Lifestyle
|
|
Bota e tradhtisë bashkëshortore është e mbushur plot me eufemizma. Finlandezët e quajnë "marrëdhënie paralele", për të zinjtë është një "ngatërresë seksuale" dhe francezët përdorin shprehjen "ortakëri me shumë persona njëherësh". Por nuk bëhet fjalë vetëm për nuancat e komunikimit pas të cilave mund të fshihnim në mënyrë hipokrite të njëjtin koncept identik: aventurat seksuale, kur bashkëshorti apo bashkëshortja nuk na sheh. Marrëdhëniet ekstramartesore janë të mbushura plot me nuanca kulturore, të cilat variojnë nga qyteti në qytet. Ajo që është e pranueshme në Rusi, është e pakonceptueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; ajo që nuk vihet re në Afrikën e Jugut është arsye ndarjeje në Japoni.
Këto i ka thënë Pamela Druckerman, e cila mbi këtë temë është shumë e informuar, pasi ka shëtitur gjithë botën në kërkim të tradhtive bashkëshortore të çdo race e besimi. Prej disa javësh ajo ka publikuar një libër mbi këtë argument, të titulluar "Lust in Translation" ("Pasion në transmetim"). Një titull pothuajse i papërkthyeshëm, "lust", pasion, që është një lojë fjalësh me titullin e filmit të Sofia Coppola "Lust in Translation".
Loja e fjalëve është një element shumë i rëndësishëm në jetën e Druckerman, ish-korrespondente e jashtme e "Wall Street Journal", e cila i është kushtuar gazetarisë menjëherë pasi u diplomua në çështjet ndërkombëtare, ose siç quhet "International affairs" në SHBA. Ironia qëndron pikërisht në faktin se një gërshetim seksual në Amerikë quhet pikërisht "affair". Kush më mirë se ajo do të shkruante një libër për "International affairs"?
"Qarkullojnë shumë të dhëna të pasakta mbi tradhtitë bashkëshortore, por vetëm me përhapjen e AIDS kemi mbledhur të dhëna më të sigurta", pohon Druckerman dhe shpjegon se duke filluar vetëm nga viti 1980 kërkuesit kanë mundur të studiojnë një shkallë të gjerë mbi fenomenin e seksit jashtë martese. Sepse, me shtimin e të infektuarve me AIDS edhe më të shthururit e kanë kuptuar se sëmundja seksuale nuk mund të fshihej pas shumë të vërtetave. Një nga rezultatet e para i ka lënë me gojë hapur kërkuesit: sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë tradhti bashkëshortore bëhen në shoqërinë e tij. Sipas Druckerman, kush fiton më pak se 10 mijë dollarë në vit, është më shumë se 50% i prirur të tradhtojë bashkëshortin/en, sesa dikush që fiton më shumë se 60 mijë dollarë. Në krye të këtij studimi qëndrojnë meshkujt në shtetin afrikan të Togo-s, me një buxhet të ardhurash 1600 dollarë në vit. 37% e burrave të martuar në Togo kanë një lidhje jashtë martese. Në zonat urbane të Kinës treguesi i tradhtive bashkëshortore është rreth 18,3%, ndërsa në Meksikë arrin në 15%. Në vendet e pasura është një situatë krejtësisht e kundërt, ku, për shembull, në Australi burrat që tradhtojnë gratë janë vetëm 12,5%. Në Zvicër vetëm 3% e meshkujve kërkojnë të kenë lidhje jashtë martese, në Francë burrat e pandershëm janë më pak se 4%.
Ditën tjetër, pas funeralit të François Mitterrand, "Le Monde" shkruante që dashnorja e Presidentit francez dhe vajza ilegale ishin parë anash varrit të Miterrand së bashku me gruan dhe fëmijët e Presidentit", shkruan gazetarja amerikane, e cila momentalisht jeton në Paris së bashku me bashkëshortin e saj: "Ai tabloid familjar u bë i famshëm në të gjithë botën, si provë e faktit që francezët, kur bëhet fjalë për çështjet e dashurisë, kanë modelin e tyre, nuk janë si ne".
Druckerman u referohet veçanërisht amerikanëve, që për tradhtitë bashkëshortore e kanë tolerancën zero. Madje, për të pasur një lidhje virtuale online, në Amerikë do të ishte një motiv krize bashkëshortore. Gazetarja tregon, për shembull, rastin e një çifti në Memphis, në Tennessee, që sado që kanë kaluar vite, bashkëshorti vazhdon të ndiqet nga ankthi i një aventure seksuale të gruas së tij. Në 20 vjet besnikëri ka pasur vetëm një aventurë, me një koleg pune, që ka mjaftuar për ta fiksuar për vite me radhë bashkëshortin.
"Tradhtia e April vazhdon të rëndojë në martesën e tyre", shpjegon gazetarja, duke treguar se mjafton një vonesë e vogël prej pak minutash dhe bashkëshorti i saj, Kevin, t‘i dërgojë mesazhe armiqësore pa fund gruas së tij. I kontrollon në çdo çast çantën dhe telefonin, telefonatat që ka bërë April nga celulari i saj. Madje, gruaja e tij ka gjetur një regjistrues në makinën e saj, të vënë nga bashkëshorti i tradhtuar.
Një lidhje ekstreme ajo e çiftit në Tennessee? Jo, në SHBA, shpjegon Druckerman, janë gënjeshtrat që nuk tolerohen. Më kujtohet rasti i Bill Clinton dhe Monica Lewinsky, kur amerikanët mbyllën njërin sy për tradhtinë, por nuk do t‘ia falnin Presidentit që gënjeu. Clinton e mohoi se kishte bërë seks me të, duke luajtur me mosmarrëveshjen, që nuk kishte qenë kurrë depërtuese.
Shumë psikoterapeutë e kurojnë traumën e tradhtisë me doza të mëdha, ndoshta me masë të tepruar, me transparencë. Shpeshherë bashkëshortja hakmerret, duke kërkuar të dijë çdo detaj intim të tradhtisë, në një kronologji të tipit si dhe përse, që mund të kthehet pas në vite. Është një tendencë që hyn në një fenomen të gjerë të shoqërisë amerikane: amerikanët tashmë "rrëfehen" në publik për çfarëdolloj gjëje. Të pranojnë publikisht mëkatin është një formë shlyerje e fajit.
Kjo nuk ka të bëjë fare me reagimin e japonezëve, të cilët kanë një tolerancë të madhe ndaj tradhtisë. Këtë e shpjegon një sociolog i Tokios, që në Japoni nuk është kuptuar si një raport besimi reciprok dhe kuptim i mirë seksual, siç profetizojnë në fakt amerikanët. Përkundrazi, nëpërmjet meshkujve japonezë, nëse tregohet se ka një lidhje jashtëmartesore, është diçka e thjeshtë. Seksi është diçka që të kënaq jashtë mureve të shtëpisë: nuk është një rastësi që në vitin 2001 industria e seksit japonez ka fituar një xhiro të ardhurash rreth 2,3 milionë dollarë. "Një avokat i specializuar në çështjet e divorcit më ka shpjeguar se në Japoni seksi me pagesë nuk hyn në përcaktimin legal të tradhtive", shkruan Druckerman: "Nuk kam takuar kurrë një çift në Japoni, ku martesa e tyre është thyer pse burri frekuentonte klube të këtij lloji tipi, edhe pse është zakon mes grave që të mos i pyesin kurrë burrat se ku e ka kaluar natën". Edhe femrat kineze janë shumë tolerante ndaj tradhtive, por në këtë rast nuk bëhet fjalë për aventura "sex club" si në Japoni. Në Kinë, bumi i ekonomisë ka krijuar një tendencë të re mes të pasurve kinezë. Kanë lindur (më mirë rilindur) të ashtuquajturat "gratë e dyta". Kohët e fundit ka dalë në treg edhe një libër mbi këtë fenomen, titulluar "Burri im është një biznesmen i Taiwan që punon në Kinë". Edhe në Indi, në qendrat e mëdha të shëndetit ekonomik në Bangalore, tradhtia po bëhet më e përgjithshme dhe është e pranueshme, sepse ndiqet rregulli i artë për të mos e praktikuar hapur e duke mos mërzitur bashkëshortet e tradhtuara.
Një grua amerikane, në një situatë të tillë, do të shkonte te një psikoterapeut për të "kuruar" sëmundjen e çiftit. Brezi i ri i femrave japoneze ka shpikur një lloj ilaçi të ri: t‘i drejtohen pikërisht atij që seksin e bën tregti. Kështu kanë lindur të ashtuquajturat "soap ladies", prostituta të specializuara në artin e të mësuarit të gruas së tradhtuar dhe burrit bredharak, se si të arrijnë gjallëri në lidhjen martesore: sensualë, dritë qirinjsh, muzikë të ëmbël, masazh qetësues për të krijuar atmosferën e duhur. Bëhen tre muaj teori dhe praktikë, kushton 2500 dollarë dhe te çifti kthehet pasioni i zjarrtë.
Sigurisht që nuk është kaq e thjeshtë në vendet islamike, ku në fakt tradhtia bashkëshortore është e dënuar nga Kurani. Në Iran, një person, i cili tradhton bashkëshorten me një femër tjetër për kënaqësi seksuale, rrezikon vdekjen. Në Indonezi, tradhtia bashkëshortore mund të ndëshkohet me vite të tëra burgu. Kjo nuk do të thotë që në vendin islamik më të populluar të botës tradhtia nuk ekziston. Madje, bëhet edhe një dallim mes tradhtisë si kënaqësi e dëshirave seksuale dhe tradhtisë si një periudhë e shkurtër dashurie. Ndërkohë që ky i fundit quhet "selingkuh" ("periudhë e mrekullueshme"), seksi me bashkëshorte të dytë është një "bobok bobok siang", që do të thotë "pushimi i pasdites".
Kështu, siç ka shumë dallime në botën islamike, edhe në shoqëritë perëndimore tradhtia bashkëshortore është një fenomen shumë i përhapur. Anglezët, për shembull, ndjekin me pasion të madh aventurat seksuale të personazheve të njohura, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin britanik, John Major, që kur ishte në detyrë kishte një lidhje me Edwina Currie, ministrja e Shëndetit. Ishte një tradhti, ku anglezët u tërhoqën me një interes të frikshëm, por në një vend ku 9,3% e burrave të martuar tradhtojnë gruan, pamaturitë e Kryeministrit ishin më shumë materiale prej tabloideve skandaloze se sa gjykim politik, si në rastin e Bill Clinton-it. "Kjo nuk do të thotë se anglezët do ta falin tradhtinë kaq lehtë", shkruan Druckerman: "Pikërisht si amerikanët edhe anglezët janë me idenë se madje edhe një tradhti seksuale është motiv i mjaftueshëm për të justifikuar divorcin". Ja pra që një iniciativë angleze ka pasur një ide për t‘iu kundërvënë nevojave të bashkatdhetarëve të saj. David Miller ka krijuar sajtin www.extramaritaldating.com, për takimet ekskluzivisht mes personave të martuar. "Zgjedh ekskluzivisht persona të cilët nuk rrezikojnë ekuilibrin e lidhjes së tyre martesore", shpjegon Miller, që i udhëzon klientët e tij të krijojnë lidhje të matura dhe pa jehona negative: të ashtuquajturat "no-strings attached", "Nsa", siç janë klasifikuar nga njoftimet personale të atyre që janë në kërkim të një aventure seksuale, që të mos lërë gjurmë.
Miller ka mësuar gjithçka në Francë, ku ka jetuar për vite të tëra, por biznesin e ka eksportuar në Britaninë e Madhe. "Në Francë nuk kanë nevojë për mua", ironizon: "Francezët dinë si të menaxhojnë në mënyrë efikase disa çështje private".
Nëse Miller do të tentonte ta prezantonte sajtin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punët do të shkonin shumë keq. "Tradhtia bashkëshortore në Amerikë mund të shkaktojë kriza më të rënda nga ç‘mund të imagjinohet dhe të kërkojë shpërblime që mund të kenë kosto emotive mizore", përfundon Druckerman.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje