Armend Qushku 2 Report post Posted June 22, 2009 Ja pra, meraku i do analistëve tanë të spikatur që “kjo fushatë nuk po prodhon lajm”, më në fund u tret si kripa në uje. Edhe votimi mes vedi që bënë këta analistë në një studio televizive, habitërisht doli kryekrejt i pavarur: asnjë votë për PS-në, shumica për PD-në, kallam kusuri për Ngjelën dhe për LZHK-në! E prej shpirtit të del kjo thirrmë e lashtë: O Shqypni që na jep nder, a e din e lumja ti se ke kaq shumë personalitete me integritet dhe nuk ua di vlerën e nuk ua dëgjon fjalën?! E pse nuk voton edhe ti më 28 qershor si ata që të ngjyrosesh tejembanë e njëherë e përgjithmonë blu, blu, blu, e gjitha blu?! E pra, as prej Salës, as prej Edit, po bash prej zonjës Topalli, madje edhe prej policisë së shtetit që nuk e lejon viktimën të ikë në drejtim të paditur sa herë këtë e lyp nevoja e qeverisë, na u bë me dije se fajtor dhe kriminel qënka ai që vritet në mënyrë mafioze duke u hedhur në erë! “Kuku, ç’na ka gjet!”, kishin pas me thanë stërgjyshnit e fismë të zonjës Topalli! Por këtu, në mëmëdheun tonë me sa duket askurrgjë nuk bën më përshtypje, as lajmet skandaloze që do të luanin mendsh jo vetëm Bathoren, po edhe Parrucën, madje edhe një kontinent të tërë…E kujt i hyn në hise se ministri i jashtëm i Shqipërisë i ka dhënë gruas së vet nënshtetësi holandeze, duke lënë atë shqiptare, që ta ketë imunitetin sa më të sigurt? E kujt u bëmn përshtypje se Mehdiu, pas Gërdecit do të ngrinte në mes të Tiranës, në balloren e UFO-s, një portret më të madh se të Enverit edhe të Saliut, pa i bërë syri tërr? Por nuk janë vetëm deputetët me imunitet, po më shumë se ata me imunitet (dmth të pandikueshëm) qënkemi ne qytetarët e rëndomtë që tashmë, falë propagandës intensive me habere të frikshme dhe me fushata të tilla ofensive, as edhe një skandal apo thagmë nuk na bën më efekt! As gripi i derrit nuk na zë dot, as kriza globale! Shpallu kandidat dhe thuaj ç’të duash, premto e gënje, mashtro dhe falsifiko; po bëre terror dava më mirë; dhe, paskësaj, ke për t’u ndjerë i nderuar, i imunizuar, fuqiplotë, një mini-Saliu paprekshëm! Ndaj po të kesh pushtet, nuk ka ç’të bën jo gripi i derrit, po as gripi i vrerit dhe as i menderit!”Mbillni dhe vilni sa të mundni, tha Sala në Leskovik, askush nuk ka për t’ju prekur! *** Se ndodh kështu, ndaj disa ditë më parë, prej Postribës së dashtun dhe antikomuniste zonja J. u shfaq si nji burrneshë e vërtetë në tribunë dhe me zjarrmin e shpirtit të saj radikal dhe të djathtë, me një zëngjirrje gati femërore ajo nëmi aleatët e partisë së vet, Partinë Republikane dhe atë Demokristiane (paçka se PDK prej muajsh ka dalë prej vathe!). Klithma e saj e sinqertë e patetike: “mos votoni për ta, se vota për ta shkon për Edvin Ramën!”, pasoi thirrmën tjetër (të saj): “ata janë spiunë dhe mafiozë”. “Gabimi i Doktorit ishte që nuk ju dha plumb ballit në vitin 1997”!... “Kapini ata për zhelesh”! Para disa ditësh kjo zonjë e randë u premtoi grave vlonjate se po u bashkuan me të do të mposhtin edhe kancerin e gjirit! Allah, Allah, a thua e di zonja Topalli se për ku asht’ nis ’ e për ku po shkon me këtë profil kaq të egër, vulgar, intolerant dhe agresiv që po i jep vetes? Ndërsa Berisha ndoshta është i vetmi që e di se për ku po shkon. Por ama e sigurt është se ai nuk e di se si dhe ku do të përfundojë. Një ditë më parë se zonja J. të lëshonte rrufetë mbi aleatët, Berisha deklaroi në qytetin Studenti se ai jo vetëm ka për të dalë fitues më 28 qershor, por ka për t’u rizgjedhur edhe në 2017, madje edhe në vitin 2021! Ai nëtë vërtetë e di cilën kala duhet të marrë, por ama po hyri brenda në kalanë e pushtetit, porta mbyllet për të mos dalë më…Mjafton të dëgjosh këta dy liderë që të bindesh se sa pa peshë është Fjala, se si përdoret ligjërimi publik herë si herë si virus, herë si rrenë e mëpastaj si rreng. Opinioni ynë publik është transformuar prej tyre në një kazan plehrash, ndaj është denatyruar, tredhur e shkërbërë sa të ngjajë si maskat e teatrit që ose qeshin (për të dëshmuar komedinë), ose trishtohen (për tragjedinë), por ama që të dy pamjet i kanë grimasat të ngrira! Deklarata se Berisha do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2021 nuk përbëri “lajm”, megjithëse, në çdo vend normal, edhe në Zululand , do të cilësohej kryelajm. Sepse një deklaratë e tillë jo vetëm që sovranizon një kryetar partie, po nxjerr jashtë loje edhe votën, edhe demokracinë, edhe vullnetin, edhe pluralizmin, edhe ndërgjegjen e popullit, të cilin, më e pakta, ky lider e konsideroka një popull pa integritet, pa dinjitet, dmth një pis-milet trushkulur deri në atë farë feje sa mund ta tërheqësh zvarrë nëpër metingje e nëpër votime edhe me klithma, edhe me gënjeshtra të pashëmbullta, edhe me shpifsharje, edhe me mashtrime dhe ai prapë të brohorasë!(Mos vërtet ne përnjimend jemi një popull trushkulur nga diktatura, deri në atë masë sa nuk kemi të drejtë të bëjmë me faj drejtues të tillë të papërgjegjeshëm e të pakorrigjueshëm si Berisha? Sepse, në fund të fundit, ç’faj ka ky, nëse prapë i fiton zgjedhjet, qoftë edhe me manipulim të votave, manipulim që gjithsesi do të realizohet me duart, marrëzinë dhe histerinë e disave prej nesh?!) Jo, jo, nuk e mendova unë këtë, madje as nuk e thashë, se nuk dua dhe nuk e meritoj të mallkohem si antishqiptar! *** Duket sikur deklaratat e fundit të Berishës dhe Topallit ngjajnë si pa lidhje, por politikisht ato kanë lidhje organike mes tyre më shumë edhe se nxitja direkte apo indirekte për vrasjen e kreut të PDK në Malësinë e Madhe, Aleks Keka. Meqë policia e shtetit deklaroi se i ndjeri që u hodh në erë me telekomandë paskësh patur probleme të vjetra me krimin dhe trafikun (gjë që,vetëkuptohet,e çliroi sakaq zonjën Topalli nga akuzat e demokristianëve), “lajmet” e mësipërme u spostuan e dolën nga vëmendja e analistëve tanë të shquar jo vetëm për shkak të bumit të sondazheve, por se ne jemi të varur në çengelin e lajmeve dhe debateve që na servirin televizionet. Me sa duket, vrasjet me ngjyresë politike, super skandalet, akuzat dhe ububurat nuk krijojnë asnjë efekt jo vetëm te katundarët e qytetarët që votojnë, por as te analistët, pasi këta, me një guxim të habitshëm dalin përnatë nëpër TëVëra dhe hapur e sinqerisht respektojnë më shumë atë që dhunon se atë që dhunohet; më shumë nderojnë atë që është në pushtet se atë që është në opozitë; atë që vret dhe hedh në erë se atë që vritet; atë që jep shpërblim dhe favore të pamerituara se atë që nuk ka bukë të hajë e brekë në b; atë që gënjen se ata që gënjehen…Punë e madhe fort se do të gënjehemi edhe për katër vjet të tjera, mjaft që po ndërtohet rruga Durrës-Kukës, mjaft që ne duhet të ndihemi krenarë!! Ne pra lipset të jemi krenarë për këtë qeveri të dehur nga vetvetja e që nëpërmjet bombardimit intensiv me propagandë, me spote, me fjalime, me reklama, dmth me vetëmburrje nuk na lejon të ndjejmë jo vetëm krizën ekonomike botërore, po me sa duket, as krizën e thiktë morale, edhe pse kjo e fundit, -kriza morale- është më e rënda dhe më rrënuesja e shoqërisë sonë. Për këtë shkak, besoj ia vlen të analizojmë deklaratat e mësipërme të dy liderëve tanë të lartë për të dalë në një shteg arsyetimi më të dobishëm se analiza prej fallxhorësh amatorë të sondazheve. *** I ndodhur nën një trysni të përminutëshme (tani edhe kur del në rrugë nuk të lenë rehat makinat tellalle të ardhura enkas nga Italia që këndojnë me megafon: “Shqipëria po ndryshon”!), prej shpirtit patriotik dhe liridashës të del padashje kjo pyetje e çiltër dhe naive: për ku je nis’ me shkue, zoti Sali, kur thue se don me ken’ në pushtet deri në vitin 2021? Po pse nuk e bën si burrat, si e bëri Ahmet Zogu vaktit dhe e shpalli veten mbret të shqiptarëve që ne ta flemë mendjen e të biem rehat me këto “standarte” të flamosura, me hyrjen në BE, demokracinë dhe fushatat me vrasje dhe me vjedhje zgjedhore?! Për ku je nis ’ e je tuj’ shkue ene ti, oj zonjë e randë Shkodret kur thue se aleatët e tu kenkan mafiozë e spiunë? Ku don me dal ti? A nuk e ke dit’ ma parë ti? Ku ke ken’ ti deri nji tash? A nuk ke ken’ ti si kryetare Kuvendi q* ke sulmue prokurorinë dhe i ke ndalue organet e Drejtësisë me veprue kundër mafioznave e hajnave të Gërdecit e të rrugës Durrës-Kukës?! Pyetja ndjek pyetjen: A foli zonja Topalli në Postribë në kokë të vet apo në emër të PD-së (pra të Berishës)? Kujt i leverdis ky sulm kaq i egër kundër aleatëve, PD-së (që të mos i rrjedhin votat), Berishës (që të ndahet jo me gojën e vet nga Mediu, dmth nga Gërdeci)), apo asaj vetë (që të dobësojë koalicionin, duke u treguar militantëve se është ajo dhe vetëm ajo që di të mbrojë interesat e tyre)? Është gabim të mendohet që zonjën Topalli e kanë përfshirë papritur e pakujtuar emocionet, meqë po fliste në Postribë dhe meqë e paskësh zënë fjala, ashtu si zë një burrë rakia…Ajo tash është perfeksionuar dhe e di ç’ka ban e ku do me shkue, pavarësisht se ngjan sikur nuk po din’ ç’ka me thanë. Ajo nuk sillet kësisoj për të siguruar numurin dy, po numurin një, pasi numurin dy nuk ia kërcënon kurrkush. Po përse atëhere sillet kaq ashpër dhe hidhet në zjarr e shkon përherë më larg se Berisha për nga gjuha e urrejtjes?! Sepse zonja J. bën atë që bënte qëmotit Mehmet Shehu, i cili sillej në publik më i egër dhe më fanatik edhe se Enveri, jo vetëm për të qetësuar Enverin, po edhe për të bindur anëtarësinë se ai do të ishte një Enver i vërtetë dhe i merituar. Por ama nëse Berisha do të jetë në krye të PD-së dhe të Shqipërisë deri në vitin 2023, atëhere ç’i mbetet zonjës Topalli, veç pritjes së kotë, dmth hijes dhe isos së përjetshme politike? A do të kënaqet me “hijen” e numurit dy zonja Topalli po qe se përnjimend Berisha i fiton këto zgjedhje, e jo vetëm këto; pra nëse ai do të mbetet në pushtet, si e ka thënë vetë, sa të ketë ymër? E le të shtyjmë arsyetimin më tej: nëse Berisha i fiton këto zgjedhje, a nuk do të bëhet edhe më autoritar, më i padiskutueshëm dhe më i palëkundur nga ç’është sot, natyrisht jo vetëm në parti, po edhe në histori, edhe në Shqipëri, duke marrë kësisoj edhe nur, edhe fuqi të pakufizuar perandorake, gjë që automatikisht do ta nxjerrë zonjën Topalli në “pension politik”, edhe pse është shumë më e re dhe me biografi e origjinë të djathtë më të mirë se shefi i saj aktual? Por nëse Berisha i humb zgjedhjet dhe detyrohet të japë dorëheqjen, është ajo dhe askush tjetër që mund ta zëvendësojë. Atëhere a nuk i leverdis asaj që Berisha të humbë zgjedhjet? Zonja J. e di se Berisha mund të humbë zgjedhjet duke stimuluar sherrin brenda llojit, qoftë edhe mes aleatëve, si dhe duke mbajtur gjallë frymën e konfliktit dhe gjuhën e urrejtjes, ekskluzivitetin e të cilave e ka dhe e mban Berisha. Nëse ky humb zgjedhjet në rrang Republike dhe në qarkun e Shkodrës fitohet shumica e deputetëve, zonja J. del automatikisht në vend të parë! Por po të ndodhë e kundërta, pra nëse sikundër thuhet PS do të fitojë në këtë qark tre-katër deputetë e nëse nga një deputet do të marrin në Shkodër edhe republikanët dhe demokristianët, kjo do të jetë humbje historike për PD-në, por do të jetë një humbje personale e pandreqshme për zonjën Topalli, e cila do ta paguajë shumë shtrenjt humbjen e Shkodrës duke u detyruar të lerë më pas edhe postin e nënkryetares së PD, edhe mundësinë për t’u rizgjedhur kryetare Kuvendi. Ja përse pyetjes: ç’do të bëjë po të humbë zgjedhjet në Shkodër, ajo iu përgjigj me nervozizëm: Jo do të fitojmë, po do të fitojmë shumë thellë! Sepse ajo kaq gjë tashmë e ka mësuar: nëse PD i fiton zgjedhjet, por i humbet ato në Shkodër, zonja Topalli është e falimentuar politikisht. Ashtu si e kundërta për Saliun. Ja pra përse deklaratat e Berishës dhe Topallit kanë ngjashmëri dhe lidhje mes tyre. Fati i tyre politik i ngjan marrëdhënive të Hoxhës me Shehun, me një ndryshim: ose zonja J. ose Berisha, ose të dy bashkë pashmangshmërisht po shkojnë drejt vetvrasjes politike! Sepse gjuha e urrejtjes dhe lufta e egër ndaj të ndryshmit, herët e vonë ta jep këtë shpërblim. Sepse historia e shkruar dhe e pashkruar, komuniste apo m’daç edhe antikomuniste, na ka dalë borxhit edhe në këtë drejtim. Nga Kiço Blushi Quote Share this post Link to post Share on other sites
Simba 3 Report post Posted June 22, 2009 Kur lexova titulin (ku je nise ka je tu shkue...) thashe mos behet fjale per tekstin e nje kenge te gjeto luces se keshtu vazhdon dhe ajo.... Sa per vijon me poshte skam ndonje koment per te bere pasi eshte nje kasete e degjuar dhe sterdegjuar nga blushet,kloset dhe bushatet...flm Quote Share this post Link to post Share on other sites
Armend Qushku 2 Report post Posted June 22, 2009 Skisha kohe me shkrujte rreth Znj. J . dhe PD duke ditur qe ajo qe ndodh brenda PD eshte si sekret shteti, si le Sala me nxjerre as nje fjale rreth vendimeve te Partise ect.... Sidoqofte duhet pranuar se Znj. J. ka shume ambicje politike dhe pse jo ndoshta ne te ardhmen do te jete ajo kryetare e PD. Por shpresoj qe nje gje e tille te mos ndodhe kurre , jo se eshte femer, por sepse nuk ka nur e karizem se pari e se dyti nuk ka potencial per te drejtu nje shtet. Ja te shofim se cdo te ndodhe pas zgjedhjeve :jester: . Quote Share this post Link to post Share on other sites