Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Situata në Shkup, reagojnë të shqetësuar BE dhe fqinjët e Maqedonisë

Ngjarjet e së enjtes mbrëma në parlamentin maqedonas kanë shqetësuar së tepërmi faktorin ndërkombëtarë dhe vendet fqinje.

BE reagon e para

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, si dhe Komisioneri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, kanë dënuar dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe e kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

“E dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm, që po vazhdon mbi anëtarët e Parlamentit në Shkup. Aktet e dhunës në Parlament janë plotësisht të papranueshme dhe bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ministria e Brendshme dhe policia duhet të garantojnë sigurinë në Parlament, për anëtarët e tij. Demokracia duhet të zbatohet. E vlerësojmë pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar të Parlamentit, siç është njoftuar. Bashkimi Europian është i bindur se dialogu politik në institucione është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike, mirësjelljes. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është vend kandidat dhe Bashkimi Europian është i gatshëm që të punojë me Parlamentin në reformat e nevojshme për të shtyrë vendin përpara në rrugën e tij europiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Mogherinit dhe Hahn.

Athina ofron ndërmjetësim

Athina ka harruar çështjen e emrit dhe veç thirrjes për vetpërmbajtje, ofrohet si ndërmjetëse mes palëve për të ulur tensionin, por edhe për ruajtjen e integritetit teritorial të fqinjit të saj verior. Nëpërmjet një komunikate të bërë gjatë orëve të natës, autoritetet greke shprehin shqetësimin e tyre lidhur me aktet e dhunës në Parlamentit e Shkupit, por edhe më gjerë në vend.

"Me keqardhje po vëmë re se Maqedonia po rrëshket në një krizë të thellë dhe tepër të rëndë politike. Në këto momente të vështira për vendin, u bëjmë thirrje të gjitha forcave të përfshira në krizë që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruhet në komunikatë.

Athina, ndërsa thekson se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera, është e gatshme në çdo moment që do t’i kërkohet, të ndërmjetësojë dhe ndihmojë në zgjidhjen e situatës politike në vend.

Edhe Serbia e Shqetësuar

Kryeministri në detyrë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është i shqetësuar për situatën në Maqedoni. Pasi foli për agjencinë publike të lajmeve “Tanjug”, Vuçiç kontaktoi disa prej liderëve të rajonit për të diskutuar për këtë temë.

Siç thuhet, ai ka biseduar me kreun e VMRO-së, Nikolla Gruevski dhe kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov. Televizioni serb “Pink”, i afërt me Vuçiç, ka raportuar se një bisedë telefonikë është zhvilluar edhe me kreun e parlamentit shqiptar, Ilir Meta.

“Kjo që po ndodh në Maqedoni nuk është më vetëm problem i Maqedonisë, por i të gjithëve ne që jetojmë këtu”, citohet kryeministri serb, i cili ka bërë apel tek maqedonasit që të qetësojnë gjakrat.

Zgjidhja e vetme është që të bisedohet në mënyrë të qetë dhe në një atmosferë të qetë, ka thënë Vuçiç, duke lutur të gjithë ata që i njeh dhe ata që nuk i njeh në Maqedoni që të mbretërojë paqja, kurse në Serbi gjithmonë do të kenë miq të besueshëm.

Reagimi i Tiranës zyrtare

Përshkallëzimin e situatës në Maqedoni është duke e ndjekur me shqetësim edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, e cila ka dënuar përdorimin e dhunës në ambientet e Kuvendit, veçanërisht sulmin ndaj disa prej deputetëve.

“Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar”, shkruhet në deklaratën e MPJ-së.

Diplomacia shqiptare u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika nxitëse që mund të përkeqësojnë situatën dhe të angazhohen me qetësi e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike, si dhe të përparimit euroatlantik të vendit”, thuhet më tej në komunikatë.

Përditësuar me 28 Pri 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin