AAAA 0 Report post Posted September 11, 2007 Frang Bardhi (1606 - 1643) Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: "Fjalori latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII. Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit. Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe. Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …" Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë. Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave. Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare. Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore "Fjalorin latinisht-shqip„ dhe "Apologjja e Skënderbeut„. "Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte "…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë. Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe. Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër. Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : "Tek shkel turku, nuk mbin bar„ etj. Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre. Vepra tjetër e njohur e Bardhit është "Apologjia e Skënderbeut", botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: "Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit". Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik. Këtë falsifikim Bardhi e quan të "kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t'i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t'i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës "Unë e mora përsipër këtë barrë, - thotë Bardhi, - jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu (lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s'ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema". Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t'i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit. Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit. "Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, - shkruan autori, - bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin "Kuçedra e Arbrit", d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu". Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII. Parathënia e "Fjalorit" të Frangut të Bardhë ( 1606 - 1643 ) : (Fragment) Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, q* po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne q* janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si duhetë paa të madh error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, q* tjetër s'ashtë veçëse nja librë, q* kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7) posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjera kafshëve(8), q* gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet... I silli librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9). Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10) e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata q* xanë, me vonë mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), q* kanë zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu q* ata q* të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maa udob(20) t'u vinjë ... ... Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee. Shënim : "Parathënia ..." është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit. Sqarime : ( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend,menduar. ( 2) Qish, çfarë. ( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha. ( 4) Error, it. gabim, ( 5) Hesaapetë, tq. konceptet. ( 6) Mëndy, m'u duk. ( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend. ( 8) Kafshëve, sendeve. ( 9) Të moritunë, të pakë,të dobët.Lurij,(Loreto),qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin,B. e filloi duke qenë akoma nxënës. (10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë ("Propaganda Fide"). (11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që lojtën rol me rëndësi në kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII. Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë. (12) Nsi, prej tij. (13) E solla, s përktheva. (14) Hina tue kujtuem, u vura të mendoj. (15) Të falunazë, përdhëndetje. (16) S'të këtje, së afërmi. (17) Përgjat, pranë,përkrah. (18) Ani, pastaj. (19) Fëdigenë, lodhen,përpiqen. (20) Udob, lehtë. Quote Share this post Link to post Share on other sites