Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
PS-LSI, 8 çështjet e ‘nxehta’ mes Ramës dhe Metës

Katër muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, maxhoranca e majtë, PS-LSI ende nuk ka një qëndrim të unifikuar nëse do të jenën një koalicion ose jo më 18 qershori.

Tensioni më i madh mes PS-së dhe LSI-së ka qenë për reformën në drejtësi, kanabisi që ka mbuluar Shqipërinë, koncesionet e shumta, si dhe sa i përket ligjit të Mbetjeve.

Këto tensione janë përkthyer në ulje e ngritje të marrëdhënieve mes Ramës dhe Metës, aq sa nuk kanë munguar dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar, edhe pse këto lëvizje kanë ndodhur vetëm në një krah.

Reforma në drejtësi dhe Bordi i ONM-së

Që kur nisi dy vite të shkuara, reforma në drejtësi ndau qartë PS-në dhe LSI-në me këtë të fundit që kërkonte konsensus të gjerë me opozitën, pasi në të kundërt reforma nuk do të mund të realizohej. Ishte roli i ndërkombëtarëve që ishte parashikuar në procesin e Vetting-ut ai që ndau opozitën me maxhorancën që në krye të herës. E vendosur në rolin e mediatorit mes palëve, LSI-ja vendosi ultimatum që të dëgjohen pretendimet e opozitës çka pasoi me kthimin e saj në komisionin e reformës të cilin ajo e kishte braktisur. Ky pozicion i aleatit të saj, nxiti jo pak herë PS-në që të reflektonte dhe të lëshonte “pe”. Sot, i njëjti problem ndan palët. Bëhet fjalë për Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, një organ që nuk ishte parashikuar në Kushtetutë. Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka thënë që ky organ është jo kushtetues, ndërsa deputetët socialistë e kanë interpretuar këtë si “asgjë shqetësuese” megjithëse bëhet fjalë për shkeljen e ligjit themeltar të shtetit. Problemi vijon të mbetet i pazgjidhur. Në këto përplasje duket se pati dhe largim të ministrave të Drejtësisë, që të dy përfaqësues të LSI-së.

Reforma Zgjedhore

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor ishin një tjetër shkak për turbullimin e ujërave të koalicionit. Katër muaj më parë, kreu i Kuvendit propozoi për herë të parë votime me lista të hapura dhe zvogëlim të numrit të deputetëve për të krijuar lidhjen mes qytetarëve dhe ligjvënësit si dhe për të demokratizuar partitë. Përgjigja e kreut të PS-së ishte e prerë: Jo. Ky qëndrim i pandryshuar i PS-së nxiti LSI-në të dalë me një platformë konkrete për Kodin e ri Zgjedhor, ku të rreshtonte opsionin e listave të hapura. Ndërkohë që e ka mbështetur propozimin e socialistëve për votën e emigrantëve, LSI-ja gjendet sot përballë ngurrimit të PS-së për të ofruar konsensus për listat e hapura. E gjendur përballë trysnisë që opozita po ushtron me protestën në shesh për votimin dhe numërimin elektronik, LSI-ja me anë të Metës i cilësoi legjitime kërkesat e opozitës për zgjedhje të lira. Deklarata e Metës u pasua nga një darkë mes tij dhe Ramës në Kryeministri.

Importi i mbetjeve

Që kur u propozua në fillim nga deputeti socialist Eduard Shalsi mes kundërshtive të shoqërisë civile dhe opinionit publik kundër, ligji për importin e mbetjeve nuk mori garancinë e mbështetjes nga dy aleatët e Ramës, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi. Më 22 shtator, pas një seance të gjatë Parlamenti miratoi me 63 pro, 27 kundër dhe 4 abstenim, ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe amendimet e paraqitura nga LSI. Kriza e numrave tregoi pozicionimin e LSI-së, e cila nuk e mbështeti nismë duke nisur që nga kreu i saj Meta që atë ditë kishte zgjedhur të mos ishte i pranishëm në seancë. Po kështu edhe deputetët e PDIU nuk morën pjesë në votim. Nuk vonoi dhe ligji u kthye mbrapsht me një dekret nga Presidenti i Republikës, i cili kërkon rishikimin e tij. Presioni i shoqërisë civile bëri që Meta të dalë me një qëndrim të qartë kur tha se “nuk do të braktisen qytetarët”, duke nënkuptuar votën kundër. Dekreti i Presidentit ende vijon të flejë në sirtarët e Kuvendit e me shumë gjasë aty do të mbesë deri në krijimin e qeverisë së re pas 18 qershorit. Shkaku i kësaj shtyrjeje janë numrat pasi maxhorancës i duhen 71 vota në Kuvend për ta rrëzuar dekretin e Presidentit, shifër që bëhet e vështirë në kushtet kur PDIU dhe LSI kanë dalë hapur kundër.

Kanabisi dhe siguria e vendit

Pa dyshim një ndër përplasjet më të forta mes palëve është kultivimi i kanabisit në të gjithë vendin dhe roli i Policisë së Shtetit. LSI-ja kundërshtoi raportin e qeverisë se policia pastroi 99% të kanabisit, ndërsa vuri në pikëpyetje punën e policisë madje duke e akuzuar atë “si bashkëpunëtore në kultivim dhe trafikimin e kanabisit”. Kulmi u arrit kur ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi nxjerrjen e ushtrisë në terren pasi policia kishte dështuar, pasuar kjo nga deklarata e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka se policia nuk po bën punën e saj. Kjo përplasje nuk prodhoi rezultate kundër kanabisit, por solli shkarkimin e Manjanit si ministër “për shkak se nuk ndiqte linjën e grupit”, siç u shpreh Rama. Pas largimit të Manjanit, lufta kundër kanabisit dhe frika se me paratë e tij mund të blihen zgjedhjet pëshpëriten publikisht vetëm nga opozita.

Përplasjet për akcizat

Janë të shumta nismat ligjore e politike që LSI-ja ka kërkuar ose të ndryshohen ose të mos miratohen. Përmendim këtu testimin e mjekëve, ndryshimet e propozuara për “Procedurat Tatimore” në lidhje me marrjen e kuponit tatimor, ashpërsimin për penalitetet ndaj bizneseve që kryenin evazion fiskal, ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, projektligjin “Për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira”, ndryshimi i akcizës së prodhimit vendas për birrën, zerimin e taksës së bizneseve me xhiro 0-5 milionë lekë, shkurtimi i buxhetit për arsimin, rishikimin e buxhetit për pushtetin vendor, reformën arsimore, reforma zgjedhore, sistemi elektoral me prim dhe më e rëndësishme reforma në drejtësi, importi i mbetjeve, kanabisi etj. Edhe zgjedhjet lokale ishin një tjetër test, ku palët akuzuan njëra-tjetrën për mosbashkëpunim në bazë.

Dekriminalizimi...

Ligji i koncesioneve

Partneriteti publik-privat i iniciuar nga PS-ja për dhënien me koncesion të shumë shërbimeve në vend ishte një tjetër provë për koalicionin qeverisës. Akuzat ndaj disa ministrave të PSsë për disa nga koncesionet më të mëdha si ai i laboratorëve, i check-up, koncesioni i markimit për karburantet, për doganat, për Rrugën e Kombit etj, kolaudimit të makinave etj., nxitën LSI-në të pezullimin e disa prej tyre dhe ndryshimin e të tjerëve. Në 2016- ën një grup deputetësh depozituan në Kuvend një propozim ku kërkonin ndryshimin e ligjit për koncesionet. Konkretisht LSI-ja kërkon që koncesionet mbi 4 vjet të miratohen nga Kuvendi para se të hyjnë në fuqi, por ky pretendim nuk është marrë seriozisht nga aleati i saj i madh.

Presidenti i ri, sfida e radhës

Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës mund të prodhojë një tjetër konflikt mes dy partnerëve të shumicës. PS-ja me anë të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati e “kandidoi” Ilir Metën si kandidatin e duhur për postin e kreu të shtetit. Ilir Meta ka pohuar se do “jetë edhe me 19 qershor kryetar i LSI”, pra duke e hedhur poshtë një mundësi të tillë. Por ai, nuk ka thënë se Presidenti do jetë i PS-së, duke e lenë hapur mundësinë e zgjedhjes së tij si propozim të LSI-së. Në fillim u aludua se LSI-ja do të dalë me dy emra, të cilët mendohet se do jenë të gjithëpranuar nga publiku, por nuk dihet nëse ata do të kenë mbështetjen e Ramës. Sakaq, ky mund të jetë një tjetër kush për vijimin e koalicionit pas 18 qershorit.

Përditësuar me 24 Shk 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin