Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
VeriuPortal

A dinë të festojnë shqiptarët?!

Recommended Posts

Po shqiptarët vetëm të festojnë dinë! Ata, nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër, nga e hëna në të diel, dit’ e nat’ pa u ndalur asnjë çast, zgjuar dhe në gjumë, me sy hapur dhe me sy mbyllur, nga 1 janari më 31 dhjetor, gjatë luftës e gjatë paqes, në skllavëri e në liri, qyshkur ekzistojnë e deri sot, e me siguri deri në amshim, ata festojnë dhe vetëm festojnë!

Universi festiv shqiptar; mesdhetar i afshët, ballkanik i sherrtë, kontinental meditues, ky kaleidoskop i hatashëm, i rrëmujshëm dhe shpërthyes, i cili prej shekujsh e shekujsh len-e-vjen-e-zien-e-bren pa u ndalur asnjë çast brenda dhe jashtë shpirtrave shqiptarë, është një realitet mahnitës plot e përplot me festa që të lënë pa mënd. Diktatura i hoqi kësaj mrekullie atë që ndër shekuj në Shqipëri edhe ç’do katund e kishte; Cipën e hollë delikate, kremën, brishtësinë, kostumin elegant, ngjyrat marramendëse, ojnat, ironitë, shpotitë, gostitë, nga dalldisjet e holla sentimentale deri te qejfet e harlisura me verë raki dhe musht, duke e tharë në gjendjen katastrofike ku është katandisur sot.

Megjithatë nuk dha shpirt, jetoi!

Por, brenda këtij universi të zhurmshëm me opinga mbathur, i cili sot na gudulis sytë me gërmadhat e mbetura dhe na ëmbëlson veshët me jehonat që vijnë nga shekujt, si tepër i madh, pati edhe pa përsosmëritë e veta. Për shembull, qindra vite më parë shqiptarët nxorën një Skënderbe dhe festuan. Mir’ bënë që e nxorën Skënderbeun, mir’ bënë edhe që festuan. Por ngatërruan kohën! Ishte, si të thuash një lodhje e kotë. Sepse Skënderbeu nuk i shpëtoi dot nga pushtimi. Prandaj Skënderbeu i atëhershëm i parakohshëm, duhej të ishte një i tanishëm i dobishëm, që të rrafshonte, jo jeniçerët e atëhershëm, por halabakët, hajdutët, halldupët e sotëm.Edhe besëlidhja e Leshit (Lissus-it, Lezhës) me festimet përkatëse për të sjellë në ujdi’ krerët, fisnikët, seriozët, gabimisht u bënë atëherë. Besëlidhja dhe festimet duhen bërë tani!

Pavarësitë e dy gjysmave shqiptare u dhuruan! Gjysma e këtejme, më 1912 nga Austria. Gjysma e andejme, tani nga Amerika. Shqiptarët i pranuan dhuratat. Dhe mirë bënë, se dhurata s’kthehet. Por festuan dhe po i festojnë pavarësitë sikur të ishin për meritë të tyre.

Historitë e 1924-ës me Mbretëri dhe Demokraci, po ajo mesele. Normalisht, Mbretëria duhej të niste aty kah Mesjeta, Demokracia kah 1944-a. Por s’u bënë as njëra as tjetra në datat e caktuara. S’do mënd sepse penguan yryshet për festat.

Po ashtu, me pasaktësitë përkatëse, duke ngatërruar datat nga dalldia e festave; Më 1944, festuan Lirinë sollën robërinë. Më 1967 festuan shkatërrimin e Kishave dhe Xhamive të Zotit përuruan ndërtimin e bunkerëve të Djallit. Më 1990 festuan ardhjen e Lirisë sollën Kaosin. Më 1997 duke festuar për armët e rrëmbyera me të cilat sa hap e mbyll sytë u armatosën pa e ditur se cilën luftë do bënin, vranë mes vedi disa mijëra.

Sot?!

“N’fshat’ t’vjetër nuk hyn zakon’ i ri’ !”.

Po, por në Shqipërinë e çudirave, festat megjithatë vazhdojnë të pasurohen me elementë të rinj pa e prekur thelbin e vjetër.

Këtu, ato, festat pra, nisin që në mëngjes. Jo me verë e raki, rrush dhe musht! Me eksplozivin më të fuqishëm që mund të hedhë në erë jo vetëm Shqipërinë por gjith’ qytetërimin; Me titujt e faqeve të para të gazetave! Me këtë municion titujsh mbi shpinë shqiptari i sotëm zbret në kafenenë e lagjes si dikur i moçmi i tij në shesh të fshatit për ta vazhduar aty gjith’ ditën festën.

Kafeneja në vetvete, edhe ajo është pjesë e festës. Pronar shqiptari, edhe ai i etur shumë më tepër për festë se sa për punë, nuk e bën kafenenë në fillim të vogël dhe pastaj dora-dorës duke fituar ta zmadhojë e zbukurojë, por drejt e super moderne pa i lënë asgjë mangët kafeneve të Milanos apo Parisit.

Trafiqet e drogave, klandestinëve, prostitutave, armëve, etj., etj., a nuk janë edhe ato festa të rrezikshme aq të shijshme që të kujtojnë ndeshjet dëfryese antike për jetë a vdekje të gladiatorëve në Amfiteatrin e Durrësit me plot 15 mijë spektatorë?! Ja pra, prova se si Festat e shqiptarëve të sotëm të çartallosur dalë nga shtrati tradicional shekullor i qëndrojnë besnik thelbit antik.

Ka edhe më; për shembull kryefesta e jetës, Dasma! E bëjnë të madhe fare. Por pas pak kohësh me tmerr kuptojnë se nga qejfi i madh i festës së dasmës ishin nxituar. Burri, nga ana e vet, shpejt e shpejt konstaton se kishte marrë për grua atë që Perëndia në fakt ia kishte taksur një tjetri. Po kështu edhe gruaja, si dhe ai tjetri dhe ajo tjetra që s’dihet ku mund të jenë, ndoshta në mëhallën tjetër të të njëjtit katund mbi truallin ku ende nuk janë ftohur plumbat e pushkës së qejfit që u zbrazën ditën e ngutjes së festës së dasmës.

Shqiptarëve të shkarë, atyre të çartunve që s’bëzajnë edhe pse nuk kanë as ujë as dritë nëpër shtëpira ama vozitin me makina të mëdha duke u llafosur gjithë ditën për wireless-a dhe centrale bërthamore, merhumëve që gjithë kohën mbllaçitin mbi ekrane festat artistike të këllirshme të Diktaturës me turli lloj filmash dhe muzikash për të vjellë, gjenive që përmes festave ia arrijnë ta bëjnë paqen luftë, humbjen fitore, lirinë skllavëri, pronat lëmsh, festivalet e këngës sherr, punëdashësve të mëdhenj që punët i bëjnë gjithmonë “pas festave” duke e ngatërruar në mënyrë të frikshme punën me festën me rendimentin përkatës natyrisht, vizionarëve që në postiqen e luanit lejojnë të ulet ndonjëherë edhe ndonjë qen, poetëve jeta e të cilëve është një e përsosur e pafundme e mbyllur këngë e vaj bashkuar, edhe pse festat janë gjëja që dinë të bëjnë më mirë, cilësi për festat, a s’ësht’ e tepërt t’u kërkosh ?!

edisonypi@yahoo.com

 

Lexo me shume artikuj

Share this post


Link to post
Share on other sites
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...