Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Zëri Amerikës: Basha pranon paketën McAllister, Rama është tërhequr

Zëri i Amerikës ka raportuar përpjekjet që po bëhen mes partive politike për gjetjen e një zgjidhje për krizën.

Burime për këtë agjenci kanë bërë të ditur se opozita e drejtuar nga Lulzim Basha ka pranuar paketën ‘McAllister’ dhe është tërhequr nga dy kërkesa të rëndësishme siç janë ato të kryeministrit teknik dhe shtyrjen e zgjedhjeve për në vjeshtë.

Por gatishmërisë së opozitës nuk i është përgjigjur qeveria e drejtuar nga Edi Rama, që sipas Zërit të Amerikës nuk pranon shtyrjen e datës së zgjedhjeve përtej 18 qershorit, ndonëse kjo është e parashikuar në paketën ‘McAllister’.

Raportimi i Zëri i Amerikës:

Në Shqipëri, deri në mesnatë kanë vazhduar pa rezultat përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike në vend, të cilat rinisën pas kërkesës së djeshme të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, që palët të dialogonin mbi bazën e formulës së kompromisit të ofruar disa javë më parë nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të parlamentit europian David McAllister.

Gjatë vizitës në Tiranë, zyrtari i Departamentit të Shtetit u shpreh se SHBA-të e mbështesin të ashtuquajturën “Paketa McAllister” duke e cilësuar “një propozim të ndershëm”.

Burime pranë opozitës janë shprehur se ajo ka rënë dakort plotësisht me të ashtuquajturën “Paketa McAllister”, porse sipas saj ka një tërheqje nga përfaqësuesit e qeverisë.

Në thelb bëhet fjalë për disa ndryshime në qeveri, me disa ministra teknikë që të kenë pëlqimin e opozitës, sipas formulës McAllister, e cila nuk parashikon dorëheqjen e kryeministrit, kërkuar me ngulm nga opozita.

Po ashtu, parashikohet dhe dhënia së djathtës, e drejtimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ndërkohë që propozohet dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Zoti Rama nga ana e tij ka shpjeguar se as ai nuk e ka pranuar “Paketën McAllister”, por se ka qenë i gatshëm të diskutonte mbi të, me kusht që opozita të votonte anëtarët e komisioneve parlamentare për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Burime nga opozita thanë mbrëmë se ajo ka rënë dakort dhe për çështjen e Vettingut, ndonëse pala tjetër pretendon se e djathta ka kërkuar disa ndërhyrje në ligjin për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Por pika e mosdakortësisë duket të jetë data e zgjedhjeve. Opozita duket se është tërhequr nga kërkesa për shtrjen e tyre deri në fillim të vjeshtës, dhe shprehet se ka pranuar variantin e shtyrjes në 16 apo 23 korrik, kohë brenda së cilës mund të tentohet të realizohet identifikimi biometrik i votuesve, apo dhe numërimi elektronik.

Por sipas saj është kryeministri Edi Rama i cili po këmbëngul që data e zgjedhjeve të mos preket, dhe të mbetet 18 qershori. Por nga ana e qeversië nuk ka asnjë konfirmim apo përgënjeshtrim të këtij qëndrimi.

Ndërkohë përfaqësuesë të komunitetit ndërkombëtar po vazhdojnë të jenë në kontakt me palët, dhe ende asgjë nuk konsiderohet e mbyllur.

Përditësuar me 17 Maj 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin