VeriuPortal 0 Report post Posted December 18, 2008 Demoni i mashtrimit, mbyllja në vetvete, shpenzimi i kohës së nevojshme për aktivitete të tjerë, miq të rinj virtualë janë pasojat e një prej fenomeneve më të reja që po “sundon” shoqërinë tonë Orë të gjata të ngujuar në të, më tepër celulit dhe kilogramë që shtohen, miq të rinj e padyshim më shumë argëtim. Ky është “facebook”-u, trendi i kohës që si çdo dukuri, nuk mund të mos ketë disfunksionet e veta. Por cilat janë disa nga problemet që shkakton një nga shpikjet më gjeniale të këtij shekulli. Prof. Zyhdi Dervishi, sociolog, pedagog në fakultetin e Shkencave Sociale, flet se cilat janë efektet pozitive dhe negative që rrjedhin nga një fenomeni tillë. “Facebook” është padyshim një nga arritjet më të mëdha në fushën e komunikimit elektronik, pasi ka rritur shpejtësinë dhe dendurinë e komunikimit midis njerëzve në çdo skaj të botës, - shprehet Dervishi. - Rritja e shkallës së komunikimit ndërmjet njerëzve është një burim shumë i rëndësishëm i zhvillimit të kulturës, shoqërisë njerëzore dhe sidomos i humanizmit, pasi njerëzit nuk mund të rrinë pa komunikuar, prandaj kërkojnë forma të reja të komunikimit. Në shumë aspekte, zhvillimi i kulturës është tërësi faktorësh komunikimi”, - vijon shpjegimin sociologu. Por si çdo shpikje teknologjike, edhe kjo nuk mund të mos jetë shoqëruar pa disa pasoja problematike. Sipas Dervishit, “facebook” ka nxitur në shumë herë demonin e mashtrimit. “Njerëzit në disa raste paraqiten me disa identitete e shpeshherë me identitet të rremë. Duke përfituar nga fakti që nuk kanë përballë personin të cilit i drejtohen përdoruesit e këtij sajti shpesh lëshojnë disa “deklarata” që mund të tingëllojë keq në sytë e mijëra njerëzve që i lexojnë. “Mashtrimi” mund të shkaktojë zhgënjim, veçanërisht tek të rinjtë të cilët i përjetojnë më shumë situata të tilla stresuese”, vazhdon ai. Një tjetër efekt problematik që shkaktohet nga kjo dukuri është edhe mbyllja në guaskë. “Njerëzit po ngujohen gjithnjë e më shumë në bunkerin e mjediseve të veta familjare, duke shkaktuar një mbyllje në vetvete, e kjo paraqet problem sidomos për të rinjtë, sepse ata nuk do të kenë mundësi që të njohin më mirë jetën që i rrethon”, sqaron Dervishi. Orët e kaluara para “facebook”-ut duken si minuta edhe si pasojë jo vetëm që nuk të humbet dëshira për të vazhduar komunikimin, por edhe sepse lind kureshtja për të zhbiruar jetën e të tjerëve. E këtu del një tjetër dukuri acaruese, ku humbja e privatësisë që në kohët e sotme është e shenjtë. Në “facebook” këdo që e ke pranuar si shok (ndonëse në shumicën e rasteve nuk i ke takuar asnjëherë, e kjo edhe për faktin se shumë prej tyre i ke të sugjeruar prej dikujt), mund të shohë e të bëjë komente për ty. Por duhet pasur kujdes, sepse siç thotë proverbi “fjala po doli prej dhëmbësh, bëhet 24 këmbësh”, këtu mund të vërtetohet më së miri. Në këtë pikë, pedagogu i fakultetit të Shkencave Sociale ndalet gjatë: “Shpeshherë këto komente ndonëse me shaka, merren si të vërteta dhe shkaktojnë shumë keqkuptime, pasi dihet që interneti është një media tejet manipuluese. Kur shikon që të tjerët kanë shumë “miq” virtualë, na pushton mania që edhe ne të kemi sa më shumë të tillë. Teksa shikon se ata kanë arritur me dhjetëra, qindra e në disa raste arrijnë me mijëra, ndjejmë një krenarinë e të qenit popullor. Por kjo dëshirë gati absurde për të qenë “populist”, për t’u argëtuar sa më shumë me miqtë tanë elektronikë, na kthehet në efekt “bumerangu”, hedh alarmin Dervishi. Por telashet nuk mbarojnë me kaq. Sipas sociologut, dukuria e “facebook”-ut shkon edhe më tej. “Përveç asaj që përmenda edhe më lart, që ndonjë i krisur mund të shkruajë për ty çfarë t’i teket, është edhe ligështimi që mund të ndjejmë në disa raste. Jo për smirë, por si pa dashje na vjen keq kur shikojmë se sa bukur e kalojnë kohën njerëzit në vende të ndryshme, sa makina luksoze kanë apo në cilët universitete prestigjiozë studiojnë. Gjithmonë po qe se ato çka shkruhen prej tyre janë të vërteta dhe në qoftë se ne nuk i kemi mundësitë e tyre”, shpjegon Dervishi. Një tjetër zhgënjim që del gjatë rrugës, sipas specialistit, është edhe pamundësia për të pirë qoftë edhe një kafe me miqtë tanë dixhitalë, (pasi dihet që kënaqësinë e një bisede verbale nuk ta fal interneti), ndonëse ata mund të jenë vetëm disa qindra metra larg nesh. Dhe këtu lindin pikëpyetjet e para. “Mos vallë nuk u jemi dukur interesantë në ato çka u kemi shkruar në murin e tyre? Apo njerëzit në këtë botë tejet dinamike nuk kanë kohë për takime, të cilat ndonjë interes të veçantë ose thjesht për momentin njerëzit nuk duan të takohen e jetën reale”, ngre dilemat sociologu. “Facebook”-u është një zhvillim kompleks, një prurje e re e ditëve tona, e përkrahur sidomos nga rinia, por me kalimin e kohës ndikimi i tij mund të zbehet ose zëvendësohet nga shpikje të reja. Kjo mbetet për t’u parë”, përfundon shpjegimin e tij të detajuar Zyhdi Dervishi. Pavarësisht risive e problemeve që e shoqërojnë “facebook”-un, ethet e tij na kanë kapur të gjithëve, përfshi këtu edhe shkruesin e këtyre radhëve. Lexo me shume artikuj Share this post Link to post Share on other sites