Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Gazeta afër Merkel: Shqipëria po shndërrohet në rrezik për sigurinë

Si rrallëherë më parë «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) ka atakuar qeverinë e prirë nga Partia Socialiste në Tiranë.

Gazeta e afërt me kabinetin e kancelares Angela Merkel shkruan në numrin e se enjtes mbi krizën politike që ka përfshirë Shqipërinë, duke kritikuar në radhë të parë kryeministrin Edi Rama për premtime boshe.

«I mbështetur në një shumicë solide në parlament, Rama premtoi se do të kujdeset për sistem transparent, për zbatim të reformave radikale, sidomos në drejtësi, dhe për zhvillimin e një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fund të mandatit të tij nga kjo kanë mbetur vetëm fjalët boshe.

Shqipëria prin në Europë me prodhimin e kanabisit. Pavarësisht disa operacioneve spektakulare të policisë, me ç’rast janë djegur plantacione me kanabis, fushat e mbjella janë shtuar dhe po shfrytëzohen edhe më intensivisht, mes tjerash me farën e bimëve vietnameze, të cilat rriten shpejt.

Me prodhimin e hashashit rritet edhe ndikimi i baronëve të drogës, të cilët kanë mjaft para për të korruptuar politikanë, gjykatës dhe policë.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po shndërrohet në rrezik për sigurinë.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shpreh shqetësim mbi thellimin dhe ashpërsimin e krizës politike në Shqipëri pas dështimit të eurodeputetit gjerman David McAllister që të ndërmjetësojë mes qeverisë dhe opozitës.

Partia Demokratike (PD), sipas FAZ, po kërkon largimin nga pushteti të kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të përgatiste zgjedhje të ndershme parlamentare.

Këtë kërkesë e ka refuzuar Partia Socialiste (PS). Opozita është duke e bojkotuar parlamentin tashmë dy muaj.

Demokratët po akuzojnë socialistët se duan t’i manipulojnë zgjedhjet e ardhshme dhe përmendin manipulimet zgjedhore, të cilat u regjistruan nga vëzhguesit e OSBE-së në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Nëse mbahen zgjedhjet e 18 qershorit përkundër rrethanave ekzistuese, Rama e ka të sigurt një fitore me 90 për qind.

Problemi është se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës nuk shikohen mirë nga BE, ku Shqipëria dëshiron të anëtarësohet sa më shpejt që të jetë e mundur», shkruan FAZ. Në rast se shtyhen zgjedhjet, kjo do të ishte një disfatë e rëndë për qeverinë.

Sipas gazetës gjermane bllokimi i parlamentit në luftën mes partive shqiptare është metodë gjithsesi e zakonshme. «Më 2009 socialistët bojkotuan parlamentin, sepse nuk pajtoheshin me humbjen në zgjedhje, dhe i bartën pastaj protestat në rrugë.

Në janar 2011 huliganë socialistë u vunë në krye të një marshi paqësor dhe provokuan forcat e sigurisë. Kur ato u përpoqën të depërtonin në selinë e kryeministrit demokrat Sali Berisha, dy oficerë të Gardës së Republikës hapën zjarr kundër turmës. Katër veta vdiqën.

Dorasit u liruan në një proces të dyshimtë juridik.

Gazeta përkujton se argumentet kryesore për fitoren e Ramës në qershor 2013 qenë aferat korruptive të demokratëve dhe dirigjimi i drejtësisë.

Përditësuar me 27 Pri 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin