Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
AAAA

Uzurpimi I Ps Nga Ana E Ramës, Kopje E Shëmtuar E Pksh Të Stalinistëve Qemal Stafa Dhe Enver Hoxha

Recommended Posts

Uzurpimi i PS nga ana e Ramës, kopje e shëmtuar e PKSH të stalinistëve Qemal Stafa dhe Enver Hoxha

 

 

 

Sipas Statutit të ri të PS, pranë kësaj partie krijohet fondacioni politik që mban emrin e Qemal Stafës.Me sa duket emri i Qemal Stafës është zgjedhur për të simbolizuar lidhjen mes të majtës bashkëkohore dhe së majtës antifashiste shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Por, duke zgjedhur emrin e Qemal Stafës, PS bëri pozicionimin e saj në lidhje me debatin dhe konfliktin brenda së majtës komuniste shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ku e ka origjinën PS e sotme. Sepse është një fakt historik se brenda së majtës komuniste shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore ka pasur një debat dhe konflikt të madh, që precipitoi deri në luftë civile brenda lëvizjes komuniste, mes krahut stalinist, kominternist, ekstremist, të përfaqësuar nga Enver Hoxha, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Hysni Kapo etj., dhe krahut antistalinist, të moderuar, të ashtuquajtur trockist, të përfaqësuar nga Zai Fundo, Sadik Premte, Anastas Lulo etj. Në rezolucionin e Mbledhjes themeluese të PKSH, në nëntor 1941, thuhet: «Një nga ligjet themelore të zhvillimit të partisë së tipit të ri, të partisë bolshevike, është lufta në dy fronte kundër gabimeve të vetvetes dhe veçanërisht kundër tentativës së krijimit të grupeve dhe lufta pa pajtim kundër armikut të klasës». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 1, f. 19). Me këtë, PKSH, që në dokumentin e saj themelues shpallte së pari luftën civile në radhët e lëvizjes komuniste në Shqipëri, si një luftë e stalinistëve kundër të komunistëve të tjerë që konsideroheshin si trockistë dhe që nuk pranonin vijën staliniste të Kominternit, që e kishte qendrën në Moskë. Me këto rreshta të rezolucionit, dokumentit themelues të PKSH, përgënjeshtroheshin të gjitha parimet e shpallura publikisht nga PKSH për bashkim të popullit shqiptar pa dallim ideje, krahine dhe feje, në luftën kundër pushtuesve fashistë. Por e vërteta ishte se në rezolucionin themelues të PKSH, që gjatë luftës nuk u publikua (u publikua për herë të parë në vitin 1960), në Shqipëri, në fakt shpallej lufta kundër atyre që kishin ide të ndryshme nga komunistët stalinistë, si brenda lëvizjes komuniste, ashtu dhe jashtë saj. Në rezolucionin e Konsultës së parë të Aktivit të PKSH, të mbajtur në prill 1942 thuhet: «Të luftojmë pa mëshirë grupin e 'Zjarrit', trockistët Zai Fundo, Aristidh Qendro, Niko Xoxi dhe të gjithë armiqtë e partisë, të cilët përpiqen në çdo mënyrë të pengojnë punën e partisë».(cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 9, f. 64) Rezolucioni i prillit 1942 mbyllet me fjalët: «Rroftë partia bolshevike dhe shoku Stalin!» Të ashtuquajturit trockistë ishin komunistë që ishin antifashistë, por faji i tyre ishte se ishin edhe antistalinistë. Faji i Zai Fundos dhe të ashtuquajturve trockistëve të tjerë ishte se ata ishin deziluzionuar nga stalinizmi pas spastrimeve masive të përgjakshme të tij, dhe nuk e pranon këtë komunizëm brutal. Faji i tyre është se ata nuk besonin tek strategjia staliniste e përçuar nëpërmjet Kominternit që lufta botërore duhej përdorur nga partitë komuniste, që nëpërmjet ekspedientit të antifashizmit, të merrej pushteti dhe të vendosej regjimi komunist në vendet ku vepronin këto parti. Të ashtuquajturit trockistë si Zai Fundo, zjarristët, e më pas Anastas Lulo dhe Sadik Premte besonin se në kushtet e Shqipërisë që ishte një vend i prapambetur kryesisht fshatar, gjysmë-feudal dhe patriarkal-fisnor, nuk mund të vendosej komunizmi, pasi do të dështonte dhe prandaj nuk duhej përdorur lufta antifashiste për marrjen e pushtetit nga komunistët, por duhej bërë një aleancë e sinqertë me antifashistët jokomunistë, ndërsa sa për ardhjen në pushtet të komunizmit kjo i duhej lënë së ardhmes, kur vendi të përparonte dhe të shndërrohej në vend borgjez nga vend feudo-borgjez (sipas terminologjisë komuniste). Pra, faji i të ashtuquajturve trockistë shqiptarë ishte se ata donin që sloganet zyrtare të PKSH që të bëhej luftë antifashiste, në aleancë me jokomunistët, pa dallim ideje dhe çështja e pushtetit të zgjidhej pas lufte, të merreshin seriozisht dhe jo siç bënte PKSH, që i shikonte si «gjethe fiku» që mbulonin lakuriqësinë e politikës së saj për pushtet. Duket qartë se për PKSH, armiqtë ideologjikë, të ashtuquajturit trockistë, qenë më të rrezikshëm se pushtuesit e huaj fashistë, pasi PKSH e abandononte parimin e shpallur për bashkim pa dallim ideje, në luftë kundër pushtuesve fashistë për hir të luftës kundër këtyre kundërshtarëve ideologjikë. Lufta kundër tyre nuk ishte luftë antifashiste, por luftë kundër të ndryshmëve ideologjikë, luftë e stalinistëve kundër antistalinistëve. Grupi komunist «Zjarri» luftohej nga PKSH se, jo vetëm që nuk pranoi të hyjë në PKSH, por e quante veten parti komuniste. Pra lufta e PKSH kundër grupit «Zjarri» ishte luftë kundër të ndryshmit ideologjik. Edhe rezolucioni i prillit 1942 nuk u publikua deri në vitin 1960. Kjo luftë civile ideologjike brenda radhëve të lëvizjes komuniste vazhdoi e përgjakshme gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, madje edhe pas saj. Protagoniste e kësaj lufte qe udhëheqja staliniste e PKSH që i spastroi kundërshtarët e saj antistalinistë, duke i asgjësuar fizikisht në atentate dhe fushata terroriste. Në korrik 1942, lufta ideologjike e përgjakshme u shpall edhe brenda vetë radhëve të PKSH. Në qershor 1942 u mbajt Konferenca e jashtëzakonshme e PKSH, e cila doli me një rezolucion që iu shpërnda komiteteve qarkore të PKSH në korrik 1942. Në këtë rezolucion shpalleshin si tradhtarë dy pjesëmarrës të mbledhjes themeluese të PKSH, Anastas Lulo dhe Sadik Premte, si trockistë. Në qarkoren me direktiva që Komiteti Qendror i PKSH u çonte komiteteve të qarqeve, për zbatimin e vendimeve të konferencës, thuhej: «Në të gjitha partitë e tipit të ri Lenin-Stalin duhet të ekzistojë njësia kështu pra dhe partia jonë duhet të bazohet në këto themele».(cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 11, f. 84) Fjala «njësi» e thënë në sens stalinist ishte një eufemizëm për të treguar diktatin stalinist brenda partisë. Më poshtë shpallej spastrimi i të gjithë atyre që nuk i bindeshin ortodoksisë ideologjike staliniste: «Ne duhet të kemi partinë të pastër prej të gjithë këtyre elementëve, në qoftë se do t’u përgjigjemi realisht detyrave tona duhet ta kemi partinë të fortë, se sipas fjalëve të mësuesve të mëdhenj të proletariatit, partia forcohet me spastrim, gjë që do të thotë se partinë duhet ta spastrojmë prej të gjithë elementeve armiq pa marrë parasysh nën ç’lëkura janë fshehur ose veshur». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 11, f. 82) Pra, preokupimi kryesor për PKSH, edhe në korrik 1942, nuk ishte lufta kundër fashizmit, por lufta brenda radhëve, për asgjësimin e kundërshtarëve ideologjikë, antistalinistëve. Më tutje në këtë dokument thuhej: «Partia ka vendosur të marrë një qëndrim të caktuar për të spastruar radhët e saj. Partia do të shikojë edhe elementet e dorës së dytë që kanë rënë në pozita të tilla dhe këta do t’i spastrojë pa mëshirë».(cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 11, f. 83) Pra, sipas praktikës staliniste, spastrimet e përgjakshme nuk do të kufizoheshin tek krerët, por do të zgjeroheshin dhe në radhët e ndjekësve të tyre. Edhe në Konferencën e parë të vendit, të PKSH, mbajtur në mars 1943, preokupimi kryesor ishte lufta ideologjike dhe spastrimet e dhunshme të kundërshtarëve ideologjike brenda lëvizjes komuniste dhe vetë partisë. Në rezolucionin e kësaj konference thuhej: «Duhet të krijojmë dhe të spastrojmë partinë si na ka mësuar i madhi Lenin, si na ka mësuar i madhi Stalin, duke krijuar partinë më revolucionare dhe të marrin një vend të merituar në radhët e I.K. (Internacionales Komuniste)». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 14, f. 119) «I madhi Stalin» mësonte që partia duhet spastruar në mënyrë masive dhe të përgjakshme nga ata që mendonin ndryshe nga ortodoksia ideologjike staliniste. Më tutje në këtë dokument thuhet: «Duhet të luftojmë pa mëshirë kundër elementëve trockistë, kundër gjithë deviatorëve dhe armiqve të partisë... Organizata dhe anëtarët duhet të vazhdojmë pa mëshirë luftën kundër armikut të Internacionales Komuniste dhe të partisë sonë trockistit Zai Fundo dhe elementëve të ndryshëm trockistë: Dhimitër Fallos, Aristidh Qendros, Niko Xoxit, Niko kondit, Andrea Zisit etj. Nuk duhet harruar se Zai Fundo dhe disa plehra të tjera trockistë kanë lidhje dhe influencë mbi disa patriotë të ndershëm». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 14, f. 119) Pra, armiqtë kryesorë të PKSH, edhe në mars 1943, ishin të ashtuquajturit trockistë, kundërshtarët e stalinizmit dhe jo pushtuesit fashistë. Se këta të ashtuquajturit trockistë shiheshin aq të rrezikshëm, sa për hir të tyre pranohej që të shkelej dhe parimi i hedhur me krijimin e PKSH dhe i adoptuar pastaj nga Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar i krijuar në Konferencën e Pezës, në 1942, për luftë pa dallim ideje kundër pushtuesit fashistë. Lufta civile në radhët e PKSH do të precipitonte veçanërisht në Vlorë, në mes të vitit 1943. Ky episod njihet në historiografinë komuniste si «Likuidimi i fraksionit të Vlorës». Në një qarkore të Komitetit Qendror të PKSH për këtë çështje, për Komitetin Qarkor të Vlorës, të çuar në qershor 1943, thuhet: «Ky akt rebelizmi kundër partisë i frymëzuar dhe i udhëhequr prej Xhepit (Sadik Premte-K.M.) dhe Palit (Pali Terova-K. M.) kishte si pjesëtar kryesor Vangjon (komandant çete dhe përgjegjës celule), Qazim Çakërrin (Difin, komisar politik dhe përgjegjës celule), Xhemil Çakërrin (komisar politik), Zeqon... Lufta jonë kundër këtyre armiqve të poshtër duhet të bëhet me ashpërsinë më të madhe dhe që të mundim ta luftojmë këtë sëmundje të ndyrë duhet t’i urrejmë këta njerëz dhe pa mëshirë t’i godasim kudo që t’i gjejmë e në çdo rast që manifestohen». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 19, f. 142-145). Pra, të gjithë këta komunistë antifashistë, krerë të luftës partizane në Vlorë, komandantë dhe komisarë të çetës së partë partizane të Vlorës, heronj të luftës së Gjormit të dhjetor-janarit 1943, shpalleshin armiq të partisë, pra armiq të Stalinit. Faji i tyre ishte se nuk pranonin diktatin stalinist për spastrime ideologjike në parti. Kundër këtyre njerëzve kërkohej ashpërsia dhe urrejtja më e madhe, me synim që të eliminoheshin fizikisht, dhe në fakt shumë prej tyre u eliminuan fizikisht që në atë kohë dhe më pas gjatë luftës. Sadik Premtë shpëtoi se u arratis jashtë vendit, ndërsa shokët e tij u eliminuan, duke përfshirë dhe Anastas Lulon, pjesëmarrës i mbledhjes themeluese të PKSH. Beteja e fundit për likuidimin e të ashtuquajturit fraksion të Vlorës u zhvillua në gusht 1943, kur u vranë fraksionistët e fundit të mbetur në Vlorë, Neki Ymeri («Vangjo»), komandant i së parës çetë partizane të Vlorës dhe shoku i tij Xhaferr Dalani. Në spastrimet e gushtit 1943, ku luftonin partizanët kundër partizanëve, stalinistët kundër trockistëve, u vranë dy partizanë të krahut stalinist, Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit) dhe Sadik Zoto. Në një trakt të Komitetit Qarkor të PKSH për Vlorën, të gushtit 1943, me titull «Dy shokë bien në luftë kundër tradhtarëve», thuhet në lidhje me këtë ngjarje: «Sadiku dhe Shyqyriu u vranë. U vranë duke përmbushur detyrën e tyre të shenjtë-luftë kundër zaptuesit-luftë kundër tradhtarëve... Tradhtarët u qëlluan. Neki Ymeri dhe Xhafer Dalani u shtrinë përdhe si kërmë... Shokët tanë trima partizanë, pasi e mbaruan me sukses këtë detyrë, u larguan plot gëzim». (cituar sipas: «Thirrje dhe trakte të PKSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1962, f. 268). Neki Ymeri, komandanti i së parës çetë të Vlorës, u vra si kërmë se kishte bërë fajin e vetëm që si komunist nuk e pranonte stalinizmin brutal. Dhe ish-shokët e tij partizanë, që ranë duke luftuar kundër ish-komandantit të tyre, ranë për idealin e lartë të mustaqeve ideologjike të Stalinit. Në tekstin e traktit të bën përshtypje cinizmi kur thuhet se partizanët u larguan me gëzim pasi e bënë detyrën. Dhe detyra nuk ishte të vrisnin pushtuesit, por shokët e tyre, edhe pse ishin betuar se do të bashkoheshin pa dallim ideje në luftë, dhe se konfliktet për ide do t’i linin për pas lufte. Në këtë luftë civile brenda radhëve të PKSH, që u zhvillua në Vlorë, u përdorën reparte partizane të sjella nga krahina të tjera, të cilat u përdorën për të bërë presion mbi repartet partizane të Vlorës, që ishin nën kontrollin e fraksionistëve. Në të vërtetë, në maj-qershor 1943, kur u shtyp fraksioni i Vlorës, repartet partizane formalisht ishin nën urdhrat e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, të dalë nga Konferenca e Pezës, e shtatorit 1942 dhe duhej t’i bindeshin programit të frontit që kërkonte të pezulloheshin luftërat ideologjike për hir të luftës kundër pushtuesit fashist. Kështu duhet të ishte në letër. Por, në një direktivë të Komitetit Qendror të PKSH të marsit 1942, që u çohej komiteteve qarkore të PKSH, në lidhje me krijimin e formacioneve partizane, thuhej: «Cila është përbërja e komandës: Në ballë të çetës është komandanti ushtarak dhe zëvendësi i tij, është komisari politik dhe zëvendësi i tij. Përbërjen e komandës së çetës e cakton shtabi i batalionit (d.m.th. komiteti qarkor i vendit në territorin e të cilit formohet çeta), Shtabi i batalionit (komandanti dhe zëvendësi, komisari politik dhe zëvendësi) caktohet prej shtabit të aradhes (kështu quheshin fillimisht brigadat-K. M.) d.m.th. prej komitetit qarkor dhe komitetit qendror. Shtabi i aradhes caktohet prej shtabit madhor d.m.th. prej komitetit qendror». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi i parë, dokumenti nr. 7, f. 44). Pra, në këtë dokument konfidencial thuhej qartë se në realitet Shtabi Madhor ose i përgjithshëm i ushtrisë partizane ishte Komiteti Qendror i PKSH. Prandaj dhe repartet partizane u krijuan dhe u përdorën si krahu i armatosur i PKSH dhe u përdorën në luftën civile ideologjike dhe morën pjesë plot gëzim në këtë luftë civile ideologjike. Lufta civile ideologjike brendakomuniste do të vazhdonte ende edhe në vjeshtën e vitit 1944. Në shtator 1944, kur forcat partizane shkuan në Veri, Enver Hoxha, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë partizane, urdhëroi kapjen dhe pushkatimin e Zai Fundos. Në librin “Historia e Luftës Antifashiste Nacional çlirimtare të Popullit Shqiptar”(1989) thuhet: «Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH (Enver Hoxha- K.M.) në këtë kohë i dha urdhër shtabit të Korparmatës I, që të ndiqeshin dhe të kapeshin Gani Kryeziu me Zai Fundon dhe majori anglez pranë tyre dhe të shpartallohej veprimtaria e tyre minuese kundër Frontit dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare» (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1989, Vol. IV, f. 740).E vetmja veprimtari minuese e Zai Fundos ishte se ai nuk pranonte vijën e udhëheqjes staliniste të PKSH, dhe se ishte për antistalinist përveçse antifashist. Zai Fundo merrte pjesë në një formacion luftarak antifashist jokomunist, që kishte në krye Gani Kryeziun, pranë të cilit ishte atashuar dhe një oficer britanik. Veprimtaria e tyre minuese ishte se nuk pranonin të bëheshin kukulla të PKSH, në kuadrin e Frontit të kontrolluar prej saj. Zai Fundo qe dënuar me vdekje nga Kominterni si antistalinist dhe ky dënim u shpall dhe nga PKSH, siç e kam cituar më lart. Në librin e përmendur më lart për Zai Fundon thuhet: «Tradhtari u gjykua dhe u dënua si armik i Partisë Komuniste dhe i Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar».(“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1989, Vol. IV, f. 740) Pra, në fillim përmendet partia dhe pastaj populli. Duke pushkatuar Zai Fundon repartet partizane, që në letër i bindeshin platformës së Frontit për luftë pa dallim ideje, bënë terrorizëm ideologjik. Do të ishte lufta civile brenda lëvizjes komuniste, në vitet 1941-1943, ose më saktë fitorja e komunistëve ekstremistë stalinistë në këtë luftë, ajo që e bëri të paevitueshme luftën civile mes forcave komuniste dhe nacionaliste në Shqipëri në vitet 1943-1944. Se komunistët stalinistë, pasi likuiduan të ashtuquajturit trockistë, iu kthyen «reaksionit», pra jokomunistëve, që shiheshin si armiq nga pikëpamja e luftës së klasave, siç ishte premtuar në rezolucionin themelues të nëntorit 1941 të PKSH. Tek e majta komuniste shqiptare, dhe tek vetë PKSH ka pasur dy rryma, një ekstremiste staliniste, ku bënin pjesë Enver Hoxha, Qemal Stafa, Vasil Shanto etj., si dhe një rrymë të të moderuar, antifashiste por antistaliniste, e ashtuquajtur trockiste, ku bënin pjesë Zai Fundo, Sadik Premte, Anastas Lulo etj. Në luftën ideologjike të përgjakshme mes këtyre dy rrymave Qemal Stafa ishte në anën e stalinistëve, si anëtar i Komitetit Qendror provizor të PKSH prej shtatë vetësh (atëherë Komiteti Qendror ishte organi më i lartë i partisë pasi ende nuk ishte krijuar Byroja Politike), dhe si i tillë i nënshkroi të gjitha këto dokumente dhe punoi për realizimin e tyre. Ditën që u vra, në 5 maj 1942, Qemal Stafa do të nisej për në Vlorë, ku do të punonte për zbatimin e rezolutës të aktivit të PKSH për luftë kundër trockistëve. Në letrën që Koço Tashko i shkruante Kominternit në vitin 1942, shprehej për Qemal Stafën: «Sikundër më tha një shok i KQ të Rinisë dhe i KQ të Partisë (shoku më aktiv dhe njëkohësisht më sektar mbi të cilin mbështetej shoku Miladin), s’na duhen më këta nacionalistë se këta nesër do të jenë armiqtë tanë». (cituar sipas: «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1995, f. 192.) I vetmi njeri atëherë që ishte anëtar i Komitetit qendror të partisë dhe Rinisë Komuniste ishte Qemal Stafa. Pra, kuptohet se Qemal Stafa ishte aq ekstremist sa e shikonte me skepticizëm dhe strategjinë kominterniste të përdorimit të «kalit të drunjtë» (Frontit antifashist me jokomunistët), për të kamufluar partinë në rrugën drejt pushtetit. Qemal Stafa nuk ka qenë pjesëtar i forcave të armatosura antifashiste, ai nuk ka qenë pjesëtar i asnjë reparti partizan, çka do të bënte që të justifikohej invokimi i emrit të tij si simbol i luftës antifashiste. Të vetmet poste të Qemal Stafës gjatë luftës qenë ato të anëtarit të Komitetit Qendror të PKSH dhe të sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare. Të dy këto qenë poste ideologjike. Pra, fashistët e vranë Qemal Stafën si kundërshtar ideologjik. Qemal Stafa nuk u vra si pjesëtar i një reparti partizan që luftonte kundër pushtuesve italianë, por si komunist. Qemal Stafa duket se u vra i tradhtuar nga Enver Hoxha, që ishte xheloz për të, se siç thotë Tashko, Miladin Popoviçi e kishte në atë kohë Qemal Stafën bashkëpunëtorin më të ngushtë. Veprën e Qemal Stafës, për spastrimet staliniste në radhët e lëvizjes komuniste, si dhe brenda vetë partisë, vepër të cilën ky e la përgjysmë, e vazhduan shokët e vet komunistë stalinistë, Enver Hoxha dhe të tjerët. PPSH gjatë gjysmë shekulli në pushtet ndoqi traditën e rrymës staliniste. Kur PPSH u reformua duke u shndërruar në një parti të majtë jokomuniste, çfarë është Partia Socialiste ajo sigurisht që do ta ruante traditën antifashiste si vlerë të saj. Por duhej pritur që që PS të braktiste traditën e antifashizmit stalinistë, të Enver Hoxhës, Qemal Stafës, Vasil Shantos etj., dhe të bënte të vetën traditën e antifashizmit antistalinist, të Zai Fundos, Sadik Premtes, Anastas Lulos, Neki Ymerit, Pali Tërovës etj. Antifashizmi stalinist ishte në fakt fashizëm i kuq. Në rast se PS donte të ruante vlerat e antifashizmit, duke braktisur stalinizmin, ajo duhej që fondacionit politik të vet mos t’i vinte emrin e stalinistit Qemal Stafa, por të Zai Fundos, ose të Sadik Premtes, Anastas Lulos etj. PS, gjatë kohës që Fatos Nano ishte kryetar kultivoi debatin dhe pluralizmin e mendimeve, gjë që mori fund me ardhjen e Ramës në krye të kësaj partie. Me sa duket triumfi i Ramës në PS është i barabartë me triumfin e Enver Hoxhës në PKSH (PPSH) pas periudhës së debatit të vitit 1941-1943. Aspekti tjetër i keq i kultit të Qemal Stafës shkon përtej PS dhe ka të bëjë me atë se 5 maji, dita e vrasjes së Qemal Stafës, është sot dita zyrtare e përkujtimit të dëshmorëve të të gjitha luftërave shqiptare. Kur Qemal Stafa nuk ka qenë pjesëtar i asnjë reparti partizan dhe u vra në një episod aspak heroik, duke ikur me vrap nga dera e pasme e një shtëpie për t’u shpëtuar milicëve që e ndiqnin. Në fakt në kohën e regjimit komunist, 5 Maji ishte dita e përkujtimit vetëm e dëshmorëve partizanë të Luftës së Dytë Botërore, siç thuhej në vendimin e Komitetit Qendror të PPSH të datës 7 korrik 1959, që e shpalli këtë ditë si festë zyrtare. Në këtë vendim thuhej: «Me qëllim që dëshmorët e luftës të përkujtohen nga gjithë populli të caktohet si ditë pelegrinazhi në varrezat e tyre-5 maji-dita e vrasjes së Qemal Stafës». (cituar sipas: «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1970, Volumi i tretë, f. 248) Pra, siç shihet kjo nuk ishte dita e nderimit të dëshmorëve të luftërave të tjera. 5 Maji u bë ditë e nderimit të dëshmorëve të të gjitha luftërave, vetëm me ligjin që bëri PS për ditën e festave zyrtare dhe me sa duket kjo u bë për të ruajtur 5 majin. Sa kohë që PS nuk e ka bërë katarsisin historik të saj, duke u ndarë nga figura si Qemal Stafa, reformimi i saj nuk do të jetë i besueshëm, dhe gjithmonë ka rrezik se ajo do të kultivojë një stalinizëm të azhurnuar, duke përthyer në prizmin stalinist të gjitha modelet që ajo adopton nga homologet perëndimore, siç është rasti sot me statutin e ri ku balanca e pushtetit anon nga kryetari, apo me kodin e etikës, ku mendimi ndryshe shpallet i patolerueshëm. Në një parti që ka adoptuar si simbol emrin e stalinistit ekstremist Qemal Stafa, të gjitha këto do të shndërrohen në një surrogat të stalinizmit. Prandaj, reflektimi në PS duhet të fillojë që nga vitet 1941-1942, si një reflektim historik i domosdoshëm.

Share this post


Link to post
Share on other sites

Join the conversation

You can post now and register later. If you have an account, sign in now to post with your account.

Guest
Reply to this topic...

×   Pasted as rich text.   Paste as plain text instead

  Only 75 emoji are allowed.

×   Your link has been automatically embedded.   Display as a link instead

×   Your previous content has been restored.   Clear editor

×   You cannot paste images directly. Upload or insert images from URL.

Loading...
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...