Lifestyle
|
|
TIRANË- Duhapirja në Shqipëri, sipas studimeve të ndryshme, është në nivele të larta, ndërsa problematike mbetet dhe duhanpirja pasive. Studimet e ndryshme tregojnë se rreth 40 % e popullsisë konsumojnë duhan, ndërsa ka një tendencë rritjeje numri i femrave duhanpirëse.
Të dhënat nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor tregojnë se te gratë pirja e duhanit është e përqendruar tek ato që jetojnë në Tiranën urbane në masën 14 %, tek femrat me universitet ose arsim të lartë, 15 % dhe tek ato me indeksin më të lartë të pasurisë, 12 %. Niveli i duhanpirjes për femrat është më i lartë për grupmoshën 20-24 vjeç, në masën 7 %, dhe 25-29 vjeç, 10 %, ndërkohë që është 4 % më i ulët në grupmoshat më të mëdha, çka tregon se duhanpirja mes femrave është një dukuri e përhapur relativisht kohët e fundit.
Ndërsa për meshkujt, të dhënat tregojnë se nivelet më të larta të duhanpirësve janë tek ata që jetojnë në rajonin malor, ndërkohë që nuk ekzistojnë dallime të forta në nivelet e duhanpirjes, sipas vendbanimit urban-rural dhe niveleve të pasurisë.
Për meshkujt, nivelet e duhanpirjes rriten me moshën, duke arritur në masën prej 56 % mes meshkujve në moshës 30-34 vjeç; pas kësaj moshe mbetet në nivel të ngjashëm, 53 deri 55 %, duke treguar që nivelet e duhanpirjes mes meshkujve nuk kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore gjatë viteve të fundit.
Duhanpirja shkakton jo vetëm dëmtim të mushkërive, të zemrës, sëmundshmëri e përkeqësim të astmës, shkatërrim të pamjes së jashtme, por edhe rëndim të buxhetit të familjeve.
Dëmet shëndetësore
Rreth 18 % e sëmundjeve që shkaktojnë vdekje në moshën mbi 30 vjeç në Shqipëri vjen si pasojë e konsumimit të duhanit, por dhe duhanpirjes pasive, qëndrimit në ambiente ku konsumohet duhan. Kjo bëhet e ditur nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga një studim i nisur në 2004.
Duhanpirja është shkak dhe i sëmundjeve të lidhura me të, sikurse sëmundjet tumorale, kardiovaskulare, etj.
Kanceri në mushkëri i shkaktuar nga duhani është një nga arsyet kryesore të vdekjeve në Shqipëri. Duhanpirja është shkaktar dhe i sëmundjeve të gjakut, pasi preket sistemi kardiovaskular, etj.
Të dhënat më të fundit mbi vdekshmërinë në një vit nga kanceri tregojnë se ky numër është 4-fishuar. Në bazë të të dhënave të OBSH-së,1800 persona janë viktima të duhanit.
Shpenzimet për duhanin
Veç dëmeve shëndetësore, duhani u rëndon shumë edhe xhepave të familjeve shqiptare. Një duhanpirës, në 40 vite harxhon 3 milion lekë, nëse do të konsomunte 1 paketë/ditë, nëse do të konsumonte 2 paketa cigare, shifra do të arrinte në 5.8 milion lekë. Vetëm në një muaj, një duhanpirës shpenzon minimuni, nëse konsumon gjysëm pakete, 3.1 mijë lekë dhe maksimalisht, nëse konsumon 3 paketa, shpenzon 18.6 mijë lekë. Të dhënat tregojnë se për 10 vjet, një duhanpirës që konsumon vetëm gjysmën e paketës harxhon 362 mijë lekë, ndërsa ai që pi regullisht duhan dhe konsumon rreth 3 paketa në ditë paguan nga xhepi 2.196 milion lekë.
Faktet kyçe të duhanit
Përdorimi i duhanit është një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik që bota ka hasur ndonjëherë.
Globalisht, përdorimi i produkteve të duhanit është duke u shtuar.
Epidemia është duke lëvizur në botën në zhvillim.
Më shumë se 80% te duhanpirësve jetojnë në shtete me fitime të ulëta, ose të mesme.
Përdorimi i duhanit vret 5.4 milionë njerëz në vit, mesatarisht një person çdo sekondë, dhe llogaritet që 1 në 10 të rritur të vdesë në botë. Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij.
Pirja e duhanit është një faktor rreziku për 6 nga 8 shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë.
100 milion vdekje janë shkaktuar nga duhani ne shek. XX. Nëse tendenca aktuale vazhdon, do të rritet në 1 miliard vdekje në shek. XXI.
Vdekjet e lidhura me duhanin do të rriten më shumë se 8 milionë në vite nga 2030 dhe 80 % e këtyre vdekjeve do të ndodhin në botën e zhvilluar.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje