Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Miliarderja greke: Dashuria ime me shqiptarin
Publikuar me 13 Shk 2008

Miliarderja greke: Dashuria ime me shqiptarin


• Në Greqi e njohin të gjithë. Ka qenë pjesë e garës "The world", një emision reality gjatë vitit 2003, tepër i shikuar që realizohej në ATN1.

Marko Caka / Athine

Ishte epiqendra e atij emisioni, jo vetëm për moshën, 58 vjeçe, por edhe për sinqeritetin që tregonte. Për këtë u bë tepër e njohur në Greqi. Por jo vetëm se është e famshme, por edhe sepse pak kohë më parë bëri bujë në mediat greke, për një histori të pazakontë.
Për një histori të vërtetë. Histori me shqiptarë.

Quhet Rula Brohopulu. Pas reality show, pothuaj të gjitha ekranet televizive nuk reshtën ta ftonin në emisionet e tyre, ku edhe Rula nuk reshti duke thënë fjalët më të mira për shqiptarët. Është dashuruar me një 27-vjeçar, shqiptar.

Quhet Fran Shtjefni nga fshati Nënshat i rrethit të Shkodrës.

Prej 13 vjetësh jeton e punon në Greqi si usta në një punishte duralumini. Dashuria e saj me shqiptarin një vit më parë u kurorëzua edhe me martesë, pas së cilës jeta e 58-vjeçares ndryshoi plotësisht. Zotëron pasuri marramendëse, qofshin të ardhura, qofshin prona të patundshme në Amerikë, Londër, Paris, ishujt grekë apo edhe në Athinë, ku zotëron qendra të shumta tregtare. Por kjo nuk mjafton për t'i shuar zjarrin e shpirtit. Pas martesës, në shtëpinë e saj mori dhe familjen e Franit në Greqi, të ëmën e tij (se i ati nuk jeton) dhe tre vëllezërit.
Jetoi me ta për më shumë se një vit. Por dashuria e saj për Franin nuk mori kurrsesi çmimin që meritonte. E shfrytëzoi vetëm për para dhe me familjen e tij, Rula kurrë nuk shkoi mirë. Kanë më se tre muaj që jetojnë bashkë. Por nuk kanë bërë divorc. Kjo, sepse Rula dëshiron të ndjehet me dokumente gruaja e tij dhe një shqiptare e përjetshme. Këtë e tregon dhe në intervistën ekskluzive që jep për gazetën "Panorama". Dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila edhe pas ndarjes nuk është shuar kurrsesi tek ajo. Tregon se për Krishtlindje do të jetë në Shqipëri dhe dëshiron të marrë nënshtetësinë shqiptare. Por cila është historia e saj. Njohja me shqiptarin, dashuria, vizita në Shqipëri, marrëdhëniet me familjen e tij, si e priti djali i saj 19-vjeçar, dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët, Rula i rrëfen.

Mund të na thoni si u njohët me Franin?
U njoha në verën e vitit 2006. Isha në bregdetin e Glifadhës dhe një shok i tij i tha se është Rula e "The world", një emision reality tepër i shikuar në vitin 2003. Mirëpo Frani më kishte ndjekur gjatë kohës që unë isha protagoniste në këtë emision të suksesshëm të kanalit televiziv ANT1. Unë kisha bërë porosi për disa dyer alumini për vilën time dhe Frani, si usta në këtë zanat, m'i solli në shtëpi. Sapo e pashë nuk e dija që ishte ai dhe më thotë për ustain e aluminit. Dhe unë i them: lëre ustain tani se po bisedoj me një djalë të bukur. E pashë dhe me shikimin e parë më ra "tjegulla në kokë". E dashurova që në takimin e parë.

E dije që ishte nga Shqipëria dhe a ndikoi kjo për të mbajtur distancë ndaj tij?
Po, e dija që ishte shqiptar dhe meqenëse në jetën time kam kryer udhëtime në të gjithë botën, nuk e kisha problem. Ndaj nuk jam raciste, jo se është nga Shqipëria, por dhe nga Uganda e Afrikës të ishte, të njëjtat ndjenja do të kisha për të.
Si u prezantuat?
Pasi i thashë se kush isha ndërruam telefonat. Por në momentin që u ndamë, ky njeri nuk m'u hoq aspak nga mendja ime. Menjëherë e mora në telefon dhe më tha se do të shkonte në Halkidha, në një zonë bregdetare turistike dhe i kërkova që të shkoj dhe unë me të, dhe ai më përgjigjet jo. Por unë që nga momenti i parë doja të isha pranë tij.
Çfarë sjellje kishte Frani kur ju krijuat takimin e parë?
Frani ishte një djalë serioz. Ishte një zotëri me të gjithë kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk e besova se ai ishte 27 vjeç. Ishte i turpshëm dhe për çdo gjë vetëm unë bëja hapin e parë.
Po pastaj si rrodhën ngjarjet?
Në fillim e humba numrin e telefonit të tij. Por më vonë e gjeta përsëri në plazhin ku u njohëm për herë të parë. Më pas shkuam në vilën time në Poro. Gjatë rrugës udhëtuam me makinën e tij, por në kthim u bë ajo që unë nuk e besoja dot. U turpërova pak, sepse isha një grua me moshë të madhe dhe si nënë me djalë po të madh. Gjatë rrugës një moment nuk durova dot dhe i thashë ndalo pak diku, se dua të më japësh një të puthur. "Si është e mundur - më tha - kjo nuk është në marrëveshjen tonë". I them - nëse ti ke dëshirë… dhe ai më puthi. Atë çast pashë yje në qiellin e shtatë. Po atë mbrëmje shkuam për darkë në një restorant italian dhe darkuam së bashku. Pas ushqimit më tha nëse doja diçka tjetër. Dhe i thashë: dua të shoh sërish nesër, pasnesër… gjithnjë. Më pas i thashë se isha e dashuruar marrëzisht me të. Atë natë ishte dhe finalja e Botërorit 2006. Frani më tha se donte të vinte bast për penalltinë për Italinë. I dhashë 5 mijë euro dhe fituam 50 mijë euro. Sapo fituam 50 mijë eurot shkuam përsëri në restorantin italian. I vura në zarf gjysmën e parave, pra 25 mijë euro dhe më besoni, nuk i mori. Atëherë i dhashë 5 mijë euro dhe më tha se do të marrë vetëm 1 mijë euro për fat. Nga ky veprim kuptova se ai do ishte burri i ëndrrave të mia. I shpreha po aty dashurinë time dhe se nuk mund të bëja dot pa të.

Po Frani si e priti këtë gjë. A ishte i dashuruar, kishte ndonjë lidhje tjetër?

Gjatë kësaj kohe Frani kishte një lidhje me një shqiptare 32-vjeçare të bukur, që banonte afër shtëpisë së tij. Më prezantoi tek ajo si shoqe e mamasë së tij, sepse nuk donte të tregonte për lidhjen tonë, megjithëse deri atëherë nuk kishim kryer ndonjë kontakt seksual. Gjatë kësaj kohe Frani më thotë se do të shkonte në Shqipëri, sepse familja i kishte gjetur një vajzë për ta martuar. Unë nuk doja t'i thosha për ndjenjat e mia, kisha frikë se mos reagonte negativisht dhe e humbisja. Por gjatë gjithë kohës që ai ishte në Shqipëri, unë çdo ditë shkoja në kishën katolike në qendër të Athinës dhe lutesha që Frani të mos gjente nuse tjetër. Kur u kthye, më tregoi se nuk kishte gjetur nuse. Unë nuk durova dot dhe i thashë se doja të fejoheshim. Ai menjëherë reagon: a je mirë, si mund të fejohemi me këtë diferencë moshe që kemi. Por i tregova se sa shumë e doja dhe kjo zgjati vetëm 3 ditë. Kishim rënë dakord me njëri-tjetrin se do të martoheshim pas një viti. Por nuk durova dhe i thashë se doja të martoheshin muajin tjetër, më 4 nëntor 2006. Dhe kjo ditë ishte dita e dytë më e veçantë e jetës sime. Njëra është ditëlindja e djalit tim, 31 korrik 1989 dhe tjetra është dasma me Fran Shtjefnin, më 4 nëntor 2006.

Thatë që nuk kishit problem për diferencën e moshës...

Nuk e kisha problem, por ky është gabimi im më i madh. Deri sa u martova doja që të mos ndahej me familjen e tij, sepse Frani ishte kryefamiljar dhe është që 14 vjeç në Greqi. Babai i tij u vra ditën e zgjedhjeve të para pluraliste, pa u rrëzuar akoma sistemi i kaluar në qendrën e votimit të Nënshatit dhe Frani u desh që të luftonte me jetën për të mbajtur dhe tre vëllezërit e tjerë më të vegjël. Solla gjithë familjen e Franit në vilën time dhe u detyrova të bëhem shërbëtore e të gjithëve, të gatuaj dhe të laj rrobat e tyre, meqenëse mamaja e tyre shkoi në Shqipëri për të bërë dokumentet. Frani më kishte thënë që në fillim se nusja në anët tona gjithnjë është me familjen. Dhe nga dashuria e madhe me Franin, preferova më mirë të zbatoj zakonet e tyre dhe të largoj djalin te babai i tij në Kretë, se sa të sjell shqetësim te njerëzit e burrit tim shqiptar. Kur mamaja u kthye nga Shqipëria filluan dhe problemet e mëdha mes nesh. Burri im, Frani, filloi të largohej dhe vinte 2-3 orë vetëm sa për të fjetur. Doja që çdo mëngjes të zgjohesha dhe ta shikoja sesi po flinte dhe t'i përgatisja mëngjesin. Pra, e ndieja brenda në zemrën time dhe e kisha si mbret. E shihja si të madhin Zot. Kudo ia bëja qejfin. Shkova në Paris, në Londër dhe në "Kroçiera", vetëm e vetëm që ai të ndjehej shumë mirë. Por unë shihja se ai ishte tjetërkund dhe nuk më ndjente fare, vetëm qëndronte për paratë e mia. Pas një viti më thotë se, në qoftë se nuk më shkruan shtëpinë që kisha në ishullin e Kefalonjase si dhe xhipin dhe 200 mijë euro, unë për dy muaj do të largohem.

Përse mendoni se burri juaj, Frani, e trajtoi ndryshe martesën?

Në fillim ishte po Frani që donte të martohej, por ka mundësi që ai të ketë rënë dakord me familjen e tij, që të martohej me mua vetëm e vetëm që unë të shkruaja pasurinë në emrin e tij dhe pastaj ai të kërkonte divorcin. Unë pasurinë time kurrë nuk e kisha menduar asnjëherë të ndarë me Franin, madje si burri im juridikisht ka të drejtën e gjysmës së pasurisë time dhe nuk kishte nevojë të ngutej, duke dëgjuar të tjerët. Madje, unë doja të bëja dhe fëmijë me të, por ai ishte i kujdesshëm për lidhjen tonë, vetëm për pasurinë time.

Ku u zhvillua ceremonia e dasmës?

Dasma u zhvillua këtu në lagjen time, në kishën ortodokse Sotira me dy kumbarë, njëri shqiptar dhe tjetri grek. Për fat të keq dasma nga ana e burrit u bë për interes, por unë besova tek ajo që më tha se shqiptarët nuk ndahen, aq më tepër ata që janë nga Shkodra, se kur japin besën vetëm vdekja mund të na ndajë. Të gjitha këto, për hir të Zotit, isha e detyruar t'i besoja.

Kur shkuat për herë të parë në Shqipëri?

Shkova më 10 janar të këtij viti në dasmën e kushërirës së tij të parë. Ishte një dasmë fantastike, tepër e shkëlqyer. Atë ditë vendosa të vishesha me veshjen e bukur tradicionale zadrimore të kësaj treve dhe u ndjeva shumë bukur me këtë veshje, saqë dasmorët në vend të pëlqenin nusen e re më pëlqyen mua, që fluturoja në qiellin e shtatë, si një nuse e asaj ane. U dashurova pa masë me Shqipërinë. U dashurova me çdo gjë që shihja, pasi mua më pëlqen origjinaleti dhe realiteti i saj. Më pëlqeu pa masë Shkodra, Tirana dhe Durrësi. Por dëshira ime është të vdes vetëm në fshatin e burrit tim, në Nënshat të Vau-Dejës. Me një popull të dashur dhe të thjeshtë, që të japin gjithçka me dashurinë e tyre të zjarrtë. Pra, me pak fjalë, zemra ime mbeti atje. Ajo që më ka bërë përshtypje, që të afërmit e Franit që jetojnë në Athinë nuk më jepnin aspak rëndësi dhe nuk më donin fare, ndërsa fshatarët e varfër të Nënshatit më dhanë gjithçka me atë buzëqeshjen e tyre të vuajtur nga hallet e tyre, por plot shpresë.

Historia juaj e dashurisë me shqiptarin si u trajtua në të gjitha mediat greke?

Duhet të dini se unë isha shumë e njohur për publikun grek si protagoniste në emisionin më të shikuar të kanalit ANT1 në vitin 2003 dhe publiku kishte shfaqur një dashuri ndaj figurës sime. Kjo histori mori shumë famë, sepse unë besova shumë te mediat televizive për zgjidhjen e çështjes sime. Por kjo ishte dhe një shembull për të gjitha ato gra të moshuara që duan njeriun e tyre të shtrenjtë pa dallim të diferencës së moshës me djem të rinj. Për këtë arsye, thashë se edhe unë dua të shpreh atë që ndiej në zemrën time, pa asnjë tabu për të demonstruar vuajtjen time shpirtërore dhe jo si një padi ndaj burrit tim shqiptar. Me të vërtetë kjo ngjarje bëri bujë të madhe mediatike, duke më bërë si personi më i kërkuar i show bizit në televizion. Madje, më e çuditshmja ishte se duke parë për numrin rekord të audiencës, filluan që edhe kanalet e mëdha të kërkonin që të bëja marrëveshje për të firmosur kontratë me emisionet e tyre. Revistat më të mëdha greke filluan të publikojnë në faqen e parë foton time me Franin dhe intervistat e mia për martesën me shqiptarin.
E gjithë kjo bujë mediatike a ndihmoi ndopak në zgjidhjen e çështjes suaj?
Mund të them se tek unë nuk ndihmoi aspak, se Frani nuk po kthehet në gjirin tim. Me njerëzit veprimi im bëri më mirë. Tek të gjithë gjeta mbështetjen e tyre, për origjinalitetin tim dhe për dhunimin tim shpirtëror që po kaloja. Ndërsa për veten time, e mendoj se jam bërë rezil vetëm për atë që një grua bën si e marrëzuar për një djalë të ri, të qajë para kamerave dhe të kërkojë ndihmë që t'i kthehet burri i saj mbrapa. Por ai ishte ëndrra ime dhe ishte Zoti im…

Ju mendoni se u bëtë rezil, por në të vërtetë ju dhatë mesazhe pozitive për shqiptarët, gjë që shqiptarët e vlerësojnë shumë. Ju flisnit fjalët më të mira për kombin shqiptar dhe thatë se unë jam shqiptare dhe do të vdes shqiptare…
Është çmimi im më i madh si komb, që shqiptarët ngjajnë me ne grekët. Çfarë bëmë ne para 50 vjetëve në emigracion, në USA, Australi dhe Gjermani për një jetë më të mirë, për një të ardhme të shëndetshme, atë bëni ju tani dhe latë vendin tuaj shumë të bukur. Së shpejti ju do të jeni në BE dhe nuk keni asgjë që të lakmoni nga ne dhe Perëndimi. Ju keni perlat më të bukura dhe popullin e çmueshëm. Ju keni meshkujt dhe femrat më të bukura dhe kjo është një realitet që të tjerët ju lakmojnë. Jeni një popull krenar dhe ju adhuroj që me të gjitha ato vuajtje shekullore keni arritur të ruani historinë tuaj dhe traditat tuaja.

Në televizion para katër milionë shikuesve grekë thatë gjatë kësaj kohe se unë ndjehem shqiptare dhe është krenari të jesh shqiptare!

Po, është e vërtetë se e kam thënë dhe vazhdoj ta them deri sa të vdes, se Shqipëria është në zemrën time, me një popull të mrekullueshëm. Prandaj dhe gjithë grekët më duan për atë që jam dhe ndjej. Këtë e vërej kudo. Sapo më shohin në rrugë më kërkojnë autografë dhe vijnë të më puthin, duke më thënë: Bravo që thua atë që ndjen dhe nuk je false. Shqiptarët që jetojnë në Greqi kanë të drejtë se më vlerësojnë ashtu, sepse përveçse unë ndjehem në shpirt shqiptare, dua të ndjehem dhe në dokumente si shqiptare, se jam grua e një burri shqiptar. Pastaj ata më duan, se unë u çmoj vlerat e tyre të mira publikisht dhe grekët këtë e dinë shumë mirë, por nuk duan ta shfaqin. Ndërsa tek unë nuk qëndron asnjë tabu, por mbi të gjitha njeriu. Në zemrën time ka vetëm tre atdhe, Greqia që më lindi, Amerika që më bëri të pasur dhe Shqipëria që më dha dashurinë.

Keni kërkuar që të merrni shtetësinë shqiptare nga autoritetet e saj?

Së shpejti do të jem në Shqipëri dhe do të kërkoj sipas legjislacionit shqiptar që të pajisem me pasaportë shqiptare. Madje, në Shqipëri kërkoj të bëj dhe gjëra të tjera bamirësie dhe dua që me anë të organizatave kush kërkon ndihmën time ta japë për të varfrit shqiptarë.
Me të vërtetë është e rrallë që një grua e pasur të dashurojë një djalë të një familje të varfër. Sa llogaritet pasuria juaj nëse dëshironi të jepni shifra?
Nuk do të doja të jepja shifra për llogarinë për shumë arsye, por unë kam shumë prona të patundshme në Amerikë, Londër, Paris dhe në shumë ishuj grekë. Ndërsa në Athinë kam shumë pallate dhe qendër tregtare në sheshin e Glifadhës.

Vazhdoni ta doni Franin dhe a besoni se do të kthehet ndonjë moment?

Jo, jo. Besoj se nuk do të kthehet më kurrë, sepse mendoj shumë se ju shqiptarët nga veriu keni një kokë që nuk bën kurrë prapa dhe nuk pajtohet kurrë. Pra, me kuptimin e mirë të fjalës janë kokëfortë, që nuk bëjnë as majtas as djathtas, por vetëm drejtë. Por unë do të përpiqem që të mos i jap divorcin, sepse dua të ndjehem me dokumente gruaja e tij dhe shqiptare përjetë. Dhe këtë e besoj dhe sikur t'i firmos të gjithë pasurinë time, me kokën që ka ai nuk do të kthehet tek unë. Dhe një nga arsyet përse nuk e bën këtë është se opinioni do t'i thotë se shkove për para te një plakë 58-vjeçare.
Po djali si e priti dasmën tënde me një moshatarë të tij dhe shqiptar?
Në fillim shumë negativisht dhe erdhi në kishë dhe më hodhi testamentin e më tha se nuk e dua. Por pastaj u soll shumë mirë dhe jetoi së bashku me Franin, duke e trajtuar si shok.
A ndikon ndarja me Franin për të ndryshuar tek ju dashurinë që keni për shqiptarët?
Absolutisht jo, se Frani nuk përfaqëson shqiptarët me veprimin e tij. Të gjithë shqiptarët e kanë kritikuar se përse u tall me mua, me ndjenjat e mia. Unë di të them këtë, se shqiptarët janë të besës dhe të fjalës. Dhe këtë besoj se nuk e ka askush në botë dhe janë virtyte që e çmojnë njeriun përpara çdo pasurie tjetër.
Kur keni programuar ta vizitoni përsëri Shqipërinë?
Do të jem për Krishtlindje atje, se dua të shoh të afërmit e burrit tim si dhe bashkëfshatarët e mi, e thashë se Nënshati është fshati im.
Duke qenë se jeni personazhi më i kërkuar nga televizionet greke, besoj se nuk do t'i shmangeni edhe emisionit të Arian Çanit në Shqipëri, ku publiku i atyshëm do të mësonte nga ju historinë e rrallë të dashurisë me një shqiptar?
Eshtë çmim i madh për mua që të ftohem nga një gazetar kaq i suksesshëm siç është ai dhe shumë simpatik kam dëgjuar. Pra, pas Trendafillopullos, Lazopullos dhe gazetës suaj, ekskluziviteti i intervistës time le të jetë dhe për Arian Çanin, për të mësuar të gjithë shqiptarët që dhe grekët dashurojnë verbërisht shqiptarët. Dhe të mësojnë nga goja ime se i dua si komb dhe si popull.

                                  REAGIMI I TE AFERMVE TE FRANIT  

 Miliarderen e pritëm si Helenën e Trojës, por na shkatërroi djalin”

Kur dëgjojnë të përmenden emrat e Franit, djalit të fshatit të tyre, të cilin e njohin mirë dhe Rulës, miliarderes greke, banorët e Nënshatit, një nocion gjeografik për midis
        Shkodrës dhe Lezhës, sidomos femrat, lëshojnë një frazë apo pasthirrmë. Është një gjest që u del në mënyrë të pakontrolluar dhe që shoqërohet me një buzagaz fragmentar të palexueshëm, ashtu siç ndodh me çdokënd që duhet të japë një opinion për një ngjarje që, ose e njeh shumë mirë, ose e ka lodhur. E kanë pritur si të ishte një divë kinemaje “nusen e djalit”, pa e pyetur shumë për moshën, pa u interesuar shumë për biografinë greke dhe paratë që thoshin se i kishte me lopata, madje duke besuar me dashamirësi një thashethem, sipas të cilit ajo nuk i kishte kaluar të dyzetat. Por me kalimin e kohës duket janë ndier keq dhe kjo ka ardhur jo vetëm nga historia e ndarjes, por edhe nga komentet që grekja e famshme në atdheun e vet, ka bërë në adresë të familjes së Franit dhe më tej. Kjo është risia e këtyre ditëve, vendosur si kurorë dhimbjeje, më saktë bezdie, përmbi fshatin zadrimor, madje duket e kaptuar edhe përmbi hijen qindravjeçare të tre objekteve fetare që kanë lidhje me katolicizmin, të ngulura në shpatin e malit, përmbi shtëpitë që fshikullohen nga një erë brisk e ftohtë.

“Unë e takova Rulën”
“Të ftohtin e bën era këtu. Po të mos frynte, s’është vend i keq”, na thotë kur na sheh të kruspullosur Mark Preçi, njeriu i parë që takuam në Nënshat. Është 54 vjeç dhe nga të paktët që nuk bën të habiturin për historinë e Franit me greken Rula.

“Kam dëgjuar për ta, por unë vetëm njëherë i kam takuar. Ja, kështu në rrugë, si edhe juve. Ishin me një makinë të zezë dhe ndaluan të më përshëndesnin. Duhet të ketë qenë fillimi i këtij viti. Makinën e ngiste grekja. Unë e njihja mirë Franin dhe familjen e tij, pasi ishim fqinjë”, rrëfen Marku. Më tej 54-vjeçarit i ka bërë përshtypje që Frani i ka thënë, se femra që ngiste makinën ishte nusja e tij.
Marku kishte shqiptuar automatikisht:
Të trashëgoheni! Mëson se janë duke shkuar në një dasmë në fisin e tyre në fshatin fqinj, Dajç – Zadrimë dhe i përgjigjet grekes po në greqisht, kur ajo kërkon një opinion për Franin. “Më thotë, Frani kalo pedhi” (Frani është djalë i mirë) dhe unë i përgjigjem “poli kalo” (shumë i mirë)”, vazhdon rrëfimin Mark Preçi, duke u hedhur në historinë e vet të shkuarjes dikur si emigrant klandestin në Greqinë fqinje. Ndërkohë i jemi afruar shtëpisë së vjetër dhe vilës së re të papërfunduar të Fran Shtjefnit, ose dy objekteve që pranë njëri-tjetrit reflektonin atë pabarazinë ekstreme mes primitivitetit dhe modernes.
“Mark, nuk të bëri përshtypje që grekja, nusja e Franit, ishte e madhe në moshë”, ishte pyetja që kërkonte një reagim paksa të kushtëzuar.
“Më bëri përshtypje, dukej në fytyrë, por ishte edhe shumë e mbajtur”, shqiptoi bashkëbiseduesi të vërtetën e tij.

Fati i një familjeje
Një tufë prej më shumë se 100 gjelash deti, që zadrimorët i quajnë “bibaj” (shumësi mashkullor) dhe ‘biba” (shumësi femëror), një nga mënyrat e mbijetesës së zonës, krahas emigracionit pothuaj total të meshkujve të aftë për punë, na bllokojnë rrugën e makinës fare pranë vilës së re të Franit.
Gjithsesi, më interesante ishte shtëpia e vjetër ku shqiptari mbase më i famshëm në Greqinë fqinje kishte lindur dhe kishte kaluar rreth 14-15 vite të jetës. Familja e përbërë nga i ati, Tom Simon Shtjefni, nëna Gonxhja, dhe katër fëmijët, mblidhej të jetonte në dy dhoma shumë të ngushta, pasi në pjesën tjetër të shtëpisë jetonte familja e xhaxhait. Dhe mjafton të përfytyrosh një shtëpi krejt të rrënuar, me tavan të ulët dhe të shqyer, për të krijuar një përshtypje se sa e vështirë kishte qenë jeta në një kooperativë bujqësore të kohës së diktaturës, ku prindërit e Franit nuk ishin më shumë se bujq të rëndomtë për bukën e gojës.

Por fatkeqësia më e madhe do të vinte në vitet e para të demokracisë, kur sherri në një qendër votimi i merr familjes të zotin e shtëpisë. Tom Shtjefni qëllohet me armë dhe plumbi nuk ndalet duke pushkatuar gjithë familjen që mbetet pa asnjë mbështetje. Moment që detyron Franin adoleshent, të marrë udhët e kurbetit dhe të punojë fort. Aq fort, sa të mbajë familjen dhe të nisë një shtëpi, një shtëpi të lartë, të madhe, më katër kate për të katër vëllezërit, një shtëpi që të dukej nga larg si të ishte simbol i vetë vitalitetit. Por edhe një shtëpi e gjitha e ndërtuar me punë të ndershme, thënë ndryshe me djersë e gjak.

Krenaria
“Vilën e ka ndërtuar para se të njihej me greken Rula. Madje që kur u lidh më të, në objekt nuk është vënë më asnjë tullë”, rrëfen mbështetur pranë sobës me zjarr bubulak, File Shtjefni, një grua plakë rreth 80-vjeçare, fqinje dhe njëkohësisht kushërirë e familjes së Franit që dikur kishte pritur në shtëpi për kafe nipin dhe nusen e tij greke. Gruaja plakë rrëfen se e kishin pritur si të ishte vetë Perëndia, mysafiren e largët dhe se të njëjtën gjë do të bënin nëse ajo do u trokiste sërish në derë.

“E kemi traditë që t’i hapim derën atij që vjen si mik. I hapim derën edhe nëse nuk na pëlqen”, është në thelb filozofia jo vetëm e nënës File, por e gjithë zonës dhe njerëzve që edhe sot pranojnë dhe zbatojnë një pjesë të ligjeve që vijnë nga Kanuni i famshëm i Lekë Dukagjinit.
“Por jo të thotë Rula, se e ka marrë gjithë familjen e tij në Greqi, sepse i ka marrë vetë Frani, para se të njihej me të.
E dëgjuam dje në televizion dhe nuk na erdhi mirë”, hidhen familjarët e tjerë që shprehin një pakënaqësi duket e ardhur nga një pasaktësi mediatike. Gjithsesi kaq mjafton që bashkëbiseduesit të futen në një rreth revolte. Janë nga ajo racë njerëzore që më shumë se gjithçka vlerësojnë krenarinë, që s’duhet të njolloset në asnjë mënyrë. “I mori Frani dhe ne kujtojmë se shitën lopën e dhitë për të bërë lekët e udhëtimit klandestin. Kaluan nga Maqedonia, në këmbë”, shtojnë me një frymë.
Dhe më tej:
“Rulën e kemi pritur dhe respektuar si të ishte Helena e Trojës. Për shkak të respektit ndaj Franit e priti gjithë fisi, gjithë shoqëria, nuk e lamë të binte përtokë”, mëshojnë me të njëjtin opinion të betonuar. Në vazhdim me ton të ndërruar rrëfejnë se Rula kishte ardhur me një kostum zadrimor, se nuk e dinin se ishte e pasur dhe se respektin Franit dhe asaj ia kishin bërë sikur ai të ishte martuar me një 15-vjeçare. Ndërsa kur kanë mësuar se janë ndarë, kushërinjtë e shumtë të Fran Shtjefnit, flasin me tjetër gjuhë. Ndarja duket u ka përkëdhelur sedrën. Thonë shkurt edhe se “na erdhi keq që u ndanë”, edhe se “në këtë rast s’ka ç’duhet gjë pasuria”. Duket mentaliteti i zonës, edhe pse kohët e fundit i lodhur nga ngjarje që e kanë shënjestruar për ta ndryshuar, nuk e pranon një lidhje të një djaloshi të ri me një femër që është edhe më e shkuar në moshë se nëna e tij.

E vërteta e pathënë
Gjithsesi në gjurmë të historisë së Fran Shtjefnit dhe miliarderes greke Rula Brohopoulu, aty nga fundi i udhëtimit, panorama është më e qartë. Në fshatin Dajç–Zadrimë, ku Rula ka bujtur më 29 janar 2007, me rastin e dasmës së Aleksandër Simonit dhe Beltina Gazullit, që të dy kushërinj të afërt të Fran Shtjefnit, enigma e historisë është edhe më e lexueshme edhe pse askush nuk dëshiron të flasë i identifikuar.

Janë të njëjtët njerëz që e kanë pritur shumë miqësisht Rulën edhe gjatë vizitës së dytë, dy muaj më parë, në shtator, kur ajo kishte ardhur edhe pse ishte e ndarë me Franin. Të njëjtët që thonë se do i hapin dyert e do e presin në çdo kohë nëse do u trokasë si mike, të njëjtët që pranojnë edhe dëshirën e saj të fundit për të pasur një shtëpi në fshatin e tyre...
“Por mos kujtoni se gjithçka që ndodh është ashtu si thuhet në televizione...”, është fjalia që na ndal frymën. Njeriu përballë rrudh vetullat dhe bën një fytyrë të vuajtur kur flet. Thotë se në gjithë këtë histori i humburi i vërtetë është vetë Fran Shtjefni dhe ca më tepër edhe familja e tij. I njëjti thotë se tashmë pas ndarjes fakti, që Frani vazhdon të punojë atje ku ka punuar para se të lidhej me Rulën, në një ndërmarrje që prodhon elemente duralumini, thotë shumë. Thotë se Frani nuk ka përfituar asgjë prej ish-gruas së tij të pasur.
Po kështu edhe familja, nëse nuk do të llogaritet ndihma e Rulës, për t’i pajisur me dokumente qëndrimi në Greqi, një ndihmë që injorohet gjithsesi e justifikuar me faktin se të gjithë shqiptarëve në Greqinë fqinje u është dhënë shansi periodikisht të pajisen me dokumente qëndrimi.
“Kemi dëgjuar se ajo i ka dhuruar Franit një fuoristradë “Toyota” që ka kushtuar 85 mijë euro...”
“Ku është, a mund të na thoni? Në pronësi të kujt është, a e dini? Se Frani nuk ka asgjë veç shpatullave të veta”, është përgjigjja e dhënë me një frymë. Më tej shpërthimi: “Ajo është duke i shkatërruar jetën. Truprojat e saj e survejojnë përditë, i rrinë nga pas si hije, i ndërhyjnë në jetën private.
Gazetarët gjithashtu...
Grekja duket se ka dëshirë të bëjë show në televizione me këtë histori dhe prej këndej të korrë të ardhura të tjera...
A ka gojë Rula të flasë për nënën fisnike të Franit. E ka pritur si mbretëreshë, e veshi me duart e saj me kostum zadrimor, kurse tani që Frani vendosi të ndahet, Rula e përçmon...”. Mashkullit që rrëfen në këtë kohë i formohet në majë të gjuhës ajo pasthirrma e pakontrolluar... E kemi dëgjuar disa herë dhe tashmë na duket më e identifikueshme. Është diçka e ngjashme me “e marrtë morti!”, ose “e marrtë e mira!”. Shprehje që nuk kanë shumë dallim në momentin e nxjerrjes në dritë. Të dyja shfaqin mosaprovim të dukshëm.

 


4745
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI