt në marrjen e ilaçeve dhe të kenë kujdes me menynë dhe stilin e jetës. Të sëmurët duhet të eliminojnë daljet në ditët shumë të ftohta, të dalin vetëm gjatë orëve të ngrohta dhe të vishen mirë.
Si ndikon periudha e menopauzës në hipertension
Kjo lidhet me çrregullimet në prodhimin e hormoneve, sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arteriosklerozat. Kur këto hormone janë në nivele të ulëta, nis formimi i arterosklerozave e për pasojë shkaktojnë hipertensionin. Edhe përdorimi i duhanit shton rrezikun për shfaqjen e hipertensionit arterial. Nikotina që përmban duhani çon në ngushtim të enëve të gjakut dhe sjell rritjen e presionit të gjakut. Mosha më problematike te burrat për shfaqjen e problemeve me tensionin e lartë është 45 vjeç. Ndërsa te gratë mosha më problematike për shfaqjen e problemeve me tensionin e lartë është 50 vjeç.


2532
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI