Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
AAAA

Omeri I Shkrunte Dashuris 1000 Vjet Perpara

Recommended Posts

1

 

Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi!

Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi.

Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;

se ke shekuj që të flesh në qetësi".

 

 

2

 

Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,

Një zë që nga Taverna po gjëmonte:

"Cohuni, djema, e Verë sillnani,

Se Fati na e tha lëngun sonte".

 

 

3

 

Dhe posa në tavernë këndoi gjeli,

Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni!

E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë

Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli".

 

 

4

 

A di përse këndesi po këndon

Dhe menatë nga gjumi po të zgjon?

Që shkoi një ditë po të lajmëron,

Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

 

 

5

 

U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj

Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj:

Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë,

Gërshetin me lahutën lavdëroj.

 

 

6

 

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,

E pret me gas Natyra faqeshkruar,

Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar

Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

 

 

7

 

Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit,

Bilbili nisi këngën e dëfrimit

Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,

Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

 

 

8

 

Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi

Perden e Natës, Yjt' i arratisi,

Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi

Cdo majë mali, pallati e lisi.

 

 

9

 

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,

Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi!

Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,

Qysh dimërojnë sot në Varrverri.

 

 

10

 

Ja, Mars'i ri dëshirat na valon,

Cdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon

Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët

Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron.

 

 

11

 

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,

Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë:

Ah, Verë! Verë! Trëndafilit

I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë.

 

 

12

 

Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë

Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë

Dhe thotë: "Puthuni e pihuni!

S'e gjeni këtë ditë tjatër herë".

 

 

13

 

Shiko luadhe, lule, bukuri,

Lumenj kristali, kronj e brohori:

Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti,

Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.

 

 

14

 

Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj

Dhe botës bukurinë po ia shtoj:

Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë

Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj".

 

 

15

 

"Jam, thotë, lulja e Josefit t'ri

T'Egiptes, xhevahir, zëmërflori:

Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur

Prej vllezërve dhe gruas Petefri.

 

 

16

 

Tufani kopshtin kur ma çkatërron

Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon,

Pështillem si burbuq' i Trëndafilit,

Po zemra gjak përbrenda më pikon.

 

 

17

 

U dogja dhe u përvëlova: Verë!

Nga vrer'i lotëve u shova: Verë!

Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten

Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

 

 

18

 

Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle,

Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle,

Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është

Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

 

 

19

 

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,

Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:

"Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!"

Po as m'a fal pendimin, as ia dua.

 

 

20

 

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,

Një Djall po më zvarrniste në Dolli;

Po Ver' e kuqe e fitoi davanë:

Gërshet këtej - edhe andej Hardhi.

Fotografitë e Bashkëngjitura

 

 

21

 

Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh

Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:

Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse,

Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

 

 

22

 

Te Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen,

Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:

C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,

Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

 

 

23

 

"Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia,

"Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?"

Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës,

Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

 

 

24

 

Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri

N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi:

Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë

Se çdo shamat' e turmës në Xhami.

 

 

25

 

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,

Dhe adhuroje si Altar prej Feje:

Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër;

Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

 

 

26

 

Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë

Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë:

Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar

Prej meje s'nëmërohet asnjëherë.

 

 

27

 

S'ka hir apo shëmtim në Dashuri,

Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi,

As për pallate a kasolle a shpella

As për mëndafsh a rrecka a stoli.

 

 

28

 

Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime

Pa prerë vuan e lëshon rënkime:

Kur më dha Zoti Verë Dashurie,

Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

 

 

29

 

E prisja! Si rrufeja më tronditi!

E Dashura më shkoi, më neveriti:

S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti!

Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

 

 

30

 

Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë,

M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë,

Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë:

Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë!

Fotografitë e Bashkëngjitura

 

 

 

31

 

Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë,

Sa e sa herë zemra m'është grirë:

Ty natën të kujtoj e psherëtij,

Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

 

 

32

 

Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri,

Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri:

Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë

Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

 

 

33

 

Te rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba

Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:

Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri

Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

 

 

34

 

Zemrën me sy e dashura ma ndes,

Zemraqiri me flakën rron e vdes:

Te flak' e bukur zemraflutur turret,

Kurban e tëra digjet pa kujdes.

 

 

35

 

Me syrin bukuri e dritë çpall,

Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:

Ti s'më vë re aspak ose më tall,

Kur unë pshërtij për ty me mall.

 

 

36

 

Zefire, fryre, syri im të pa,

Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la

Dhe dyke fluturuar pas të ra:

Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

 

 

37

 

Selvia që më bëri skllav e mbret

Tani më nisi prapë muhabet;

Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë:

"Bëje të mirën dhe e hith në det".

 

 

38

 

E dashura shkëlqeu, më vërboi,

Zemra më fliste gjuha më pushoi:

Kush pa me sy torturë kësisoj?

Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

 

 

39

 

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?

Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?

Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë

Nga Dashuria të sëmurë, kush?

 

 

40

 

Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim,

Jam lodhur me kërkim e udhëtim:

Të bukur Qiparis si ti s'kam parë,

S'të kapërcen as hëna në shkëlqim.

 

 

41

 

O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi,

M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi:

Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka;

Një qind herë më e çmuar më je ti!

 

 

42

 

Si në mëngjes burbuqi i vesuar

Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,

Më ndrit me gas fytyra e përlotur

Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar.

 

 

43

 

Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen,

Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,

Një sy i luan Mbretit t'Babilonës

Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben.

 

 

44

 

Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin;

Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:

Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,

Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

 

 

45

 

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,

Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë;

Se bukuria jote s'rron për jetë;

Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

 

 

46

 

Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë,

Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë:

Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë,

Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë!

 

 

47

 

Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë,

Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë

Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur

Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

 

 

48

 

"Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë;

"Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë:

Ah, merr trumpetat e ler kusurin,

Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

 

 

49

 

Në botë kotësira mos lakmo

Të mirat e të ligat ia harro:

Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,

Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

 

 

50

 

Shpirti për ku m'u bë prej Perëndie?

Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie

S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë,

Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

 

 

 

51

 

Se save që për Dhenë bëjnë rragë

Dhe save që për Qiell hedhin flagë,

Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet:

"Të çmëndur! S'ka as lart as poshtë çpagë!"

 

 

52

 

Me vajzën në prënver' e në lëndinë

Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë

Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli!

Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

 

 

53

 

Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë,

Te vija në lëndin' u shtri - në pastë,

Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë,

Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë.

 

 

54

 

Një kupë Verë, mor Saki - ta puth!

Vajzën e bukur si selvi - ta puth!

Atë gërshet si lak të zi ku kapet

I urti plak e djal'i ri - ta puth!

 

 

55

 

Nem kupën dhe këndo një melodi,

Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:

Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja

Dhe s'duhet pirë veç me brohori.

 

 

56

 

Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua,

Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,

Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr

Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

 

 

57

 

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë

Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;

Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin

Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

 

 

58

 

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni

Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni:

Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim

E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.

 

 

59

 

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi

Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:

Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton,

Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

 

 

60

 

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon

Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron:

Po nesër? nesër ndofta fryra, humba

Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

 

 

 

61

 

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!

Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë!

Bota një her' u mbyt në kataklizmë,

Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

 

 

62

 

U bëra prapë djal' i ri: sill Verë!

Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë!

S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki,

Si jeta ime në Persi: sill Verë!

 

 

63

 

Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi,

Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi:

Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam

Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

 

 

64

 

Si merimanga vallë pse ta tjerim

Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?

C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë

Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim?

 

 

65

 

Në Nishapur ose në Babilon,

Me Kupën që tharton e ëmbëlson,

Fletët e Jetës një nga një na bien

Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

 

 

66

 

Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret,

Se Koha nëpër këmbë po na shket:

E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen;

C'mërziti kur e sotmja ka lezet?

 

 

67

 

Ditën e shkuar fare e harro

Dhe për të nesërmen mos u mendo:

Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,

Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro.

 

 

68

 

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,

Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë:

Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët

Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

 

 

69

 

Me Buzët trëndafilen shtatselvi

Këndo e nat' e ditë zbras Dolli:

Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule

Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi.

 

 

70

 

Të shkuarat mos i kujto me lot

Dhe për të pritmet mos u loth më kot:

Sa kohë në luadhin je, kullot;

Nga drapr' i Vdekjes nukë shpëton dot.

 

 

 

71

 

Buza që puth e Vera që po pi

Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:

Po sot të paktën je një hi i gjallë,

Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi.

 

 

72

 

Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë

Për qafe kape Qiparisn' e gjatë.

Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë

Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë.

 

 

73

 

Sa nga të dashurit mbi këtë bar

Që m'emëruan për trashëgimtar

I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë

Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr.

 

 

74

 

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë

M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:

Festuam, pim' e biseduam bashkë,

Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!"

 

 

75

 

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,

Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,

Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim

Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

 

 

76

 

Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu

Sis' i jep lules si një çilimiu;

Nga varri bukën ia mëkon njeriu:

Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu.

 

 

77

 

M'i kuqi Trëndafil i çdo behari

Nga toka mbin që piu gjak Qesari:

Në gji të kopshtit manushaqja shket

Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

 

 

78

 

Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel

Bregun e lumit ku tani po ngel,

Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel,

Se s'di nga cila buz' e bukur del.

 

 

79

 

Ah, Trëndafili me prënverën shkon

Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:

Bilbili, që në degët i këndon,

Ikën - e kush e di ku fluturon?

 

 

80

 

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!

Profetët le të flasin, lerini!

Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes,

Si lulëzon, - dhe profkat prejini!

 

 

 

81

 

Cdo shpresë që në flakë na përfshin

Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin

Mbi kum të shkretëtirës si dëbora

Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin.

 

 

82

 

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret

Dhe gazet e dëfrimet plot lezet

S'të janë veç si ves' e lulevet,

Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

 

 

83

 

Edhe ay që mbleth e shin flori

Edhe ay q'e heth, e derth si shi,

Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:

Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

 

 

84

 

Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer,

Që netët edhe ditë ka për dyer,

Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan

Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer.

 

 

85

 

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?

Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?

Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?

Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

 

 

86

 

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,

Këtejza do të shkosh me lot një ditë,

Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë

Në **** do të mbarosh pa mot i mpitë.

 

 

87

 

S'banojnë veç luanë dhe zhapi

Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:

Bahrami, që me lak onagre kapte,

U lak, u kap në llom' e pellgpusi.

 

 

88

 

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti

Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:

Përmbi gërmadha tani qyqja qan:

"Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?"

 

 

89

 

Nga mur'i Tusit Korbi po vë re

Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe

Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,

Daullet dhe trumbetat ku m'i ke?

 

 

90

 

C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç!

Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!

Sa para bën se sot jam Yll e Dritë

Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!

 

 

91

 

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!

Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!

Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!

Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump!

 

 

92

 

Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore,

Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:

Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire,

Përpin, e sa dafina prej kurore!

 

 

93

 

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,

Sa e sa zemra copëtove e shove:

C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,

Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove!

 

 

94

 

O Racë Njerëzore e verbuar,

O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar,

O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,

Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar!

 

 

95

 

Apo mos e harruat Historinë

Që Botës i dha Dritën, Diturinë,

Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë

Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë?

 

 

96

 

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,

E para krijatyrë del nga Dheu:

Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu,

Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu.

 

 

97

 

Si en' e bën me mend e thellësi,

Kuror' i thur me nder e me lavdi:

Pastaj Poçari Kryeveprën kap

Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.

 

 

98

 

Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë?

Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:

Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,

Vajtojnë pak e çduken në Greminë.

 

 

99

 

Njeri, Margaritari i Krijesës,

Q'u shove nga tortyrat e Jetesës,

Pi Kupën e harrimit e të prehjes,

Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

 

 

100

 

Përulu Fatit tiranik e vrer,

Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr:

Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh,

Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.

 

 

 

101

 

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim

Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,

Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë,

Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim!

 

 

102

 

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,

Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili,

Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras

Kur të ta japë natën Xhebraili.

 

 

103

 

Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë

Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:

Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi

N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë!

 

 

104

 

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë

Pret vesën gojëhapur lart nga retë,

Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse

Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.

 

 

105

 

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,

Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,

Se as për mjekrën tënde as për timen

S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar.

 

 

106

 

Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë,

Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:

Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,

Të piu varri, krimbat do t'të hanë.

 

 

107

 

Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen,

Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:

Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen!

Se Feja me Parajsën të gënjen.

 

 

108

 

Mos u mërzit me punë Perëndie,

As me andrralla e profka Njerëzije:

Mbyti të gjitha në duman të Verës

Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!

 

 

109

 

Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan

Cdo lutje që të mjerët u drejtuan

Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë:

Kush na u kthye nga ata që shkuan?

 

 

110

 

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,

Me Fe e sherr Sheri të piqemi?

Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi

Se sa me vrer për hiç të ligemi?

 

 

 

111

 

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,

Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë!

E bukur je, po nukë bën për mua!"

Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.

 

 

112

 

Për Ligjë kam për ditë të dëfrej,

Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej;

Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë;

Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej".

 

 

113

 

E dini, o miq, se në kasollen time

Dasmë të re kam bërë me dëfrime:

Tri her' e ndava Fen' e Arësyen

Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.

 

 

114

 

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar

E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:

Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam

I thellë veç në Verën e Kulluar.

 

 

115

 

Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta

Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:

Tani q'u mplaka di që s'dija gjë

E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta.

 

 

116

 

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja

Doktorë me Shenjtor' e trobolitja

Të thella argumente: po përherë

I marrë hyja dhe m'i marrë dilja.

 

 

117

 

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,

Me dorën tim'e rrita, e pështolla,

Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal:

"Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!"

 

 

118

 

Në Botë, dhe pa ditur as përse

As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,

Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës,

Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re.

 

 

119

 

Si zok nga pylli sterr' u arratisa,

Për një fole në ferr' e driz' u grisa:

Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta,

Nga dera q'u vërsula jashtë krisa.

 

 

120

 

Me Ujë hiçi Balta m'u gatua,

Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua:

Fryja në Botë si një flak' e marrë

Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.

 

 

 

121

 

C'fitoi me ardhjen time Gjithësia?

Me ikjen a m'i prishet Bukuria?

Përse me kaqë lot po vijm' e ikim?

Pyes më kot, - s'përgjigjet Perëndia.

 

 

122

 

Kur shoh një faqelule bukuri

Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,

Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove

Në këtë fushë plot me lot e zi?

 

 

123

 

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?

Si tym vërtitemi: Ku turremi?

Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma

Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?

 

 

124

 

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,

Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:

Me lot e zjarr e vrer të përvëluar

Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.

 

 

125

 

Këtu që nga padashur po kërcasim

Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?

Kupë mbi Kupë Verë sillnani

Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.

 

 

126

 

Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur!

Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur!

Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja

As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur!

 

 

127

 

Në Vijën që përshkruaj në Jetim

S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim:

Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë,

Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.

 

 

128

 

Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë,

Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë:

Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun

Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.

 

 

129

 

Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita

Në fronin e Saturnit u avita

Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës

Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.

 

 

130

 

Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë

Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë:

Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,

Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë.

 

 

 

131

 

S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi

Me vala t'errëta për Perëndi,

As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli,

S'përgjigjemi e heshtim un' e ti.

 

 

132

 

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita

Dhe e pyeta: "Cila është Drita

Për djemt' e tu të humbur në errësirë?"

"Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita.

 

 

133

 

Ahere Poçen po rrëmbej si burrë

Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë;

Ajo më pëshpëriti buzabuzës:

"Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!"

 

 

134

 

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë

Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:

Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë

Sa puthje mund të japë dhe të marrë!

 

 

135

 

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri

Q'u doq për një Gërshet e një Selvi:

Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte

Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

 

136

 

Një ditë, më të ngrysur në pazar

Një poçe po artonte një Poçar;

Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:

"Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!"

 

 

137

 

Punonte në dyqan të tij Poçari,

Një Poçe po artonte nga pazari:

Lëfyti ish një kok' e një Qezari

Dhe dorëza nga dor' e një lipsari!

 

 

138

 

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,

Që garbe bën me trupin njerëzor:

Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,

Dhe gishtin Feridunit mbretëror.

 

 

139

 

Njëndizaj në qoshen jam penguar

Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;

Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam,

Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar".

 

 

140

 

Dhe mos kujto se Jeta rregullon

Hesapin tënt e timin dhe mbaron;

Flluska si ne ka Dete dhe miriade,

Saki-Vigani derdh e s'nëmëron.

 

 

 

141

 

Kur un' e ti të prehemi të mekur

Do të vazhdojë Bota e pavdekur,

Që ardhjen ton' e ikjen i përfill

Si val' e detit rërën e përpjekur.

 

 

142

 

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,

Dhe ty dhe mua na harron një soj:

S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim,

Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj.

 

 

143

 

Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë,

Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;

Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit!

Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë.

 

 

144

 

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur

Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,

Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën

Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur?

 

 

145

 

Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë

Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?

Mbi Dhe pa punë kur na arratisi

Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?

 

 

146

 

Cudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë,

Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë

Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,

Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë!

 

 

147

 

I varfëri nga mendja po beson

Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:

Po Vera e përgënjeshtron e para,

Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.

 

 

148

 

Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë

Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë,

Nuk është trup e turp që Baltovina

Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë?

 

 

149

 

Si në një çergë ku pushon një grimë

Sulltani i drejtuar në Greminë:

Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret

E thurret përsëri për më të rinë.

 

 

150

 

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,

Për të duruar kot e kot tortyrë,

Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë

Kur prapë jashtë paske për të fryrë?

 

 

151

 

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë

Dhe n'Errësirën posht' e tatëpjetë:

M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin;

Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë".

 

 

152

 

Diell. vizion dëshire të mbaruar,

Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar,

E hedhur n'Errësirën nga po dalim

Dhe ku po zbresim për të perënduar!

 

 

153

 

Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë;

Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë;

Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë;

Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë.

 

 

154

 

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë

Më kot për të dy Botët, u vërvitnë

Në Pluhur: fjalët ua mori era,

Me Baltën e me Llomën u nemitnë.

 

 

155

 

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen

Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,

S'janë veç ëndërra që na rrëfyen

Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen.

 

 

156

 

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,

I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:

Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot,

U mbytnë nëpër gropa t'arratisë.

 

 

157

 

Mysterin sa e sa më kot po tarrë

Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë;

C'gojë memece, Evë, puthe vallë

Që na ke bërë shurdhër e të marrë?

 

 

158

 

Një Vel Mysteri kemi për kufi,

Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi:

Në gjoks të Dheut jemi si në burg;

Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori!

 

 

159

 

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,

Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet:

Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri

Dhe syri ynë gjurmën e humbet.

 

 

160

 

C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë

Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë

S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë,

S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë.

 

 

 

161

 

Natyra ësht' e mbetet një çudi,

Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:

Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij,

Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.

 

 

162

 

Darkove tërë Tokën? S'është hiç!

Gërmove tërë Botën? S'është hiç!

Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,

Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç!

 

 

163

 

Në Hapësirën Dheu: **** lumi!

Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!

Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!

Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!

 

 

164

 

Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç!

Ky Qiell me Serafime s'është hiç!

Ky fron i Jetës plot me ëndërrime

Na varret mbi një qime, s'është hiç!

 

 

165

 

Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç

Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç:

Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,

Më kot i humba, nuk zbulova hiç!

 

165

 

Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç

Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç:

Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,

Më kot i humba, nuk zbulova hiç!

 

 

166

 

Të paskan parë ca të shenjtëruar

Kur unë me qiri të kam kërkuar:

Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:

S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!

 

 

167

 

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi

Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri:

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta -

Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti?

 

 

168

 

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta

Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta:

Gjeje dhe ti, si un' i verbëri -

Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.

 

 

169

 

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,

Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:

Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,

Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë!

 

 

170

 

Posa e devinojm' e na shpëton

Prapa kurtinës ku dramatizon

Të vjetrën lodër të përjetëshme,

Që vet' e vepëron, Vet' e shikon.

 

 

 

171

 

Gazmorët që me Kupën po festojnë,

Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë

Në Det humbasin pa liman, pa funt;

Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë.

 

 

172

 

Me mall e tërë bota e kërkon,

As kamës as i varfër s'e zbulon:

Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon,

Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon.

 

 

173

 

Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!"

Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan;

Se tok të gjithë jemi Perëndia;

Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.

 

 

174

 

Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota,

Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:

Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen

Illuzionet, gjepurat e kota.

 

 

175

 

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?

S'tregohet dot, e vetëm kaqë di:

Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë,

Kthehet si shi në Detin pa kufi.

 

 

176

 

Se lart e posht' e rreth sa po shikojmë,

Të gjitha një fener magjik formojnë

Me Diellin si një qiri në mest

Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë.

 

 

177

 

Jemi një lodër shah me net' e dit'

Ku Fati njerëzit si gur' i qit:

Andejkëtej i lot, i vret' i ther -

Dhe një nga një t'i hodhi në kutit.

 

 

178

 

Dhe topthi as për po as jo s'pyet,

Po fluturon për ku Lodrari e nget:

Ay q'e heth në lëm' e di përse -

Ay e si - Ay e di vërtet.

 

 

179

 

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,

Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë

Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet

Me lotë a me lutje a me dijë.

 

 

180

 

Doktorët, fillosofët le të flasin, -

Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin;

S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim

As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim.

 

 

 

181

 

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë

Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë:

Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë,

Se rop si ju vërtit, mor të marrë!

 

 

182

 

Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë,

Të korrët sot del nga e Para Farë:

Mëngjez'i parë i krijesës shkroi

E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë.

 

 

183

 

Qëkurse Gjithësia u krijua

Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua,

Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua,

Ashtu sikundër u predestinua.

 

 

184

 

Cdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi;

Ah! le të llomotit ay Sufi:

Un' e kam gjetur Celësin për Derën

Ku leh ay me buj' e patërdi!

 

 

185

 

C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti

Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!

Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës;

Allahu, kur e vëri, s'na pyeti.

 

 

186

 

C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?

Gëzo të sotmen, let belat' e kota:

C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç

Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota.

 

 

187

 

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!

Kur vete keq, më kot po derdhet loti:

S'pyetesh as për gaz as për vajtim;

Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti.

 

 

188

 

Ka vetëm për të marrët lumturi,

Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi,

Pi Verën pra, e cila të maron

Me motrat Lumturi e Cmenduri.

 

 

189

 

Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman!

Për plagët e miplagët nem derman!

Posa të marrë mbron, Baba, tamam,

Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam.

 

 

190

 

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!

Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!

Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,

Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!

 

 

 

191

 

Jetesa rregullisht pas Urtësisë

Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë:

Se Zoti Fat me një kamçik në dorë

Na prin nëpër hendeket t'arratisë.

 

 

192

 

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,

Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:

Pa marrë frym' i lumtur për një çast

N'Avushën prapë më ka qethulluar.

 

 

193

 

Me vrer për ditë Fati po na des,

S'jep gas që s'na e vjeth me interes:

Ta dinte i palinduri s'na lintte,

I linduri më mirë bën kur vdes.

 

 

194

 

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma

Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:

Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark,

S'më nxirte në mejdan askurrë mëma.

 

 

195

 

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,

Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,

Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën

Që respiroj në zjarr ma ktheve.

 

 

196

 

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,

Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;

Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës,

Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite.

 

 

197

 

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!

Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!

Një her' e mir' e tok, jo copra-copra,

Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!

 

 

198

 

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri

Shpirtin e një të ziu e të mjeri

Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan

Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.

 

 

199

 

Sikur të merrte Engjëll'i bekuar

Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar,

Për ta rishkruar, për ta mirësuar

Ose më mirë fare për ta shuar!

 

 

200

 

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,

Ku t'arratisurit e Shkretëtirës

Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj

Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.

 

 

 

201

 

Të mirat Botës son' ia studiova.

Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:

Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë

Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.

 

 

203

 

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve

Dhe Kryevegla n'arkë t'axhaminjve:

E Bukura e Dheut flë në shtrat

T'eunukëve, në djep të çiliminjve!

 

 

204

 

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,

Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:

Po rri mënjan' i qet' e bëj sehir

Shakatë që na bën i Madhi Zot.

 

 

205

 

Profetët le të lehin hu mi hu

Për Providenc' e Perëndi me tru:

Eni, me Poçen shtrojani këtu,

Dhe losni me Atë që lot me ju.

 

 

206

 

U dashka që ta lë ballsamn' e Verës

Nga frik' e zez' e vrerit të Skëterrës,

Ah, për shërbetn' e Qiellit që do t'pi

Kur të më thahen koskat prapa ferrës!

 

 

207

 

Kurani thotë, Qielli ka Huri

Të bukura dhe Verë me gosti:

Posa pra ësht' ashtu, o Perëndi,

Stërvitem që këtu e që tani!

 

 

208

 

Në qoftë se Parajsa jote s'qas

Veçse ata që lodhen me namas

Dhe s'duan Ver' e Vajza, pa dyshim

Asnjë njeri s'të hyn në atë kafaz.

 

 

209

 

Parajsa paska Vajza syshkëndija,

Me Ver' e mjaltë, lum' e kronj e vija;

Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë

Në dorë njëja sot se nesër mija.

 

 

210

 

Ay që ka në zemër Urtësi

S'lë asnjë çast t'i shkojë pa dobi;

Po adhuron një Dashuri qiellore,

Dhe Kupën kap me Ver' e zbras Dolli.

 

 

 

211

 

Të Madhit Muhamet i çon selam

Dhe e pyet Imami Omar Khajam:

"O Pejgamber, më thuaj, mor aman,

Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

 

 

212

 

Përgjigjet Muhameti me selam:

"S'më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"

 

 

213

 

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,

Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë",

O burrani, pra, Kupat mbushini

T'ia pimë gjakun qenit të pabesë!

 

 

214

 

Posa e bëri Zoti në fillim,

Hardhinë pse m'a thurrni me ndalim?

Thomëni, kur s'e njihni për besim,

Kush e ka vën' atje këtë mallkim?

 

 

215

 

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,

Se vijës s'Vreshtës bëji Dashuri;

Nga nën' e ëmbël rrodhi bij' e keqe,

Po Bija ka më tepër bukuri.

 

 

216

 

Vera, vërtet, më doli e pabesë,

Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,

Po fajn' e ka Sakiu: S'ia diti vlerën;

Kur t'ia mësojë, nukë do t'ma shesë.

 

 

217

 

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,

Në sy të Botës krejt më turpëruan;

Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik

Dhe namin për një metelik ma shuan.

 

 

218

 

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;

Po a jam esëll vallë kur betohem?

Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,

Pendohem për pendimin që zotohem.

 

 

219

 

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.

Faqia iu nxi, ia mori namin era:

Saki, më sill ca Verë! Cip' e çjerrur

Më s'qepet dot as zbardhet dot Skëterra.

 

 

220

 

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot,

Pa kupë barrën, vrerin s'ia duroj dot;

Jam mirë vetëm n'atë çast kur shokët

"Dhe njëzë!" thon' - e unë s'mëkatoj dot.

 

 

 

221

 

Kur s'pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,

Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;

Kërkoj pra mezin, Jetën çakërqef:

As that' as qull, po lagur leht' e larë.

 

 

222

 

Me poçen nënë sqetull, me Kuran në bres,

Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;

Ajme! S'kam Din e s'kam Iman e s'jam

As i Krishter' as Mysliman as Putperes.

 

223

 

As Kisha as Xhamia nuk më nxe,

Allahu më gatoi s;di me ç'hile;

Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,

Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.

 

 

224

 

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia

U çthurret zemr' e shpirt më çqetësira;

Po sa Sekretin e natyrës studiuan

S'i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira

 

 

225

 

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t'ikë,

Nga Lloma në Liri, pa frikë;

Po thik' e Sheriatit ia pret krahët

Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.

 

 

226

 

Xhami e Kish' e Tempull: robëri!

Këmban' e Minare: një patërdi!

Dervish e Prift e Hoxh' e Kryq e Hënë:

Pengime që të gjitha për Liri.

 

 

227

 

Në Labyrinth të Besëve kërkova,

Me Porosi e Dogma u qarkova;

Po u gënjeva; s'gjeta lule fare

Dhe vetëm driza t'egëra zbulova.

 

 

228

 

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,

Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;

I hodha që të gjitha tej e tutje,

Se Perëndinë s'e përfaqësojnë.

 

 

229

 

"Allahu ësht' i math!" çirren, këlthasin,

Nga gjëm' e tyre tunden e kërcasin

Për ditë pesë herë Minaretë:

Ay s'dëgjon. Vajtimet kot buçasin.

 

 

230

 

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,

Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:

Po kuajve u zbulohet e Vërteta?

Askujt! S'qas pran' as mu' as ty kjo Trime.

 

 

 

231

 

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë

E të na japë Shpirt e të na varë

Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar

Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?

 

 

232

 

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkojë

Flori për Baltën e të na gjykojë

Për borxhe që s'ia detyrojm' aspak

E që s'ia lajmë dot! - O Djell, o Shkronjë!

 

 

233

 

Nga tmerr'i Perëndis' e me pahir

Padrejtësinë nuk e quaj Hir;

Sepse kur s'thom të Drejtën me çekan

S'qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.

 

 

234

 

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,

E dbove kur na je mëshirë plot?

Për mëkatarët është Hiri Hir;

S'ke Hir kur na e jep me djers' e lot.

 

 

235

 

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,

Shpirti m'u err, o Perëndi, ndriçomë;

Jo si çpërblim për vepra që s'bëj dot,

Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.

 

 

236

 

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë

Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:

Ata që flasin n'emrin tënt gënjejnë;

Nga thonjt' e tyre, Perëndi, zbërthemë!

 

 

237

 

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim

Që mirësia jote s'ka mbarim;

Me një pendim, kush nuk e bën të keqen

Dhe kush e bën s'të ka asnjë ndryshim.

 

 

238

 

Embël gjykon në Qiell Mëshir' e gjërë,

Po s'më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;

E mira e pabërë s'ësht' e bërë

E keq' e bërë nuk ësht' e pabërë.

 

 

239

 

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë

Dhe kurrë një mëkat pa bërë s'lashë:

Më thua se më ndih në të këqia;

"Më keq se un' a ka?" o Zot, të thashë.

 

 

240

 

Të mirat një nga një m'i nëmëro,

Të ligat togje-togje m'i spastro:

Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,

Mëshirë pra dhe Drejtësi trego.

 

 

FLORIRI

Shiko Profilin Publik

Gjej më shumë postime nga FLORIRI

 

09-08-2006, 06:45 #36

FLORIRI

gjakmatjani

 

 

Anëtarësuar: 08-11-2003

Postime: 1,549

241

 

Khajami vark' e fajdeve e shtoi

Dhe egjërën nga shpirti s'e qëroi:

Po s'dëshpërohet sa për Hir Qiellor,

Se Njënë kurrë Dy s'e nëmëroi.

 

 

242

 

Kundër së keqes shpirti më lëfton,

Me turp e vrer mëkatet m'i kujton:

Kam shpresë se m'i fal Mëshira jote,

Po prapë turpi mbetet e s'pushon.

 

 

243

 

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur

Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:

Fal dorën që Gërshetet përkëdhel

Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.

 

 

244

 

A mundin farisjanët zemërngrirë

Për ty të bisedojn' e për Mëshirë?

Na ndjek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!

Gjetkë m'i shit ato! Të njoh më mirë!

 

 

245

 

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,

S'dua të shoh njeri e rroj i shkretë:

Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,

Ay e di ç'kam vojtur nga kjo Jetë.

 

 

246

 

Me bindjen Mbretërin' un' a ta rrit?

Me fajet Madhështin' a ta çukit?

Mos më punit, po falm' - o Zot - se the

Q'i fal mëkatet shpejt - von' i punit.

 

 

247

 

Me gryk' e zemër' - o Zot - kur më krijove

Dhe Ver' e Vajza ballazi më shtrove,

E dije pa dyshim që do t'u sulem:

S'kam faj! Kam bër' ashtu si e caktove!

 

 

248

 

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,

Me Lule, Hën' e Diell ma përqas.

Pastaj më porosit të mos e ngas!

Tamam: përmbys Dollin' e mos e zbras!

 

 

249

 

Me baltë më gatove: ç'faj të kam?

Me lesh e li m'arnove: ç'faj të kam?

Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,

Me urtësi m'i shkrove: ç'faj të kam?

 

 

250

 

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve

Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:

S'fëjejmë dot pa dijën tënd'e lejen;

Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?

 

 

 

251

 

Kur t'erren Tok' e Qiell nga Kijameti

Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,

E kap për rrobe Zotin e i thom:

"S'të kemi faj! S'na dbon dot nga Xheneti!"

 

 

252

 

Vullnet përveç Vullnetit t'tij s'të ka,

Për vepërim Ay liri s'më la,

Si deshi Vetë, çdo gjë ësht' e bëhet:

Kundër s'i vete dot, - a bën shaka.

 

 

253

 

Më la të verbër e më vuri ****

Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:

Më shtyn të bie brenda dhe pastaj

Si mëkatar e si rebel më kap!

 

 

254

 

Rebel t'u sulkam, pse s'më shtyp për dhe?

Në sterr' u ngulkam, Dritë pse s'më dhe?

Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,

Mëshirën, Mirësinë ku m'i ke?

 

 

255

 

O Ti, që me pusi dhe gracka thure

Greminën e përlotur ku na prure,

Që me predestinatën na mbërtheve,

Dënime për mëkate qysh na vure?

 

 

256

 

O Ti, që njerëzit me Balt' i tore

Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,

Për çdo mëkat që faqen po na nxin

Epna e merrna ndjesë njerëzore!

 

 

257

 

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë

Të mjaftë sa të mbytem n'errësirë:

Po sikur t'ishe Vet - o Zot - njeri,

A do ta deshe këtë tru të mpirë?

 

 

258

 

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,

Me forc' e me shkëlqim më pate ngjeshur:

Tani më çjerr e më përmbys përdhe!

Përse? C'të bëra që më le të çveshur?

 

 

259

 

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,

E nesër do t'më shtypësh nënë Dhe:

Veprën e bukur, Zot, përse e prish?

Në qoft' e keqe, fajin Vet' e ke.

 

 

260

 

Për Vetëdije miriade vjet

Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:

Kur dije q'e merr prapë, ç'ma dhurove?

Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?

 

 

 

261

 

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?

Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?

Tani më thuaj cili ësht' i dehur:

Un' apo Ti, që sillesh si i krisur?

 

 

262

 

Kush rroi mbi Tok' e s'mëkatoj? Më thuaj!

Ay që s'mëkatoi a rroi? Më thuaj!

O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj,

Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj!

 

 

263

 

Më linde pas dëshirës fuqiplote

Më le të mbytem nëpër llom' e lote;

Tani tregomë ç'është më e fortë:

Mëkati im, apo Mëshira jote?

 

 

264

 

O Zot, barrën e Jetës lehtësoma

Nga syt' e turmës çdo kusur mbuloma:

Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate

Kësulën, kokën nesër rrotulloma.

 

 

265

 

Ti, që sekretet na i di të gjithëve,

Që në shtrëngic' e zi na ndih të gjithëve,

Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi,

Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve!

 

 

266

 

Vij në Xhami, po jo të të gënjej;

Kur jam atje dëfrim në zemër ndjej

Dhe iki shpresëplot; Vend më të mirë

Të lahem e të fle ku mund të gjej?

 

 

267

 

O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë!

Te lartësia jote Ti afromë!

Esëll, të Mirën e të Ligën njih:

Dua t'i mbyt e dehem! - Mëshiromë!

 

 

268

 

Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim,

Që digjesh në Skëterr' e në Vajtim,

Prej teje Zoti a kërkoi drejtim?

Cili je ti, që po m'i jep mësim?

 

269

 

Kur Ramazani ish më të mbaruar

Dhe kur prisnim Hënën e gëzuar

Në Furrën e Poçarit isha shtruar

Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar.

 

 

270

 

Cudi! Si njerëz, mbledhur në pazar,

Ca poçe bisedonin plot me zjarr;

Dhe befas një prej syresh pa durim:

"Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?"

 

 

 

271

 

Një tjatër tha: "Ah, punën e dëfteu

Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu:

Pra, duke qenë një Krijesë Dheu,

Andej na mori dhe andej na ktheu!"

 

 

272

 

Një tjatër tha: "As foshnja pa gjykim

S'e thyen enën që i dha dëfrim:

Qysh pra Ay që na krijoi me mall

Po na dërmon, na çqyen me tërbim?"

 

 

273

 

Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi

Një poçe e shëmtuar dhe pa soj:

"Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej

Ustajt të vëngër dora, kur m'artoi?"

 

 

274

 

Një tjatër tha: "Na trëmbin me kazan,

Me Ferr e furr; e Djall me katran,

Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka!

Se Zoti ka Mëshir' e ka derman!"

 

 

275

 

Një tjatër Poçe tha me psherëtim:

"Mua më latë fare në harrim;

Po lagmëni, vaditmëni me Verë,

Dhe ja, e mblodha veten pa vonim".

 

 

276

 

Edhe kështu kur Poçet bisedonin,

Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin;

Dhe thirrë pasandaj me brohori:

"Vjen një Saki!" dhe Verën lavdëronin.

 

 

277

 

O Zot, O Drit' e Vetëm e Vërtetë,

Më lumtërofsh a më dënofsh përjetë,

Me Ty kungoj më mirë në Tavernë:

Se në Xhami s'të puth - e s'rri dot qetë.

 

 

278

 

E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu

Burimn' e Jetës q'ëndërroi njeriu

Dhe ma tregoi: tani s'i çkulem dot!

Ver' e Pavdekësisë më përpiu!

 

 

279

 

Këtu paraja kallpe nukë shkon,

Se menjëherë fshesa e spastron;

Një Shenjt na thirri në Tavernë: "Pini!

S'ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!"

 

 

280

 

Në Jetë si mi Detin udhëtojmë

Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë:

Po kemi Zotin midis nesh sa herë

Me Verën e bekuar po kungojmë.

 

 

 

281

 

S'do Trëndafili? - Gjëmbin prap' e kemi;

Parajsa s'qas? - Në Ferr të lirë vemi:

Cfryn Minareja - Ja, gjëmon Këmbana,

N'Alltar Kungata pret në re prej kemi!

 

 

282

 

Më thoni që do t'digjem në Skëterrën,

Se adhurova Dashurin' e Verën:

Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës,

Unë kam dy: Kungatën edhe Verën.

 

 

283

 

Një plak të shenjtë, t'urt' e mjekërgjatë

Kam parë që vraponte që menatë;

I thashë: "Ku po shkon kështu, Uratë?"

Më tha: "N'Alltar për Mesh' e për Kungatë".

 

 

284

 

Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur,

Me Këng' e Valle në Gërmadhen mbledhur,

Kungojm' e puthemi me Dashuri,

Përsipër Fes' e Qiellit jemi hedhur.

 

 

285

 

Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini!

Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini!

Se Vreshta tha: "Ky është Gjaku im,

Q'u derth për ju! Kungoni: merrni pini!"

 

 

286

 

Mystikërisht me frikë iu afruam

Me Bes' e Shpres' e Dashuri kunguam:

Nga Vetja ikm' u tarm' u transformuam,

Në Vreshtën e Vërtet' u transplantuam.

 

 

287

 

Te Shpell' e Shenjtë, natën, nga Alltari

Një Engjëll dolli me stoli prej ari,

Ngre lart Kungatën Vresht' e Xhevair,

Ma zgjat - fjesht Rrush! - Puth Qiellin mëkatari!

 

 

288

 

Rrush, Ver' e kuqe, si rubin që rrjeth,

Që qesh nga gryk' e shishes kur të derth,

Je gjak i zemrës që kërkon Clirim,

Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth.

 

 

289

 

Rrush, Rrush, që me Logjikë absolute

Të gjitha sektet nëpër vrima i fute,

Rrush alkemist, që pistën na e zbardhe

Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute.

 

 

290

 

Rrush, o Sulltan Muahmud, o Ngadhënuar,

Ti helmet e ti tmerret ke larguar

Nga shpirti yn' i ngrysur e i ndryshkur,

Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar.

 

 

291

 

Na fryn në zemër gas e ngrohtësi,

Na thurr mbi krye drit' e bukuri,

Na çkul nga dimr'i djeshm' e brym' e pritme,

Na thyen hekurit, na fal Liri.

 

 

292

 

Sëlargu shtaz' e ndyrë u afërua,

Sytym, xhybekatran, as burr' as grua,

Na tha: "Vera prej Dinit u ndalua!"

Na theu Poçen dhe u shenjtërua!"

 

 

293

 

Mor Hoxh' i egër, ma mbaro qërtimin,

Mos m'ulëri në dasmën dhe dëfrimin:

Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin,

Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin.

 

 

294

 

Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro,

Beko pa folur, mos më prediko:

Un' ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër,

Se je i vëngër, sytë çap shëro!

 

 

295

 

E ëmbël është Vera me Dolli,

E ëmbël është Harpa, Vallja me Huri:

I ëmbël është çdo besnik që s'pi

Kur lark një mijë parasanga rri.

 

 

296

 

Me etjen Tavernarin e gëzoj

Dhe supet me mëkate i ngarkoj:

Kështu Mëshir' e Zotit hyn në punë,

Se myshterinjtë gjithënjë ia shtoj.

 

 

297

 

Lus Verën, jam pijanik: po, ashtu jam!

Pagan e heretik: po, ashtu jam!

Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s'jam!

I Vetes jam besnik: po, ashtu jam!

 

 

298

 

Kam parë një heremit pa Ligj' e Fe,

Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe;

E njoha dhe pyeta duke qarë:

Më trim se ky, o Zot, a pe?

 

 

299

 

Të vjetrit shok' e miq më neveritnë,

Të rinjt' prapë të vjetrat përsëritnë:

Tani kam hequr dorë nga çdo mik;

Kurrë Besnikë miq mi Dhe s'u rritnë.

 

 

300

 

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,

Hap sytë! t'ësht' armiku m'i pabesë:

Miq mos kërko në turmën posht' e lart;

Të puthi kush? - Largohu pa vonesë!

 

 

 

301

 

Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë;

Vrerin që s'ka shërim e pi si burrë:

Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht;

Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë.

 

 

302

 

Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi,

Dhe intrigant, kur rron në vetëmi:

Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli,

Më mirë mos u njih, mos njih njeri.

 

 

303

 

Mos qas veç shokë t'Urtë në shtëpi,

Largohu nga të marrët pa kufi:

Kur t'ep i marri mjaltë hidhe tej,

Kur t'ep i Urti vrer, e merr, e pi.

 

 

304

 

Të marrët, të stolisur, syverbuar,

Që kurrë me kandilin e pashuar

S'kanë kërkuar natën Drit' e Shkencë,

Asnjë të Madh s'na lanë pa çnderuar.

 

 

305

 

Rrëmbyen mall, memuriet e ar

Dhe t'Urtin plak e t'urët shkencëtar

E quajnë Gjaur, se s'beson prralla,

Se s'qas mi supet, si ata, samar.

 

 

306

 

Cudi, që parësi e titulluar,

Nga skllavëria kalbur, shtazëruar,

Kur shohin një të varfër po të lirë,

E quajn' a t'marr' a të mallkuar.

 

 

307

 

Nga Bot' e Lartë një Myster m'u zgjidh;

Me ty, Njeri, Krijes' e tër' u thith:

Je djall a ëngjëll, shtaz' a lule e pisë;

Je ç'dukesh; pamja me çdo gjë të lith.

 

 

308

 

Njeriu qënka thelb'i Gjithësisë

Dhe drit' e syrit t'madh të Perëndisë:

Qarku i Qënies qënka si Unazë

Me vulë xhevair; e Njerëzisë!

 

 

309

 

Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar

Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar:

Kështu në syt' e Perëndisë jemi

Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar.

 

 

310

 

Te Bot' e murme dhe e trumbulluar

Dy farë shtazësh janë lulëzuar;

Ata që paskan çdo gjësent zbuluar

Dhe sa s'të kanë asgjësent mësuar.

 

 

 

311

 

Ari s'lint Mënt, po Mënt që bukë s'kanë

Në Kopsht të Dheut qajnë si n'hapsanë:

Qesh Trëndafili se ka qesen plot,

Kur Vjollc' e vafër kokën var mënjanë.

 

 

312

 

A dini pse Zambakun dhe Selvinë

I quajmë symbole për Lirinë?

Kjo një qint duar ka, po s'vret e s'vjeth,

Ay me dhjetë gjuhë, s'e kafshon njerinë.

 

 

313

 

Më mirë bukëthat' e rrobëçquer

Me ujë rro, i lirë, poçethyer,

Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer

A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer.

 

 

314

 

Mos e përdor për shtypje zgjuarsinë,

Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:

Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme,

Goditje prit, po mos godit njerinë.

 

 

315

 

Lakmim' i Trupit ngjan me qen të lik,

Që leh pa funt e gjumin na e fik:

Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur,

Na çjerr, na copëton si ujk armik.

 

 

316

 

Në leqet e ambicjes mos u zir,

Nga thonjt' e avaricjes mos u çirr;

I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt' u prir,

Si pluhër n'erë mos u drith, u tir.

 

 

317

 

Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni

Me burrëri dhe dinjitet qëndroni:

Përballni dhe armiq si Rustem Zalli,

Nga miq si Taj dhurata mos pranoni.

 

 

318

 

Harxhova jetën kot nëpër këneta

Dhe asnjë pikë lumturie s'gjeta:

Tani kam frikë se u mplaka, shkoj,

E s'provoj dot si duhet rrojtur jeta.

 

 

319

 

Ah, nesër Botën plot shamat' e lashë,

Nga qindra xhevahire njëz' i dhashë:

Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,

Se nuk' i merrte vesh kjo Bot' e trashë.

 

 

320

 

Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë

Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë;

Asnjë s'kam zgjidhur prej Enigmave;

Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.

 

 

 

321

 

Ah, nesër Fati do të na gremisë

Dhe çdukemi nga Kopsht'i Dashurisë:

O Vajzë, sillmë Ver' e lagm' e puthmë,

Dhe prapë nem gëzimn' e djalërisë.

 

 

322

 

O Hën' e shpirtit tim e pavenitur,

Ja, Hën' e Qiellit del nga ret' e ndritur:

Sa herë do të dal' ajo si sot -

E kot në kopsht për ne ka për të pritur!

 

 

323

 

Tavern' e Shenjtë na u çthur me vrima,

Veriu vërshëllen, na grin thëllima:

Ma bëni baltën tulla e m'i mbyllni

Të mos më ngrijnë Verë shokët trima.

 

 

324

 

Për Vdekjen s'dridhem as derth fare lot;

M'e mirë gjë në Botë s'gjendet dot:

Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot

Më kot ma dha - e un' ia kthej më kot.

 

 

325

 

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;

Se sy e shpirt m'u tretnë me vajtim:

Më keq se sa kam vojtur në Ferr s'ka;

S'dua Parajsë! S'dua veç harrim!

 

 

326

 

Miq, shpresa, Qiell' e Tok' e Djaj më lanë,

Zi brënda, lart' e posht' e anembanë:

Veç Verës s'më ka mbetur tjatër mik,

Dhe dua dhe në Varr ta kem pranë.

 

 

327

 

Me Verë, kur t'ap shpirt, kungomëni,

Në Verë lamëni, bekomëni,

Me fletë Pjergulle pështillmëni,

Në kopsht me Këng' e Rrush mbulomëni.

 

 

328

 

Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi

Varrin stolismani, qëndismani:

Rreth meje buzëqeshur shtrihuni

Spërkatmëni me Ver' e pihuni!

 

 

329

 

Te Varri im me Ver' e Rrush të shirë

Tym, afshe të lëshojë si një Tirë

Sa kur të shkojë Mysliman' i mirë

Si në pusi të dehet i papirë.

 

 

330

 

Dhe kur të shkosh, moj Dor' e këmb' argjënde

Për të gostitur miqtë në ato vënde,

Ku pinim bashkë, e t'arrish ku rri,

Mos psherëti! - po zbrasmë Kupën tënde.

 

 

331

 

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi

Dhe kur të bëhem prapë Balt' e Hi,

Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli -

Dhe shihni po s'u ngjalla përsëri!

 

 

Share this post


Link to post
Share on other sites

Join the conversation

You can post now and register later. If you have an account, sign in now to post with your account.

Guest
Reply to this topic...

×   Pasted as rich text.   Paste as plain text instead

  Only 75 emoji are allowed.

×   Your link has been automatically embedded.   Display as a link instead

×   Your previous content has been restored.   Clear editor

×   You cannot paste images directly. Upload or insert images from URL.

Loading...
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...