Ndahet nga jeta arkitekti i njohur Maks Velo
Është ndarë nga jeta arkitekti i njohur Maks Velo i cili ishte i shtruar prej disa ditësh në...
Lajme
|
|
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Konfederata e Sindikatave në Shqipëri bën një panoramë të situatës së punonjësve në Shqipëri.
Kreu i Konfederatës thotë se problematikat që prekin punonjësit sot janë shumë, por në krye sipas tij, mbetet informaliteti, mungesa e kushteve të sigurta në punë dhe mohimi i pagës, në shkelje të Kodit të Punës.
“Ne sot protestojmë për rritjen e pagës minimale, protestojmë në emër të punonjësve të shëndetësisë që kërkojnë kushte pune, furnizim me ilaçe dhe bazë materiale teknike, paga e shpërblime dinjitoze. Ne protestojmë në emër të mijëra punonjësve të hekurudhave, që janë pothuajse të braktisur dhe paguhen me pagë në formën e një lëmoshe, protestojmë për statusin e munguar të minatorit”, deklaroi kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.
Por, përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile denoncojnë një tjetër fakt flagrant. Madje ata thonë se Kodi i Punës është shkelur edhe më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të të drejtave të tyre.
“Sot më 1 Maj, 2017 u është kërkuar grave dhe vajzave që të dalin në punë në fabrikat e tekstileve dhe këpucëve. Gratë dhe vajzat përbëjnë 95 përqind të punonjësve në këto biznese. Puna në ditët e pushimit është një fakt tashmë në këtë sektor dhe kjo punë nuk ka kurrëfarë ndryshimi në pagë, sipas Kodit të Punës. Sindikatat e kanë lënë në baltë këtë sektor duke lejuar abuzimet dhe shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut”, thotë Erjona Mulellari nga Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Përmes një tubimi të organizuar te “Ushtari i Panjohur”, vendi ku shumica e të papunëve kërkojnë punë, protestuesit kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre në punë. Por, ka edhe nga ata që duan të punojnë, ose që kërkojnë pension të parakohshëm në rastin e profesioneve të vështira.
“Kemi punuar 28 vjet në çmontime, demontime dhe si përfundim pas 3-4 viteve të punës na nxorrën fare nga puna pa asnjë lloj leku. Kërkojmë bukën e gojës”, thotë një ish-punonjëse e Uzinës Mekanike të Poliçanit.
Përditësuar me 01 Maj 2017
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje