AAAA 0 Report post Posted September 10, 2007 1 Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi! Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi. Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa; se ke shekuj që të flesh në qetësi". 2 Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte, Një zë që nga Taverna po gjëmonte: "Cohuni, djema, e Verë sillnani, Se Fati na e tha lëngun sonte". 3 Dhe posa në tavernë këndoi gjeli, Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni! E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli". 4 A di përse këndesi po këndon Dhe menatë nga gjumi po të zgjon? Që shkoi një ditë po të lajmëron, Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron. 5 U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj: Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë, Gërshetin me lahutën lavdëroj. 6 Kur Diellin me zjarr kurorëzuar, E pret me gas Natyra faqeshkruar, Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar. 7 Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit, Bilbili nisi këngën e dëfrimit Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë, Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit. 8 Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi Perden e Natës, Yjt' i arratisi, Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi Cdo majë mali, pallati e lisi. 9 O Engjëll faqedritë, ja u gdhi, Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi! Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan, Qysh dimërojnë sot në Varrverri. 10 Ja, Mars'i ri dëshirat na valon, Cdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron. 11 Mbi lulet po pikojnë vesë retë, Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë: Ah, Verë! Verë! Trëndafilit I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë. 12 Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë Dhe thotë: "Puthuni e pihuni! S'e gjeni këtë ditë tjatër herë". 13 Shiko luadhe, lule, bukuri, Lumenj kristali, kronj e brohori: Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti, Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri. 14 Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj Dhe botës bukurinë po ia shtoj: Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj". 15 "Jam, thotë, lulja e Josefit t'ri T'Egiptes, xhevahir, zëmërflori: Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur Prej vllezërve dhe gruas Petefri. 16 Tufani kopshtin kur ma çkatërron Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon, Pështillem si burbuq' i Trëndafilit, Po zemra gjak përbrenda më pikon. 17 U dogja dhe u përvëlova: Verë! Nga vrer'i lotëve u shova: Verë! Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë! 18 Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle, Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle, Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle. 19 Nga njëra dorë Trëndafil e Grua, Nga dora tjatër patsha Rrush e krua: "Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!" Po as m'a fal pendimin, as ia dua. 20 Një Engjëll më tërhiqte në Xhami, Një Djall po më zvarrniste në Dolli; Po Ver' e kuqe e fitoi davanë: Gërshet këtej - edhe andej Hardhi. Fotografitë e Bashkëngjitura 21 Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh Veten humbet, e veten gjen, bekohesh: Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse, Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh. 22 Te Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen, Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen: C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur, Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen. 23 "Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia, "Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?" Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës, Ja shkaqe si kristal nga qartësia. 24 Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi: Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë Se çdo shamat' e turmës në Xhami. 25 Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje, Dhe adhuroje si Altar prej Feje: Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër; Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje. 26 Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë: Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar Prej meje s'nëmërohet asnjëherë. 27 S'ka hir apo shëmtim në Dashuri, Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi, As për pallate a kasolle a shpella As për mëndafsh a rrecka a stoli. 28 Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime Pa prerë vuan e lëshon rënkime: Kur më dha Zoti Verë Dashurie, Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime. 29 E prisja! Si rrufeja më tronditi! E Dashura më shkoi, më neveriti: S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti! Në Ferrin nga Parajsa më vërviti. 30 Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë, M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë, Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë: Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë! Fotografitë e Bashkëngjitura 31 Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë, Sa e sa herë zemra m'është grirë: Ty natën të kujtoj e psherëtij, Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë. 32 Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri, Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri: Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi. 33 Te rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba Pikova gjak, u çora dhe u shëmba: Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri Në flokët e së Dashurës me dhëmba. 34 Zemrën me sy e dashura ma ndes, Zemraqiri me flakën rron e vdes: Te flak' e bukur zemraflutur turret, Kurban e tëra digjet pa kujdes. 35 Me syrin bukuri e dritë çpall, Në zemrën Dashuri e zjarr më kall: Ti s'më vë re aspak ose më tall, Kur unë pshërtij për ty me mall. 36 Zefire, fryre, syri im të pa, Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la Dhe dyke fluturuar pas të ra: Banesën sot në gjoksin tënt e ka. 37 Selvia që më bëri skllav e mbret Tani më nisi prapë muhabet; Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë: "Bëje të mirën dhe e hith në det". 38 E dashura shkëlqeu, më vërboi, Zemra më fliste gjuha më pushoi: Kush pa me sy torturë kësisoj? Nga etja u dogja, u shova mun te kroj. 39 Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush? Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush? Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë Nga Dashuria të sëmurë, kush? 40 Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim, Jam lodhur me kërkim e udhëtim: Të bukur Qiparis si ti s'kam parë, S'të kapërcen as hëna në shkëlqim. 41 O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi, M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi: Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka; Një qind herë më e çmuar më je ti! 42 Si në mëngjes burbuqi i vesuar Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar, Më ndrit me gas fytyra e përlotur Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar. 43 Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen, Dhe që me zë Bilbilin e gënjen, Një sy i luan Mbretit t'Babilonës Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben. 44 Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin; Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin: Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë, Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin. 45 Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë, Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë; Se bukuria jote s'rron për jetë; Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë. 46 Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë, Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë: Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë, Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë! 47 Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë, Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur Se në pallat a fron një qint Sulltanë. 48 "Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë; "Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë: Ah, merr trumpetat e ler kusurin, Daullet, pompat lark le të gjëmojnë. 49 Në botë kotësira mos lakmo Të mirat e të ligat ia harro: Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër, Si Yll më ndrit, si Diell perëndo. 50 Shpirti për ku m'u bë prej Perëndie? Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë, Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie. 51 Se save që për Dhenë bëjnë rragë Dhe save që për Qiell hedhin flagë, Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet: "Të çmëndur! S'ka as lart as poshtë çpagë!" 52 Me vajzën në prënver' e në lëndinë Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli! Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë. 53 Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë, Te vija në lëndin' u shtri - në pastë, Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë, Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë. 54 Një kupë Verë, mor Saki - ta puth! Vajzën e bukur si selvi - ta puth! Atë gërshet si lak të zi ku kapet I urti plak e djal'i ri - ta puth! 55 Nem kupën dhe këndo një melodi, Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni: Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja Dhe s'duhet pirë veç me brohori. 56 Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua, Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua, Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua. 57 Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë; Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë. 58 Po eni me Khajamin dhe ia shtroni Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni: Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim E Taji në zijafet, mos i dëgjoni. 59 Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi: Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton, Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi. 60 E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron: Po nesër? nesër ndofta fryra, humba Në shqotën ku e djeshmja fluturon. 61 Na fryri dita, mor Saki: sill Verë! Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë! Bota një her' u mbyt në kataklizmë, Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë! 62 U bëra prapë djal' i ri: sill Verë! Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë! S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki, Si jeta ime në Persi: sill Verë! 63 Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi, Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi: Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam Që na shëroi e me shëndet na mbushi. 64 Si merimanga vallë pse ta tjerim Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim? C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim? 65 Në Nishapur ose në Babilon, Me Kupën që tharton e ëmbëlson, Fletët e Jetës një nga një na bien Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon. 66 Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret, Se Koha nëpër këmbë po na shket: E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen; C'mërziti kur e sotmja ka lezet? 67 Ditën e shkuar fare e harro Dhe për të nesërmen mos u mendo: Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë, Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro. 68 Për nesër mos u verdh sa pa e parë, Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë: Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët Që shkuan shtatë mijë vjet më parë. 69 Me Buzët trëndafilen shtatselvi Këndo e nat' e ditë zbras Dolli: Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi. 70 Të shkuarat mos i kujto me lot Dhe për të pritmet mos u loth më kot: Sa kohë në luadhin je, kullot; Nga drapr' i Vdekjes nukë shpëton dot. 71 Buza që puth e Vera që po pi Vërtet mbarojnë dhe ato si hi: Po sot të paktën je një hi i gjallë, Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi. 72 Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë Për qafe kape Qiparisn' e gjatë. Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë. 73 Sa nga të dashurit mbi këtë bar Që m'emëruan për trashëgimtar I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr. 74 Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë: Festuam, pim' e biseduam bashkë, Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!" 75 Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë, Ku pleqtë na bekuan me Dollinë, Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim Dhe do ta zbrazim vendin për risinë. 76 Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu Sis' i jep lules si një çilimiu; Nga varri bukën ia mëkon njeriu: Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu. 77 M'i kuqi Trëndafil i çdo behari Nga toka mbin që piu gjak Qesari: Në gji të kopshtit manushaqja shket Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri. 78 Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel Bregun e lumit ku tani po ngel, Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel, Se s'di nga cila buz' e bukur del. 79 Ah, Trëndafili me prënverën shkon Vjeshta risisë fletët ia rrëzon: Bilbili, që në degët i këndon, Ikën - e kush e di ku fluturon? 80 Ah, pini dhe Khajamit shtjerini! Profetët le të flasin, lerini! Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes, Si lulëzon, - dhe profkat prejini! 81 Cdo shpresë që në flakë na përfshin Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin Mbi kum të shkretëtirës si dëbora Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin. 82 Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret Dhe gazet e dëfrimet plot lezet S'të janë veç si ves' e lulevet, Që ndrit menatë dhe pastaj humbet. 83 Edhe ay që mbleth e shin flori Edhe ay q'e heth, e derth si shi, Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë: Po kalben, myken nënë Dhe të zi. 84 Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer, Që netët edhe ditë ka për dyer, Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer. 85 Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj? Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj? Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj? Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj? 86 Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë, Këtejza do të shkosh me lot një ditë, Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë Në **** do të mbarosh pa mot i mpitë. 87 S'banojnë veç luanë dhe zhapi Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi: Bahrami, që me lak onagre kapte, U lak, u kap në llom' e pellgpusi. 88 Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti: Përmbi gërmadha tani qyqja qan: "Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?" 89 Nga mur'i Tusit Korbi po vë re Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë, Daullet dhe trumbetat ku m'i ke? 90 C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç! Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç! Sa para bën se sot jam Yll e Dritë Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç! 91 Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump! Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump! Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump! Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump! 92 Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore, Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore: Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire, Përpin, e sa dafina prej kurore! 93 Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove, Sa e sa zemra copëtove e shove: C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza, Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove! 94 O Racë Njerëzore e verbuar, O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar, O Hiç, e korkolitur mbi Avushën, Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar! 95 Apo mos e harruat Historinë Që Botës i dha Dritën, Diturinë, Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë? 96 Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu, E para krijatyrë del nga Dheu: Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu, Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu. 97 Si en' e bën me mend e thellësi, Kuror' i thur me nder e me lavdi: Pastaj Poçari Kryeveprën kap Dhe e dërmon përtokë, e bën hi. 98 Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë? Kështu e bëri Zoti Njerëzinë: Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm, Vajtojnë pak e çduken në Greminë. 99 Njeri, Margaritari i Krijesës, Q'u shove nga tortyrat e Jetesës, Pi Kupën e harrimit e të prehjes, Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës. 100 Përulu Fatit tiranik e vrer, Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr: Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh, Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter. 101 Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim Në Pluhër sa pa zbritur për pushim, Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë, Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim! 102 Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili, Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili, Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras Kur të ta japë natën Xhebraili. 103 Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë Dhe para se të vdesim ta gëzojmë: Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë! 104 Pra, si Zambaku që me sy përpjetë Pret vesën gojëhapur lart nga retë, Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë. 105 Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar, Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar, Se as për mjekrën tënde as për timen S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar. 106 Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë, Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë: Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund, Të piu varri, krimbat do t'të hanë. 107 Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen, Se Fati nënë Rrotë të mbërthen: Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen! Se Feja me Parajsën të gënjen. 108 Mos u mërzit me punë Perëndie, As me andrralla e profka Njerëzije: Mbyti të gjitha në duman të Verës Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie! 109 Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan Cdo lutje që të mjerët u drejtuan Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë: Kush na u kthye nga ata që shkuan? 110 Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi, Me Fe e sherr Sheri të piqemi? Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi Se sa me vrer për hiç të ligemi? 111 Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë, Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë! E bukur je, po nukë bën për mua!" Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë. 112 Për Ligjë kam për ditë të dëfrej, Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej; Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë; Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej". 113 E dini, o miq, se në kasollen time Dasmë të re kam bërë me dëfrime: Tri her' e ndava Fen' e Arësyen Dhe mora nuse Rrushkën Serafine. 114 Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar E Qiell e Dhe kam matur e peshuar: Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam I thellë veç në Verën e Kulluar. 115 Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta Pallatin ku shkëlqente e Vërteta: Tani q'u mplaka di që s'dija gjë E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta. 116 Kur isha i ri, me zell, me mall po milja Doktorë me Shenjtor' e trobolitja Të thella argumente: po përherë I marrë hyja dhe m'i marrë dilja. 117 Me ta të Lartën Urtësi e mbolla, Me dorën tim'e rrita, e pështolla, Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal: "Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!" 118 Në Botë, dhe pa ditur as përse As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke, Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës, Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re. 119 Si zok nga pylli sterr' u arratisa, Për një fole në ferr' e driz' u grisa: Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta, Nga dera q'u vërsula jashtë krisa. 120 Me Ujë hiçi Balta m'u gatua, Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua: Fryja në Botë si një flak' e marrë Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua. 121 C'fitoi me ardhjen time Gjithësia? Me ikjen a m'i prishet Bukuria? Përse me kaqë lot po vijm' e ikim? Pyes më kot, - s'përgjigjet Perëndia. 122 Kur shoh një faqelule bukuri Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi, Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove Në këtë fushë plot me lot e zi? 123 Si flagë digjemi: Ku shuhemi? Si tym vërtitemi: Ku turremi? Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi? 124 Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim, Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim: Me lot e zjarr e vrer të përvëluar Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim. 125 Këtu që nga padashur po kërcasim Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim? Kupë mbi Kupë Verë sillnani Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim. 126 Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur! Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur! Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur! 127 Në Vijën që përshkruaj në Jetim S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim: Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë, Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim. 128 Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë, Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë: Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë. 129 Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita Në fronin e Saturnit u avita Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës Po Fatin e Njeriut nuk e shqita. 130 Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë: Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë, Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë. 131 S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi Me vala t'errëta për Perëndi, As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli, S'përgjigjemi e heshtim un' e ti. 132 Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita Dhe e pyeta: "Cila është Drita Për djemt' e tu të humbur në errësirë?" "Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita. 133 Ahere Poçen po rrëmbej si burrë Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë; Ajo më pëshpëriti buzabuzës: "Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!" 134 Dhe Poçja e skalisur dhe e larë Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë: Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë Sa puthje mund të japë dhe të marrë! 135 Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri Q'u doq për një Gërshet e një Selvi: Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte Vajzën e rrallë plot me Dashuri. 136 Një ditë, më të ngrysur në pazar Një poçe po artonte një Poçar; Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti: "Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!" 137 Punonte në dyqan të tij Poçari, Një Poçe po artonte nga pazari: Lëfyti ish një kok' e një Qezari Dhe dorëza nga dor' e një lipsari! 138 Dëndroje dorën, mor Poçar mizor, Që garbe bën me trupin njerëzor: Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën, Dhe gishtin Feridunit mbretëror. 139 Njëndizaj në qoshen jam penguar Dhe ah! e theva Poçen e bekuar; Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam, Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar". 140 Dhe mos kujto se Jeta rregullon Hesapin tënt e timin dhe mbaron; Flluska si ne ka Dete dhe miriade, Saki-Vigani derdh e s'nëmëron. 141 Kur un' e ti të prehemi të mekur Do të vazhdojë Bota e pavdekur, Që ardhjen ton' e ikjen i përfill Si val' e detit rërën e përpjekur. 142 Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj, Dhe ty dhe mua na harron një soj: S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim, Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj. 143 Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë, Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë; Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit! Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë. 144 Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur, Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur? 145 Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë? Mbi Dhe pa punë kur na arratisi Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë? 146 Cudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë, Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin, Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë! 147 I varfëri nga mendja po beson Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon: Po Vera e përgënjeshtron e para, Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon. 148 Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë, Nuk është trup e turp që Baltovina Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë? 149 Si në një çergë ku pushon një grimë Sulltani i drejtuar në Greminë: Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret E thurret përsëri për më të rinë. 150 Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë, Për të duruar kot e kot tortyrë, Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë Kur prapë jashtë paske për të fryrë? 151 Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë Dhe n'Errësirën posht' e tatëpjetë: M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin; Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë". 152 Diell. vizion dëshire të mbaruar, Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar, E hedhur n'Errësirën nga po dalim Dhe ku po zbresim për të perënduar! 153 Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë; Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë; Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë; Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë. 154 Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë Më kot për të dy Botët, u vërvitnë Në Pluhur: fjalët ua mori era, Me Baltën e me Llomën u nemitnë. 155 Zbulimet, që Profetët na zbërthyen Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen, S'janë veç ëndërra që na rrëfyen Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen. 156 Arrinë gjer në kulm të Diturisë, I ndrinë si pishtarë Njerëzisë: Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot, U mbytnë nëpër gropa t'arratisë. 157 Mysterin sa e sa më kot po tarrë Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë; C'gojë memece, Evë, puthe vallë Që na ke bërë shurdhër e të marrë? 158 Një Vel Mysteri kemi për kufi, Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi: Në gjoks të Dheut jemi si në burg; Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori! 159 Nga Qielli e Vërteta nukë zbret, Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet: Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri Dhe syri ynë gjurmën e humbet. 160 C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë, S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë. 161 Natyra ësht' e mbetet një çudi, Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri: Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij, Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri. 162 Darkove tërë Tokën? S'është hiç! Gërmove tërë Botën? S'është hiç! Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce, Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç! 163 Në Hapësirën Dheu: **** lumi! Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi! Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi! Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi! 164 Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç! Ky Qiell me Serafime s'është hiç! Ky fron i Jetës plot me ëndërrime Na varret mbi një qime, s'është hiç! 165 Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç: Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova, Më kot i humba, nuk zbulova hiç! 165 Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç: Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova, Më kot i humba, nuk zbulova hiç! 166 Të paskan parë ca të shenjtëruar Kur unë me qiri të kam kërkuar: Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar: S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar! 167 Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri: Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta - Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti? 168 Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta: Gjeje dhe ti, si un' i verbëri - Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta. 169 Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë, Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë: Cdo formë merr; të gjitha format shuhen, Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë! 170 Posa e devinojm' e na shpëton Prapa kurtinës ku dramatizon Të vjetrën lodër të përjetëshme, Që vet' e vepëron, Vet' e shikon. 171 Gazmorët që me Kupën po festojnë, Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë Në Det humbasin pa liman, pa funt; Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë. 172 Me mall e tërë bota e kërkon, As kamës as i varfër s'e zbulon: Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon, Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon. 173 Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!" Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan; Se tok të gjithë jemi Perëndia; Një qime vetëm, Koha, po, na ndan. 174 Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota, Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota: Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen Illuzionet, gjepurat e kota. 175 Nga vallë lint kjo Fantazmagori? S'tregohet dot, e vetëm kaqë di: Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë, Kthehet si shi në Detin pa kufi. 176 Se lart e posht' e rreth sa po shikojmë, Të gjitha një fener magjik formojnë Me Diellin si një qiri në mest Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë. 177 Jemi një lodër shah me net' e dit' Ku Fati njerëzit si gur' i qit: Andejkëtej i lot, i vret' i ther - Dhe një nga një t'i hodhi në kutit. 178 Dhe topthi as për po as jo s'pyet, Po fluturon për ku Lodrari e nget: Ay q'e heth në lëm' e di përse - Ay e si - Ay e di vërtet. 179 E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë, Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet Me lotë a me lutje a me dijë. 180 Doktorët, fillosofët le të flasin, - Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin; S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim. 181 Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë: Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë, Se rop si ju vërtit, mor të marrë! 182 Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë, Të korrët sot del nga e Para Farë: Mëngjez'i parë i krijesës shkroi E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë. 183 Qëkurse Gjithësia u krijua Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua, Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua, Ashtu sikundër u predestinua. 184 Cdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi; Ah! le të llomotit ay Sufi: Un' e kam gjetur Celësin për Derën Ku leh ay me buj' e patërdi! 185 C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti! Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës; Allahu, kur e vëri, s'na pyeti. 186 C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota? Gëzo të sotmen, let belat' e kota: C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota. 187 Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti! Kur vete keq, më kot po derdhet loti: S'pyetesh as për gaz as për vajtim; Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti. 188 Ka vetëm për të marrët lumturi, Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi, Pi Verën pra, e cila të maron Me motrat Lumturi e Cmenduri. 189 Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman! Për plagët e miplagët nem derman! Posa të marrë mbron, Baba, tamam, Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam. 190 Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen! Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen! Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh, Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen! 191 Jetesa rregullisht pas Urtësisë Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë: Se Zoti Fat me një kamçik në dorë Na prin nëpër hendeket t'arratisë. 192 Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar, Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar: Pa marrë frym' i lumtur për një çast N'Avushën prapë më ka qethulluar. 193 Me vrer për ditë Fati po na des, S'jep gas që s'na e vjeth me interes: Ta dinte i palinduri s'na lintte, I linduri më mirë bën kur vdes. 194 Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma: Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark, S'më nxirte në mejdan askurrë mëma. 195 Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve, Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve, Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën Që respiroj në zjarr ma ktheve. 196 Khajam, që Tendën e Mësimit rrite, Në Furrën e Greminës ja ku zbrite; Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës, Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite. 197 U çqepa e u rropa, Zot, shëromë! Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë! Një her' e mir' e tok, jo copra-copra, Si top me vrap te gropa sot shkelmomë! 198 O Zot, më mirë shuaj nga tefteri Shpirtin e një të ziu e të mjeri Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri. 199 Sikur të merrte Engjëll'i bekuar Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar, Për ta rishkruar, për ta mirësuar Ose më mirë fare për ta shuar! 200 Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës, Ku t'arratisurit e Shkretëtirës Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës. 201 Të mirat Botës son' ia studiova. Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova: Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë Nga çdo e mirë tutje u shkelmova. 203 Ah! Vera shkon në derë të myftinjve Dhe Kryevegla n'arkë t'axhaminjve: E Bukura e Dheut flë në shtrat T'eunukëve, në djep të çiliminjve! 204 Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot, Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot: Po rri mënjan' i qet' e bëj sehir Shakatë që na bën i Madhi Zot. 205 Profetët le të lehin hu mi hu Për Providenc' e Perëndi me tru: Eni, me Poçen shtrojani këtu, Dhe losni me Atë që lot me ju. 206 U dashka që ta lë ballsamn' e Verës Nga frik' e zez' e vrerit të Skëterrës, Ah, për shërbetn' e Qiellit që do t'pi Kur të më thahen koskat prapa ferrës! 207 Kurani thotë, Qielli ka Huri Të bukura dhe Verë me gosti: Posa pra ësht' ashtu, o Perëndi, Stërvitem që këtu e që tani! 208 Në qoftë se Parajsa jote s'qas Veçse ata që lodhen me namas Dhe s'duan Ver' e Vajza, pa dyshim Asnjë njeri s'të hyn në atë kafaz. 209 Parajsa paska Vajza syshkëndija, Me Ver' e mjaltë, lum' e kronj e vija; Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë Në dorë njëja sot se nesër mija. 210 Ay që ka në zemër Urtësi S'lë asnjë çast t'i shkojë pa dobi; Po adhuron një Dashuri qiellore, Dhe Kupën kap me Ver' e zbras Dolli. 211 Të Madhit Muhamet i çon selam Dhe e pyet Imami Omar Khajam: "O Pejgamber, më thuaj, mor aman, Pse dhallën bën hallall, Verën haram? 212 Përgjigjet Muhameti me selam: "S'më more vesh, Imam Omar Khajam! Dhalla hallall për lolot, mor aman, Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!" 213 Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë, Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë", O burrani, pra, Kupat mbushini T'ia pimë gjakun qenit të pabesë! 214 Posa e bëri Zoti në fillim, Hardhinë pse m'a thurrni me ndalim? Thomëni, kur s'e njihni për besim, Kush e ka vën' atje këtë mallkim? 215 O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi, Se vijës s'Vreshtës bëji Dashuri; Nga nën' e ëmbël rrodhi bij' e keqe, Po Bija ka më tepër bukuri. 216 Vera, vërtet, më doli e pabesë, Se më largoi prej Zotit e prej Fesë, Po fajn' e ka Sakiu: S'ia diti vlerën; Kur t'ia mësojë, nukë do t'ma shesë. 217 Dëfrimet që kam dashur më verbuan, Në sy të Botës krejt më turpëruan; Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik Dhe namin për një metelik ma shuan. 218 Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem; Po a jam esëll vallë kur betohem? Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil, Pendohem për pendimin që zotohem. 219 Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera. Faqia iu nxi, ia mori namin era: Saki, më sill ca Verë! Cip' e çjerrur Më s'qepet dot as zbardhet dot Skëterra. 220 Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot, Pa kupë barrën, vrerin s'ia duroj dot; Jam mirë vetëm n'atë çast kur shokët "Dhe njëzë!" thon' - e unë s'mëkatoj dot. 221 Kur s'pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë, Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë; Kërkoj pra mezin, Jetën çakërqef: As that' as qull, po lagur leht' e larë. 222 Me poçen nënë sqetull, me Kuran në bres, Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares; Ajme! S'kam Din e s'kam Iman e s'jam As i Krishter' as Mysliman as Putperes. 223 As Kisha as Xhamia nuk më nxe, Allahu më gatoi s;di me ç'hile; Si grua pa lezet, Dervish pa Fe, Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe. 224 Besnikëve në Kisha dhe Xhamia U çthurret zemr' e shpirt më çqetësira; Po sa Sekretin e natyrës studiuan S'i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira 225 Shpesh shpirti sulet nga kafazi t'ikë, Nga Lloma në Liri, pa frikë; Po thik' e Sheriatit ia pret krahët Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë. 226 Xhami e Kish' e Tempull: robëri! Këmban' e Minare: një patërdi! Dervish e Prift e Hoxh' e Kryq e Hënë: Pengime që të gjitha për Liri. 227 Në Labyrinth të Besëve kërkova, Me Porosi e Dogma u qarkova; Po u gënjeva; s'gjeta lule fare Dhe vetëm driza t'egëra zbulova. 228 Fe kundër Fesh pa funt luftojnë, Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë; I hodha që të gjitha tej e tutje, Se Perëndinë s'e përfaqësojnë. 229 "Allahu ësht' i math!" çirren, këlthasin, Nga gjëm' e tyre tunden e kërcasin Për ditë pesë herë Minaretë: Ay s'dëgjon. Vajtimet kot buçasin. 230 Disa bërtasin Dogma dhe Besime, Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime: Po kuajve u zbulohet e Vërteta? Askujt! S'qas pran' as mu' as ty kjo Trime. 231 Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë E të na japë Shpirt e të na varë Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë? 232 Si, qysh! Nga krijatyra të kërkojë Flori për Baltën e të na gjykojë Për borxhe që s'ia detyrojm' aspak E që s'ia lajmë dot! - O Djell, o Shkronjë! 233 Nga tmerr'i Perëndis' e me pahir Padrejtësinë nuk e quaj Hir; Sepse kur s'thom të Drejtën me çekan S'qas dot në buzë Qelqin Xhevahir. 234 Adamin nga Parajsa pse, o Zot, E dbove kur na je mëshirë plot? Për mëkatarët është Hiri Hir; S'ke Hir kur na e jep me djers' e lot. 235 Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë, Shpirti m'u err, o Perëndi, ndriçomë; Jo si çpërblim për vepra që s'bëj dot, Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë. 236 Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë: Ata që flasin n'emrin tënt gënjejnë; Nga thonjt' e tyre, Perëndi, zbërthemë! 237 Vetëm fajtorët, ne, kemi besim Që mirësia jote s'ka mbarim; Me një pendim, kush nuk e bën të keqen Dhe kush e bën s'të ka asnjë ndryshim. 238 Embël gjykon në Qiell Mëshir' e gjërë, Po s'më pëlqen kjo Drejtësi me vërë; E mira e pabërë s'ësht' e bërë E keq' e bërë nuk ësht' e pabërë. 239 Që ke Mëshirë në Kuran e pashë Dhe kurrë një mëkat pa bërë s'lashë: Më thua se më ndih në të këqia; "Më keq se un' a ka?" o Zot, të thashë. 240 Të mirat një nga një m'i nëmëro, Të ligat togje-togje m'i spastro: Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla, Mëshirë pra dhe Drejtësi trego. FLORIRI Shiko Profilin Publik Gjej më shumë postime nga FLORIRI 09-08-2006, 06:45 #36 FLORIRI gjakmatjani Anëtarësuar: 08-11-2003 Postime: 1,549 241 Khajami vark' e fajdeve e shtoi Dhe egjërën nga shpirti s'e qëroi: Po s'dëshpërohet sa për Hir Qiellor, Se Njënë kurrë Dy s'e nëmëroi. 242 Kundër së keqes shpirti më lëfton, Me turp e vrer mëkatet m'i kujton: Kam shpresë se m'i fal Mëshira jote, Po prapë turpi mbetet e s'pushon. 243 Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur: Fal dorën që Gërshetet përkëdhel Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur. 244 A mundin farisjanët zemërngrirë Për ty të bisedojn' e për Mëshirë? Na ndjek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke! Gjetkë m'i shit ato! Të njoh më mirë! 245 Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë, S'dua të shoh njeri e rroj i shkretë: Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di, Ay e di ç'kam vojtur nga kjo Jetë. 246 Me bindjen Mbretërin' un' a ta rrit? Me fajet Madhështin' a ta çukit? Mos më punit, po falm' - o Zot - se the Q'i fal mëkatet shpejt - von' i punit. 247 Me gryk' e zemër' - o Zot - kur më krijove Dhe Ver' e Vajza ballazi më shtrove, E dije pa dyshim që do t'u sulem: S'kam faj! Kam bër' ashtu si e caktove! 248 Fytyrën Vajzës ia stolis me gas, Me Lule, Hën' e Diell ma përqas. Pastaj më porosit të mos e ngas! Tamam: përmbys Dollin' e mos e zbras! 249 Me baltë më gatove: ç'faj të kam? Me lesh e li m'arnove: ç'faj të kam? Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën, Me urtësi m'i shkrove: ç'faj të kam? 250 Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve: S'fëjejmë dot pa dijën tënd'e lejen; Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve? 251 Kur t'erren Tok' e Qiell nga Kijameti Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti, E kap për rrobe Zotin e i thom: "S'të kemi faj! S'na dbon dot nga Xheneti!" 252 Vullnet përveç Vullnetit t'tij s'të ka, Për vepërim Ay liri s'më la, Si deshi Vetë, çdo gjë ësht' e bëhet: Kundër s'i vete dot, - a bën shaka. 253 Më la të verbër e më vuri **** Në Labyrinth të Jetës në çdo çap: Më shtyn të bie brenda dhe pastaj Si mëkatar e si rebel më kap! 254 Rebel t'u sulkam, pse s'më shtyp për dhe? Në sterr' u ngulkam, Dritë pse s'më dhe? Parajsën si një rrogë kur e çkulkam, Mëshirën, Mirësinë ku m'i ke? 255 O Ti, që me pusi dhe gracka thure Greminën e përlotur ku na prure, Që me predestinatën na mbërtheve, Dënime për mëkate qysh na vure? 256 O Ti, që njerëzit me Balt' i tore Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore, Për çdo mëkat që faqen po na nxin Epna e merrna ndjesë njerëzore! 257 Më dhe të mjerit mua sqojtësirë Të mjaftë sa të mbytem n'errësirë: Po sikur t'ishe Vet - o Zot - njeri, A do ta deshe këtë tru të mpirë? 258 Në nisje dorëhapur, buzëqeshur, Me forc' e me shkëlqim më pate ngjeshur: Tani më çjerr e më përmbys përdhe! Përse? C'të bëra që më le të çveshur? 259 Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe, E nesër do t'më shtypësh nënë Dhe: Veprën e bukur, Zot, përse e prish? Në qoft' e keqe, fajin Vet' e ke. 260 Për Vetëdije miriade vjet Më le në Botë. Si ma jep, ma pret: Kur dije q'e merr prapë, ç'ma dhurove? Përse më ngjalle, kur pastaj më vret? 261 Zot, pse ma theve Poçen e skalisur? Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur? Tani më thuaj cili ësht' i dehur: Un' apo Ti, që sillesh si i krisur? 262 Kush rroi mbi Tok' e s'mëkatoj? Më thuaj! Ay që s'mëkatoi a rroi? Më thuaj! O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj, Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj! 263 Më linde pas dëshirës fuqiplote Më le të mbytem nëpër llom' e lote; Tani tregomë ç'është më e fortë: Mëkati im, apo Mëshira jote? 264 O Zot, barrën e Jetës lehtësoma Nga syt' e turmës çdo kusur mbuloma: Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate Kësulën, kokën nesër rrotulloma. 265 Ti, që sekretet na i di të gjithëve, Që në shtrëngic' e zi na ndih të gjithëve, Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi, Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve! 266 Vij në Xhami, po jo të të gënjej; Kur jam atje dëfrim në zemër ndjej Dhe iki shpresëplot; Vend më të mirë Të lahem e të fle ku mund të gjej? 267 O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë! Te lartësia jote Ti afromë! Esëll, të Mirën e të Ligën njih: Dua t'i mbyt e dehem! - Mëshiromë! 268 Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim, Që digjesh në Skëterr' e në Vajtim, Prej teje Zoti a kërkoi drejtim? Cili je ti, që po m'i jep mësim? 269 Kur Ramazani ish më të mbaruar Dhe kur prisnim Hënën e gëzuar Në Furrën e Poçarit isha shtruar Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar. 270 Cudi! Si njerëz, mbledhur në pazar, Ca poçe bisedonin plot me zjarr; Dhe befas një prej syresh pa durim: "Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?" 271 Një tjatër tha: "Ah, punën e dëfteu Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu: Pra, duke qenë një Krijesë Dheu, Andej na mori dhe andej na ktheu!" 272 Një tjatër tha: "As foshnja pa gjykim S'e thyen enën që i dha dëfrim: Qysh pra Ay që na krijoi me mall Po na dërmon, na çqyen me tërbim?" 273 Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi Një poçe e shëmtuar dhe pa soj: "Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej Ustajt të vëngër dora, kur m'artoi?" 274 Një tjatër tha: "Na trëmbin me kazan, Me Ferr e furr; e Djall me katran, Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka! Se Zoti ka Mëshir' e ka derman!" 275 Një tjatër Poçe tha me psherëtim: "Mua më latë fare në harrim; Po lagmëni, vaditmëni me Verë, Dhe ja, e mblodha veten pa vonim". 276 Edhe kështu kur Poçet bisedonin, Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin; Dhe thirrë pasandaj me brohori: "Vjen një Saki!" dhe Verën lavdëronin. 277 O Zot, O Drit' e Vetëm e Vërtetë, Më lumtërofsh a më dënofsh përjetë, Me Ty kungoj më mirë në Tavernë: Se në Xhami s'të puth - e s'rri dot qetë. 278 E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu Burimn' e Jetës q'ëndërroi njeriu Dhe ma tregoi: tani s'i çkulem dot! Ver' e Pavdekësisë më përpiu! 279 Këtu paraja kallpe nukë shkon, Se menjëherë fshesa e spastron; Një Shenjt na thirri në Tavernë: "Pini! S'ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!" 280 Në Jetë si mi Detin udhëtojmë Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë: Po kemi Zotin midis nesh sa herë Me Verën e bekuar po kungojmë. 281 S'do Trëndafili? - Gjëmbin prap' e kemi; Parajsa s'qas? - Në Ferr të lirë vemi: Cfryn Minareja - Ja, gjëmon Këmbana, N'Alltar Kungata pret në re prej kemi! 282 Më thoni që do t'digjem në Skëterrën, Se adhurova Dashurin' e Verën: Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës, Unë kam dy: Kungatën edhe Verën. 283 Një plak të shenjtë, t'urt' e mjekërgjatë Kam parë që vraponte që menatë; I thashë: "Ku po shkon kështu, Uratë?" Më tha: "N'Alltar për Mesh' e për Kungatë". 284 Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur, Me Këng' e Valle në Gërmadhen mbledhur, Kungojm' e puthemi me Dashuri, Përsipër Fes' e Qiellit jemi hedhur. 285 Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini! Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini! Se Vreshta tha: "Ky është Gjaku im, Q'u derth për ju! Kungoni: merrni pini!" 286 Mystikërisht me frikë iu afruam Me Bes' e Shpres' e Dashuri kunguam: Nga Vetja ikm' u tarm' u transformuam, Në Vreshtën e Vërtet' u transplantuam. 287 Te Shpell' e Shenjtë, natën, nga Alltari Një Engjëll dolli me stoli prej ari, Ngre lart Kungatën Vresht' e Xhevair, Ma zgjat - fjesht Rrush! - Puth Qiellin mëkatari! 288 Rrush, Ver' e kuqe, si rubin që rrjeth, Që qesh nga gryk' e shishes kur të derth, Je gjak i zemrës që kërkon Clirim, Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth. 289 Rrush, Rrush, që me Logjikë absolute Të gjitha sektet nëpër vrima i fute, Rrush alkemist, që pistën na e zbardhe Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute. 290 Rrush, o Sulltan Muahmud, o Ngadhënuar, Ti helmet e ti tmerret ke larguar Nga shpirti yn' i ngrysur e i ndryshkur, Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar. 291 Na fryn në zemër gas e ngrohtësi, Na thurr mbi krye drit' e bukuri, Na çkul nga dimr'i djeshm' e brym' e pritme, Na thyen hekurit, na fal Liri. 292 Sëlargu shtaz' e ndyrë u afërua, Sytym, xhybekatran, as burr' as grua, Na tha: "Vera prej Dinit u ndalua!" Na theu Poçen dhe u shenjtërua!" 293 Mor Hoxh' i egër, ma mbaro qërtimin, Mos m'ulëri në dasmën dhe dëfrimin: Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin, Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin. 294 Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro, Beko pa folur, mos më prediko: Un' ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër, Se je i vëngër, sytë çap shëro! 295 E ëmbël është Vera me Dolli, E ëmbël është Harpa, Vallja me Huri: I ëmbël është çdo besnik që s'pi Kur lark një mijë parasanga rri. 296 Me etjen Tavernarin e gëzoj Dhe supet me mëkate i ngarkoj: Kështu Mëshir' e Zotit hyn në punë, Se myshterinjtë gjithënjë ia shtoj. 297 Lus Verën, jam pijanik: po, ashtu jam! Pagan e heretik: po, ashtu jam! Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s'jam! I Vetes jam besnik: po, ashtu jam! 298 Kam parë një heremit pa Ligj' e Fe, Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe; E njoha dhe pyeta duke qarë: Më trim se ky, o Zot, a pe? 299 Të vjetrit shok' e miq më neveritnë, Të rinjt' prapë të vjetrat përsëritnë: Tani kam hequr dorë nga çdo mik; Kurrë Besnikë miq mi Dhe s'u rritnë. 300 Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë, Hap sytë! t'ësht' armiku m'i pabesë: Miq mos kërko në turmën posht' e lart; Të puthi kush? - Largohu pa vonesë! 301 Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë; Vrerin që s'ka shërim e pi si burrë: Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht; Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë. 302 Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi, Dhe intrigant, kur rron në vetëmi: Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli, Më mirë mos u njih, mos njih njeri. 303 Mos qas veç shokë t'Urtë në shtëpi, Largohu nga të marrët pa kufi: Kur t'ep i marri mjaltë hidhe tej, Kur t'ep i Urti vrer, e merr, e pi. 304 Të marrët, të stolisur, syverbuar, Që kurrë me kandilin e pashuar S'kanë kërkuar natën Drit' e Shkencë, Asnjë të Madh s'na lanë pa çnderuar. 305 Rrëmbyen mall, memuriet e ar Dhe t'Urtin plak e t'urët shkencëtar E quajnë Gjaur, se s'beson prralla, Se s'qas mi supet, si ata, samar. 306 Cudi, që parësi e titulluar, Nga skllavëria kalbur, shtazëruar, Kur shohin një të varfër po të lirë, E quajn' a t'marr' a të mallkuar. 307 Nga Bot' e Lartë një Myster m'u zgjidh; Me ty, Njeri, Krijes' e tër' u thith: Je djall a ëngjëll, shtaz' a lule e pisë; Je ç'dukesh; pamja me çdo gjë të lith. 308 Njeriu qënka thelb'i Gjithësisë Dhe drit' e syrit t'madh të Perëndisë: Qarku i Qënies qënka si Unazë Me vulë xhevair; e Njerëzisë! 309 Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar: Kështu në syt' e Perëndisë jemi Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar. 310 Te Bot' e murme dhe e trumbulluar Dy farë shtazësh janë lulëzuar; Ata që paskan çdo gjësent zbuluar Dhe sa s'të kanë asgjësent mësuar. 311 Ari s'lint Mënt, po Mënt që bukë s'kanë Në Kopsht të Dheut qajnë si n'hapsanë: Qesh Trëndafili se ka qesen plot, Kur Vjollc' e vafër kokën var mënjanë. 312 A dini pse Zambakun dhe Selvinë I quajmë symbole për Lirinë? Kjo një qint duar ka, po s'vret e s'vjeth, Ay me dhjetë gjuhë, s'e kafshon njerinë. 313 Më mirë bukëthat' e rrobëçquer Me ujë rro, i lirë, poçethyer, Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer. 314 Mos e përdor për shtypje zgjuarsinë, Mbaj veten, zotëro me fre mërinë: Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme, Goditje prit, po mos godit njerinë. 315 Lakmim' i Trupit ngjan me qen të lik, Që leh pa funt e gjumin na e fik: Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur, Na çjerr, na copëton si ujk armik. 316 Në leqet e ambicjes mos u zir, Nga thonjt' e avaricjes mos u çirr; I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt' u prir, Si pluhër n'erë mos u drith, u tir. 317 Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni Me burrëri dhe dinjitet qëndroni: Përballni dhe armiq si Rustem Zalli, Nga miq si Taj dhurata mos pranoni. 318 Harxhova jetën kot nëpër këneta Dhe asnjë pikë lumturie s'gjeta: Tani kam frikë se u mplaka, shkoj, E s'provoj dot si duhet rrojtur jeta. 319 Ah, nesër Botën plot shamat' e lashë, Nga qindra xhevahire njëz' i dhashë: Pa folur kanë mbetur qindra fjalë, Se nuk' i merrte vesh kjo Bot' e trashë. 320 Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë; Asnjë s'kam zgjidhur prej Enigmave; Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë. 321 Ah, nesër Fati do të na gremisë Dhe çdukemi nga Kopsht'i Dashurisë: O Vajzë, sillmë Ver' e lagm' e puthmë, Dhe prapë nem gëzimn' e djalërisë. 322 O Hën' e shpirtit tim e pavenitur, Ja, Hën' e Qiellit del nga ret' e ndritur: Sa herë do të dal' ajo si sot - E kot në kopsht për ne ka për të pritur! 323 Tavern' e Shenjtë na u çthur me vrima, Veriu vërshëllen, na grin thëllima: Ma bëni baltën tulla e m'i mbyllni Të mos më ngrijnë Verë shokët trima. 324 Për Vdekjen s'dridhem as derth fare lot; M'e mirë gjë në Botë s'gjendet dot: Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot Më kot ma dha - e un' ia kthej më kot. 325 Pas Vdekjes nukë dua veç pushim; Se sy e shpirt m'u tretnë me vajtim: Më keq se sa kam vojtur në Ferr s'ka; S'dua Parajsë! S'dua veç harrim! 326 Miq, shpresa, Qiell' e Tok' e Djaj më lanë, Zi brënda, lart' e posht' e anembanë: Veç Verës s'më ka mbetur tjatër mik, Dhe dua dhe në Varr ta kem pranë. 327 Me Verë, kur t'ap shpirt, kungomëni, Në Verë lamëni, bekomëni, Me fletë Pjergulle pështillmëni, Në kopsht me Këng' e Rrush mbulomëni. 328 Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi Varrin stolismani, qëndismani: Rreth meje buzëqeshur shtrihuni Spërkatmëni me Ver' e pihuni! 329 Te Varri im me Ver' e Rrush të shirë Tym, afshe të lëshojë si një Tirë Sa kur të shkojë Mysliman' i mirë Si në pusi të dehet i papirë. 330 Dhe kur të shkosh, moj Dor' e këmb' argjënde Për të gostitur miqtë në ato vënde, Ku pinim bashkë, e t'arrish ku rri, Mos psherëti! - po zbrasmë Kupën tënde. 331 Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi Dhe kur të bëhem prapë Balt' e Hi, Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli - Dhe shihni po s'u ngjalla përsëri! Quote Share this post Link to post Share on other sites