Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
FMN/ Shqipëria, financimet më të ulëta në Europë për shëndetësinë

Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2017, shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja europiane për këtë tregues ishte 6%.

Në këtë renditje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1%.

Për shkak të kësaj situate, shqiptarët paguajnë kostot më të larta për shëndetësinë në krahasim me vendet e tjera në Europë.

Sipas Bankës Botërore, shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre 50% të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës, këto pagesa janë shumë të ulëta.

Në Turqi, pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9%.

Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7%; në Malin e Zi, 42.8%; në Serbi 36.6% dhe në Bosnjë, 27.9%. Në vendet europiane, këto pagesa janë shumë të ulëta, mesatarisht nën 15% e së gjithë kostos.

Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe mund të krahasohet me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë.

Sipas të dhënave krahasuese nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria rimburson rreth 25% të shitjeve të ilaçeve nga farmacitë, teksa ky nivel është shumë i lartë në vende të tjera europiane me të njëjtat kushte zhvillimi. Ish-republikat ruse i kanë nivelet e rimbursimit 35-40% të shitjeve në farmaci.

Investimi i Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi ka qenë nën mesataren rajonale dhe programi ekonomik i qeverisë planifikon të ulë edhe më tej pjesën e shpërndarjes së buxhetit në arsim dhe shëndetësi. Rritjet e planifikuara për investime publike duhet gjithashtu të përdoren për financimin e arsimit, shëndetësisë dhe kërkimit, dhe ky investim duhet të jetë më efikas dhe më efektiv.

Qeveria ka në plan të ulë shpenzimet në shëndetësi të cilat do të bien në 2.7% të PBB në periudhë afatmesme. Këto plane alokimi nuk ndihmojnë për të trajtuar ikjen e trurit dhe mungesat e fuqisë punëtore të kualifikuar. As ata nuk ndihmojnë për të nxitur konvergjencën ndaj standardeve europiane në këto fusha dhe as për t’u bërë ballë epidemive që rrezikojnë seriozisht jetën e pacientëve.

Përditësuar me 08 Pri 2020

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin