![]() |
Lifestyle
|
|
Raporti i Urdhrit të Mjekut: Për një vit kemi marrë 89 ankesa nga të sëmurët.
“Në shtatë raste, familjarët padi mjekëve edhe në Gjykatë”
Neglizhencë dhe mjekim i gabuar, që mund të kenë çuar deri në vdekjen e pacientëve. Receta të gabuara me rimbursim të barnave që nuk janë fare në skemë. Këto janë ankesat kryesore të depozituara pranë institucionit të Urdhrit të Mjekut nga pacientët nga viti 2011 deri në mars të këtij viti. Në total janë 89 ankesa.
“Rreth 11 raste janë vdekje në spitale, ku mjekët akuzohen për mjekim të pakujdesshëm. Prej tyre, 7 janë paditur dhe ndjekur penalisht nga organet e Drejtësisë (Prokurori, Gjykatë), nga të cilat 4 janë mbyllur me vendim pafajësie për mjekët dhe 3 janë në gjykim, ndërsa 4 të tjera janë shqyrtuar ose po shqyrtohen nga Urdhri i Mjekut”, ka bërë me dije kreu i këtij institucioni, Dine Abazaj. Sipas tij, në shumicën e këtyre ankesave kanë rezultuar mangësi në organizimin e punës në spitale, incidente që njihen në praktikën mjekësore, për të cilat nuk mund të fajësohen mjekët. Sipas presidentit të UM, 59 raste kanë të bëjnë me konfliktet mjek-pacient për barnat dhe recetat e rimbursueshme, te cilat nga analizat dhe ballafaqimet e kryera ka rezultuar se vijnë si rrjedhojë e mosinformimit dhe mosnjohjes prej pacientëve me rregullat, të cilat mjekët e familjes janë të detyruar t’i zbatojnë për lëshimin e recetave të rimbursueshme.
“Mjekët specialistë kanë qenë kryesisht shkak i këtyre konflikteve, sepse ata shpesh rekomandojnë barna që nuk përfshihen a përputhen me listën e barnave të rimbursueshme edhe që mjekut të familjes nuk i lejohet t’i përshkruajë në recetën e rimbursueshme”, bëri me dije Dine Abazaj.
Kontrolli rast pas rasti
Këto ankesa janë zgjidhur e sqaruar rast pas rasti në ballafaqimet mjek-pacient dhe me drejtoritë e institucioneve. Nga të dhënat rezulton se 10 raste janë denoncime në UM për pakënaqësi në mjekim, jo vdekje, ku mjekët akuzohen se kanë gabuar në mjekim ose nuk kanë treguar kujdesin dhe përkushtimin e duhur dhe, për pasojë, nuk janë arritur rezultatet e pritshme për të cilat shpesh është kërkuar dëmshpërblim. Ankesat e tjera, 19 raste, nuk kanë të bëjnë me të sëmurë apo vdekje, por probleme midis mjekësh apo mjekë me institucione shëndetësore etj. Këto janë mbyllur me ballafaqime e marrëveshje mes palësh.
“Një fakt që bie në sy dhe tërheq vëmendjen tonë dhe tuajën besoj, është mungesa e ankesave për mitmarrje, problem ky gjerësisht i përfolur dhe i debatuar në publik, në media, në institucione të ndryshme”, shprehet presidenti i Urdhrit të Mjekut. Sipas Abazajt, mitmarrja pavarësisht mungesës së ankesave, nuk duhet neglizhuar, por as ekzagjeruar tej kufijve të realitetit si problem për të cilin janë përgjegjës të dyja palët e përfshira në këtë aferë, mjekë e qytetarë. Duke iu përgjigjur pyetjes “Sa mjekë janë ndëshkuar”, presidenti i Urdhrit të Mjekut nuk ka dhënë detaje, por është shprehur se cilësohet faj kur në mënyrë të vetëdijshme mjeku në praktikën e tij profesionale vepron në kundërvajtje me principet dhe standardet e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, ligjeve dhe normave të tjera që kushtëzojnë ushtrimin e profesionit. “Theksoj se raste të tilla nga ankesat e mbërritura deri tani nuk janë vërtetuar”, tha Abazaj
Parandalimi
Sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut gabimet mjekësore nuk parandalohen, as mund të minimizohen duke ndëshkuar individë të veçantë, por duke rregulluar vetë sistemin shëndetësor. Duke krijuar kushte e rrethana që ta bëjnë më të vështirë të gabohet nga individët, dhe më të lehtë e të mundshme që ata të mos gabojnë në veprimtarinë e tyre.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje