Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
VeriuPortal

Varianti modern i Kupidit: Interneti

Recommended Posts

a_288.jpgShkëndija artificiale e dashurisë mund të shpëtojë dikë nga vetmia; dikujt tjetër mund t’ia ndryshojë fatin.

Nëse jeni nga ata që ulen butë-butë në karrigen e rehatshme të zyrës dhe rrinë me orë të tëra online, ose nga ata që ia dilni të paguani faturat e linjës së vetme shtetërore që ofron internet apo të ndonjë linje tjetër, atëherë pse të mos i gëzohesh këtij aspekti të jetës? Kujto ato “mornicat” në lëkurë dhe “fluturat” në stomak të takimeve të para: “Me çfarë të vishem?”, “Çfarë të bëj në qoftë se s’kam asnjë subjekt interesant?”, “Në qoftë se hesht!”, “Flas shumë?!”, “S´i pëlqen parfumi im?!”, “Djersij shumë?”, “Apo qesh shumë?”, “Kush paguan në fund tavolinën?”, etj. etj.

Nëse të duket se këto emocione i ke harruar, është koha t’i provosh në variantin modern të Kupidit: Interneti

 

Edmond PRIFTI

 

Kalojmë të paktën 8 orë në punë në varësi të kabllos së rrjetit, kërkojmë në internet, ndajmë ide apo tregojmë për jetët tona. Kështu, ngadalë interneti përfton shumë aspekte të jetës sonë. Mos vallë edhe jeta jonë intime ka filluar të jetë e varur nga kjo hapësirë artificiale?!

 

Argumentet PRO marrëdhënieve nga interneti

Faqet dating janë... kufijtë finalë! Interneti duket si një treg i madh ku mund të zgjedhësh madje edhe partneren tënde të ardhshme, në funksion të disa kritereve të shkruara: të dhënat e personalitetit, karakteristikat fizike, tipi i marrëdhënies që dëshiron etj. Kjo “listë” të ekonomizon kohën e flirtit real. E pse duhet të presësh një jetë të tërë deri sa të takosh gjysmën tënde, kur ajo mund të ndodhet me një klikim tek kutia bosh: Search Criteries (Kërkoni Kriteret)? Por, është e pamjaftueshme të dish se çfarë dëshiron dhe femra ideale të gjendet aty në ato çaste. Ke në dispozicion ama një sërë instrumentesh të përshtatshmërisë suaj, të cilat ju lejojnë pranimin apo hierarkizimin e partnereve potenciale: Favorites. Për çudi të fatit, në fillesat e një marrëdhënieje klasike, ku aspekti fizik është kryesori për vijimësinë, interneti mund t’iu lejojë kënaqësinë e një miqësie virtuale të këndshme, të një ideje të përbashkët... përpara se të shfaqet dashuria. E megjithatë, është paksa paradoksale që në internet, - ku shpejtësia është fjala kyç, - të mund të lidhemi me tipin që do të ketë shansin të përfshihet në skenarin klasik: miqësi e zhvilluar drejt dashurisë! Ky tip marrëdhënieje është bërë fatkeqësisht i mundur me shumë pak mjete. Dashuria është ende e njëjtë, indiferent nga epoka, ndërsa marrëdhëniet kanë marrë forma të ndryshme në funksion të kontekstit (si ajo virtuale). Sot ndjejmë akoma edhe më shumë nevojën e ndryshimeve në diçka krejt të re në marrëdhëniet me veten, por edhe me të tjerët. Dhe nuk është fjala këtu vetëm për atë që quhet Internet Explorer apo për telefonat celularë. Jemi përherë në kërkim të strategjive të reja alternative, motiv për të cilin “rrjetet” e tipit: Yoga, Feng Shui apo Tantra bëhen akoma edhe më tërheqëse. Interneti mund të jetë mënyra e duhur e shuarjes së etjes së fundme në marrëdhëniet me të tjerët.

 

Argumentet KUNDRA

Disavantazhi i takimeve virtuale është përqindja së lartë e mundësisë për të mashtruar. Mund të jesh çdokush përtej dhe ajo po ashtu! Mund të jesh ti apo ajo aktori/ja më i/e talentuar nga kamera e shtëpisë, ndërsa takohesh me një mori femrash/meshkujsh, si dhe siç i dëshiron. Ka edhe raste individësh që e kanë pësuar, duke iu futur tjetri aty: “Mos e harro kurrë msn-në hapur”, që ia kujton vetes vazhdimisht. Megjithatë, pasi takon dikë në realitet është tejet i mundshëm zhgënjimi: në virtual nuk ishin veçse fjalë. Në fakt, e ekzagjerojmë pak këtu, pasi edhe në këtë jetë të ashtuquajturën “jetë reale”, takojmë shpesh aktorë apo aktore të shumta, të cilat nga dëshira për t’u dukur interesantë, vetë-etalohen, flasin me fjalë të mëdha apo cilësi të imituara. Pra, interneti në të vërtetë të ofron më shumë shanse të mashtrosh, si dhe të mashtrohesh! Cilësitë e tua si aktor në internet janë të krahasuara me koherencën, kurse cilësitë e një aktori në “jetën reale” janë natyrale. Ekziston gjithashtu edhe ai mendim i shprishur që iu kalon në mendje të gjithëve kur hyni në një faqe martesore të mirëfilltë, apo edhe në grupet sociale virtuale si: hi5, tagged apo facebook: Kush ndodhet përtej?!

 

Në vend të konkluzioneve...

Ka individë që s’e kanë problem vendosjen e pozave, të tjerë hiqen si interesantë edhe pa poza, duke pritur t´i kontaktojnë apo duke u hedhur në “gjueti” të parët. Në qoftë se çdo gjë shkon mirë dhe nuk bie linja, ndoshta në një ditë të vetme do të keni mbi 20 postime. Dhe aty fillon kënaqësia. Taston dhe i jep klik kujtdo. Nuk ke kohë të shkosh as në tualet. Pak e nga pak gjërat bëhen serioze. Flisni... flisni dhe dëshironi të takoheni: “Por çfarë të bësh?... I ke treguar poza të tjera dhe ke gënjyer në shumë gjëra!”. Fillon të dyzohesh. Po sikur edhe ajo të të ketë mashtruar?! Je marrë me të për një kohë të gjatë, ke shpresuar dhe je dashuruar paksa me këtë personazh imagjinar... s’mundesh dot më. Vendos të mos futesh për disa kohë, ndonëse e di që nuk mund ta bësh këtë pafund. Cilat ishin motivet që kishit apeluar: nuk ke kohë të mjaftueshme në jetën reale, do të luash me dikë, do të analizosh dhe njohësh njerëz, ke frikë, je i ndrojtur...

Megjithatë, sinqerisht miq të dashur, më mirë është ta njohësh atë që ndodhet atje tutje me mish dhe kocka, t’i kapësh dorën dhe t’ia prekësh buzët... në vend që t´i japësh një Buzz në Messenger, që mendon se po e gudulis... Në këtë vend “të vogël” të quajtur internet, do të donim të shprehnim edhe ne idetë tona për një marrëdhënie artificiale. Individualisht, i jemi bashkuar këtyre faqeve të quajtura “dating online” (Takim dashurie në virtual), duke i shfrytëzuar kush si arkiva fotosh apo momente frymëzimi. E gjitha kjo është si të vërdallisesh në një supermarket, ku mund të ndalesh diku, të bashkohesh me miqtë, t´i pyesësh ata për të dhënë një ide, t’i krahasosh ato produkte duke lexuar përmbajtjen apo ndoshta skadimin. Ke zgjedhur produkte të cilat do t´i testosh dhe do të zgjedhësh një prej tyre në finale. Në qoftë se nuk je ende i kënaqur nga produkti, mund të kthehesh sërish aty (pasi vjen mall i ri) ose mund të përpiqesh të kërkosh në dyqanet e tjera ngjitur, me prodhimet më të mira. Preferojmë që midis nesh dhe partneres sonë të ekzistojë një lidhje reale dhe jo një e varur nga interneti. Preferojmë të bredhim shpesh nga lulja në lule sesa të gjejmë femrat ideale në funksion të disa kritereve formale. Preferojmë një komunikim autentik, duke dashuruar komunikimin jo-verbal dhe komunikimin para-verbal dhe jo të jemi të kënaqur nga ato që quhen ikona kompjuteri. Ndoshta jemi paksa melankolikë ose jashtë mode.

 

Forumet

“Dashuritë virtuale... Fillon e të rreh zemra për një nickname, që çuditërisht fillon ta presësh me një padurim të pazakontë. Fillojnë bisedat e ëmbla, të tërheqin ato germa, ato fjalë, fillon të futesh në një botë imagjinare, të mbushur me ëndrra, me shpresa. Por shpesh, për fat të keq, këto lloj dashurish, të kondicionuara nga një internet, komplikohen, fryhen deri sa shpërthejnë para realizimit të tyre. Interneti, faktori kryesor i krijimit të këtyre raporteve, bëhet njëkohësisht edhe faktori kryesor i prishjes së tyre. Largësia, pamundësia për t'u përballur me realitetin, bën që lodhja të arrijë shpejt. Me këtë nuk dua të them që të gjitha lidhjet që krijohen në virtualitet janë të destinuara të falimentojnë, por mundësitë që ato të kenë një përfundim pozitiv janë të pakta. Ky është thjesht mendimi im, por gjithsesi kjo jetë është e paparashikueshme, kështu që çdo gjë është e mundur të ndodhë. Si thoni ju, a ekziston dashuria virtuale???”, citon Bruno_UK, në forumin virtual mbi temën “Dashuri në chat”. Bora, kur ka frekuentuar chat-in për herë të parë, i ka bërë pyetje vetes duke shtuar: Mund të lindë dhe s’mund të lindë. Varet çfarë kupton me ''Dashuri'', megjithatë çdo gjë mund të ndodhë”. Ndërsa Diavoletto thekson se dashuria nuk lind në chat, pasi atje vetëm mund të njihesh, por jo të lind një dashuri e re. “...mund të themi që hapat e para të dashurisë janë në momentin e puthjes së parë të çiftit. S´besoj se është dashuri të shohësh fjalët e bukura dhe të shkruash fjalët e bukura . është njësoj si të thuash ajo/ai është e dashura/i im/e, pa pasur asnjë kontakt real. Kjo është çështja: që shumë e shumë të rinj nuk e kuptojnë që vetëm po shkruajnë dhe asgjë më shumë”. Linux: “Shumë prej nesh që kemi postuar këtu kemi hyrë në chat dhe kemi parë çfarë është bërë. Dashuria mund të lind kudo, është një ndjenjë që nuk mund ta përmbash dot, aty ku të të vijë, aty do e shprehesh. Nuk jam dakord me disa që e përjashtojnë kategorikisht këtë lloj mundësie, pasi njoh nga ata që janë njohur në chat, janë pëlqyer, fejuar, martuar, janë bërë dhe me fëmijë e jetojnë të lumtur. Njeriu për këtë jeton dhe kjo mund t´i vijë ngado”.

 

Dating

Mandi, 27 vjeç, ndonëse e di shumë mirë se në çfarë faqesh ndodhet, bën pak lojëra fjalësh, duke mos harruar të përmendë që nuk ka ikur si emigrant dhe thotë që do rikthehet shpejt në atdhe: “Asgjë e veçantë (dhe ky nuk është prezantimi i duhur që duhet të bësh në një faqe si kjo). Jam 27 (për dreq, koha ikën shpejt). Aktualisht po kryej një Master of Science në Gjermani. Megjithatë do kthehem në Tiranë në fund të këtij Masteri. Di t’i kuptoj njerëzit dhe të komunikoj me ta”. Student, 23 vjeç, “i siguron” femrat se është “tip i qetë dhe i ndarë nga familja”, ndërsa Be true! thotë vetëm: “...pyesni”. Actor, i lindur në Krujë dhe më vendbanim në Australi, duket se është “i shtrenjtë” në gustot e tij, urren mashtrimin dhe gënjeshtrën (?), s’flet për veten dhe i përngjet pseudonimit: “Të flas për veten, për mua është diçka pa kuptim. Këtë gjë ua lë të tjerëve ta bëjnë, kështu do të dëshiroja të ndodhte edhe këtu. Të zbulonim njëri-tjetrin”.

 

 

Lexo me shume artikuj

Share this post


Link to post
Share on other sites
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...