Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Zbulohen prapaskenat, çfarë ndodhi me nenin 449 që ndalon rihapjen e dosjeve të zyrtarëve të korruptuar

Më 30 mars, maxhoranca ngriti kartonin jeshil në Kuvendin e Shqipërisë për t’i mbyllur shtegun rishikimit të çështjeve gjyqësore me vendim pafajësie të formës së prerë – lëvizje që shkoi në kah të kundërt me rekomandimin e EURALIUS dhe shkaktoi zemërim në radhët e opinionit publik.

Ndonëse i shfrytëzuar me pikatore në të shkuarën, neni 449 i Kodit të Procedurës Penale lejonte rishikimin e vendimeve të pafajësisë së formës së prerë brenda 5 vjetëve, edhe në dëm të të pandehurit.

Neni 256 i Kodit të ri të Procedurës Penale, që reflekton ndryshimin e nenit 449, parashikon rishikimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në çdo kohë sipas përcaktimeve të Kodit, “me përjashtim të vendimeve të pafajësisë kur synohet rëndimi i pozitës së të pandehurit”.

Kodi i Procedurës Penale është njëri prej ligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi, të cilat po adoptohen nga Parlamenti shqiptar. Për Artan Hoxhën, pedagog i së Drejtës proceduriale penale dhe propozues i ndryshimit në nenin 449 në cilësinë e ekspertit, ky ligj është “ndër ligjet më të mira të hartuara, pas një pune 5-vjeçare”.

“Mua më vjen keq për gjithë zhurmën që po bëhet, pasi nuk ka asnjë shkelje standardi. Ky rregullim garanton sigurinë ligjore dhe nuk prek asnjërën prej çështjeve të diskutuara. Nuk ndikon në kushtet e Reformës në Drejtësi”, tha Hoxha.

Siguria ligjore është një parim i rëndësishëm i jurisprudencës europiane, e cila vepron në përputhje me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, vendet e Bashkimit Europian ndjekin dy modele të ndryshme, sa i takon rihapjes së çështjeve të pafajësisë në dritën e provave të reja. Modeli i adoptuar nga Parlamenti shqiptar ndiqet nga vende si Italia, Franca, Belgjika, Spanja dhe Portugalia.

Ndërsa shumica e vendeve të BE-së, të tilla si Gjermania, Austria, Suedia lejojnë rihapjen e çështjeve edhe në dëm të të pandehurit, nën procedura të qarta dhe strikte. Në Shqipëri, zgjedhja e modelit italian nuk ka mundur të sigurojë konsensus, si në radhët e ekspertëve shqiptarë, ashtu edhe atyre ndërkombëtarë.

Delegacioni i Bashkimit Europian, i cili asiston nga afër procesin përmes misionit EURALIUS, i tha BIRN se “nuk ekziston një parim i qartë europian i ndërtuar në këtë drejtim”.

Sipas BE-së, ka praktika të ndryshme europiane, ndërsa të gjitha ato lejohen nën Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, rekomandimi i tyre ishte në favor të rihapjes së çështjeve penale, edhe në rastet e pafajësisë.

“EURALIUS rekomandoi parashikimin e një dispozite të ngjashme me modelet e vendeve si Gjermania, Austria apo Suedia, të cilat lejojnë rihapjen e çështjeve penale në raste të caktuara, edhe nëse kishte pafajësi”, u përgjigj delegacioni i BE-së.

Ndalimi i rishikimit të çështjeve “in malam partem”, në rastet kur ekziston një vendim pafajësie i formës së prerë, u prezantua për herë të parë në mbledhjen e 21 marsit në Komisionin e Ligjeve, ndonëse projektligji i Kodit të Procedurës Penale ishte depozituar prej javësh në Kuvend.

Procesverbali i mbledhjes, i publikuar në faqen e Kuvendit, tregon se kjo dispozitë ka shkaktuar momente paqartësie dhe debat. Delegacioni i BE-së i tha se propozimi për ndjekjen e modelit italian për rihapjen e çështjeve erdhi nga ekspertët shqiptarë.

“Ky version u adoptua gjithashtu nga Parlamenti”, u përgjigj delegacioni i BE-së. Propozimi, i sanksionuar tashmë në nenin 256 të Kodit të Procedurës Penale, u kundërshtua edhe nga Arben Rakipi, gjithashtu pjesë e grupit të ekspertëve vendas për Reformën në Drejtësi.

Në mbledhjen e 21 marsit, në Komisionin e Ligjeve, Rakipi u shpreh kundër propozimit të Hoxhës, me argumentin se standardi ndërkombëtar është për të riparë çështjet e mbyllura, në rastet kur gjenden prova të reja.

I kontaktuar nga BIRN, Rakipi konfirmoi qëndrimin e tij kundërshtues. “Është bërë një zgjedhje nga grupi i ekspertëve dhe ligjvënësi, nuk është çështje standardi. Unë personalisht jam shprehur kundër dhe kam qenë në grupin e minorancës”, tha Rakipi.

Duke iu referuar debatit, Artan Hoxha hedh poshtë mundësinë e ndikimit politik për ndryshimin e nenit 449. “I gjithë diskutimi u zhvillua në Komisionin e Ligjeve dhe arriti në atë përfundim që dihet”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ndryshimi i nenit 449 u miratua nga ekspertët e EURALIUS, Hoxha u përgjigj: “Besoj se po! Pati një moment tensioni, që erdhi për shkak të mediatizimit të çështjes”.

Kundërshtimi rreth ndryshimeve në nenin 449 i ka rrënjët në perceptimin e gjithëpërhapur në Shqipëri, se sistemi i drejtësisë ka dështuar të gjykojë peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe eksponentët e krimit të organizuar. Mbyllja e dosjeve të mëdha në Shqipërinë e tranzicionit ka qenë një ndër motivet më të forta për mbështetjen e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë. Ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë bien dakord në pikën që miratimi i kësaj dispozite ka një fushë të vogël veprimi.

Artan Hoxha tha se dispozita, sipas Kodit të vjetër të Procedurës, është përdorur dy apo tri herë gjithsej në të shkuarën. Pa përmendur çështje konkrete, ai garanton se kjo dispozitë nuk cenon rihapjen e dosjeve të diskutuara.

Delegacioni i Bashkimit Europian i tha BIRN se “ndalimi i rishikimit është i aplikueshëm vetëm për rastet e mbyllura me një vendim të formës së prerë pafajësie për të pandehurin”. “Jo për vendimet e gjykatës, të cilat vendosin një sanksion dhe as u referohet çështjeve të mbyllura gjatë një faze të hetimit. Çështje të tilla mund të rihapen në çdo kohë, nëse dalin prova të reja”, përfundoi delegacioni i BE-së. / BIRN

Përditësuar me 13 Pri 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin