Lifestyle
|
|
Djegia e qymyrit në termocentralin “Kosova A” ka shkaktuar 835 vdekje të parakohshme në vitin 2010, 310 raste të reja të bronkitit kronik dhe mijëra raste të tjera të sëmundjeve dhe vizitave emergjente.
Këto janë rezultatet e një raporti të Bankës Botërore në vitin 2010. Si pasojë e këtyre shifrave alarmante, pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe drejtori i Klinikës së Pulmologjisë së QKUK-së, Gazmend Zhuri, kërkuan nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe të gjejë forma alternative të furnizimit me energji elektrike. Në një hulumtim tjetër, të realizuar nga Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, rezulton se sëmundja e kancerit të mushkërive, më së shumti, prek rajonin e Prishtinës. Në këtë kuadër, të premten nisi një fushatë mediatike, e cila ka të bëjë me ndërgjegjësimin e popullatës mbi ndotjet e ambientit, që shkaktohen nga djegia e qymyrit. Por, pikërisht në ditën e fillimit të fushatës kundër qymyrit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nëpërmjet një njoftimi, bëri të ditur se komiteti drejtues për ndërtimin e termocentralit të ri ka aprovuar dokumentet e tenderit dhe proçesi do të fillojë në muajin mars. Për shifrat alarmante, sipas Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshem, janë të njoftuara qeveria e Kosoves dhe Banka Botërore, por që vazhdojnë të përkrahin projektin për ndërtimin e një termocentrali të ri në vend. Ndërtimi i tremocentralit “Kosova e Re”, sipas pjesëtarëve të shoqërisë civile, do ta burgoste Kosovën edhe për 40 vjetët e ardhshme në një mjedis të ndotur, ku jeta e fëmijëve do të jetë e kërcënuar nga ndotja, në oborrin ku jetojnë.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje