Jump to content
Veriu Forum

AAAA

Antare
  • Content Count

    145
  • Joined

  • Last visited

Everything posted by AAAA

  1. Frang Bardhi (1606 - 1643) Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: "Fjalori latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII. Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit. Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe. Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …" Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë. Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave. Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare. Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore "Fjalorin latinisht-shqip„ dhe "Apologjja e Skënderbeut„. "Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte "…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë. Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe. Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër. Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : "Tek shkel turku, nuk mbin bar„ etj. Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre. Vepra tjetër e njohur e Bardhit është "Apologjia e Skënderbeut", botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: "Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit". Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik. Këtë falsifikim Bardhi e quan të "kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t'i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t'i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës "Unë e mora përsipër këtë barrë, - thotë Bardhi, - jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu (lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s'ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema". Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t'i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit. Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit. "Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, - shkruan autori, - bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin "Kuçedra e Arbrit", d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu". Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII. Parathënia e "Fjalorit" të Frangut të Bardhë ( 1606 - 1643 ) : (Fragment) Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, q* po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne q* janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si duhetë paa të madh error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, q* tjetër s'ashtë veçëse nja librë, q* kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7) posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjera kafshëve(8), q* gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet... I silli librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9). Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10) e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata q* xanë, me vonë mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), q* kanë zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu q* ata q* të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maa udob(20) t'u vinjë ... ... Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee. Shënim : "Parathënia ..." është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit. Sqarime : ( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend,menduar. ( 2) Qish, çfarë. ( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha. ( 4) Error, it. gabim, ( 5) Hesaapetë, tq. konceptet. ( 6) Mëndy, m'u duk. ( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend. ( 8) Kafshëve, sendeve. ( 9) Të moritunë, të pakë,të dobët.Lurij,(Loreto),qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin,B. e filloi duke qenë akoma nxënës. (10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë ("Propaganda Fide"). (11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që lojtën rol me rëndësi në kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII. Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë. (12) Nsi, prej tij. (13) E solla, s përktheva. (14) Hina tue kujtuem, u vura të mendoj. (15) Të falunazë, përdhëndetje. (16) S'të këtje, së afërmi. (17) Përgjat, pranë,përkrah. (18) Ani, pastaj. (19) Fëdigenë, lodhen,përpiqen. (20) Udob, lehtë.
  2. Lekë Matrënga ( 1560 - 1619 ) Lekë Matrënga (1567-1619), njihet në italisht si Luca Matranga. Ai ishte nje klerik Orthodox i komunitetit te Italo-Shqiptareve ne Sicili. Ai ishte gjithashtu autori i nje prej veprave me te njohura te letersise se vjeter shqiptare titulluar "E mbsuame e krështerë", Rome 1592 (Doktrina Kristiane). Ky ishte perkthimi nga latinishtja i nje katekizmi me 28faqe. Hyrja e vepres se Matrëngës eshte ne italisht, ndersa vete katekizmi, pra mesimet e doktrines se kishes ne formen e pyetjeve dhe pergjigjeve si dhe nje poeme me tete vargje jane ne shqip. Këngë e përshpirtëshme Gjithëve thëres,kush do ndëlesë, të mirë të krështë,burra gra, mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë, se s'ishtë njerii nesh çë mkatë s'kaa; e lum kush e kujton se ka të vdesë, e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa, se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë, e bën për bijr të tij e për vëlla. (1592)
  3. AAAA

    Gjon Buzuku 1555

    Gjon Buzuku Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare. Veprat në gjuhën shqipe gjatë shekujve të parë të pushtimit osman janë të pakta. Më e vjetra prej tyre që ka mbëritur deri në ditët tona, është "Meshari„ i Gjon Buzukut (1555). Kush ishte autori, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigjje të plotë. ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit. Gjon Buzuku ishte një prift katolik, një famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Siç na thotë vetë, veprën e filloi më 20 mars 1554 Dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj nuk del e qartë. Libri, ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera nëpër mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Është kjo një fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi dot. Ndoshta, po t'a kishte kopertinën ose edhe faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qenë në listën e atyre librave që kane qenë ndaluar nga kisha katolike e Romës. Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar. Kjo , ndoshta është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në një kopje, të fshehur e të harruar që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit. Kopja që gjendet, me sa duket ka qenë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket , e kanë pasur nëpër duar. Përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare. Përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për disa disa tinguj të shqipes, si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i ka gjuha latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorët pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Jemi në kohën kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizja që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo është në kundërshtim me urdhërat e Vatikanit. Nga ato që thotë në pasthënie, duket se Buzuku nuk hyri rastësisht në këtë rrugë. Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për t'i vënë fre islamizmit të popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare. I ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës qe besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare. Nga ana tjetër, si atdhetar, ai desh të bënte dicka për popullin e vet dhe është i vetëdijshëm se me punën e tij do t'i shërbente popullit të vet, jo vetëm për të dëgjuar e kuptuar përmbajtjen e disa ceremonive kishtare, por edhe se ajo përbën pikënisjen e shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave shqiptare. Me veprën e tij ai mundohej të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por është edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim. Këto probleme e kanë munduar për një kohë të gjatë autorin, prandaj ai shkruan në pasthënie <<…U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nse shkruomit shenjtë, nse dashunit nse botëse, sanë, desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglojinë …>> Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, pra ky ka qenë edhe njeri nga qëllimet për të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara. Në Mesharin e tij gjendet dhe kjo lutje që nuk gjendet në asnjë meshar të botës: Gjithë popullsinë e krishtene, ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut. Nga të gjitha këto del qartë se me veprën e Buzukut kemi një vazhdimësi të kulturës shqipëtare dhe në kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë që te humanistet u përfaqësua me vepra kryesisht në gjuhën latine, që ishte gjuha e kulturës së kohës dhe që u pasurua më vonë me veprat e Budit, Bardhit, Bogdanit et , në gjuhën shqipe. Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj Meshari ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides afër Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull deri më 190 , kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi po jo më në Biblotekën Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit, në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare. Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Cabej, bëri një botim shkencor të veprës së Buzukut, duke e shoqëruar me një studim më të gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. Gjuha e pasur e librit dhe drejtëshkrimi përgjithësisht i ngulitur dëshmojnë se kjo vepër duhet te jetë mbështetur në një traditë të mëparshme të shkrimit të shqipes kishëtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi vendi ynë, me sa duket e kanë marrë me vehte. Por edhe libri i Buzukut krijoji padyshim një traditë për autorë që erdhën pas tij. Të shkruaje në shqip një libër fetar në një kohë kur kjo gjuhë nuk ishte lëvruar si gjuhë kulture, nuk ishte e lehtë. Buzuku ia doli mbane veç të tjerash edhe pse shfrytëzoi pasurinë e gjuhës pupullore si dhe mjaft fjalë të lashta, që ndoshta, i përkisnin traditës së shkrimit të shqipes para tij. Gjuha e veprës ka në bazë të folmen e Shqipërisë Verilindore, por të bie në sy përpjekja për ta ngritur atë mbi dialektin nga është nisur. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare, të një proze me vlera letrare, që dallohet për mjeshtërinë e përdorimit të fjalës, dhe sigurinë e ndërtimeve gjuhësore pak a shumë të qëndrueshme. Meshari i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, vërehen zhvillime të ndryshme që ka pasur gjuha jonë që nga shekulli XVI e deri më sot, gati për pesë shekuj. Pasthënia e "Mesharit" të Gjon Buzukut (1555) : U Donih Gjoni,biri hi Bdek(1) Buzukut, tue u kujtuom(2) shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom(3) ensëh shkruomit shenjtë(4), ensëh dashunit(5) sëh botësë sanëh(6), desha me u fëdigunëh(7) për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh q* t'eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh(8) saa hi naltë e hi mujtunë(9) e hi përmishëriershim(10) anshtë Zotynë atyneh q* tah duonë em gjithëh zemërë. U lus enbas sodi maa shpesh të vinih em kishëh, përseh ju kini meh gjegjunë(11) ordhëninë e Tinëzot. E atëh nëh enbaroshi(12), Zotynëh tëh ketëh mishërier enbii juu, e atah q* u munduonëh dierie tash maa mos u mondonjënëh.E ju t'ini tëh zgjiedhunitë e Tinëh Zot, e përherë Zotynë kaa meh klenëh me juu: ju tueh endiekunë tëh dërejtënë e tueh lanë tëh shtrenbënë; e këta(13) ju tueh baam,Zotynë ka me shtuom endër juu,se tëh korëtë tajh(14) tëh englatetëh(15) dierie ensëh vjelash, e të vjelëtë dierie ensë enbiellash. E u' maa due tëh enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tueh përqyem. Endëh vjetët MDLIV njëhzet dit endëh mars zuna enfiill e enbarova endëh vjetët MDLV, endëh kallënduor V dit. E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem(16), u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih q* tëh jetë maa hi ditëshim seh u', atah fajh e lus tah trajtonjëh(17) endë e mirë. Përseh nukë çuditëm seh në paça fëjyem,këjo tueh klenëh maa e para vepërë e fort e fështirëh për tëh vepëruom enbëh gluhët tanëh. Përseh mund mund e qëllonjinë(18), se fajh të mos banjinë; përseh përherë ëndajh tah nukë mundëh jeshëh u' tueh enbajtunëh njëh klishëh enbëh të dyy anët mëh duhë meh shërbyem. E tash u jam enfalëh gjithëveh, e lutëni Tinëh Zonëh endeh për muoh. Shënim : "Pasthënia ..." është nxjerrë nga fotokopja e origjinalit,që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë. Origjinali gjindet në bibliotekën e Vatikanit,Romë,me këtë shënim katalogu : R.G. Liturgia III,194. Kjo pasthënie është i vetmi dokument (deri me tani) që na mëson se kush qe autori i librit dhe kur u përkthye e u botue ky libër. Sqarime : ( 1) Bdek, Benedekt. ( 2) Tue u kujtuom, tue kujtue, tue sjellë në mend. ( 3) Të endigloum, që kupton. ( 4) Ensëh shkruomit shenjtë, prej shkrimit të shenjtë, prej librave fetarë, ( 5) Ensë dashunit, prej dashurisë. ( 6) Botësë sanëh, gjindjes, popullit tonë. ( 7) Me u fëdigunëh, me u mundue, lodhë. ( 8) Tëh mundëh mernëh, të mund të marrin me mend,të marrin vesh. ( 9) Hi mujtunë, i fuqishëm. (10) Hi përmishëriershim, fort i mëshirueshëm. (11) Meh gjegjunë, me gëgjue. (12) E atëh nëh enbaroshi, e taë punë në e bëfshi,e në veprofshi kështu. (13) Këta, këtë,këtë gjë. (14) Tajh, tuaj. (15) Tëh englatetëh, të zgjatet. (16) Fëjyem, gabuar. (17) Tah trajtonjëh, ta ndreqë.Tueh klenëh etj.:kuptohet që kjo është e para vepër që përkthen Buzuku; mund të nënkuptohet edhe se ai nuk njeh tjetër vepër të përkthyer para tij. (18) Nukë mund e qëllonjinë etj., nuk mund t'ia qëllonin aq mirë punës sa të mos bënin gabim.
  4. Marin Barleti (1460-1513) -------------------------------------------------------------------------------- Historiani i shquar Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun "nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s'mund të shkruaj pa lot në sy". Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë". Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben. Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar. Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre. Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti. Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë. Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë. Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar - e tillë të mbetet në mendje figura e heroi , skalitur si me daltë nga pena e Barletit. Në veprën "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut„ autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve. Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër historiografisë për Skënderbeun do t'i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t'a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike. Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë. -------- Humanist i shquar, historian, i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare. Për jetën e tij dihet fort pak. Lindi në Shkodër, përjetoi, ende i parritur, rrethimin e parë osman të qytetit, ndërsa në rrethimin e dytë, më 1478-79, mori pjesë me armë në dorë në mbrojtjen e vendlindjes. Pas rënies së Shkodrës jetoi në mërgim si prift në trevat venedikase. Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkruajti veprat e veta. Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës. Prej Marin Barletit njihen tri vepra; Rrethimi i Shkodrës (De obsidione Scodrensi, Venedik 1504) jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Vepra pati tre ribotime latinisht dhe 5 përkthime në gjuhë të tjera. Vepra madhore e Marin Barleti është Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510). Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për «Ç'ka ngjarë në shek.XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria jonë, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera». Shkurtore e jetës së papëve dhe perandorëve (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venedik 1553) është vepra e vetme e Marin Barleti që nuk ka të bëjë me historinë Shqiptare, përveç parafjalës-kushtesë për Pjetër Engjëllin, një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, i cili e pat nxitur dhe ndihmuar autorin në punën e tij. Vepra i përket Marin Barleti vetëm për pjesën që arrin deri në vitin 1512, kurse vazhdimi është prej një dore tjetër. Është pikërisht kjo datë që na lejon të caktojmë datën e vdekjes së Barletit rreth këtij viti. Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barleti qëndrojnë si një burim i dorës së parë e i pazëvendësueshëm për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore. Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorësot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrësesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barleti si burim. Koncepti i lartë i Marin Barleti për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t'i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t'i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit. «Historia e Skënderbeut» e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë.
  5. Mafia shqiptare dhe ajo shqipfolese PARATHENIE Nuk mund ta thjeshtojme fenomenin mafioz italian vetem te "Cosa Nostra". Sidoqofte, eshte e rendesishme te ndajme mafian shqiptare nga ajo shqipfolese, e cila eshte nje dege e saj. Termi i mafias shqipfolese nuk ka te beje me nacionalitetin e anetareve te saj, por me perkatesine e komunitetit. Zona e ngulimit te shqiptareve ne Ballkan perfshin sigurisht Shqiperine (3 milione banore), por gjithashtu Kosoven (1,8 milione shqiptare), pjesen perendimore te Maqedonise (500 000 shqiptare) dhe jugun e Malit te Zi (50 000 shqiptare). Organizata te ndryshme kriminale te perbera nga shqiptaret jane aktive edhe ne zona te tjera ballkanike, sikurse edhe ne gjirin e diasporave te shumta shqipfolese te vendosura ne Evrope dhe ne Ameriken e veriut. Disa prej tyre, vecanerisht ne Kosove paraqesin karakteristika te pamohueshme mafioze per sa u perket lidhjeve, pushtetit ekonomik dhe depertimit ne politike. Kjo analize eshte mbajtur per mafian shqiptare, pjeset e tjera te mafias shqipfolese jane trajtuar vetem ne bashkepunimet e shumta qe kane pasur me te. HYRJE Deklarata politike te bujshme, arrestime ne seri, pushime masive nga puna te funksionareve te korruptuar, shkaterrime te rrjeteve kriminale, nxjerrja e ligjeve rrenjesore: perballe krimit te organizuar shqiptar, qeveria "Berisha", e zgjedhur ne korrik 2005, duket sikur ka marre me vendosmeri nje qendrim te kundert me ate te paraardhesit te tij. Energjia qe karakterizon kete lufte eshte inkurajuese. Ajo nuk mjafton, megjithate te le te mendosh se mafia shqiptare eshte ne rrezik. Per te crrenjosur kete organizate kriminale do te duhet padyshim te bashkohen te gjitha forcat politike, policore dhe ushtarake per shume vite me radhe. Mafia shqiptare eshte nje shoqeri kriminale sipas kuptimit te fjales. Para se gjithash eshte nje ndermarrje, fuqia financiare e se ciles mbeshtetet ne rentabilitetin eksponencial te trafiqeve te ndryshme. Eshte gjithashtu nje komunitet njerezor, pushteti i te cilit ushtrohet ne te gjithe vendin. Jo tek optimizmi qe ngjallin, por tek efektet reale te fuqise dhe pushtetit, duhet te perqendrohen analizat e ndryshimeve qe ka pesuar mafia shqiptare nga viti 2005. FUQIA KRIMINALE Fuqia e mafias shqiptare mbeshtetet te perfshirja ne trafiqe te ndryshme Bazat e fuqise se mafias shqiptare • Trafiku i heroines Me shume se 90% e heroines, qe konsumohet ne Evropen Perendimore, prodhohet ne zonat pakistano-afgane. Nje pjese e madhe e droges kalon nga magazinat e mafias turke, pastaj ndjek dy rruge: "Rrugen e veriut", per ne Evropen Qendrore dhe "Rrugen e jugut", rrugen e Ballkanit, qe shperbehet ne shume itinerare. Pozita e Shqiperise ne itinerarin e jugut te rruges se Ballkanit e ben kete vend nje dalje te pashmangshme te flukseve te heroines drejt tregut evropian. Kanali i Otrantos kapercehet per 1 ore e 30 minuta me motoskaf. Dhe rreth nje e treta e heroines qe vjen nga Ballkani kalon nga Shqiperia. Kalimi Roli kryesor i mafias shqiptare ne trafikun e heroines eshte ta transformoje kete potencial gjeografik ne nje mjet krimi. Ne fakt, klanet shqiptare e kane shnderruar bregdetin e vendit ne nje gllavine kriminale te perkryer. Terminalet kryesore te saj jane porti i Durresit dhe ai i Vlores, me destinacion bregdetin italian. Klanet mafioze e fusin drogen ne territorin shqiptar, duke u mbeshtetur te korrupsioni i humnershem i doganave dhe bashkepunimi i ngushte me deget e tjera te mafias shqipfolese. Nje nga itineraret kryesore te importimit te heroines, pershkon qytetet e Maqedonise, te mbajtura nga mafiat lokale, kryesisht te grupuara ne gjirin e ish-brigades Ushtria Clirimtare Kombetare. Ky kalim behet vecanerisht ne korridorin kriminal te lugines se Tetove-Gostivar-Diber, pa hasur asnje rrezik nga forcat policore maqedonase dhe shqiptare, qe nuk e bezdisin aspak trafikun. Korrupsioni ne dogana dhe forcat policore shqiptare i lejojne transportuesit e droges te pershkruajne vendin nga cepi ne cep, deri ne bregdet dhe te ngarkojne heroinen neper skafe apo kamione qe transportohen me traget. Kushtet e mira te dorezimit te heroines ne Itali sigurohen nga bashkepunimi i mafias shqiptare me nje nga mafiat me te medha italiane "Sacra Corona Unita". Kjo mafia pret drogen dhe merr persiper ta shoqeroje ne rrugen evropiane, duke bashkepunuar me organizata te tjera rajonale. Shperndaresi Pertej ketij roli kryesor, mafia shqiptare eshte nje shperndares i madh i heroines ne tregun evropian. Deget kosovare te mafias shqipfolese mbajne prej disa vitesh shitjen e heroines ne vende te ndryshme evropiane, si ne Zvicer dhe Austri. Duke bashkepunuar me kusherinjte, apo duke ushtruar force, mafia shqiptare merr pjeset me te medha ne kete beden te shperndarjes ne Gjermani, Belgjike dhe Britanine e Madhe, duke iu kundervene dhunshem mafias turke. Trafiku i qenieve njerezore Kalimi Perfshirja e mafias shqiptare ne trafikun e emigranteve klandestine drejt Evropes Perendimore eshte e hershme. Qe ne fundin e eres staliniane (1992), qindra mijera shqiptare u larguan nga vendi me ane te anijeve te improvizuara dhe zbarkuan ne brigjet e Pulias, rremujshem. Shume shpejt ky emigrim ra ne dore te "Sacra Corona Unita", qe u siguron anije te shpejta rrjeteve kriminale shqiptare, qe pergjithesisht perbehen nga doganiere dhe police. Ky aktivitet i mafias shqiptare eshte perforcuar vazhdimisht. Para se gjithash duke perfituar nga bashkepunimet e vena ne dispozicion nga "Sacra Corona Unita" me organizata te tjera, sidomos kineze, turke dhe kurde. Por, gjithashtu, duke perfituar nga gjendja ne te cilen ndodhej vendi, pas skandalit te piramidave ne vitin 1997. Dhjetera mijera persona te shkaterruar nga ky mashtrim financiar u larguan nga atdheu i tyre, te shoqeruar nga nje numer qe sa vinte e shtohej shqiptaresh te frikesuar nga kaosi ekonomik dhe pasiguria qe mbizoteronte ne vend, kryesisht ne Vlore dhe Tirane. Mafia shqiptare siguron sot kalimin e dhjetera mijera emigranteve klandestine qe vijne nga e gjithe bota dhe i drejtohen Evropes Perendimore. Me rreth 900 euro per person, vetem ky trafik i siguron - ne minimum - te ardhura vjetore prej dhjetera milione eurosh. Pike se pari, ky aktivitet zhvillohet ne rruge detare, duke lidhur mafian shqiptare me mafiat italiane. Se dyti, trafiku i qenieve njerezore i praktikuar nga mafia shqiptare mbeshtetet te bashkepunimi i ngushte me klanet kosovare te mafias shqipfolese. Sic eshte treguar edhe ne harte, perdorimi i Kosoves si platforme import-eksporti kriminal u jep ketyre te fundit nje aftesi per t'i furnizuar mafias shqiptare emigrante nga e gjithe bota. Duhet thene se klanet kosovare punojne gjithashtu per organizata te tjera rajonale, sikurse edhe per llogari te tyre. Bleresi Objektin e trafikut e perbejne dy kategori qeniesh njerezore. 1) Emigrantet vullnetare, kryesisht burrat, qellimi i te cileve eshte te punojne klandestince. 2) Emigrantet e detyruar, kryesisht femijet dhe grate, te prirura per t'u prostituuar, ndersa femijet i detyrojne te lypin ne Evropen Perendimore. Mafia shqiptare nuk largohet nga roli i saj i pare ne trafikun e qenieve njerezore. Eshte nje nga bleresit me te medhenj te kategorise se dyte te emigranteve klandestine. Deri ne fillim te viteve 2000, klanet mafioze shqiptare rrembenin ose mashtronin kryesisht grate shqiptare, kosovare dhe maqedonase te destinuara per tregun e prostitucionit. Qe prej asaj kohe zoterojne gra joshqipfolese te blera nga organizatat kriminale te Evropes Juglindore dhe Qendrore, kryesisht bullgare, boshnjake, rumune, moldave dhe ukrainase. Shperndaresi Mafia shqiptare zoteron gjithashtu fazen e mbrapme te trafikut te kesaj kategorie emigrantesh, sikurse edhe ka nen kontroll prostitucionin ne shume vende evropiane. Nje numer i madh prostitutash punojne per tutore shqiptare, qe operojne ne vende te ndryshme te Evropes Perendimore dhe u sjellin fitime te majme. Me shume se 30000 ne Itali, disa mijera ne France, dhjetera mijera ne Gjermani dhe Britanine e Madhe. Trafiqe te dores se dyte Pervec ketyre dy shtyllave te aktivitetit te saj, mafia shqiptare eshte e fuqishme edhe ne trafiqe te shkalles se dyte. Trafiku i hashashit Deri para pak kohesh, mafia shqiptare ka qene nje aktor i paneglizhueshem i trafikut te hashashit drejt Evropes Perendimore, edhe pse larg Marokut, Afganistanit, Pakistanit, Indise dhe Libanit. Duke patur shume fusha te mbjella me kanabis ne territoret qe kontrollonin, mafia eksportonte mallin ne Itali me ane te skafeve, ose duke detyruar emigrantet klandestine qe ta transportonin. Duket sikur ky aktivitet ka rene qe nga viti 2005. Trafiku i cigareve Ky trafik nuk eshte aktivitet i mirefillte i mafias shqiptare, roli i se ciles ka qene padyshim te vazhdoje rrugen e krimit te organizuar malazez. Nje trafik i vertete shteti ne Malin e Zi, trafiku i cigareve, drejtohet nga kreret e shtetit qe pasojne njeri-tjetrin me perfshirjen ne dy shoqerite import-eksport te udhehequra nga njerez te pushtetshem, njeri prej te cileve eshte nje shqiptar nga Mali i Zi. Megjithate ky trafik has veshtiresi nga kontrolli i vazhdueshem i rojeve bregdetare dhe i Guardia di Finanza ne trajektoren Bar (Tivar) - Bari dhe ka kerkuar te gjeje zgjidhje te skafet shqiptare. Dhe transferta behet me e sigurt, meqe kane te njejtin partner italian, "Sacra Corona Unita". Trafiku i automjeteve Sipas sherbimeve shqiptare, nje ne cdo tre targa behet pa paraqitur librezen e makines. "Mercedes 190" eshte makina me e perdorur, e sjelle me nje cmim me te ulet se GDP-ja (Prodhimi i Brendshem Bruto) per banor ne Ballkan (2 874 USD) nuk le aspak dyshim per gjeresine e ketij trafiku. Edhe ketu problemi me i madh mbetet perfshirja masive dhe e vjeter e forcave policore, si edhe administrates shqiptare ne trafik. Trafiku i mbeturinave Implikimi i krimit te organizuar shqiptar ne trafikun e mbetjeve toksike eshte i hershem. Modeli ekonomik i ketij trafiku mbeshtetet mbi importimin dhe grumbullimin ilegal te produkteve, ricklimi i te cilave kushton dhe eshte i detyrueshem ne Evropen Perendimore. Qytetet e Durresit, Fierit, Lushnjes dhe Milotit kane pritur qindra ton pesticide me origjine gjermane ne fillim te viteve '90. Ky importim nepermjet mashtrimit ka provokuar probleme shendeti te verejtura te popullsia e ketyre vendeve. Rreziku eshte i madh dhe Shqiperia gjendet sot ne kete levizje te perdorur ne trafikun e mbetjeve toksike, por, para se gjithash te mbetjeve jotoksike. Kjo situate eshte prodhuar nga lidhjet e klaneve kriminale shqiptare me mafian italiane. Cdo vit, keto mafia trajtojne ne Itali 35 milione tone mbeturina te paligjshme - jo te gjitha jane toksike - per nje shifer prej 6 miliarde eurosh. Ky aktivitet eshte nje nga specialitetet e Kamorres, por gjithashtu praktikohet nga "Ndrangheta" dhe nga "Sacra Corona Unita". E gjithe kjo te ben te besosh se keto organizata e shohin Shqiperine si nje potencial zhvillimi te jashtezakonshem per kete aktivitet qe mbeshtetet mbi transportin dhe grumbullimin e mbetjeve ne zona te pakontrolluara nga pushteti politik. Rruga detare kriminale e zgjedhur nga "Sacra Corona Unita" dhe klanet kriminale shqiptare, siperfaqja e nje vendi qe i shpeton cdo lloj autoriteti shteteror real, sikurse edhe padobia e forcave policore, i japin Shqiperise nje interes te padiskutueshem per zhvillimin e kesaj forme te re te aktivitetit kriminal. Trafiku i armeve Vjedhjet sistematike te kazermave, postave te policise, arsenaleve dhe depove te municionit, qe u kryen gjate revoltes se 1997, ka shperndare ne Shqiperi perafersisht sasine e armatimeve te meposhtme: - 2 milione arme luftarake te tipit AK 47 dhe AK 74 (kopje kineze) - 3.5 milione granata dore ofensive dhe difensive -1 milion mina antitak dhe kunder njeriut - 840 000 predha mortaje (te te gjitha kalibrave) - 1.5 miliarde municione te kalibrave te ndryshem - disa qindra kg eksploziv te te gjitha llojeve - disa qindra raketahedhes te tipit RPG - disa qindra mitraloze 14.5 mm - disa dhjetera topa dhe mitraloze kunderajrore - disa dhjetera raketa toke-toke dhe toke-ajer Ndonese ky armatim nuk ra ne teresi ne duart e klaneve kriminale shqiptare, nje pjese e madhe e tij duket se ka qene sistematikisht objektiv i tyre, per t'i shtene ne dore. Ky trafik i ka sherbyer, gje qe nuk mohohet, armatimit te guerilasve shqiptare te Kosoves dhe Maqedonise. Por armatimi shqiptar ka qene perhere objekti i nje tjeter trafiku ne Evropen perendimore dhe ne Greqi. Trafiku i dyte i armeve eshte padyshim me i rendesishmi dhe vazhdon te jete. Italia ze vendin e pare, merr rregullisht qindra arme te lehta dhe dhjetera kilograme eksploziv. Eshte vertetuar se klienti i pare i ketyre armeve eshte "Sacra Corona Unita". Klienti i dyte eshte padyshim banditizmi evropian. Mund te kene lidhje me organizatat e Lindjes se Mesme ose Afrikes se Veriut, por nuk eshte vertetuar. Rendesia e trafikut te armeve, e organizuar nga mafia shqiptare, eshte padyshim per t'u krahasuar me persosmerine e treguar nga organizata te tjera rajonale - sidomos ajo boshnjake - ne kete aktivitet dhe nga afersia e nje zone gri e prodhimit dhe eksportimit te armeve te nje prodhimi me te mire: Transnistria. Mafia shqiptare dyshohet edhe per aktivitete te tjera, sidomos per transformimin e kokaines baze ne kokaine dhe heroines baze ne heroine. Disa laboratore te vegjel u gjeten ne vitin 2000 afer kufirit grek, por asnje informacion nuk u gjet per te faktuar ekzistencen e tyre. Partneret ballkanike, te paret "traqeros" kolumbiane u identifikuan si klane kosovaresh dhe maqedonasish, sikurse organizata kroate, dhe jo mafia shqiptare. Efektet e politikes se qeverise "Berisha" Masat kryesore ne luften kunder mafiasQeveria "Berisha", e zgjedhur ne shtator 2005, ka ndermarre me vendosmeri nje lufte energjike kunder mafias shqiptare, e shprehur ne aksione te ndryshme: Lufta kunder klaneve mafioze Aksionet kunder mafias te qeverise "Berisha" konsistojne para se gjithash ne nje sulm frontal te klaneve kriminale ne Shqiperi. Kjo strategji e luftes me tepri kunder mafias shume shpejt dha rezultate konkrete dhe inkurajuese; ne vend, 12 klanet me te medha u shkaterruan qe ne tetor te 2005. Me shume se 150 anetare te familjeve mafioze u arrestuan gjate ketyre operacioneve te mbeshtetura nga grupet antitrafik te krijuara ne mbare vendin, dhe ekuivalentet lokale te GIR (Grupe te Nderhyrjes Rajonale) franceze. Shifra te tilla perbejne nje risi te pabesueshme para pasivitetit te qeverive te meparshme. Lufta kunder strukturave kriminale u shtri edhe pertej kufijve. Duke bashkepunuar me zyra te Koordinimit Nderkombetar te Ministrise se Brendshme me shume se 90 operacione policie vune ne shenjester klanet shqiptare ne Maqedoni, Itali dhe Turqi. Lufta kunder korrupsionit Aksioni kunder klaneve mafioze shoqerohet ne menyre logjike me nje shkulje te degeve te administrates "te vena ne gjume" nga mafia. Edhe doganat jane mjaft te prekura. Sherbimi i Kontrollit te Brendshem ne Ministrine e Brendshme kreu arrestimin e 43 funksionareve te kesaj administrate qe nga tetori i vitit 2005 deri ne korrik te vitit 2006. Duhet permendur fakti se keto operacione nuk kursyen as policet, komisaret, funksionare te larte te ministrise. Permiresimi i instrumentit te legjislativit Per me teper, nga aplikimi i ligjit te ri kunder krimineleve, qeveria "Berisha" ka miratuar shume ligje dhe amendamente qe te lejojne te jesh optimist ne luften kunder mafias. Modifikimi i pare ka te beje me amendamentin e artikullit 298, te Kodit Penal shqiptar, duke rikualifikuar si krim trafikun e qenieve njerezore, qe me pare konsiderohej si shkelje. Ligji qe e ben te detyrueshme pajisjen me karte identiteti u votua, por zbatimi i tij do te zgjase disa vite. Por, qeveria "Berisha" ka votuar nje ligj qe ndalon per tre vjet daljen ne det te cdolloj skafi. Ai ka hyre ne fuqi qe nga prilli i vitit 2006. Ky ligj godet ne zemer nje nga suportet teknike te trafiqeve qe pershkruam me lart. Rendesia aktuale e planit "Berisha" Energjia me te cilen kryhet kjo lufte, sikurse edhe rezultatet e saj, jane mjaft inkurajuese. Por goditja reale mbi fuqine e mafias shqiptare per momentin duhet te jete e relativizuar. Tri arsye e motivojne kete maturi: Modifikimi i funksionit te kalimeve kriminale Pertej impaktit te tij mbi efektivet mafioze, rendesia reale e te ciles shkon me larg, aksioni i qeverise "Berisha" kunder mafias prek kryesisht funksionin tranzitor te mafias shqiptare, qe eshte e domosdoshme per trafiqet qe pershkruam me lart. Zotesia e mafias shqiptare ne transportin e droges dhe emigranteve drejt Evropes Perendimore preket nga dy ane te ndryshme te planit "Berisha". Lufta kunder korrupsionit veshtireson transfertat permes vendit. Ndalimi i lundrimit te skafeve ve ne rrezik funksionimin e rrugeve detare qe lidhin brigjet shqiptare me ato te Puljas. Perballe kesaj situtate te re, klaneve shqiptare u ofrohen tre strategji: te ndalojne, te vazhdojne duke shkaterruar pengesat, te vazhdojne duke shmangur pengesat. Si cdo organizate kriminale, mafia shqiptare shkon drejt me te thjeshtes dhe me guxim zgjedh opsionin e trete. Po ashtu, edhe krimi i organizuar malazez e praktikon, duke alternuar itineraret logjistike per trafikun e cigareve. Mafia shqiptare perdor tashme portin malazez te Tivarit, si platforme eksporti drejt plazheve qe kontrollon "Sacra Corona Unita". Sepse, ndryshe nga qeveria "Berisha", qeveria e Malit te Zi eshte jo vetem pasive ndaj krimit te organizuar, por edhe bashkepunetore ne kete krim. Sic eshte paraqitur (ne raport), porti i Tivarit strehon skafe ne nje zone te ndaluar per publikun, fillimisht te perdorura per mbartjen e cigareve nga anijet e mallrave drejt mjeteve te kontradandes: trene, kamione dhe motoskafe. Itineraret tokesore jane orientuar kohet e fundit drejt zonave te Shkodres, ne kufi me Malin e Zi dhe historikisht te padepertueshme nga prania e policise, ose kalojne direkt ne Malin e Zi nga Kosova, ne kuadrin e bashkepunimit te mafias shqiptare me klanet kosovare. Drejt nje funksioni te ri shqiptar ne trafikun e heroines: grosiste Nje tjeter zhvillim te ben te mendosh mbi rezultatet reale te masave te luftes kunder mafias, te vena ne jete qe prej shtatorit 2005. Ne fakt, disa muaj para se te zgjidhej Sali Berisha, mafia shqiptare nisi te ngjitej ne nje status te ri ne trafikun e heroines: si grosiste. Ne plotesim te rolit te tyre tregtar dhe shperndares, klanet shqiptare konkurrojne ne menyre progresive mafian turke ne trafikun e heroines. Disa prej tyre jane prezente rregullisht ne zonat e prodhimit ne Pakistan, burime te sigurta flasin per aftesine e tyre per te blere edhe ne Afganistan. I zbuluar ne korrik te vitit 2005, ky zhvillim eshte konfirmuar ne fillim te viteve 2006. Dhe me 18 tetor 2006, ne brigjet e Adriatikut, policia italiane gjeti ne nje kamion te drejtuar nga nje shqiptar, me 19 kg heroine me origjine afgane. Disa jave me heret, nje shqiptar ishte kapur me 700 kg heroine nga policia italiane. Hetimet nxoren ne drite se droga vinte nga Afganistani dhe transportin e kishte marre persiper nje klan shqiptar. Veshtiresite e lidhura me kthimin e rruges detare drejt Italise duhet te kompensohen me perfitimet e shpenguara nga kjo zotesi e re e mafias shqiptare per te zoteruar, si ajo turke, furnizimin e trafikut te heroines drejt Evropes. Zhvillimi i trafiqeve "jashte tokes" Duke ndjekur te njejten logjike, aksioni i qeverise "Berisha" mund te duket i vonuar po te konsiderojme zhvillimin e trafiqeve qe udhehiqen nga klanet shqiptare, larg fushave te saj. Eshte vertetuar se disa klane te medha shqiptare jane aktore te rendesishem te trafikut te kokaines ne Evropen Perendimore, pa kaluar ne Ballkan. Klani i Ilir Kocias - nje nga me te rendesishmit ne Tirane qe operonte edhe me larg - trafikonte kokainen qe nga Holanda deri ne Gjermani, France dhe Itali, duke i udhehequr operacionet qe nga ky i fundit. Perforcimi i krimit te organizuar ballkanas Klanet kosovare dhe maqedonase te mafias shqipfolese, gjithashtu edhe krimi i organizuar malazez, serb dhe boshnjak (si ne federaten kroato-boshnjake dhe ne Republiken serbe) perfitojne nga ky presion i aplikuar mbi mafian shqiptare. Pa dyshim qe te gjithe perfitojne nga perfshirja e tyre ne kete rrjet rrugesh tokesore te heroines dhe te emigranteve drejt Malit te Zi, duke kaluar nga territoret qe kontrollojne. Duke perfituar nga kjo renie e kusherinjve shqiptare, deget e tjera te mafias shqipfolese duket sikur kane marre permasa te tjera nderkombetare. Klanet e shqiptareve te Kosoves dhe Maqedonise kane arritur te pozicionohen ne tregun qe sa vjen e rritet te kokaines, duke vene ne jete trafikun nderkombetar qe nga Amerika e jugut deri ne Greqi. Ne janar 2007, 500 kg kokaine qe vinte nga Venezuela u kap ne piken kufitare te Bllates, ne Maqedoni, teksa po kalonte nepermjet Kosoves. Se fundi, mafia kosovare ka investuar rregullisht ne funksionin e grosistit te heroines, madje edhe me shume se kusherira shqiptare. Keshtu, ne 18 muajt e fundit jane bere shume martesa mes kosovareve me afgane dhe anasjelltas. Lidhjet familjare qe jane krijuar garantojne vazhdimesine e marrjes se dores se pare te heroines. Trafiqet e ndryshme i japin mafias shqiptare nje pushtet financiar. Sigurisht qe eshte e pamundur ta percaktosh me saktesi. Megjithate, mjafton nje shifer per kete pasuri, vlera e droges qe kalon cdo vit ne Shqiperi eshte me shume se 2 miliarde dollare. Qeveria "Berisha" i godet fuqishem te gjitha klanet shqiptare. Efikasiteti i ketyre sulmeve kunder pushtetit te mafias shqiptare prapeseprape eshte i limituar. Disa jave para se te zgjidhej Berisha, dukej sikur oktapodi kishte patur kohe te zhvillonte tentakulat e tij jashte trajektores se qeverise. PUSHTETI KRIMINAL Lufta kunder mafias shqiptare kerkon, jo vetem te luftosh fuqine e saj, por te sulmosh gjithashtu edhe pushtetin qe ajo ka. Sepse mafia shqiptare nuk eshte vecse nje ndermarrje kriminale, sikurse jane shume organizata te tjera te medha kriminale transnacionale. Si homologet e saj italiane, amerikane, turke, kineze, japoneze dhe kusherirat shqipfolese, mafia shqiptare eshte nje komunitet kriminal, rreziku i se ciles qendron ne kombinimin e dy forcave te kunderta: nje strukture e nyjezuar rreth berthamave shume homogjene dhe nje aftesi e forte rrezatimi jashte komunitetit. Forca e strukturave Pas shume vitesh paqartesie, lidhur me pjekurine e klaneve kriminale dhe shume grupeve te njepasnjeshme, tashme eshte e mundur te skicosh nje kartografi te mafias shqiptare. Saktesia e kesaj te fundit pa dyshim qe eshte e perafert. Aktualizimi i punimeve mbi kete mafia nderlikohet nga aksesibiliteti i dobet dhe ndodh rralle te kene informacione per kete pune. Berthamat homogjene Lashtesia eshte nje karakteristike mafioze e perbashket, por jo diskriminuese. "Sacra Corona Unita" eshte shfaqur vetem ne vitet 1970, le te themi shume vite pas triadave te para kineze. Mafia shqiptare eshte pa dyshim me e re se gjithe te tjerat, por si kusherirat e saj italiane, nuk eshte me pak e forte. Kumbara italiane Krimi i organizuar ne Shqiperi u vendos ne 1986, por pa nje fillese te organizuar mbi modelin mafioz. Sepse mafiat italiane dhe sidomos "Sacra Corona Unita" ka favorizuar emergjencen e krimit te organizuar shqiptar dhe ka sherbyer si model ne strukturen e saj. Kjo influence eshte e vjeter dhe ne menyre paradoksale nisi nga diktatura staliniane. Ne fakt, regjimi shqiptar, i asfiksuar dhe ne kerkim te stimujve, i hapi dyert e vendit kesaj mafieje me 1986. Ne ate vit, u nenshkrua nje kontrate nderkombetare qe autorizonte rojet bregdetare italiane te ndiqnin mafiozet ne ujerat nderkombetare te Adriatikut. "Sacra Corona Unita" qe e detyruar te gjente zona te reja qe te perdorte per transport anije apo motoskafe per aktivitetet e saj te trafikut te cigareve. Ne kuader te kesaj, ajo arriti nje marreveshje tregtare me Shqiperine qe te strehonte kete aktivitet ne portet e Vlores dhe Durresit. Keto porte e moren atehere origjinen e rolit te platformave kriminale qe u njihet edhe sot. Ndikimi i mafias italiane u perforcua permes piramidave finaciare, qe u mbollen ne menyre progresive ne Shqiperi ne vitin 1992, perfundimisht per te shkaterruar vendin dhe provokuan kryengritjet KOMUNISTA e vitit 1997. Pertej perfitimeve te nxjerra nga ky mashtrim financiar per pjesen me te madhe te kursimtareve shqiptare dhe diaspores, piramidat kishin si qellim kryesor pastrimin e parave te krimit. Eshte e qarte se "pastruese" te tilla nuk kishin perdorues te vetem klanet kriminale shqiptare, akoma pak produktive. Ato u perdoren gjithashtu nga krimi i organizuar grek. Keto piramida u sherbyen ne radhe te pare mafiave italiane per te pastruar qindra miliona dollare. Mafiat italiane qene te parat qe zbarkuan nje dite ne Vlore, ne uren lidhese per to.Tropizmi shqiptar Shpejtesia e venies ne zbatim u favorizua gjithashtu edhe nga ekzistenca e prirjes se shoqerise shqiptare per te penetruar ne mafia. E para, mes tyre eshte padyshim vendi i shtrirjes se nje klani. Si numer i qarqeve mafioze, shoqeria shqiptare eshte kryesisht klanore. Nese kjo karakteristike maskohet dalngadale ne gjirin e gjenerates se re urbane, nje klan mbetet entitet baze i shoqerise. Lidhja e pare e mundshme mes anetareve te nje klani eshte lidhja e gjakut dhe bazohet te lidhjet familjare biologjike. Lidhja e dyte eshte ajo e zonave. Ajo bashkon ne gjirin e nje klani familjet qe jetojne ne nje siperfaqe gjeografike, qe shpesh mund te jete nje rruge apo disa shtepi. Nje tjeter predispozite mafioze e shoqerise shqiptare qendron te mosbesimi thuajse strukturor i popullsise ndaj shtetit. Per me teper, nga irredentizmi legjendar ilir, shoqeria shqiptare e konsideron historikisht shtetin si nje force detyruese te ushtruar nga pushtuesi apo nga nje diktature e tmerrshme staliniste e Enver Hoxhes, me pas e Ramiz Alise qe i mori frymen vendit per gjysme shekulli. Mafia shqiptare zoteron nje strukture te forte. Duke thyer rregullat shoqerore te paraardhesve, klanet perberese te saj jane homogjene dhe krejt hermetike: kushtet perkatese e bejne ate te padepertueshme nga jashte dhe rreptesia e rregullave te brendshme i ndalon tradhtite. Arkitektura ne rrugen e strukturimit Mafia shqiptare perbehet nga 15 klane, qe disponojne te gjitha bazat territoriale te qendrueshme. Nese Tirana ka numrin me te madh te klaneve, qytetet e tjera jane te prekura nga implementimi mafioz. Struktura e brendshme Struktura e brendshme e nje klani orientohet qarte drejt nje arkitekture te tipit italian. E thene me thjeshte: me kapon (kapo eshte termi i huazuar ne shqip), keshilltaret, kryetaret e grupeve dhe ushtaret. Funksioni i zevendesit te kapos duket se eksizton ne gjirin e disa klaneve te Durresit dhe Tiranes.
  6. Ramiz Alia Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Kalorësve të Lugës së Çorbës së Prishur Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Kalorësve të Lugës së Çorbës së Prishur pranë kazanit të së cilës vihen ende në rresht poolitikanët shqiptarë, që me lugën e çorbës së prishur kanë gjetur ushqimin e tyre politik fillestar. Tashmë çorba e Ramiz Alisë vazhdon të jetë ushqim i përditshëm i kësaj politike e cila e mësuar me ushqimin e dikurshëm nuk po ambientohet dot me kushtet e reja që janë krijuar. Janë këta politikanë që si djaj të vegjël trazojnë dhe mbajnë peng zhvillimin e Shqipërisë. Të helmuar nga çorba e Ramiz Alisë vazhdojnë të vjellin vrerin e tyre mbi kokat e taksapaguesve shqiptarë, popullit shqiptar duke prishur sipas dëshirës së tyre dhe të Mjeshtrit të Madh të Çorbës avenirin e brezave, prespektivën e tyre, duke shkatërruar ekonominë shqiptare dhe duke grabitur çdo qindarkë të mërrë në formë takse nga populli shqiptar. Mbi këta politikanë qëndron Ai Mjeshtri i Madh Ramiz Alia i cili me lugën e tij përzien këtë çorbë që akoma nuk ka dalë nga stomaku i kësaj politike mjerane.
  7. Skënder Gjinushi Hajmalia e Byrosë Politike, tek e majta alla Toni Bler e Edi Ramës Ai mban rekordin e padëshiruar të të qenit i vetmi anëtar i Komitetit Qendror të një partie komuniste që ka qenë në pushtet në Lindje, që vazhdon ende të jetë kryetar i një partie parlamentare, 18 vite pas rënies së Murit të Berlinit. Për këtë Gjinushi është “delja e zezë” e së majtës. Sa kohë që Rama del në krah të Gjinushit, nuk mund të pretendojë se përfaqëson politikën e re, që kërkon të nxjerrë nga politika shqiptare të vjetrit. Se nuk mund të bashkosh në një linjë politike Skënder Gjinushin dhe Ajola Xoxën! Rama do të bënte më mirë sikur në krah të tij, në vend të Gjinushit, të vinte një skelet dinozauri. Kur Gjinushi flet kundër Nanos dhe Berishës, ai të jep më tepër përshtypjen e njeriut që e ndjen se po del nga skena dhe kërkon të tërheqë dhe sa më shumë të tjerë pas vetes.
  8. Edi Rama Lakuriqi i natës që veshi brekët e topolinos Para rreth një viti paraqiti një ekspozitë me piktura të vetat të quajtur “Hartat e mendjes”. Në ato piktura me një kaos ngjyrash dhe vizash, mund të gjesh të vërtetën e ideve të Ramës. I cuditshëm ky Rama. Kur e akuzon Fatos Nanon se tradhëtoi të majtën, duke e ndihmuar Berishën që të zgjedhë Topin President, duket se mendon qëtë tjerët nuk e kuptojnë se Ramës i vjen keq që Nano i bëri pay back Ramës që i ofroi Berishës konsensusin në rast se sakrifikohej Nano. Rama u mburr shumë se do të sillte një politikë të re, duke e quajtur veten një politikan të ri, për nga mosha dhe mentaliteti, si dhe duke thënë se ndjek modelin e Toni Blair. Por duke marrë si nr. 2 të partisë Gramoz Rucin, ish-aparatcikun klasik të PPSH dhe të fundit shef të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist, zbuloi se përtej retorikës së Toni Bair, i gjen më të sigurta metodat saliniste të kontrollit të partisë. Berisha kur e ironizon e quan “Edvin”, por megjithatë, Rama, ashtu si Ndoka ka një enigmë me emrin, se nuk merret vesh nëse emri i tij është shkurtim i emrit “Edvin”, siç e quan Berisha, apo i Eduard, Edmond, Edison, a ku e di unë se çfarë. Se që është shkurtim, për këtë nuk ka dyshim. Nëse do të parafrazoja Taulant Dedjen që ka thënë se Edi Rama vesh brekë me figurën e topolinos, do të thosha se emri i tij mbetet po aq enigmatik sa brekët e tij, për të mos folur për origjinën e tij. Një herë në një intervistë në gazetën “Paloma” ka thënë se personazhi i tij i preferuar në filmat me kartona është miu Xherri. Ashtu si ai, Rama mendon se mund të bëjë me sukses një lojë të rrezikshme, me maçokun Tomi (Fatos Nanon), në arenën e PS, gjë që nuk duket se ka gjasa të përfundojë si në filmin me kartona ku Tomi nuk fiton kurrë kundër Xherrit.
  9. Gramoz Ruçi Rikthimi i “mumjes”komuniste në politikën e re socialiste Rikthimet e Gramoz Ruçit në PS, ngjajnë me historinë e filmit kuazi-horror “Rikthimi i mumjes”. Ruci tek PS është “mumja” politike më e frikshme e trashëguar nga PPSH, pasi ka qenë aparatciku klasik i frikshëm, si sekretar i parë komiteti partie rrethi, dhe më pas si shef i Sigurimit të Shtetit në postin e ministrit të brendshëm. Në 1996 Ruçi dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm për t’ ë krijuar PS imazhin e reformimit. Por Ruçi u rikthye në postin nr. 2 në parti pasi kjo u rikthye në pushtet. Kur Edi Rama u bë kryetar i PS, Ruci dha dorëheqjen, gjë që u duk e natyrshme, se fytyra bolshevike e Rucit nuk ishte kompatibël me fytyrën e re të Ramës, që pretendonte se sillte politikën e re në parti. Por tashmë, me ndryshimet që bëri Rama në parti, cuditërisht por në mënyrë sinjifikative, e riktheu Rucin në postin nr. 2 të PS. Tashmë Rama, duke patur Ruçin në krah, ka fytyrën politike të Ruçit. Rikthimet e Gramoz Ruçit në PS, ngjajnë me historinë e filmit kuazi-horror “Rikthimi i mumjes”. Ruci tek PS është “mumja” politike më e frikshme e trashëguar nga PPSH, pasi ka qenë aparatciku klasik i frikshëm, si sekretar i parë komiteti partie rrethi, dhe më pas si shef i Sigurimit të Shtetit në postin e ministrit të brendshëm. Në 1996 Ruçi dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm për t’ ë krijuar PS imazhin e reformimit. Por Ruçi u rikthye në postin nr. 2 në parti pasi kjo u rikthye në pushtet. Kur Edi Rama u bë kryetar i PS, Ruci dha dorëheqjen, gjë që u duk e natyrshme, se fytyra bolshevike e Rucit nuk ishte kompatibël me fytyrën e re të Ramës, që pretendonte se sillte politikën e re në parti. Por tashmë, me ndryshimet që bëri Rama në parti, cuditërisht por në mënyrë sinjifikative, e riktheu Rucin në postin nr. 2 të PS. Tashmë Rama, duke patur Ruçin në krah, ka fytyrën politike të Ruçit.
  10. Ben Blushi I dyzuar midis strucit dhe tigrit Në krye të piramidës së PS, vendi po bëhej gjithmonë dhe më i ngushtë për të qendruar së bashku me Ramën. Dhe në mbledhjen e parë të Asamblesë Rama e eliminoi Blushin me një eufemizëm procedurial makiavelist duke e shkrirë postin e sekretarit politik që mbante Blushi. Protagonizmi politik i Blushit, i ardhur nga kapaciteti intelektual i tij, por të cilin di ta përkthejë atëherë kur duhet në terma populiste, çka është e domosdoshme tek e majta, e bën një rival natyral të Ramës. I vetmi që mund ta sfidojë është Nano, gjë që u duk dhe në replikat që shkëmbyen herën e fundit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kur ironisë së Blushit se grupi ishte bërë si kopsht zoologjik, Nano iu përgjegj se në këtë rast duhej të zgjidhte se çfarë kafshe ishte. Nëse Blushi do të mendonte seriozisht për këtë gjë, atëherë ai duhej të zgjidhte strucin, pasi ka futur kokën në rërë, dhe bën sikur nuk shikon se nëse Nano është armiku imediat që Rama kërkon ta neutralizojë përfundimisht, Blushi është ai që Rama e shikon si armikun natyral të rradhës. Së paku nga veprimet e Blushit nuk del ta ketë kuptuar këtë gjë. Është duke u menduar nëse të qëndrojë si struci apo të nxjerrë thonjtë e tigrit duke dalë përfundimisht kundër ulkonjës Rama.
  11. Pandeli Majko Lejfeni i politikës shqiptare Më mirë me thënë lejfeni i politkës shqiptare. Shpeshherë shansi i qeshi nga mbledhja e gozhdëve të bëhet kryeministër dhe ministër i mbrojtjes ku nuk shkriu gozhdët e lejfenit por tanket e ushtrisë. Nuk ka shembull në historinë e politikës botërore që një politikan që ka qenë dy herë kryeministër, dy herë numri 2 i një partie të madhe (sekretar i përgjithshëm 1997 dhe 2005), pa mbushur moshën 40 vjeç (i mbush në shtator të këtij viti), të hyjë trajektorja e karrierës së tij politike në fazën e rënies. Se është evidente që Majko është nulifikuar politikisht sa i përket lidershipit të PS, ku sot ai është edhe më pak protagonist se Bashkim Fino. Kjo tregon se Majko ka qenë një katapultuar artificialisht, që sot për të thënë të vërtetën po merr atë që meriton nga Rama.
  12. Paskal Milo Puthu me Milon nuk ka lidhje me Paskal Milon, por me Gjinushin Një politikan që nuk shquhet për batuta humoristike, por megjithatë që arriti ta bënte një të tillë monumentale, duke përmbysur emrin e partisë nga ku u largua, kur krijoi të vetën: Doli nga Partia Social-Demokrate për të krijuar një parti me emrin e përmbysur “Partia Demokracia Sociale”. Nëse nuk arriti që ta përmbyste kryetarin e PSD Gjinushin, në një puç, për të cilin ky e akuzoi, së paku mori sadisfaksionin që arriti t’ i përmbysë emrin e partisë, PDS. Nuk ke ç’ i thua, një shaka me të vërtetë intelektuale. Me partinë e tij vegjeton në politikë dhe më mirë do të bënte që të ndiqte shembullin e bashkëpunëtorit të tij në “puçin” kundër Gjinushit dhe të hynte në LSI, pranë së cilës realisht është. Edhe si qeveritar fati i tij është i lidhur me Metën, me përmbysjen e qeverisë së të cilit ai humbi dhe vendin e ministrit.
  13. Pëllumb Xhufi U tall me Jozefinën për leshin e Çobajve, u shpërblye me titullin historiani i Leshit Jozefina Topalli njëherë e ka quajtur historian i leshit, gjë që është fyerje e pamerituar, se Xhufi është me të vërtetë një historian që ka humbur kohën duke u marrë me politikën e leshit. Xhufit, që është një intelektual i klasit të parë dhe disa të tjerëve në LSI si Sokol Nako, u shkon e parafrazuar ajo batuta që Jovan Bregu i thotë tetës së vet: Tre gra në atë shtëpi si e keni lënë atë djalë pa martuar? (Kaq intelektualë klasi në atë parti si e keni lënë atë kryetar pa e bërë intelektual?) Xhufi përbën shembullin e radhës për vërtetësinë e maksimës së vjetër se politika është vrastare për intelektualin e vërtetë.
  14. Struktura leniniste që po mban gjallë Al Kaedan JA ,E VERTETA ,QE KOMUNIZMI ESHTE TERRORIZEM Strukturat decentralizuese të terroristëve, të cilët po synojnë të funksionojnë në qeliza revolucionare, por edhe islamiste e nacionaliste, si në Irak, paraqesin vështirësi konvencionale për forcat perëndimore. Shpartallimi i tyre shihet tek ndërhyrjet e reja ushtarake, por edhe tek shkurajimi i regjimeve të korruptuara në Lindjen e Mesme Al Kaeda në Irak është pjesë e lëvizjes globale al Kaeda. AKI, ashtu si ushtarakët amerikanë e quajnë atë, në rreth 90% të saj përbëhet nga irakianë. Sidoqoftë, komandantët amerikanë thonë se luftëtarët e huaj predominojnë në lidershipin dhe bombat vetëvrasëse të saj, ku ata përbëjnë mbi 90%. Lideri i AKI është egjiptiani Abu Ayyub al-Masri. Paraardhësi i tij, Abu Musab al Zarqaui ishte jordanez. Meqë anëtarët e AKI në pjesën dërmuese janë irakianë, shpesh vrasës dhe të çekuilibruar të rekrutuar apo të futur me forcë në organizatë (bashkë me disa klerikë dhe liderë më të edukuar), thuhet se AKI në fakt nuk është pjesë e lëvizjes globale al Kaeda. Për këtë arsye argumentohet se lufta në Irak nuk është pjesë e luftës globale ndaj terrorit: al Kaeda “e vërtetë”- banda e Osama bin Laden, e cila qëndron ne strehimet e saj të sigurta në zonat fisnore pakistaneze të Uaziristanit dhe Baluchistanit, është grupi që duhet luftuar. Për më tepër, argumentojnë kritikët që kanë këtë bindje, ne duhet ta bëjmë këtë luftë nëpërmjet sulmeve ajrore të drejtuara me precision dhe me inteligjencë apo sulmeve të forcave speciale mbi liderët kyç, jo nëpërmjet vendosjes së forcave të mëdha konvencionale, të cilat vetëm sa nxisin zemërimin në vëndet muslimane dhe krijojnë më shumë terroristë. Gjatë katër viteve të shkuara, lufta në Irak ka sjellë faktë të shumta për të diskutuar këto deklarata. Al Kaeda Mbarëbotërore/Al Kaeda është një organizatë që ndjek një ideologji. Si organizata ashtu dhe ideologjia duhen shpartalluar. Ashtu si në luftën e ftohtë, sfida ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të pushtuara prej tij ishte manifestimi real botëror i luftës ideologjike, prandaj sot, lufta globale mbi terrorin është një sfidë reale botërore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe al Kaedës dhe mbështetësve të saj. Ne mund të shpresojmë ta shpartallojmë ideologjinë vetëm duke shpartalluar kryesuesen e saj, al Kaedën. Ideologjia e al Kaedës është pasardhëse lineare e një shkolle të të menduarit e artikuluar më shumë forcërisht nga revolucionari egjiptian Sayyid Qutb në vitet 1950 dhe 1960, me një përzierje të Uahabizmit, mendimit Deobandi, apo më thjeshtë shovinizmi tipik sunit, në varësi nga ku dhe nga cili grup kjo është parashtruar. Qutb përziente një interpretim radikal të teologjisë muslimane me marksizëm-leninizmin dhe egërsinë antikoloniale të Egjiptit të kohës së tij për të prodhuar një lëvizje revolucionare islamike. Ai argumentonte se shekullarizmi dhe sjellja e shthurur (sipas standardeve të tij ekstreme) e shumicës së muslimanëve po shkatërronte besimin e vërtetë dhe po e kthente botën islame në shtetin e jahiliyyah (xhahilëve), apo injorimin e fjalës së Zotit, e cila mbizotëronte para Muhametit. Atë e shqetësonte veçanërisht shekullarizmi (shkëputja nga konsideratat e besimit fetar) në rritje i shteteve muslimane. Sipas interpretimit të tij, vetëm Zoti ka pushtetin për të bërë ligje dhe të gjykojë. Kur njerëzit bëjnë ligje dhe gjykojnë njeri-tjetrin sipas kritereve shekullare, ata janë duke uzurpuar prerogativat e Zotit. Sipas Qutb, të gjithë ata që iu binden liderëve të tillë janë duke i trajtuar liderët e tyre si zotër, prandaj ata janë fajtorë të mëkatit më të keq, polytheizmit (besimi në disa zotër). Kështu ata nuk janë, dhe kjo është pika kyçe, muslimanë të vërtetë, por jobesimtarë, pavarësisht nëse u binden ose jo ligjeve dhe praktikës muslimane. Kjo është karakteristika përkufizuese e ideologjisë së al Kaedës, e cila me të drejtë është quajtur “takfirizëm” (edhe pse luftëtarët e al Kaedës nuk e përdorin termin). Fjala “takfir” përshkruan procesin e deklarimit të një personi se ai nuk është besimtar për shkak të mënyrës si ai praktikon besimin. Takfiri dhunon kuptimin fetar të pjesës më të madhe të botës muslimane, sepse Kurani këshillon vetëm pesë kërkesa për një musliman (njohjen vetëm të Zotit, lutjen, bamirësinë, agjërimin dhe pelegrinazhin në Mekë) dhe specifikon se ai që i respekton ato është musliman. Takfiristët ngulin këmbë se cilido që i bindet një qeverie njerëzore është polytheist, prandaj ai dhunon parimin bazë të islamit, që është shahada (deklarimi se “këtu nuk ka zot, por Zot”), edhe pse muslimanët kanë jetuar në shtete me sundues tokësorë në pjesën më të madhe të historisë së tyre. Arsyeja kryesore pse al Kaeda ka mbështetje të kufizuar në botën muslimane është se komuniteti musliman global në pjesën dërmuese të tij kundërshton parimin se cilido që i bindet një sunduesi tokësor është nga natyra e vetë faktit, jobesimtar. Takfiristët e sotëm i çojnë parimet bazë të Qutbit edhe më tej. Disa muslimanë të devotshëm besojnë se qeveritë njerëzore duhet të mbështesin apo të zbatojnë ligjin sharia (sheriatin). Kjo është arsyeja pse Arabia Saudite nuk ka ligj, por sheriat. Por për Osama bin Laden dhe zëvendësin e tij madhor, Ayman al Zauahiri, kjo nuk është e mjaftueshme që një shtet të sundohet sipas sheriatit. Për të qenë legjitimë, sipas këtyre revolucionarëve, një shtet gjithashtu duhet të punojë aktivisht për të përhapur “ligjin e denjë” në gjithë rruzullin. Kjo kërkesë do të thotë se vetëm shtetet e rreshtuar me takfiristët dhe që mbështesin përhapjen e takfirizmit, ashtu si talebanët kur ishin në pushtet, janë legjitimë, ndërsa shtetet e rreshtuar me jobesimtarët, si Arabia Saudite, janë jolegjitime edhe pse ato zbatojnë me rreptësi sheriatin. Disa takfiristë, veçanërisht në Irak, ashtu siç do ta shohim më poshtë, argumentojnë përveç kësaj se gjithë shariat janë polytheistë, prandaj ata janë femohues, sepse ata “adhurojnë” Aliun, Husseinin dhe imamët e tyre pasardhës. Kjo pikëpamje e deformuar e shiizmit pasqyron lëvizjen e pandërprerë të mendimit takfir drejt ekstremeve. Këto dallime nuk janë vetëm fakte teorike. Kurani dhe tradita muslimane i ndalon muslimanët të vrasin njeri-tjetrin, me përjashtim të rrethanave mjaft specifike. Ato gjithashtu i kufizojnë kushtet në të cilat muslimanët mund të vrasin jomuslimanët. Sidoqoftë, takfiristët pretendojnë se grupet dhe individët që ata dënojnë nuk janë muslimanë, por jobesimtarë të cilët rrezikojnë besimin e vërtetë. Për këtë arsye ata pretendojnë të ushtrohet e drejta për të mbrojtur besimin, i dhuruar nga Kurani dhe tradita muslimane, kur ata firmosin vrasjen e këtyre muslimanëve të rremë dhe perëndimorët, të cilët ose i joshin ata për të braktisur besimin e tyre apo i mbështesin për ta bërë këtë. Ky është justifikimi teologjik primar për terrorizmin e al Kaedës. Takfirizmi është një riinterpretim radikal i islamit që është flakur për një mijë vjet të studimit islamik dhe traditës së kujdesshme në favor të një leximi fjalë për fjalë të Kuranit dhe Haditheve që lejojnë çdo person që nuk është klerik - të tillë si Osama bin Laden, i cili nuk ka pozicion klerik - të uzurpojë rolin e dijetarëve të islamit dhe të nxjerrë fatva e të ushtrojë prerogativa të tilla të tjera klerike. Është interesant se “takfirizmi” është faktikisht ajo çka armiqtë muslimanë e etiketojnë këtë lëvizje. Për shembull, irakianët zakonisht u referohen anëtarëve të AKI si “takfiristë”. Ky term ka një ngjyrim të fortë negativ, duke nënkuptuar sikur i jep të drejtën një grupi të vogël për të vendosur cili është musliman dhe të vrasë ata që nuk praktikojnë besimin e tyre në një mënyrë të veçantë (Irakianët nganjëherë i quajnë terroristët “khauaraj,” një referim ndaj Kharajites së historisë së hershme muslimane, që është jashtëzakonisht përçmuese, duke nënkuptuar se kjo i bën anëtarët e al Kaedës të jenë përçarës, jashtë rrymës kryesore të islamit.) Ndërkohë që takfirizmi është justifikimi teologjik primar për aksionet e al Kaedës, ky nuk është komponenti i vetëm i rëndësishëm i ideologjisë së terroristëve. Konceptet perëndimore janë gjithashtu të ngulitura thellësisht në këtë lëvizje, ku para së gjithash qëndron leninizmi. Qutb ishte familjar me konceptin e partisë bolshevike si “pararoja e proletariatit”, domethënë grupi i vogël i cili kuptoi interesat e proletariatit më mirë se vetë punëtorët, që mund të kapte pushtetin në emër të tyre, dhe pastaj ti ndihmonte ata në arritjen e “ndërgjegjes së tyre klasore” duke krijuar një shoqëri që ishte e drejtë dhe e përshtatëshme për ta. Qutb e mendonte ideologjinë e tij në të njejtat terma: Ai në mënyrë ekspilicite i referohej kësaj lëvizjeje si një pararojë që mund të kapte pushtetin në emër të besimit të vërtetë dhe pastaj të riedukonte muslimanët që kishin hyrë në rrugë të gabuar. Bin Laden e nënvizoi këtë aspekt të ideologjisë duke e quajtur organizatën e tij “al Kaeda”, e cila do të thotë “baza”. Qutb dhe Bin Laden parashikuan një lëvizje të vogël revolucionare që mund të kapte pushtetin në një shtet musliman dhe pastaj gradualisht të punonte për të shtrirë kontrollin e saj në gjithë botën muslimane, duke riedukuar muslimanët që kishin marrë rrugë të gabuar nën pushtetin e saj. Referencat e shpeshta të al Kaedës në rivendosjen e kalifatit janë të lidhura me këtë koncept. Qëllimi është për të rikapur pastërtinë “rashidun”, periudha kur Muhameti dhe pasardhësit e tij të menjëhershëm sunduan. Kjo ishte hera e fundit që bota muslimane ishte bashkuar dhe qeverisur, ashtu si bin Laden e sheh këtë, sipas parimeve të vërteta te islamit. Leninizmi (bashkë me sfidat praktike të përballura nga revolucionarët në një botë armiqësore) ka sqaruar strukturën organizative dhe të menduarit e al Kaedës. Grupi është qelizor dhe jashtëzakonisht i decentralizuar, ashtu si bolshevikët mendohej se ishin. Kjo fokusohet në kapjen e pushtetit në shtetet e dobësuara, ashtu si lëvizjet komuniste bënë në Rusi dhe Kinë, dhe me dobësimin e shteteve më të forta për t’i bërë ato më të përshtashme për t’i sulmuar, ashtu si lëvizja komuniste bëri në gjithë botën pas triumfit të tij në Bashkimin Sovjetik. Qendra e gravitetit e al Kaedës është ideologjia e saj, e cila do të thotë se qelizat individuale mund të ndjekin qëllimin e përbashkët me lidhje të pakët apo pa lidhje fare me qendrën. Sidoqoftë kjo është një lëvizje e lidhur, me liderë që drejtojnë rrjedhën e disa burimeve dhe që urdhërojnë apo ndalojnë operacione të veçanta në gjithë botën. Këto janë karakteristikat kyç të al Kaedës: Ajo është bazuar mbi parimet e takfirizmit. Ajo e sheh veten e saj si një pararojë revolucionare muslimane. Ajo ka për qëllim të marrë pushtetin tek shtetet e dobëta dhe të dobësojë shtetet e forta. Ajo është qelizore dhe e decentralizuar, por me një rrjet global lidershipi që ndikon aktivitetet e saj pa qenë nevoja për ti kontrolluar ato. Si po i përshtatet al Kaeda në Irak kësaj skeme?/Al Kaeda në Irak (AKI) është pjesë e lëvizjes globale al Kaeda si në ideologji ashtu dhe në praktikë. Ideologjikisht ajo shtrihet në fundin ekstrem të spektrit takfiri. Ajo në fillim u quajt “Lëvizja e Monotheizmit (tauhid) dhe Xhihadit”, duke iu referuar parimit takfiri që qeveria njerëzore (dhe shiizmi) janë polytheistë (që besojnë në disa zotër). Nga fillimi i saj AKI ka pasur si objektiv kryesisht irakianët; AKI ka vrarë shumë herë më shumë muslimanë se amerikanë. Arma e tij e preferuar janë makinat vrasëse bombë apo kamionët bombë të vendosura në vendet ku grumbullohet një numër i madh civilësh irakianë, veçanërisht shiitë. Kur lëvizja filloi në vitin 2003, ajo në fillim kishte për objektiv shiitët. Zarkaui kërkoi të provokonte një luftë civile shiitë-sunitë, ku ai shpresonte se mund të mobilizonte sunitët në shkallën e plotë të xhihadit. Ai gjithashtu kënaqej duke vrarë shiitët, të cilët i shihte si “kundërshtarë” të patolerueshëm, të cilët kishin marrë mesazhin e Kuranit dhe e kishin kundërshtuar atë. Edhe më keq se injorimi i fjalës së Zotit kjo është apostazi (heqje dorë nga besimi fetar) e qëllimshme. Detyra për të konvertuar apo vrarë apostazët (ata që kanë hequr dorë nga besimi) ia kalon madje edhe detyrës për të bërë luftë kundër jobesimtarëve të rregullt, - prej këtej rrjedh edhe këmbëngulja e Zarqauit se shiitët ishin më të rrezikshëm se “sionistët dhe kryqtarët”. Shoku i Bin Ladenit, Zauahiri, polemizon me Zarqaui në lidhje me këtë çështje për një sërë argumentesh që u bënë publike. Ai argumentonte se Zarqaui gaboi në sulmimin e shiitëve, të cilët më mirë të ishin nxitur dhe joshur për të hyrë në një lëvizje më të madhe, të cilën ai shpresonte ta krijonte. Argumentet e Zauaharit ishin më shumë taktike dhe strategjike sesa ideologjike. Ai nuk ka kundërshtim në vrasjen e muslimanëve të pabesë, por ai ishte i kërshërt për ta përqëndruar lëvizjen në atë që ai e quan “armiku i largët”, që është Amerika dhe Perëndimi. Sigurisht që Zarqaui ndërmori edhe sulme kundër objektivave perëndimore. Ai ishte i implikuar në vrasjen e vitit 2002 të zyrtarit të USAID-it Laurence Foley në Jordani si dhe në bombardimin e zyrës së Kombeve të Bashkuara në Bagdad më 19 gusht 2003. Por Zarqaui u përqëndrua në sulmin ndaj shiitëve irakianë. Për shembull, një shpërthim në fund të gushtit 2003 vrau 85 shiitë në Naxhaf, duke përfshirë Ajatollah Mohamed Baqir al-Hakim (vëllai i madh i Abd al-Aziz al-Hakim, lideri i Këshillit Suprem të Islamikëve Irakianë, partia më e madhe shiite në Këshillin e Përfaqësuesve), dhe një sërë sulmesh mbi xhamitë Shiite. Gjatë ditës së Hashures, në mars 2004 u vranë mbi 180 vetë. Më në fund ai pati sukses në provokimin e një reaksioni të madh nga shiitët, me shkatërrimin e kubesë së florinjtë të xhamisë Shiite al-Askariyah në Samarra në shkurt 2006. Zarqaui u vra nga forcat e koalicionit menjëherë pas kësaj, por pasardhësi i tij vazhdoi të sulmonte shiitët irakianë, edhe kur ata filluan të sulmonin sunitët irakianë. Në lidhje me këtë, AKI gjithmonë ka qenë më ekstreme në takfarizmin e tij se lëvizja globale al Kaeda, e cila ka vënë në mëdyshje legjitimitetin e sulmeve ndaj muslimanëve të tjerë dhe joshjen taktike të acarimit të përçarjes suni-shiitë. Ashtu si al Kaeda e bin Ladenit, AKI e sheh veten e saj si një pararojë dhe i përkufizon qëllimet e saj si rivendosje e khalifatit. Për më tepër, ashtu si grupet takfiriste në gjithë botën, ajo është përpjekur të vendosë ideologjinë në jetë, kudo që ajo ka qenë në gjëndje të vendosë kontroll. AKI sulmon gjyqtarët në Irak sepse ata uzurpojnë pushtetin e Zotit për të gjykuar. Ajo krijon gjyqe sheriati për të zbatuar interpretimin e saj të ligjit dhe zakonit musliman. Ajo edhe formalisht deklaron krijimin e “Shtetit Islamik të Irakut”, kryeqyteti i të cilit vendoset në mënyrë të ndryshueshme në qytetet e mëdha Ramadi dhe Bakuba dhe në fshatin e vogël Balad Ruz në Divala, si dhe në vende të tjera. Ajo cakton “emirët” (komandantët) të zbatojnë funksione të ndryshme dhe të ushtrojnë kontroll. Ajo sillet në çdo drejtim ashtu si al Kaeda dhe talebanët bënë në Afganistan; në të vërtetë ajo është pothuajse e padallueshme nga ato grupe në këto praktika kritike, si dhe në synimin e saj për të arritur përtej Irakut në çdo drejtim. Kështu, përveç vrasjes së Foleit në vitin 2002, AKI drejtoi një një sulm kompleks ndaj hoteleve në Aman në nëntor 2005 ku vrau 60 njerëz. Por AKI nuk është thjesht një liçencë lokale e konceptit global të al Kaedës. Liderët e saj marrin pjesë në zhvillimin e ideologjisë globale, ashtu si polemikat e Zauahirit me Zarqaui dhe al-Masri e vërtetojnë këtë. Ajo i dërgon ndihmë lëvizjes globale dhe kërkon dhe merr ndihmë nga ajo. Në veçanti, ajo merr rreth 40-80 luftëtarë të huaj çdo muaj të cilët janë rekrutuar nga liderët e al Kaedës në gjithë botën muslimane, të ndihmuar në stërvitjen e tyre dhe që udhëtojnë me ndihmën e lehtësive të al Kaedës, dhe, përsëri në Irak, të kontrolluar nga AKI. Më në fund, ashtu siç kemi theksuar më parë, jo irakianët që janë liderët e saj kryesorë ishin pjesë e lëvizjes globale al Kaeda para se të vinin në Irak. Të gjithë duhet ta kenë të qartë në mëndjen e tyre se Al Kaeda në Irak është një pjesë qëndrore dhe vitale e al Kaedës, se ajo ndërvepron me lëvizjen globale, ndan qëllimet dhe praktikat e saj dhe do ta ndihmojë atë sa të ketë mundësi për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta. Mënyra e operimit e AKI/AKI përdor dy metoda kryesore për ta vendosur veten e saj në popullsinë suni në Irak. Kur ajo gjen suni që ndjehen të kërcënuar për egzistencën e tyre nga milicët apo forcat ushtarake shiite, apo ata që kërkojnë ndihmë ushtarake në ndjekjen e axhendës së kryengritjes, ajo ofron ndihmë nga liderët dhe luftëtarët e saj të zellshëm dhe mjaft të stërvitur. Në komunitete jo të gatshme për një ndihmë të tillë, apo që u rezistojnë përpjekjeve të AKI për të imponuar kodin e saj fetar, AKI përdor dhunën për të terrorizuar sunit në pjesëmarrje. Kur kjo ecën, ajo josh të rinjtë e zhgënjyer me premtimin e pjesëmarrjes në një lëvizje më të madhe. Në vitin 2003 armiqësia brenda komunitetit të sunitëve arabë të Irakut ndaj perspektivës së qeverisë të dominuar nga shiitët shpërtheu në kryengritje, në të cilën AKI shpejt mori drejtimin. Fanatizmi i luftëtarëve AKI (të cilët shpesh paralajmërojnë perëndimorët se ata duan vdekjen më shumë sesa amerikanët duan jetën) e rekomandoi veten e saj tek sunitët arabë të cilët u përballën me detyrën kërcënuese të shpartallimit si të forcave ushtarake amerikane dhe shumicës së shiitëve irakiane. Konvergjenca e kryengritjes AKI dhe suni në vitet që pasuan i lejuan takfiristët të krijonin baza solide në provincën Anbar dhe pastaj në Bagdad, zonat suni në veri dhe jug, Divala, Salah-ad-Din dhe Nineua. Bazat e AKI në Falluxha, Tal Afar dhe Bakuba përfshinin qendrat e medias, shtëpitë e torturës, gjyqet sharia si dhe gjithë lehtësirat e tjera të pushtimit AKI që mund të ishin miqësore me studentët e talebanëve në Afganistan dhe grupet takfiri gjetkë. Gangsterët lokalë u bashkuan në flamurin e tyre dhe ata që rezistuan u torturuan brutalisht dhe u vranë. Imamët në xhamitë lokale, të radikalizuar në vitet ‘90 nga iniciativa “rikthim në besim” i Sadam Huseinit (për të shpëtuar qeverinë e tij mjaft shekullare duke e mbështjellë atë me frymën e islamit), predikonin takfirizmin dhe rezistencën ndaj amerikanëve. Prania e një numri të madh irakianësh në këtë lëvizje ka kontribuar në konfuzionin në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet AKI dhe al Kaedës. Pavarësisht nga klerikët dhe të disa liderëve të radikalizuar, shumica e irakianëve në organizatë janë rebelë dhe të pavlerë, bij të rinj pa sens apo inteligjencë të cilët bien në magjinë tërheqëse të lidërve të dhunshëm. Procesi i rekrutimit në zona është i ngjashëm me atë të bandave të rrugës, ku liderët kombinojnë thirrjet dhe premtimet me dhunën shembullore kundër atyre që me kokëfortësi kundërshtojnë të bashkohen me ta. Në lidhje me këtë AKI është mjaft e ndryshme dhe e hollë nga lëvizja al Kaeda që zhvillohet në Afganistan. Elementët takfiri të muxhahedinëve që luftuan pushtuesit sovjetikë në Afganistan ishin mjaft te ndryshëm në origjinë. Lufta tërhoqi luftëtarët anti-sovjetikë nga gjithë bota muslimane. Ata nuk u përshtatën me lehtësi në shoqërinë ksenofobike të Afganistanit, prandaj ata u përqëndruan në kampet e stërvitjeve larg qendrave të populluara pas tërheqjes së sovjetikëve dhe rritjes së talebanëve. Amerikanët i panë këta luftëtarë të huaj në kampet e tyre si al Kaedën “reale”, ajo që sulmoi Shtetet e Bashkuara në vitin 2001. Por al Kaeda ishte vetëm pjesë e ndodhisë në Afganistan. Forcat talebane që morën pushtetin në vitin 1994 imponuan një interpretim radikal të islamit në rradhët e popullsisë dhe sulmuan simbolet e besimeve të tjera fetare në një vend që kishte toleruar tradicionalisht besime të ndryshme dhe praktika të ndryshme. Ashtu si homologët e tyre, AKI sot, talebanët synonin të ishin të edukuar keq, të dhunshëm dhe radikalë. Dhe ata ishin po kaq të domosdoshëm për të mbështetur al Kaedën në Afganistan aq sa ishin dhe ushtarët këmbësorë irakianë të AKI për të mbështetur këtë lëvizje. Bin Laden siguroi mbështetje esenciale, si ushtarake ashtu dhe financiare, për të sjellë talebanët në pushtet dhe për t’i mbajtur ata aty. Në këmbim të kësaj talebanët i lejuan atij të operonte pa ndëshkim dhe e mbrojtën atë nga intervencioni i jashtëm. Lufta filloi në vitin 2001 kur lideri taleban Mullah Omar kundërshtoi të dorëzonte anëtarët e al Kaedës përgjegjës për 11 shtataorin 2001, edhe pse vetë talebanët nuk ishin përfshirë në këto sulme. Gangsterët dhe rebelët ekstremistë afganë sapo erdhën në pushtet lehtësuan stërvitjen, planifikimin dhe pregatitjen e udhëhequr nga të huajt të al Kaedës për sulme kundër objektivave perëndimore në gjithë botën, duke përfshirë sulmet mbi dy ambasadat e SHBA në Afrikë në vitin 1998, sulmin mbi objektivat e SHBA në vitin 2000 dhe 11 shtator 2001. Në këmbim të kësaj, luftëtarët e huaj të al Kaedës mbrojtën me tërbim regjimin taleban kur forcat e SHBA sulmuan në vitin 2001, madje edhe duke u formuar në një luftë konvencionale kundër aleatëve afganë të Amerikës të mbështetur nga forcat speciale të SHBA dhe forcës ajrore. Në Afganistan marëdhëniet ndërmjet al Kaedës dhe talebanëve ishin simbolike, të varura reciprokisht dhe të përforcuara reciprokisht. Kjo përfshintë një botëkuptim dhe gadishmëri të përbashkët për të luftuar armiqtë e përbashkët. Aty kishte një lidhje të ngushtë ndërmjet ekstremistëve indigjenë afganë dhe takfiristëve ndërkombëtarë. Al Kaeda përfiton nga një lidhje e tillë. Megjithatë ka një ndryshim ndërmjet dy lëvizjeve në lidhje me këtë: Ndërsa në Afganistan al Kaeda mbeti e ndarë nga shoqëria afgane në pjesën më të madhe të saj, duke ndërvepruar me këtë në radhë të parë nëpërmjet talebanëvë, AKI përfshin direkt irakianët. Në fakt origjinat e huaja të liderëve të AKI janë një pengesë, ku emrat e tyre janë një përkujtesë e vazhdueshme: emri i luftës i Zarqauit e identifikoi atë menjëherë si jordanez, dhe “al-Masri” në Abu Ayyub al-Masri do të thotë “egjiptiani”. Takfiristët me ngathtësi e adresuan këtë problem duke shpallur “Shtetin e tyre Islamik të Irakut,” të cilin ata e paraqitën si një lëvizje irakiane ombrellë, por e cila në fakt ishte një maskim i hollë për AKI, dhe duke sajuar një lider të rremë me emër tipik irakian dhe suni, Abu Omar al-Baghdadi. Përsa i përket rekrutëve të tij lokalë, ata bënin stërvitje intensive që ishte planifikuar t’i bindte dhe t’i pergatiste ata për të mbështetur dhe përfshirë në dhunë brutale. Një nga arsyet pse disa irakianë suni u kthyen kundër AKI ka qenë kjo praktikë e kthimit të bijve të tyre në monstra. Shumë irakianë filluan ta shohin AKI në të njejtën mënyrë siç i shihnin edhe prindërit e anëtarëve të gangsterëve të rinj bandat. Këta rekrutë AKI shpesh mbeten lokalë. Anbarisët e rinj nuk dalin jashtë Anbarit për të sulmuar amerikanët apo shiitët përtej provincës së tyre; rekrutët AKI në Arab Jabour apo Salah-ad-Din synojnë të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre, edhe pse përkohësisht ndërmerren operacione nga amerikanët. Sidoqoftë, liderët udhëtojnë shumë - Zarqaui shkoi nga Jordania në Gjermani, nga Afganistani në Irak, dhe brenda Irakut nga Falluxha në Bakuba dhe më tej, dhe vartësit dhe pasardhësit e tij kanë përshkruar mijra milje si brënda vëndit ashtu dhe jashtë tij. Prania e celulave AKI në çdo zonë e lehtëson këtë lëvizje, si dhe lëvizjen e luftëtarëve te huaj brënda dhe nëpër Irak dhe lëvizjen e armatimeve, furnizimmeve dhe shërbimit informative. Lehtësuesit AKI sigurojnë shtëpi të sigurta dhe mjete komunikimi. Disa prej tyre ndërtojnë bomba makinë që kalojnë nga celula në celulë derisa arrijnë tek luftëtarët e huaj që i shpërthejnë ato, ndoshta larg prej ku ato janë ndërtuar. Edhe pse shumica e anëtarëve të AKI mbetet pranë shtëpive të tyre, shuma e gjithë celulave, plus lidershipin e huaj dhe luftëtarët e huaj, është një lëvizje që mund të planifikojë dhe të drejtojë sulme të shpejta në gjithë vëndin dhe përreth rajonit dhe mund ët rigjenerojë celulat e shkatërruara brënda disa javësh. Vetë liderët janë të përfshirë në lëvizjen globale të al Kaedës. Integrimi i AKI me popullsinë e bën këtë më të vështirë për tu ç’rrënjosur sesa al Kaeda ishte në Afganistan. Në Afganistan liderët amerikanë mund të lëshonin raketa kundër bazave të stërvitjes së al Kaedës (ashtu si Presidenti Klinton bëri me pak efekt) dhe forcat speciale amerikane mund të godisnin këto kampe me apo pa ndihmën e indigjenëve. Në Irak nuk është kështu. Të përzier me popullsinë, AKI nuk mban zona të mëdha stërvitjeje dhe kështu ofron pak objektiva për goditje me raketa. Forcat speciale amerikane dhe irakiane kanë qenë efektive në vrasjen e liderëve të veçantë të AKI, por kjo nuk ka shkatërruar lëvizjen apo madje të ketë degraduar shumë aftësinë e saj për të ndërmarrë sulme në gjithë vëndin. Liderë të rinj lindën dhe rrjetet e lehtësimit vazhdojnë punën e tyre. Kur talebanët ranë në Afganistan, al Kaeda humbi lirinë e saj të lëvizjes në gjithë vendin. Shumica e luftëtarëve të mbijetuar të Al Kaedës ia mbathën në zonat e mëdha fisnore të pakontrolluara nga qeveria në Pakistan, ku ata mund të bazohen në mbështetjen e mjaftueshme lokale për të ruajtur veten e tyre. Sot ka një mbështetje të vogël për al Kaedën në Afganistan, jo kampe të përhershme stërvitjeje të al Kaedës, dhe sigurisht jo aftësi për të drejtuar operacione të shkallës së gjerë në gjithë vëndin kundër forcave amerikane apo afgane. Kthimi kohët e fundit kundër al Kaedës në Irak nga irakianët kryesorë ka dhënë rezultate më pak dramatike për shkak të mjeteve të ndryshme me të cilat AKI e mban veten e saj. Megjithëse shumica e mbështetjes së AKI në origjinë vjen nga lokalët që kërkojnë ndihmën e saj, aty nga viti 2006 takfiristët e bënë veten e tyre kaq jopopullorë saqë vazhdimi i pranisë së tyre u mbështet në përdorimin e vazhdueshëm të dhunës kundër mysafirëve të tyre. Ashtu si liderët e fisit Anabri filluan për arsye të ndryshme t’i rezistojnë përparimit të AKI, kjo e fundit filloi t’i sulmojë ata dhe familjet e tyre. Jashtë provincës Anbar, AKI rregullisht përdor tortura dhe vdekje mizore për t’i mbajtur lokalët në linjë. Parimet e takfirizmit e justifikojnë këtë duke thënë se, cilido që kundërshton përpjekjet e AKI për të imponuar vizionin e islamit bëhet armik i islamit. Kështu AKI ka të drejtën dhe detyrimin t’i vrasë persona të tillë, përderisa, sipas pikëpamjes takfiri, ekzekutimi është dënimi i duhur për apostazi (largimi nga besimi fetar). Është pak e vështirë të shihet justifikimi pseudofetar për torturë, por AKI nuk parandalohet nga pika të tilla të mira. Ashtu si al Kaeda në Afganistan, AKI në fillim u bazua në mbështetjen nga popullsia pak a shumë e ofruar me vullnet të lirë. Ndryshe nga al Kaeda në Afganistan - por ashtu si talebanët - ajo gjithashtu zhvilloi mjete të mbështetjes së detyruar kur kjo nuk u dha më lirshëm. Si rezultat i kësaj, sunit irakianë nuk mundet thjesht të vendosin të kthehen kundër al Kaedës nga ana e tyre, sepse duke vepruar kështu ata dënohen me dënime të pamëshirshme. Prandaj, për të shpartalluar al Kaedën në Irak nuk mjafton të sulmohet ideologjia takfiri apo për të bindur qeverinë irakianë për të adresuar pikëllimin legjitim të sunëve. Këto arritje duhet të kombinohen me një përpjekje konkrete për të mbrojtur popullsinë suni nga terrorizmi i AKI. Si të shpartallojmë AKI/Një nga pyetjet e para që irakianët pyesin kur forcat amerikane lëvizin në bastionet e AKI për të luftuar takfirët është: A keni ndërmënd të qëndroni këtë herë? Në të kaluarën forcat e koalicionit pastruan qendrat takfiri, shpesh me ndihmën e lokalëve, por u larguan shpejt duke lënë lokalët në mëshirën e shpagimit brutal të AKI. Ky model krijoi një trashëgimi të mosbesimit dhe për pasojë një hezitim për t’u angazhuar në mbështetjen e forcave të koalicionit. Ky cikël u thye në fillim në Anbar për tre arsye: Thellësia e kontrollit të AKI aty e drejtoi grupin të kryente disa nga ekseset e tij më të këqia në përpjekjet e tij për të ruajtur pushtetin; forca e strukturave fisnore në provincë krijoi mundësinë e rezistencës efektive lokale kur inati shpërthente mbi takfirët; dhe prania dhe vendosmëria e ushtarëve dhe marinsave në provincë i’u dha lokalëve shpresën e ndihmës sapo ata filluan të kthehen kundër terroristëve. Lëvizja kundër takfiristëve filloi kur AKI u përpoq të përforconte pozicionet e saj duke martuar disa nga liderët e saj kryesorë me vajzat e liderëve fisnorë Anabri, ashtu si al Kaeda kishte bërë në Azinë Jugore. Kur sheikët rezistuan, AKI filloi t’i sulmonte ata dhe familjet e tyre, duke vrarë një sheik të shquar, pastaj duke parandaluar kushërinjt e tij për ta varrosur brënda 24 orëve të përcatuar nga ligji musliman. Në shoqërinë fisnore të Anbarit, kjo dhe aksionet lidhur me këtë çuan në një sërë gjakmarrjesh ndërmjet AKI dhe familjeve Anbari. Brutaliteti i shpagimit AKI dhe dobësimi relativ i fiseve Anbari si forcë ushtarake apo policore i vuri lokalët në një pozicion të vështirë, prej së cilës ata u shpëtuan nga puna e vendosur e koalicionit dhe forcave irakiane të sigurisë. Gjatë vitit 2006, ushtarët dhe marinsat amerikanë në Anbar refuzuan t’u lëshojnë kryengritësve kryeqytetin e provincës dhe qendrat me popullsi të madhe. Oficerët si kolonel Sean MacFarland punuan të krijonin bazat në Ramadi, të mbronin pozicionet kyç brënda qytetit dhe të kundërshtonin kontrollin e përgjithshëm të AKI. Në të njejtën kohë, komandantët e marinsave u përpoqën të arrinin në Anbaris gjithnjë e më të diziluzionuar me AKI. Komandantët në provincë tani pranuan se ata ndoshta kishin humbur disa oferta të paraqitura më parë të liderëve lokalë, por ata qartësisht kapën sinjale më të qarta që sheikët kishin dërguar në fund të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007 duke treguar interesin e tyre për të punuar sëbashku kundër armikut të përbashkët. Ndryshimi në strategjinë amerikane i shpallur në janar 2007 dhe vërshimi i forcave në muajt që pasuan nuk e krijuan këtë ndryshim në Anbar, por e përshpejtuan këtë zhvillim. Vërshimi donte të thoshte se komandantët amerikanë nuk duhej të ndryshonin forcat jashtë Anbarit për të nbrojtuar Bagdatin, siç kishte ndodhur në operacionet e mëparshme. Pasardhësi i MacFarlandit, kolonel John Charlton, ishte në gjëndje të ndërtonte mbi suksesin e MacFaralandit kur ai mori komandën në fillim të vitit 2007. Ai lëvizi përtej bazave të kufizuara që ushtarët e MacFarlandit kishin krijuar dhe filloi të shtynte trupat e tij në lagjet kyç në Ramadi, duke krijuar stacionet e sigurisë së përbashkët, dhe duke pastruar qytetin. Forcat e marinës në provincë u rritën me dy batalione në pranverë dhe një bataliaon të njësisë së ekspeditës së marinës në verë. Ky i fundit ka sulmuar bastioned e fundit të AKI në Anbarin verilindor. Rritja e prezencës amerikane dhe operacionet më agresive të forcave amerikane - duke punuar me njësitë e armatorsura irakiane, pavarësisht nga shiitët e tërbuar, ishin në gjendje të funksionin efektivisht me trupat e SHBA edhe në sunit Anbar - lejuan fiset të kthehen kundër AKI e cila u zu ngushtë. Nga fundi i verës 2007, të gjitha fiset madhore Anbari ishin betuar të kundërshtonin AKI dhe filluan të dërgonin bijt e tyre të shërbenin vullnetarisht në ushtrinë irakiane dhe policinë irakiane. Nga vera, koalicioni kishte krijuar një bazë të re stërvitore në Habbaniya për të marrë këta rekrutë dhe njësitë e ushtrisë irakiane kishin filluar të balanconin përzierjen e tyre sektare duke përfshirë sunët Anbari në formacionet e tyre. Mijra anabrë filluan të patrullojnë rrugët e qyteteve të tyre për tu mbrojtur nga AKI dhe komandantët e koalicionit u mbytën me informacione mbi praninë dhe lëvizjet e takfiristëve. Nga fillimi i gushtit, AKI ishte larguar nga gjithë qendrat me popullsi të madhe të Anbarit dhe përpjekjet e saj për t’u rigrupuar në rrethinat ishin sporadike dhe të rrezikshme për takfiristët. Xhamitë në qytetet e mëdha ndaluan predikimin antiamerikan dhe predikime pro-takfiri në tërësi, duke predikuar mesazhe neutrale apo përkrahje për paqe madje edhe për koalicionin. Beteja pa dyshim nuk ka përfunduar. AKI ka bërë të qartë vendosmërinë e saj për të rikrijuar veten e saj në Anbar apo të dënojë anbarët për tradhëtinë e tyre, dhe celulat AKI në Anbarin rural dhe provincat përreth ende po përpiqen ët rigjenerohen. Por lëvizja takfiri e cila dikur pothuajse kontrollonte provincën duke u përzier me popullin e saj ka humbur pothuajse gjithë mbështetjen popullore dhe është drejtuar drejt përmasave dëshpëruese me një pikëmbështetëse të pasigurtë. Kombinimi i diziluzionit lokal me ekstremizmin takfiri, një mungesë e theksuar e ndjeshmërisë kulturore nga vetë takfiristët, dhe operacionet efektive të kundërkryengritjes nga forcat e koalicionit që punojnë për të mbrojtur popullsinë është kthyer në vërshim. Anbari është një provincë unike sepse popullsia e saj është pothuajse e gjitha suni arab dhe strukturat e saj fisnore mbeten të forta pavarësisht nga vitet e shtypjes së Sadamit. “Zgjimi Anbar,” ashtu si kthimi anbar kundër takfiristëve quhet zakonisht, ka shpërthyer pothuajse në gjithë zonat suni irakiane, por në forma të ndryshme duke pasqyruar rrethanat e saj të nddryshme. Sunët arabë në provincat Bagdad, Babil, Salah-ad-Din dhe Diyala kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga AKI, por ato gjithashtu përballin një prani të rëndësishme të shiave arabe, duke përfshirë elementë të dhunshëm të Jaysh al-Mahdi, apo ushtria Mahdi, milicia më ekstreme shia. Provincat Diyala, Nineua dhe Kirkuk kanë gjithashtu linja të gabuara etnike ku arabët, turkmenët dhe kurdët takohen dhe nganjëherë luftojnë. Strukturat fisnore në këto zona variojnë në forcë, por janë kudo më pak të qëndrueshme se ato të Anbarit. Elementët ekstremë të Jaysh al-Mahdi, evçanërisht “celulat sekrete” të kontrolluara nga iranianët, kanë ushtruar presion kundër popullsisë suni në provincat e pëërziera të paktën që nga fillimi i vitit 2006. Disa ish qytete suni si Mahmudiya u bënë bastione shia (dhe Jaysh al-Mahdi). Zonat e përziera në Baagdat kanë synuar të bëhen më homogjene. AKI ka përfituar nga kjo luftë, e cila e ndihmoi për të prodhuar, duke u paraqitur si mbrojtëse e sunëve kundër Jaysh al-Mahdi edhe pse ky terrorrizon sunit duke e mbështetur atë. Kapja e AKI nuk mund të thyhet pa adresuar presionin e ekstremistëve shia mbi këto bashkësi suni, si dhe duke mbrojtur popullsinë lokale ndaj sulmeve AKI. Kjo detyrë është jashtëzakonisht komplekse, por jo përtej fuqisë së forcave të koalicionit për ta kuptuar dhe ekzekutuar. Trupat amerikane dhe irakiane në gjithë Irakun qëndror po punojnë agresivisht për të shkatërruar bastioned AKI si ato në Arab Jabour, Bakuba, Karma dhe Tarmiya dhe në lagjet e Bagdatit të Ameriyah, Ghazaliya dhe Dora dhe i ka drejtuar takfirët në masë të madhe jashtë qendrave me popullsi të madhe madje edhe jashtë pjesëve të rrethinës. Ndërsa forcat amerikane janë forcuar dhe kanë premtuar se do të qëndrojnë, mijra suni vullnetarisht luftojnë terroristët dhe mbrojnë lagjet e tyre duke hyrë në ushtrinë, policinë irakiane, apo njësitë e “rojeve të lagjeve” të ngritura nga forcat amerikane. Sidoqoftë, në këto zona forcat e koalicionit duhet gjithashtu të punojnë për të mbrojtur sunit lokalë nga sulmet e celulave sekrete të milicisë shia dhe nga anëtarët e milicisë shia të cilët kanë penetruar tek forcat e policisë lokale dhe kombëtare irakiane. Prania e vazhdueshme e forcave amerikane në mes të popullsisë është një garanci kyç kundër sulmeve të ndërmarra nga Jaysh al-Mahdi si dhe nga reprezaljet AKI. Në të vëërtetë, sunit këmbëngulin për këtë si kusht për pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër takfiristëve. Përshkrimi i strategjisë së re të SHBA si “mbrojtja e popullsisë” është pak për këtë arritje komplekse, variabël dhe të gjithanëshme ndaj problemit të ndarjes së AKI nga popullsia dhe përkrahjes së rritjes së lëvizjes indigjene kundër takfiristëve. Ishte jashtëzakonisht e suksesshme në një periudhë mjaft të shkurtër kohë që, Anbari në përgjithësi dhe Ramadi në veçanti brënda gjasshtë muajsh kanë kaluar nga të qënët nga zonat më të rerzikshme në Irak tashmë nga zonat më të sigurta. Bastionet AKI si Arab Jabour dhe Bakuba tani janë në pjesën më të madhe të lira nga infiltrimi në shkallë të madhe të terroristëve dhe popullsitë e tyre po punojnë me koalicionin për t’i mbajtur takfiristët jashtë. Lufta e përgjithëshme për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Irak qartësisht shkon përtej kësaj lufte kundër AKI, por nga pikëpamja e interesave amerikane në luftën globale kundër terrorizmit, është vitale të njihet suksesi ynë kundër takfiristëve dhe arsyen e kësaj. Pikëpamja. AKI - dhe prej kësaj lëvizja më e madhe al Kaeda – ka vuajtur një shpartallim dramatik në Irak gjatë gjashtë muajve të kaluar. Ajo ka humbur gjithë bastionet urbane dhe është angazhuar në një përpjekje të dëshpëruar për të rikrijuar një pikëmbështetje edhe në fshat. Nuk ka gjasa që lëvizja ta pranojë këtë shpartallim butësisht. Edhe tani, celulat AKI të shpërndara në gjithë vendin po punojnë për të ribërë veten e tyre dhe të vazhdojnë sulmet me viktima masive me shpresë për të rifilluar konfliktin sektar të shpërthyer gjerësisht nga i cili ata shpresojnë të përfitojnë. Nëse koalicioni braktisi përpjekjet e tij për të zhdukur këto celula dhe për t’i parandaluar ato nga rindërtimi i rrjeteve të tyre, është mëse e mundshme se ata mund të terrorizojnë viktimat e tyre duke i kthyer ata në disa zona, megjithëse nuk ka gjasa që AKI të shihet me simpati nga shumica e irakianëve edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen. Nga ana tjetër, nëse forcat e koalicionit plotësojnë punën që ato kanë filluar duke zhdukur xhepat e fundit të takfiristëve dhe vazhdojnë të ndërtojnë forcat e sigurisë lokale irakiane që mund të kryejnë luftën kundër terroristëve pasi trupat amerikane të tërhiqen, atëhere gjasat janë të arrihet sukses kundër terroristëve në Irak. Sigurisht që suksesi do të këtë në një çmim. Takfiristët kanë vetëm çekiçin proverbial në Irak dhe ata tani janë në pozicionin e të parit të çdo problemi si gozhdë proverbiale. Çekiçi i tyre mund të jetë efektiv vetëm nëse asnjeri nuk mbron popullsinë: Dhuna e tyre shpesh drejton ndjenjat irakiane kundër tyre dhe ideologjisë së tyre. Është ende herët të deklarohet fitorja në këtë luftë, edhe më pak në një luftë më të madhe për të stabilizuar Irakun he për të fituar luftën globale kundër terrorizmit. AKI përsëri mund të bëhet një kërcënim serioz nëse Amerika zgjedh ta lejojë atë të ngrihet mbi qilim. Kërcënime të tjera të rëndësishme takfiri mbeten jashtë Irakut, si celula al Kaeda që po lufton forcat ushtarake libaneze nga kampet e refugjatëve palestinezë në Liban dhe grupi agresiv al Kaeda në Maghrebin islamik që ka shpallur synimin e tij të pushtimit të të gjithë Afrikës Veriore dhe të rivendosë sundimin musliman në Spanjë. Çdo lejim i al Kaedës është mjaft i ndryshëm nga të tjerët, dhe këtu nuk ka një zgjidhje të menjëhershme për t’i shpartalluar ata. Por eksperienca jonë në Irak tashmë ofron leksione për luftë më të madhe. Nocioni se aty ka pak al Kaeda “reale” me të cilën ne duhet të jemi më të përqëndruar se me AKI apo ndonjë lejim tjetër takfiri është qartësisht i rremë. Të gjitha këto organizata qelizore janë të ndërlidhura në majë, edhe pse ato varen nga lehtësuesit dhe luftëtarët lokalë në vënde të veçanta. Irakizimi i AKI nuk do të thotë se kjo nuk është pjesë e lëvizjes globale. Përkundrazi, nëse nuk do ta shpartallojmë AKI atëhere ajo do të fillojë të kryejë të njejtat funksione ndërkombëtare që al Keda dhe talebanët bënë në Afganistan: celulat aktive lokale të AKI do të lehtësojnë stërvitjen, planifikimin dhe pergatitjen për sulme kundër Perëndimit dhe objektivave të muslimanëve shekullarë në botën. Ashtu siç është theksuar shpesh, shumica dërmuese e sulmuesve të 11 shtatorit ishin sauditë, megjithatë sulmet e tyre u bënë të mundshme nga ndihmësit të cilët kurrë nuk e lanë Afganistanin. AKI, nëse do të lejohet të lulëzojë, nuk do të jetë ndryshe. Ajo ka përbërë më pak kërcënim jashtë Irakut për shkak të intensitetit të luftës me Irakun - ashtu si takfiristët në mes të muxhahedinëve afganë përbënin kërcënim të vogël jashtë vëndit për sa kohë ata duhej të luftonin me ushtrinë sovjetike. Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga ky armik i vendosur tani dhe e lejojnë atë të rifitojë pozicion bërnda shoqërisë irakiane, ka gjasa që celulat e AKI do të lehtësohen për të bërë sulme globale. Ideja e goditjes së këtyre celulave nga ajri apo nëpërmjet operacioneve speciale për të ndihmuar popullsinë lokale për të luftuar ato është e gabuar. Forcat e koalicionit janë bazuar në një gjë të tillë kundër al Kaedës në Afganistan dhe Pakistan që nga 11 shtatori me rezultate të dyshimta. Në fakt ka pasur pak sulme të suksesshme kundër fuqive perëndimore, dhe asnjë prej tyre në Shtetet e Bashkuara, për të cilën ky objektiv agresiv është përgjegjës. Por raportet e fundit informative sugjerojnë një forcim të lëvizjes al Kaeda. Në Irak, vitet e vënies në shënjestër të liderëve të AKI dobësuan lëvizjen dhe e drejtuan atë të bënte një sërë gabimesh kyç, por nuk ndalën sulmet me viktima në masë apo stimulimin e rezistencës popullore efektive ndaj takfiristëve. Duket e dyshimtë që komunitetet muslimane - edhe ato që kundërshtojnë ideologjinë takfiri - janë në gjendje t’i bëjnë ballë terrorizmit me forcat e tyre apo vetëm me ndihmën e shërbimit informative - të ndërmarrin sulme kundër liderëve terroristë dhe celulave të izoluara. Iraku gjithashtu ka kundërshtuar shibbolethin, që do të thotë se prania e forcave ushtarake amerikane në vëndet muslimane është mjaft jo produktive në luftën kundër takfiristëve. Sigurisht që terroristët përdorën praninë tonë si mjet rekrutimi dhe përfituan nga kryengritja e nacionalistëve suni arabë kundër forcave tona. Por nuk ka arsye të mendohet se Iraku mund të kishte mbetur i lirë nga luftëtarët takfiri nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin tërhequr forcat e tyre (apo nëse SHBA i tërheqin ato tani); dhe është ende e hapur pyetja nëse regjimi vazhdues baathist mund ti kishte mbajtur takfiristët jashtë. Takfiristët shkojnë aty ku janë forcat amerikane, të jemi të sigurtë për këtë, por ato shkojnë gjithashtu aty ku ato nuk janë: në Somali, Liban, Afrikën e Jugut, Indonezi dhe më tej. Paraqitja e forcave perëndimore nuk nxit pashmangëërisht sentimentin takfiri. Kur përdoren siç duhet dhe në rrethana të drejta, forcat ushtarake perëndimore mund të luajnë një rol esencial në luftën ndaj takfirizmit. Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të pushtojnë Uaziristanin dhe Baluchistanin, apo të lëshojnë sulme konvencionale paraprake kundër (apo në mbrojtje të) regjimeve të dobëta muslimane në gjithë botën. Çdo përgjigje duhet dhënë sipas rrethanave. Por ne duhet t’i japim liri konsensusit si të luftojmë terroristët që janë rritur shumë që nga 11 shtatori, i cili thekson “gjurmë të vogla”, duke punuar ekskluzivisht me partnerët lokalë dhe duke shmangur operacionet konvencionale për të mbrojtur popullsinë. Në disa raste operacionet e kundërkryengritjes tradicionale duke përdorur forcat konvencionale janë rruga e vetme për të shpartalluar këtë armik të shekullit të XXI. Muslimanët mund ta urrejnë al Kaedën, ta kundërshtojnë takfirizmin, dhe të duan paqe, por ata ende janë të paaftë të mbrojnë veten e tyre vetëm kundër terroristëve. Në raste të tilla, ndihma jonë, e përshtatur mirë me realitetet në terren, mund t’i bëjë muslimanët që urrejnë atë që takfiristët bëjnë ndaj besimit dhe popullit të tyre - shumica dërmuese muslimane – të kenë sukses. Ndihma për ta është mënyra më e mirë për të shpëtuar botën nga kjo murtajë. Nga Frederick W. Kagan (Weekly Standard
  15. MBROJTJA E ULQINIT. KUVENDI I DIBRËS (GUSHT-NËNTOR 1880) Demonstrata navale (gusht-tetor 1880) Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi, nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshte në dorëzimin e tij nga ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut. Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi. Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti. Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm të forcave malazeze. Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujërat e Raguzës. Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar deri në fund. Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3 ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti. Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra. Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit. Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës. Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor). Lufta e Ulqinit Kuvendi i Dibrës i filloi punimet më 20 tetor 1880. Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, të shoqëruar nga 5 mijë veta të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve ishin Ali pashë Gucia, Iliaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj. Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme. Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë. Si pasojë e këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. Megjithatë, vendimet e tij patën jehonë pozitive si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin publik evropian. Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880 Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini. Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra. Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit. Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj. Por ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe. Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi forcat e saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve të tjerë. Komiteti i ri nuk pati kohë të mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën e armatosur kundër ushtrisë osmane. Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq. Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive malazeze. Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. LËVIZJA KULTURORE SHQIPTARE NË VITET E LIDHJES SË PRIZRENIT (1878-1881) Mendimi politik, filozofik e shoqëror në vitet e Lidhjes së Prizrenit Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u shpreh vetëm me luftën e përditshme politike, diplomatike e ushtarake për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar. Ajo u shfaq në të njëjtën kohë edhe me zhvillimin e vrullshëm të mendimit politik, filozofik e shoqëror, si edhe të veprimtarisë publicistike, letrare e shkencore. Nga frymëzimi atdhetar e nga karakteri përparimtar, lëvizja kulturore shqiptare e viteve të Lidhjes së Prizrenit ishte pjesë përbërëse e lëvizjes kulturore rilindëse, e cila kishte marrë jetë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Por gjatë viteve të Krizës Lindore ajo përshiu të gjitha sferat e jetës kulturore të vendit dhe u kthye, më shumë se në të kaluarën, në një lëvizje atdhetare. Si e tillë ajo u frymëzua nga lufta politike, diplomatike e ushtarake që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, por me përmbajtjen e saj atdhetare e demokratike ndikoi në ngritjen ideologjike të lëvizjes kombëtare në një shkallë të paparë deri atëherë. Lëvizjen kulturore të kësaj periudhe e udhëhoqën po ata atdhetarë, të cilët përpunuan edhe platformën politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atë e udhëhoqën figura të shquara, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Thimi Mitko, Ymer Prizreni, të cilët me veprimtarinë e tyre si ideologë e si aktivistë, si shkrimtarë e si organizatorë, zënë një vend të rëndësishëm në historinë e gjithë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në fushën e mendimit politik e shoqëror, lëvizja kulturore trajtoi problemet kryesore që shqetësonin lëvizjen kombëtare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70: konsolidimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar autonom si hap drejt krijimit të shtetit kombëtar të pavarur, demokratik e iluminist. Një vend qendror në platformën ideologjike, të përpunuar në një varg shkrimesh nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare të këtyre viteve, zuri koncepti filozofik për kombin. Çështja kishte rëndësi jetike për shqiptarët, pasi në arenën ndërkombëtare sundonte ende koncepti mesjetar, i cili e mbante bashkësinë fetare të një populli si një përbërës të domosdoshëm për të qenë një komb. Sipas këtij koncepti, shqiptarët të ndarë në tri besime fetare të ndryshme nuk merreshin ende si pjesëtarë të një kombi të vetëm as nga Perandoria Osmane, as nga Fuqitë e Mëdha, as nga shtetet fqinje ballkanike. Si rrjedhim, atyre u mohohej e drejta për të formuar një shtet kombëtar më vete. Kundër këtij koncepti të prapambetur u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët e lëvizjes kulturore shqiptare. “Të ngresh besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk është aspak e pranueshme”, shkruante Pashko Vasa më 1879. Veç kësaj rilindësit nuk u pajtuan as me konceptin tjetër që qarkullonte në disa teoricienë të kohës së tyre, sipas të cilëve një popull quhet komb kur ka formuar shtetin. Konceptin filozofik për kombin e formuloi në mënyrë më të plotë Abdyl Frashëri qysh në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në artikujt e tij, të botuar në pranverën e vitit 1878, ai shikonte si përbërës të një kombi gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. Lëvizja kulturore shqiptare përvetësoi kështu në fushën ideologjike një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX. Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept të përparuar edhe në truallin e veprimtarisë politike. Ideologët rilindës të këtyre viteve, më shumë se paraardhësit e tyre, i dhanë lëvizjes kulturore shqiptare, ashtu si edhe lëvizjes politike kombëtare, një përmbajtje laike. Madje, për hir të unitetit kombëtar, ata u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës, kur ato binin ndesh me interesat kombëtarë, u shërbenin sunduesit të huaj dhe propagandave të shteteve fqinje; kështu ata ishin në konflikt të hapur me institucionet klerikale dhe të palëkundur përballë kërcënimeve të tyre. Thirrje të tilla si ajo e Pashko Vasës: E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e shqyptarit asht shqyptaria! u bënë shumë popullore në Shqipëri. Ky laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit përparoi me hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha fushat e jetës kulturore të vendit. Një vend po aq të rëndësishëm në platformën ideologjike të lëvizjes kulturore zuri edhe koncepti politik për territorin kombëtar të shqiptarëve. Kjo çështje kishte gjithashtu rëndësi jetike, pasi në kushtet e Krizës Lindore shqiptarëve u duhej të afirmonin sa më parë në arenën ndërkombëtare tërësinë territoriale të Shqipërisë si njësi politike, për të parandaluar përmbushjen e lakmive të huaja shoviniste në kurriz të saj. Ashtu si në konceptin e kombit, edhe në atë të territorit ideologët atdhetarë nuk ndoqën rrugën e udhëheqësve nacionalistë të monarkive ballkanike, të cilët, për të përligjur aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve të tjera, ngritën të ashtuquajturin kriter historik. Siç dihet, ky kriter krijoi te Serbia, Bullgaria e Greqia prirjen për të rimëkëmbur, në antagonizëm me njëra-tjetrën, e para Perandorinë e Stefan Dushanit, e dyta Perandorinë e car Samuilit, e treta Perandorinë Greke-bizantine, të cilat patën në mesjetë nën zgjedhën e tyre një varg kombësish të Ballkanit. Edhe shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kishin mundësi të merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës ku banonin mbarë fiset ilire për të përligjur krijimin e një shteti të madh shqiptar. Por ky kriter do të ishte i padrejtë, pasi në mjaft nga ato vise tashmë banojnë popuj të tjerë, të cilët nuk do të pranonin në kushtet e reja të qytetërimit të hynin nën një zgjedhë të huaj. Rilindësit kërkonin që të zbatohej në radhë të parë kriteri etnik dhe jo ai historik, të respektoheshin gjendja reale dhe të drejtat territoriale të sotme të të gjithë popujve. Vetëm kriteri etnik, theksonte Abdyl Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të vërtetë ndërmjet kombeve të tij. Me këtë koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua gjithashtu në pozitat më të përparuara të lëvizjeve kulturore evropiane të shek. XIX. Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit lëvizja kulturore shqiptare ngriti në një shkallë më të lartë edhe koncepte të tjera politike, filozofike ose shoqërore, të cilat ishin shfaqur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Ajo i dha konceptit atdhe ose mëmëdhe një përmbajtje të re politike jo vetëm si një bashkësi krahinore të vendlindjes, por si një bashkësi të mbarë trojeve amtare dhe si një ideal të shenjtë, për çlirimin ose mbrojtjen e të cilit të gjithë shqiptarët duhej të përpiqeshin me çdo mjet, duke mos kursyer as jetën e tyre. Ajo e pasuroi më tej kulturën politiko-shoqërore, duke e trajtuar konceptin e autonomisë së Shqipërisë nga këndi i interesave kombëtarë shqiptarë, si një hallkë kalimtare për të sendërtuar, në kushte kombëtare më të përshtatshme, pavarësinë e saj të plotë. Procesi i laicizimit të ndërgjegjes politike kombëtare ia hapi dyert një depërtimi më të hovshëm të mendimit iluminist në jetën kulturore të vendit, gjë që shpejtoi emancipimin ideologjik të shqiptarëve nga presioni i dogmatizmit obskurantist i institucioneve fetare. Veç kësaj, ajo e shtriu konceptin e vëllazërimit të shqiptarëve jo vetëm në fushën e detyrave, por edhe në atë të të drejtave. Si rrjedhim, ajo e shkriu atë me konceptin e barazisë së tyre qytetare, pavarësisht nga përkatësia fetare, shoqërore e krahinore, e cila nuk ishte në rendin shoqëror osman. Përveç të tjerave, ajo e konceptoi edhe vetë kulturën jo si një stoli, por si një armë që duhej të forconte unitetin kombëtar të shqiptarëve në luftë për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar. Letërsia politike Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më parë. Të tilla ishin protestat e memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë, të cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që shumica dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore të saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare të vendit. Pavarësisht nga autorët, ato pajtohen ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve themelore që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pothuajse të gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo spikat fryma e vëllazërimit të shqiptarëve pavarësisht nga dallimet fetare, spikat krenaria e tyre për traditat e përbashkëta liridashëse dhe vendosmëria për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje të rëndësishme politike tregonte se platforma ideologjike kombëtare kishte depërtuar thellë në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Por shprehjen e vet më të lartë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e gjeti te traktatet politike dhe te shkrimet publicistike të hartuara nga personalitetet e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar. Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh nevojën për një tribunë shtypi të pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar vazhdimisht lejen për të nxjerrë një organ periodik shqip brenda kufijve të Perandorisë. Edhe përpjekjet për të botuar një gazetë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane kishin dështuar pjesërisht për mungesë mjetesh financiare, pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive të huaja. Me përpjekje të mëdha Sami Frashëri arriti ta shtinte në dorë, në qershor të vitit 1878, drejtimin e gazetës turke “Terxhuman-i Shark” (“Interpreti i Lindjes”), që botohej në Stamboll, por kjo nuk pati jetë të gjatë, pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një vit më vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti, i cili filloi në shtator 1879 botimin në Athinë të gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”), por edhe kjo u mbyll pas një viti. Ndër penat publicistike Abdyl Frashëri u dallua në mënyrë të veçantë për gamën e problemeve, për forcën e argumenteve dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet e tij të botuara në shtypin turk, austriak e frëng. Ai shtjelloi në mënyrë koncize pothuajse të gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti. Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi gjithashtu Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës polemizuese kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare. Veç kësaj, ai trajtoi në gazetën e vet “Terxhuman-i Shark”, nga këndi i interesave të Shqipërisë, edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në publicistikën e këtyre viteve morën pjesë gjithashtu, ndonëse në mënyrë më të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë atdhetarë të tjerë, të cilët i botuan shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një kontribut të rëndësishëm dha në këtë fushë edhe Jeronim de Rada, një nga arbëreshët më të shquar të Italisë. Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë. Çështjes së aleatëve të shqiptarëve në luftën e tyre kombëtare iu kushtuan dy traktate të veçanta. Në njërin prej tyre, të botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali beu, me titull “Bisedime të ditës që meritojnë vëmendje”, autori shprehte mendimin se shqiptarët e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta, të cilët krijonin mundësinë për të qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën, të botuar greqisht në Athinë më 1880 nga Thimi Brandi, me titull “Ankime të shqiptarëve”, mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin njësoj nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat mendonin pa të drejtë se me zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte shkëlqimin e helenizmit. Një vend të rëndësishëm në letërsinë politike të këtyre viteve zë, më në fund, broshura “Shqiptarët dhe demonstrata navale përpara jurisë eprore të shtypit”, që një autor anonim shqiptar e botoi frëngjisht më 1880, për qëndresën që organizoi Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën një akuzë të ashpër Fuqive të Mëdha në përgjithësi dhe qeverisë britanike në veçanti, të cilat, në vend që të përkrahnin idenë e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë e zgjidhjes së Krizës Lindore, dërguan flotën e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të drejtat legjitime të një populli liridashës. Shkrimet publicistike dhe traktatet politike trajtojnë po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet e kësaj periudhe - njohjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare si një komb i formuar plotësisht dhe miratimin e të drejtës së tyre supreme për të pasur shtetin kombëtar në kufijtë e tyre etnikë. Me këto shkrime e traktate autorët sollën një varg argumentesh historike, filozofike, etnografike, filologjike e politike, që provonin se shqiptarët i kishin të gjitha vetitë për të qenë një komb dhe për të formuar shtetin e vet. Një nga argumentet e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve nga ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës të pellazgëve, pra, lashtësia e tyre shprehej në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës e të kulturës. Ata kritikuan tezën pseudoshkencore të përhapur në ato vite, sipas së cilës nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq gjuhë sa ishin dialektet e saj ose tezën tjetër se të folmet e saj ishin “dialekte të bastardhuara” të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën pikëpamjen, të cilën e kishin pranuar gjuhëtarët më të shquar të kohës, se gjuha shqipe ishte një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, se dallimet dialektore brenda saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a shumë njësoj si lidhjet ndërmjet gjuhëve të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët e të gjitha besimeve e të të gjitha krahinave kishin të njëjtin formim shpirtëror. Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën e tyre të veçantë qysh në kohët parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë, deri në njëfarë shkalle, traditave të lashta pasi përqafuan jo vetëm krishterimin, por edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare, nënvizonte ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë dallimeve shoqërore. Shoqëria shqiptare karakterizohej, sipas tij, nga ndarja në krerë e në popull dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë. Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, shkruante Pashko Vasa, “flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Midis tyre nuk ka pasur kurrë smirë të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë nuk ka qenë kurrë shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike”. Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe evokuan në shkrimet e tyre politike figurën e ndritur të Skënderbeut si mishërim i njësisë kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare dhe si flamur i luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të tij të lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve osmanë se shqiptarët ishin gati, në rast se nuk do t’u njiheshin të drejtat e tyre kombëtare, të përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç kësaj, ata u kujtonin popujve të Evropës se vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë, e cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar nën udhëheqjen e Skënderbeut, e kishte mbrojtur lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një vend të rëndësishëm në publicistikën e këtyre viteve zunë shkrimet që mbronin karakterin e programin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga akuzat e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare, të cilët e paraqitnin atë si një organizatë fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të krishterë. Sami Frashëri, i cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e saj. “Si mund të thuhet, - shkruante ai, - se Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë mbarë bijtë e atdheut?”. Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull tjetër, jo vetëm “nuk ka pasur gisht në formimin e saj”, por ajo as “nuk është në gjendje t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të”. Lidhja e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e këtyre viteve, ka për qëllim të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk drejtohet kundër kombeve të tjera të Ballkanit. “Lidhja Shqiptare, - shkruante më 1879 një atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, - është lidhje kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe përpiqet me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë kombin e vet duke bashkuar Shqipërinë në një vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet nga prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën e kombësisë së saj. Ajo dëshiron e kërkon të ketë paqe dhe miqësi me të gjitha kombet që e rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha kombësitë e huaja dhe të gjitha gjuhët e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj”. Më në fund, të gjithë autorët dhanë të njëjtin vlerësim për politikën e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen shqiptare. Të gjithë e dënuan njësoj Traktatin e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin parasysh me vullnetin e tyre interesat kombëtarë të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri të mendimit, se në kushtet e atyre viteve rreziku më imediat vinte nga politika pansllaviste ruse, se me synimet e veta ekspansioniste Perandoria Cariste kërcënonte jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare, por edhe atë të kombësive të tjera ballkanike, madje edhe ekzistencën e kombësive sllave të gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm të atdhetarëve shqiptarë, e vetmja rrugëdalje nga situata dramatike, që kërcënonte jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte respektimi i parimit të kombësisë për tërë popujt. Në rast se Shqipëria do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj, “do të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes”. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881) Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare dhe veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përqendruan vëmendjen në dy çështje kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj Çamërisë dhe në problemin e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në këtë periudhë u rrit më tej vendosmëria e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë asnjë pëllëmbë tokë të Çamërisë. Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të njëjtë për këtë çështje, vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të korrigjohej në mënyrë të tillë që Greqia të kënaqej jo me vise shqiptare, por me troje greke në Thesali. Edhe Porta e Lartë, duke qenë e bindur se përdorimi i dhunës për t’i detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga Çamëria do të shkaktonte një kryengritje të re, me përmasa të mëdha në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë të këtij vendimi. Stambolli u përpoq të përfitonte nga zvarritja e çështjes së Çamërisë për të marrë masat për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur në Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen autonomiste. Megjithëse krahu i moderuar i Lidhjes Shqiptare hoqi dorë nga lufta për autonominë e Shqipërisë, atdhetarët radikalë e vazhduan atë më me forcë pas ngjarjeve të Ulqinit. Në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Prizren në nëntor, në të cilën mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl Frashëri) të nisej për në Stamboll për t’i paraqitur edhe njëherë Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve dhe veç kësaj kryengritja kundërosmane të niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të kalonte në sulm kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qysh në javën e parë të muajit dhjetor 1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë në sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Goditjen e parë ua dha forcave atdhetare në Shkodër. Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e Ulqinit, Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme kundër organeve të Lidhjes së Prizrenit në vilajetin e Shkodrës, të cilat arriti t’i shpërndante me terror, duke rivendosur pushtetin e administratës centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër me partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit e luftës së Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi pabesisht dhe internoi në Anadoll edhe figura të tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në Stamboll. Arrestime të tjera ndërmori ai në qytetin e Shkodrës. Disa ditë më vonë Porta e Lartë e thirri në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën të hartonte planin e një ekspedite të madhe ushtarake kundër Shqipërisë, për të shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen e saj për kryengritje të armatosur kundërosmane. Në relacionin që i paraqiti sulltanit më 27 dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja autonomiste shqiptare të shtypej para se të shpërthente një kryengritje e përgjithshme e armatosur dhe për këtë qëllim të dërgoheshin në Shqipëri 40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese, njëra në Shkodër, tjetra në Shkup, që ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas zgjidhjes së çështjes së Çamërisë të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut. Në të njëjtën kohë sulltan Abdyl Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje të jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë ata që kërkonin krijimin e një vilajeti të vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane. Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet e Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për organizimin e aksionit të armatosur autonomist. Sipas planit të tyre, ai do të fillonte në vilajetin e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në vilajetin e Janinës dhe pastaj do të përhapej në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera. Në Kosovë veprimet e armatosura filluan në sanxhakun e Prizrenit, qysh në muajin dhjetor 1880, me një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin e sanxhakut së bashku me nëpunësit e huaj. Këtu mbërriti në ato ditë edhe Abdyl Frashëri, që u largua fshehurazi nga Stambolli. Brenda pak ditëve qytete e krahina të tjera, si Shkupi, Gjakova, Luma e Gucia, u çliruan e u pastruan nga administrata perandorake dhe u bashkuan me pushtetin e ri që u ngrit në Prizren. Vrulli i lëvizjes kundërosmane i nxiti udhëheqësit kryesorë të rrymës radikale, të grumbulluar në Prizren, të bënin hapat e parë për zbatimin e programit të tyre autonomist. Në fund të dhjetorit ata riorganizuan Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin edhe ndër themeluesit e saj, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra etj. Komiteti Kombëtar mori vendime të rëndësishme: të përhapte kryengritjen kundërosmane në krejt vilajetin e Kosovës dhe të thërriste mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare për të formuar qeverinë e përkohshme. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare u mblodh në Prizren në fillim të dhjetëditëshit të dytë të muajit janar. Në Kuvend mbajti një fjalim programatik Abdyl Frashëri, në të cilin tha, midis të tjerave: “Porta e Lartë nuk do që të bëjë asgjë për Shqipërinë. Ajo i trajton me përbuzjen më të madhe si lutjet tona, ashtu edhe neve… Le të mendojmë e le të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim ndërmjet toskëve e gegëve. Të jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të bashkuar”. Me këtë formulim Abdyl Frashëri nënkuptonte krijimin e “një shteti autonom shqiptar”, i cili, nëse nuk do të njihej nga Stambolli dhe do të sigurohej me anën e kryengritjes së armatosur, do të shpinte vetvetiu në shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë. Në përfundim të punimeve Kuvendi i Jashtëzakonshëm miratoi, me pak ndryshime, Komitetin Kombëtar të mëparshëm të Lidhjes Shqiptare. Duke marrë parasysh detyrën e re që shtrohej para vendit - zëvendësimin e administratës osmane me administratën shqiptare autonome - Kuvendi e veshi organin qendror të Lidhjes Shqiptare me funksione të plota pushtetore. Për këtë qëllim ai e shpalli Komitetin Kombëtar qeveri të përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin, nënkryetar Shuaip Spahiun dhe me dhjetë anëtarë, midis të cilëve ishin Abdyl Frashëri, i ngarkuar për punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi, i ngarkuar për punët ushtarake. Fill pas formimit të saj qeveria e përkohshme u përpoq ta përhapte flakën e kryengritjes çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës e të shtrinte pushtetin e saj në gjithë vilajetin e Kosovës dhe shkallë-shkallë edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Në të njëjtën kohë ajo iu përvesh organizimit të forcave ushtarake. Brenda pak ditëve u formuan njësi ushtarake të rregullta dhe pranë tyre reparte shëtitëse që do të shërbenin ku ta lypte nevoja. Në viset e çliruara u ngrit menjëherë administrata shqiptare, e cila hyri nën vartësinë e qeverisë së përkohshme të Prizrenit. Lëvizja e armatosur autonomiste u përhap me shpejtësi edhe në viset e tjera të vilajetit të Kosovës. Në saje të përkrahjes që gjetën në masat popullore, repartet e Lidhjes Shqiptare të komanduara nga Sulejman Vokshi, më 4 janar shtinë në dorë Shkupin, më 18 janar çliruan pa luftë Prishtinën (kryeqendrën e vilajetit) dhe më 25 janar Mitrovicën. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup mori urdhër të mos transportonte trupa e municione për ushtrinë turke. Në shkurt autoriteti i qeverisë së përkohshme u shtri në Tetovë, në Gostivar e në Dibër. Në Dibër dëbimi i nëpunësve turq ndeshi në kundërshtimin e feudalëve sulltanistë, që kryesoheshin nga Sadik pashë Hoxholli, të cilët, duke mos pasur mbështetje në popullsinë vendase, thirrën në ndihmë dy batalione turke nga Manastiri. Qeveria e përkohshme e Prizrenit dërgoi në Dibër Abdyl Frashërin, që u vendos drejtpërdrejt në selinë e prefekturës, para së cilës u mbajt një miting i madh. Duke iu përgjigjur thirrjes së Abdylit, që në fjalën e tij u kërkoi dibranëve të bashkoheshin me qeverinë e përkohshme, popullsia e Dibrës së Sipërme, qytetarë e malësorë, dëboi më 19 shkurt mytesarifin turk dhe vendosi pushtetin e Lidhjes Shqiptare. Dibra u lidh kështu me qeverinë e përkohshme. Porta e Lartë u përpoq t’i mbyste me anën e censurës lajmet mbi ngjarjet tronditëse që po zhvilloheshin në Kosovë. Madje jo vetëm shtypi turk, por edhe shtypi ndërkombëtar nuk botoi asgjë mbi këto ngjarje. Atdhetarëve shqiptarë nuk u mbeti asnjë mjet në dorë për të njoftuar zhvillimin e lëvizjes autonomiste, përveçse letrave personale që shkëmbenin fshehurazi ndërmjet tyre. Në një letër të tillë që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli Jeronim de Radës në Itali në valën e këtyre ngjarjeve, më 20 shkurt 1881, shkruante: “Lidhja e Shqiptarëve që ka kërthizën në Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë, që nga tre vjet e tëhu, bashkimin e Shqipërisë me një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë shqiptarët e kuptuan fort mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, dhe Lidhja e Prizrenit ka nevojë të bashkojë Shqipërinë e ta bënjë një me autonomi, a mbase me shkëputje fare pas punësë. Kështu Lidhja mori emrin e guvernës së përdorme (qeverisë së përkohshme - shën. i aut.) dhe përzuri guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupin dhe udhënë e hekurtë; 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një kryengritje të madhe në Shqipëri”. Në të vërtetë, në fund të shkurtit qeveria e përkohshme arriti të shtrinte autoritetin e saj në katër nga pesë sanxhakët e vilajetit të Kosovës (me përjashtim të Novi Pazarit): në të Prizrenit, të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës. Pushteti i ri u krijua nëpërmjet shndërrimit të komiteteve të mëparshme të Lidhjes në organe pushteti në çdo sanxhak. Po kështu ndodhi edhe me komitetet e kazave që vareshin nga ato të sanxhakëve. Qeveria e përkohshme synonte ta shtrinte kryengritjen e armatosur çlirimtare në krejt viset shqiptare, në vilajetin e Shkodrës, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një kujdes të veçantë i kushtoi ajo sanxhakut të Dibrës, si një hallkë që lidhte gjithë trevat shqiptare. Veprimtaria e qeverisë së përkohshme u përqendrua në ngritjen e forcave të armatosura shqiptare, në vendosjen e rendit publik, në organizimin e administratës së re e sidomos të gjykatave shqiptare (që u krijuan në çdo sanxhak duke zëvendësuar ato osmane), në krijimin e një buxheti të shtetit shqiptar, nëpërmjet përqendrimit në duart e Lidhjes të taksave shtetërore. Krahas veprimeve ushtarake, të cilat çuan në çlirimin e shpejtë të vilajetit të Kosovës dhe të disa viseve të vilajetit të Manastirit, qeveria e përkohshme i kushtoi kujdes të veçantë edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarët turq, por edhe nga ata sulltanistë shqiptarë. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Duke i dhënë një rëndësi të madhe vendosjes së një qetësie shembullore, organet e Lidhjes Shqiptare ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u morën gjithashtu edhe kundër parisë reaksionare, që u përpoq të minonte pushtetin e ri me veprimtarinë e saj armiqësore. Mjaft prej përfaqësuesve të saj u arrestuan. Për sukseset që pati pushteti i ri i vendosur nga Lidhja Shqiptare në viset e Kosovës, kryekonsulli austro-hungarez raportonte nga Shkodra, më 5 mars 1881, midis të tjerave: “ ... Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga Lidhja; gjyqtar është një qytetar i Prizrenit; taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të Lidhjes; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. Lidhja ka kujdes për mbajtjen e rendit qoftë në qytet, qoftë në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull se ç’ishte në kohën kur administratën e drejtonin funksionarët e sulltanit”. Sukseset që arriti lëvizja çlirimtare në Kosovë ngjallën një entuziazëm të madh në radhët e atdhetarëve shqiptarë. Madje shumë prej tyre filluan të shpresonin se me këtë hov që po merrte aksioni revolucionar çlirimtar po krijohej mundësia për të fituar jo vetëm autonominë e Shqipërisë, por “mbase”, siç shprehej Sami Frashëri ato ditë, edhe shkëputjen e saj të plotë nga Perandoria Osmane. Në këto rrethana qarqet atdhetare filluan të mendonin edhe për formën e qeverisjes që duhej të kishte shteti i ardhshëm shqiptar. Lidhur me formën e regjimit, opinioni publik shqiptar anonte kryesisht nga regjimi monarkist. Ai e përfytyronte Shqipërinë e lirë si një principatë a si një mbretëri me një fisnik shqiptar ose të huaj në krye. Sipas këtij koncepti, Shqipëria nuk duhej të bënte përjashtim nga vendet e tjera të Ballkanit që u formuan si shtete monarkiste. Përkrahësit e regjimit republikan ishin më të pakët. Ndër ta u shqua Sami Frashëri, i cili propozonte për Shqipërinë një zgjidhje origjinale, një republikë me një kryesi kolegjiale. “Në u bëftë dot Shqipëria më vete, - shkruante Sami Frashëri në letrën e përmendur drejtuar De Radës, - nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë që të na rrjepnë e të na pinë gjaknë. Vendi ynë mund edhe do të guvernohet (të qeveriset - shën. i aut.) prej një farë dhimokratije, prej pleqet”. Kjo pikëpamje për të vendosur në Shqipëri një regjim republikan me një presidencë kolegjale përfaqësonte mendimin më përparimtar të shprehur deri atëherë nga lëvizja demokratike shqiptare. Pas sukseseve që korri lëvizja në vilajetin e Kosovës e në sanxhakun e Dibrës, pritej që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të vendit. Në të vërtetë, në Shqipërinë e Jugut atdhetarët prisnin çastin e përshtatshëm për t’u hedhur në veprim. Shenjën do ta jepte Abdyl Frashëri në varësi të ecurisë të bisedimeve turko-greke dhe të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Meqenëse këtu Porta e Lartë kishte përqendruar forca ushtarake të mëdha për të përballuar një sulm të mundshëm nga ana e Greqisë, qeveria e përkohshme e Prizrenit filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës, sapo këta të hidheshin në veprim. Por pikërisht ato ditë u krijua një gjendje ndërkombëtare shumë e ndërlikuar, e cila e pengoi shtrirjen e lëvizjes në viset jugore. Ngjarjet e reja në Shqipëri, të cilat po çonin në prishjen e status quo-së në Evropën Juglindore, pra në ndryshimin e hartës politike të Kongresit të Berlinit, shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Shqetësimin e tyre e rriti më tej qëndrimi i Greqisë, e cila, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, filloi ta kërcënonte Perandorinë Osmane me luftë për ta detyruar që t’i lëshonte asaj Çamërinë e Thesalinë. Ndërlikimet e mëdha që po krijoheshin në Gadishullin Ballkanik nga sukseset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin energjikisht për t’i detyruar Stambollin e Athinën që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart të lira për të shtypur Lidhjen e Prizrenit dhe kryengritjen e saj të armatosur. Për t’i bërë ballë këtij komploti ndërkombëtar që po organizohej kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit u orvatën përsëri të siguronin një pikëmbështetje të jashtme. Rastin ua dha Greqia me gatishmërinë e saj për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare me Abdyl Frashërin në krye, u kthyen te projekti i tyre i vjetër për të lidhur një aleancë politike e ushtarake me Greqinë, sipas së cilës, në përfundim të luftës së përbashkët kundër Stambollit, Athina do të aneksonte provincën greke të Thesalisë, kurse shqiptarët do të fitonin pavarësinë kombëtare në kufijtë e tyre etnikë, duke përfshirë këtu edhe viset shqiptare të Çamërisë. Në fillim qeveria e Athinës u tregua e interesuar për bisedimet shqiptaro-greke, të cilat u zhvilluan në Korfuz. Por shpejt u pa se ajo nuk kishte hequr dorë nga platforma e saj, që parashikonte aneksimin e vilajetit të Janinës nga Greqia dhe bashkimin e Shqipërisë me Greqinë në formën e një shteti dualist. Veç kësaj, ndërsa vijonin bisedimet e Korfuzit, presioni i Fuqive të Mëdha ndaj Stambollit dhe Athinës u rrit aq shumë, sa Porta e Lartë e qeveria greke u detyruan të bënin lëshime dhe t’i jepnin fund grindjes rreth kufirit të tyre të ri. Sipas protokollit, që u nënshkrua më 27 mars 1881, Perandoria Osmane pranoi t’i lëshonte Greqisë pjesën më të madhe të Thesalisë, afërsisht deri në lumin Selemvria dhe një pjesë shumë të vogël në këndin juglindor të Epirit, konkretisht qytetin e Artës së bashku me rrethinat e tij. Ky vendim i Fuqive të Mëdha u mor për shkak të qëndresës gati trevjeçare të Lidhjes Shqiptare, e cila luftoi me vendosmëri për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare në vilajetin e Janinës (Epir). Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe ndërhyrjet e konsujve të tyre kundër lëvizjes autonomiste ushtruan një ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Shqipërinë e Jugut. Veç kësaj, me nënshkrimin e marrëveshjes turko-greke, Athina nuk dëshironte më trazira në vilajetin e Janinës. Madje tani lindi rreziku që, sapo të shpërthente kryengritja autonomiste në Shqipërinë e Jugut, Greqia t’i sulmonte shqiptarët prapa krahëve për të bërë aneksimin e vilajetit të Janinës. Në këto rrethana atdhetarët shqiptarë të viseve jugore ngurruan të fillonin veprimet kryengritëse kundër Portës së Lartë. Betejat e fundit të Lidhjes dhe shtypja e saj (prill 1881) Sapo u bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes, Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart të lira për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit, të Janinës, të Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e Dervish Pashës. Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkup, të kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera te Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit. Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane më 27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të cilët i arrestoi pabesisht. Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në mbarë vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, gjatë ditëve të mëvonshme u shpërngulën nga Selaniku në Shkup forcat kryesore të ekspeditës ushtarake osmane (30 batalione me rreth 20 mijë ushtarë). Më 7 prill 1881 arriti edhe vetë Dervish Pasha, i cili vendosi këtu shtabin e vet. Në të njëjtën kohë aty u shpall shtetrrethimi dhe filluan arrestimet. Për të ngjallur terror në popull, të gjithë anëtarët e arrestuar të Komitetit të Lidhjes, pasi i shëtitën në rrugë të lidhur me hekura, i dërguan në burgun e Selanikut dhe më vonë i internuan në ishullin e Rodosit, në detin Egje. Sapo ra Shkupi, Lidhja Shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët dhe për t’i bërë ballë ekspeditës osmane. Qeveria e përkohshme formoi shtabin e mbrojtjes me 25 anëtarë, nga të cilët njihen deri më sot Sulejman Vokshi (që ishte edhe komandant i tij), Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqirja Aga, Mullah Hyseni, Mustafa Aga, Halil Efendiu etj. Në kohën e fillimit të ekspeditës ushtarake shtabi kishte vetëm 5 mijë luftëtarë. Përpjekjet për mobilizimin e forcave të tjera nuk u kurorëzuan me sukses. Qeverisë së përkohshme i mungonin edhe mjetet financiare për armatimin dhe mbajtjen e tyre. Udhëheqësit e saj vendosën t’i përqendronin forcat ushtarake në rrugën Ferizaj-Prizren dhe ta zhvillonin luftën e armatosur në qafat e maleve midis Ferizajt e Suharekës, të cilat kontrollonin rrugën nga mund të kalonte ushtria turke për në Prizren. Për këtë arsye forcat e para vullnetare u përqendruan kryesisht në dy pika strategjike: në Shtimje, ku u vendos edhe shtabi i tyre nën kryesinë e Sulejman Vokshit; pjesa tjetër zuri vend në pozita më të përparuara, në afërsi të fshatit Slivovë. Për të siguruar ndërlidhjen e shpejtë të shtabit me Prizrenin, u ngrit me të shpejtë në Shtimje një stacion telegrafik. Sipas planit të shtabit të ushtrive shqiptare, në rast se qëndresa e Shtimjes do të thyhej, prita tjetër kundër ushtrive osmane do të organizohej në Grykat e Carralevës. Krahas përgatitjeve ushtarake, Lidhja e Prizrenit më 15 prill 1881 u drejtoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, që ishte dhe akti i fundit diplomatik i saj, me anën e të cilit, pasi shprehte vendimin që kishte marrë për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare, për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për ta futur vendin në rrugën e përparimit e të qytetërimit, kërkonte ndërhyrjen e kancelarive evropiane për të ndaluar ekspeditën ndëshkimore osmane. Por pikërisht në këtë çast vendimtar u dukën pasojat e dëmshme të qëndrimit të butë që kishte mbajtur qeveria e përkohshme ndaj forcave reaksionare, të cilat u vunë në lëvizje për të penguar mobilizimin në masë të forcave vullnetare dhe organizimin e shpejtë të qëndresës së armatosur. Në këtë gjendje tensioni të jashtëm e të brendshëm, dy javë pasi ra Shkupi, Dervish Pasha u dha urdhër ushtrive të veta të marshonin drejt Kosovës dhe të zinin qytetin Ferizaj. Për të ngjallur terror në popullsinë shqiptare, gjatë marshimit ushtria osmane, pasi theu qëndresën e parë që ndeshi në Grykën e Kaçanikut, bombardoi me artileri fshatrat që ndodheshin gjatë rrugës. Më 7 prill ajo hyri në Ferizaj. Të nesërmen arriti këtu edhe Dervish Pasha së bashku me shtabin e vet. Sapo u vendos në Ferizaj, ai u dërgoi një ultimatum forcave të Lidhjes duke i kërcënuar se do të merrte masa ndëshkimore të rrepta kundër atyre që do të qëllonin me armë ushtritë osmane. Krerët dhe vullnetarët e Lidhjes nuk lëvizën nga pozitat e tyre. Vetëm disa krerë, midis tyre edhe Ali pashë Gucia, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur besnikërinë e tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së Prizrenit. Dervish Pasha u përgatit për më shumë se dhjetë ditë para se të nisej ekspedita nga Ferizaj në Prizren. Pasi dështuan orvatjet e tij për të përçarë udhëheqësit e Lidhjes, ai ndërmori për katër ditë me radhë (16-19 prill) disa operacione ushtarake të kufizuara për të zbuluar numrin e vullnetarëve shqiptarë dhe pozitat e tyre. Më 20 prill 1881 ushtritë osmane të ndara në dy kolona morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje. Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve. Por të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë përpara grykave të topave të artilerisë osmane. Përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit. Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë, por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës. Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1 200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta. Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dervalla dhe Esat pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. Epërsia e ushtrisë osmane, kapitullimi i elementëve të moderuar dhe pushtimi i shpejtë i Prizrenit shkaktuan tronditje të thellë në opinionin publik të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes vendosën ta vazhdonin më tej qëndresën kundër ushtrive osmane. Vatrat e qëndresës tani duhej të organizoheshin në Gjakovë e në Dibër. Për organizimin e tyre shkuan Sulejman Vokshi në Gjakovë dhe Abdyl Frashëri në Dibër. Sipas planit të ri, forcat dibrane duhej të sulmonin Shkupin për t’u marrë krahët ushtrive osmane, gjë që do të ndihmonte vullnetarët gjakovarë të kundërsulmonin për të rimarrë Prizrenin. Por në Dibër Abdyl Frashëri gjeti një gjendje të ndryshuar. Këtu dibranët nuk deshën të largoheshin nga Dibra për të luftuar kundër Dervish Pashës në Kosovë, sepse mendonin se forcat turke do të sulmonin fshatrat rreth qytetit. Prandaj malësorët dibranë vendosën që ta kundërshtonin ushtrinë osmane në viset e tyre. Në Gjakovë Sulejman Vokshi gjeti kushte më të favorshme. Me gjithë reaksionin e disave prej parisë feudale, qyteti e malësia ndodheshin ende nën autoritetin e degës së Lidhjes Shqiptare. Udhëheqësit e saj arritën të mobilizonin forca të shumta, sidomos nga radhët e malësorëve të Krasniqit e të Gashit. Por vullnetarët e mobilizuar nuk ishin të mjaftueshëm për një sulm kundër Prizrenit. Si rrjedhim, edhe forcat gjakovare qëndruan në mbrojtje të krahinës së tyre. Vendosmëria e tyre e detyroi Dervish Pashën të priste ardhjen e forcave të tjera përpara se të ndërmerrte sulmin kundër Gjakovës. Sulmi u zhvillua një muaj më vonë, në maj 1881. Pasi morën Gjakovën, ushtritë osmane shtinë nën kontrollin e tyre të gjitha qytetet e tjera të Kosovës. Por në malësitë e Gjakovës, të Dibrës e të Lumës qëndresa e armatosur kundër ushtrive osmane vazhdoi me sulme e kundërsulme nga të dyja palët, deri në vjeshtë 1881. Në përfundim të ekspeditës ushtarake osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e Kosovës e mori kudo administrata e Portës së Lartë. Vendosja e saj u shoqërua me një terror të pashembullt për Shqipërinë. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë veta, udhëheqës e veprimtarë të Lidhjes, 3 mijë në Kosovë dhe 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Slivovë e në Shtimje, përveç Mic Sokolit, qenë edhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes dhe luftëtarë të ushtrisë së saj, si Rustem Sadria, Seit Suhareka, Mehmet Smaili, Ali Ibrahimi e të tjerë, ndërsa nga ata që u kapën dhe u ekzekutuan pa gjyq Ali Nimani (oficer karriere), Mulla Hyseni e Sef Kosharja. Dervish Pasha u përpoq të shtinte në dorë me çdo kusht udhëheqësit e lëvizjes autonomiste shqiptare dhe të qëndresës së armatosur kundërosmane. Kryetari i qeverisë së përkohshme, Ymer Prizreni, u fsheh për disa kohë në Malësinë e Gjakovës, pastaj mërgoi në Mal të Zi (Ulqin). Ai nuk pranoi asgjë nga ofertat për falje e për ofiqe të larta që i dha sulltani dhe qëndroi në mërgim derisa vdiq (1884). Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjet i arratisur gjithashtu në Malësinë e Gjakovës. Gjatë kësaj kohe ai organizoi një kryengritje tjetër kundër pushtuesit osman, që shpërtheu në Kosovë më 1885. Me shtypjen e saj u kap dhe u dënua rëndë. Abdyl Frashëri u nis në këtë kohë për në Shqipërinë e Jugut. Por Dervish Pasha, i cili donte ta shtinte me çdo kusht në dorë, u dha urdhra të rreptë organeve të xhandarmërisë turke për të zënë të gjitha shtigjet nga mund të kalonte ai drejt jugut dhe caktoi një shumë të madhe për atë që do ta kapte të gjallë ose të vdekur. Abdyli u shpëtoi ndjekjeve qeveritare gjatë udhëtimit të fshehtë në rrethet e Dibrës, të Matit, të Krujës e të Tiranës, por në kohën kur po kapërcente Shkumbinin, në vahun e fshatit Buqës, afër Elbasanit, u kap nga një patrullë turke dhe u dërgua në Prizren. Këtu u dënua nga një gjyq special me vdekje, dënim i cili u kthye në burgim të përjetshëm. Abdyli u mbajt tre vjet i burgosur në kalanë e Prizrenit, pastaj u internua së bashku me familjen në zonën e Marmarasë. Duke qenë i sëmurë rëndë nga vuajtjet në burg dhe në internim, Abdyl Frashëri u lejua më 1886 të kthehej në Stamboll, ku jetoi i izoluar nën vëzhgimin e policisë derisa vdiq më 1892. U arrestuan gjithashtu udhëheqës të tjerë të Lidhjes, si Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti etj., që u dënuan me burgime e internime të rënda. Të njëjtin qëndrim Porta e Lartë mbajti edhe në vilajetin e Janinës. Edhe këtu, pasi u dënuan veprimet e lëvizjes atdhetare, valiu i vilajetit, Mustafa Asim pasha, në fillim të muajit thirri në një mbledhje të posaçme në Prevezë të gjithë anëtarët e degëve të Lidhjes Shqiptare të krahinave të Jugut (49 veta) për të dënuar idenë e autonomisë së Shqipërisë. Ashtu si në Prizren, edhe në Prevezë, krerët që nuk pranuan të hiqnin dorë nga kërkesa për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar, si Mustafa Nuri Vlora, Omer pashë Vrioni, Mehmet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra, Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza etj., u arrestuan pabesisht dhe u internuan në Çanak-Kala. Pas valës së burgimeve dhe të internimeve, Dervish Pasha iu përvesh detyrës së tretë me të cilën e kishte ngarkuar Porta e Lartë, funksionimit të rregullt të administratës shtetërore osmane dhe në mënyrë të veçantë çarmatimit të popullsisë, vjeljes së taksave, rekrutimit të nizamëve dhe ngritjes së gjykatave perandorake në të gjitha trojet shqiptare. Për plotësimin e kësaj detyre ai qëndroi në Shqipëri bashkë me forcat e tij deri në fund të vitit 1881. Por, me gjithë terrorin e egër, Porta e Lartë nuk arriti ta nënshtronte plotësisht vendin. Ajo nuk mundi ta shuante idenë që kishte pushtuar masat popullore për autonominë e Shqipërisë, as aspiratën e tyre për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Administrata centraliste osmane u vendos vetëm në qytete e në fshatrat fushore. Fshatrat e viseve malore nuk pranuan as të dorëzonin armët, as të jepnin taksa, as të shkonin nizamë. Çështja e taksave, e nizamëve dhe e armëve mbetën një plagë e hapur për Portën e Lartë. Në kuadrin e lëvizjes autonomiste shqiptare ato u bënë shkak për shpërthimin e konflikteve të reja ndërmjet popullit shqiptar dhe pushtuesve osmanë. Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Lëvizja kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura. Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX - njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik. Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane. Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë. Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar ajo mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare. Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike. Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar. Me qëndresën e armatosur që zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje. Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë Greke. Me karakterin kombëtar që përshkoi veprimtarinë e saj trevjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e kombit shqiptar; ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar, me aspiratat e veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Edhe pse shqiptarët nuk i fituan gjatë Krizës Lindore të drejtat e tyre kombëtare, në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit çështja shqiptare hyri tanimë në veprimtarinë diplomatike ndërkombëtare si një nga problemet e mprehta që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të Evropës Juglindore. Me veprimtarinë pushtetore, që zhvilloi sidomos gjatë muajve të fundit të jetës së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit hodhi gjithashtu poshtë tezën tjetër të propaganduar aq shumë nga armiqtë e Shqipërisë mbi paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje dhe provoi në truallin konkret se ata tashmë ishin të përgatitur politikisht për të pasur shtetin e tyre kombëtar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare; përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit 1912. Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg mësimesh të rëndësishme. Sukseset e saj treguan se autonomia e Shqipërisë ishte një synim i realizueshëm, por shtypja e saj tregoi se fitorja përfundimtare e autonomisë kalonte nëpër rrugë të vështira dhe se duheshin përpjekje të tjera vigane për arritjen e saj. Historia e Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi, më në fund, rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, të letërsisë shqiptare dhe të publicistikës patriotike. ZHVILLIMI I LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI NË VITET 1882 - 1895 1. KUSHTET E REJA POLITIKE PAS SHTYPJES SË LIDHJES SË PRIZRENIT Gjendja politike pas Lidhjes së Prizrenit Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u krijua një gjendje e rëndë politike për lëvizjen kombëtare dhe për mbarë popullin shqiptar. Forcat e shumta ushtarake osmane të komanduara nga Dervish Pasha, pasi shpërndanë qeverinë e përkohshme shqiptare, rivendosën administratën osmane në zonat ku kishte vepruar kjo qeveri dhe u përpoqën të forconin kudo autoritetin e Portës së Lartë. Qeveria e Stambollit ishte tronditur thellë nga vrulli dhe nga arritjet e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj vendosi në Shqipëri një regjim terrori politik, që ishte i lidhur me emrin e sulltan Abdyl Hamitit II ose të “sulltanit gjakatar”, siç e quanin rilindësit. Në Shqipëri, veçanërisht në Kosovë, vepruan për një kohë të gjatë shtetrrethimi dhe gjykatat ushtarake. Qindra e mijëra atdhetarë shqiptarë u ndoqën, u burgosën dhe u internuan. Qëllimi i këtyre masave të ashpra ishte që të pengohej zhvillimi i mëtejshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Porta e Lartë u dha kompetenca të veçanta organeve të xhandarmërisë e të policisë, për të cilat u përdor pjesa më e madhe e buxheteve lokale të sanxhakëve dhe të vilajeteve shqiptare. Sipas buxhetit të vitit 1889, për xhandarmërinë dhe për policinë u caktuan në sanxhakun e Elbasanit 63% të shpenzimeve lokale, në atë të Korçës 64% dhe në atë të Dibrës 70%, pa përfshirë këtu garnizonet ushtarake, të cilat mbaheshin nga buxheti perandorak. Në fund të kësaj periudhe (më 1898), nga 982 857 groshë shpenzime të vilajetit të Kosovës, për xhandarmërinë u përdorën 977 116 groshë. Krahas dhunës politike, administrata sunduese osmane rëndoi edhe shtypjen ekonomike, duke shtuar taksat e detyrimet e mëparshme dhe duke vendosur të reja; ajo mori masa të rrepta për nxjerrjen e tyre, duke përfshirë edhe ato të prapambeturat nga vitet e Lidhjes. Si rrjedhim, u keqësua më shumë gjendja ekonomike e popullsisë së fshatit dhe e qytetit. Megjithëse vendi ishte i varfër e i prapambetur, miliona groshë të nxjerrë nga popullsia shqiptare vazhdonin të merrnin rrugën e Stambollit. Ndër të tjera paguhej edhe për rrugët e për shkollat, por rrugë e shkolla nuk ndërtoheshin. Në sanxhakun e Korçës, ku grabitja fiskale osmane ishte më e theksuar, buxheti i vitit 1889 parashikonte të vilte nga taksat një shumë prej 9 671 mijë groshë, nga e cila, për të përballuar shpenzimet administrative të vendit, do të përdoreshin vetëm 1 795 mijë groshë, kurse pjesa tjetër, rreth 81% e të ardhurave, do të dërgoheshin në Stamboll. Gjendjen ekonomike të popullsisë e keqësonin edhe më shumë korrupsioni e abuzimet e nëpunësve osmanë. Lidhur me këtë, konsulli austriak Shmuker shkruante në gjysmën e dytë të vitit 1881, se “korrupsioni dhe keqadministrimi i mëparshëm i nëpunësve qeveritarë ka filluar përsëri..., lakmia e ditur e tij (e Dervish Pashës - shën. i aut.) për të holla shfaqet gjithmonë e më qartë në të gjitha veprimet e tij”. Po kështu plagë të rënda për popullsinë ishin shërbimi i detyruar ushtarak, i cili kryhej për vite me radhë dhe në vise të largëta të Perandorisë, si edhe gjykatat osmane, të cilat i zgjatnin së tepërmi proceset gjyqësore dhe nuk zgjidhin asnjë çështje pa ryshfet. Krahas dhunës së drejtpërdrejtë, Porta e Lartë përdori edhe mjete të tjera kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë ekspeditave ushtarake për shtypjen e Lidhjes dhe më vonë, duke shpërndarë para, grada e dekorata, ajo arriti të tërhiqte në anën e saj disa krerë feudalë e bajraktarë të lëkundur e konservatorë. Porta e Lartë vuri në poste të rëndësishme edhe disa krerë shqiptarë që kishin marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, që kishin pranuar të bashkëpunonin me të dhe që kishin ndikim në popull. Përveç kësaj, ajo nxiste përçarjet fetare e krahinore për të penguar bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare. Çdo pakënaqësi kundër pushtetit osman paraqitej si e nxitur nga jashtë, nga armiqtë e fesë islame e të Perandorisë Osmane, kurse atdhetarët shqiptarë etiketoheshin si agjentë të shteteve të huaja. Si pasojë e të gjitha këtyre masave, Lëvizja Kombëtare Shqiptare mori një goditje të rëndë. Megjithatë qeveria e Stambollit, për shkak të qëndresës së vazhdueshme të shqiptarëve, nuk arriti të vendoste “rendin” e “qetësinë” e dëshiruar. Masat e saj shtypëse, administrative, fiskale e ushtarake, ndonëse të mbështetura nga bajonetat e ushtrisë, arritën të zbatoheshin vetëm në qytetet e në viset fushore, madje edhe atje në mënyrë jo të plotë, kurse përpjekjet për të shtrirë administratën e centralizuar osmane edhe në viset malore nuk dhanë rezultat; atje vijuan të ruheshin venomet e mëparshme. Duke vlerësuar në mënyrë të saktë pozitën e qeverisë osmane në Shqipëri pas Lidhjes së Prizrenit, konsulli austriak i Korfuzit A. Varsberg (A. Warsberg), i shkruante Vjenës në vitin 1884: “Pasi e pashë gjendjen, ngul këmbë se do të ishte gabim të mos shihej sundimi i tanishëm turk (në Shqipëri) si një sundim krejt i kalbur, i dobët, i urryer dhe i përbuzur prej të gjithëve”. Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare. Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70, në Evropë u vendos një farë stabiliteti politik i përkohshëm. Për shkak të interesave të tyre, Fuqitë e Mëdha ishin të prirura të ruanin për një farë kohe status quo-në e Perandorisë Osmane dhe hartën politike të Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin e Berlinit. Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën, ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara, që i kishin siguruar prej kohësh brenda territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve të tyre për të mbizotëruar në këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër fuqive të tjera të interesuara në Çështjen Lindore. Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në pritje të një kohe më të përshtatshme, nuk kishin ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik. Edhe Italia, duke qenë e pazonja për të shmangur kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë të bregdetit shqiptar të Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë rivale, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë, edhe dy rivalet e Vjenës, Peterburgun e Romën. Meqenëse fusha ku ndesheshin interesat e kundërt austro-rusë dhe austro-italianë ishte kryesisht trashëgimi osman në Ballkan, “zbutja” e këtyre kontradiktave shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së status quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës së tre perandorëve” më 18 qershor 1881 ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, të Rusisë e të Austro-Hungarisë. Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte këtë periudhë “qetësie” për t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen e synimeve të veta në rastin e një krize të re politike. Në fushën diplomatike fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe imperialiste. Kështu, për shkak të raportit të forcave në arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave që kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin ekzistencën e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e si rrjedhim edhe sundimin mesjetar osman në Ballkan e në Shqipëri; në këtë mënyrë frenonin luftërat çlirimtare të popujve që ende vuanin nën robërinë osmane. Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur. Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888, “nuk u kënaqën me plagët që i bënë (Shqipërisë - shën. i aut.) gati për vdekje (gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin e tyre”. Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të shtënë në dorë zotërimet osmane në Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, për shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë) ishte bërë edhe më e qartë se në përpjekjet për sendërtimin e pretendimeve të tyre territoriale ndaj trojeve shqiptare, ato do të ndesheshin me qëndresën e shqiptarëve që ishin të vendosur të mbronin tërësinë e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat t’i tërhiqte shqiptarët pas vetes dhe forcën e tyre luftarake ta vinte në shërbim të politikës së saj pushtuese. Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe për t’i hedhur në kryengritje të parakohshme, që do t’i lidhnin duart Perandorisë Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës, të shkollës, të propagandës etj. dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar. Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik. Këtë politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të jashtëm. Por as politika përçarëse e Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre të pavarura. Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në dy rrugë të ndryshme, të cilat plotësonin njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës, e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë, si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë e saj për helenizimin e shqiptarëve. Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjta” paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj. binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe nën mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë e grekomanë, klerikë e laikë, zhvilluan në mënyrë të fshehtë edhe një veprimtari politike në të mirë të Greqisë e gjoja edhe të të krishterëve shqiptarë. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në lëvizjen kombëtare ishin përfshirë edhe disa çifligarë dhe për t’i larguar atdhetarët shqiptarë nga kjo lëvizje, grekomanët në fushatën e tyre propagandistike u përpoqën ta paraqitnin në mënyrë krejt të shtrembër përmbajtjen kombëtare të lëvizjes shqiptare, duke e quajtur atë një lëvizje të maskuar të feudalëve myslimanë shqiptarë, me fitoren e së cilës Shqipëria do të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të hynin në një zgjedhë të re më të rëndë. Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund t’i varnin shpresat për arritjen e synimeve të tyre politike ndaj Shqipërisë vetëm në një grusht elementësh grekomanë vendas, aq më tepër kur në radhët e shqiptarëve po rritej gjithnjë e më shumë lëvizja kombëtare për një shtet shqiptar më vete. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje, ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar më 1883, shoqata kulturore “Vllamët shqiptarë”, e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Agjentët e këtyre komiteteve e shoqërive vepronin deri në Mirditë, në Mat e në Dibër. Këtij qëllimi i shërbenin edhe një varg organesh të shtypit, të cilat, krahas atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll, në Bukuresht, në Trieste etj. Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër për formimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit. Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke iu përgjigjur disa personaliteteve evropiane, që nuk e kuptonin synimin e vërtetë të propagandës së Athinës, “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885) shkruante në shkurt 1886: “Disa zotërinj të shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar kështu dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e kuptojnë se sot ekzistenca jonë e veçuar bën që ne të vazhdojmë të ekzistojmë dhe bashkimi do t’i jepte fund ekzistencës sonë”. Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt, disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese të Athinës e shikonin Federatën si një mjet për të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane pa e prishur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Por kryeministri grek nuk mori asnjë zotim konkret ndaj shqiptarëve. Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri grek, nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke iu përgjigjur propozimit të Trikupisit, “Fiamuri i Arbërit” shkruante në mars të vitit 1884: “Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të cilat janë zonjat e vetvetes dhe i kanë duart të lira, le të federohen. Edhe Anglia - ose kush të dojë, le t’i përkrahë nëse Turqia ose ndonjë tjetër ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi të formohet federata) Shqipëria do të vendosë vetë pasi të shohë diçka përpara syve të saj. Përndryshe do të kërkojmë të zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon (Shqipërinë - shën. i aut.) të ngrejë krye për diçka që nuk ekziston dhe që ta fillojë ajo, e përçarë, pa të holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me krahë të pakët, luftën kundër Turqisë që i ka të gjitha këto me shumicë dhe më shumë aleatë që e ndihmojnë”. Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për këtë çështje me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të rolit të dyfishtë që luante Komiteti i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës, por edhe Cetinës. Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin një rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në saje të veprimtarisë shekullore të Fanarit në dobi të helenizimit të popullsive të krishtera jogreke të Perandorisë Osmane, në një pjesë të opinionit publik evropian dhe të literaturës politike e shkencore të kohës ishte përhapur pikëpamja e gabuar se ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e saj, Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria Osmane. Vija politike e rilindësve Kushtet e reja të vështira të krijuara në Shqipëri pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, rreziku i copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet fqinjëve lakmitarë dhe politika e ruajtjes së status quo-së e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në këtë periudhë diktuan nevojën e përpunimit të një taktike të re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ndonëse tani pa një organizatë qendrore kombëtare, rilindësit, në saje të lidhjeve që kishin ndërmjet tyre, mbajtën pak a shumë të njëjtin qëndrim për problemet politike të lëvizjes. Pikëpamjet e tyre të përbashkëta shërbyen si program në këtë periudhë zbatice të lëvizjes së armatosur. Rilindësit e kuptuan se tani kishte marrë fund përkohësisht periudha e sulmit të drejtpërdrejtë kundër sundimtarëve osmanë dhe kishte filluar një periudhë e re e grumbullimit të forcave. Ata me të drejtë e vlerësuan situatën e re si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme të armatosur, së cilës do t’i kundërviheshin jo vetëm forcat ushtarake osmane, por edhe ato të Fuqive të Mëdha që nuk donin të cenohej status quo-ja në Turqinë Evropiane. Si rrjedhim, rilindësit nuk shikonin ende kushtet e mundësitë për të arritur në ato vite shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ata këtë gjendje e shihnin si të përkohshme, aq më tepër kur mendonin, sikurse shkruante Sami Frashëri, se Perandoria Osmane nuk do të jetonte gjatë në Ballkan. Në këtë periudhë stabiliteti politik të përkohshëm, rilindësit u kufizuan me disa kërkesa të karakterit kulturor-arsimor dhe administrativ që nuk preknin status quo-në e Perandorisë Osmane. Ata kërkuan nga Porta e Lartë zbatimin e reformave të parashikuara në artikullin 23 të Traktatit të Berlinit që vetë Turqia e kishte pranuar nën trysninë e Fuqive të Mëdha. U kërkua gjithashtu që të ktheheshin nga viset e ndryshme të Perandorisë shqiptarët e internuar gjatë shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. Por theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në zgjerimin e lëvizjes kulturore kombëtare për përhapjen e shkrimit shqip, të shkollës e të letërsisë kombëtare, me qëllim që të ngrihej më tej ndërgjegjja politike e popullit, të njihej kombësia shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe të mbrohej nga orvatjet shkombëtarizuese të armiqve. Për këtë arsye lufta për shkollën e për letërsinë shqiptare mbeti edhe në këtë periudhë stabiliteti, ashtu siç kishte qenë para Lidhjes së Prizrenit, përmbajtja kryesore e lëvizjes kombëtare. Gjuha e kultura kombëtare u bënë hallka të rëndësishme, me anën e të cilave rilindësit punuan për të bashkuar gjithë popullin shqiptar pavarësisht nga dallimet fetare, krahinore e klasore. Lëvizja kombëtare brenda vendit u zhvillua në kushtet e një ilegaliteti të plotë. Për këtë arsye një rëndësi të madhe morën kolonitë shqiptare të mërgimit, sidomos ato të Rumanisë, të Bullgarisë, të Egjiptit etj. Në to, pikërisht në këtë periudhë, filloi jetën e vet shtypi shqiptar, ku rilindësit patën mundësinë të shprehnin hapur pikëpamjet e tyre. Më 20 korrik 1883 në Kalabri doli numri i parë i organit mujor “Fiamuri i Arbërit” në dy gjuhë, në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe në italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës. Ai vazhdoi botimin deri në vitin 1887 dhe dha një ndihmesë të shquar për njohjen dhe për afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1884 filloi të botohej në Stamboll revista mujore me emrin “Drita” e më vonë “Dituria” (1884-1885) dhe më 1888 botohet në Bukuresht gazeta “Shqipëtari” (1887-1903). Si në letërkëmbimin që patën rilindësit ndërmjet tyre brenda e jashtë Shqipërisë, ashtu edhe në organet e para të shtypit shqiptar, atdhetarët theksonin veçanërisht nevojën e përhapjes së arsimit e të kulturës shqiptare, si mjete që do të futnin kombin shqiptar në rrugën e zhvillimit e të përparimit, që do ta mbronin nga rreziku i shkombëtarizimit dhe do ta radhitnin atë krahas kombeve të tjera të përparuara të Ballkanit e të Evropës. Patriotët i kushtuan rëndësi gjithashtu njohjes së kombit shqiptar në qarqet politike e diplomatike evropiane dhe mbrojtjes së të drejtave të tij legjitime. Pasi doli nga burgu i Prizrenit dhe nga internimi i Anadollit, Abdyl Frashëri u drejtoi disa letra e memorandume personaliteteve të Fuqive të Mëdha. Tri prej tyre ia dërgoi Françesko Krispit, me origjinë nga arbëreshët e Italisë dhe në atë kohë kryeministër i Italisë. Letrën e parë ia çoi në nëntor 1887 dhe të dytën në shtator 1888, por këtë e nënshkroi së bashku me Mehmet Ali Vrionin. Me anën e saj ata i parashtronin F. Krispit “dëshirat dhe ndjenjat e shqiptarëve”, theksonin se Shqipëria ndodhej “para jetës ose vdekjes së saj, para ringjalljes ose copëtimit të saj”. Pasi përmendnin qëndresën energjike e të vazhdueshme të kombit shqiptar kundër pushtuesve osmanë, shkruanin: “Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do të tregohet më e denja për përkrahjen e Evropës dhe më e afta për të qeverisur vetveten”. Pavarësisht nga taktika e re që u detyruan të ndiqnin rilindësit në atë periudhë, letra e përmendur tregonte qartë se, edhe në ato vite reaksioni të egër, synimi kryesor i shqiptarëve dhe i lëvizjes së tyre kombëtare mbetej i njëjtë: fitorja e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj territoriale. Në letrën e tretë drejtuar Françesko Krispit, Abdyl Frashëri i shprehte edhe një herë mendimin e tij të njohur se “Çështja e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë, e cila zë një vend me shumë rëndësi në Gadishullin Ballkanik”; ai shprehte gjithashtu bindjen se “Shqiptarët janë të gatshëm më mirë të vdesin të gjithë me armë në dorë sesa ta lënë veten e tyre të copëtohen midis kombesh të tjera, të cilat do t’ua shkatërronin gjuhën e karakterin e tyre”; po aty i kërkonte që në interes të paqes e të drejtësisë të plotësohej dëshira legjitime e fisnike e kombit shqiptar, duke e njohur Shqipërinë si një shtet autonom ose të pavarur, në kufijtë e saj natyrorë dhe etnografikë. Po kështu në vitin 1892 Nikolla Naçoja, kryetar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, së bashku me rregulloren e Shkollës Normale të çelur prej tij në Bukuresht, u dërgoi letra e promemorje disa personaliteteve politike e shkencore rumune dhe evropiane, si Dimitër Butkuleskut, kryetar nderi i Shoqërisë “Drita” dhe deputet në parlamentin rumun, kancelarit gjerman Bismark, mbretit të Italisë, albanologut çek Jan Urban Jarnik, profesor në Universitetin e Vjenës etj. Në letrën dërguar Bismarkut, në korrik 1892, në emër të Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe të popullit shqiptar, Nikolla Naçoja e vinte në dijeni për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike të popullit shqiptar, për rrezikun e shkombëtarizimit të tij nga shkollat e huaja e nga propaganda pansllaviste dhe ajo e “Megali Idesë” greke, të cilat përhapeshin duke shfrytëzuar tolerancën dhe indiferencën ndaj tyre të Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë shprehte bindjen se kancelari gjerman do t’i tërhiqte vërejtjen Perandorisë Osmane për “të drejtat e shenjta” të shqiptarëve, për krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre dhe për mbrojtjen nga rreziqet që u kanoseshin. KRYENGRITJET SHQIPTARE NË VITET 1883-1895 Kryengritjet kundërosmane në vitet 1883-1885 Megjithëse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit rilindësit e vlerësonin gjendjen politike të brendshme e të jashtme të vendit si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme, qëndresa e armatosur e shqiptarëve kundër sundimit osman e masave të tij shtypëse vijoi pa ndërprerje. Por tani ajo pati karakter lokal dhe u zhvillua në përmasa më të kufizuara. Vatra të pashuara kryengritjesh e konfliktesh të armatosura mbetën malësitë shqiptare (të Kosovës, të Shkodrës, të Lumës, të Mirditës, të Himarës etj.). Por lufta e armatosur përfshiu herë pas here edhe zonat fushore e qytetet (si Podrimën, Rekën e Zadrimën dhe qytetet e Prizrenit, të Gjakovës, të Pejës, të Shkodrës etj.). Kryengritja e parë pas shtypjes së Lidhjes ishte ajo e Malësisë së Mbishkodrës, ku pakënaqësia kishte ardhur gjithnjë duke u rritur. Në vitin 1882 ajo u shtua edhe më shumë për shkak të veprimeve arbitrare dhe të krimeve të bylykbashit të krahinës. Shaljanët dogjën shtëpitë e disa zaptijeve që ishin të lidhura me bylykbashin dhe dërguan te qeveritari i Shkodrës një përfaqësi të përbërë prej 60 vetash të armatosur, e cila i njoftoi atij se kundërshtimi ndaj qeverisë do të vazhdonte derisa të emërohej një bylykbash i përshtatshëm për ta. Në dhjetor të po atij viti u vra nga malësorët komisari i policisë së bajraqeve malore, i cili kishte ngjallur urrejtjen e gjithë Malësisë. Situata u acarua edhe më shumë kur autoritetet qeveritare osmane hynë në bisedime me Malin e Zi, lidhur me konfliktet kufitare, për të siguruar asnjanësinë e tij në rast se organizohej një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë së Mbishkodrës. Për t’i dalë përpara situatës, më 26 prill 1883 përfaqësuesit e Malësisë organizuan në Kastrat një mbledhje, në të cilën vendosën të kundërshtonin shtimin e trupave ushtarake osmane në Malësi dhe çdo lëshim të territorit të tyre Malit të Zi. Në mbledhjen e Kastratit u vendos që të formohej një lidhje mbrojtëse e malësisë, e cila do të merrte masa si kundër Portës së Lartë, ashtu edhe kundër Malit të Zi. Qeveritarët osmanë nga ana e tyre po përgatisnin me shpejtësi një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë. Më 2 qershor 1883 u vunë në lëvizje shtatë batalione dhe një bateri malore, e komanduar nga gjenerali Hafiz Pasha. Në ndihmë të tyre u vunë edhe dy luftanije në liqenin e Shkodrës me dy kompani ushtarësh. Me kastratasit u bashkuan forcat e Shalës, të Shkrelit, pjesërisht të Hotit, të Grudës e të Kelmendit. Përpara qëndresës këmbëngulëse të kryengritësve Hafiz Pasha u detyrua të kërkonte ndërprerjen e luftës, duke u premtuar “kushte të ndershme”: do të respektoheshin privilegjet e tyre tradicionale dhe do të gjendeshin “kompensime të tjera” për lëshimet tokësore ndaj Malit të Zi. Por luftimet vazhduan gjatë 15 ditëve. Forcat osmane morën masa të egra terrori ndaj popullsisë. Me shtypjen e kryengritjes turqit shpallën një falje gjysmake. Një numër krerësh malësorë u hodhën në arrati për të mos rënë në dorë të tyre. Ngjarje të tjera ndodhën gjatë vitit 1883 në Llap të Kosovës, ku u ngritën rreth 300 burra për të kundërshtuar bylykbashin turk, i cili ishte dërguar për të mbledhur taksat qeveritare. Po kështu, në Dibër, nën trysninë e popullsisë së pakënaqur të qytetit e të malësisë, u hoqën nga detyra mytesarifi dhe kryetari i gjyqit ushtarak. Në këtë rast dibranët u çliruan edhe nga puna angari në rrugën ushtarake Ohër-Strugë-Dibër, ndërtimi i së cilës u pezullua. Vatër e qëndresës kundërosmane mbeti gjithnjë Kosova. Megjithëse pesha kryesore e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Dervish Pasha kishte rënduar pikërisht mbi të, Stambolli nuk arriti ta qetësonte këtë krahinë veçse përkohësisht. Në gusht e shtator të vitit 1884 popullsia e Prizrenit dhe e rretheve të tij e kundërshtoi pagimin e taksës për kokë që do të vilej me rastin e regjistrimit të popullsisë, si edhe shtesën prej 25% të së dhjetës. Rreth 500 podrimas, fandas e lumjanë të armatosur hynë në Prizren. Në këto rrethana autoritetet e vendit premtuan se do të hiqnin dorë nga detyrimet e reja. Mirëpo, kur nga mesi i shtatorit ato i kërkuan përsëri këto detyrime, një numër edhe më i madh malësorësh të armatosur hynë në Prizren dhe dëbuan prej qytetit mytesarifin e drejtorin e financës. Për të qetësuar gjendjen, Porta e Lartë i hoqi nga Prizreni nëpunësit e dëbuar dhe premtoi edhe njëherë anulimin e taksave e lirimin e atdhetarëve të burgosur e të internuar gjatë ekspeditës së komanduar nga Dervish Pasha. Por pas kësaj qeveria osmane dërgoi përforcime ushtarake në Prizren dhe arrestoi e internoi pjesëmarrësit e ngjarjeve të shtatorit 1884. Reagimi i popullsisë ishte i menjëhershëm. Në shkurt të vitit 1885 shpërtheu një kryengritje e re. Këtë radhë, krahas uljes së taksave dhe të drejtës për mbajtjen e armëve, kryengritësit kërkuan edhe faljen e të burgosurve e të të internuarve të shumtë, të cilët mbaheshin në burgjet e në viset e Anadollit që nga koha e shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. Lëvizja u shtri në rrethet e Prizrenit, të Ferizajt dhe në krahinën e Lumës. Krerët e saj mbanin lidhje edhe me organizatat atdhetare të mërgimit. Veprimet luftarake vazhduan nga fundi i shkurtit deri në mesin e marsit. Kryengritësit prenë linjat telegrafike, sulmuan e rrethuan Prizrenin. Më 20 shkurt 1885 midis Prizrenit e Ferizajt u bë ndeshja e parë e një pjese të kryengritësve kosovarë me repartet osmane. Atë ditë kryengritësit, të pakët në numër dhe të armatosur keq, u tërhoqën përpara zjarrit të dendur të topave dhe të mitralozave të armikut. Por shumë shpejt e rifilluan kundërsulmin: “... më 1 mars, - thuhet në letrën që një atdhetar prizrenas u dërgoi disa ditë më vonë organizatave të mërgimit, - kryengritësit ..., pasi u grumbulluan, sulmuan Prizrenin nga të gjitha anët pasdite në orën 9 allaturka dhe luftuan trimërisht deri në mëngjes... Dhe, me gjithë mitralimin e tmerrshëm e të vazhdueshëm, luftuan deri në shtëpitë e para të qytetit dhe i pushtuan”. Autoritetet osmane dërguan atëherë një ekspeditë të madhe ushtarake me mareshalin Vesel Pasha në krye. Kryengritësit, të ndodhur përballë forcave të mëdha armike, u detyruan të hiqnin rrethimin e qytetit e të tërhiqeshin, ndërsa udhëheqësit e tyre qëndruan në arrati dhe u përpoqën të mbanin gjallë kryengritjen. Vesel Pasha, krahas masave që mori për të siguruar qetësinë në Prizren, në gusht 1885 iu drejtua papritmas Gjakovës, ku, nën drejtimin e Sulejman Vokshit, po bëheshin përgatitje për të formuar një lidhje të re. Në fillim ai arrestoi Sulejman Vokshin e bashkëpunëtorët e tij. Popullsia e zemëruar, duke dashur të përsëriste ngjarjet e zhvilluara tetë vjet më parë kundër mareshalit Mehmet Ali pasha, sulmoi trupat osmane që kishin bllokuar qytetin. Ndërmjet tyre u zhvilluan luftime të ashpra, por në saje të përforcimeve ushtarake që erdhën nga Prishtina, Vesel Pasha mundi t’i sprapste sulmet e shqiptarëve. Kur në Gjakovë zhvilloheshin luftimet, në Rumelinë Lindore shpërtheu kryengritja çlirimtare kundër Stambollit dhe disa ditë më vonë u shpall bashkimi i saj me Bullgarinë. Duke parashikuar keqësimin e mëtejshëm të gjendjes në Ballkan, Porta e Lartë u detyrua të ndryshonte qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ajo pezulloi veprimet ushtarake, e anuloi edhe njëherë urdhrin për zbatimin e reformave centralizuese, ua njohu malësorëve të drejtën të mbanin armë, liroi nga burgu e nga internimi shqiptarët e arrestuar, duke përfshirë edhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit, si Abdyl Frashërin e Sulejman Vokshin dhe, më në fund, premtoi se do të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë. Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893 Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë (1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë në lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe monarkitë ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan këtë veprim që “prishte” ekuilibrin politik të Ballkanit. Por në Konferencën e Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll posaçërisht për këtë çështje, fitoi teza e Anglisë, e cila, duke e parë rritjen e Bullgarisë, që tani ishte prishur me Peterburgun, si një pengesë për shtrirjen ruse në Ballkan, kërkoi që bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë të njihej si fakt i kryer. Serbia e Greqia, nga ana e tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato kërkuan shpërblime territoriale për të kundërbalancuar zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake. Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në nëntor 1885, i shpalli luftë Bullgarisë që përfundoi pas dhjetë ditësh me disfatën e serbëve. Greqia hoqi dorë nga lufta kundër Bullgarisë, por u orvat të siguronte shpërblime territoriale duke e kërcënuar Turqinë me luftë. Porta e Lartë iu përgjigj këtij kërcënimi, duke forcuar kufijtë turko-grekë. Me këtë rast edhe në Shqipërinë e Poshtme, në afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri të mëdha osmane. Edhe këtë radhë Stambolli u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin në ushtrinë osmane për t’i bërë ballë kërcënimit grek. Në këto kushte, kur për shkak të masave ushtarake të Athinës lindi përsëri rreziku i copëtimit të vendit, jo vetëm ata krerë feudalë që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, por edhe rilindësit që udhëhiqnin lëvizjen kombëtare, nuk ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Perandorisë Osmane dhe nuk shtruan si detyrë të ditës çështjen e shkëputjes prej saj. Duke shprehur gatishmërinë për të luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë së sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar të qëndresës shqiptare. Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u përmirësua shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente në politikën e ruajtjes së status quo-së, formalisht nuk lejuan të bëheshin ndryshime territoriale në Ballkan. Me traktatin bullgaro-turk që u nënshkrua në mars të vitit 1886 në Bukuresht, ato e njohën bashkimin e Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore, por me kusht që të ruhej në dukje gjendja e mëparshme. Fuqitë e Mëdha e ndaluan edhe Greqinë të ndërmerrte veprime luftarake kundër Turqisë dhe e detyruan me forcë të bënte çmobilizimin. Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar kështu riacarimin e marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve turq dhe rritja e papërmbajtur e taksave u bënë shkak për lëvizje të reja protestash në krahina të ndryshme të vendit. Gjatë viteve 1887-1892 protestuan e ngritën krye popullsia e Mirditës, e Zadrimës, e Prishtinës, e Drenicës, e Dibrës, e Himarës etj. Autoritetet osmane arritën t’i shtypnin këto lëvizje me anën e forcës ose t’i shpërndanin kryengritësit duke u bërë premtime të rreme. Për të qetësuar gjendjen në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë përqendroi atje forca të mëdha ushtarake. Megjithatë, lëvizja atdhetare e udhëhequr nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj., po përhapej gjerësisht në pranverën e vitit 1893. Në fund të majit Haxhi Zeka i bëri thirrje popullit të Pejës e të rrethinave të saj që të ngrihej në luftë kundër pushtetit osman. Pasi dështuan në orvatjet për t’i bindur kryengritësit të shpërndaheshin, turqit dërguan në Pejë forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi. Haxhi Zeka ishte tërhequr nga qyteti dhe ishte vendosur në fshatin Leshan, ku i shkuan në ndihmë 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet luftarake filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë. Turqit, duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke pasur përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti e kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të Gjakovës. Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë të pabesë dhe u mbajt në Stamboll për disa vjet. Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë shpërtheu një kryengritje e re. 3 000 lumjanë të armatosur iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin e mytesarifit turk. “Tërë Luma është ngritur me armë dhe kërkon përzënien e mytesarifit të Prizrenit e të disa bejlerëve të atjeshëm”, shkruante konsulli serb i Prishtinës. Valiu i Kosovës dhe Porta e Lartë, për t’i prerë rrugën zgjerimit të konfliktit, shkarkuan nga detyra mytesarifin e Prizrenit, Salih Pashën. Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur dhe as të lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat e paraqitura ishin të kufizuara. Megjithatë, Abdyl Frashëri shihte tek ato synimet e shqiptarëve për t’u çliruar nga zgjedha osmane.“Shqiptarët, - shkruante Abdyli në vitin 1888, - nuk kanë pushuar kurrë së shfaquri pakënaqësinë e tyre kundrejt qeverisë osmane dhe dëshirën e tyre për pavarësi”. Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën disa rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të internuarve politikë. PËRPJEKJET PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË KULTURËS KOMBËTARE. KONTRIBUTI I DIASPORËS SHQIPTARE Organizimi dhe veprimtaria e diasporës shqiptare Për shkak të reaksionit të egër osman që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe të keqësimit të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Të mërguarit forcuan kështu kolonitë e vjetra shqiptare që ndodheshin në këto vende. Në këto vite filluan gjithashtu mërgimet e para të shqiptarëve në Rusi e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se në atdheun e robëruar lëvizja kombëtare zhvillohej në kushte ilegale dhe zbatimi i programit të saj, qoftë edhe për arsimin e kulturën, ishte gati i pamundur, një rëndësi gjithnjë e më të madhe mori veprimtaria e diasporës shqiptare. Me gjithë vështirësitë e shumëllojshme që duhej të kapërcenin, shqiptarët e mërguar mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë një kontribut shumë të madh në lëvizjen kombëtare, veçanërisht për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare. Veprimtaria atdhetare e shqiptarëve të mërguar filloi tani të organizohej e të udhëhiqej nga shoqëritë që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Këto shoqëri atdhetare, të ngritura jashtë Perandorisë Osmane, vepruan legalisht dhe në kushte më të mira politike. Ndonëse kishin synime të qarta politike, për të përgatitur çlirimin e atdheut nga robëria dhe mbrojtjen e tij nga copëtimi, ato paraqiteshin si shoqëri kulturore, gjë që pasqyrohej edhe në programet e statutet e tyre. Kjo bëhej për të shfrytëzuar mjetet legale në të mirë të lëvizjes shqiptare dhe për të shmangur çdo pengesë që mund të nxirrej, nën presionin e qeverisë osmane, nga organet qeveritare të vendit ku vepronin. Bashkëkohësi dhe veprimtari i këtyre shoqërive, Visar Dodoni, ka shkruar më vonë: “Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare...”. Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e themeluar në Stamboll në vitet e Lidhjes së Prizrenit, pati jetë të shkurtër. Pas tronditjes që pësoi gjatë reaksionit të vitit 1881 dhe pasi mbeti me pak anëtarë, ajo nuk mundi ta vijonte veprimtarinë e saj në forma të organizuara e legale si më parë. Disa nga anëtarët e kësaj Shoqërie i larguan nga Stambolli, kurse disa të tjerë hoqën dorë vetë prej saj. Megjithatë, një bërthamë anëtarësh aktivë si dhe kryetari i saj Sami Frashëri e vijuan veprimtarinë në fushën kombëtare më shumë në forma individuale dhe në kushte ilegaliteti. Në këto rrethana, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të lëvizjes kombëtare, patriotët u detyruan ta kalonin një pjesë të madhe të veprimtarisë jashtë Perandorisë Osmane, por gjithnjë në afërsi të Shqipërisë, në vende si Rumania e Bullgaria, të çliruara nga zgjedha e huaj, ku kishte koloni shqiptare të mërgimit. Shteti rumun, i formuar nga bashkimi i principatave të Vllahisë e të Moldavisë (më 1859), sidomos pas sigurimit të pavarësisë (më 1878), vijoi të jetë vendi kryesor i strehimit të emigrantëve të krahinave të ndryshme të Turqisë Evropiane, pra edhe të një numri të madh shqiptarësh. Për shkak të lidhjeve tradicionale ndërmjet dy popujve dhe të interesave të përbashkët politikë në Ballkan, shteti rumun e përkrahte luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Rumani. Po kështu shteti i ri bullgar, i çliruar më 1878 dhe i bashkuar me Rumelinë Lindore më 1885, nuk e pengoi organizimin dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Sofje e në qendra të tjera të Bullgarisë. Kolonitë shqiptare në Rumani e në Bullgari, duke qenë numerikisht më të mëdha, materialisht më të forta dhe në rrethana politike më të favorshme morën përsipër një rol të veçantë e me shumë rëndësi në lëvizjen kombëtare, duke ndihmuar për ngritjen e shtypshkronjave, për botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, për nxjerrjen e gazetave shqiptare, për hapjen e shkollave kombëtare etj. Pikërisht kur po shtypej Lidhja e Prizrenit dhe kur ishin krijuar kushte të vështira për veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit, zuri fill Shoqëria e Bukureshtit, e cila si nga numri i anëtarëve, ashtu edhe nga veprimtaria, u bë shoqëria më e rëndësishme kulturore e kësaj periudhe. Kriza e fundit e Lindjes dhe lufta 3-vjeçare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit ushtruan ndikimin e tyre në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare të shqiptarëve të Rumanisë. Përveç kontakteve që mbanin me Shqipërinë, ata filluan të lidheshin edhe me shqiptarët e Stambollit e të Egjiptit, veçanërisht me Sami Frashërin. Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të asaj kolonie, të cilët formuan Shoqërinë “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit”. Pas krijimit të kësaj Shoqërie, shkuan në Bukuresht Jani Vretoja e Pandeli Sotiri, të dërguar nga Shoqëria e Stambollit. Vitin tjetër në Egjipt u themelua një degë tjetër e Shoqërisë së Stambollit me të njëjtin emër, por për shkak të vështirësive politike kjo degë përkohësisht nuk mundi të zhvillohej. Për disa kohë edhe “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit” në Bukuresht mbeti e dobët dhe me veprimtari të kufizuar. Por me shtimin e numrit të anëtarëve të saj dhe për të përballuar më mirë nevojat që shtronte zhvillimi i mëtejshëm i lëvizjes kombëtare, sidomos në fushën kulturore, u bë një hap i ri përpara. Në dhjetor të vitit 1884 u mblodh në Bukuresht një kuvend i posaçëm, i cili themeloi një shoqëri kulturore më vete me emrin “Drita”. Në dokumentet e kësaj mbledhjeje dhe në statutin e shoqërisë u përcaktua edhe programi. Mbledhja zgjodhi komitetin drejtues me kryetar Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik shqiptar nga Korça, nga i cili shoqëria shpresonte të siguronte shuma të rëndësishme për qëllimet e saj. Qysh në këtë mbledhje u hartua një listë ndihmash për blerjen e një shtypshkronje. Kryetari i Shoqërisë “Drita” premtoi se do të jepte për këtë qëllim 100 mijë franga dhe se do të linte me testament në dobi të lëvizjes kulturore shqiptare gjithë pasurinë e tij. Qysh në muajt e parë numri i anëtarëve të shoqërisë arriti në 300 veta. Ndonëse ajo kishte synime të qarta politike kombëtare, statuti e paraqiste atë si një shoqëri kulturore-letrare. Në nenin 1 të tij thuhet se Shoqëria e shqiptarëve “Drita” themelohej duke pasur si qëllim të vetëm zhvillimin e përparimin e gjuhës shqipe. Në nenin 2 thuhej se shoqëria nuk do të përzihej në çështje politike dhe se për t’ia arritur qëllimit të vet do të shtypte libra në gjuhën shqipe dhe do të çelte shkolla shqipe në Shqipëri, të cilat do të ndihmonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në nenin 3 kërkohej që në shkollat shqipe gjuha turke të ishte fakultative si gjuhë e Perandorisë, kurse në nenin 4 përcaktohej që si alfabet i shqipes të përdorej ai i Stambollit. Me 43 nenet e statutit rregullohej tërë veprimtaria e Shoqërisë “Drita”, si dhe marrëdhëniet me degët e saj. Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, duke ecur në gjurmët e Shoqërisë së Stambollit, filloi të punonte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe me anën e shkollave, të librave didaktike, të gazetave etj. Mbështetur në programin e në statutin e saj, shoqëria shtroi si detyrë kryesore blerjen e një shtypshkronje për botimin e librave shqip. Për këtë qëllim mblodhi si ndihmë 10 828 lej, përveç shumës që kishte mbledhur më parë dhe, pas një kohe, shtypshkronja e porositur në Vjenë u vendos në Bukuresht. Ndërkohë Sami Frashëri, Naim Frashëri dhe Jani Vretoja përgatitën tekstet e para mësimore dhe ia dërguan Shoqërisë së Bukureshtit, e cila në muajt e parë të vitit 1886 filloi t’i botonte në shtypshkronjën e saj. Në vitin 1886 u botua nga Naim Frashëri: “E këndimit të çunave këndonjëtoreja”, “Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet” (greqisht), “Istoria e përgjithshme”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Bagëti e bujqësija”; nga Sami Frashëri: “Abetare e gjuhësë shqip” dhe “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (gramatika); nga Jani Vretoja: “Numërmësonjë” dhe “Mirëvetija” (Mësime morali). Po kështu Shoqëria “Drita” kërkoi nga qeveria osmane që shkollat në gjuhë të huaj në Shqipëri të shndërroheshin në shkolla shqipe ose që në to të mësohej edhe gjuha shqipe. Themelimi i kësaj shoqërie kulturore, pjesëmarrja e qindra shqiptarëve ortodoksë, në mënyrë të veçantë e korçarëve, që në rini kishin ndjekur shkollën e kishën greke, i shqetësoi kundërshtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht qarqet shoviniste greke, të cilat kishin pretendime mbi Korçën dhe mbi tërë Shqipërinë e Poshtme. Duke shprehur këtë shqetësim gazeta e Athinës “Konfederata Lindore” shkruante në janar të vitit 1885: “Morëm vesh me një habi të dhimbshme se në Bukuresht u themelua një silog (komitet) për lëvrimin e gjuhës shqipe ... për ta përpunuar dhe bërë sa më të kulluar ... Për ta shkëputur përgjithmonë Shqipërinë nga Greqia, deshën të nxjerrin në dritë një gjuhë shqipe. Sepse lindja e kësaj gjuhe nuk do të thotë gjë tjetër veçse ndarje dhe shkëputje e shqiptarëve prej nesh...”. Në Bukuresht në atë kohë vepronin disa gazeta e shoqëri greke të lidhura me Patrikanën e Stambollit e me Athinën, të cilat ndiqnin hap pas hapi si shtypin, ashtu edhe tërë lëvizjen kombëtare. Në Bukuresht ishte gjithashtu filiali i Komitetit Pansllavist me ambasadorin rus në krye, i cili mbante lidhje me konsujt e shteteve ballkanike (grekë, serbë, bullgarë), si dhe me komitetet e tyre që vepronin në Rumani. Silogu grek në Bukuresht u angazhua për të penguar me çdo mënyrë veprimtarinë e Shoqërisë “Drita”. Kundër saj veproi edhe konsulli rus në Bukuresht, Hitrovo, i cili, ashtu si konsulli i atjeshëm grek, nxiti përçarje ndërmjet anëtarëve të kryesisë së Shoqërisë “Drita” dhe së bashku u përpoqën ta pengojnë e ta paralizojnë veprimtarinë e shoqërisë shqiptare. Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Drita” u lëkundën përballë presionit grek. Madje, vetë kryetari i saj Anastas Laçke, i mikluar nga ledhatimet e lavdërimet e mbretit të Greqisë (që e dekoroi për “besnikëri”), dhe i kërcënuar në fshehtësi nga elementët grekomanë, hoqi dorë nga veprimtaria e tij në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u bashkua me grekomanët. Ndërhyrjet dhe intrigat e jashtme bënë që në radhët e Shoqërisë së Bukureshtit të futej fara e grindjes dhe e përçarjes dhe që veprimtaria e saj të binte përkohësisht. Lëkundjet e grekomanëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet dy grupimeve politike që u formuan në gjirin e Shoqërisë, bënë që kjo të shpërndahej në vitin 1886. Në vendin e saj u krijuan dy shoqëri. Grupi i kryesuar nga Nikolla Naço (1843-1913), në mbledhjen që u mbajt në janar të vitit 1887, themeloi një shoqëri më vete po me emrin “Drita”, në të cilën morën pjesë përkrahësit e tij. Pjesa tjetër e atdhetarëve shqiptarë formoi nga mesi i vitit 1887 një shoqëri tjetër me emrin “Dituria”, sipas emrit të dytë të revistës shqipe të botuar në Stamboll. Në themel të konfliktit ndërmjet dy shoqërive qëndronin pikëpamjet e tyre të ndryshme për një varg çështjesh të lëvizjes kombëtare. Nikolla Naçoja vlerësoi drejt rrezikun që i kërcënohej lëvizjes kombëtare nga politika e qarqeve drejtuese të Greqisë, nga pansllavizmi dhe nga ndikimi i kishës e i kulturës greke mbi shqiptarët. Por, në të njëjtën kohë, ai mendonte se shqiptarët do të mund të përballonin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje nëpërmjet bashkëpunimit me vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë e të Pindit dhe, nëpërmjet tyre, me Rumaninë. Sipas tij, vetëm një bashkëpunim i tillë do t’u jepte mundësinë të dy palëve, shqiptarëve dhe vllehëve, që t’u bënin ballë rreziqeve të përbashkëta që u vinin nga shovinistët grekë, serbë e bullgarë. Pikëpamjet e Nikolla Naços për t’u mbështetur në ndihmën e një shteti të huaj, sikurse ishte Rumania, nuk përputheshin me mendimin e forcave të tjera politike të lëvizjes kombëtare, të cilat ishin për një qëndrim më të ashpër kundër sulltanit e Perandorisë Osmane dhe nuk ishin kundër bashkëpunimit edhe me grekët e me rusët. Shoqëritë e riformuara “Drita” e “Dituria” e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete të tjera të Rumanisë, si në Brailë, në Fokshan, në Kostancë, në Marashesht, në Krajovë, në Ploesht etj., ku kishte mjaft shqiptarë të mërguar. Këto degë krijuan fondet e tyre për përhapjen e mësimit shqip e për botimin e librave dhe mbanin lidhje me Shoqërinë “Drita” të Bukureshtit, që ishte shoqëri qendrore. Kjo bëri disa botime të tjera didaktike. Po kështu dega e Shoqërisë “Drita” në Brailë (në maj 1887) nxori gazetën letrare-shkencore “Drita” (rumanisht “Lumina”), e cila pati gjithsej 11 numra. Në gusht të vitit 1888 doli numri i parë i gazetës “Shqipëtari” (“Albanezul”), organ i Shoqërisë “Drita”, gazetë javore në gjuhën shqipe e rumune, e cila, me ndërprerje, vijoi të dalë deri më 1903. Në artikullin me titull “Çfarë kërkojmë”, botuar në numrin e parë të gazetës “Shqipëtari”, jepej në mënyrë të përmbledhur programi i Shoqërisë “Drita”, në të cilin kërkohej: “1) Përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla dhe në kisha; 2) Themelimi i degëve kulturore dhe hapja e shkollave shqipe; 3) Zhvillimi i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë kombëtare; 4) Botimi i teksteve shkollore, i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe”. Në vazhdim të programit gazeta shpallte gjithashtu një thirrje në formë manifesti, drejtuar gjithë shqiptarëve, me të cilën i grishte ata, kudo që jetonin e pa dallim feje, të ngriheshin “si një trup i vetëm, për të kontribuar me punën e tyre, me pasuri, me fjalë, me mendje, me zemër dhe në rast nevoje edhe me jetën për zhdukjen e robërisë së popullit shqiptar”. Siç shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm përmbajtje kulturore e arsimore, por edhe politike e atdhetare. Megjithatë, veprimtaria e Shoqërisë “Drita” zyrtarisht nuk drejtohej hapur kundër sulltanit dhe nuk kërkonte drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë. Kjo motivohej me rrezikun e madh që i kanosej popullit shqiptar nga politika shoviniste e shteteve fqinje. Një qëndrim i tillë taktik i Shoqërisë “Drita” shpjegohet edhe me koniunkturën politike të kohës, me interesimin e qeverisë rumune për të mos cenuar marrëdhëniet e mira të Rumanisë me Portën e Lartë. Një luftë të ashpër Shoqëria “Drita” dhe gazeta “Shqipëtari” bënë kundër politikës aneksioniste greke të “Megali Idesë” dhe kundër grekomanizmit si pjellë e saj. Mirëpo vetë përpjekjet për ngritjen kulturore kombëtare ishin të gërshetuara me luftën politike për lirinë kombëtare. Shoqëria “Drita” dhe Nikolla Naçoja, që ishte udhëheqësi kryesor i saj, u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik evropian për çështjen shqiptare, duke u dërguar thirrje e memorandume personaliteteve politike të kohës, qeverisë osmane etj. Shoqëria “Drita” ndihmoi gjithashtu për mbajtjen e shkollave shqipe dhe për furnizimin e tyre me libra shqip. Shoqëria “Dituria”, me të cilën u bashkuan shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me kryetar Kostaq Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë e vet me botimin e librave, të dorëshkrimeve që vinin kryesisht nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin në Stamboll. Tani disa shqiptarë të pasur ishin larguar nga Shoqëria, kurse disa të tjerë kishin kaluar në pasivitet. Në fillim Shoqëria “Dituria” nuk mundi të krijojë degët e saj dhe arkën e kishte pothuajse të zbrazur. Në vitin 1888 ajo botoi tekstet “Dheshkronja” (Gjeografia) të përgatitur nga Sami Frashëri dhe “Dituritë” (Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të Naim Frashërit. Më vonë ajo botoi “Rradhuashkronjën” e Jani Vretos, “Abetaren” e gjuhës shqipe në gegërisht, veprat e Naim Frashërit “Lulet’ e verës”, “Mësime” etj. Për shkak të censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin veprat e tyre vetëm me inicialet, i pari S. F. dhe i dyti N. H. F. Botimet e Bukureshtit u shpërndanë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë atdheut. Një kthesë e rëndësishme në veprimtarinë e Shoqërisë “Dituria” u shënua në vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli Evangjeli, që ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese e organizative. Shoqëria “Dituria” dha ndihmesë të madhe për hapjen e shkollave shqipe në atdhe, veçanërisht në qarkun e Korçës. Ajo dërgoi pa pagesë tekste shkollore dhe ndihmoi në mbajtjen e mësuesve të shqipes. Në vitet 90 të shek. XIX lëvizja kombëtare në diasporë mori zgjerim më të madh. Ashtu si në Rumani, mërgimtarë shqiptarë në Bullgari ishin vendosur edhe më parë, por tani ky numër sa vinte e shtohej. Shqiptarët e mërguar në Bullgari merreshin me punë të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre bënte punë krahu, si gurëgdhendës, punëtorë rrugësh, hekurudhash e ndërtimesh, kopshtarë etj., por kishte edhe zejtarë, si rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë etj. Një pjesë tjetër merrej me tregti të vogël, sidomos në qendër të Sofjes. Me kohë lokalet e disave prej tyre u shndërruan në qendra ku takoheshin atdhetarët shqiptarë që jetonin në Sofje e në vise të tjera të Bullgarisë ose ata që kalonin për në Rumani, në Turqi e në Rusi. Në Bullgari një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi atje nga Bukureshti qysh në fillim të vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitër Mole grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në Shqipëri. Me zgjerimin e numrit të shqiptarëve që interesoheshin për fatin e atdheut të robëruar, në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë me atë të shoqërive të Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për skoli në Shqipëri”. Kryetari i komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi i Shoqërisë “Dëshira” është për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës, si edhe për të përhapur mësonjëtore në gjuhën shqipe në Shqipëri”. Meqenëse në fillim në Shoqërinë “Dëshira” mbizotëronin punëtorët e zejtarët, u ndje nevoja e bashkëpunimit me intelektualë shqiptarë. Prandaj shpejt shoqëria e re hyri në marrëdhënie me atdhetarët dhe me shoqëritë e tjera shqiptare jashtë Bullgarisë, si me Sami Frashërin e Naim Frashërin në Stamboll, me Shoqërinë “Drita” në Bukuresht; ajo pati lidhje edhe me atdhetarë brenda Shqipërisë. Shoqëria krijoi degët e saj në qytetet ku kishte më shumë mërgimtarë shqiptarë, si në Varnë e Plovdiv, por shqiptarë kishte edhe në Plevën, në Rila, në Samakov etj. Aktivitetet e ndryshme artistike e argëtuese, si edhe përhapja e mësimit shqip, ndihmuan si për bashkimin e shqiptarëve, ashtu edhe për ngritjen e tyre politike e kulturore. Veprimtaria e Shoqërisë “Drita” u zgjerua më shumë në vitet e fundit të shek. XIX, kur në Sofje u ngrit shtypshkronja me emrin simbolik “Mbrothësia” (Përparimi), në të cilën u botuan shumë libra e gazeta në gjuhën shqipe. Një qendër tjetër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare gjatë kësaj periudhe ishte Egjipti. Nismat e para të Thimi Mitkos e të Jani Vretos për të formuar këtu një shoqëri kulturore nuk patën sukses. Megjithatë, Thimi Mitkoja, Spiro Dineja, Grigor Nukoja etj. e vijuan vetë veprimtarinë atdhetare. Krahas kësaj, Thimi Mitkoja u përpoq disa herë të organizonte një shoqëri me shqiptarët e Egjiptit, por vetëm në vitin 1894 u arrit që ata të formonin një shoqëri me emrin “Vëllazëria e Shqiptarëve”. Një rol të rëndësishëm në dobi të lëvizjes kombëtare vijuan të luanin në këtë periudhë edhe arbëreshët e Italisë. Megjithëse i moshuar, në krye të lëvizjes arbëreshe qëndronte gjithnjë shkrimtari dhe atdhetari i shquar Jeronim de Rada. Arbëreshët mbanin lidhje me qendrat e tjera të shqiptarëve të mërguar dhe me atdhetarët shqiptarë brenda Shqipërisë, si edhe me personalitete politike përparimtare italiane e evropiane. Me anën e letërkëmbimeve, të artikujve në shtypin e kohës dhe sidomos me organin “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885), arbëreshët e Italisë bënin të njohura e mbronin të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Intelektualët arbëreshë punuan me zell në fushën e studimit të gjuhës e të kulturës shqiptare. Në tetor të vitit 1895 ata organizuan në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) një kongres gjuhësor, në të cilin u vendos të formohej edhe një shoqëri, që mori emrin Shoqëria Kombëtare Shqiptare, e cila krijoi degë në të gjitha kolonitë arbëreshe. Veprimtaria e arbëreshëve në dobi të lëvizjes kombëtare u zhvillua në kushte më të favorshme se ajo e kolonive të tjera; qeveria italiane, për shkak të interesave të saj ekonomikë e politikë, në dukje pajtohej me parimin e ndjekur nga arbëreshët “Shqipëria për shqiptarët”. Me këtë ajo synonte të ndalte si shtrirjen e Austro-Hungarisë e të shteteve sllave drejt Jugut e Perëndimit të Ballkanit, ashtu edhe zgjerimin e Greqisë drejt Veriut. Por, krahas kësaj, qarqet politike italiane kishin filluar të bënin përpjekje për ta vënë lëvizjen arbëreshe në shërbim të interesave politikë të Romës në Shqipëri. Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare Në vitet e reaksionit osman që shpërtheu pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtarët e lëvizjes kombëtare i dhanë rëndësi të veçantë zbatimit të programit të tyre kulturor, i cili ishte pjesë përbërëse e programit kombëtar të Rilindjes. Mirëpo detyrat e rëndësishme me karakter politik, kulturor e ekonomik, që shtronte zhvillimi i vendit dhe periudha historike në fushën e arsimit, nuk mund të zgjidheshin me sistemin arsimor që ishte atëherë në Shqipëri, sepse ai përbëhej nga një numër jo i madh shkollash të një niveli të ulët, në gjuhë të huaja (turke, greke, italiane etj.), me përmbajtjen përgjithësisht skolastike, me frekuentim të pakët dhe me cikle jo të plota. Shkollat ishin të ndara veç për popullsinë myslimane dhe veç për atë të krishtere. Ato administroheshin, si rregull, nga institucionet fetare islamike, ortodokse e katolike. Përveç kësaj, ky sistem arsimor ishte shndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sunduesit osman, ashtu edhe të shteteve të tjera. Ndërkaq kërkesat e zhvillimit të vendit, por sidomos rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si një nevojë të ngutshme përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë. Duke shprehur këtë nevojë të madhe të kohës, Kostandin Kristoforidhi shkruante më 1888: “Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë ndë hartë të botës”. Megjithëse ishte bërë detyrë e rëndësishme dhe e ngutshme, në kushtet e atëhershme të Shqipërisë përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e në pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e Tanzimatit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare, Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’i quante ata sipas besimit fetar “turq”, “grekë” e “latinë”. Në përputhje me parimin teokratik islam, pas reformës arsimore Porta e Lartë krijoi për shqiptarët myslimanë një rresht të ri shkollash shtetërore fillore (iptidajie), qytetëse (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze (idadije). Ashtu si në shkollat e mëparshme fetare, edhe në shkollat shtetërore osmane mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën turke dhe, megjithëse quheshin laike , në planet e tyre mësimore bënin pjesë edhe lëndë fetare islamike. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës), në të cilat shqiptarët përbënin një tërësi kompakte e shumicën e popullsisë, kishte 1 187 shkolla turke nga të cilat 1 125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) e 5 shkolla të mesme (idadije). Ndërkaq sunduesit osmanë, për shkak të presionit të huaj, u lanë pak a shumë dorë të lirë shteteve ballkanike dhe evropiane, veçanërisht institucioneve të tyre fetare të krishtera, për të vepruar në Shqipëri si në fushën fetare, ashtu edhe në atë arsimore. Shtetet që në projektet e tyre parashikonin përfshirjen ose copëtimin e trojeve shqiptare, në gjysmën e dytë të shek. XIX, e rritën më tej veprimtarinë në fushën arsimore e fetare, duke shtuar numrin e shkollave në gjuhë të huaj, duke i krijuar vështirësi shkollës e kulturës shqiptare. Ato nuk ngurronin në këtë rast të përpiqeshin për t’i paraqitur shqiptarët si një popull “të egër”, “pa kulturë” e me zakone “të rënda”, kurse veten e tyre si “shpëtimtarë”, si “përhapës të arsimit e të kulturës” etj. Përhapje të madhe mori, veçanërisht në Shqipërinë e Poshtme, shkolla në gjuhën greke. Me gjithë programin e tyre laik, shkollat greke ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë dhe përshkoheshin nga një frymë intolerance fetare. Shkollat greke arritën të përhapeshin deri në Durrës e në Tiranë. Sipas të dhënave të konsullatës franceze të Janinës, në vitin 1882 vetëm në vilajetin e Janinës, që përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme (duke përjashtuar rrethet e Kolonjës, të Korçës e të Pogradecit) dhe që shumicën dërrmuese të popullsisë e kishte shqiptare, kishte 643 shkolla greke për djem e mikse me 736 mësues dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësuese. Në vitin 1894 në sanxhakun e atëhershëm të Gjirokastrës kishte 84 shkolla fillore greke e po kaq edhe në krahinën e Beratit. Organizimi e plani mësimor i shkollave në gjuhën greke në Shqipëri ishin të njëjtë me ato të shkollave në Greqi. Hapja e këtyre shkollave bëhej nga mitropolitë ortodokse greke, të cilat, në marrëveshje me konsujt grekë, emëronin drejtorët e shkollave dhe personelin mësimor. Mjetet kryesore financiare për mbajtjen e këtyre shkollave siguroheshin nga qeveria e Athinës, nëpërmjet silogut që ishte krijuar aty për përhapjen e gjuhës e të kulturës greke. Me anën e këtyre shkollave e të propagandës qarqet politike të Athinës përpiqeshin t’i paraqisnin shqiptarët ortodoksë si grekë dhe me kohë t’i asimilonin ata. Në fundin e shek. XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1 000 shkolla greke. Përveç shkollave turke e greke, në trojet shqiptare ishin çelur edhe shkolla serbe, bullgare, vllahe etj. Sipas statistikave të asaj kohe kishte mbi 300 shkolla serbe, bullgare e vllahe, pa përmendur shkollat në gjuhën italiane, të cilat ishin nën administrimin e Austro-Hungarisë e të Italisë. Shkollat e huaja, me gjithë kufizimet e mangësitë e programeve, ndihmonin në pajisjen me dije të fëmijëve, por ato, padyshim, shërbenin si mjedise të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve dhe si të tilla nuk mund t’i shërbenin as përparimit kulturor kombëtar të shqiptarëve, as emancipimit të tyre politik e kombëtar. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbylljen ose kthimin e tyre në shkolla shqipe. Në këto rrethana, patriotët e Rilindjes punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Rilindësit tanë iu drejtuan në radhë të parë gjuhës amtare, që kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e popullit shqiptar dhe që u kishte bërë ballë me sukses trysnive shekullore asimiluese të pushtuesve të huaj. Te rilindësit në përgjithësi ishte formuar bindja se tani vetëm duke e shkruar mund të ruhej gjuha shqipe, se vetëm me gjuhën amtare mund të zhvillohej arsimi e kultura kombëtare, mund të shkolloheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga gjendja ekonomike, mund të edukohej atdhetarizmi dhe mund të mbrohej kombi nga asimilimi. Pikërisht në atë periudhë Kostandin Kristoforidhi shkruante: “Shqipëria nuk mësonet dot, as nuk ndritet sot, as nuk qytetëronet dot me gjuhë të huaj, përveç me gjuhën e mëmës ... Edhe ndë u shkroftë gjuha e shqipes në këtë kohë që gjendemi sot, edhe ndë futet ndëpër skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të na njohën për komp e për vendarë ndë dhe t’onë, edhe do të kemi pjesë e vent ndë rretht e ndë shoqërit të kombevet tjerë që gjenden në Evropë...”. Të njëjtën ide mbronte Sami Frashëri kur disa vjet më vonë shkruante: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja”. Rilindësit bënë përpjekje të shumta për të nxjerrë nga Porta e Lartë lejen e përdorimit të gjuhës amtare në shkollat e vendit, për botimin e librave shqip, për shpërndarjen e tyre në Shqipëri dhe për nxjerrjen e një organi periodik shqip, qoftë edhe me përmbajtje krejtësisht kulturore. Për disa kohë këto kërkesa ndeshën në kundërshtimin e vendosur të qeverisë osmane. Por në verën e vitit 1884, e shqetësuar nga përpjekjet e Greqisë për t’i nxitur shqiptarët të hidheshin në kryengritje kundër Stambollit, si dhe nga themelimi në Athinë i shoqatës kulturore “Vllamët Shqiptarë”, Porta e Lartë dha lejen për botimin e një organi kulturor shqip. Megjithatë, edhe në këtë rast ajo u qëndroi besnike parimeve të veta, sepse ajo lejen nuk ua dha shqiptarëve myslimanë, të cilët vijonte t’i quante turq, por vetëm shqiptarëve ortodoksë, me qëllim që t’i largonte nga mundësia e bashkëpunimit me grekët. Leja për botimin e një reviste shqipe u dha nga Ministria turke e Arsimit në emrin e Petro Pogës. Pas kësaj, më 10 gusht 1884 doli në Stamboll numri i parë i revistës “Drita”. Për shkak të censurës, lënda e revistës u kufizua në shkrime letrare e arsimore. Meqenëse Porta e Lartë ua ndalonte shqiptarëve myslimanë shkrimin e shqipes, Sami Frashëri e Naim Frashëri, nga penda e të cilëve u përgatit shumica e lëndës, nënshkruanin me pseudonime, i pari me tre yje, kurse i dyti me shkronjën “D”. Në revistën “Drita” botuan shkrimet e tyre edhe Jani Vretoja, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi etj. Qëllimi i kësaj reviste ishte përhapja e diturisë, zhvillimi i arsimit dhe ngritja e vetëdijes kombëtare. Revista kryente njëherësh edhe misionin e mësuesit për përhapjen e ideve iluministe të rilindësve. “Drita” u botua me alfabetin e Stambollit dhe në këtë mënyrë ndikoi në përhapjen e këtij alfabeti te lexuesit e saj shqiptarë. Ndonëse përmbante vetëm shkrime me karakter arsimor-kulturor, botimi i revistës “Drita” shkaktoi shqetësimin e qarqeve klerikale e politike greke, të cilat ushtruan trysni të fortë ndaj Petro Pogës dhe e detyruan të hiqte dorë nga revista, pas botimit të numrit të saj të tretë. Por atdhetarët shqiptarë të Stambollit nxorën në emrin e Pandeli Sotirit një leje të dytë për një revistë të re me emrin “Dituria”, e cila u bë vazhdim i “Dritës”. Duke bërë fjalë për misionin e revistës “Dituria”, Sami Frashëri shkruante në një artikull të numrit të parë të saj: “Dituria është ajo që e bëri njeriun të quhet njeri”. Artikujt me karakter shkencor e pedagogjik që u botuan në “Drita” dhe në “Dituria” shërbyen si bazë për hartimin e teksteve shkollore shqipe. Revista “Dituria” u mbyll në numrin 12 të saj, në korrik të vitit 1885. Edhe përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe ndeshte gjithnjë në pengesa të shumta. Në kohën kur në Shqipëri po shtohej numri i shkollave greke, serbe e bullgare, Porta e Lartë ndalonte hapjen e shkollave shqipe. Madje Ministria turke e Arsimit tërhoqi edhe lejen që kishte dhënë për botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit. Përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe pengohej edhe nga fanatizmi fetar e nga konservatorizmi të kultivuar prej shekujsh, sikundër edhe më fort nga kundërshtimet e turkomanëve e të grekomanëve. Megjithëse në kushte shumë të vështira, shkrimi i gjuhës shqipe vijoi të mësohej fshehurazi në vise të ndryshme të Shqipërisë. Nën shembullin e mësuesit të tij Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, ndonëse ishte fare i ri në moshë dhe punonte si mësues i greqishtes në shkollat e fshatrave Bezhan, Katund e Luaras, gjatë viteve 1882-1887 u bë një përhapës i flaktë i shkrimit të gjuhës shqipe dhe i ndjenjave kombëtare. Po kështu Kostandin Kristoforidhi, me t’u kthyer në atdhe në vitin 1884, hyri si mësues i greqishtes në shkollën e Elbasanit dhe, ashtu siç kishte bërë dikur në Tiranë, filloi t’u mësonte nxënësve fshehurazi gjuhën shqipe. Në Shkodër mësimi i gjuhës shqipe kishte krijuar tashmë një farë tradite dhe vijonte të mësohej në disa shkolla private për djem e për vajza. Po ashtu, në vitin 1885, Gjerasim Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë private shqipe për djem e për vajza. Rilindësit shfrytëzuan në të mirë të lëvizjes kombëtare edhe gjendjen e vështirë, në të cilën u ndodh Perandoria Osmane në fund të vitit 1885 e në fillim të 1886 si pasojë e bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë, si edhe gjendjen e acaruar të marrëdhënieve turko-greke. Meqenëse qeveria osmane kundërshtonte formimin e organizatave politike, rilindësit kërkuan të themelonin brenda në Shqipëri një shoqëri kulturore. Ndërkaq qeveria turke premtoi se do të lejonte futjen e mësimit të shqipes në shkollat shtetërore. Në fund të vitit 1885 atdhetarët shqiptarë zgjodhën si vend më të përshtatshëm për formimin e një shoqërie të tillë qytetin e Korçës. Në këtë mënyrë do t’i jepej një goditje edhe propagandës helenizuese të qarqeve shoviniste të Athinës dhe klerikëve grekomanë ortodoksë që u shërbenin atyre. Për të ndihmuar atdhetarët brenda vendit Shoqëria “Drita” e Bukureshtit dërgoi në Korçë Thimi Markon, një nga anëtarët më aktivë të kryesisë së saj. Sipas udhëzimeve të Shoqërisë, ai i paraqiti pleqësisë së Mitropolisë, si dhe vetë mitropolitit grek të Korçës, Filotheu, kërkesën e shqiptarëve të mërguar të Bukureshtit për të vënë “gjuhën shqipe nëpër gjithë mësonjëtoret” e qytetit që administroheshin nga silogu grekoman i Korçës. Por shumica e anëtarëve të pleqësisë dhe të silogut të qytetit, të cilët ndodheshin nën ndikimin e mitropolitit grek, e hodhën poshtë këtë kërkesë. Me gjithë kundërshtimin e tyre kërkesa gjeti mjaft përkrahës në radhët e qytetarëve; ajo u mbështet edhe nga disa anëtarë të dhimogjerondisë? së komunitetit të krishterë të qytetit, ndër të cilët më aktiv u tregua Jovan Cico Kosturi. Në lëvizjen për përhapjen e gjuhës shqipe u përfshinë jo vetëm qytetarët ortodoksë të Korçës, por edhe ata myslimanë. Për të drejtuar këtë lëvizje, u krijua brenda në Korçë në muajt e parë të vitit 1886 një Komitet Kombëtar i fshehtë, i përbërë nga Jovan C. Kosturi, Orhan Ç. Pojani e Thimi Markoja. Në fund të vitit 1886, me përmirësimin e gjendjes së jashtme politike të Perandorisë Osmane, u duk qartë se Porta e Lartë nuk kishte ndër mend ta mbante premtimin e dhënë për të futur mësimin e shqipes në shkollat shtetërore dhe as të lejonte krijimin e organizatave kulturore shqiptare. Nga ana tjetër, për t’i vënë njëfarë gardhi politikës antiturke, që zhvillonin me anën e mësimit agjentët grekë, qeveria e Stambollit dha të kuptohej se ajo nuk do t’i pengonte shqiptarët ortodoksë të futnin në shkollat e komuniteteve të tyre mësimin e gjuhës amtare dhe të kishin klubet kulturore shqiptare, duke përjashtuar gjithnjë nga kjo e drejtë shqiptarët myslimanë. Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës në fillim të vitit 1887 vendosi të ngrinte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa atdhetarët e Korçës e të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisjet, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, Sami Frashëri e Naim Frashëri, sipas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë së Stambollit, shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë. Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo. Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887, Thimi Markoja i shkruante Visar Dodanit në Bukuresht: “... dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap. druri që vumë në dhet këtu e dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla... Mendimet tona dhe të luftuarit e faqezinjve grekomanë gjersa mbaruam këtë të shënjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruaj ndë kartë”. Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare. Përveç Pandeli Sotirit, që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar, si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë atdheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim: “Hapu, hapu errësirë, / Pa jakë tëhu o dritë! / Se arriti koh’ e mirë, / U gdhi nata u bë ditë... / Lumja ti, moj Korç’ o lule! / Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’ u sule, / Ta paçim për jetë hua!”. Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, me mësues Koço Sotirin (vëllai i Pandeli Sotirit), në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj. Filloi të mësohej shkrimi shqip edhe në mjaft fshatra. Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet, edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj. Në një letër të Thimi Markos, dërguar nga Korça në Bukuresht më 1887 thuhej: “Sot nuk ka vend të Shqipërisë që të mos ndodhen burra shqiptarë, në fyejt e të cilëve të mos lëvrinjë gjak shqiptari dhe të cilët të mos përpiqen për këtë të shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për shkollën që hapmë... Megjithëqë na dërguat afro 600 copë vivlla, u lutemi të na dërgoni edhe të tjera”. Këto suksese e lejuan Komitetin të bënte një hap tjetër: ai formoi në Korçë një shoqëri shqiptare, që u quajt Shoqëria e Mësimit Shqip. Në krye të kësaj Shoqërie u vu Alo Dishnica. Shoqëria kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë në krahina të ndryshme të vendit për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve të nevojshme dhe shtypjen e teksteve shkollore a të ndonjë organi periodik. Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Për vite me radhë punoi në këtë shkollë, si mësues i gjuhës shqipe, atdhetari Mati Logoreci, i cili shfrytëzoi të gjitha mundësitë për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe te nxënësit dhe në popullsinë shqiptare të Prizrenit. Futja e shqipes si gjuhë mësimi dhe veprimtaria e mësuesit Mati Logoreci bënë që shkollën e Prizrenit, me gjithë kërcënimet e autoriteteve osmane, ta ndiqnin edhe nxënës myslimanë. Kur u shtua numri i nxënësve, pranë Mati Logorecit filloi të punonte si mësues edhe Lazër Lumezi. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytetet e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore. Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe funksiononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijëve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra dhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Durrës, në Tiranë, në Prizren, në Prishtinë, në Shkup, në Manastir etj., mësuesit shqiptarë atdhedashës, që punonin në shkollat turke, greke etj. të Shqipërisë, u mësonin fshehurazi nxënësve shkrimin shqip. Por përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe ndeshën në vështirësi të shumta. Valë të furishme kundërshtimi shpërthyen kundër Shoqërisë së Mësimit Shqip dhe Mësonjëtores së Korçës që në ditët e para të themelimit të tyre. Nën nxitjen e mitropolitit të Korçës dhe të Patrikanës së Stambollit, autoritetet osmane filluan të pengonin zgjerimin dhe madje vetë ekzistencën e shkollave shqipe, si dhe veprimtarinë e Shoqërisë së Mësimit Shqip. Propaganda fetare, shpifjet, presionet, frikësimet e shtrëngimet e tjera kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës, qenë mjetet e zakonshme që autoritetet osmane dhe agjentët grekë përdorën në luftën kundër tyre. Në vitin 1890 autoritetet qeveritare ndaluan fëmijët myslimanë që të ndiqnin shkollën shqipe. Nën këtë trysni të dyfishtë përpjekjet për të hapur shkolla të tjera shqipe nuk patën sukses. Për më tepër edhe shkollat e hapura gjatë vitit 1887-1888 u mbyllën njëra pas tjetrës me përjashtim të shkollës së Korçës, e cila me sakrifica të mëdha e në luftë të vazhdueshme me autoritetet klerikale greke dhe me administratën osmane e vijoi veprimtarinë e vet, ndonëse me një numër të kufizuar nxënësish. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra edhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra rreth vitit 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Atdhetarë të tjerë shqiptarë, si Jovan Cico Kosturi, Thimi Marko etj., iu nënshtruan ndjekjeve të pashembullta. Një luftë e ashpër e në forma të ndryshme u bë kundër Alo Dishnicës, i cili qëndronte në krye të Shoqërisë së Mësimit Shqip. Pasi dështuan orvatjet për ta tërhequr në anën e tyre me dekorata e me mjete të tjera, agjentët e Patrikanës bënë kundër tij një varg shpifjesh e ankesash që ua dërguan autoriteteve lokale. Por të gjitha këto nuk dhanë rezultat. Edhe shkolla shqipe e Prizrenit ndeshi në pengesa të shumta dhe në qëndrimin armiqësor të autoriteteve osmane. Përparimin e saj e shihnin me sy të keq edhe shovinistët serbë, sepse ajo vepronte në kundërshtim me planet e tyre për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare të Kosovës nëpërmjet kishës e shkollës serbe. Nën këto trysni edhe vetë konsullata austro-hungareze ndërmori masa të ndryshme kundër saj. Një ndihmesë tjetër të çmuar për shkollën shqipe dha familja e Qirjazëve dhe veçanërisht Gjerasim D. Qiriazi. Bir i një tregtari shqiptar të vendosur në Manastir, qysh i vogël u edukua prej të atit me dashurinë për atdheun dhe për gjuhën amtare. Duke qenë në shërbim të Shoqërisë Biblike Angleze, në vend të Kostandin Kristoforidhit, ai i kushtoi një vëmendje të veçantë përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe dhe të ndjenjës kombëtare. Qysh në vitin 1888, kur u vendos në Korçë, ai bëri përgatitjet e nevojshme për të çelur një shkollë shqipe për vajza. Këtu erdhi, pasi mbaroi kolegjin në Stamboll, edhe e motra e tij, Sevasti Qiriazi, që, së bashku me të vëllanë, Gjerasimin, iu vunë punës për çeljen e kësaj shkolle. Në këtë vepër ata u ndihmuan edhe nga Naim Frashëri, i cili ndërhyri që t’u jepej iradeja (urdhri) nga qeveria osmane. Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë shkolla e parë shqipe për vajza. Në kushtet e ndjekjeve nga qeveria osmane, hapja e saj u bë në saje të pasaportës së huaj që mbante themeluesi i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi. Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar të Korçës dhe me kolonitë shqiptare jashtë atdheut. Ai u ndihmua veçanërisht nga Shoqëria “Drita” e Bukureshtit. Me gjithë pengesat e shumta të armiqve, shkolla e vajzave mbeti e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme të Gjerasim Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe të ndërgjegjes kombëtare. Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve u bënë vatra të rëndësishme të përhapjes së arsimit kombëtar. Vepra e nisur nga mësuesi atdhetar Petro Nini Luarasi u zgjerua edhe më shumë në fillim të viteve 90. I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij, nga kolonitë e mërgimit, në mënyrë të veçantë nga shoqëria “Drita”, si dhe me përkrahjen e mbrojtjen e popullsisë së këtyre zonave, ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe, në fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan të funksiononin që në vjeshtën e vitit 1892. Midis mësuesve të këtyre zonave ishin dhe Nuçi Naçi, Kristo Luarasi, Vasil Thanasi e Balil Tahiri. Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja shqipe shkaktoi një kundërveprim të ri të klerikëve të lartë ortodoksë grekë dhe të autoriteteve osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti, në bashkëpunim me atë të Korçës, lëshoi kundër Petro Nini Luarasit mallkimin. “Me pikëllim të madh, - thuhet në aktin e mallkimit, - pamë syfaqeza dhe dëgjuam në udhëtimin tënë që bëmë në ato vise se i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej Perëndisë, Petro Luarasi ... erdhi rreth e përqark në katundet e ndryshme të kazasë së Kolonjës, duke u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë, gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila nuk ekziston...Për këto shkaqe pra... ju porositim të gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj, të vobegtë e begatorë, burra e gra, që të mos u jepni besë fjalëve dhe zotimeve të këtyre të mallkuarve femohues, që t’i mbyllni veshët tuaj kundër blasfemivet të tyre...”. Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as nga shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë të tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit të Manastirit, të cilët dërguan në vend shefin e policisë së vilajetit. Në këto rrethana, shkollat shqipe të Kolonjës u mbyllën njëra pas tjetrës. E fundit u mbyll shkolla e Luarasit, në vitin 1896. Megjithëkëtë, Petro Nini Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë e tyre për të përhapur shkrimin shqip në forma ilegale. Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin në atdhe, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit filloi përgatitjet për të çelur në Bukuresht një shkollë normale. Sipas vendimit të Komitetit drejtues të kësaj shoqërie Shkolla Normale Shqipe e Bukureshtit u çel më 10 maj 1892. Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla Naço, kryetar i Shoqërisë “Drita”. Shkolla pati edhe konviktin e saj për nxënësit që do të vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të kishte “të paktën 15 nxënës”, të cilët do të ushqehen dhe do të vishen me të prishurat e Shoqërisë “Drita”. Në nenin 4 parashikohej që “Në këtë mësonjëtore të përgatiten mësonjëtorë shqiptarë”, pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante planin mësimor të shkollës, që përfshinte 11 lëndë, si gjuhën shqipe, turke e rumune, histori e gjeografi të përgjithshme, veçanërisht të Perandorisë Osmane, pedagogji, matematikë, dituri natyre, muzikë, gjimnastikë, mësim feje, një gjuhë të huaj, e cila të ishte më e folur e më e njohur në botë etj. Meqenëse Shkolla Normale kishte edhe konvikt, ishin vënë në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin shqiptarë, veçanërisht ato të trojeve shqiptare, si dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës për të ndjekur këtë shkollë. Në rregullore ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur në këtë shkollë të dërgoheshin për të hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë. Shoqëria “Drita” kishte detyrë t’i mbronte ata si gjënë “më të shtrenjtë të kombit, nga çdo e keqe” dhe t’i mbante me shpenzimet e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte ndonjë rrezik, Shoqëria merrte përsipër të ndihmonte familjet e tyre “sa të rrojnë”. Mësuesit kishin si detyrë të punonin ku t’i dërgonte Shoqëria, për të forcuar te nxënësit “shpirtin e mendjen me mësime e të tjera”. Fondet për Shkollën Normale të Bukureshtit siguroheshin nga ndihma që jepnin anëtarët e Shoqërisë “Drita”, nga disa punë publike që ndërmerrte Shoqëria dhe vetë Nikolla Naçoja, nga organizimi i llotarive, i koncerteve muzikore dhe i fondeve të tjera. Po kështu një ndihmë për këtë shkollë u sigurua edhe nga Ministria rumune e Kulturës. Në këtë shkollë mësuan një numër të rinjsh shqiptarë, si Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Asdreni etj. Por, në përgjithësi kjo shkollë pati një veprimtari të kufizuar. Sapo mësuan për çeljen e saj, autoritetet osmane morën masa për të penguar ardhjen e nxënësve shqiptarë në këtë shkollë. Pas disa vjetësh Shkolla Normale e Bukureshtit u mbyll. LËVIZJA AUTONOMISTE NË VITET 1896-1897 Shqipëria dhe çështja maqedone Lëvizja kombëtare u zhvillua në këtë periudhë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare, kur si pasojë e ashpërsimit të çështjes maqedone në mesin e viteve 90, u shtuan ndërhyrjet e shteteve fqinje ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane. Ngjarjet që u zhvilluan këtu në vitet 1894-1896 treguan se përveç çështjes shqiptare, që ishte shtruar për zgjidhje nga koha e Krizës Lindore të viteve 1876-1881 dhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lindi edhe ajo maqedone, përmbajtjen themelore të së cilës e përbënte lufta e popullsisë sllave-maqedone për çlirimin nga zgjedha osmane. Qarqet monarkiste të Sofjes, të Beogradit dhe të Athinës ndërhynë në çështjen maqedone, jo aq për të çliruar popullsitë sllavo-maqedone, serbe e greke të Turqisë Evropiane, sesa për të përmbushur aspiratat e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare e maqedone, që kishin një pozitë të rëndësishme strategjike, kontrollonin rrugët nga Danubi drejt detit Egje dhe nga Adriatiku, nëpër Via Egnacia, për në Egje e në Lindje. Ato shfrytëzuan faktin se Maqedonia nuk ekzistonte si njësi e veçantë administrative-territoriale e Perandorisë Osmane dhe nuk banohej nga një masë e vetme etnike-kombëtare. I ringjallur në shek. XIX, emri Maqedoni kishte ardhur nga antikiteti (shek. IV para erës së re), kur u themelua e lulëzoi shteti maqedon, i cili arriti kulmin e vet nën Aleksandrin e Madh. Në shekujt e mesjetës dhe në periudhën e sundimit osman ky emër përdorej vetëm për shkak të traditës historike, si një term gjeografik. Në shek. XIX, territoret e Maqedonisë së kohës antike, sipas ndarjes administrative të vendosur në Perandorinë Osmane, përfshinin vilajetin e Selanikut dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit. Megjithatë, edhe në këto territore banonin popullsi të ndryshme. Qarqet qeveritare të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë, duke iu referuar të ashtuquajturave argumente historike dhe të dhënave etnike të falsifikuara, u përpoqën t’i jepnin Maqedonisë një shtrirje më të gjerë duke përfshirë në kufijtë e saj, përveç vilajetit të Selanikut, gjithë sanxhakët e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Mirëpo, në dy vilajetet e fundit shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave zyrtare osmane të viteve 1896-1900, në vilajetin e Kosovës popullsia shqiptare, myslimane e katolike, edhe pse nuk ishte e regjistruar plotësisht, arrinte në 600 000 frymë (kundrejt 161 000 serbëve, 220 000 sllavo-maqedonëve, 79 000 turqve etj.) dhe përbënte rreth 60 % të popullsisë së përgjithshme prej 1 060 000 banorësh. Me përjashtim të sanxhakut të Shkupit, në të cilin ishin në pakicë, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në sanxhakët e Prishtinës, të Prizrenit e të Pejës dhe ishin në një numër të barabartë me sllavët në sanxhakët e Pazarit të Ri e të Tashllixhesë. Në vilajetin e Manastirit (pa sanxhakun e Selfixhesë, që iu bashkëngjit këtij në vitet 90, si një njësi e veçantë), sipas statistikave osmane, popullsia shqiptare, myslimane e ortodokse, arrinte në 460 000 frymë (kundrejt 214 000 sllavo-maqedonëve, 40 000 grekëve e vllehëve e 8 000 pomakëve) dhe përbënte 64% të popullsisë së përgjithshme prej 722 000 frymësh. Në sanxhakun e Manastirit shqiptarët myslimanë e ortodoksë përbënin rreth 42% të popullsisë duke qenë shumë afër me sllavo-maqedonët, të cilët bashkë me pomakët, zinin 51 për qind të popullsisë. Ndërsa në tre sanxhakët e tjerë të vilajetit të Manastirit, në ata të Dibrës, të Korçës e të Elbasanit, shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë. Popullsitë joshqiptare (serbe dhe në një masë më të madhe ajo sllavo-maqedone) ishin vendosur në disa vise e sidomos në ato periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa në vilajetin e Selanikut, përveç popullsisë sllavo-maqedone që përbënte shumicën, kishte edhe popullsi greke, vllahe, turke dhe pakica të tjera. Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen maqedone prekte drejtpërdrejt interesat kombëtarë të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë e trojeve të tij. Një veprimtari të gjerë në të ashtuquajturën Maqedoni ndërmorën qarqet drejtuese të Bullgarisë, të cilat u orvatën të vënë nën kontrollin e tyre luftën e drejtë çlirimtare që popullsia sllavo-maqedone, e udhëhequr nga Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë (e themeluar në vitet 1893-1894), zhvillonte kundër pushtuesve osmanë. Ato përpiqeshin t’ua nënshtronin këtë lëvizje synimeve ekspansioniste të Mbretërisë Bullgare, për të krijuar një Bullgari të Madhe, me kufijtë e caktuar nga Traktati i Shën-Stefanit i vitit 1878. Këtij qëllimi i shërbente edhe kërkesa që qeveria bullgare, duke filluar nga viti 1894, u parashtroi Fuqive të Mëdha për formimin e një “Maqedonie autonome”, ku të përfshiheshin edhe viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, e cila shihej si një fazë kalimtare për aneksimin e territoreve të saj nga Bullgaria. Të njëjtat aspirata pushtuese vijuan të ushqenin edhe qarqet sunduese të Serbisë e të Greqisë, që lakmonin gjithashtu të pushtonin gjithë Shqipërinë e Maqedoninë. Në Serbi kishte shpërthyer me një forcë të re propaganda serbomadhe e ushqyer nga qarqet drejtuese dhe po punohej me të gjitha mjetet për të zbatuar programin e “Naçertanies”, të rimëkëmbjes së Perandorisë së Stefan Dushanit, ku të përfshihej, në fillim vilajeti i Kosovës dhe më pas gjithë Shqipëria. Edhe në Greqi qarqet politike dhe një varg organizatash shoviniste (“Shoqëria Kombëtare”, “Helenizmi” etj.), të krijuara në mesin e viteve 90, vijuan veprimtarinë e tyre për të përgatitur pushtimin e territoreve shqiptare e maqedone. Rivaliteti ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë u shfaq në fillim me grindjen kishtare, që shpërtheu me forcë gjatë viteve 1894-1896, midis Patrikanës greke të Stambollit, e cila përpiqej të ruante të drejtën tradicionale për të pasur në varësi ortodoksët e Perandorisë Osmane, Ekzarkatit bullgar, që ishte shkëputur prej saj qysh më 1870, dhe kishës serbe. Në vitin 1895 qeveria e Sofjes kërkoi nga Stambolli emërimin e pesë peshkopëve bullgarë në viset shqiptare e maqedone. Kjo kërkesë u hodh poshtë atëherë nga kryeministri turk Said Pasha. Në vitin 1896 Serbia shkëputi nga Porta e Lartë urdhëresën për emërimin e një mitropoliti serb në Prizren, për të cilin po punonte prej kohësh, ndërsa në janar të vitit 1897 Stambolli caktoi një administrator serb në dioqezën e Shkupit, që Beogradi synonte ta vinte nën kontrollin e kishës së vet. Rritja e ndikimit të kishave bullgare e serbe në viset shqiptare, çelja më 1890 e një shkolle bullgare në Korçë, si edhe orvatjet e reja për t’i futur dioqezat e krahinave lindore shqiptare nën varësinë e Ekzarkatit dhe ato të Kosovës nën varësinë e kishës serbe dhe për t’i paraqitur ato si sllave, i shtyu atdhetarët shqiptarë që, krahas qëndresës kundër Patrikanës greke të Stambollit, që punonte prej kohësh për të asimiluar të krishterët shqiptarë, të luftonin edhe kundër ekspansionit bullgar e serb e të kishave të tyre. Në këto rrethana, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u hodh përsëri ideja e shfaqur prej kohësh për të krijuar një kishë shqiptare të pavarur nga Patrikana e Stambollit si një nga mjetet që do t’i jepte fund ndikimit që qarqet shoviniste fqinje ushtronin mbi popullsinë ortodokse shqiptare me anë të kishës së tyre dhe do t’u hiqte mundësinë për ta përdorur atë dhe klerin e lartë ortodoks si një mjet politik për të përmbushur lakmitë e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare. Atdhetarët shqiptarë të Rumanisë protestuan disa herë me anë të peticioneve që i dërguan Patrikanës kundër politikës asimiluese të kishës së huaj e të asaj greke patriarkiste në veçanti. Po kështu, më 1894 iu dërgua sulltanit një memorandum nga Shqipëria në emër të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ku parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë, që u jepte mundësi bullgarëve, serbëve dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare, si në Dibër, në Prizren, në Prishtinë e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu leje për hapjen e shkollave shqipe në këto vise. Autoritetet turke jo vetëm që nuk i morën parasysh këto kërkesa, por përkundrazi i internuan nismëtarët e memorandumit. Qarqet drejtuese të shteteve fqinje ngritën gjithashtu komitetet e tyre, që merreshin me organizimin dhe dërgimin e bandave të armatosura në viset maqedone e shqiptare. Në pranverën e vitit 1895 komitetet bullgare hodhën bandat e armatosura, të komanduara nga oficerë bullgarë, në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës. Nga mesi i viteve 90 edhe Serbia, duke ndjekur shembullin e Bullgarisë, filloi të hedhë bandat e saj në territoret periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa bandat greke, të përbëra nga ushtarë e oficerë grekë, në verën e vitit 1896, vepronin në viset e Maqedonisë e të Shqipërisë, deri në rrethet e Prespës, të Peristerit etj. Organizatat nacionaliste bullgaro-maqedone dhe ato greke me bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave krishtere shqiptare e maqedone për ta detyruar atë të braktiste kombësinë e vet dhe, sipas përkatësisë fetare, të shpallej bullgare ose greke. Përveç kësaj, gjatë viteve 1896-1897 bandat e armatosura bullgare, serbe e greke zhvilluan në qendra të ndryshme të vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës përleshje të armatosura jo vetëm kundër forcave ushtarake osmane, por edhe kundër njëra-tjetrës, duke tërhequr në këtë luftë edhe kombësitë e ndryshme të këtyre vilajeteve. Edhe qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare, nuk ndihmonte në zgjidhjen e saj. Politika e tyre ndaj Shqipërisë përcaktohej nga interesat e tyre ekonomike e politike në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni të mundshëm të këtyre fuqive drejt lindjes, në thellësi të Ballkanit e drejt jugut për në Selanik, në detin Egje, në Mesdhe e në Afrikë. Ndërkaq, Shtetet e Mëdha evropiane, sidomos Rusia, Austro-Hungaria e Italia, sado që aspironin të vendosnin kontrollin mbi zotërimet ballkanike të Perandorisë Osmane e në mënyrë të veçantë mbi Shqipërinë, për një kohë të gjatë u detyruan të ndiqnin politikën e ruajtjes së status quo-së së Perandorisë Osmane. Kjo politikë shihej si një mjet që do të ruante, qoftë edhe përkohësisht “ekuilibrin” ndërmjet tyre në luftën për ndikimin në Lindjen e Afërme dhe në veçanti në zotërimet evropiane të Turqisë. Megjithatë, Anglia, duke dashur ta largonte Rusinë nga çështjet e Lindjes së Largme dhe të fuste shtetet evropiane në luftë me njëri-tjetrin për “trashëgimin osman”, që nga viti 1895 disa herë i propozoi Gjermanisë e më vonë Rusisë, që ta ndanin Perandorinë Osmane, e cila, sipas shprehjes së kryeministrit të atëhershëm anglez Salsbori, “ishte e pafuqishme për të jetuar”. Anglia propozonte me këtë rast që “Italinë ta kënaqte në Tripoli dhe në Shqipëri”. Gjermania kundërshtoi atëherë çdo projekt për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe këmbënguli të ruhej status quo-ja. Me këtë qëndrim Berlini kërkonte të shmangte një përleshje të Gjermanisë ose edhe të aleatit të saj Austro-Hungarisë me Rusinë dhe ta hidhte këtë të fundit në luftë me Anglinë në Lindjen e Largme. Rusia, e angazhuar në Lindjen e Largme, ndonëse nuk kishte hequr dorë nga pretendimet e saj të vjetra mbi Stambollin e Ngushticat, nuk pranoi të kthehej në këtë kohë në çështjet e Lindjes së Afërme, prandaj, preferoi që përkohësisht të ruhej status quo-ja në Perandorinë Osmane. Rusia u gjend atëherë në një pozitë kontradiktore: nga njëra anë kundërshtonte të gjitha propozimet e Anglisë për ndarjen e “trashëgimit osman”, ndërsa nga ana tjetër, ashtu si më parë, Rusia përkrahte synimet e shteteve sllave të Ballkanit për t’u zgjeruar në Turqinë Evropiane dhe për të pushtuar territoret shqiptare. Austro-Hungaria, nga ana e saj, kërkonte të shtinte në dorë një pjesë të mirë të territoreve ballkanike të Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte në Selanik. Por kjo nuk mund të arrihej pa përleshje me Rusinë, me të cilën do të bashkoheshin edhe shtetet sllave të Ballkanit dhe do të përfundonte me forcimin e pozitave të Rusisë në Turqinë Evropiane. Në këto rrethana Austro-Hungaria, duke qenë edhe nën trysninë e Gjermanisë, që nuk donte konflikte në Lindjen e Afërme, ndoqi politikën e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane. Ndërkaq, Vjena përpiqej që të siguronte epërsinë ekonomike e politike në Shqipëri e në Maqedoni dhe, “kur të vdiste i sëmuri i Bosforit, që ndodhej në shtratin e vdekjes”, të vendoste kontrollin mbi to. Austro-Hungaria shfrytëzonte për të forcuar pozitat e saj në Shqipëri edhe të drejtën e protektoratit fetar mbi klerin katolik e katolikët e Perandorisë Osmane, të siguruar prej kohësh. Nga 240 institucione kishtare katolike, që Vjena mbante nën drejtimin e saj në Perandorinë Osmane, 220 ishin ngritur në Shqipëri. Italia, e cila, njëlloj si Austro-Hungaria, punonte për t’u zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në brendi të Ballkanit, preferoi të respektonte në atë kohë status quo-në në Perandorinë Osmane e në Shqipëri. Politika e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane, ashtu si Fuqitë e tjera të Mëdha, edhe Austro-Hungarinë e detyronte të kundërshtonte çdo lëvizje politike autonomiste dhe të armatosur të popullit shqiptar, e cila, bashkë me çlirimin e tij, do të sillte fundin e sundimit osman në Ballkan. Megjithatë, Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar. Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare. Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca, kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve politike të qeverive të tyre në Shqipëri. Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit. Çështja shqiptare gjatë Krizës Lindore të vitit 1897 Në pranverën e vitit 1897, si pasojë e shpërthimit të luftës greko-turke për çështjen e Kretës, gjendja politike në Shqipëri u acarua edhe më shumë. Krahas rrezikut që i kërcënohej pjesës jugore të Shqipërisë nga forcat greke, lindi edhe ai i ndërhyrjes së shteteve të tjera të Ballkanit (të Serbisë e të Bullgarisë) që cenonte tërësinë territoriale të trevave veriore e verilindore të Shqipërisë. Përqendrimi i trupave greke në kufijtë e Thesalisë e të vilajetit të Janinës dhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në rast se fitonte Greqia, e largoi për një kohë vëmendjen e atdhetarëve shqiptarë nga lufta kundër sunduesve osmanë dhe e drejtoi atë nga Athina. Megjithatë, derisa trupat greke luftonin për Kretën dhe nuk kishin filluar ende veprimet ushtarake në Shqipërinë e Jugut, në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Turqisë ushtarë dhe i kumtuan Portës së Lartë se do t'i ruanin forcat e tyre për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Pas ndërmarrjes pa sukses për të pushtuar Kretën në mesin e shkurtit të vitit 1897, Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat turke më 12 prill të vitit 1897. Kjo rrethanë i dha mundësi sulltanit që luftën kundër Greqisë ta paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ndërkaq, edhe atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit e përcaktoi këtë qëndrim të atdhetarëve shqiptarë me këto fjalë: “Në fillim të luftës greko-turke, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin (Turqisë - shën. i aut.) ushtarë për luftën. Por, kur panë se Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë dhe Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë e botës u kthyen në zemërim, ashtu edhe ca më shumë ajo e shqiptarëve…, që u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”. Në të njëjtën kohë Porta e Lartë, me anë të premtimeve për t’u dhënë tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit, bëri për vete parinë shqiptare. Në këtë mënyrë ajo siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës. Në këto rrethana ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht brenda tri javësh. Por, me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane, ku bënin pjesë edhe repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre të mëtejshëm. Më 19 maj u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Turqisë e Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 Traktati përfundimtar i Paqes. Megjithëse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall autonome dhe “asnjanëse”, nën administrimin e një guvernatori të krishterë, që në të vërtetë do të ishte grek dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha. Meqenëse lufta greko-turke shkaktoi acarimin e gjendjes politike në Ballkan dhe mund të prishte status quo-në e Perandorisë Osmane, Austro-Hungaria e Rusia shpejtuan të merreshin vesh ndërmjet tyre për çështjet e Ballkanit e të Lindjes së Afërme. Si rrjedhojë e bisedimeve që u zhvilluan në Peterburg në muajin prill ndërmjet perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, dhe carit të Rusisë, Nikolla II, si edhe pas notave që u shkëmbyen ndërmjet ministrave të Jashtëm të të dy shteteve, në maj të vitit 1897, u arrit, në parim, një marrëveshje që theksonte edhe njëherë interesimin e vendosmërinë e të dyja fuqive për të ruajtur status quo-në në Ballkan. Me këtë rast Ballkani u nda në dy zona ndikimi: në atë austriake të perëndimit dhe në atë ruse të lindjes. Në këto nota bëhej fjalë gjithashtu për qëndrimin që do të mbahej, në qoftë se më në fund do të ishte e pamundur të ruhej status quo-ja në Ballkan. Në këtë rast Austro-Hungaria kërkoi të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën që i kishte pushtuar nga koha e Traktatit të Berlinit, si edhe sanxhakun e Jenipazarit. Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një vend të rëndësishëm në bisedimet austro-ruse, Vjena propozoi që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar me emrin Principata e Shqipërisë, që do të përfshinte në kufijtë e vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri dhe do të kishte një shtrirje të “arsyeshme” në lindje. Tokat që do të mbeteshin pas kësaj do t’u ndaheshin shteteve të vogla të Ballkanit në mënyrë që të ruhej ekuilibri i deriatëhershëm. Ky shtet, sipas projekteve të fshehta të Vjenës, do të vihej nën protektoratin austro-hungarez, i cili, në rast se do ta lejonin rrethanat, do të shoqërohej edhe me një pushtim të pjesshëm të tokave të Shqipërisë e në radhë të parë të Durrësit e të Vlorës. Kjo do t’i siguronte Austro-Hungarisë kontrollin mbi Otranton dhe mbi detin Adriatik. Propozimet e Austro-Hungarisë për sistemin e ri në Ballkan dhe për ndarjen e territoreve të Turqisë Evropiane, u kundërshtuan nga ministri i Jashtëm i Peterburgut si të papajtueshme me interesat dhe politikën e Rusisë në Ballkan, që synonte të zgjeronte shtetet sllave deri në brigjet shqiptare të Adriatikut. Ripohimi nga ana e Fuqive të Mëdha i politikës së ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane bëri që sulltani ta ndiente veten më të sigurt dhe të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë shqiptarëve gjatë luftës greko-turke për t’u bërë lëshime në administrimin e vendit. Sulltani kënaqi vetëm krerët gjysmëfeudalë, të cilëve u dha zotërime të reja tokësore dhe shpërblime të tjera që t’i lidhte më shumë pas Stambollit. Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit, të Sofjes e të Cetinës, që e shihnin luftën greko-turke si një moment të përshtatshëm për “të zgjidhur” çështjen maqedone, për të pushtuar territoret shqiptare dhe ato sllave-maqedone. Gjatë bisedimeve serbo-bullgare, që u zhvilluan në Sofje në shkurt të vitit 1897, kryeministri serb propozoi që të ndaheshin zonat e ndikimit e të veprimit të dy shteteve dhe, duke përfituar nga kjo luftë, të fillonin veprimet ushtarake në tokat shqiptare e maqedone. Por bisedimet e Sofjes nuk dhanë rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për ndarjen e të ashtuquajturave vilajete maqedone. Ndërkaq, gjatë dhe pas luftës greko-turke (1897) shpërtheu me një forcë më të madhe konflikti kishtar serbo-greko-bullgar. Serbia kërkoi nga Stambolli që të rivendoste Patrikanën e Pejës (të hequr më 1767), nga e cila të vareshin dioqezat e Shkupit, të Prizrenit, të Dibrës e të Manastirit, duke synuar të themelonte kështu kishën e pavarur serbe në Turqinë Evropiane. Nga ana tjetër, Bullgaria kërkoi të shtinte në dorë selitë peshkopale të Dibrës e të Manastirit dhe të zbonte prej andej Patrikanën greke. Si Serbia, ashtu edhe Bullgaria synonin me këto masa të forconin pozitat e tyre politike dhe të krijonin një mbështetje për pretendimet territoriale mbi viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Pas luftës greko-turke Porta e Lartë, duke u bërë lëshime të reja shteteve ballkanike, emëroi një mitropolit serb në Shkup në vitin 1897, nxori në pranverën e atij viti urdhrin për hapjen e shkollave serbe në vilajetet e Kosovës, të Manastirit e të Selanikut dhe në fillim të vitit 1898 emëroi dy dhespotë bullgarë (ekzarkistë) në Dibër e në Manastir. Këto lëshime sollën dy pasoja: acaruan edhe më shumë kontradiktat ndërmjet Bullgarisë, Serbisë e Greqisë, që çuan në përleshje të reja të përgjakshme midis bandave të këtyre shteteve në viset shqiptare e maqedone dhe ashpërsuan gjendjen politike në Shqipëri, shtuan pakënaqësinë e shqiptarëve, territoret e të cilëve rrezikoheshin të aneksoheshin nga shtetet fqinje. LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900) Rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike në pragun e themelimit të Lidhjes (1898) Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte të shtypte me të njëjtën ashpërsi lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e shtuan veprimtarinë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit, për bashkimin dhe organizimin e tij në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt, Shoqëria “Dëshira” e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve të Italisë) botuan një thirrje të përbashkët me titullin “Në emër të popullit shqiptar”, që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, si edhe politika e verbër e Portës së Lartë, që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme politike në dëm të Shqipërisë. Në këtë dokument parashtroheshin kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Të gjithë ne shqiptarët, - theksohej në të, - kudo që ndodhemi, brenda dhe jashtë atdheut dhe pavarësisht nga besimet fetare, kërkojmë nga sulltan Abdyl Hamiti autonominë administrative të tokave shqiptare, bashkimin e vilajeteve ku është përfshirë atdheu ynë në një vilajet të vetëm me një guvernator shqiptar”, me gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, me shkolla e me kisha shqipe. Atdhetarët rilindës i bënin të ditur në këtë thirrje opinionit evropian se “shqiptarët, për të ruajtur qenien e tyre dhe për të përmbushur programin kombëtar, nuk do të ngurronin të përdornin edhe kryengritjen e armatosur, të drejtën supreme të popujve, revolucionin”. Thirrja e shoqërive shqiptare të mërgimit ishte një dokument i rëndësishëm programatik, që pati ndikim si në opinionin publik evropian, ashtu edhe në Shqipëri, ku vijonte propaganda e ideve autonomiste. Në mjaft qendra të Shqipërisë vepronin në fshehtësi komitetet shqiptare. Në maj të vitit 1898 mytesarifi i Prizrenit njoftonte valiun e Kosovës për veprimtarinë e një Komiteti Qendror në këtë qytet, ndërsa në Tetovë ishte ngritur një komitet tjetër i fshehtë, që kishte shtrirë degët e tij edhe në mjaft qendra të Kosovës. Këto komitete punonin për forcimin e bashkimit të shqiptarëve, për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për organizimin e luftës për autonominë e Shqipërisë. Idetë autonomiste kishin marrë një përhapje të gjerë në vilajetin e Kosovës, në sanxhakun e Dibrës e qendra të tjera të vilajetit të Manastirit, në të cilat shqiptarët haptazi kërkonin të drejtën e vetëqeverisjes, të njëjtë me atë që gëzonin kombet e tjera të Ballkanit. Duke bërë fjalë për këtë aspiratë të shqiptarëve, ministri i Jashtëm i Turqisë, Tefik Pasha, deklaronte në qershor të vitit 1898, se “shqiptarët kërkojnë vetëqeverisjen dhe shkojnë më tej: kërkojnë një princ nga kombi i tyre…, kërkojnë të kenë ushtrinë e tyre, e cila ç’është e vërteta duhet të jetë pjesë e Perandorisë… Por, po u formua, në rast se u nevojitet, ata mund ta organizojnë sipas mënyrës së tyre”. Qeveria turke vazhdoi të shtypte me forcën e armëve lëvizjen dhe popullsinë e zonave kryengritëse shqiptare. Në projektin e “reformave”, që valiu i Kosovës, ai i vilajetit të Manastirit, ministri i Brendshëm dhe ai i Luftës i paraqitën Portës së Lartë, në mars të vitit 1898, si edhe në “Projektin mbi Shqipërinë”, që mareshali Ethem Pasha i parashtroi sulltanit me porosi të qeverisë në korrik të atij viti (1898), shihej si rrugë e vetme për “stabilizimin” e gjendjes në Shqipëri forcimi i pushtetit të centralizuar osman, që nuk u njihte asnjë të drejtë popujve të tjerë. Kërkohej të zbatoheshin në Shqipëri dhe sidomos në pjesën e saj veriore e veriperëndimore, në sanxhakët e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit “reforma” të tilla, siç ishte nënshtrimi me forcë i popullsisë shqiptare, duke përdorur dhunën ushtarake për ta detyruar atë të paguante taksa, të pranonte regjistrimin e përgjithshëm dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mareshali Ethem Pasha, komandant i forcave ushtarake osmane në Kosovë, kërkonte që të ndërmerrej çarmatosja e përgjithshme e shqiptarëve, “meqë armët ishin mjeti kryesor i veprimeve të tyre kryengritëse”. Masat shtypëse të Portës së Lartë u përkrahën edhe nga përfaqësues të tillë të parisë gjysmëfeudale shqiptare, si Esat pashë Toptani, Syreja bej Vlora etj. Në “Promemorjen”, që Syreja bej Vlora i parashtroi sulltanit, po në korrik të vitit 1898, kërkonte që të shtypeshin me dhunën ushtarake “forcat rebele të popullit në anët e Korçës, të Kolonjës, të Elbasanit e të Shkodrës”, “të ndalohej me çdo mjet futja në Shqipëri e Murat Toptanit” (që porsa ishte arratisur nga internimi në Tripoli) dhe e atdhetarëve të tjerë; “të mos lejoheshin të hynin në Shqipëri gazetat dhe revistat “heretike” shqipe, që botoheshin në Bukuresht dhe në vende të tjera dhe “të ndalohej përhapja e gjuhës shqipe, e cila po përdorej në korrespondencat private dhe kishte filluar të mësohej në disa shkolla të Shqipërisë”. Për të zbatuar këto projekte “reformash”, të cilat, siç theksonte në qershor të vitit 1898 Tefik Pasha, synonin “të parandalonin formimin e një Shqipërie autonome dhe shkëputjen e saj nga Perandoria Osmane”, Porta e Lartë mbante në Turqinë Evropiane një ushtri prej 150 000 vetash. Por qeveria e sulltanit nuk qe në gjendje të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe t’i çarmatoste ata. Në fundin e muajit gusht kryengritja përfshiu përsëri Pejën, Gjakovën dhe zonën përreth. Po në verën e atij viti u forcua qëndresa kundërosmane në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Kolonjës e të Elbasanit, ku vepronin çeta të armatosura. Stambolli u gjend atëherë në një pozitë të ndërlikuar. Edhe pse ishte i interesuar të shtypte sa më shpejt lëvizjen shqiptare, sulltani ngurroi të hidhte forca të mëdha ushtarake në Shqipëri, të cilat do ta keqësonin gjendjen atje dhe do t’u jepnin shkak shteteve fqinje të ndërhynin në Turqinë Evropiane. Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri. Kuvendi i Pejës dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare (23-29 janar 1899) Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj. Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi. Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899. Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme. Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare. Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka. Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj. Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve. Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar. Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899. Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve. Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë. Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane. Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”. Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë. Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”. Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi. Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare. Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptarë. Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj. Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program. Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re. Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, - thuhet në thirrje, - është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”. Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjithshme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj. Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom. Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur. Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj. Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë. Shtrirja e Lidhjes në viset e tjera të Shqipërisë (shkurt-qershor 1899) Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës, Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë pas përfundimit të tij, iu vunë punës për të ngritur organet e Lidhjes në të katër vilajetet shqiptare. Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta, qytetarë e fshatarë të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit, i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua që të thirrej një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e popullsisë së kazasë së Lumës, që u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më 9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të merrte pjesë në Lidhje. Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu morën pjesë përfaqësues të popullsisë së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth, të Malësisë, madje edhe nga krahinat që i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm përfaqësues të tillë të krahut autonomist, si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj., disa prej të cilëve kishin qenë veprimtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si edhe përfaqësues të grupit konservator prosulltanist, si Bektash agë Kazazi, kryetar i bashkisë së qytetit dhe disa bajraktarë të tjerë. Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta) prej 7 pikash, në të cilin, në emër të banorëve myslimanë e të krishterë të vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti i Lidhjes për Shkodrën. Me vendimet e Kuvendit u bashkua edhe popullsia katolike e ortodokse e Shkodrës, përfaqësuesit e së cilës, së bashku me ata të popullsisë myslimane, nënshkruan më 6 mars, në emër të të gjithë banorëve të vilajetit të Shkodrës, Rezolutën prej 7 pikash, të hartuar në gjuhën shqipe. Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës u çelën me mitingun e madh e të hapur, që u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të popullsisë së Dibrës së Sipërme e të Poshtme, së bashku me malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati, Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.). Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë, pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete të tjera të vendit. Në këtë Kuvend u miratua formimi i Lidhjes, u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash, që u publikua në mitingun e dytë të madh (mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve, si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë, do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë. Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës me 18 anëtarë, midis të cilëve ishin Selim Rusi, Shaqir Jegeni, Nuredin (Nurçe) Pustina, Shaqir Daci, Beqir Tërshana, Kurtish Aga, Xhafer Noka, Hasan Zajmi, Bajram Markja, Shaban Dema, Hasan Kaloshi, Memo Alia, Shaqir Pilko, Alush Pustina, Mustafa Gryksahija, Haxhi Ibrahim Atila etj. Komiteti e vijoi veprimtarinë e tij edhe pas mbylljes së Kuvendit, për aq kohë sa jetoi edhe Lidhja, deri në fundin e vitit 1900. Në përputhje me klauzolat e Rezolutës së Kuvendit, Komiteti veproi krahas qeverisë dhe përqendroi dora-dorës kompetenca të tilla të organeve shtetërore, ushtarake e civile, si organizimi i mbrojtjes së atdheut, mbajtja e rendit dhe e qetësisë publike, funksionet gjyqësore, fiskale etj. Komiteti punoi gjithashtu për përhapjen e mësimit shqip dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave, në të cilat mësimi të zhvillohej në gjuhën amtare shqipe. Për këto qëllime, si edhe për të ndihmuar shkrimtarët atdhetarë, u themelua një Arkë Kombëtare ose një fond financiar i veçantë. Kuvendi i Dibrës dhe Komiteti që doli prej tij miratuan gjithashtu thirrjen e kryetarit të Lidhjes, Haxhi Zekës, për organizimin e një kuvendi të madh kombëtar dhe zgjodhi delegatët e këtij sanxhakut. Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës, e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës, e Përlepit etj., që shprehu gatishmërinë për t’u bashkuar me Lidhjen Shqiptare. Në mars të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit, në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve të popullsisë së kësaj kazaje, në të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare. Po në mars, me nismën e Hasan Blloshmit nga Bërzeshta, të Iljaz Kokodeshit e të Hajdar Kokodeshit, u mbajt mbledhja e përfaqësueve të popullsisë së kazasë së Starovës e të Pogradecit, që miratoi Rezolutën e Kuvendit të Dibrës dhe shpalli bashkimin me Lidhjen. Në fillim të majit pushteti i Lidhjes u shtri edhe në sanxhakun e Elbasanit, ku ishin përhapur gjerësisht idetë kombëtare. Popullsia e këtij qyteti miratoi Rezolutën e Dibrës dhe shpalli Besën e bashkimin me Lidhjen Shqiptare. Në pranverën e vitit 1899 u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit, e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë. Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë zonë, arrestoi drejtuesit e saj, Mehmet Merxhanin, Omer Gaxhon, Tom Topuzin e Braho Kadinë. Më 18 qershor popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me qendër në katundin Bërzeshtë. Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare. Duke bërë fjalë për këto arritje, Sami Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: “Lidhja po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi po zgjerohet. Nga një çip’i Shqipërisë u zu Lidhja edhe ditë më ditë po përhapet nëpër tërë Shqipërit”. Qëndrimi i mendimtarëve rilindës ndaj Lidhjes Shqiptare Qysh në formimin e saj Lidhja e Pejës pati përkrahjen e rretheve patriotike shqiptare brenda e jashtë atdheut, të cilat, nëpërmjet artikujve të botuar në shtyp dhe thirrjeve drejtuar popullit, propagandonin idenë e bashkimit të shqiptarëve nën drejtimin e Lidhjes, nevojën e shtrirjes së veprimtarisë së saj në të gjithë vendin dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë. Në mars të vitit 1899, kur Lidhja vijonte të shtrihej në qytete të tjera të Shqipërisë dhe po përgatitej një kuvend i përgjithshëm i saj, u botua në Bukuresht nga Shoqëria “Dituria”, pa emrin e autorit, vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” Në këtë vepër Sami Frashëri përcaktoi rrugën që duhej të ndiqte Lidhja e Pejës dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi, në luftën kundër zgjedhës osmane. Samiu e quante formimin e Lidhjes një ngjarje të rëndësishme në lëvizjen kombëtare dhe shprehte besimin e shpresën se Lidhja do të arrinte bashkimin e çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha osmane dhe do të garantonte tërësinë e trojeve shqiptare. “Kjo Lidhje, kjo mbledhje e kjo Besë që po bëhet sot në Shqipëri, - shkruante ai, - do të jenë krej’ i shpëtimit të Shqipërisë...”. Samiu argumentonte domosdoshmërinë e shtrirjes së Lidhjes në mbarë Shqipërinë dhe të bashkimit nën drejtimin e saj të të gjithë shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë e katolikë. “Më parë se çdo gjë, - theksonte ai, - shqiptarët duhet të lidhin një Besë të madhe e të përgjithshme në mes tyre e të bëjnë një lidhje e një bashkim, që të pushtojnë të tërë Shqipërinë”. Sami Frashëri kërkonte nga atdhetarët shqiptarë që ta shndërronin Lidhjen në një qeveri shqiptare, në një organ të përhershëm shtetëror, që “të jetë gjithnjë e kudo sa t’u jepen shqiptarëve ato që duan dhe të shpëtonjë Shqipëria nga rreziku”, “të qëndronjë e të mbanjë vent qeverie në Shqipëri se qeveri e turqve s’është një qeveri për ndërtime, po për prishje”; prandaj “Lidhja e shqiptarëve të zërë vendin e saj” dhe të plotësojë vetë ose të detyrojë me forcë qeverinë turke të plotësojë kërkesat e lëvizjes shqiptare. Samiu përcaktoi edhe strukturën organizative të Lidhjes së re Shqiptare: në çdo sanxhak do të ngrihej një këshill i përhershëm, që do të përbënte organin lokal të Lidhjes, ndërsa në kryeqendrën e saj do të vendosej këshilli i përgjithshëm, që do të mblidhej një herë në vit ose kur të lindte nevoja. Ky do të ishte organi qendror legjislativ i Lidhjes Shqiptare dhe do të nxirrte nga gjiri i tij këshillin e përhershëm, i cili do të luante rolin e organit më të lartë ekzekutiv të Lidhjes, të një qeverie shqiptare. Në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” ideologu i shquar i Rilindjes nuk u kufizua vetëm me mendimet që parashtroi për Lidhjen, por përpunoi më tej programin e tërë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në themel të të cilit vendosi formimin e një shteti kombëtar autonom shqiptar që në kushte më të favorshme do të shndërrohej në një shtet të pavarur. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” pati ndikim të madh në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; ajo mbeti një nga dokumentet kryesore programatike të kësaj lëvizjeje. Një muaj pas botimit të veprës së Samiut, në prill të vitit 1899, u publikua në Bukuresht, në formë broshure në gjuhën turke, në emër të një Komiteti a Shoqërie Shqiptare thirrja “Të zgjohemi!” (“Ujanallëm!”). Ky Komitet, i përbërë nga Dervish Hima, Ibrahim Temo, Mehmet Frashëri, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo Unezi etj., vepronte pranë Shoqërisë së Bukureshtit. Thirrja “Të zgjohemi!”, po ashtu si dokumenti tjetër “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”, që u përfshi edhe në këtë broshurë, është hartuar nga Dervish Hima. Ideja qendrore që përshkon thirrjen “Të zgjohemi!” është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në Besa-Besën, në Lidhjen e Pejës. “Bashkimi dhe drejtësia, - thuhej në këtë dokument, - mbajnë në këmbë një komb. Uniteti i mendimit dhe i veprimit përbën një nga kushtet më të rëndësishme për të siguruar lumturinë e një kombi”. Grisheshin gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë, gegë e toskë, që jetonin në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës që të jepnin Besa-Besën, të linin mënjanë përçarjet e dasitë fetare dhe të bashkoheshin nën udhëheqjen e Lidhjes për mbrojtjen dhe për çlirimin e atdheut. Vetëm të bashkuar në Lidhjen që sapo ishte formuar, theksonin autorët e thirrjes, shqiptarët do t’u bëjnë ballë sunduesve osmanë (që cilësoheshin si armiq të brendshëm) dhe lakmive pushtuese të armiqve të jashtëm, të shteteve fqinje. Bashkimin atdhetarët rilindës e shikonin gjithashtu si një mjet për afirmimin e shqiptarëve si komb në Ballkan e në Evropë. “Po të bashkohemi, - thuhej në këtë dokument, - edhe Evropa do të bindet se ne meritojmë të kemi vendin tonë si komb i lirë në gadishullin e Ballkanit”. Në këtë dokument atdhetarët shqiptarë e orientonin Lidhjen e Pejës drejt luftës për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, u bënin thirrje udhëheqësve të saj të kërkonin nga qeveria e sulltanit dhe nga shtetet evropiane zbatimin e programit të përgjithshëm të lëvizjes shqiptare: ndryshimin e sistemit ekzistues të qeverisjes së Shqipërisë; vendosjen e një regjimi kushtetues, në të cilin pushtetin legjislativ do ta kishte një këshill i pleqve që do të vihej në krye të vendit, ndërsa pushtetin ekzekutiv një guvernator i zgjedhur nga ky këshill; guvernatori (valiu) do të vihej në krye të katër vilajeteve të bashkuara, të cilat do të përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë; emërimin në Shqipëri vetëm të nëpunësve shqiptarë, të krishterë e myslimanë; barazinë për të gjithë shqiptarët pa dallim feje; hapjen në çdo qytet të Shqipërisë të shkollave shqipe; vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që do të kryhej vetëm në Shqipëri; përdorimin e të ardhurave të përgjithshme për përparimin e Shqipërisë; amnisti për të gjithë shqiptarët e burgosur dhe të internuar etj. Përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një shteti autonom e kombëtar shqiptar, i cili, ndonëse do të mbetej ende nën sovranitetin e sulltanit, do të kishte kufijtë e tij të përcaktur qartë dhe një regjim demokratik, të mbështetur në traditat shtetërore të shqiptarëve dhe në parimet më të përparuara të kohës. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Pejës u përkrah gjithashtu nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909), “Kalendari Kombiar” (Sofje, 1897-1912), “La Nazione Albanese” (“Kombi Shqiptar”, Kantazaro-Pallagorio, 1897-1912 e në vazhdim) etj., botuesit e të cilëve i bënë të njohur opinionit evropian programin e saj kombëtar.
  16. Atë Gjergj Fishta OFM ( 1871-1940) në 66 vjetorin e vdekjes AT GJERGJ FISHTA, FIGURË E MADHE E KOMBIT Universi artistik i Fishtës Një ndër majat më të larta të relievit të letërsisë shqiptare është, padyshim, vepra e At Gjergj Fishtës. Ndonse kanë kaluar 65 vjet nga dita kur ai mbylli sytë përgjithmonë, të rrahurat e zemrës së tij për popullin e Atdheun i ndjejmë edhe sot në krijimtarinë e pavdekshme që na ka lenë. Kur përceptojmë epopenë madhështore "Lahuta e Malsisë", këte "Iliadë" të shqiptarëve, siç e kanë quajtur studiuesit e huaj, përjetojmë thellë ndjenjat e shpirtit heroik të Fishtës. Në "Mrizin e Zanave" ndiejmë vibrimet e holla të unit lirik të tij, që ngazëllehet nga soditja e flamurit kombëtar, që valëvitet si krah engjëlli në fluturim në sfondin e kaltër të Atdheut të çliruar, pas natës së gjatë të robërisë osmane. Të ngrohet shpirti nga zjarri i dashurisë së zemrës së tij për gjuhën shqipe, tiparet e së cilës i krahason me gjumin e embël të foshnjes së pafaj, me dritën e shpresës, me të qeshurën e çiltër të njeriut të mirë, por edhe me shkrepjen e rrufesë e me tronditjen e tërmetit. A mund të shprehet emocionalisht më kapshëm butësia e brishtia e gjuhës shqipe se sa kur përfytyrohet si një fllad i lehtë pranveror që lëmon gjinjtë e trëndafilit? A nuk na duket se ndjejmë në lekurën tonë shpimin e gjëmbave të mprehtë të satirës së Fishtës, kur lexojmë "Anzat e Parnasit" e "Gomarin e Babatasit"? Nga të gjitha këto që thame arrijmë në përfundimin se, kur futemi në univrsin artistik të Fishtës, bindemi plotësisht se zemra e tij rrahu fort për Shqipërinë gjatë gjithë jetës, deri në frymëmarrjen e fundit, kur përpara saj bëri betimin solemn, si biri para nënës: Dersa t’mundem me ligjrue E sa gjallë me frymë unë jam, Kurrë, Shqipni, s’kam me t’harrue, Edhe në vorr me t’përmend kam. Paradokse e (zh)vlerësimit Personalitet jo i zakonshëm, me talent e aftësi të rralla, me energji e prirje të gjithanshme, Fishta tërhoqi që herët vëmendjen e bashkëkohësve, brenda dhe jashtë vendit. Ai qe jo vetëm poet i përmasave të mëdha, por edhe njeri i veprimit shoqëror e politik, atdhetar i flaktë, tribun i popullit, mbrojtës i vendosur e sypatrembur i çështjes kombëtare, për të cilen ngriti zërin në shumë mbledhje ndërkombëtare, si perfaqësues i Shqipërisë, duke stigmatizuar fqinjët grabitqarë dhe fuqitë e mëdha që qëndronin pas tyre. Megjithatë, sot është koha që pohime të tilla nuk duhet të mos deklarohen, po të provohen me argumente të pakundërshtueshme, për arsye se, deri tani, jeta dhe vepra e Fishtës kanë kaluar dy periudha vlerësimi: Në të parën, sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar. Në të dytën, vetëm katër-pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrën më të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare. Të hiperbolizosh vlerat e tua kombëtare, është një veprim i kuptueshëm, ndonse jo i drejtë; kurse t‚i zvogëlosh ato, t‚i mohosh, apo, çka është edhe më keq, të arrish deri aty sa t‚i përçmosh, t‚i përbaltësh, siç u veprua me Fishtën, është veprimi më i pakuptueshëm, më paradoksal, që mund të mendohet! Është thenë se personalitetet e mëdha kalojnë nëpër tri periudha vlerësimi: në të parën, himnizohen, pastaj mohohen, për të arritur, më në fund, në përcaktimin e vlerave objektive të tyre. Në qoftë se kjo është e vërtetë, kohës sonë i bie detyra e vështirë dhe më e rënda me një përgjegjësi të madhe e vendosjes së Fishtës në piedestalin që i takon. Kuptohet se kjo është një punë shumë e mundimshme, gjatë së cilës u duhet rikthyer të gjitha atyre që janë thënë për té, mirë apo keq qoftë, duhet "rilexuar" vepra e Fishtës, për t‚u thelluar në analizën e poetikës dhe të problematikës, për të nxjerrë së andejmi mesazhin që u solli bashkëkohësve, kur u botua si dhe atë që marrim né sot prej saj. Natyrisht, nuk kam asnjë iluzion se mund të plotësohet një detyrë kaq e vështirë dhe me një përgjegjësi të madhe në caqet e këtij artikulli modest popullarizues. Kryerja e saj në nivelin e dëshiruar mund të arrihet me përpjekje të përbashkëta të forcave shkencore më të afta, me studim të gjërë të monografive, ku vepra e Fishtës të vështrohet nga të gjitha anët. Duke shfaqur ndonjë mendim për vlerësimet dhe zhvlerësimet që i janë berë Fishtës në dy periudhat që përmendëm, deshëm vetëm të ndihmojmë sadopak për të sensibilizuar studimet tona për t‚u përqendruar mbi këtë figurë të madhe të letërsisë shqiptare, që të përcaktojmë drejt vendin dhe rolin që luajti në pasurimin dhe në zhvillimin e saj. Mendoj se koha kërkon me ngut të hidhet dritë mbi disa vlerësime kontradiktore, diametralisht të kundërta, që janë bërë për Fishtën dhe veprën e tij. Nga njëra anë është thënë se është poet i madh, Homeri apo Tirteu i Shqipërisë. Nga ana tjetër është mohuar talenti poetik i tij, është denigruar si vargëzues i rëndomtë, madje është edhe akuzuar si përvetësues ikrijimtarisë popullore, pra si plagjiat i saj. Cila është e vërteta shkencore? Kryevepra e Fishtës, "Lahuta e Malsisë", nga njëra anë është vlerësuar si apologjia artistike më e fuqishme që i është bëre Atdheut të rrudhur e të copëtuar nga fqinjët grabitqarë, nga ana tjetër është akuzuar për frymë shoveniste? Përsëri: Cila është e vërteta shkencore? Tokat e kujt synon Fishta të rrëmbejë, i shtyrë nga shovenizmi i tij? A nuk kanë parasysh autorët e akuzes se shovenizmit se né jemi i vetmi vend në Evropë i rrethuar nga të gjitha anët me vetveten? A mund të quhet shovenist Fishta pse denoncoi padrejtësitë që i janë bërë Atdheut tonë nga armiqtë dhe nxori në shesh ëndrrat e tyre për të copëtuar e për të rrëmbyer përsëri trojet tona? Nga njëra anë është thënë se Fishta gjatë gjithë jetës ka luftuar për të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, nga ana tjetër është trumbetuar me forcë e kundërta: se ai ka qenë i shitur jo tek një po tek shumë të huaj, madje, për të mos lënë pikë dyshimi, është thënë se vetë Fishta ka pohuar publikisht se nuk është shqiptar! A mund të besohet një gjë e tillë?! Këto duhen ndriçuar. Për Fishtën është thënë, përsëri pa asnjë argument, se ka pasur paragjykime fetare edhe krahinore, që ia kanë mjegulluar vështrimin atdhetar. Mirëpo, edhe me një arsyetim fare të thjeshtë, kam përshtypjen se akuza të tilla bien menjëherë. Po të kishte pasur Fishta paragjykime fetare, si do të shpjegohej që personazhe të shumtë të krijimtarisë së tij janë "të fesë tjetër", madje dhe kryeheroi i kryeveprës së tij, Oso Kuka, të cilin e ka përjetësuar në një nga tablotë më madhështore dhe më emocionuese të letërsisë shqiptare, edhe ky është i "fesë tjetër"? Po të kishte pasur paragjykime krahinore At Fishta, si shpjegohet që binomi poetik, që përshkon nga fillimi në fund krijimtarine e tij ka gjymtyrë vëllezërit Toskë e Gegë, të cilët me të njejtin krahasim i karakterizon me dy rrufe që çajnë qiellin si shpata dhe zharisin armiqtë? Po të kishte pasur Fishta vizion të ngushtë provincial, si do të shpjegohej që ndërmjet pseudonimeve të shumta që përdori, me i parapëlqyeri prej tij qe Gegë Toska me të cilin nënshkroi kryevepra të tilla si "Gomari i Babatasit"? Jo, jo! Akuza të tilla janë fare të pathemelta! Siç ka vërejtur me mprehtësi shumë kohë më parë Prof. Eqrem Çabej, vështrimi artistik i Fishtës ishte i tillë që niste tek malësori i moçëm Marash Uci dhe vinte gjithnjë duke u shtrirë, deri sa arrinte tek Abdyl Frashëri, tek Lidhja e Prizrenit, për të rrokur, më në fund, tërë Shqipërinë, të gjitha trojet tona etnike nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje. Këto janë vetëm pak gjëra nga shumë e shumë të tjera që janë thënë për Fishtën në të dy periudhat: të vlerësimit dhe të denigrimit të tij. Në këtë mënyre figura e madhe e Fishtës është veshur me një mjegullnajë, që duhet të zhdavaritet nga kritika dhe nga shkenca letrare objektive. Nga sa është thënë deri sot për Fishtën del se vlerësimet e larta që i janë bërë përgjithësisht janë konkluzione të nxjerra nga analiza e jetës dhe e veprës së tij, kurse mohimet dhe denigrimet, deklarata aprioristike të paargumentuara. Le të arsyetojmë mbi ndonjërën prej tyre. Në rast se Fishta nuk do të ishte poet i madh, si mund të flasin me superlative për te autoritete të tilla të artit e të shkencës, vendas dhe të huaj, si virtuozi i fjalës poetike Lasgush Poradeci, që e quan me gjuhë metaforike "shkëmb të tokës dhe shkëmb të shpirtit shqiptar", që shpreh me art ndjenja dhe ideale të mëdha atdhetare? Në rast se nuk do të ishte gjeni i letrave shqipe, nuk do të ishin mahnitur aq shumë nga vepra e tij Aleksander Xhuvani e Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej e Norbert Jokli, Faik Konica e Anton Harapi, Jolanda Kodra e Kolë Kamsi, Gabriele d‚Anunzio e Kostaq Cipo. Nuk ka dyshim se mendimet e tyre janë shprehje e çiltër e ndjenjave që u ka përftuar vepra e Fishtës. A mund të besohet se Fishta ishte i shitur tek të huajtë, pra antikombëtar, kur në momentet më të vështira, në mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare në Paris, në Athinë, në Stamboll, kur fatet e Atdheut ishin në rrezik, ai u dërgua si përfaqesues i vendit tonë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve? Prandaj, shkenca dhe kritika letrare kanë mundësi dhe detyrë parësore të rrëzojne me argumente këto fyerje qellimkëqia dhe në të njëjtën kohë, të zbulojnë fondin e pasur të vlerave artistike, shoqërore e politike të këtij personaliteti të gjithanshëm të kombit tonë, për të cilat kemi aq shumë nevojë sot. Nga buronte urrejtja për Fishtën? Duke pasur bindjen e palëkundur se Fishta është një figure ndër më të ndritura të kombit, natyrshëm lind pyetja: ku e kishte burimin gjithë ajo urrejtje patologjike kundër tij, që çoi në trillime e shpifje aq monstruoze e njëherësh, banale sa të mos besoheshin? Megjithëse për këtë problem deri tani janë dhënë disa shpjegime, kam bindjen se përbaltja e Fishtës u bë për arsye të koniukturave politike. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia ishte "miku" ynë i ngushtë, nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve tona nga sllavët. Pastaj, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqve tanë dhe këta të fundit i cilësonte shprehimisht "klyshë të Rusisë". Në kohën kur dy miqësitë e sipërme u kthyen në armiqësi, Fishta as atëherë nuk mund të rehabilitohej më, për arsye se ishte hedhur shumë baltë mbi të. Rruga për tek Fishta Në fund të këtij njëzetëshekulli që po përcjellim, rruga për tek Fishta u hap. Hapat e parë në këtë rrugë u hodhën nga një turmë e madhe njerëzish që e prisnin me padurim këtë ditë, ndërmjet të cilëve spikatën Injac Zamputti, Pal Duka-Gjini (At Danjel Gjeçaj), At Zef Pllumbi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Tonin Çobani, Stefan Çapaliku, etj. Që atëherë kanë filluar të organizojnë veprimtari shkencore dhe të shkruajnë artikuj përkujtimorë me raste përvjetorësh të lindjes dhe të humbjes së tij.Ribotohen vepra pak të njohura për publikun. Megjithëse të gjitha këto janë të dobishme dhe organizatorët e tyre meritojnë përgëzime, mendojmë se puna për të arrijtur tek zbulimi i plotë i vlerave të Fishtës mund dhe duhet organizohet më mirë. Së pari, kusht i domosdoshem është botimi shkencor i veprës së plotë të Fishtës. Nuk ka se si të bëhet studimi pa pasur në dorë objektin e plotë të tij. Së dyti, Fishta duhet të zërë vend denjësisht në programet shkollore, si një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare. Së treti, në këtë periudhë, kur ende nuk kemi punime të plota shteruese, kritikët dhe studiuesit tanë më të përgatitur mund të përmbushnin nevojat e tanishme të ngutshme që ka shkolla dhe publiku lexues për njohjen dhe interpretimin e veprës së Fishtës. Natyrisht, puna e deritanishme ka qenë e dobishme dhe do vazhduar me veprimtari dhe shkrime, edhe të thjeshta, si kjo skicë jetëshkrimore që po paraqesim në mbyllje të këtij artikulli. Pak biografi Rrjedha e jetës, krahas rregullsive, sjell me vete edhe mjaft rastësi, roli i të cilave në zhvillimin e mëtejshëm të saj, shpesh herë nuk mund të parashikohet. Kështu, askujt nuk mund t‚i shkonte nëpërmend se fëmija që lindi me 23 tetor 1871 dhe që u pagëzua Zef, do të vinte një ditë që do të bënte të njohur në gjithë vendin dhe me përtej fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, të padëgjuar fare deri atëherë. Askush nuk mund të parashikonte në atë kohë se nga ky Zef i vogël do të dilte më vonë At Gjergj Fishta i madh. Zefi i vogël , i dalluar që herët për shkathtësi dhe zgjuarsi, tërhoqi vëmendjen e famullitarit, prandaj e çuan në kolegjin françeskan të Shkodrës e pastaj në Troshan, për ta përgatitur për frat. Pas mbarimit të shkollës fillore e dërguan për studime të mëtejshme në Bosnje, ku u laurua për filozofi dhe teologji. Atje, ndërroi emnin e pagëzimit (sipas rregullit të urdhërit françeskan), duke u quajtur tani e tutje Gjergj. U bë frat dhe tha meshën e parë me 25 shkurt 1894. Pas kthimit nga Bosnja, punoi për disa vjet si profesor në kolegjin françeskan të Troshanit, pastaj, disa vjet tjera shkoi si famullitar në Gomsiqe. Atje ai i kushtoi vëmendje të veçantë njohjes dhe përvetësimit të frazeologjisë popullore, të cilën do ta përdorte më vonë me mjeshtri të rrallë në kryeveprën e vet "Lahuta e Malsisë". U shqua si pjestar i shoqërisë letrare "Bashkimi" e cila qe themeluar më 1899 nga Imz. Preng Doçi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që kemi sot. Më 1902 qe zgjedhur drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, në të cilën futi për herë të parë shqipen si gjuhë mësimi. Më 1913 po në Shkodër, themeloi dhe drejtoi sa qe gjallë revistën "Hylli i Dritës". Në vitet 1916-1918 krijoi dhe drejtoi "Postën e Shqipnisë". U emrua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, më 1919. U zgjodh deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit shqiptar më 1921. U dërgua anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërballkanike në Athinë më 1930, pastaj më 1931 në Stamboll dhe prap në Bukuresht më 1932. Më 1931 qe ftuar dhe qe caktuar anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New Jork, ku përfaqësoheshin 60 shtete. Veprimtaria letrare e Fishtës është e gjerë dhe e gjithanëshme. Lëvroi të gjitha gjinitë e zhanret: lirikën, epikën, dramën, satirën, publicistikën, polemikë e oratori, vepra agiografike, përktheu e përshtati nga letërsia botërore. Ishte shumë aktiv në jetën letrare, shoqërore e politike të kohës. Kjo shprehet në bashkëpunimin me të gjitha revistat e gazetat që dilnin, në të cilat botoi mbi 200 e sa shkrime. Krijimtaria poetike e Fishtës arrin në rreth 50.000 vargje, kurse në prozë mbi 700 mijë faqe. Vetëm "Lahuta e Malsisë" ka 30 kangë me 15.563 vargje. Fishta botoi rreth 40 vepra sa qe gjallë dhe 30 tjera i la të pabotuara. Veprat kryesore të Fishtës janë: "Lahuta e Malsisë", "Anzat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Gomari i Babatasit", "Juda Makabe", "Mojs Golemi i Dibrës dhe Deli Cena", "Shqyptari i gjytetnuem", "Ifigjenia në Aulli". Për këtë veprimtari letrare, shoqërore e politike, Fishta qe nderuar me dekorata, si: Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës (1911). Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912). Dekorata Ritterkreuz, nga Mbreteria e Austrisë (1912). Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913). Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925). Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929). Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931). At Gjergj Fishta vdiq në Shkodër me 30 dhetor 1940. ....si Shqipnia vend nuk ka! (fragmente nga krijimtaria) GJUHA SHQIPE Porsi kanga e zogut t’verës, Që vallzon në blerim t’prillit, Porsi i ambli fllad i erës, Që lmon gjijtë e drandofillit, Porsi vala e bregut detit, Porsi gjama e rrfesë zhgjetare, Porsi ushtima e një tërmeti, Njashtu asht gjuha jonë shqiptare. SHQIPNIA E LIRË Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit, Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit, Prej Tivari në Manastir, Edhe Flamuri Shqipnisë Si flakë mnijet e Perëndisë Do t’valvitet në Kaçanik. HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR Porsi fleta e Ejllit të Zotit Po rreh Flamuri i Shqipnisë E thrret t’bijtë e Kastriotit Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë. Bini Toskë, ju bini Gegë, Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë! A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë, Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!.... NJË GJAMË DESPRIMI Me parzmet tona n’ata t’hershmit mota, Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta Atbotë kur pallën Skanderbeg Kastriota Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta Dridhej një Sulltan, që aso here Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun, Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë Tartarit, e prej Evrope larg rrezikun Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem, Por kurrë Evropa në ndihmë një ushtar s’na nisi, Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi. ........ E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti, E shoftë me fise, popuj e qytete Edhe premtoftë që dersa t’endet moti, Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete. Selitë e saj grimë me grimë u thejshin, Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin! Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye E prej Lirie me ia ndalun hovin? Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye? Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë Moskovin? Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria, Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malsia. ........ ATDHEU Në ty mendoj kur agon drita, Kur bylbyli mallshëm kndon, N’ty mendoj kur soset dita Terri botën kur e mblon. Veçse ty të shoh në andërr, Veçse ty, t’kam n’mendim, Ndër t’vështira ti m’je qandër, Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim. NGA PUBLICISTIKA E FISHTËS Dr.Ardian Ndreca Romë, 2001 "Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizim të një shteti civil një njeri malok, matrahul, që mezi, ndoshta, ka krye dy a tri klasë fillore dhe që djersitet kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradita shpijake dhe edukata familjare, që shumë kend ndër ta, e ban krejt të neveritshëm dhe ekscentrik. Ky, babën gjaksë, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer; rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intrigantë batakçi, me vagabondë, rrugaçë, me njerëz hasëm të kulturës e të qytetnimit, si mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një kombi ende primitiv ? Për me sundue një shtet nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçilleku, rrena, tradhtia. Duhet nderë, dije, urti, burrni, qé se çka duhet. Po, por dija, urtia, ndera, burrnia mësoheshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë e jo ndër kafeshantana të Evropës e në mejhanë e paçaxhihane të Tiranës, tue luejtë tavëll e bixhoz e tue pi mastikë. Po qe e vërtetë që një grup njerëzish këso dore mund të mëkambin shtete konstitucionale e mund të bajnë të lumtun popuj e fise, atëherë kisha me dashtë me thanë se historia nuk asht mâ "magistra vitae" e se virtyti, dija, burrnia, urtia nuk janë themelet mbi të cilat mbahen shtetet e qytetnueme". *** Portreti i nëpunësit të shtetit, që synon vetëm të zhvatë sa ma shumë prej tij, për me sigurue për vete një jetë të qetë e të rahatshme: "....Ju kryetar këtu, drejtor atje, mbasandej, kur të huejtë na u hoqën deret, Ju sot senator, nesër deputet, mbasnesër ministër, tjetërmbasnesër prefekt, prap ministër, prap deputet: me kësulë në njanin sy, endu-çendu në shpinë të automobilit: tungatjeta! Në të djathtën, selamalekum! Në të majtën; ky hiq kësulën, ai hiq kapelen: zgërdhiju njanit; gërmushju tjetrit - Ministër, madje!..." *** Ja si i përshkruan meskinitetet e klikave të atëhershme: "U shpërnda, pra, parlamenti dhe ish-parlamentarët e Shqipnisë kthyen ndër kafe e mejhane të qyteteve e të fshatrave të veta, ku menjëherë filluen veprimin e vet: kafe,llafe, mastikë, tavëll, bixhoz. -"Jo, unë jam nacionalist. Ata janë "tradhëtorë", të poshtër, të shitur, maskarenj. Une kam shpëtue Shqipninë në ditën ma të ligë. Unë e mbys opozitën. Ahmet Zog e s‚ka! Kam bërë Hukukun në Stamboll; kam Malsinë në dorë; kam Zadrimën me vete; ia kam bâ e kthye opozitës...". *** Kështu u heq maskën prapaskenave parazgjedhore: "Ahmet Zogu lëshoi zagarët e vet elektorale në të katër qoshet e Shqipnisë. T’u lëshuen, bre bir sâme, prefekt e nënprefekt, t’u shpërvolën kryetarë bashkishë, krahinorë, se-kretarë e t’u zgaqën kopista e arkivista...." *** Ja si i stigmatizon feudalët e mbrapambetun, që damtonin çështjen kombëtare: "...Ky asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi, njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s‚ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrejtë, qelepirxhi, ky, për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë bagëtinë, për shêj pushke. Myzeqari prej tij s‚ka guxue me mbajtë armë, me shkue në kal të shalës, me ngreh oxhak mbi pullaz të shpisë...". VLERËSIME PËR FISHTËN DHE VEPRËN E TIJ ** "Me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se, sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epopeja e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djelmnisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare. Njikëto dy ideale: atdhedashtnia dhe ruajtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës". Prof. Aleksander Xhuvani ** "Fishta është "shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar". "Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!" Lasgush Poradeci ** "At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë." Kostaq Cipo ** ”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta". Faik Konica ** Fishta "Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar". Gabriele d‚Anunzio ** "Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli... Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora." Erwin Stranik ** "I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta". ..."Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna." Prof. Dr. Maximilian Lambertz ** "Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit." Prof. Karl Gurakuqi ** "Patër Fishta...me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë." Anton Baldacci ** "Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë..." At Pal Dodaj "....prodhimi poetik e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës fizike e morale të Atdheut. ....çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët." Prof. Kol Kamsi "Poemi epik "Lahuta e Malsisë" asht një vade mecum i çdo atdhetari." Don Kolec Prennushi ** "Lahuta e Malsisë" mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë." M. A. Freün von Godin (albanologe gjermane) ** "Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë." Prof. Filip Fishta ** "Pas vdekjes Fishta...nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme." At Viktor Volaj ** "Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun." Një shkrimtar francez, pas takimit me Fishtën. ** "At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij." Nush Topalli ** "At Fishta asht e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet e tij kanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas njerëz e sende." Prof. Pashko Gjeçi ** "Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri. ...At Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare... Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut." Lefter Dilo ** "Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t‚u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci." At Konrrad Gjolaj ** "Fishta është "një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve." Terenc Toçi ** "Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale." At Anton Harapi ** "Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë." ** "...At Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës u ngjit deri në majat më të larta të kulturës." Prof. Dr. Norbert Jokl ** "...me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi.... Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t‚u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli." At Mark Harapi S.J. ********** E keqja mâ e madhe q* i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht q* sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon. Dr.Ardian Ndreca Kush âsht P. Gjergj Fishta per brezin mâ te ri? E keqja mâ e madhe q* i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht q* sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon. Fishta âsht nji fenomen i papërsëritshëm për shpirtin shqiptar, pse ai ka mbërrit me kene njiherit poet, njerí i Zotit, humanist, patriot, burrë i virtytit e i vlerave qytetare – e këto cilësina, ndër ne, janë të rralla, te nji njerí i vetëm. Shuma e vargjeve të Fishtës âsht realiteti shqiptar i çdo kohet, prandej asnji njerí i letrave shqiptare nuk mund të hjedhin nji rresht pa e pasë lexue fund e maje veprën e tij. Shumëkush sot, po t’a lexonte Fishten - jo se do të mësonte me shkrue – por të paktën do të bindej q* âsht mâ mirë mos me shkrue mbas Fishtës. Guralecat e letersise shqipe s’kane mujtë me i bâ gja atij Mojzehi të gjuhës q* âsht Fishta, por shumë keq mundet me i ba injoranca e brezave te sotshme tue mos e lexue atë. Pse duhet lexue Fishta? Ai duhet lexue pse âsht nji klasik i letërsise tonë, e nji klasik s’prane kurre së thanuni atë q* ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh. Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien q* e çojne në qiell, por kur e lexon- ti vete njitesh në qiell. sht fat me e lexue Fishten tue kenë në gjendje me e shijue, por me e shijue duhet të paktën me pasë dishirin me u drejtue kah arti i tij. Fishta âsht nji shkrimtar i tille – q* po u lexue njihere – njeriu kupton se çka jane kenë librat tjere q* ka lexue para tij. Në fakt tanë letërsija shqipe – para e mbas Fishtes – nuk âsht tjetër veçse nji pregatitje e nji jehone e këtij fenomeni sublim të shpirtit njerzór. Fishta âsht i papërkthyeshme – pse shpirti i tij nuk ka zâdhanës, ai, si Mojzehi, ka qitë gjuhën e letrat shqipe prej robnisë e me pendën e tij ka bâ me burue mâ të kulluemin ujë – q* ka për të shue përherë etjen e atyne q* dojnë atdhé, kulturë e besim në Zotin. Lahuta e tij âsht skulptura epike e gjuhës shqipe, vepra e tij satirike âsht portreti mâ realist i shqiptarit të gjithmonshëm, lirika e tij âsht i vetmi vend ku qielli i toka shqiptare bashkohen në tinguj të ambel muziket të amshueme. Prandej, mbas Fishtes âsht e veshtire me thanë ndonji gja të ré në letërsinë tonë. Të gjitha përpjekjet me e “përshtat” Fishten mbas gjuhës së sotshme, të bdarun e të bastardhueme, janë të dështueme pa dalë në dritë, nuk bahet fjalë me e ul Fishtën te masa injorante e dembele, duhet q* këta me u mundue me i ngjitë te Fishta. Intuita e popullit i ka paraprí intelektualve, pse njerëzit e thjeshtë Fishtën e kanë mësue gjithmonë përmendsh; por, edhe nji here të vetme me u takue me nji shkrimtar si ai, mjafton për me kuptue të paktën se çka âsht nji klasik i letërsisë.
  17. Presidenti Moisiu, "Nderi i Kombit" për Gjergj Fishtën Pak ditë më parë në kuadrin e 90-Vjetorit të Pavarsisë dhe festës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, dekoroi me medaljen e artë "Nderi i Kombit", Padër Gjergj Fishtën, njërin prej figurave e personaliteteve më të shquara të historisë së Shqipërisë, i cili gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ishte shpallur armik e reaksionar dhe gjithashtu vepra e tij ishte e ndaluar që në vitet e para të pasluftës. Është për t'u përshëndetur kjo nismë e Presidentit Moisiu, për të rivlersuar dhe për të vënë në vëndin që u takon shumë prej personaliteteve të fushave të ndryshme të historisë së Shqipërisë, të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist, jo vetëm që u lanë në harresë, por çështë më e keqja, u denigruan dhe u poshtëruan në mënyrën më të paskrupullt nga politika dhe propaganda e atij regjimi. Ajo dekoratë e Presidentit Moisiu e akorduar për Fishtën, i bashkangjitet atyre që poeti, shkrimtari, politikani dhe publicisti i famshëm pati marrë nga Greqia, Turqia, Austro-Hunagria dhe Italia. Shumë prej këtyre figurave të ndritura të historisë së Shqipërisë, "Gazeta Shqiptare" është munduar prej vitesh që t'i pasqyrojë në faqet e saj, e do të vazhdojë që t'i pasqyrojë ato edhe në të ardhmen. Dashnor Kaloçi Si vetimë u përhap an' e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t'onë Kombëtar, At Gjegj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të "Lahutës së Malcisë" që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fist tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës "Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavarimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s'ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësu nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far (Dritë) i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj". Këto fjalë të panjohura deri më sot, janë fjalët e para të Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit, njërit prej lëvruesëve më të shquar të gjuhës shqipe, të mbajtura plot 62-vjet më parë në ceremoninë mortore të varrimit të poetit të madh, Padër Gjergj Fishta, në qytetin e Shkodrës. Ndonëse Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani gjatë viteve të regjimit komunist për shumë kohë ishte i zgjedhur në funksionin e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, edhe pse ai gjatë atyre viteve ishte një njeri shumë nderuar dhe i respektuar për punën e tij të madhe në fushën e gjuhësisë, fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të Poetit Kombëtar, Padër Gjergj Fishtës, nuk e pa kurrë dritën e botimiti, pasi Fishta dhe vepra e tij u ndaluan që në vitet e para të pasluftës. Po çfarë ka thënë tjetër Prof. Aleksandër Xhuvani në atë fjalim që nuk është bërë asnjëherë publik që nga ajo kohë dhe kush ishin personalitetet e tjera të politikës e artit që morrën pjesë apo dërguan telegrame ngushëllimi në varrimin e tij? Lidhur me këtë bën fjalë shkrimi i mëposhtëm, që "Gazeta" e boton në kuadrin e ciklit të publikimit të figurave dhe personaliteteve të spikatura të histrorisë së Shqipërisë, të cilat u lanë në heshtje apo u denigruan nga regjimi komunist i Enver. Pagëzimi i Fishtës nga De Martino Gjergj Fishta u lind më 23 tetor të vitit 1871 në katundin Fishtë të zonës së Zadrimës dhe ishte i biri i Ndokës së Simon Ndocit e i zonjës Prenda të Lazër Kuçit. Pas lindjes së tij, të dy prindërit që ishin besimtarë të më mëdhenj, e dërguan në kishë për ta pagëzuar ashtu si ishin ritet fetare të katolikëve. Ai fëmijë i porsalindur pati fatin që të pagëzohej nga Padër Leonardo De Martino, i cili përveçse detyrës së meshtarit që e kreu deri në fund të jetrës së tij, është tepër i njohur edhe si një nga poetët e shkrimtarët më të famshëm të arbëreshve të Italisë. Padër Leonardo De Martino e pagëzoi atë fëmijë të vogël me emrin Zef, i cili ishte dhe emëri i tij i vërtetë deri në periudhën që ai u dorzua si prift dhe mori emrin "Gjergj". Mësimet e para Fishta i mori në Kolegjin e Troshanit i cili në atë kohë ishte një nga më të njohurit jo vetëm në atë trevë të Shqipërisë Veriore, por edhe në Ballkan, për faktin se ai ishte direkt nën administrimin e kujdesin e Vatikanit dhe aty jepnin mësime disa nga klerikët më të famshëm katolikë të ardhur apsotafat nga Italia. Pasi përfundoi mësimiet në Kolegjin e Troshanit ku Fishta u dallue për inteligjencën e tij natyrore të rrallë, ai u mor nga pedagogët e tij (fretërit franceskan) dhe u dërgua për të ndjekur më tej studimet në fushën e teologjisë në Bosnjë të ish-Jugosllavisë, e cila në atë kohë ishte krahinë e perandorisë Austro-Hungareze. Pas diplomimit në atë Kolegj Franceskan, ai u kthye në Shqipëri dhe u caktua si meshtar në fshatrat e Lezhës ku edhe dha meshën e parë më 25 shkurt të vitit 1894. Në zonën e Lezhës e cila asokohe ishte nën administrimin e Prefekturës së Shkodrës, Fishta shërbeu si meshtar për disa vjet dhe më pas u caktua edhe në disa fshatra të tjerë si Gomsiqe të Pukës dhe në krahinën e Hotit në zonën e Mbi-Shkodrës. Në vitin 1902 Gjergj Fishta u emërua me detyrën e drejtorit të kolegjeve franceskane të qytetit të Shkodrës dhe punën e parë që bëri në ato shkolla, ishte futja e gjuhës shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Nisur nga puna e madhe që bëri Fishta në ato vite për përhapjen e gjuhës shqipe, në vitin 1908 kur u mbajt Kongresi i Manastirit, që caktoi dhe alfabetin e Gjuhës Shqipe, ai u zgjodh në mënyrë unanime nga të gjithë delegatët e tij, si Kryetar i Komisjonit të atij Kongresi. Në vitet që vijuan më pas, Padër Gjergj Fishta themeloi revistën "Hylli i Dritës", të cilën e nxorri për herë të parë në vitin 1913-të, e cila vazhdoi më pas deri në vitin 1944, kur u mbyll nga komunistët që erdhën në pushtet. Nga viti 1916-të e deri në vitin 1918-të, Padër Gjergj Fishta drejtoi edhe gazetën "Posta e Shqypnisë" dhe vazhdoi të ishte antar i rregullt i Shoqërisë Letrare "Bashkimi" me qëndër në Shkodër, e cila ishte themeluar që në vitin 1899. Në vitet e pas shpalljes së Pavarësisë, Padër Gjergj Fishta iu kushtua edhe politikës dhe në vitin 1919-të, kur u mbajt Konferenca e Paqes në Paris, ai dërgua si antar i një prej delegacioneve shqiptare që mori pjesë me të drejta të plota në atë mbledhje, ku morën pjesë shumë delegacione nga vënde të ndryshme të Botës. Në vitin 1921 në zgjedhjet e para parlamentare, Padër Gjergj Fishta u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës dhe pak kohë më vonë u zgjodh edhe nënkryetar i Parlamentit. Nisur nga ai funksion që mbante, Fishta u dërgua si përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ndërballkanike që u zhvilluan në Athinë, Stamboll e Bukuresht. Po kështu në vitin 1932 ai bëri një udhëtim të gjatë prej disa javësh në SHBA-së, ku mori takime me mërgatën shqiptare që ishte vendosur aty dhe shumë prej personaliteteve të saj. Konica sponsorizoi "Lahutën e Malcisë" Vepra madhore e Padër Gjergj Fishtës. "Lahuta e Malcisë" e filloi botimin e saj si fillim që në vitin 1905 me një vëllim të vogël me titull "Te ura e Rrazhnicës", i cili u shtyp nga shtypshkronja "Vitalini" në Zarë të Dalmacisë. Botimi i atij libri të vogël në formë broshure u bë i mundur vetëm në sajë të Faik Konicës, i cili i dërgoi Fishtës, 100 franga ari që ia kishte dhënë Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë për botimin e një libri të poetit shkodran Filip Shiroka. Duke qenë se në atë kohë që u dhanë ato para, Filip Shiroka nuk e kishte përgatitur akoma librin për botim, e nëse nuk kishte ndonjë vepër tjetër për t'u botuar në gjuhën shqipe, ishte vënë kusht që paret duhej të ktheheshin. Në atë kohë Faik Konica në një letër që i dërgoi Padër Pashko Bardhit, të cilin e kishte bashkëpunëtor të revistës "Albania", e pyeste nëse Shoqëria Letrare "Bashkimi" kishte ndonjë vepër për botim dhe Pashko Bardhi menjëherë e rekomandoi botimin e vëllimit të Fishtës të titulluar "Te ura e Rrazhnicës". Pas kësaj Faik Konica i dërgoi paratë me postë dhe libri u botua në mënyrë ilegale, pasi në atë kohë ishte e ndaluar me ligj që në tokat që ishin nën admistrimin e Austro-Hungarisë të të botoheshin libra në gjuhën shqipe. Botimi i librit u bë i mundur në saj të Padër Pashko Bardhit i cili shkoi tek Ministri Fuqiplotë i Austro-Hungarisë në Dalmaci dhe iu lut që të gjendej ndonjë mënyrë për botimin e librit të Fishtës. Pasi e dëgjoi deri në fund, Minsitri austro-hungarez i tha Pashko Bardhit që emrin e autorit të mos e vinin në faqen e parë të librit, por në faqen e fundit dhe përpara se të shpërndahej libri, faqia e fundit të shkëputej që andej dhe vetëm ashtu mund t'i shpëtonte ndëshkimit ligjor. Në këtë mënyrë u bë shtypja e atij libri në vitin 1905 dhe në të gjitha kopjet e atij botimi ku disa ekzemplarë ruhen ende dhe sot, nuk figuron fare emri i autorit, Gjergj Fishtës. Ribotimet e "Lahutës" "Lahuta e Malcisë" që është dhe vepra kryesore e Padër Gjergj Fishtës, është një vëllim me 30 këngë, e cila u botua e plotë vetëm në vitin 1937. Pas atij botimi ajo vepër pati një jehonë të madhe dhe nga kërkesat e shumta që iu bënë, Fishta u detyra dhe e ribotoi atë në vitin 1939. Pas këtyre dy botimeve, "Lahuta e Malcisë" u ribotua përsëri në vitin 1958 në diasporën shqiptare duke u përgatitur nga At Daniel Gjeçaj, në bashkëpunim me Prof. Martin Camajn dhe Dr. Petro Vuçanin. Ai ribotim kishte rreth 700 faqe sepse ishte i paisur edhe me shpjegime dhe komente të ndryshme. Përveç "Lahutës" që konsiderohet si një nga veprat më madhore dhe më të arrira të tij, Padër Gjergj Fishta shkroi edhe rreth 30 vepra të tjera, ku më të spikaturat janë: "Vallja e Parrizit", "Mrizi i Zanave", "Anzat e Parnasit", "Gomari i Babatasit", "Jerina" etj. Përveç këtyre veprave Fishta bashkëpunoi ngushtë duke shkruar në të gjithë shtypin shqiptar të asaj kohe që nga "Albania" e Faik Konicës, te "Kalendari" i Mithat Frashërit, në "Hylli i Dritës" dhe në të gjitha revistat letrare shqiptare. Asokohe Padër Gjergj Fishta konsiderohej si një nga polemistët më të spikatur dhe ndër polemikat e tij mbahet mënd ajo me titull "Gabove Hilë", në të cilën ai polemizonte me Ministrin e Arsimit, Hil Mosi, lidhur me mbylljen e shkollave private në Shqipëri. Ai artikull asokohe bëri një bujë të madhe në të gjithë vëndin dhe i gjithë shtypi shqiptar e komentoi gjatë atë. Ceremonia e varrimit të Fishtës Padër Gjergj Fishta vdiq më 29 dhjetor të vitit 1940-të në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkrive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit ku morën pjesë me mijra e mijra vetë nga populli i Shkodrës, midis të cilëve dhe ajka e intelektualve shqiptarë dhe përfaqësues nga të gjitha shkollat e vëndit. Në mes shumë fjalimeve që u mbajtën në ceremoninë mortore të varrimit të tij e cila u bë në shkallët e godinës së Postës që qytetit, erdhën dhe shumë telegrame, ku midis tyre ishin ato të Prof. Eqerem Çabejt, Zenel Prodanit, Spiro Vinjaut, Muharrem Bajraktarit, Rexhep Mitrovicës, Bahri Omarit, Karl Gurakuqit, Frano Alkajt, Mihal Bellkamenit, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit dhe Hafiz Muratit. Fjala e fundit në atë ceremoni madhështore, u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani, që ishte një nga miqtë më të ngushtë të Fishtës, e cila ka qenë e panjohur dhe nuk është botuar asnjëherë deri më sot.
  18. KONSIDERATA DHE VLERËSIME TË EQREM ÇABEJT PËR ÁT GJERGJ FISHTËN Prej vitit 1929, kur kishte botuar punimin e parë, me titull "Mbi poezinë e Lasgush Poradecit"1, e deri te përfundimi i Luftës Dytë Botërore, Eqrem Çabej (1908-1980) ka shfaqur konsiderata dhe vlerësime mbi personalitetin dhe poezinë e Gjergj Fishtës (1871-1940), sikur në dy punimet e veçanta: Poeti shqiptar Gjergj Fishta dhe Epika e Gjergj Fishtës2, ashtu edhe në punimet historiko - letraro dhe kritiko - letrare të tij: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe3 dhe Romantizimi në Europën lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare4, kurse në disa punime të tjera vetëm në mënyrë të tërthortë5. Në fakt, edhe në manualin shkollor Elememte të gjuhësisë e të literaturës shqipe ai shkruan në një kapitull të veçantë (pp. 50-52) për Gj. Fishtën, duke dhënë "pjesë të zgjedhura" të teksteve të tij letrare më tepër (pp. 132-141) se të Naimit, Mjedës dhe Çajupit së bashku (pp. 125-131). Këto pjesë të zgjedhura janë dhënë me shije të letrarit për të ilustruar vlerat më të larta dhe më tipike të poezisë shqipe6. Interesimi për personalitetin e Fishtës dhe sidomos për poezinë e tij është gjithsesi i madh dhe mjaft obligativ te ky filolog shqiptar edhe tek fakti se ai kishte marrë përsipër paraqitjen e tij edhe jashtë vendit, në Gjermani dhe Kroaci (Jugosllavi). Prandaj edhe mund të thuhet se punimi i tij me titull "Der albanischer Dichter Gjergj Fishta" (Poeti shqiptar Gjergj Fishta) është më i plotë, me të dhëna bibliografike të mjafta dhe me vlerësime teoriko - letrare dhe kritike të pranueshme, kurse krahasuar edhe me punimet e tjera të tij për Fishtën, mund të thuhet se figura e këtij poeti dhe personaliteti të shquar shqiptar është dhënë edhe me mendime të sintetizuara në çdo pikpamje, madje edhe nga aspekti i pamjes fizike, duke thënë se "ky burrë me pamje madhështore, që në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme aq tërheqëse si njëri, sa ka qënë origjinal e i madh edhe si shkrimtar"7. Që në fillim duhet thënë gjithashtu se E. Çabej, në kohën kur i ka shkruar këto punime, ishte i afirmuar dhe i pranuar mirë nga të gjithë albanologët e vendit dhe të huajt dhe dallohej për aftësinë e tij të sintetizimit të rezultateve të arritura të lëndës së shtruar, kurse ex offisso qysh kur u kthye nga studimet ai "vazhdoi lëndën e letërsisë shqipe pranë Gjimnazit të Shkodrës", madje edhe më vonë, kur nga Ministria e Arsimit u transferua në këtë ministri, ai kërkoi që të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës8. Kjo dëshirë nuk do t'i plotësohej, por, megjithatë, ai do të japë përsëri letërsi shqipe në Gjirokastër në vitin shk. 1938/39, që do të thotë se fillimisht pikërisht letërsinë shqipe e kishte lëndë të veten. Edhe pse nga ngjarjet e mëvonshme të Luftës së Dytë Botërore, e sidomos nga ndryshimet e mëdha shoqërore, ai do të pësojë shumë si intelektual dhe si njëri bashkë me intelektualët e tjerë të kohës së regjimit komunist, konsideratat dhe vlerësimet e E. Çabej për Fishtën do të kenë peshën e tyre dhe do të zgjojnë interes të shtuar dhe tani në kohën kur mendimi shkencor i këtij dijetari shqiptar është bërë temë e veçantë dhe e mirëpritur në këtë tubim shkencor, që po mbahet me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij. Ky njeri i shekullit tonë ishte hallkë e studimeve shqiptare nga koha e paraluftës me periudhën e pasluftës, sikur që në një mënyrë tjetër ishte hallkë ndërlidhëse dhe mjaft sintetizuese e zhvillimit të mendimit letrar krijues edhe Gjergj Fishta nga koha e Rilindjes Kombëtare me periudhën e realizimit dhe të pavarësisë, me gjithë historinë e popullit shqiptar dhe me kulturën e tij. Në këtë mënyrë, Gj. Fishta dhe E. Çabej, në mënyrat e tjera të krijimtarisë i plotësonin ato kritere të nevojshme që i kishte preferuar edhe Horaci, duke thënë: "Scribendi recte sapere est et principium et fons"9. Vendosja e Fishtës në historinë e letërsisë Duke qënë hartues i historisë së letërsisë shqiptare, por edhe nga prirja e tij për t'i vështruar gjërat sa më drejtë dhe sa më mirë, E. Çabej e koncepton figurën e shkrimtarit në rrjedhën e zhvillimit të letërsisë shqiptare (dhe evropiane) në vend dhe në kohë. Kështu, vendosja e Fishtës bëhet mjaft realisht në tokën shqiptare, që do të thotë se ai vendoset midis Perëndimit dhe Lindjes10, në një "qëndrim të ndërmjemë midis Perëndimit dhe Lindjes", përkatësisht as në Perëndim, e as në Lindje, ku do ta kenë vendin e tyre dy poetët e tjerë shqiptarë, De Rada dhe Naimi, të cilët, pikërisht për këtë arsye, s'do të jenë në gjendje ta këndojnë ngrohtësinë e realitetit shqiptar, por do t'i paraqesin ndjenjat romantike shpeshherë krejt të mjegulluara dhe të ngjyrosura me aromën e atyre vendeve ku kishin jetuar dhe vepruar. Meqë, sipas E. Çabej, "De Rada ishte romantik shqiptar i zhvilluar në tokën dhe kulturën latine", kurse "Naim Frashëri pasqyron tipikisht zhvillimin shqiptar pas influencës së gjatë osmane", Fishta do të dallohet prej tyre, sepse ishte "rrënjosur thellë në vendin e tij" dhe "fuqitë e tija njerëzore i thithi prej kësaj toke"11. Vendosja e Fishtës në "tokën shqiptare" arbëresh, me Zef Skiroin (1865-1927), i cili në poemën e tij "Te dheu i huaj" kishte kënduar jetën epike shqiptare qysh prej lashtësisë së kohës së ndërtimit të kalasë së Shkodrës e deri te Ali Pashë Tepelena, por nga një shikim gjithashtu mjaft i largët nga toka shqiptare. Te këta dy poetë arbëreshë këndohet realiteti shqiptar sipas vijës së ruajtjes së asaj vetëdije kombëtare, që ishte shumë mallëngjyese dhe e zjarrtë, por tepër e mangët që do të thotë vetëm aq sa ishte ruajtur në diasporën e Italisë dhe për kohën kur i kishin shkruar veprat e tyre, realitetit shqiptar ndryshonte krejtësisht. Ky realitet manifestohej më së miri në kohën e Fishtës tërthorazi asaj vetëdijeje shqiptare të malësorëve rezistues, që kishin ruajtur kanun dhe tërësinë më të plotë të jetës së të parëve. Krahasimi i Fishtës me poetë të tjerë shqiptarë Krahasimi i Fishtës me këta tre poetë shqiptarë12, me De Radën, Zef Skiroin dhe Naimin, E. Çabej e bën jo vetëm për shkak të mënyrës së thurjes së teksteve të tyre letrare, sidomos për shkak të zgjatjes së tepruar, monotone dhe të mërzitshme të Istorisë së Skëndërbeut (dhe Qerbelasë) të Naimit, te i cili "bota historike është një realitet", por edhe për arsye se poezia e tyre nuk kishte lindur në tokën shqiptare dhe nuk dilte nga kjo tokë. Poezia e Naimit kishte "një ngjyrë religjoze" dhe "dashuri mistike për islamizmin", si një "edukim etik" i tij, që do të ndikonte në përcaktimet nacionale të një populli ende të paformuar mirë kombëtarisht. Me një fjalë, "Orienti për Naimin është tokë prej nga thithi fuqitë e tij poetike. Ai nuk është Europiani që shkel këtë botë si një i huaj dhe për të cilin kjo ka magjinë e vendit ekzotik: ai rron në të, është i saj"13. Prandaj, i nxitur edhe nga përcaktimet zhvillimore të mendimit letrar dhe kulturor, me një preferencë shumë të qartë patriotike, me qëllim që të ndriçonte sa më mirë poetin kombëtar, si faktor edukativ, ai e vlerëson veprën e Naimit edhe me shumë mangësi të tjera që kishin ndikuar, siç thotë ai, "që eposi i tij dështoi dhe nga fakti se Naimit i mungoi talenti i poetit epik"14. Megjithatë, kur ai bën një krahasim më të ngushtë në mes të Naimit dhe të tjerëve, thotë se "Naimi ndryshon krejt nga poetët e tjerë italo-shqiptarë, si dhe nga Fishta", si pasojë e mungesës së poezisë popullore te ky poet, sepse tek e fundit, shkruan E. Çabej, "se me përjashtim të disa pak vjershave, vlera letrare e poezisë së tij është e pakët"15. Në këtë krahasim dallohen mjaft mirë dy koncepte fondamentale të shprehura me termat vatra dhe ndikimi, që janë në lidhje me formimin e "njësisë etnike dhe kulturo-historike, rrjedhur nga njësia gjeografike". Vatra është toka shqiptare në kuptim të burimësisë letrare, kurse ndikimet tek shkrimtarët paraqesin forma në plotësimin sa më të madh të komponenteve të njësisë etnokulturore të këtij populli. Në këtë drejtim, sikur në aspektin e vatrës, ashtu edhe në aspektin e ndikimeve, Fishta i përmbushte më së miri të gjitha kriteret e njësisë etnike dhe etnokulturore. Krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabej, duke përqëndruar vëmëndjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin që ai do t'i bënte në mes të Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij Romantizmi... ndonëse nuk e merr në shqyrtim të veçantë Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai ka bërë krahasimin në një mënyrë shumë të qartë në mes të Naimit dhe Fishtës, duke thënë se "ky epos (sc. Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, këtë shqiptarëve ua fali më vonë Gjergj Fishta". Këto paralele dicizive sidomos në mes këtyre dy poetëve që na vijnë nga ky njohës i mirë i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, mund të kuptohen edhe si përcaktime të drejta në vlerësimin e përgjithshëm të zhvillimit të historisë së letërsisë shqiptare, të atyre divergjencave të mëdha të formimit të këtyre personaliteteve edhe të jetës kulturore dhe politike shqiptare. Për E. Çabejn ka rëndësi formanti i këtyre dy poetëve si modele të përcaktimeve të tyre në krijimin e veprës letrare dhe kundërthëniet e mëdha në kritikën letrare përkitazi me këta dy poetë16. Ai është plotësisht i vetëdijshëm se Gj. Fishta e ka vazhduar besnikërisht traditën letrare shqiptare edhe në vijën e një tradite të pashkëputur skenderbegiane tërthorazi malësorëve shqiptarë, të këngëve popullore të tyre, të gjuhës dhe të të gjitha vlerave të tjera etnike të tyre për t'i njohur dhe dalluar bota sa më mirë. Këtu qëndron burimësia, por edhe epërsia e vlerës artistiko-letrare saqë Lahuta e Malcis së tij, sipas E. Çabej, "është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete". Prandaj edhe mund të thuhet se E. Çabej qysh atëherë e kishte situatën mjaft të qartë të vlerave letrare shqiptare, sikur në përcaktimin e periudhave dhe të "qarqeve letrare"17, ashtu edhe të personaliteteve dhe të krahasimeve të mundshme në mes veti dhe të atyre vetë me letërsinë evropiane. Ky përcaktim i drejtë i vendosjes së Fishtës në letërsinë dhe kulturën shqiptare do të jetë i përshtatshëm që tërthorazi kësaj figure të paraqitet në një formë më të plotë dhe tipike edhe bota shqiptare përgjithësisht në mjedise të tjera sipas kritereve të pranueshme. Artin letrar të Fishtës do ta pranonte bota kurdoherë më mirë për shkak të plotësisë më të madhe të vlerave etnike dhe kulturore të një populli, ngase, sipas E. Çabejt sikur në letërsinë gojore, ashtu edhe në gjinitë dhe zhanret letrare të letërsisë së shkruar, mund të shfaqet njësia kombëtare, e cila duhet ta ketë edhe poetin kombëtar. Në këtë drejtim "Poeti kombëtar" meritonte paraqitjen më dinjitoze edhe në botën e jashtme, sidomos në gjuhën gjermane, ku kishte kryer shkollimin E. Çabej dhe ku ekzistonte interesimi i shtuar për poezinë e Fishtës18. Dhe kjo paraqitje bëhet me kompetencë të filologut dhe të studiuesit të veprave të Fishtës në gjërësinë dhe thellësinë e tyre, që do të thotë duke studiuar korpusin letrar të plotë të tij, sipas të gjitha gjasave, për të vazhduar edhe më tutje punën në këtë drejtim. Motivet e ndërprerjes së punës në kritikën letrare Megjithatë, këtu duhet thënë se ky studiues i madh i historisë së gjuhës shqipe, vetëm në periudhën e parë të veprimtarisë së vet është marrë me tema nga letërsia, kurse prej shkrimtarëve shqiptarë me punime të veçanta, pothuajse, vetëm me poezinë e Fishtës dhe të Lazgushit (1889-1987), të cilët edhe ishin bashkëkohanikë të tij më të moshuar. Mirëpo, as sot as kësaj dite nuk jemi në gjendje të konstatojmë saktësisht, se përveç ndryshimeve të mëdha të jetës shoqërore, cilat do të kenë qënë motivet kryesore për ndërprerjen e punës së tij në kritikën letrare dhe për të kaluar në albanistikë, si në leksikografi (dhe leksikologji), ashtu edhe në historinë e gjuhës shqipe19. Kjo ka rëndësi të konstatohet pse konsideratat dhe vlerësimet e tij për poetin kombëtar nuk ishin të përkohshme ose, si të thuash, të modës, por të mbështetura dhe të arsyetuara mirë, që pas atij konfrontimi të madh e të hidhur që ky poet do ta ketë me elementet antikombëtare të përmbrëndshme shqiptare, do ta kenë vlerën e shtuar, duke qënë ndihmesa e madhe për studiuesit e rinj. Me fjalë të tjera, edhe në periudhën e paraluftës, E. Çabej ishte i nivelit të vet dhe mbetet i pakontestueshëm në shumë pikëpamje sikur edhe në studimet e mëvonshme albanistike, kështu që ndërprerja e punës së tij në veprën madhore të Fishtës, nuk nënkupton edhe refuzimin e tij20. Ç'është e vërteta, E. Çabej edhe pas luftës do të merret me disa shkrimtarë shqiptarë, sidomos me autorë të letërsisë së vjetër shqiptare, e në mënyrë të veçantë me Gjon Buzukun21, por kryesisht me studimet e gjuhës së veprave të tyre. Prandaj, shikuar nga aspekti i korpusit të plotë të veprave të botuara të tij, edhe mund të thuhet se poezia e Fishtës, sidomos Lahuta e Malcis, e ka tërhequr vëmëndjen e këtij filologu më tepër se poezia e De Radës, e Naimit, e Çajupit dhe e Nolit22, jo vetëm për shkak të vlerave më të mëdha artistiko-letrare të saj, por mbase edhe për arsye të krahasimeve të mundshme me poezinë popullore dhe me folklorin shqiptar në përgjithësi, që ishte pothuajse temë e përhershme e studimeve shqiptare të tij23. Lahuta e Malcis dhe folklori shqiptar Këtu qëndron edhe bindja e E. Çabej se "poetët kanë dalë prej tokës së natyrshme të poezisë popullore"24. Ai mendon se në Lahutën e Malcis "ky poet është influencuar prej poezisë popullore të Gegërisë së Veriut", dhe se sado që "talenti satirik i Fishtës i afrohet sigurisht fuqisë së tij si poet epik"25, dhe se ai është gjithsesi poeti më i madh satirik i letërsisë shqiptare, këngët lirike e satirike nuk do ta zgjojnë interesimin te ky studiues sa epika e tij26. Kjo epikë është pasqyrë besnike e folklorit shqiptar, sepse fryma popullore e përshkon eposin që në krye e deri në fund, sikur me zërin tingëllues e shumë të gjallë të jetës së përditshme të popullit, të zakoneve të tij, mitologjisë, të përrallave dhe të legjendave, ashtu edhe përmes përsurisë artistike të masës së vargut dhe të formës së jashtme përgjithësisht. E. Çabej shkruan për rolin e folklorit në ngjizjen e veprës së poetëve dhe për mënyrën se si e kanë frymëzuar ata traditën e poezisë popullore, sidomos në kohën kur kishte filluar të merrej me letërsi krijuese Gj. Fishta, sepse, thotë ai, "në Shqipëri në kohë të Naimit nuk kishte lindur ende interesi për poezinë popullore" dhe "se poezia popullore nuk pati ndonjë pjesë në zgjimin nacional të Shqipërisë në shek. XIX, siç ndodhi p.sh. me kroatë e me serbë"27. Në këtë mënyrë mund të thuhet se edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, si "poet kombëtar i Shqipërisë", si "përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare"28 dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis. Këto konsiderata dhe vlerësime ai do t'i mbështesë edhe në momentet integruese ballkanike të poezisë epike dhe të burimësisë së kësaj poezie të Fishtës, duke krahasuar në disa momente edhe me Njegoshin (1813-1851) dhe me disa poetë të tjerë më të mëdhenj evropianë. Në këtë mënyrë ai vepron sipas parimeve që i kishte paraparë edhe Faik Konica mbi kritikën letrare se "kryeveprat janë pikat e përkrahjes (les points de comparaison) pas të cilave, shpesh edhe pa ditur vetë, kritikëtari gjykon veprat e reja29. Ky parim në vlerësimin e kryeveprave është në pajtim edhe me artin poetik të Horacit, i cili thotë se poeti sjell kulturën vetëm duke mbrojtur tërësinë, që thënë me fjalët e E. Çabej, "kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonet dhe në poezinë popullore dhe artistike të popullit shqiptar30. Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit. Fishta - poet kombëtar i Shqipërisë Argumentin kryesor të epërsisë artistike, sidomos në krahasim me poetët e mëparshëm De Rada dhe Naimi, E. Çabej e shikon në faktin se në "ngjarjet e një natyre më shumë lokale, që përbën bazën historike për veprën", Fishta, "prej kësaj bëri një epope kombëtare", kështu që "kjo epope nganjëherë i kalon kufijtë e shqiptarisë, duke qënë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik"31. Ky aspekt i kryeveprës së Fishtës në gjërësinë ballkanike pse aty dalin jo vetëm shqiptarët, por edhe slllavët e turqit e Gadishullit Ballkanik, vetëm sa i fuqizon tiparet shqiptare të saj, të ndriçuara në krahasimet e tyre edhe si më të vjetra e më tipike se të sllavëve jugorë. Kjo gjërësi tregon edhe momentin e rëndësishëm integrues me sllavët e kohërave më të lashta, të shtrirjes dinarike32, sepse "kjo botë nuk mund të ishte krejt sllave, kurse u mungon për një pjesë të madhe sllavëve të tjerë". E. Çabej mendon se këtu "mund të kemi me nënshtresë ilire, që mjerisht nuk njihet e që me rikonstruksione mbërrijmë te copa - copa, nënshtresë që vazhdon të jetojë me një veshje shpeshherë të sllavizuar". Prandaj, edhe krahasimi që ka bërë E. Çabej në mes Fishtës dhe Njegoshit, sidomos kur evokon titujt e kryeveprave të tyre me kuptimin Mal (Gorski vijenac - Lahuta e Malcis), nuk duhet kuptuar vetëm si një krahasim me veprën madhore të poetit malazez, por edhe të lidhjeve të shumta etnike dhe letrare, sikur në substratin, ashtu edhe në adstratin dhe superstratin e folklorit ballkanik, sidomos të atij dinarik. Në poezinë epike të Fishtës konfliktet ndëretnike dhe luftërat janë vetëm mjet i përshtatshëm dhe madje i domosdoshëm për të paraqitur trimërinë, si një lulëzim të natyrshëm të heroizmit dhe të një drejtpeshimi midis urtësisë dhe guximit, që aspak nuk largohet nga parimet e drejtësisë dhe të humanizmit. Në këtë aspekt paraqiten vlerat, si të thuash, homerike të objektivitetit historik, pikërisht, siç i kishte kënduar Homeri vlerat morale dhe heroike të të dy palëve të konfrontuara në Luftën e Trojës, të trojanëve dhe të grekëve. * * * Duke përfunduar këtë paraqitje të shkurtër mbi konsideratat dhe vlerësimet e E. Çabejt për Fishtën, mund të thuhet se ky dijetar i madh në punën shkencore të tij nuk ishte njeri i modës, e as i politikës së ditës, por klasik i vërtetë i studimeve shqiptare. Vlerësimet e tij për poezinë e Fishtës, sidomos për Lahutën e Malcis, janë të qëndrueshme, kurse krahasimet e bëra me poezinë e Naimit dhe të disa poetëve të tjerë shqiptarë, që kishin jetuar dhe vepruar në Lindje ose në Perëndim, e bëjnë poetin kombëtar dhe porosinë e madhe të tij më të bindshme, duke ia dhënë një kahje të drejtë dhe të pranueshme edhe gjithë zhvillimit të mendimit letrar shqiptar. Konceptet e Lindjes dhe të Perendimit, sikundër edhe koncepti i vatrës ose i "tokës shqiptare" në poezinë e De Radës, të Naimit dhe të Fishtës në punimet e E. Çabej, janë paraqitur me argumentin e shkencëtarit dhe të studiuesit të letërsisë shqiptare. Bibliografi : -------------------------------------------------------------------------------- 1. Shaban Demiraj në monografinë e tij, me titull: Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës, (Tiranë, 1990, pp. 216-219) ka botuar "Një shkrim i panjohur i De Radës" të Eqrem Çabejt, që është ruajtur nga kjo kohë (më 4.II 1929), kurse punimet e Çabejt për Fishtën i injoron krejtësisht, madje edhe në kuptim të të dhënave të domosdoshme bibliografike të tij. 2. Eqrem Çabej, Der albanische Dichter Gjergj Fishta, te: "Südost Forschungen", VI, 3-4 (1941), Munchen, 1941, pp. 635-647; Idem, Epika e Gjergj Fishtës, te: "Gjergj Fishta" numër përkujtimor, "Luarasi", Tiranë, 1941, pp. 31.40. 3. Dr Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të letërsisë shqipe me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme, Tiranë, 1936, pp. 201, botuar edhe tash vonë në fototipi nga "Etruria", Prishinë, 1996, kurse në librin Bota shqiptare (Tiranë, 1943) E. Çabej është bashkautor me A. Xhuvanin, K. Gurakuqin dhe K. Kamsin, sado që, siç thotë, J. Kastrati, "idea për hartimin e librit Bota shqiptare, domethënë si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qënë e Çabejt". (Veprat albanologjike të Eqrem Çabej, te "Jeta e re", Prishtinë, 4/583). 4. Botuar te: Eqrem Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 19994 dhe te: Jeta e re, Prishtinë, 4/1998, pp. 516-439, kurse më parë, që nga viti 1945, kur u shkrua, ruhej në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. (Këtu sipas botimit te "Jeta e re"). 5. Këtu mund të veçohet gjithashtu paraqitja e E, Çabej për letërsinë (dhe etnografinë) shqiptare te Hrvatska enciklopedija, I, Zagreb, 1941, pp. 180-182, ku vlerësimet për Fishtën ishin mjaft të theksuara. 6. Edhe Ernest Koliqi, në punimin e tij "Vargu kombëtar" (Jeta e re, 6/1996, p. 305), si model të vargut artistik, me përpikërinë e theksimit ritmik, sikur E. Çabej, ka dhënë këto vargje nga Lahuta e Malcis: Te nji mriz, te nji lejthi Kishin ndodhun tre bari: Dy me dhen e nji me dhi, Njani plak e dy të ri. 7. Epika e Gjergj Fishtës, te: "Jeta e re", 4/1998, p. 703. 8. Sh. Demiraj, vep. cit., f. 19-20. 9. Epist. Ad Pisones, v. 309. 10. E. Çabej shkruan: "Ky qëndrim i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, e bashkuar me ruajtjen e ngulitur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk". (Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 1994, p. 29). 11. Epika e Gjergj Fishtës, te: "Jeta e re", 4/1998, p. 694. 12. Duke bërë krahasimin në mes të Naimit në njërën anë dhe të De Radës e Skiroit, në anën tjetër, E.Çabej, ndërmjet tjerash, shkruan: "Ky poet është bashkëkohës i italo - shqiptarëve që përmendëm më sipër: ai shkruan të njëjtën gjuhë me ata që në letërkëmbim me De Radën. Megjithatë, është krejt një jetë tjetër ajo në të cilën ai jetoi dhe na shpie edhe ne. Poezia italo - shqiptare është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane, autorët e saj janë të drejtuar në themel nga Perëndimi. Në kundërshtim me këta Naimi është poet ballkanik i thjeshtë dhe si i këtillë është ngjyrë gjysmë orientale". (Romantizmi, p. 542). Duke krahasuar këtë mendim me qëndrimin e tij se "Shqipëria ka qënë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fshqinjt e saj" (St. gjuh. V, 109), mund të kuptohet më lehtë pozita destabilizuese e Naimit në formimin kombëtar shqiptar, sidomos në ato periudha kur shqiptarët edhe në mënyrë sistemore i luftuan vlerat traditore të kulturës përëndimore. 13. Romantizmi, p. 547. 14. Romantizmi, p. 546. 15. Romantizmi, p. 544. 16. Në vlerësimin e Naimit si poet E. Çabej është mjaft i përmbajtur dhe më i moderuar se Faik Konica i cili thotë se "Naimi jo vetëm nuk ishte vjershëtor dhe shkrimtar i madh, por nuk ishte as i vogël. Nuk dinte të shkruante fare... Naimi është poet e tototove dhe i tatatave". (Cituar sipas: "Jeta e re", 4/1998, p. 717). Mbase kjo do të ketë qënë arsyeja kryesore që F. Konica në kaptinën "Gjuha dhe letërsia" e librit të tij Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore ("Buzuku", Prishtinë, 1991) fare nuk e merr në shqyrtim Naimin dhe këtë punë ai nuk bën "me pahir", siç figuron në një shënim të "rektorit" të këtij libri, por e bën nga bindja, sepse, tek e fundit, shkruan ai në fund të kësaj kaptine, "këtu nuk po i përmend shumë emra, sepse pallavrat dhe frazat boshe nuk kanë të bëjnë fare me artin". (p. 148). 17. E. Çabej propozon këtë ndarje të letërsisë në qarqe: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo - shqiptare, Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore dhe së fundi shkrirja e tyre në literaturën kombëtare të shek. XIX (Khr. Për gjenezën e lit. te: gjuh. V, p. 135). 18. Atëbotë për Gjergj Fishtën kishin shkruar në botën gjermane edhe Norbert Jokl, Erwin Stranik, Gustav Weigand etj., kurse Maximilian Lambertz, përveç punimeve të veçanta, dhe të botojë edhe Lahutën e Malcis (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Olden bourg, Munchen, 1958), të përkthyer nga ai gjermanisht. 19. Të parën vepër që ka botuar E. Çabej pas luftës (me 1947) është Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, kurse në bashkëpunimin me A. Xhuvanin ai vetë shkruan se "në vitet e para të pasçlirimit iu përvishem punës së hartimit të një punimi të hapët që përfshin rregullat e drejtshkrimit të shqipes" dhe "së bashku me të e me disa të tjerë në atë kohë kemi punuar dhe në hartimin e dy fjalorëve dygjuhësh". (Dy fjalë kujtimi për prof. A. Xhuvanin, te: Studime gjuh. V., p. 190). 20. Njësoj mund të thuhet se në kohët e pas luftës, E. Çabej nuk do të merret as me Naimin, duke kuptuar faktorin politik të kohës si manipulativ dhe tejet destruktiv, që ndikonte sikur në zhvillimin e mendimit letrar, ashtu edhe në zhvillimin e mendimit shkencor gjuhësor. Nga kompleti i veprave (IX vëllime) të botuara të E. Çabej në Prishtinë kuptohet qartë se ai nuk është marrë me punime të veçanta as me gjuhën e Naimit, e as me veprat (gjuhësore) të vëllait të tij Samiut, të cilët propaganda e kohës së monizmit enverian i favorizonte, duke i bërë ideologë të pazëvendësueshëm dhe modele në zhvillimin e mendimit letrar dhe gjuhësor. 21. Gjon Buzuku, Meshari, Tiranë, 1967. 22. Artikulli i E. Çabej për Nolin, me titull: Fan Noli ynë (te: Studime gjuhësore, V, 167-168), i botuar me rastin e vdekjes së poetit (1965), ndonëse konciz dhe përmbajtësor, është tepër i shkurtër dhe i mangët që të mund të veçohet si "më i bukuri në fushën e letërsisë", siç e ka vlerësuar Sh. Demiraj (Vep. e cit., p. 153). Edhe në Elemente... (p. 57) E. Çabej mendon se "veprat që e kanë vënë Fan Nolin në rend të parë të literaturës shqipe moderne janë përkthimet e veprave të literaturës së përbotshme". 23. Fillimisht E. Çabej ka botuar artikujt: Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare (1934); Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut. (1937); Die albanische Volksdichtung (te: Leipziger Vieteljahrschrift fur Sudosteuropa, III (1939); Një vështrim mbi folklorin shqiptar (1943); Zakone dhe doke shqiptare (1935); Poezia popullore të Arbëreshëve të Italisë (1961); Disa figura të besimeve popullore shqiptare (1972) etj. Të gjitha këto punime janë botuar te: Studime gjuhësore, V. 24. Për gjenezën te: Studime gjuh., V, p. 134. 25. Elemente, p. 51. 26. Ky moment i karakterizon edhe vlerësimet e E. Çabej për De Radën, sidomos kur shkruan se ai "imiton poezinë italo -arbëreshe", ose kur thotë se "kur njëherë këngët popullore italo - shqiptare të mlidhen e të njihen më mirë, do të gjinden sigurisht lodhje edhe më të ngushta midis tyre dhe veprave të këtij poeti". (Elemente, p. 38). 27. Romantizmi në Europë, p. 544. 28. Elemente, p. 52. 29. Kohëtore e letrave shqipe, te : I. Rugova - S. Hamiti, Kritika letrare, "Rilindja", Prishtinë, 1979, p. 71. 30. St. gjuh. V, 109. 31. E. Çabej shkruan "Dukja e jashtme e Shqiptarëvet është caktuar nga rraca dinarike, e cila përfshin edhe pjesët serbo -kroate e greke". (St. gjuh. V, p. 114).
  19. FISHTA MEDITANS Në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX mendimi teorik‑estetik njeh hopin e parë cilësor, që do të bëhet i ndjeshëm sidomos në periudhën mes dy Luftërash botërore. Si në shumë kultura me fat të ngjashëm, edhe në atë shqiptare zhvillimi i këtij mendimi shfaqet me karakteristikë të parë ndërthurjen, që duket si e përhershme, mes kritikës letrare dhe asaj të artit, mes historisë (përkatësisht teorisë) së dukurisë artistike dhe analizave që i brendashkruhen estetikës si disiplinë e specializuar. Faktorët që e kushtëzojnë përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre, në kulturën shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve, janë të shumtë dhe të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që mund të ndikojnë si në përhapjen, ashtu në zgjerimin e këtyre ideve. Duke pasur për sfond zhvillimin e vetëdijës për misionin e artit në jetën shoqërore dhe kulturore, në letërsinë (më shumë se në artet) shqiptare të asaj periudhe nisin të lulëzojnë dhe të bëhen të njohura krijime madhore, të kultivuara, si dhe gojore. Duke iu përgjigjur nevojave shpirtërore të shoqërisë shqiptare, por, siç është e natyrshme, edhe duke i nxitur e madje provokuar ato, krijimtaria letrare‑artistike e periudhës mesdyluftore në Shqipëri vjen duke i shtuar kërkesat estetike, si dhe duke u sinkronizuar gjithnjë më mirë me stadin e ngritur të konceptit artistik modern europian. Nga ana tjetër, është i ndjeshëm në të njëjtën periudhë edhe një mjedis artistik periferik, pa kritere e kërkesa estetike, që fut në perimetrin e krijimtarisë letrare tonalitete të rrëgjuara, sentimentalizma të vjetëruara, tanimë edhe një barrë keqkuptimesh lidhur me "vlerat" e asaj letërsie që quhet "e rilindjes kombëtare". Formësohet atëherë një éventail perspektivash që ndihmojnë në mënyrë të ndjeshme në mëvetësimin e fushës së estetikes, duke çelur para mendimtarëve shqiptarë një vis të dendur problemesh, gjithë pretendime, vështirësi, të papritura. Historikisht i bie të jetë Faik Konica (1876‑1942) i pari teoricien shqiptar që do t'i japë shtytje vështrimit kritik të punëve në letërsinë shqipe, duke u përpjekur t'i kthjellojë ato, t'i nxjerrë në rafshin e vetëdijës kritike dhe, sidomos, t'u japë një status sa më aktiv, më konstruktiv, në përputhje me nevojat konkrete, me dinamikën e kulturës shqiptare të kohës. Konica do të jetë (historikisht) edhe i pari mendimtar shqiptar që përhap ide estetike bashkëkohore në kulturë përgjithësisht. E kam fjalën jo aq për shkrime deri diku të njohura, si Kohëtore e letrave shqipe (1906), i cili mbahet për dokument i themelimit të kritikës letrare shqiptare, Letërsia shqiptare, Shënim për metafizikën e bektashinjve apo për kritikë të llojit utilitar, si ato recensionale për libra të ndryshëm të botuara gjithnjë në Albanian e tij, por për shkrime si Skicë e një metode për t'u duartrokitur prej borgjezëve (1903), Sprovë mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale (1904), Mistifikimi më i madh në historinë e gjinisë njerëzore (1904) etj. Një një pjesë e përfillshme e mendimit estetik të Konicës ose nuk pati ndonjë rezonim të veçantë në kulturën shqiptare, ose në të nuk u receptua aspak. Atëherë, fill mbas tij, duke filluar prej viteve '10 të këtij shekulli, do të jetë një tjetër personalitet proteik i kulturës shqiptare, Gjergj Fishta (1871‑1940), ai që do të imponohet në këtë kulturë jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë e, posaçërisht, estet. Fillimet e mendimit estetik të Fishtës mund të llogariten me Parathânen e shkruar prej tij për përmbledhjen Visari komtaar. Kângë popullore gegnishte (Sarajevë 1911) të V. Prennushit. Mund të thuhet se me këtë shkrim nis një periudhë e parë në mendimin teorik‑estetik të tij, e cila do të lidhet më drejtpërsëdrejti me themelimin prej tij të njërit nga organet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, së parës revistë kulturore në Shqipëri, Hylli i Dritës, në vitin 1913. Duke filluar prej nr. 2 të vitit të parë të kësaj reviste, me shkrimin polemik (me vijime) A janë të zott shqyptarët me u majtë shtet n'vedi, përvijohet në mënyrë të qëndrueshmë, si tipar kryesor i shkrimeve të tij teoriko‑estetike të kësaj periudhe, shtysa polemike. I shqetësuar jo thjesht nga libri‑paskuil i një ish‑kryeministri serb (V. Gjeorgjeviç), por nga një propagandë e tërë gazetash të huaja të kohës për "mbrapambetjen"e popullit shqiptar, "nivelin e ulët" të zhvillimit të tij, "barbarinë" e tij dhe, sidomos, "paaftësinë" e tij për të ndërtuar një shtet të vetin e për jetuar në të, Fishta i kundërvë kësaj propagande tezat e veta. Kryeteza ndër to është se niveli i zhvillimit të një populli matet me nivelin e poezisë së tij, të ligjeve dhe të kodit dokesor të tij, shkurt: me parametra të sferës psikike të atij populli. Për të vërtetuar këtë, ai shtie në punë edhe argumente mirëfilli të rendit estetik: shqyrton (dhe përpiqet ta përkufizojë) të bukurën (pulchrum), duke e ballafaquar atë me të mirën (bonum); introdukton në mendimin teorik‑estetik shqiptar parimet e harmonisë, të përkryerjes, të rrëgullit t'shestimit (ordo); shpjegon çështjen e "këndelljes" (diçka mes delectatio dhe voluptas), duke vënë në pah kështu komponenten hedonike që e shoqëron detyrimisht artin; rifunksionalizon kategorinë e moçme të "dritës", ndoshta të përpunuar prej claritas‑it të Shën Tomës s'Akuinit apo prej splendorit të skolastikëve; duke folur për një aftësi të posaçme në të përkapurit estetik, sado kalimthi, fshik një nga trajtat e teorisë relativiste të shijes të përpunuar prej traditës empiriste (angleze) dhe këtu koncepti i tij i "synit të mendjes" nuk mund mos të përkujtojë "shqisën morale", "syrin e brendshëm" të kontit Shaftesbury apo "shqisën e së bukurës" të F. Hutcheson‑it etj. Argumente të të njëjtit rend janë shtënë në punë, për të mbrojtur identitetin kulturor dhe nivelin e zhvillimit qytetërimor të popullit shqiptar, në Parâthanen e Visarit (1911), si dhe do të përdoren në tekstin Shqyptarët e të drejtat e tyne, shkruar nga Fishta në Paris (1919) për t'u ligjëruar prej Imz. L. Bumçit në Universitetin e atij qyteti. Po në këtë periudhë zë fill edhe kontributi i tij në fushën e kritikës letrare, me shkrime recensionale te Hylli i Dritës (një ndërkohë dyvjeçare edhe te Posta e Shqypnís) për vepra të ndryshme, kryesisht të letërsisë shqipe. I përftuar me një strukturë klasike, në fushën e kritikës letrare ai fillon të sqarojë, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, një sërë konceptesh themelore, duke theksuar dukshëm përpjekjen për integrimin e letërsisë, të kritikës dhe të historisë së letërsisë shqipe në sitemin e vlerave universale. Periudha e dytë, që përvijohet përfarësisht në vitet '20, e ka edhe ajo të ndjeshme "shtysën polemike", por tanimë për këtë shtysë mund të thuhet se funksionon së brendshmi. Kjo periudhë fillon me shkrime, si Perlindja e Shpirtenve (1921), Kisha katolike ka trajtue kulturën okcidentale (1923) etj. Mund të karakterizohet si periudhë e zgjerimit të bazës së interesave estetikë të Fishtës, që na e dëshmon, për shembull, si shkrimi Federata "Vatra" dhe muzika (1923), ashtu edhe skica e pambaruar Përmi pesë rende t'arkitekturës mbarë (vitet '20). Duke tejkaluar çështjet e estetikës së përgjithshme, në të dyja Fishta studion përftimin e dukurisë konkrete të arteve, duke e shndërruar shqyrtimin e saj në një studimi mbi format, mbi teknikën dhe mbi përmbajtjen shpirtërore të krijimit e të kundrimit, në kuadrin specifik qoftë të muzikës, qoftë të arkitekturës. Në këtë periudhë të dytë interesat artistikë të Fishtës hapen edhe në veprimtarinë praktike. Duke qenë i vetëdijshëm se ekzistimi kombëtar i një vendi lidhet drejtpërsëdrejti me ekzistimin artistik të tij, ai u vihet personalisht organizmit teatror (si regjisor), projekteve dhe realizimeve arkitekturore, deri edhe pjesëmarrjes në ekzpozita pikture. Një periudhë e tretë, që do të emërtohej "e viteve '30", nis po ashtu me shkrime të konceptuara polemikisht. Por tani ky konceptim ngjan hapur me një "shkas". I kthjellët për faktin që në Shqipëri krijimi artistik (posaçërisht ai letrar) ka mbërritur në një stad që kërkon një sqarim parimor dhe një nxitje të domethënies së koordinatave specifikisht estetike të veprës së artit, Fishta i vihet punës për të ofruar modelin e një optike më të nuancuar, më të eptueshme në gjykimin e vlerës estetike. Këtë synon ai të realizojë përmjet polemikash, si Nji atentat shurdhë (1930), Hijeve të Parnasit (1932), Vjerrsha heroike shqyptare (1935) etj., me anë parathëniesh, si ato për Poetët e mëdhej t'Italís (1932) apo Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933), por edhe shkrimesh të ndryshme, ndër të cilat shënon kulmin Në rasë të Qindvjetit të dekës së Wolfangut Goethe (1932). Të kërkosh parimin estetik do të thotë tani për të: të ballafaqosh kryeveprat duke nxjerrë prej tyre ligjësitë për krijimet e ardhshme. Duke punuar për t'i dhënë aktit të vlerësimit të veprës letrare (dhe asaj artistike) eptueshmëri, stërhollësi dhe rreptësi, me shkrimet e tij teorike të kësaj periudhe ai bëhet shembulldhënës. Simbas normave të retorikës klasike, me tekstet e tij estetike (dhe kritike) njofton të vërteta thelbësore tanimë në formula të papritura. Ka mundësi që një aftësi oratorike e lindur, ose e stërvitur prej profesionit të predikatorit, ta ketë prirë atë drejt konstruksionesh me një rregullsi të përkryer, të përkapshme në nivelin më të thellë, të komunikimit të ideve. Kësi konstruksionesh funksionojnë si kanune stilistike (që të bëjnë për vete me trillin dhe gjallërinë) për të mbërthyer vëmendjen e auditorit/lexuesit përmjet digresimesh, figurash plastike, metaforash, asociacionesh etj., të cilat dëshmojnë një lëvizshmëri (të frikshme) mendore dhe një ngarkesë (të madhe) kulturore, me referime të hapura nga fusha e arteve. Ka pohime të tijat, të kësaj periudhe, të cilave mund t'u bëhen verejtje; por kemi të drejtë të mendojmë edhe që Fishta t'i ketë konceptuar "predikimet" e veta estetike (dhe kritike) në mënyrë sentencioze, pa ngulmuar gjithmonë në shpjegimin e të gjitha mendimeve pikërisht me qëllimin për të nxitur diskutimin, madje ridiskutimin e vlerave nga një perspektivë vetjake, përmjet një akti kritik vetjak. Duke qenë prirja e "klasikut" të formulojë fjali, shprehja e tij ndodh të bëhet apoftegmatike; atëherë jo e vërteta ka rëndësi, por fjalia. (Kjo mund të jetë e vështirë për t'u përkapur nga lexues të sotëm, për të cilët një propositio nuk është më, si në kohën e traditës retorike latine, "fjali" në gramatikë dhe, njëherësh, "premisë silogjizmi" në filozofi.) Në shkrime të kësaj periudhe, si dhe te ndonjë i mëparshëm apo i mëmbasshëm, ai që shkruan duket i kapluar nga një frymë ludike, nga një endirë spekulative që të rrëmben. Por është një lojë që do kuptuar në nivelin më të lartë, atë klasicist, e cila ka të bëjë me shprehjen e paformuluar ndonjëherë më parë, provokuese, me asociacione që shtyhen deri në pikën e nxitjes së reagimeve. Në këtë periudhë edhe krijimtaria e tij kritike, pavarësisht formës së saj, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Eseja magjistrale Në rasë të Qindjvjetit të dekës të Wolfangut Goethe (1935) mund të shërbejë si ilustrim i goditur për një kësi ngarkese. Duke i veçuar tanimë me saktësi fushat, pa i vënë vetes detyrë ta shndërrojë kritikën në estetikë, Fishta nuk ngurron të përdorë koncepte të afërta me filozofinë kur bën fjalë për krijim, liri, inventim, imitim, ndjenjë, shije etj. Në këtë pikë, marrëdhëniet kritikë/estetikë shtrojnë, në rastin e Fishtës, një problem që ndoshta kurrë më nuk do të vijë hera të shtrohet në historinë e kulturës shqiptare: "filozofia dhe kritika" apo "filozofia e kritikut"? Fishta paraqitet në këtë kulturë si arketip i artistit për të cilin kritika është filozofi. Ngjan sikur pikërisht për të ta ketë formuluar Croce‑ja parimin se kritiku, në mbarim të hulumtimit të tij, duhet të orvatet ta përmbledhë gjykimin e vet në "një formulë", e cila të mbetet gjithnjë e hapur, për sa kohë nuk përjashtohet kurrë një proces i mëtutjeshëm analize që ndikon mbi vetë formulën dhe e modifikon atë. Thuajse në asnjë rast Fishta nuk synon t'u imponojë lexuesve një "kanun", një model të ngulët për t'u ndjekur me bindje e rreptësi. Në këtë mënyrë, Fishta zë në historinë e letërsisë shqiptare vendin e njërit nga më të parët kritikë që e kupton se, për shembull, edhe figura është një ndjenjë. Atëherë, duke u ngritur përmbi vlerësimin empirik, ligjërimi i tij kritik merr edhe vlerë shkencore në vetvete. "Formulat" e tij, ndonëse përfaqësojnë një opinion individual dhe jo një dije universale, bëhen sinteza e një shijeje ngaqë kritiku punon për t'i vënë themel shkencor opinioit të tij. Interesi i hulumtimit të tij qëndron tani jo tek opinioni, por te themeli. Që Fishta e gjen Faustin jo protagonist të veprës dhe kryeveprën e Goethe‑s pa unitet organik etj., kjo pak rëndësi ka; rëndësi ka themeli që ai këtyre gjykimeve u vë. Kështu Fishta kritik bëhet edhe filozof i veprës së artit; por jo vetëm filozof, bëhet edhe filolog i saj, edhe historian, edhe psikolog i saj. Të kujtohet se, veçanërisht në vitet '10 dhe '20, kritiku shqiptar kufizohej duke bërë historinë e poetit dhe të veprës së tij, duke vendosur lidhjet mes artistit dhe veprës së tij, ose duke u endur nëpër krahasime leksikore, çfarë nuk e dallonte shumë nga hulumtuesi historik e filologjik në përgjithësi. Pak ndryshim kishte, në një rast të tillë, nëse zgjidhej për për subjekt një poezi apo një regjistër famullie. Me përçapjen e vet, Fishta ofron jo vetëm një shembull të aktit krijues të quajtur kritikë ‑ histori letërsie ‑ komparatistikë, si anë të të njëtit proces rekuperimi të vlerave domethënëse të letërsisë, por edhe një mësim mbi lirinë sovrane të shpirtit të artistit, mbi aftësitë e tij për shkapërciminin e kufijve të të menduarit konvencional. Realizimin më të rëndësishëm në këtë fushë, jo vetëm për këtë periudhë, por për krejt mendimin teorik‑estetik të Fishtës dhe, ndoshta, edhe për traditën e mendimit estetik shqiptar, e përbën Shenime estetike. Mbi natyrë t'artit (1933), botuar me dy vijime në Hyllin e Dritës dhe ndërprerë. Rrafshi i përgjithshëm i një sipërmarrjeje të tillë teorike, me pretendimet e një traktati estetik, synon tani drejt një shkepjeje të plotë të dukurisë estetike prej sferave të tjera të përafërta shpirtërore; është fjala për një rrokje të specifikës së kësaj dukurie dhe, në të njëjtën kohë, normëzimin (nëpërmjet aktit kritik) të krijimit artistik e letrar. Nevojën e shkepjeje të tillë të dukurisë estetike prej një konglomerati dukurish heterogjene duket se, para Fishtës, e kishte kuptuar vetëm Koniza, ndërkohë që për të nuk ka qenë aspak i vetëdijshëm De Rada tek ato që ai i ka quajtur Parime të estetikës (1861). Fati i veprës Shenime estetike në historinë e mendimit estetik shqiptar të përkujton çuditërisht fatin e një traktati të famshëm në historinë e mendimit estetik botëror: të ashtuquajturit "Longin i rremë". Quajmë kështu në historinë e këtij mendim veprën Mbi ngritjen (Peri hypsous), e përkthyer nga romakët si Mbi të madhërishmen (De sublimitate), të cilin ia kanë atribuar gabimisht filozofit helen Longin (rreth 210‑273). Edhe mbasi është vërtetuar që traktati nuk i përket Longinit, autori tij i vërtetë, me gjasë ndonjë hebré i diaporës aleksandrine, ka mbetur pa u zbuluar. Shenimet estetike të Fishtës, të nënshkruara me inicialin A., kanë mbetur për mjaft kohë pa u përmendur si të tijat. Deri edhe në tekstin e tij Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504‑1983 (Prishtinë 1983, Tiranë 1996), duke përshkruar Shenimet estetike të botuara te Hylli i Dritës, I. Rugova nuk e paskësh identifikuar autorin e tyre (f. 365‑366). Madje dy faqe më tej, duke përshkruar një artikull të vitit 1941 të K. Prelës po te Hylli, I. Rugova shkruan: "Na jepet të mendojmë se ky autor, Kolë Prela, mund të jetë autor edhe i artikullit "Shenime estetike", që e vështruam më lart e që e nënshkruante me "A". Këtë e themi duke u mbështetur në gjuhën dhe terminologjinë e njëjtë të këtyre dy punimeve" (f. 370). Një konstatim befasues, përderisa në bibliografinë "zyrtare" Vepra letrare e At Gjergj Fishtës, të hartuar prej sivëllait (françeskan) të shkrimtarit, At B. Demës dhe të botuar në organin kulturor të françeskanëve (Hylli i Dritës) njoftohet shkoqur si vepër e Fishtës Shenime estetike. Mbi natyrë t'artit (1933). Të hamendosh që Rugova të mos e ketë njohur këtë bibliografi? Nuk mundesh, mbasi bibliografinë në fjalë, të botuar në përmbledhjen At Gjergj Fishta 1871‑1940, vetë Rugova e përshkruan në veprën e tij shtjellimisht në f. 350 të të njëjtit punim: "37. At Benedikt Dema: Vepra letrare e At Gjergj Fishtës". A është i njëjti Rugovë ai që ka shkruar faqet 348‑350 me atë që ka shkruar faqet 365‑370? Sa kohë nuk do ta shpjegojë ai vetë, lidhur me veprën e Fishtës do të mbetet edhe ky një mister më shumë. Kalimthi kujtoj se një estet si J. Mato, kur vendos të shprehet për mendimin estetik të Fishtës (më 1996), identifikimin e autorësisë së Shenimeve estetike nuk e ka të vështirë. Traktati i Longinit, i shkruar me gjasë në shek I (të e. r.), parqitet sot si një tekst i ardhur nga një dorëshkrim i shek. X, me mangësi dhe i pambaruar. Teksti i Shenimeve estetike, i filluar prej autorit dy herë (më 1932 dhe më 1933), vjen gjithashtu i pambaruar. Nuk dimë nëse ai nuk është mbaruar së shkruari apo ka mbetur pa u botuar i gjithi dhe pjesa tjetër e dorëshkrimit nuk gjendet. Historikisht dimë vetëm se, prej atij viti (1933), autorit do t'i duhet të largohet nga Shqipëria për shkak të "sherrit" me shtetin shqiptar: nën variantin e mbylljes së "shkollave private" françeskanëve u kishin mbyllur liceun zulmëmadh të drejtuar prej vetë Fishtës! Hebent sua fata libelli, thoshin latinët: Çdo libër ka fatin e vet. Mund vetëm të shprehësh keqardhjen që një "fat" i tillë i paskësh qëlluar edhe një vepre si Shenimet estetike. Botimi i parë që njohim i traktatit të "Longinit" është ai latin i vitit 1554. Prej tij kanë kanë kaluar dy mijë vjet dhe kush e lexon atë sot mahnitesh prej frymës së gjallë që ai sjell. Është, pra, një vepër dymijë vetsh e vjetër, të cilës nuk i ndihet aspak myku i skolastikës apo i bibliotekave. Më shumë se gjashtëdhjetë vjet kanë kaluar nga botimi i traktatit estetik të Fishtës, ndërkohë që me rishfaqjen e tij sot nuk mund të mos befasohesh prej freskisë së mendimit, origjinalitetit. Shafqja e helenit të panjohur në shek. I mund të quhet një mrekulli, aq përmbi kohën e tij ka qëndruar "Longini". Mirëpo, edhe botimi i parë që prej tij njohim (1554) ka kaluar thuajse pa rënë në sy. Mendimi i tij, prandaj, është quajtur një "shkëndijë që nuk ndezi askund". Diç e përafërt mund të thuhet edhe për traktatin e Fishtës dhe rolin e tij në kulturën shqiptare. Që dikur Antikiteti të paskësh bërë komplotin e heshtjes kundër "Longinit", është një nga simptomat më të qarta të bjerjes së fuqisë intelektuale të asaj epoke në sosje e sipër. Po kështu kultura shqiptare, në hipostazat e trazuara që kalonte në vitet '30‑'40 dhe sidomos mbas vitit 1945, duke refuzuar ta dëgjojë Fishtën, i ka shkaktuar mendimit të vet filozofik një nga dëmet më të pandreqshme. Nëse "Longini" pati qenë viktimë e traditës së mediokritetit antik, viktimë e një tradite të pashkatërrueshme mediokriteti, që ende valavit ngjadhënjimtar flamurin e rreckosur në sa e sa beteja, ka rënë në Shqipëri edhe mendimi teorik‑estetik i Fishtës. Duke mos qenë vendi për t'u ndalur në shkaqet se përse është shkruar aq pak mbi kontributin estetik (dhe kritik) të Fishtës, kujtoj vetëm një të vërtetë: që mendimi teorik‑estetik i tij nuk ka gëzuar, dhe vijon të mos gëzojë, simpatinë (apo kuptimin) e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Guximi, kthjelltësia, niveli i përparuar, madje edhe origjinaliteti i metodave të tij të punës, si dhe në përgjithësi larmia e problemeve që ai diskuton dhe vë në diskutim, dëshmojnë pa dyshim për një fuqi krijuese që del jashtë së zakonshmes. Nuk është e vështirë të kuptohet se përse fuqi të tilla gjallin adversion, nganjëherë edhe ndër personalitete në zë të një kulture. Madje, vini re: vetë fakti që adversioni antiFishtë shplallet zhurmshëm, me furi të tepruar, të bën të dyshosh edhe për një kompleks faji te detraktorët... Nuk zmadhoj nëse them se nuk kam takuar veçse një ose dy intelektualë mbi të 40‑at që të shfaqin njëfarë interesi për mendimin filozofik të Fishtës. Pohoj, gjithashtu, se kam takuar shumë të rinj që "të mburren" se nuk e kuptojnë, nuk e marrin vesh ose thjesht nuk e pranojnë mendimin në fjalë. Nga ana tjetër, duhet thënë edhe se mendimi teorik‑estetik i Fishtës numëron admirues mes atyre që ndeshen rrallë në botën kulturore shqiptare; L. Poradeci, që ia dhuronte veprën e vet me përkushtim: "Poetit militans et meditans", është vetëm njëri syresh. Një ngrohtësi e kuptueshme, një aderim thuajse pa rezerva, një gatishmëri e veçantë për të depërtuar thellë në këtë mendim, i bëjnë këta admirues për t'u patur zili. Për kulturën shqiptare, përgjithësisht, nuk mund veçse të quhet fatkeqësi fakti që një pjesë e mirë e mendimit estetik (dhe kritik) të Fishtës, ashtu si pjesa më e mirë e atij të Konicës, nuk patën rezonime të veçanta, u receptuan pak ose aspak dhe, sidomos, u shkëputën përdhunshëm nga rrjedhat normale të mendimit filozofik shqiptar. Ta pranojmë se në filozofi vonesat janë katastrofike, ndërsa shkëputjet ‑ një rrënim i vërtetë. Po ta krahasosh gjendjen e sotme të mendimit filozofik me traditën që ky mendim është detyruar të braktisë, llogaritë e rrënimit nuk dalin të lehta. Për të sjellë ndonjë shembull, kujtoj se shkrime si Skicë e një metode për t'u duartrokitur prej borgjezëve (1903), Sprovë mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale (1904), Mistifikimi më i madh në historinë e gjinisë njerëzor (1904) etj. të Konicës ruajnë ende origjinalitet mendimi dhe madje aktualitet edhe në një kulturë si francezja. Te Mistifikimi, fjala vjen, duke mohuar karakterin "gjuhësor" të gjuhëve orientale si të tilla dhe duke shtjelluar karakterin e tyre kriptografik, duke e trajtuar gramatikën e tyre si një "traktat pornografik", madje duke vënë në dyshim vlerën dekodifikuese të versionit biblik të "Të shtëdhjetëve" (Septuaginta) etj., përtej bizarive të kuptueshme për kohën, Konica introdukton një nga teoritë më interesante në këtë fushë, atë të strukturave gjuhësore‑estetike në orientalistikë. Po kështu, te Skica trajton një subjekt të mirëfilltë estetik. Në vijim të tezave të ngritura me Sprovën, duke iu përgjigjur partizanëve të esperantos, gjuhë ndërkombëtare artificiale, Konica i jep rëndësi lexuesit, nisur nga trinia: vepër letrare‑ autor‑ lexues "Është e pamohueshme ‑ vëren ai ‑ që individi me formim artistik mesatar (médiocre) dhe për më tepër i mbushur paragjykime, pra borgjezi mes të gjithëve, duartroket më shumë domethënien morale sesa bukurinë e një vepre". Me ngulmimin e tij mbi rolin e instancës receptuese në vlerësimin e krijimit artistik, Konica bëhet një nga pararendësit e asaj që sot quhet "estetikë e receptimit" etj. Të kuptosh një mendimtar, si dhe një sistem të menduari, do të thotë zakonisht të vendosësh lidhje të tij me mendimtarë të tjerë, si dhe me sisteme të tjera të menduari, të dyshuara si të përafërta. Një procedim i tillë rrallë del huq. Fjala vjen, J. Mato ka menduar se është "brenda" duke e vendosur lidhjen mes mendimit estetik të Fishtës dhe "filozofisë kristiane": "Ai përqendrohet në disa teza të përgjithshme të filozofisë kristiane..."(Krijime, 118) "Tezat e pikëpamjet janë shtjelluar në mënyrë origjinale, në bazë të filozofisë kristiane..." (po aty, 122). Të mos jetë në dijeni për atë që quhet "estetikë kristiane" gjatë Mesjetës dhe, më tej, "romantizëm kristian" në estetikë?! Madje edhe për rastin kur Fishta analizon trajtat e parme (primordialis) të sendeve, të krijuara nga "Shkasi i Parë", për estetin e sotëm këtë e bën "nisur nga filozofia kristiane" (f. 118). Të mos e dijë, vallë, esteti i sotëm se parimi i "Shkasit të Parë" (prima causa) njihet në filozofi si parim mirëfilli platonik, vetëm sa i rimarrë nga filozofia mesjetare dhe, më mbas, nga idealizmi gjerman?! Në rastin e Fishtës, për shembull, vërehet lehtë se si, qysh në shkrimin e 1913‑s, duke ndarë "nivelet" e zhvillimit qytetërimor të popujve simbas përkatësisë në pesë periudhat e zhvillimit të arteve të tyre (I. poezia e hebrejve; II. poezia e indianëve dhe e egjiptianëve; III. klasicizmi në Greqinë e vjetër etj.), ai i bën një nga zhvillimet origjinale teorisë së Hegel‑it mbi evoluimin dialektik të artit në historinë e kulturës njerëzore. Ndërkohë, në shkrime të tjera mund të dallosh një zotërim të tezave të njërit prej kundërshtarëve "formalistë" të Hegel‑it, si J. F. Herbart. Në polemikat kulturore me "fletoret e Francës", duke vënë në dukje lidhjet mes tragjedisë greke, mitologjisë greke dhe riteve fetare, nga njëra anë, shkrimet e Fishtës të përkujtojnë teori që do të përpunohen pak a shumë në po atë kohë prej filozofësh si Jane Harrison nën ndikimin e teorive të Sir Frazer‑it. Nga ana tjetër, me vënien në diskutim të të dhënave patologjike, fiziologjike e kraniometrike, me refuzimin e tyre dhe, njëherësh, me implikimet e qarta kulturore‑antropologjike përgjatë argumentimit, Fishta shfaqet si pararendës në përpjekjet për përpunimin e një teorie të përgjithme të kulturës njerëzore ("antropologji kulturore"), e cila do të realizohet në vitet '20‑'30 nga E. Cassirer‑ja si teori e neokantine e "formave të mëdha simbolike" më kulturë. Të gjykuarit historik na është bërë aq i natyrshëm dhe duket, në të shumtën e herëve, aq i drejtë, sa nuk ngurojmë ta vëmë në punë rast e pa rast. Mirëpo, në rastin e mendimit teorik‑estetik të Fishtës, si dhe të sistemit të tij, nuk besoj se mund të delet, nëpër këtë rrugë, në ndonjë rezultat me vlerë. I veçanësuar në hulumtime, edhe si objekt edhe si metodë, vendosja e lidhjeve të Fishtës mendimtar bëhet e vështirë. A thua se përafrimet, në vend që ta afrojnë, e largojnë, duke ia huajsuar gjithë sa në mendimin e tij mund të ketë origjinale, pra të papërafrueshme. Sikurse mësohet tërthorazi, prej një letre të vetë Fishtës drejtuar njërit prej detraktorëve të tij politikë, më 1922 ai ia ka dërguar një nga tezat e veta një filozofi anglez, të specializuar për estetikë dhe etikë në Universitetin e Cambridgeit. Në përgjigjen e tij, anglezi shprehet se teoria estetike e Fishtës e ka mbushur me "një entuziazëm shpirtëror të vërtetë", e cilëson këtë "të re dhe krejt origjinale", ndërsa Fishtën e përshëndet si "themeluesin e një shkolle filozofike shqiptare". Për cilën teori (a tezë) të ketë qenë fjala, vallë? "Zonat" origjinale më mendimin teorik‑estetik të Fishtës nuk janë të pakta. Mjafton të lexosh Shenime Estetike. Mbi natyrë t'artit (1933) dhe ja ku të mbetet në mend, në pikëprerje të filozofisë me psikologjinë e krijimit, teoria e "dy rruzullimeve". Në mendjen e njeriut, simbas kësaj teorie, ekzistojnë dy rruzullime: i dukshmi ose reali dhe ideali, i krijuar prej vetë mendjes përmjet fuqisë së imagjinatës. Me anë të të pamit dhe shqisave të tjera, mendja përkap dhe njeh rruzullimin e dukshëm, me çfarë përmbledh ai brenda vetes; me anë të imagjinatës, mendja grumbullon imazhet e rruzullimit të dukshëm, me të gjitha mbresimet që objektet kanë mundur të lënë mbi të. Në këtë mënyrë mendja, shkallë‑shkallë, krijon brenda vetes rruzullimin tjetër, atë ideal. Për Fishtën, ky rruzullim ideal është më i hapur dhe më i madh se rruzullimi real, mbasi me anë të imagjinatës mendja e njeriut mund të ndajë ose të bashkojë pjesët e një objekti me ato të një objekti tjetër dhe të përftojë kështu një individuum të ri në rruzullimin e vet; një përftim i tillë është, për Fishtën, hipogrifi (kali me fletë) që në rruzullimin real nuk ekziston. Duke përshkruar rruzullimin ideal të artistit, ai vë në dukje se mendja e artistit ka aftësi më të mëdha se të tjerët, për nga intuita dhe imagjinata, dhe se rruzullimi ideal i tij është më i madh e më i bukur nga ai i të tjerëve. Ose, ja një tezë tjetër interesante, po nga Shenimet estetike:"Dikush pat pvetë nji herë Rafaelin, tue i thanë se kah aj e nxierte at bukurí aq të bindshme të "Madonne‑vet" të veta: "Da una certa idea", i pergjegjet Rafaeli. Pra jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendevet si gjinden në natyrë, por prej nji ideje të perftueme neper intuicjon në mendje t'artistit mbí sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazí. Prandej gabojnë atà q* thonë se arti âsht nji nderndjeksim a imitacjon i natyrës; si mundet me u vertetue puna edhè prej fotografijet, e cilla sugurisht paraqet natyren mâ besnikisht se ç'do artist në nam e në zâ, e me gjith kta ajo nuk âsht art. Mâ teper shifet se madhnín e idés s'objektit të vepres artstike e sendergjon geni, a se shpirti, substancë individuale, e fjeshtë e arsyetuese ‑ të thonë shka të thonë idealistat e materjalistat e ksohohshem, pak a shum nipa e sternipa majmunash, jo aq pse shum nder tà e mbajn vehten se janë rodit të majmunit, sa per punë q* të gjith ‑po thue se si majmuni ‑ imitojnë teorít e straplakne të kohvet të kalueme..." Kur lexon këtë "shenim" plot thellësi kritike, pyet veten nëse shumë kritikë arti shqiptarë, që shqetësohen për "teorinë e pasqyrimit" dhe rreken për "redefinimin e çështjes së pasqyrimit", nga vitet '60 e këndej, madje duke u mburrur për meritën e se e paskëshin "zgjeruar" këtë teori edhe me "elementin e krijimit" dhe paskëshin shpikur "pasyrimin e transformuar" etj. etj., a sjellin vërtet ndonjë gjë të re në krahasim me atë që dinte dhe shkruante Fishta në vitet '30? Apo me mënyrën si e parashtronte Fishta teorinë e vet? Me pohimin e tij "rebel" se teoria e imitimit (mimesis) nuk qenkësh veçse një "teori e straplakne"? Pranimi që në filozofi vonesat janë katastrofike, ndërsa shkëputjet ‑ rrënim i vërtetë, do bërë jo për të ndjellë keq, por për të pranuar burrërisht një gjendje dhe për të gjetur rrugët për ta ndryshuar atë; ose, së paku, për ta përmirësuar. Për një student të sotëm të letrave, Fishta do të përfaqësonte një dukuri sintezë: sintezë e një morali, e një bote klasike ("Asnjë art nuk mund të jetë më i bukur se klasiku", Hegel) dhe njëherësh moderne, e një mitologjie të tërë në kulturën shqiptare. Përmjet Fishtës realizohet te ne sinteza e spekulimeve (spaeculatio) mbi artin, sinteza e rragatjeve të pasionuara mbi gjuhën letrare, sinteza e një mendimi estetik (dhe kritik) të një breznie të tërë e, sidomos, një sintezë befasuese prirjesh metafizike dhe pozitiviste të kohës. Studimi i mendimit të tij, krahas studimit të veprës së tij fikcionale, do të jepte në dorë instrumentet mendore jo thjesht për të plotësuar mësimdhënien, por për t'i dhënë një kah transmetimit të dijeve shkencore letrare. Fakti që Fishta është konstituuar si një "univers" dijesh, për kohën e tij nuk ishte diçka e jashtëzakonshme. Shkollat klasike, të cilat sot i quajmë "klerikale", lavronin traditën e moçme që fëmijët, qysh në moshën tetëvjeçare, fillonin të nxenin, për shembull, retorikë. Nuk kishte gjë për t'u habitur që një çunak si Zefi i Ndokës (Gjergj Fishta), në moshën trembëdhjetëvjeçare, të dinte përmendsh Enejdën e Virgjilit, njësoj si seminaristi nxënës i Fishtës të dinte përmendsh Lahutën e tij. Për sistemin formues të atyre shkollave, të nxënët, të studiuarit bëhej natyrë e dytë, shndërrohej në mënyrë të ekzistuari. Asgjë për t'u habitur, pra, po qe se në "universin" e një mendimtari si Fishta, të formuar kësi mënyre, rigjallohen mendimtarë të të gjitha kohëve, duke filluar nga ata të Antikitetit, si Demosten, Platon dhe Aristotel, Ciceron, tek ata të Kohës së mesme, si Averroes, Shën Augustin dhe Albert i Madh, Shën Toma i Akvinit dhe Shën Bonaventura, tek ata të Kohës së re, si Skot, Bossuet, enciklopedistë francezë e racionalistë gjermanë, Rousseau, Taine, Benjamin, Rueb, Herder, Cantu, Müller, Fornari, Lowth etj.; pa harruar antropologë, si Wirkov, Pittard etj., albanologë, si G. Mayer, G. Schirò, N. Jokl, A. Schmaus. Një yjësi e tërë veprash dhe autorësh vërtitet marramendthi në një "univers" të tillë, nga poezia e asiro‑babilonasve te Mahabharata dhe Ramayana, nga Shah‑Nameja e Firdusiut te poezia e egjiptianëve dhe ajo e hebrejve, nga Kënga e Nibelungëve te Fingali, nga Bibla te Titanomakia e Hesiodit, Ilijada dhe Odisea e Homerit, lirika e Pindarit, tragjeditë e Eskilit dhe ato të Sofokliut, komeditë e Euripidit dhe ato të Aristofanit, idilet e Teokritit, elegjitë e Ovidit, Epistulat e Horacit, Enejda dhe Bukoliket e Virgjilit, Komedia Hyjnore e Dante‑s, Libri i këngëve i Petrarca‑s, Jerusalemi i liruar i Tasso‑s, Satirat e Ariosto‑s, epika e sllavëve të jugut, Don Kishoti i Cervantes‑it, teatri i Shakespeare‑it dhe ai i Calderon‑it, Osmani i Gundolicit, Parrîzi i bjerun i Milton‑it, komeditë e Moliere‑it dhe ato të Goldoni‑t, esetë e Metastasio‑s, Parcivali i Eschilbach‑ut, Fausti i Goethe‑s, tragjeditë e Monti‑t, Homazh për artet e bukura i Schiller‑it, Atalaja e Chateaubriand‑it, Adelchi dhe Himnet e Shenjta të Manzoni‑t, poemat e Lord Byron‑it, Përrallë dimri e Heine‑s, Kënga e Gjineshtrës e Leopardi‑t, Shën Françesku i Ugheti‑t, këngët e kleftëve grekë etj. Por edhe vepra të artit e artistë të mëdhenj botërore, nga Akropoli dhe Partenoni te Fori romak, nga Koloseu i Flavit te Shën Pjetri në Vatikan, nga Afërdita e Fidias tek Apoloni i Belvederes i Rafaelit, Katedralja e Reimsit dhe ajo e Këlnit, Notre‑Dame‑i Parisit dhe Westminster Abbaye e Londrës, Kisha e Shën Palit dhe Duomo i Milanos, Madonnat e Morillo‑s dhe harkadat e Bruneleschi‑t, skulpturat e Da Vinci‑t dhe veprat e Bramante‑s, Misererja e Palestrina‑s dhe Introitet e Bach‑ut, Requiemet e Mozart‑it, Meshët e Vaidana‑s dhe ato të Heyden‑it, Stabat Materi i Rosssini‑t, Passioni i Beethoven‑it, Parcivali i Wagner‑it, I verbëri i Parzanese‑s etj. etj., a thua për të në ngulitur në mendje përfytyrimin se krijimet e Artit qenkëshin dyzet ditët e jetës së lumnueshme të Natyrës! Deri edhe letërkëmbimi i një mendimitari të tillë, prej të cilit kemi trashëguar (deri sot) vetëm atë tufbëz ruajtur xhelozisht në arkivin e fshehtë të mikut të tij intim At P. Dodaj, paraqitet i endur në tituj veprash e emra autorësh, me komente e gjykime, vërejtje e vlerësime, madje me një shpiritë që të vizllon parasysh befasisht: "Bonifaci VIII âsht kenë papë, por me gjith kta i duhet me ndejë në Férr, s'pakut der ditën e gjygjës, per deri sá aty e ka denue perendija i vogel Dante Allighieri"; "Kam pasë dy rasa me e ndie Gentile‑n n'nji të pershím kohe prej dy vjetsh. Thonte pa prâ njat send se njat send, qaty se qaty. Nuk di se si, por ia mëshonte mendimit tue zdrypë n'spirale, si me turjelë (a travello), a thue se kje tue birue në mende. Pra, e din nji send, e thue pa prâ, deri sá aj persritet vetë"; "Ktû në New‑York kam ndie tuj rá vjolinit Arturin Kreisler, prej Wienet, sod me sod mâ i madhi vjolinist i botës. Kujtoj se i bite tetë herë mâ mirë se aj Frati i Planit në vjetë 1918..." etj. Përqendrimi i një mase të pamatë informacionesh nga fushat e artit dhe të letërsisë, si dhe nga mendimi teorik‑estetik botëror, mund të ngjajë sot vështirësisht i përfytyrueshëm për një shkrimtar ose artist të formuar në shkollat bashkëkohore. Po të përpiqemi t'i krahasojmë njohuritë e Fishtës me njohuritë e secilit prej nesh, ai mund të na duket si përbindsh. Mund të thuhet me siguri se, për kohën e tij, ai dinte gjithçka ose thuajse gjithçka nga fushat e artit dhe të letërsisë. Ai anglezi (i sipërpërmendur) duhej të kishte nuhatur diçka, kur i shkruante: "Ndoshta Shqipëria e vogël, që deri dje ka pasë mbetur jashtë "mullirit" të qytetërimit modern, do të arrijë t'ia mësojë Europës rrugën e dijes së vërtetë..." Është edhe kjo një arsye për të cilën më është dukur e papranueshme, dhe do të vijojë të më duket e tillë, që në strukturat e kurseve të një fakulteti të letrave (a të filozofisë) të mungojnë studimet fishteane. Një kurs i tillë, i studimeve fishteane, do të funksiononte si shtyllë kurrizore në një sistem shkollor me drejtim humanist. Studimet fishteane janë një objekt që nxit, që provokon. Mendimi teorik‑estetik i Fishtës të qet probleme që mund t'i kesh kapur me intuitë, por të cilave nuk u ke dhënë dot emër. Zgjidhjet e tij ecin nëpër atë ravë kulturhistorike (ravë kristiane, po deshi kush), nëpër të cilën vijon të çajë kultura moderne europiane. Mendimi estetik (si dhe ai kritik ) i përmbledhur në këtë antologji paraqitet kështu si një nga dëshmitë magjepsëse të atij mendimtari të madh shqiptar, njërit prej më të mëdhenjve që kultura jonë ndonjëherë ka pasur. Botimi (dhe ribotimi) i këtij mendimi bëhet sot kusht i domosdoshëm për rishtënien në dorë të vlerave të fshehura ose të huajsuara prej kulturës sonë. Në këtë kuptim, në mjedisin tonë kulturor, ku për çdo botim a ribotim libreci flitet si për "ngjarje të rëndësishme", botimi i këtij mendimi do ta përbëjë, më së paku, një ngjarje. Nuk e di cili është intervali i botimit dhe ribotimit të veprave të mira, ngase ato të tjerat ribotohen papra ("q'aty se q'aty"), derisa përsëriten vetiu.
  20. Vepra e "Poetit Kombëtar" At Gjergj Fishta (1871‑1940) një ungjill i ngrohtë atdhedashurie "Shqipnia pat nji fat t' madh e t'jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t'gjith, atë, q* u pshtet në popull t'vetin e n' gjuhen e tij e q* me vjersha t'veta ndezi flak zemrat n'popull, pat zhenin poetike t'At Gjergj Fishtes" Maksimiliam Lamberc nga Klajd Kapinova New York, USA Një "curriculum vitae" e shkurtër e Fishtës Mësohet nga burimet familjare, se kishte lindur pas tre vëllezërve dhe një motër të cilën e donte shumë. Në moshën 7 vjeçare, nis mësimet e para të edukatës në qytetin e lashtë të traditës kulturore Shkodër në vitin 1878. Dy vjet më pas, vijon mësimet e rregullta në Seminarin e Troshanit (shkollë e klerikëve katolikë). 6 vjet më vonë shkon për të ndjekur studimet në Bosnje (në Kuvendin e Sutiekës), ku, merr dijet e qendrushme në degën filozofike, ndërsa në Kuvendin e Livnos, mëson me adhurim në linjën teologjike. Në një ndër ditët e ftohta të 25 shkurtit të vitit 1894, në kishën e Troshanit çon meshën e parë, duke qenë i veshun me zhgunin e sandalet e zbathura të shën Françeskut të Asizit. Në vitet në vijim, ishte kapelan në famullinë e Lezhës, mësimdhënës e meshtar në Kolegjin e Troshanit dhe për 12 muaj gjendet në Gomsiqe të Pukës. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës, imzot Prenk Doçi, i jep jetë tek themelon Shoqninë Letrare dhe Kulturore "Bashkimi", boton artikuj të rëndësishëm e të mprehtë, duke përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish. Ishte i pari që hapi klasat qytetëse, duke futur gjuhën shqipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane. Më pas ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon dhe drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore‑shkencore "Ylli i Dritës" (Shkodër, 1913). Ai, hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të shtypit katolik dhe kulturorë në qytetin e Shkodrës. Krijoi lidhje dhe ura bashkëpunimi me të gjithë albanologët e njohur evropian asokohe, duke i pasur si bashkëpunëtorë dhe bashkëtrajtues të shumë temave interesante mbi Shqipërinë, gjuhën, visaret e kombit, traditën, letërsinë dhe krishtërimin e hershëm ndër shqiptarë. Në bashkëpunim me të madhin liberator Luigj Gurakuqin (të cilit i kishte venë në ambientet e Kuvendin Françeskan në Shkodër një dhomë përsonale në dispozicion, ku shpesh Gurakuqi strehohej, sa herë që nga kundërshtarët politikë vihej në rrezik jeta e tij, shënimi im K.K.), themelon "Komisien letrare" (1916) të Shkodrës dhe paralelisht me këtë drejton gazetën e rëndësishme "Posta e Shqypnisë". Përvoja e tij e gjërë në zotimin për çështje nacionale shqiptare bëri të mundur që ai me veshjen e fratit, të përfaqësojë Atdheun e vet, në Konferencën e Paqes në Paris, ku, kryeson delegacionin diplomatik. Duke përfaqësuar denjësisht alternativën e opozitës, Fishta ishte deputet i Shkodrës dhe zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Me dorën e vet, përuron hapjen e gjimnazit të njohur "Illyricum" në Shkodër, që pas vdekjes do të marrë emrin e tij, por komunistët e suprimojnë menjëherë me rë ardhur dhunshëm në pushtet. Në vitin 1924, merr pjesë në lëvizjet politike të kohës, duke qenë përkrah opozitës noliste dhe më pas emigron në Itali. Për kulturën e gjerë që kishte, emërohet Lektor Jubilar në Teologji e Filozofi. Më pas, dy herë është përfaqësues i delegacionit shqiptar në Athinë e Stamboll. Për 3 vjet me radhë zgjidhet si Provinçial i Urdhërit Françeskan në Shqipëri (ky urdhër është ndër më të vjetrat në vendin tonë, së bashku me benediktinët, të cilët janë vendosur për herë të parë në shëk.XII‑XIII, shënim im K.K.) dhe një vit para se të mbyllte sytë ishte akademik i Italisë, një ndër titujt më të mëdhenj, që ende se ka fituar asnjë njeri i nacionit të vet deri më sot. Pikërisht për këtë fat dhe nder historiografia komuniste, e anatemoi Fishtën deri në përbaltje për gjysëm shekulli, duke mos thënë asnjëherë arsyen, se ishte një atdhetar dhe kundër shovinizmit pushtues barbar sllav. 5 ditë pas Krishtlindjeve, më 30 dhjetor 1940 mbylli sytë, ai, që i hapi sytë gjithë popullit shqiptar. Fishta varroset në Shkodër, mes lotëve dhe pikëllimit të madh të bashkëqytetarëve, bashkëluftëtarëve të idealeve të senjta të lirisë dhe demokracisë perëndimore, vëllezërve të dashur në Krishtin e Atdheun. Kur eshtrat e tij, ishin pajtuar me lumninë e pasosur, ndodhi ai akti më antinjerëzor, kur zvarroset nga regjimi ateist i Enver Hoxhës, ashtu sikurse kishin vepruar turqit me eshtrat e Pjetër Bogdanit autorit të "Çetës së Profetëve", serbët me babain e grumbulluesit të zellshëm e kodifikimit të "Kanunit të Lekë Dukagjinit" at Shtjefen Gjeçovit dhe së fundi përsëri komunistët eshtrat e Dedë Gjo Lulit fatosit trim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (më 6 prill 1911) të cilat me përbuzje i hodhën në ujërat e ftohta të lumit Drin... Pushtuesit e huaj dhe komunistët trathtarë me gjak e gjuhë shqiptari, kishin një emërues të përbashkët: të shkatërronin sa më themel, çdo vlerë dhe figurë të ndritur të trojeve amtare shqiptare. 6 vjet pas vendosjes së demokracisë, për vlerat e së cilës ai punoi e jetoi gjithnjë, më 28 dhjetor 1996, pas 56 vjetësh rivarroset me një cerëmoni, ku, merr pjesë gjithë hierarkia e klerit katolik, duke i bërë edhe një herë nderim relikeve të rigjetura të eshtarave të tij. Para atyre pak eshtrave që Zoti deshti t'i ruante, u bënë nderime e humazhe në qendër të kishës françeskane dhe filloi puna për të ribotuar serinë e veprave të tij... Pa Fishtën historia e letrave shqipe do të ishte e mangët Esencialisht, për të gjithë françeskanët e përvujtur, Fishta, ishte një intelektual dhe klerik i madh. Një njeri me vizione të kjarta. Vepra e tij u bë burim frymëzimi dhe dashurie për Fe e Atdhe dhe përparim, çka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur gjeniun në nivele të reja cilësore, që i kanë qendruar kohës edhe sot. Vlerësime pozitive kishte vazhdimisht sipas këndvështrimeve të ndryshme, për Fishtën e letrat shqipe, si njohës i kthjellët i tërësisë së kulturës së tabanit të lashtë autentik dhe përtej tij. Opinione pozitive kanë shprehur përmes pendës dhe mendjes në kohë dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektualë të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkëatdhetarët e tij në Veri dhe Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shqiptare asokohe dhe sot. Kështu Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa francezët e thërrasin "Tirteu i Shqipërisë". Albanologu i njohur italian at Fulvio Kordinjano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: "Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fui të çuditshme ther e pren aty ku djeg". Ndërsa 5 vjet më vonë, albanologu i shquar italian, prof. Gaetano Petrotta, me pendën dhe mendjen e tij ka lënë të gdhendur këtë vlerësim shumë domethënës: "Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t'u bërë poezia e kombit të Skënderbeut...". I madhi për të madhin Faik Konica për at Gjergj Fishtën, në shenjë nderimi dhe respkti të thellë ka lënë si dëshmi të tij vlerësimin konçiz: "Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se "Lahuta" e Gjergj Fishtës". Prof. Ernest Koliqi, thotë: "Fishta, ishte vravashka e shqiptarizmës, e bashkimit në gjakun dhe gjuhën e përbashkët". Për poetin e pendës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Nacionale, prof. Abaz Ermenji shkruan: "At Gjergj Fishta, është ndoshta m'i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më të rëndëishme të veprave të tij, ia pat kushtuar çështjes nacionale". Në vitin 1989, At Daniel Gjeçaj (që këto ditë ndërroi jetë), studiues i afërt, (botues i "Lahutës së Malcis" në Itali), jep esencialisht këtë formulim: "...Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime". Poeti i madh i valëve të liqenit të Pogradecit dhe miku i tij Lasgush Poradeci, e pati cilësiar bukur meshtarin françeskan, si: "Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar". Gjykim të mirë ka hartuar edhe albanologu dr. Antonio Baldacci, ku midis të tjerave sintetizon: "At Fishta mund të thirret apostull i Atdheut të vet...". Shkurt e saktë, duke bërë paralelizëm në historinë shumëshekullore shqiptare ka lënë të shkruar edhe at Augusto Gemelli, kur vlerëson: "Në historin e Shqypnis, emni i at Fishtes do të rrijë krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilat janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme". Prof. Martin Camaj, shkruan: "...Mua më ka bërë përshtypje një gjë në seleksionimin e shkrimtarëve të vendit, janë ndalur shkrimtarë që ishin krejtësisht të talentuar është edhe Fishta, që ishte shumë i kulturuar në pikëpamjet e letërsisë". Kritiku i sotshëm bashkëkohorë dr. Aurel Plasari midis shumë konsideratave për jetën dhe veprën e Fishtës ka dhënë edhe vlerësimin e veçantë: "Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë". Dr. Sabri Hamiti, një ndër njohësit më të mirë të letërsisë së traditës dhe bashkëkohores, mbi lirikën dhe poetikën nacionale, renditë edhe këto fjalë në parathënien e lirika fishtiane: "...zotërojnë figurat ambientale dikund edhe figurat historike, por gjithnjë më të freskëta janë krahasimet që dalin nga një botë elementare shqiptare e shkëmbit, malit, fushës, lules, erës; pra një botë e tërë konkrete që don të pavdeksohet e të përgjithësohet në art". Mbi korpusin e botuar të veprave të Fishtës në Kosovë, të ndara në katër vëllime, shquhet edhe shkrimi hyrës që shoqëron kryeveprën "Lahuta e Malcis", shkruar me art nga studiuesi i shquar i ditëve tona dr. Anton Nikë Berisha, ku mund të kundrohet me endeje parathënia me titull kuptimplotë: "Vepër e qenësisë së botës dhe shpirtit shqiptar", ku ndër të tjera autori dr. Berisha sintetizon: "Rëndësia dhe vlera e "Lahuta e Malcis" dëshmohet pos tjerash edhe me aktualitetin që ka kjo sot, qoftë si tematikë, qoftë si pasuri gjuhësore shprehëse dhe si kuptimësi: ‑ ruatja e qenësisë shqiptare, forcimi dhe pasurimi i vetëdijes dhe vetëdijësimit kombëtar, për atë qëllimin e fundit thelbësor që del nga gjithë vepra letrare e këtij krijuesi madhor ‑ për mirëqënien tonë të sotme dhe të nersërme". Vepra e Fishtës një ungjill i ngrohtë atdhedashurie Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektu si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit, mbasi si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë. Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e "poetit nacional" shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumta e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më së shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës se: Homeri shqiptar nuk është aspak transplantim i teologjisë a i parimeve të Urdhërit Françeskan, të cilit me devocion ai i përkiste, por ndryshe, ishte më shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërtërihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore. Për me tepër, kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën kulturore botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez pas brezi përmes puplës së shkrimtarit. Pohimi i thjeshtë i autorit, shpiegon dushëm mesazhin filozofik të tij të shprehur në veprat "Odisea", "Shën Françesku i Azisit", "Kryepremja e Shën Gjonit", të cilat janë respektivisht: ngallnjimi i lirisë, vëllazërimi dhe inifikimi sipas vështrimit të kthjellët të doktrinës kristiane. Gjithsesi mund të pohohet me të drejtën e qytetarisë shqiptare, se kryevepra aq shumë e adhuruar nga shumë breza si një margaritar brilant shkëlqen brenda universit që shpalosë mendja dhe dora e palodhur e shkrimtarit të përkushtuar tërësisht interesave të nacionit shqiptar. Ky prodhimtar i begatë i fushës së letrave shqipe, asokohe me të drejtë ishte përfshirë me të drejtë vlerësimi, në listën e Çmimit Nobël, si i nagjishëm në pendën artistike, çka në këtë mënyrë kishte kaluar kufijtë etnikë dhe i përkiste tashmë edhe fondit të artë të letërsisë botëore. Si një intektual universal, eruditi i gjërë e i thellë Fishta, ka lënë gjurmë në fusha po aq të vështira sa ajo e letërsisë, ku në mënyrë të dukshme, është shquar si arkitekt shqiptar me shije të hollë. Disa nga projektet e realizuar nga mendja krijuese e Fishtës janë: balli i kishës së Rubikut, qela e Lezhës. Ndërsa në Dukagjin (Malësi e Madhe) ka mbetur si gjurmë e freskët dora mjeshtërore e tij, që e skicoi në kartë kishën e Prekalit, kishën e "Zojës Rruzare" në qytetin e Shkodrës, ashtu sikurse projektoi kishës së Troshanit. Po ashtu Fishta organizon me vetëinsiativë ekspozitën simbolike me titull kuptimplotë "Rozafat", ku për vizitorët e shumtë ardashës, ofroi 25 punime të nënshkruara nga dora e frymëzimit të padër Gjergjit. Kraharori i poetit ruajti tituj nderi e fisnikërie Fishta i madh nuk mbeti pa u vlerësuar nga qarqet e interesuara të kancelarisë së kulturës dhe të civilizimit evropian dhe nga bashkëkohësit e vet. Ai është nderuar me kurora dafinash argjendi nga Klubi "Gjuha Shqype" i Shkodrës në vitin 1011, "Penda e Artë" dhënë për merita të spikatura në cilësi shkrimore dhënë nga qyteti po aq i Beratit në vitin 1917. Medalja "Mearif" e Klasit II, dhënë nga shteti i Turqisë më 1912, "Rihter‑Kreuz" të dorëzuar nga Austro‑Hungaria në vitin 1912, "Benemerenza" dhuruar nga Selia e Shenjtë në Vatikan më 1925, medalja me emrin e një zogu mitologjik "Phoenix" dorëzuar nga shteti i Greqisë në vitin 1931, etj. At Gjergj Fishta, duke u vlerësuar, ka sot një trashëgimi, një mal të tërë me emrin dhe rrymën e pastër gjithsesi të vlerësuara sa dhe si duhet. Ekzistenca e plotë e botimit të tij, do të nxisë kërshërinë e studiuesve letrarë që t'i qasen kësaj vepre dhe t'a vështrojnë atë mbi bazën e studimit të kohës në mënyrë sa më komplekse e më të gjithanshme.
  21. A jemi kund gjallë? Gjergj FISHTA, I përmenduni filozof i Greqis s'vjetër Aristoteli e la të shkruese, se jeta asht në punë, si me thanë, se për me njoftë a ka a s'ka jetë ndoj send, duhet me vrojto pale a punon a s'punon aj gjësend; pse jetë pa punë s'ka. Për në kjoftë, pra, se kjo fjalë nuk asht rrenë, sikurse edhe rrenë nuk asht, duhet me thanë se komi shqyptar nuk ka ma jetë; ase, mos tjetër, se Shqypnija gjindet me një kamë në vorr, kah shifet se shqyptarët s'lozin kund për s'gjallit, e për kom të vet s'e qesin një gur n'uj, por rrijn duj u përhapë e tuj njehë mizat nëpër tryeza të mejhaneve e të hijeve të hoteleve, a thue se po janë tuj pritë barkët me grun e tallamoq. Por barkët nuk janë e kallamboqi, pa punue, nuk del, kshtu q* do të jesin me gojë that. Në kto katër vjet shëmtimit na kemi pasë rasë me pa e me ndi shumë të kqija e të liga, pse ra lufta e ja qiti njerzimit të zezat për fushë. Kemi pa e ndi si egoizmi i ndyet mundet me lanë burrnin mas doret; kemi pa e ndisi njerz t'kalemit e dijet munden me shkelë besën e fen e dhanme me dorë m'be, e ndi e pa kemi si interesat e veçanta mundem me i dhanë krah gjas s'shtetit, q* asht lodhja e gjaku i popullit. Po prap kemi pa e ndi edhe punë të mira fort. Kshtu, fjala vjen, në kët luftë kemi mujtë me vu n'oroe nji atdhedashni të paskajshme ndër kome të gjytetnueme, e nji abnegacion ase nji mohim çdo intereset t'veçantë, të cillit s'i gjindet shoqi në histori. Njikta burra, q* sod rreziku i ka kapërthye në luftë me shoqishojnë nuk kjenë rritë malit e krepit, pa kmishë m'shtat e të dishruem per hae e per pije, por paten le ndër saraje, kjen rritë m'pupla e mbajtun me miradija ku kjenë ma të mira. E pra kta njerz, që tash katër vjet, m'pishë të diellit tuj djegë si sarova, m'rribë të murranit, nër rreshme boret e akullit, të zhytun der m'brez ndër ballanxha të llogoreve, pa buk në bark, me nji breshen të trishtueshëm gjylesh e plumbesh mi krye e tuj e dijtë se grat e tyne, se fmija e tyne u rreshken prej ujet e prej mallit te shpija, kurr pa pasë pushim as natë as ditë, rrijn tuj luftue si luaj për liri e përparim të komeve të veta, e as s'e bajn kund mall se tokët u kanë metë pa punue, se shpijat u janë rrenue, dhent e dhit pre, e hupë me miljuj e miljuj gjaja e vet a e trashigueme prej të parve zotni ase e ftueme me djers të ballit të vet; me u zhdukë, të thuesh, para atdhedashnis s'tyne vetë atdhedashnija e Leonidhes. Punojnë si diva, si vigaj per kom e atdhe të vet, e komi e atdheu i tyne, sido qit ë marrin fund lufta, ka me jetue i lumnueshëm, pse në punë asht jeta e lumnija. E po na shqyptarët shka kemi punue e vjeftë per koma e atdhe tonin, në kta katër vjet t'orvatunit të njerzimit? Kurrgja! Senegalezt, zezakët e ndoshta edhe Otentott në ket kohë shëmtimi po, por historjak, kan lujtë për s'gjallit e s'kan ndejë me duer m'n'ije e pa punë, veç shqyptari s'asht kenë i zoti me xjerrë nji marimangë prej birucet per kom e atdhe të vet, e asht diftue se s'ka kund vorr në shpatull. Me e pasë për të pvetë ndonji shqyptar, se ç'punë ka punue, se ç'të mirë i ka reshë kujë, ka me të thanë, po, se ja ka shitë serbit kokrrën e petllës dhetë grosh e se për nji rrotull buket të mykët ja ka hjekë der kmishen prej shtatit: se maxharit i ka dhanë esence ufllet, të shartuese me uj e me shpirto e me sheqer të djegun per ruhum Jamajka e se tedeskut i ka shitë kastraveca per bastan; por s'ke me gjetë, drue, nji q*, me dorë m'zemër, mund të thotë, se kshtu punova, se shtu psova per atdhe tem m'ekonomi, a në literatyrë, a në nji çdo send sado të vogël q* të kishte të perpjekun me jetë komtare tonën. M'kurrnji gjësend nuk e kemi diftue veten, se jemi të gjallë si shqyptarë e si nji kom, q* ka ndërgjegjen e individualitetit të vet mi shekull. Me hi me e analizue punën edhe me nji optimizëm të shtyem ase tuj ja ba qefin vedit, drue se kishim me u vertetue q*, pose me ksula te thimta m'krye, m'kurrnji gjësend tjetër s'e kemi dishmue vedin para shekullit për shtyptarë. Kshtu q*, pose se prej veshet e gjuhët m'veti, sa per vepër tonë, të huejve as ndërmend s'kishte me u ra, se ka mi botë nji kom shqyptar m'vedi e q* ky ka kund ndoj qellim a ndoj aspiracjon si kom. E jo veçse të huajt s'e dijn se shka mundena me dashtë na si shqyptarë q* jena, por asht halli q* as vetë inteligjencja shqiptare, s'ka, drue, parasysh nji ide të kjarrtë mi kto aspiracjone e asnjë program permi mnyrë, me të cillen me i mbledhë tok e me i shti në punë fuqit e komit. E pra, pa pasë nji qëllim komtar të përgjithtë parasysh e pa i mledhë m'nja fuqit e komit, komi s'mund të jetojë. Njana nder arsye ma të parat, per të cillen nieri jeton në shoqni, asht kjo, q* nieri s'kishte për të mujtë me jetu mi shekull si nieri, po s'pat nimin e t'tjervet. Kur, pra, per me u mbajtë në jetë vetja e nji nierit të veçantë, lypet q* nieri t'i bashkojë fuqit e veta shpirtnore e fizike me fuqi të t'tjerve, sa ma fortnuk ka me u dashtë bashkimi i ktyne fuqive, per me u mbajtë vetja e nji komit mkamë? E po ku janë fuqit tona? Kush asht q* rregullon me to? Shpesh na vjen me ndi ke ndoj atdhetar shqyptar thotë, se skhtu u mblodhem, se kshtu shkuem, se ashtu punuem e se neper veper tonën ju suell komit kjo e mirë ase ajo tjetra. Na kandet me ndi kso fjalësh, pse kshtu disi na njallet shpresa në zemër, se ka nisë me hi në popull njifarë ndisijet për detyrë komtare; por e vërteta asht q*, me hi na e me i përshkrue nëpër mend kto kohët e mramae, ndër të cillat në Shqypni u vërtetuen shndërrime të mdha, gjejmë se kurrnji ase gati kurrnji kso punish e shndërrimesh, q* mujten në ndojfarë mnyret me kenë dobija e komit, nuk ndodhi pse na dojshim qit ë ndodhte kshtu në vend tonë. E pra nji komi të meçëm, t'organizuem e q* asht i zoti i punës rrallë se i ndodhë gja pahiri. Aty njifet, se nji popull asht i dejë me jetue si kom, kur aj vetë me mendë e me fuqi t'vet i krijonmndorjet e jetës e nuk pret q* t'i reshen prej t'tjerve, pse asht e vërtetë fjala q* thotë, se kali i huej të len m'baltë. Per n'e daçim pra nji Shqypni tamam Shqypni - nji Shqypni, pa bishta e pa gjalma nëpër kamë - duhet ma s'parit q* inteligjencja e Shqypnis t'organizohet, të studjojë aspiracjonet e komit, të mundohet nëpër mjete të ligjshme me bashkue fuqit komtare e atherë të ndërtojë nji program se si me i qitë në punë kto fuqi komtare, q* janë gjithmonë e gjithkund të rrebta, e tuj perke vepren me gjeje të kohve, të punojë me shpresë të gjallë për nji kohë q* do të vijë. Nji pjesë e inteligjencës komtare, per me sugurue ekzistencën e vet të veçantë në kto kohë të vshtira, asht organizue e mbledhë tok në nji "Konsumverein", kshtu t'organ-izohet e të mlidhet tok per mjete të gjallrimit të komit të Shqypnis. Botuar më 1918
  22. Bukurija prej së cilës ngjallitë arti[/color] HOMERI SHQIPETARE AT.Gjergj FISHTA, Po i ra nierit me kulturë të mjaftueshme, me edukatë fisnike e ndiesi njerzore me pi për të parën herë - fjala vjen - nji Apollo del Belvedere, ndonji Madonna të Rafaelit, a se nji ç'do tjetër kryeveper artistike, aj me nji herë ka për t'u shtangue, të thuesh, m'kambë prej habije e me gojë hapte me soditë ato bukuri qiellore; i kndellen shpirti e jeta, e 'i herë për nji herë e ndien vedin për njimend të lum, ke mendja i rrmehet e i shuken cektimet e vullndesës, e aty për aty as mendon gja, as lakmon gja, as nuk i epet me thanë fjalë tjetër, veç se: ah! sa bukur! "Ah! sa bukur!" Tri fjalë të vetme janë kto, por ndër kto tri fjalë asht përmbledhë e gjith natyra e artit: bukurija. Bukurija, po, asht njajo q* përban artin, sa q* pa të art nuk ka- as në Shqypni, ku nëpër dekrete ministrore po mund u krijojshin artistat, po, por arti jo. Ma e para punë pra, q* na do të sprovohemi me shqertue ktil asht me ia caktue kuptimin e vërtetë fjalës: "të bukurt" (pulchrum, il bello). Para vshtirsis së saj theme u asht dridhë pupla në dorë der nji Platonit, nji Aristotelit, nji Akvinatit, jo ma po mrrijm na me e zhvillue si duhet e sa duhet. Me gjith kta po ia himë ksajë barre, e në mos na zafet frymën nën peshë të vet, zhyte-mbyt do t'i dalim përtej. E me kallxue të drejtën, do të më vite fort mirë, po mund shkruem gja mbi kët themë, q* mos të jetë krejt të dejë për "kosh", pse kshtu kishim me u diftue a slav a grek - me gjithë shqype na sod mund të zhvillojm ma të vshtirat çashtje të filozofis. * * * Gjithshka zehet e përftohet në kët jetë, zehet e përftohet - si thonë të diejshemt e eksperjenca vetë na mson-për nji qëllim. Edhe kshtu sendet të gjitha, tue u individualizue në natyrë, do të bijn me vedi të gjith elementat e përmvehtsit (proprietates) e lypuna, për t'u kapë te qëllimi i vet secilla. Prandej sendet të gjitha, në sy të qëllimit të vet e të Shkasit të Parë q* i trajtoi, janë të mira e të pëlqyeshme, e njiheri, edhe të bukura; pse, shka pëlqen, asht gjithmonë edhe të bukur. Por kjo bukuri e sendevet, të trajtueme mbas ligjeve të paluejshme të natyrës, nuk asht bukurija prej së cillës ngallite arti. Tue kenë se vepra artistike do të jetë nji krijesë (creatio) - si hi me u pa ma vonë - ajo asht nji dishka ktejt m'vedi (quid unicum), nji individuum përmbrenda rruzullimit, por q* nuk asht pjesë e rruzullimit: asht si mrekullija, e kuptueme mbas filozofijet. Të gjitha sendet e mrekullueshme në vedvedi. Harmonija e qiellvet, - fjala vjen, - ligjet e randamenis (gravitatio), të përftuemt e nji fijes së barit etj. janë përnjimend sende të mrekullueshme, por nuk janë mrekulli; pse janë pjesë e rruzullimit e shkaktohen nëpër do ligje të caktueme të natyrës. Ndërsa mrekullija zehet se asht nji fakt sporadik, i çuditshëm e q* shkaktohet në natyrë, po, por jashta ligjeve të natyrës; prandej nji fakt krejt m'vedi e q* s'hin në rend të sendevet të rruzullimit. Edhe kshtu bukurija e sendevet të rruzullimit nuk mund të përbajë nji vepër artistike, të marrnë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Fotografija, për shembull, na paraqet bukurin e sendevet të natyrës fort ma besnikisht se ç'do artist; me gjith kta fotografija nuk asht art, asht nji zanat (mestiere); tue kenë se paraqet sendet si janë pjesë e rruzullimit, e jo si gja krejt me vedi e të shkëputna prej stillit të rruzullimit, sado q* të shkaktueme mbrenda rrethit të tij, ashtu si do t'i paraqesë arti. Prandej edhe ka i herë kryeveprat artistike quhen mrekulli (miracula muridi). T'a imtojm pra, tash, punën e të shofim se ne shka përmbahet bukurija e artit. Të kenunit artist U tha sypri, se bukurija asht nji rreze, nji dritë, e cilla - ku ma pak mbas brumit të landës në të cillën konkretohet sendi, si dhe mbas mëndyret nëpër të cillën nieri ia paraqet vedit bukurin - buron prej harmonijet q* kanë ndërmjet vedit tri përmvetsit kensore të sypripërmendura të sendit. Po pse, m'atëherë, mbasi bukurija e sendevet mund të dallojet prej ç'do nierit, njerzt të gjith nuk jane artista, si na e dishmon vetë eksperjenca? Arsyeja asht, pse ma parë ma dalë bukurija, si kjo shkëlxen prej sendevet t'individualizuem n'ekzistencë, nuk përban natyrën e artit; së dyti, pse, tue hi ndër faktorë të veprës artistike edhe artisti, më do cillsi të veçanta, për me kenë artist nieri duhet q* të ketë le artist. Për me zhvillue kët të vërtetë edhe ma mirë, e mbasi u tha se bukurija asht dritë, ktu po biejm nji shembull të buruem shi prej dritet. Thonë naturalistat e vetë eksperjenca na mëson - prej të thyemit ç'do rreze dielli gjinden të shtatë njyrët e ylberit. Pse, pra, nuk shifen ylbere ditë për ditë e vend për vend sa herë q* bjen dielli? Arsyeja asht pse, për me u nde ajrit lëmaja e ylberit, lypet nji gjeje e posaçme e atmospherës. Kshtu, për me dallue me sende at bukurin q* përban natyrën e artit, lypet në nieri nji fuqi cilsijet të veçantë: lypet fantazija. Edhe, me pasë për t'u thanë se shpirtent e njerzvet janë të gjith të nji zotsije, pse substanca të fjeshta, fantazija, tue kenë se ka si nji dishka natyret të shpirtit e të trupit, intenziteti, gjallnija e tjerat cillsi të saja ndrrojn mbas shumimit të trupit të njerzvet, e kta në mëndyrë q*, sado me pasë për t'u rovatë nieri, kurr nuk mundet me ia ndrrue a me ia mëndyrsue (modificare) cillsit fantazis së vet. E prandej ka mbetë fjalë ndër intelektual: orator fit, poeta nascitur. Qe pra arsyeja për të cillën të gjith njerzit, sado q* të gjith përfshijn me mend (percipere) bukurin, nuk janë të gjith artista. Madhnija Për me kenë artist, ma parë ma dalë lypet "geni" - nji shpirt bujar, mendjet të kthjelltë, depertuese (intuitive), me nji fantazi gjallnijet të posaçme. Kur sendi i paraqitet nji fantazije kso dore të gjallë, me nji herë rrezet e bukuris s'atij sendi kanë për t' a përshkue anë e kand e me e shndritë si rrezja e diellit nji kristal të kulluet a nji pike vese m'gjeth të lilit, edhe fantazija trandet n'ata të dukun. E pse edhe drita e bukuris, si ajo e diellit, vjen tue shkue e tue u shtue, kshtu fantazija ma tepër kndellet, xehet, entuzjasmohet, rrmehet. Tash sa ma në dritë të madhe të jenë të përfshijmë sendet, aq ma të mdhaja duken - si mundet me u konstatue prej syzave të mikroskopit - kshtu mendja e artistit e shef sendin të smadhuem në fantazi fort ma tepër se nuk gjindet në natyrë. E pse mendja e artistit iden e sendit të bukur e sendergjon jo mbas arsyetimit, por mbas intuicjonit, kshtu proporcjonet e ides së sendit në mendje t'artistit janë gjithmonë ma të mdha se në natyrë. Madhnija pra asht elementi ma i parë i bukuris a se i natyrës s'artit. Kshtu duket se e kishte pase mendue punën edhe Aristoteli, i cili thotë: Pulchrum in magnitudine et ordine consisti. .. Qui major est, quatenus patet, pulchrior est secundum magnitudinem... Pulcritudo semper in magno corpore existi: unde parvuli "formosi" dici possunt, non "pulchri': Por edhe Averroes dan se ka kenë ktij mendimi, pse diku shkruen: Pulchritudo est proportio inter membra media et extrema. Roli i intuicjonit Dikush pat pvete nji herë Rafaelin, tue i thanë se kah aj e nxierte at bukuri aq te bindshme të "Madonne-vet" të veta: "Da una certa idea': i përgjigjet Rafaeli. Pra jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendevet si gjinden në natyrë, por prej nji ideje të përftueme nëpër intuicjon në mendje t'artistit mbi sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazi. Prandej gabojn ata q* thonë se arti asht nji ndërndjeksim a imitacjon i natyrës; si mundet me u vërtetue puna edhe prej fotografijet, e cilla sigurisht paraqet natyrën ma besnikisht se ç'do artist në nam e në za, megjith kta ajo nuk asht art. Ma tepër shifet se madhnin e ides s'objektit të veprës artistike e sendergjon geni, a se shpirti, substancë individuale, e fjeshtë e arsyetuese - të thonë shka të thonë idealistat e materjalistat e ksokohshëm, pak a shum nipa e stërnipa majmunash, jo aq pse shum ndër t'a e mbajn vehten se jane rodit të majmunit, sa për punë q* të gjith - po thue, se si majmuni - imitojnë teorit e straplakne të kohvet të kalueme... Botuar më 1933
  23. Gjergj Fishta si dijetar dhe eruditDr. Lekë SOKOLI Kam disa arsye që më nxisin të shkruaj për Fishtën. Ato lidhen, ndoshta, më shumë me fëmijërinë time se me interesat e mia shkencore. I lindur në zemër të Leknies (Fishta përdorte edhe këtë emër për trevat ku zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit), i rritur pak atje e më shumë në një mjedis shkodran, nuk mund të mos dëgjoja, që fëmijë, për Gjergj Fishtën. Nga “grimcat” e jetës sime kujtoj, për shembull, se kam pyetur njëherë babanë tim: “Kush është Gjergj Fishta?”. Ai m’u përgjigj, si me shaka: “Gjergj Fishta është një i ditur që heq e vë bishta. Por kush e ka, ia heq; kush s’e ka, ia ngjet”. Fishta ishte një emër legjendë e atyre anëve. Krijimtaria e tij qarkullonte gojë më gojë, si vetë folklori. Shkolla ime tetëvjeçare, në qytetin e Shkodrës, në atë kohë shkolla “11 Janari”, më parë kishte qenë pikërisht ish-shkolla e jezuitëve. Në rrugicën që lidhte këto mjedise me Kafen e Madhe, ndodhej Azili i Pleqve të qytetit. Atje ishin vendosur disa ish-priftërinj, të cilët i takonim rregullisht në shëtitjet apo pushimet që bënin lulishteve. Mbanin në duar libra të trashë, në latinisht apo në gjuhë të tjera. Na dukej sikur këta nxënës apo edhe kolegë të Fishtës, thuajse të gjithë rreth të shtatëdhjetave, ishin më të diturit e botës, sikur flisnin në të gjitha gjuhët e saj. Ata ishin shumë të dashur, sidomos me ne, nxënësit çapkënë të Shtëpisë së Fëmijës (nëna dhe babai im vdiqën njëri pas tjetrit, kur nuk isha as nëntë vjeç). Për t’u afruar me ta ndikonte, ndoshta, edhe fakti që të dy palët ishim pa familje. Na flisnin për librat, për kulturën botërore e personalitetet e saj, për gjuhët e huaja e për të tjera gjëra që, për kohën, ishin “të huaja”; na flisnin sidomos për Atë Gjergj Fishtën, më shumë se për një klerik, për një Atë të madh të kulturës shqiptare. Në çdo përvjetor të Fishtës nuk mund të mos shprehim indinjatën më të thellë ndaj atyre që urdhëruan e realizuan (sado përkohësisht) censurimin dhe denigrimin zyrtar të Fishtës, sikurse të Konicës etj. Por u desh kohë, vërtet shumë kohë, që Fishta të ngrihej në piedestalin që i takonte. Tre vjet më parë, Presidenti i Republikës i akordoi atij titullin “Nderi i Kombit”. Ky rivlerësim, ndonëse duhej bërë më parë (Alfred Moisiu është Presidenti i katërt i periudhës paskomuniste dhe jo i pari), ai përfaqëson një akt që nderon, më shumë se Fishtën, shtetin e shoqërinë shqiptare. Por sërish në vlerësimin e Fishtës ka njëfarë njëanshmërie. Kam ndjekur, për shembull, çfarë është shkruar, thënë apo bërë për Fishtën në këto vite. Dhe, me keqardhje, konstatoj të paktën një gjysmëharresë institucionale, një anashkalim të tij. Sërish më duhet të pohoj se vazhdon të ketë njëfarë kompleksi nga i cili, siç duket, studiuesit nuk janë çliruar ende plotësisht, në mos (larg qoftë!), të kenë njëfarë mendësie, sipas së cilës me Fishtën le të merren veriorët, të djathtët apo katolikët. Kush është Gjergj Fishta? Fishta lindi 135 vjet më parë, në fshatin Fishtë të Zadrimës. Mbasi kreu shkollën e mesme, më 1886, ai shkoi në Bosnje, ku kreu studimet e larta, për filozofi e, më pas, edhe për teologji. Më 1894 ai u shugurua meshtar e dha mësimin e gjuhës shqipe në Seminarin e Troshanit. Më 1899 ai u dërgua, si meshtar, në Gomsiqe (fshati më i largët i Mirditës), një zonë shumë karakteristike, madje përfaqësuese, nga pikëpamja historike dhe etnokulturore. Fishta depërtoi në “shpirtin e racës”, njohu me rrënjë ata njerëz që i bindeshin në mënyrë të habitshme “kushtetutës së tyre të pashkruar” - kanunit, për të nxjerrë prej saj ato visare të çmueshme frazologjike, gojëdhënash, dokesh, zakonesh, normash juridike, mendësish e natyrash arbërore e për t’i gërshetuar mjeshtërisht në kryeveprat e tij. Në Gomsiqe, Fishta kreu një punë hulumtuese shkencore. Ai dhe At Shtjefën Gjeçovi, autori i “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (i cili u vendos në atje më 1907), bënë që Kisha e Gomsiqes, nga një kishë e zakonshme fshati të shndërrohej në një institut të vërtetë hulumtimi shkencor e krijimi të vlerave kombëtare. Fishtës i njihet merita kryesore e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, qoftë edhe për faktin se ai kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit, më 1908, e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes. Fishta dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës shqipe të njësuar dhe, sikurse Xhuvani, Çabej, Cipo etj., ishte i vendosur që si gjuhë bazë të zgjidhej dialekti i Elbasanit. Lidhur me këtë zgjedhje dhe debatet që ende vazhdojnë për gjuhën e njësuar shqipe, gati një shekull pas Kongresit të Manastirit, Kadareja thotë: “Gjuha shqipe nuk mund të zhvillohej në kundërshtim me një parim të përbotshëm sipas të cilit gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por krijohen nga zgjedhja e një dialekti… Shikoni Kongresin e Manastirit më 1908. Po të studiohet nga analistët në mënyrë gjakftohtë, del se alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer… Dhe po ju kujtoj, me këtë rast, se kryetari i komisionit të Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët më të shquar nga Veriu”. Fishta, gjithashtu, futi për të parën herë në Shqipëri mësimin e gjuhës shqipe në Shkollën Fratnore të Shkodrës, duke qenë drejtor i saj, dhe e shndërroi atë në shkollë të mesme, udhëhoqi botimet në një shtypshkronjë që e kishte sjellë vetë në Shqipëri, ngriti një bibliotekë dhe një muzeum (të parin në Shqipëri), organizoi përgatitjen shkencore të nxënësve, sikurse organizoi shfaqje teatrore, ekspozita të arteve figurative etj. Fishta themeloi revistën prestigjoze “Hylli i Dritës” dhe gazetën “Posta e Shqypnis”. Ai u vu me të gjithë qenien e tij në shërbim të çështjes sonë kombëtare, qëndroi gjithmonë në radhët e para të ngjarjeve të rëndësishme të kombit tonë (siç vlerëson Ernest Koliqi), përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, në disa konferenca ballkanike si dhe në shumë veprimtari të tjera ndërkombëtare të zhvilluara në Londër, Nju-Jork, Pragë, Vatikan etj. Ai e mbrojti çështjen shqiptare me dinjitet, bazuar në argumente shkencore, duke “u ndeshur” edhe me figura të shquara të shkencës e të diplomacisë botërore. Si deputet i Shkodrës, Fishta mori pjesë në Parlamentin e parë Shqiptar dhe, duke qenë përfaqësues i opozitës, u zgjodh nënkryetar i tij. Fishta vdiq më 28 dhjetor 1940, u varros me nderim. Por, për turpin tonë, ai u zhvarros dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin. Ky akt, sikurse përpjekja për të varrosur veprën e tij, përfaqëson një atentat ndaj shkencës e kulturës kombëtare, sikurse ndaj dinjitetit e personalitetit njerëzor, preludin e genocidit kulturoro-religjoz që do të ushtrohej në Shqipëri deri në vitin 1990. Fishta, dijetar dhe erudit i gjithanshëm Fishta botoi mbi njëzet vepra origjinale, në prozë e poezi (epike, lirike, dramatike, satirike etj.). Por shumë të tjera i mbetën në dorëshkrim. Ai është vlerësuar si Homeri i shqiptarëve (për “Lahuta e Malcis”) apo Gëtja i Shqipërisë (për “Mrizi i zanave” e “Vallja e Parrisit”) etj. Një kontribut të çmuar ai ka dhënë edhe në publicistikë, të pasqyruar në mbi pesëmbëdhjetë organe shtypi. Fishta ishte një intelektual universal, një personalitet profetik i kulturës shqiptare, jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe si estet. Madje, mbahet edhe si themelues i një shkolle filozofike shqiptare, siç duket, ende e panjohur nga vetë shqiptarët. Sepse krijimtaria e tij, pavarësisht formës së saj, ngarkohet me peshë filozofike. Për Fishtën edhe krijimi, edhe kritika është filozofi. Fishta krijues e kritik bëhet edhe filozof i veprës, sikurse edhe filolog, edhe historian, edhe psikolog i saj. Fishta ishte, njëkohësisht, njeri me vullnet politik, madje edhe politikan. Ai sidomos vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të shekullit XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive të kohës apo politikat e mbrapshta. Në këtë kuptim ai mund të vlerësohet edhe si politolog. Unë mendoj se ka arsye që Fishta të cilësohet edhe si një ndër pararendësit e sociologjisë shqiptare. Sepse ai ka trajtuar një problematikë e cila është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë bashkëkohore, duke vendosur një gur themeli në godinën sociologjike shqiptare. Dhe, për të gjithë ata që nuk besojnë se Fishta është edhe një studiues social, le të shohin koleksionin e “Hylli i Dritës”. Ndoshta studimi i tyre mund të ekuivalentohet me një fakultet sociologjie. Me “Lahuta e Malcis”, Fishta është quajtur “Homeri i shqiptarëve”. Por, siç dihet, Homeri nuk ishte vetëm një shkrimtar i madh, por edhe një eksplorator i madh e një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë kemi të drejtë të pohojmë se Fishta ishte një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë në kohën tonë këto fjalë. Pohimet e mësipërme, që e cilësojnë Fishtën filozof, antropolog, deri sociolog, etnolog, etnopsikolog, psikolog, politilog, historian, estet etj., edhe mund të kontestohen me “argumentin” se ai nuk ka shkruar vepra të mirëfillta mbi filozofinë, sociologjinë, antropologjinë, politologjinë apo degë e nëndegë të tjera të shkencave sociale, siç shkruajnë studiuesit e këtyre fushave në kohën tonë. Megjithatë ato janë shkrirë “andej-këndej” në veprën e tij. Jo më kot Fishta u bë anëtar i Akademisë Italiane. Ai është, gjithashtu, shqiptari i parë i propozuar për çmimin Nobel. Referuar kontestimeve të mëparshme lidhur me ndonjë deklarim të Fishtës (të shkëputur nga konteksti), unë mund të them se zemërime ndaj bashkatdhetarëve ka shprehur edhe Noli, Pashko Vasa etj. Dhe, kur ishte fjala për Shqipërinë, Fishta nuk kurseu jo më shqiptarët, por as Evropën (Kujtoni, për shembull, “Moj Evropë, moj kurv’ e motit…”). Por, edhe pse në fund të fundit, ishte prift, ai nuk ka kursyer as vetë Perëndinë. “O Perëndi a ndjeve / tradhtarët na lanë pa atdhe/e ti rrin e gjun me rrfe/ lisat nëpër male kot…”. Ky ishte “reaksionari dhe antishqiptari” Gjergj Fishta.
  24. Gjergj Fishta - MRIZI I ZANAVET GJUHA SHQYPE 1. Porsi kanga e zogut t'veres, q* vallzon n'blerim të Prillit; Porsi i ambli flladi i erës, q* lmon gjit e drandofillit: Porsi vala e bregut t'detit, Porsi gjâma e rrfés zhgjetare, Porsi ushtima e nji termetit, Njashtû â gjuha e jonë shqyptare. 2. Ah! po; â, ambël fiala e sajë, Porsi gjumi m'nji kerthí, Porsi drita plot uzdajë, Porsi gazi i pa mashtrí; Edhè ndihet tu kumbue, Porsi fleta e Kerubimit, Ka'i bjen qiellvet tue fluturue N't'zjartat valle t'ameshimit. 3. Prá, mallkue njaj bir Shqyptari, q* ketë gjuhë të Perendís, Trashigim, q* na la i Pari, Trashigim s'i a lên ai fmís; Edhè atij i u thaftë, po, goja, q* e perbuzë ketë gjuhë hyjnore; q* n'gjuhë t'huej, kúr s'âsht nevoja, Flet e t'veten lên mbas dore. 4. Në gjuhë shqype nanat t'ona Shì prej djepit na kanë thânun, Se âsht nji Zot, q* do t'a dona: Njatë, q* jetën na ka dhânun; Edhè shqyp na thanë se Zoti Per Shqyptarë Shqypnín e fali, se sá t'enden stina e moti, Do t'a gzojn kta djalë mbas djali. 5. Shqyp na vetë, po pik' mâ para, N'agim t'jetës kúr kemi shkue Tue ndjekë flutra neper ara, Shqyp mâ s'pari kemi kndue: Kemi kndue, po armët besnike, q* flakue kanë n'dorë t'Shqyptarvet, Kah kanë dekë per besë jetike, Kah kanë dekë kta per dhé t'Parvet. 6. Në këtë gjuhë edhè njaj Leka, q* 'i rruzllim mbretnín s'i a xûni, q* kah bijte ai, shkelte deka. Shekllit mbarë ligjë t'randë i vûni; Në këtë gjuhë edhè Kastriota U pat folë njatyne ushtrive, q* sa t'ndrisë e diellit rrota, Kanë me kênë ndera e trimnive. 7. Prá, Shqyptarë, çdo fés q* t'jini, Gegë e Toskë, malcí e qyteta, Gjuhen t'uej kurr mos t'a lini, Mos t'a lini sá t'jetë jeta, Por per tê gjithmonë punoni; Pse, sa t'mbani gjuhen t'uej, Fisi i juej, vendi e zakoni Kanë me u mbajtë larg kambet s'huej. 8. Nper gjuhë shqype bota mbarë Ka me u njohtë se ç'fis ju kini, Ka me u njohtë jú per Shqyptarë: Trima n'zà sikurse jini. Prandej, prá, n'e doni fisin, Mali, bregu edhè Malcija Prej njaj goje sod t'brohrisin: Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnija! Gjergj Fishta - MRIZI I ZANAVET SHQYPNIJA 1. Edhè hâna do t' a dije, Edhè dielli do t' két pá, Se per qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija 'i vend nuk ká ! 2. Fusha t' gjâna e kodra t' blera, Zijes s' mnershme larg kû âsht droja, Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera, Si t' Parrizit t' larmet shtroja. 3. Nen nji qiellë perherë t' kullueme, N' rreze e n' dritë pershkue unjí, Bjeshkë e male të blerueme Si vigâj shtiellen n' ajrí. 4. Ke ato bjeshkë e ke ato male Kroje t' kjarta e t' cemta gurra, Tue rrëmbye nper mriza hale, Gurgullojn nper rrâjë e curra. 5. Mbi ato male e bjeshkë kreshnike Léjn mande' ata djelm si Zâna, Armët e t' cillvet, p'rherë besnike, Janë permendë nder fise t' tana. 6. Atje léjn, po Toskë e Gegë, Si dý rreze n' flakë t' nji dielli: Si dý rrfé, q* shkojn tue djegë, Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli. 7. Oh! Po, e din i prûjtë anmiku, Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit, Rijtun gjakut kah çeliku N' dorë t' ktij shndritë per vend t' të Parit. 8. Ato male të madhnueshme, Ato, po, kanë mûjtë me pá Se sa forca e pafrigueshme N' turr t' Shqyptarit pît ka rá. 9. Dridhet toka e gjimon deti, Ndezen malet flakë e shkndija, Ka' i frigueshëm, si termeti, Atje rrmben kû e thrret Lirija. 10. Lume e shé para atij ngelin, I a lshojn udhen dete e male; Mbretent fjalen s' mund t' i a shkelin, Turrin ferri s' mund t' i a ndale. 11. Shkundu pluhnit, prá, Shqypní, Ngrehe ballin si mbretneshë, Pse me djelm, q* ngrofë ti n' gjí, Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë. 12. Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit, q* zanát ka besë e fé, Per Lirí, per fron të Mbretit Me dhânë jeten ka bâ bé. 13. Sy per sy, po, kqyr anmikun; Perse djemt, q* ti ke ushqyue, S' i ka pá, jo, kush tue hikun: Friga e dekës kurr s' i ka thye, 14. Kaq të bukur, kaq të hieshme Perendija t' fali i Amshueshem, Sá 'dhe deka âsht per tý e shieshme: N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshem. 15. Po, edhè hâna do t' a dije, Edhè dielli do t' két pá, Se per qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija 'i vend nuk ká ! 16. Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, E me dije e me Lirí Per jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera. Lambertz?i për Fishtën Dijetari i "Austrisë së Vjetër" Maximilian Lambertz (Vjenë 1882 ? Lajpcig 1963) erdhi në albanologji me përgatitje nga gjuhësia e krahasuar indoeuropiane. Në fillimet e punës së tij qe marrë me çështje të filologjisë klasike greke. Kishte bashkëpunuar disa vjet në hartimin e veprës Thesaurus Linguae Latinae, mandej qe marrë me hulumtime të letërsisë gojore, të onomastikës, të mitologjisë etj. Fusha e albanologjisë ajo është, pa dyshim, ajo ku ai dha pjesën e vet më të vyer të ndihmës duke studiuar probleme gjuhësore, posaçërisht të dialektologjisë, të sintaksës, të leksikografisë, por edhe probleme të mitologjisë, të onomastikës, të letërsisë gojore, si dhe asaj të shkruar shqiptare. Simbas një dëshmie të Dr. E. Çabejt, lidhjet e Lambertz?it me kulturën shqiptare u patën vendosur prej një njohjeje të tij të rastësishme të disa barinj të anës së Tebes (Thivës), të cilët i ndjeu të flisnin shqip duke kullotur bagëtinë1. Mendimi im është se lidhjet Dr. Lambertz?it me kulturën shqiptare, në përgjithësi, kanë ardhur prej kontingjencash mjaft më komplekse nga ato që E. Çabej përshkruan. Një nga aspektet më pak të njohura të kontributit lambertzian në albanologji, më sak një aspekt i shpërfillur ose, gjithsesi, i mbajtur në hije, është ai i gjykimeve, vlerësimeve e studimeve mbi Gjergj Fishtën dhe veprën e tij. Me këtë pjesë të kontributit të tij albanologjik mendoj se lidhet edhe një ndër detyrimet që kultura shqiptare i ka këtij dijetari. Për veprën e Fishtës Larmbertz?i duket të jetë shprehur për herë të parë më 1913, në librin e dorës që botonte atë vit në Vjenë dhe Lajpcig së toku me Dr. Gj. Pekmezin: Libër mësimi dhe leximi i shqipes2. Në të, ndër pjesët ilustruese botohet kënga "Marash Uci" nga Lahuta e Malcís3. Ndërsa vlerësimet e tij të para për veprën e Fishtës shfaqen në punimin e vitit 1916 Raport mbi hulumtimin tim gjuhësor në Shqipëri nga mesi i majit deri në fundin e gushtit 1916. Raporti u botua së pari në Anzeiger 53, organ i Akademisë Perandorake të Shkencave të Vienës4, mandej si broshurë më vete në Vjenë5. Sikurse kuptohet edhe nga titulli, teksti është fryt i një pune të autorit në terrenin shqiptar, gjatë së cilës ai duket se ka bërë të njohur edhe personalisht me Fishtën; më pak se një vit më vonë ai do të flasë për Fishtën me "miksí" dhe "mall". Në Raportin e tij Lambertz?i e paraqet Fishtën si "poet gjeni" ("Dichtergenius")6, e vlerëson për trajtat origjinale dhe pastërtinë me të cilat përdor gjuhën duke u mbështetur në "dialektet e folura dhe të shkruara të Veriut"7. Veç vlerësimit nga pikëpamja gjuhësore, në këtë Raport bën edhe ndonjë përcaktim lidhur me artin e Fishtës, duke vlerësuar satirën e përmbledhjes Anzat e Parnasit, lirikën e vëllimeve Pika voeset dhe Mrizi i Zanave, ndërsa Lahutën e Malcís e vlerëson si "kryeveprën e tij"8. Kujtoj se më 1916, kur e bën Lambertz?i këtë vlerësim, Lahuta mund të quhej ende "në mesin e vet"; botimi i saj përfundimtar do të realizohej më 1937. Një viti më mbas i përket punimi monografik Poezia popullore e shqiptarëve. Një hyrje në gjuhën shqipe. Ai u botua së pari te Posta e Shqypniës9, e cila delte në Shkodër dhe kishte një ndër themeluesit vetë Fishtën. Po atë vit punimi u botua edhe në Sarajevë10, me nënshënimin e Lambertz?it: "Shkodër, gusht 1917"11. Këtë botim Lambertz?i ia kushtonte Fishtës, në gjermanisht dhe në shqip: "At Gjergj Fishtës, O.F.M., Vjershtarit e Kangtorit të vepravet trimnijet të Kombit të Shqyptarvet me miksi e me mall ket libër kushton shkruesi"12. Në këtë punim autori sillte, mes të tjerësh, shembullin e vajit nga Lahuta. Është fjala për vajin e motrës së Avdi Hisës, të cilit Vulo malaziasi i merr petka e armë bashkë me tufën e gjasë. E motra, kur e sheh të vëllanë në vig, nis vajtimin që fillon me vargun "Kur ka dalë qaj hylli i dritës, / O vllau i ?m, o vllá!" (kënga III: Preja). Lambertz?i dallonte tonin e lartë poetik të tekstit fishtean, mbështetur në traditën popullore, si dhe jepte një përkthim të vargjeve 60?112 në gjermanisht13. Më e rëndësishmja, në këtë rast, është se ai fillonte të hiqte paralele mes epikës së Fishtës dhe asaj të Homerit, duke e krahasuar vajin shqiptar me vajet e Akilit për Patroklin, të Andromakës për Hektorin etj.14 Vitet 1916?1917 qenë edhe vite të pjesëmarrjes aktive të Lambertz?it në "Komisín letrare shqipe", të krijuar në Shkodër me gjuhëtarë shqiptarë dhe austriakë për të zgjidhur problemet e normëzimit të gjuhës shqipe. Në këtë "komisí" njohja me Fishtën duhet të jetë thelluar ende në një fushë tjetër: atë të gjuhësisë. Bën përshtypje, për shembull, një tezë e formuluar prej Lambertz?it si në atë kohë, ashtu më vonë. Ai shprehej kundër një gjuhe të përzier gege?toske, një gjuhe që nuk flitej askund, si dhe parashikonte rrezikun e hapjes së një hendeku të thellë midis njerëzve të zyrës, të shkollës e të kulturës dhe njerëzve të popullit, pra të një diglosie artificiale sikundër ekzistonte (dhe ende ekziston) në Greqi. E gjitha kjo të kujton tezën e Fishtës: "Ajo s'asht gjuhë; ajo asht si mushku, q* s'asht kal as gomar", tezë e formuluar prej shkrimtarit qysh në një recension të vitit 191415 dhe e përsëritur shpesh më vonë. Më 1943 Lambertz?i botoi disa tekste dhe libra dore ndër më të rëndësishmet në veprimtarinë e tij: Dialektet e gjuhës shqipe16, Libër leximi i shqipes me një Hyrje në gjuhën shqipe17, vëllimin II të tij, dhe Gjeneza dhe zhvillimi i letërsisë në gjuhën shqipe18; dy të fundit të ribotuara edhe më 1948. Te Dialektet, duke hequr vijat diverguese dhe ato konverguese që karakterizojnë dialektet e shqipes, ai përshkruante rolin e Fishtës në gegnishten, e përcaktonte atë si themelues të "koinesë veriore gege" ("nordgegische Koine")19 etj. Në antologjinë Libër leximi e paraqiste Fishtën me disa pjesë: Shen Nkolli e Djalli n'Sh'Njin, Tartufi, Dijsja dhe Marash Uci e Kulshedra nga Lahuta20. Te Bibliografi e shkurtër e autorëve shqiptarë, që shoqëronte antologjinë, e cilësonte Fishtën si "poeti më gjenial që deri më sot Shqipëria ka dhënë" ("der genialste Dichter, den Albanien bis heute hervorgebracht hat")21. Në vëllimin II të antologjisë ai sillte edhe përkthimin gjermanisht të pjesëve në fjalë22. Te Gjeneza dhe zhvillimi i letërsisë në gjuhën shqipe Lambertz?i merrej së rishti me Fishtën, duke e cilësuar "poeti më i madh shqiptar"23, ndërsa Lahutën e quante "epi më i madh artistik i shqiptarëve, krijuar mbi bazën e poezisë gojore shqiptare, sidomos mbi teknikën epike të rapsodive të trimërisë"24. Duke folur për famën e Fishtës si poet, Lambertz?i shënonte: "Populli i vet e nderoi atë me titullin Poeti kombëtar (nationaler Dichter), por atë, me miratim e nderim, e çmonin edhe jashtë qysh në gjallje të tij"25. Pak a shumë të njëjtat vlerësime për Fishtën dhe veprën e tij Lambertz?i do t'i përsëriste edhe në punimin Shqiptarët, gjuha e tyre dhe kultura e tyre, të vitit 194926, si dhe në punime të tjera të mëvonshme. Viti 1949 në veprimtarinë shkencore të Lambertz?it do ta meritonte të quhej "Viti i Fishtës". Këtë vit ai botoi në Lajpcig, si libër më vete, studimin monografik Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís27. Ky punim është, pa dyshim, summumi i kontributit lambertzian për Fishtën. Ai paraqitet si rezultat i qasjes graduale të albanologut ndaj veprës së poetit shqiptar, por edhe i njohjes së tij progresive (thuajse 35?vjeçare) me këtë vepër. Në bazë të tij qëndron tanimë credo?ja e studiuesit, e parashtruar qysh në hyrje të monografisë: "Lahuta e Malcís është vepra më e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Epi është ngritur nga poezia popullore. Përmjet teknikës epike të baladave dhe rapsodive popullore, të cilat ende sot jetojnë në malet shqiptare, poeti paraqet gjenezën dhe zhvillimin e popullit shqiptar në tridhjetë këngë. Epi është një minierë për folkloristët dhe historianët, krejtësisht pranë popullit, ai qëndron sot në qendër të mendësisë shqiptare dhe është i mbushur plot bukuri të larta poetike. Ai e meriton që, nëpërmjet përkthimit në gjuhë të tjera, të gjejë hyrjen në letërsinë botërore"28. Punimi është konceptuar simbas një skeme që mund të quhet klasike për shkollën austriake të filologjisë. Shpjegohet pikësëpari ç'është lahuta dhe ç'janë kangët e lahutës për shqiptarët e Maleve. Jepen shkurt specifika të epikës popullore shqiptare, duke u ballafaquar ajo edhe me epika të popujve fqinjë. Bëhet një hyrje e përmbledhur në epin e Mujit dhe të Halilit, në mitologjinë e Maleve shqiptare etj. Mandej kalohet në të dhëna jetëshkrimore mbi Gjergj Fishtën, përshkruhet veprimtaria e tij si dijetar ("Fishta als Schulmann") dhe si reformues i gjuhës ("Sprachreformer"). Flitet për krijimtarinë letrare të tij, duke kaluar nëpër publicistikën e tij, lirikën dhe satirën. Mbas kësaj, bëhet përshkrimi i përgjithshëm i Lahutës së Malcís dhe këtu fillon së rishti ballafaqimi i saj me epikën e lashtë helene, më së shumti me epet homerike, duke u trajtuar Fishta tanimë si homerid ("Fishta als Homeride"). Shtrohen kalimthi edhe dy tezat e prejardhjes së epikës homerike: ajo unitariste dhe ajo analitike. Vjen mbaskësaj përshkrimi i 30 këngëve të Lahutës, një për një. Një pjesë e madhe e punimit u kushtohet analizës konkrete të epit fishtean, lëndës së tij ("Stoff des Epos"), karakteristikave të tij epike, por edhe lirike, teknikës tregimtare të nxënë prej rapsodive të trimërisë, treguesve metrikë etj. Më së fundi, ballafaqohet struktura e epit fishtean me konceptin virgjilian të Enejdës, vihen në dukje implikimet në ep të mitologjisë popullore, të së drejtës dokesore shqiptare ("Kanuni"), të sistemit frazeologjik e proverbial shqiptar, përshkruhet "bota popullore" në të, veçanërisht bëhen konstatime mbi "nomenklaturën e trimave" ("Heldenomenklatur") dhe teknikën psikologjike të përdorur nga autori për kalimin nga personat historikë në personazhet fikcionalë. Prurjet më origjinale të Lambertz?it në këtë monografi, posaçërisht të rëndësishme edhe sot për t'u thelluar në studimet fishteane, më duken këto: 1) Vendosja e pikave të përkimit mes epikës së Fishtës dhe asaj homerike dhe, sidomos, caktimi i pikave të largimit mes dy modeleve epike29. 2) Vënia në dukje e elementit lirik brenda lëndës së përgjithshme epike, si një eksperiment tipik modern nga ana e Fishtës; për shembull në këngën XXVI të Lahutës, me titull Koha e re, të cilën Lambertz?i e mbiemëron "Një idil në Lezhë" ("Ein Idyll aus Lesh")30. 3) Dëshmitë e rralla, madje unikale, që ai sjell nga "procesi krijues" i Fishtës. Një shembull: "Planin e Lahutës së Malcís ai e mbajti gjatë në vete, pa vendosur dot të hiqte vijën e parë me penë. Kjo e mundonte dhe ai pati një kohë të vështirë. Ankohej shpesh se nuk bënte dot përpara në epin e tij. Por një natë, ? më tregonte ai më vonë, ? ndërsa vente e vinte i menduar nëpër korridorin e heshtur të kuvendit, poshtë e lart para qelës së vet, dhe mendonte për lëndën e vet epike, papritmas e kaplon një ndjesi si t'iu kërleshkëshin flokët, si të qenkësh ngritur nga vetja dhe ja se ku sheh qartë me sy trimat e Malësisë: Oso Kukën dhe Marash Ucin, Ali pashë Gucinë dhe Tringën, Dedë Gjo' Lulin dhe gjithë të tjerët; i sheh si kalojnë para tij, si jetojnë, luftojnë dhe vdesin. U sheh petkat dhe kuajt, armët dhe fytyrat, i dëgjon të flasin dhe shikon në varg bëmat e tyre. Atë çast zgjohet. Ishte pikërisht mbas mesit të natës. Vetëm një copë herë të shkurtër qe rrëmbyer nga ekstaza dhe pati besuar se kishin kaluar vite të tëra. Ai e pati përjetuar epin e vet"31. 4) Teza e një organizimi ciklik të epit, simbas modelit virgjilian, ndoshta më origjinalja e Lambertz?it mbi këtë subjekt. Simbas kësaj teze, Lahuta është konceptuar me një strukturë që ka si bërthamë ciklin e Oso Kukës; rreth këtij vjen e mbështillet cikli i Kongresit të Berlinit e i Lidhjes shqiptare të Prizrenit; këtij i mbivendoset cikli i luftës për Hotin dhe Grudën dhe, së fundi, shpaloset cikli i quajtur i "kohës së re", d.m.th. i betejave të Dedë Gjo' Lulit etj.32 Monografia Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís nuk është vetëm një ndër majat e krijimtarisë shkencore të Lambertz?it dijetar; për kulturën shqiptare, posaçërisht për studimet mbi Fishtën, ajo ka mbetur ende e pakapërcyer, madje e paarritur. Do ta quaj fat të keq që kjo monografi vijon të mbetet e papërkthyer në shqip, pra e panjohur për lexuesin shqiptar. Teza të kësaj monografie Lambertz?i do t'i rimerrte, më pak ose më shumë, edhe në ndonjë punim të tij të mëmbasëm. Tezën homerike, për shembull, do ta shtjellonte më gjerë në një studim të posaçëm, të botuar më 1961 te Shejzat, me titull Çështja homerike dhe epi shqiptar Lahuta e Malcís33. Këtu tani objekti nuk është më thjesht vepra e Fishtës. Ajo shtihet në punë për të mbështetur, në debatimin e çështjes homerike, tezën unitariste në kundërvënie të asaj analitike, të shfaqur në filologjinë klasike prej teorisë së August Wolf?it (1795) e këndej. Për Lambertz?in Gjergj Fishta me Lahutën e Malcís është një shembull i kohës së re për të hedhur dritë mbi çështjen homerike. Simbas tij, si lahutarët shqiptarë që deri në shek. XX këndojnë "kangë trimash" ose "kreshnikësh" mbasditeve nën blire, ndër dasma ose rreth vatrave, po ashtu 3000 vjet më parë rapsodët helenë janë endur brigjeve perëndimore të Azisë së Vogël, ishujve të Egjeut, nëpër Kretë e nëpër krejt sterenë greke, duke kënduar për Paridin dhe grabitjen e Helenës së bukur, për Agamemnonin dhe Menelaun, për Ifigjeninë dhe flijimin e saj në Aullí, për hakmarrjen e Klitemnestrës, flligshtinë në gjak të Orestit, martesën e Peleut me Tetisin, Odiseun dinak dhe Ajaksin ambicioz, miqësinë e Akilit me Patroklin, qëndresën dhe rënien e Trojës dhe me radhë. Kështu deri kur u shfaq një person për të cilin dimë se në të ri kishte fituar njohuri të thella mbi ciklin e këngëve epike helene, që përafërsisht mund të krahasohen me ciklin e këngëve popullore shqiptare të Mujit e Halilit. Ai rridhte prej krahinës së Smirnës, Rodosit, Kiosit etj. Ky person, që mund ta ketë pasur me të vërtetë emrin Homer, patjetër ka qenë një gjeni. Besimin e Lambertz?it në ekzistimin e personit të Homerit e përforconte pikërisht përvoja e krijimit të Lahutës së Malcís. Në Malet shqiptare, simbas tij, kemi të bëjmë me "rrethana përafërsisht të njëjta"; edhe aty na paraqiten këngë popullore dhe cikle këngësh trimërie, që janë kënduar me shekuj në të kaluarën, derisa është shfaqur një gjeni që, duke u mbështetur në to, ka prodhuar epin e vet34. Ashtu si Homeri që pati njohur në pëllëmbë të dorës brigjet perëndimore të Azisë së Vogël, ishujt e Egjeut, Kretën dhe krejt sterenë greke, për Lambertz?in edhe Fishta pati qenë njohës i thellë i Maleve shqiptare ku zhvillohen ngjarjet e Lahutës35. Madje Lambertz?i qe i mendimit se "Gjergj Fishta intuitivisht e kishte kuptuar të vërtetën rreth origjinës së epopeve homerike, mbasi edhe ai vetë ishte si Homeri"36. I gjithë ky kontribut në studimin e veprës së Fishtës, të specifikave të saj kombëtare, por edhe universale, gjeti kurorëzimin e vet afër fundit të jetës së Lambertz?it me botimin gjermanisht të Lahutës, përkthyer prej tij37. Për një njohës të mirë të filologjisë gjermanike, por edhe të epikës fishteane, si E. Çabej: "Ky përkthim është i vetmi i plotë gjer më sot dhe është më i miri nga përkthimet e këtij epi"38. Po t'i shtohen vlerës së përkthimit edhe vlerat e hyrjes Poeti dhe vepra e tij, si dhe të Shënimeve me të cilat botimi është pajisur, është e drejtë ta quash këtë vepër të Lambertz?it "kurorëzim me lavdi" i kontributit të tij në fushën e studimeve fishteane. Sikurse besoj që shihet edhe nga sa parashtrova, ky aspekt i shpërfillur ose, gjithsesi, i mbajtur në hije i kontributit lambertzian në albanologji, që ka të bëjë me gjykimet, vlerësimet dhe studimet mbi Fishtën dhe veprën e tij, përbën një rast unikal të përfshirjes në përmasa të tilla nga ana e një albanologu të huaj në studimin e veprës së një figure madhore të kulturës shqiptare. Pa mohuar kontributin e vyer të dhënë në studimet mbi Fishtën prej albanologësh austro?gjermanë (Weigand39, Patsch, Jokl, Stadtmüller40 etj.), është pa dyshim Maximilian Lambertz?i ai të cilit i takon të quhet "themelues i fishtologjisë", meritë të cilën do të duhej t'ia njihnim të gjithë që, mbas tij, merremi me studimin e veprës së Fishtës. 1998 1 E. ÇABEJ: Maximilian Lambertz, në "Studime gjuhësore", v. V, Prishtinë 1975, 176. 2Lehr? und Lesenbuch des Albanischen von Dr. Max Lambertz und Dr. Georg Pekmezi, Wien?Leipzig 1913 (pa d.). 3Po aty, 109?113. 4Bericht über meine linguistischen Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916 von Dr. phil. Maximilian Lambertz, në "Anzeiger 53. Keiserische Akademie der Wissenschaft in Wien", nr. XX, 122?146. 5Wien 1916, 27 f. 6Po aty, 13. 7Po aty, 13. 8Po aty, 15?16. 9Vjeti 1917, nr. 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23, 25. 10Die Volkpoesie der Albaner. Eine Einführende studie von Dr. phil. Maximilian Lambertz, Sarajevo 1917. 11Po aty, VII (pa nr.) 12"Pater Geog Fishta, O.F.M., dem in seinem Volkstum wurzelden Nationalen Dichter der Albaner in treuer Freundschaft gewidmet", po aty, V (pa nr.). 13Po aty, 64. 14Po aty, 65. 15Bibliofrafië. Asdren: Ëndra e lotë, vjerrsha etj., në "Hylli i Dritës", 1914, nr. 8, 264. 16M. LAMBERTZ: Die Mundarten der albanischen Sprache und ihre Erforschung, në "Leipziger Vierteljahrsschkrift für Südosteuropa", 1943, Heft 2?4, 123?160. 17 Albanisches Lesebuch mit Einfuhrung in die albanische Sprache von Maximilian Lambertz. I. Teil, Leipzig 1943 (1948). 18M. LAMBERTZ: Das Werden der albanischen Literatur, në "Leipziger Vierteljahrsschkrift für Südosteuropa", 1943, Heft 2?4, 160?174; ribot. edhe në "Albanisches Lesebuch...", 373?387. 19M. LAMBERTZ: Die Mundarten..., 138. 20Albanische Lesebuch..., 144?174 21Albanische Lesebuch..., 368. 22II. Teil, Leipzig 1943 (1948), 53?77. 23M. LAMBERTZ: Das Werden..., 170. 24 Po aty, 170. 25 Po aty, 170. 26M. LAMBERTZ: Die Albaner, ihre Sprache und ihre Kultur, në "Blick nach Osten", Januar?Juni 1949, 3?21. 27Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos "Lahuta e Malcis" (Laute des Hochlandes). Eine Einfuhrung in die albanische Sagenwelt von Maximilian Lambertz, Leipzig 1949. 28Po aty, III (pa nr.). 29E ka trajtuar në gjerësi dhe thellësi A. Berisha: Maximilian Lambertz?i për Gjergj Fishtën si Homeri shqiptar, në "Hylli i Dritës", 1993, nr. 1, 54?61. 30Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos..., 39. 31Po aty, 12. 32Po aty, 45. 33Die homerische Frage und das albanische Grossepos von Max Lambertz, në "Shejzat", 1961, nr. 11?12, 385?391; një përkthim shqip nga Dr. R. Krasniqi: Homeri dhe epopeja shqiptare, në "Shejzat", 1973, nr. 9?12, 332?336. 34Po aty, 386?387. 35Po aty, 387. 36Po aty, 386. 37GJ. FISHTA: Die Laute des Hochlandes, Übersetzt, eingeleitet mit Änmerkungen versehen von Max Lambertz, München 1958, 312 f. 38E. ÇABEJ: Maximilian Lambertz (1882?1963), në "Sudime gjuhësore", v. V, Prishtinë 1975, 180. 39G. WEIGAND: Lahuta e Malcís von Gjergj Fishta , në "Balkanarchiv I", 1925, 165?275. 40G. STADTMÜLLER: Gjergj Fishta, Albanischer Nationaldichter, në "Stimmen aus des Südosten", 1942, Heft 9?10, 133?135; po ai: Das albanische Nationalepos, në "Stimmen aus des Südosten", 1942, Heft 11?12, 171?180.
  25. 1 Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi! Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi. Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa; se ke shekuj që të flesh në qetësi". 2 Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte, Një zë që nga Taverna po gjëmonte: "Cohuni, djema, e Verë sillnani, Se Fati na e tha lëngun sonte". 3 Dhe posa në tavernë këndoi gjeli, Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni! E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli". 4 A di përse këndesi po këndon Dhe menatë nga gjumi po të zgjon? Që shkoi një ditë po të lajmëron, Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron. 5 U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj: Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë, Gërshetin me lahutën lavdëroj. 6 Kur Diellin me zjarr kurorëzuar, E pret me gas Natyra faqeshkruar, Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar. 7 Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit, Bilbili nisi këngën e dëfrimit Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë, Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit. 8 Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi Perden e Natës, Yjt' i arratisi, Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi Cdo majë mali, pallati e lisi. 9 O Engjëll faqedritë, ja u gdhi, Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi! Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan, Qysh dimërojnë sot në Varrverri. 10 Ja, Mars'i ri dëshirat na valon, Cdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron. 11 Mbi lulet po pikojnë vesë retë, Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë: Ah, Verë! Verë! Trëndafilit I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë. 12 Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë Dhe thotë: "Puthuni e pihuni! S'e gjeni këtë ditë tjatër herë". 13 Shiko luadhe, lule, bukuri, Lumenj kristali, kronj e brohori: Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti, Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri. 14 Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj Dhe botës bukurinë po ia shtoj: Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj". 15 "Jam, thotë, lulja e Josefit t'ri T'Egiptes, xhevahir, zëmërflori: Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur Prej vllezërve dhe gruas Petefri. 16 Tufani kopshtin kur ma çkatërron Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon, Pështillem si burbuq' i Trëndafilit, Po zemra gjak përbrenda më pikon. 17 U dogja dhe u përvëlova: Verë! Nga vrer'i lotëve u shova: Verë! Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë! 18 Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle, Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle, Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle. 19 Nga njëra dorë Trëndafil e Grua, Nga dora tjatër patsha Rrush e krua: "Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!" Po as m'a fal pendimin, as ia dua. 20 Një Engjëll më tërhiqte në Xhami, Një Djall po më zvarrniste në Dolli; Po Ver' e kuqe e fitoi davanë: Gërshet këtej - edhe andej Hardhi. Fotografitë e Bashkëngjitura 21 Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh Veten humbet, e veten gjen, bekohesh: Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse, Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh. 22 Te Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen, Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen: C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur, Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen. 23 "Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia, "Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?" Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës, Ja shkaqe si kristal nga qartësia. 24 Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi: Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë Se çdo shamat' e turmës në Xhami. 25 Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje, Dhe adhuroje si Altar prej Feje: Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër; Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje. 26 Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë: Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar Prej meje s'nëmërohet asnjëherë. 27 S'ka hir apo shëmtim në Dashuri, Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi, As për pallate a kasolle a shpella As për mëndafsh a rrecka a stoli. 28 Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime Pa prerë vuan e lëshon rënkime: Kur më dha Zoti Verë Dashurie, Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime. 29 E prisja! Si rrufeja më tronditi! E Dashura më shkoi, më neveriti: S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti! Në Ferrin nga Parajsa më vërviti. 30 Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë, M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë, Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë: Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë! Fotografitë e Bashkëngjitura 31 Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë, Sa e sa herë zemra m'është grirë: Ty natën të kujtoj e psherëtij, Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë. 32 Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri, Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri: Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi. 33 Te rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba Pikova gjak, u çora dhe u shëmba: Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri Në flokët e së Dashurës me dhëmba. 34 Zemrën me sy e dashura ma ndes, Zemraqiri me flakën rron e vdes: Te flak' e bukur zemraflutur turret, Kurban e tëra digjet pa kujdes. 35 Me syrin bukuri e dritë çpall, Në zemrën Dashuri e zjarr më kall: Ti s'më vë re aspak ose më tall, Kur unë pshërtij për ty me mall. 36 Zefire, fryre, syri im të pa, Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la Dhe dyke fluturuar pas të ra: Banesën sot në gjoksin tënt e ka. 37 Selvia që më bëri skllav e mbret Tani më nisi prapë muhabet; Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë: "Bëje të mirën dhe e hith në det". 38 E dashura shkëlqeu, më vërboi, Zemra më fliste gjuha më pushoi: Kush pa me sy torturë kësisoj? Nga etja u dogja, u shova mun te kroj. 39 Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush? Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush? Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë Nga Dashuria të sëmurë, kush? 40 Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim, Jam lodhur me kërkim e udhëtim: Të bukur Qiparis si ti s'kam parë, S'të kapërcen as hëna në shkëlqim. 41 O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi, M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi: Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka; Një qind herë më e çmuar më je ti! 42 Si në mëngjes burbuqi i vesuar Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar, Më ndrit me gas fytyra e përlotur Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar. 43 Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen, Dhe që me zë Bilbilin e gënjen, Një sy i luan Mbretit t'Babilonës Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben. 44 Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin; Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin: Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë, Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin. 45 Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë, Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë; Se bukuria jote s'rron për jetë; Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë. 46 Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë, Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë: Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë, Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë! 47 Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë, Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur Se në pallat a fron një qint Sulltanë. 48 "Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë; "Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë: Ah, merr trumpetat e ler kusurin, Daullet, pompat lark le të gjëmojnë. 49 Në botë kotësira mos lakmo Të mirat e të ligat ia harro: Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër, Si Yll më ndrit, si Diell perëndo. 50 Shpirti për ku m'u bë prej Perëndie? Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë, Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie. 51 Se save që për Dhenë bëjnë rragë Dhe save që për Qiell hedhin flagë, Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet: "Të çmëndur! S'ka as lart as poshtë çpagë!" 52 Me vajzën në prënver' e në lëndinë Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli! Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë. 53 Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë, Te vija në lëndin' u shtri - në pastë, Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë, Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë. 54 Një kupë Verë, mor Saki - ta puth! Vajzën e bukur si selvi - ta puth! Atë gërshet si lak të zi ku kapet I urti plak e djal'i ri - ta puth! 55 Nem kupën dhe këndo një melodi, Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni: Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja Dhe s'duhet pirë veç me brohori. 56 Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua, Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua, Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua. 57 Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë; Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë. 58 Po eni me Khajamin dhe ia shtroni Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni: Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim E Taji në zijafet, mos i dëgjoni. 59 Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi: Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton, Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi. 60 E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron: Po nesër? nesër ndofta fryra, humba Në shqotën ku e djeshmja fluturon. 61 Na fryri dita, mor Saki: sill Verë! Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë! Bota një her' u mbyt në kataklizmë, Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë! 62 U bëra prapë djal' i ri: sill Verë! Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë! S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki, Si jeta ime në Persi: sill Verë! 63 Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi, Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi: Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam Që na shëroi e me shëndet na mbushi. 64 Si merimanga vallë pse ta tjerim Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim? C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim? 65 Në Nishapur ose në Babilon, Me Kupën që tharton e ëmbëlson, Fletët e Jetës një nga një na bien Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon. 66 Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret, Se Koha nëpër këmbë po na shket: E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen; C'mërziti kur e sotmja ka lezet? 67 Ditën e shkuar fare e harro Dhe për të nesërmen mos u mendo: Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë, Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro. 68 Për nesër mos u verdh sa pa e parë, Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë: Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët Që shkuan shtatë mijë vjet më parë. 69 Me Buzët trëndafilen shtatselvi Këndo e nat' e ditë zbras Dolli: Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi. 70 Të shkuarat mos i kujto me lot Dhe për të pritmet mos u loth më kot: Sa kohë në luadhin je, kullot; Nga drapr' i Vdekjes nukë shpëton dot. 71 Buza që puth e Vera që po pi Vërtet mbarojnë dhe ato si hi: Po sot të paktën je një hi i gjallë, Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi. 72 Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë Për qafe kape Qiparisn' e gjatë. Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë. 73 Sa nga të dashurit mbi këtë bar Që m'emëruan për trashëgimtar I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr. 74 Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë: Festuam, pim' e biseduam bashkë, Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!" 75 Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë, Ku pleqtë na bekuan me Dollinë, Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim Dhe do ta zbrazim vendin për risinë. 76 Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu Sis' i jep lules si një çilimiu; Nga varri bukën ia mëkon njeriu: Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu. 77 M'i kuqi Trëndafil i çdo behari Nga toka mbin që piu gjak Qesari: Në gji të kopshtit manushaqja shket Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri. 78 Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel Bregun e lumit ku tani po ngel, Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel, Se s'di nga cila buz' e bukur del. 79 Ah, Trëndafili me prënverën shkon Vjeshta risisë fletët ia rrëzon: Bilbili, që në degët i këndon, Ikën - e kush e di ku fluturon? 80 Ah, pini dhe Khajamit shtjerini! Profetët le të flasin, lerini! Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes, Si lulëzon, - dhe profkat prejini! 81 Cdo shpresë që në flakë na përfshin Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin Mbi kum të shkretëtirës si dëbora Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin. 82 Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret Dhe gazet e dëfrimet plot lezet S'të janë veç si ves' e lulevet, Që ndrit menatë dhe pastaj humbet. 83 Edhe ay që mbleth e shin flori Edhe ay q'e heth, e derth si shi, Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë: Po kalben, myken nënë Dhe të zi. 84 Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer, Që netët edhe ditë ka për dyer, Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer. 85 Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj? Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj? Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj? Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj? 86 Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë, Këtejza do të shkosh me lot një ditë, Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë Në **** do të mbarosh pa mot i mpitë. 87 S'banojnë veç luanë dhe zhapi Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi: Bahrami, që me lak onagre kapte, U lak, u kap në llom' e pellgpusi. 88 Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti: Përmbi gërmadha tani qyqja qan: "Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?" 89 Nga mur'i Tusit Korbi po vë re Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë, Daullet dhe trumbetat ku m'i ke? 90 C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç! Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç! Sa para bën se sot jam Yll e Dritë Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç! 91 Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump! Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump! Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump! Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump! 92 Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore, Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore: Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire, Përpin, e sa dafina prej kurore! 93 Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove, Sa e sa zemra copëtove e shove: C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza, Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove! 94 O Racë Njerëzore e verbuar, O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar, O Hiç, e korkolitur mbi Avushën, Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar! 95 Apo mos e harruat Historinë Që Botës i dha Dritën, Diturinë, Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë? 96 Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu, E para krijatyrë del nga Dheu: Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu, Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu. 97 Si en' e bën me mend e thellësi, Kuror' i thur me nder e me lavdi: Pastaj Poçari Kryeveprën kap Dhe e dërmon përtokë, e bën hi. 98 Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë? Kështu e bëri Zoti Njerëzinë: Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm, Vajtojnë pak e çduken në Greminë. 99 Njeri, Margaritari i Krijesës, Q'u shove nga tortyrat e Jetesës, Pi Kupën e harrimit e të prehjes, Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës. 100 Përulu Fatit tiranik e vrer, Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr: Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh, Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter. 101 Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim Në Pluhër sa pa zbritur për pushim, Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë, Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim! 102 Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili, Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili, Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras Kur të ta japë natën Xhebraili. 103 Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë Dhe para se të vdesim ta gëzojmë: Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë! 104 Pra, si Zambaku që me sy përpjetë Pret vesën gojëhapur lart nga retë, Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë. 105 Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar, Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar, Se as për mjekrën tënde as për timen S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar. 106 Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë, Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë: Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund, Të piu varri, krimbat do t'të hanë. 107 Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen, Se Fati nënë Rrotë të mbërthen: Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen! Se Feja me Parajsën të gënjen. 108 Mos u mërzit me punë Perëndie, As me andrralla e profka Njerëzije: Mbyti të gjitha në duman të Verës Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie! 109 Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan Cdo lutje që të mjerët u drejtuan Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë: Kush na u kthye nga ata që shkuan? 110 Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi, Me Fe e sherr Sheri të piqemi? Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi Se sa me vrer për hiç të ligemi? 111 Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë, Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë! E bukur je, po nukë bën për mua!" Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë. 112 Për Ligjë kam për ditë të dëfrej, Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej; Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë; Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej". 113 E dini, o miq, se në kasollen time Dasmë të re kam bërë me dëfrime: Tri her' e ndava Fen' e Arësyen Dhe mora nuse Rrushkën Serafine. 114 Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar E Qiell e Dhe kam matur e peshuar: Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam I thellë veç në Verën e Kulluar. 115 Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta Pallatin ku shkëlqente e Vërteta: Tani q'u mplaka di që s'dija gjë E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta. 116 Kur isha i ri, me zell, me mall po milja Doktorë me Shenjtor' e trobolitja Të thella argumente: po përherë I marrë hyja dhe m'i marrë dilja. 117 Me ta të Lartën Urtësi e mbolla, Me dorën tim'e rrita, e pështolla, Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal: "Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!" 118 Në Botë, dhe pa ditur as përse As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke, Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës, Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re. 119 Si zok nga pylli sterr' u arratisa, Për një fole në ferr' e driz' u grisa: Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta, Nga dera q'u vërsula jashtë krisa. 120 Me Ujë hiçi Balta m'u gatua, Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua: Fryja në Botë si një flak' e marrë Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua. 121 C'fitoi me ardhjen time Gjithësia? Me ikjen a m'i prishet Bukuria? Përse me kaqë lot po vijm' e ikim? Pyes më kot, - s'përgjigjet Perëndia. 122 Kur shoh një faqelule bukuri Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi, Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove Në këtë fushë plot me lot e zi? 123 Si flagë digjemi: Ku shuhemi? Si tym vërtitemi: Ku turremi? Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi? 124 Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim, Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim: Me lot e zjarr e vrer të përvëluar Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim. 125 Këtu që nga padashur po kërcasim Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim? Kupë mbi Kupë Verë sillnani Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim. 126 Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur! Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur! Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur! 127 Në Vijën që përshkruaj në Jetim S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim: Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë, Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim. 128 Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë, Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë: Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë. 129 Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita Në fronin e Saturnit u avita Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës Po Fatin e Njeriut nuk e shqita. 130 Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë: Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë, Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë. 131 S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi Me vala t'errëta për Perëndi, As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli, S'përgjigjemi e heshtim un' e ti. 132 Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita Dhe e pyeta: "Cila është Drita Për djemt' e tu të humbur në errësirë?" "Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita. 133 Ahere Poçen po rrëmbej si burrë Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë; Ajo më pëshpëriti buzabuzës: "Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!" 134 Dhe Poçja e skalisur dhe e larë Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë: Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë Sa puthje mund të japë dhe të marrë! 135 Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri Q'u doq për një Gërshet e një Selvi: Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte Vajzën e rrallë plot me Dashuri. 136 Një ditë, më të ngrysur në pazar Një poçe po artonte një Poçar; Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti: "Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!" 137 Punonte në dyqan të tij Poçari, Një Poçe po artonte nga pazari: Lëfyti ish një kok' e një Qezari Dhe dorëza nga dor' e një lipsari! 138 Dëndroje dorën, mor Poçar mizor, Që garbe bën me trupin njerëzor: Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën, Dhe gishtin Feridunit mbretëror. 139 Njëndizaj në qoshen jam penguar Dhe ah! e theva Poçen e bekuar; Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam, Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar". 140 Dhe mos kujto se Jeta rregullon Hesapin tënt e timin dhe mbaron; Flluska si ne ka Dete dhe miriade, Saki-Vigani derdh e s'nëmëron. 141 Kur un' e ti të prehemi të mekur Do të vazhdojë Bota e pavdekur, Që ardhjen ton' e ikjen i përfill Si val' e detit rërën e përpjekur. 142 Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj, Dhe ty dhe mua na harron një soj: S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim, Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj. 143 Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë, Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë; Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit! Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë. 144 Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur, Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur? 145 Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë? Mbi Dhe pa punë kur na arratisi Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë? 146 Cudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë, Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin, Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë! 147 I varfëri nga mendja po beson Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon: Po Vera e përgënjeshtron e para, Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon. 148 Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë, Nuk është trup e turp që Baltovina Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë? 149 Si në një çergë ku pushon një grimë Sulltani i drejtuar në Greminë: Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret E thurret përsëri për më të rinë. 150 Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë, Për të duruar kot e kot tortyrë, Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë Kur prapë jashtë paske për të fryrë? 151 Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë Dhe n'Errësirën posht' e tatëpjetë: M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin; Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë". 152 Diell. vizion dëshire të mbaruar, Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar, E hedhur n'Errësirën nga po dalim Dhe ku po zbresim për të perënduar! 153 Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë; Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë; Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë; Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë. 154 Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë Më kot për të dy Botët, u vërvitnë Në Pluhur: fjalët ua mori era, Me Baltën e me Llomën u nemitnë. 155 Zbulimet, që Profetët na zbërthyen Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen, S'janë veç ëndërra që na rrëfyen Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen. 156 Arrinë gjer në kulm të Diturisë, I ndrinë si pishtarë Njerëzisë: Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot, U mbytnë nëpër gropa t'arratisë. 157 Mysterin sa e sa më kot po tarrë Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë; C'gojë memece, Evë, puthe vallë Që na ke bërë shurdhër e të marrë? 158 Një Vel Mysteri kemi për kufi, Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi: Në gjoks të Dheut jemi si në burg; Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori! 159 Nga Qielli e Vërteta nukë zbret, Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet: Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri Dhe syri ynë gjurmën e humbet. 160 C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë, S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë. 161 Natyra ësht' e mbetet një çudi, Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri: Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij, Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri. 162 Darkove tërë Tokën? S'është hiç! Gërmove tërë Botën? S'është hiç! Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce, Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç! 163 Në Hapësirën Dheu: **** lumi! Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi! Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi! Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi! 164 Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç! Ky Qiell me Serafime s'është hiç! Ky fron i Jetës plot me ëndërrime Na varret mbi një qime, s'është hiç! 165 Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç: Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova, Më kot i humba, nuk zbulova hiç! 165 Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç: Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova, Më kot i humba, nuk zbulova hiç! 166 Të paskan parë ca të shenjtëruar Kur unë me qiri të kam kërkuar: Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar: S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar! 167 Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri: Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta - Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti? 168 Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta: Gjeje dhe ti, si un' i verbëri - Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta. 169 Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë, Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë: Cdo formë merr; të gjitha format shuhen, Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë! 170 Posa e devinojm' e na shpëton Prapa kurtinës ku dramatizon Të vjetrën lodër të përjetëshme, Që vet' e vepëron, Vet' e shikon. 171 Gazmorët që me Kupën po festojnë, Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë Në Det humbasin pa liman, pa funt; Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë. 172 Me mall e tërë bota e kërkon, As kamës as i varfër s'e zbulon: Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon, Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon. 173 Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!" Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan; Se tok të gjithë jemi Perëndia; Një qime vetëm, Koha, po, na ndan. 174 Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota, Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota: Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen Illuzionet, gjepurat e kota. 175 Nga vallë lint kjo Fantazmagori? S'tregohet dot, e vetëm kaqë di: Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë, Kthehet si shi në Detin pa kufi. 176 Se lart e posht' e rreth sa po shikojmë, Të gjitha një fener magjik formojnë Me Diellin si një qiri në mest Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë. 177 Jemi një lodër shah me net' e dit' Ku Fati njerëzit si gur' i qit: Andejkëtej i lot, i vret' i ther - Dhe një nga një t'i hodhi në kutit. 178 Dhe topthi as për po as jo s'pyet, Po fluturon për ku Lodrari e nget: Ay q'e heth në lëm' e di përse - Ay e si - Ay e di vërtet. 179 E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë, Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet Me lotë a me lutje a me dijë. 180 Doktorët, fillosofët le të flasin, - Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin; S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim. 181 Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë: Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë, Se rop si ju vërtit, mor të marrë! 182 Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë, Të korrët sot del nga e Para Farë: Mëngjez'i parë i krijesës shkroi E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë. 183 Qëkurse Gjithësia u krijua Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua, Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua, Ashtu sikundër u predestinua. 184 Cdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi; Ah! le të llomotit ay Sufi: Un' e kam gjetur Celësin për Derën Ku leh ay me buj' e patërdi! 185 C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti! Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës; Allahu, kur e vëri, s'na pyeti. 186 C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota? Gëzo të sotmen, let belat' e kota: C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota. 187 Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti! Kur vete keq, më kot po derdhet loti: S'pyetesh as për gaz as për vajtim; Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti. 188 Ka vetëm për të marrët lumturi, Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi, Pi Verën pra, e cila të maron Me motrat Lumturi e Cmenduri. 189 Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman! Për plagët e miplagët nem derman! Posa të marrë mbron, Baba, tamam, Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam. 190 Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen! Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen! Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh, Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen! 191 Jetesa rregullisht pas Urtësisë Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë: Se Zoti Fat me një kamçik në dorë Na prin nëpër hendeket t'arratisë. 192 Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar, Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar: Pa marrë frym' i lumtur për një çast N'Avushën prapë më ka qethulluar. 193 Me vrer për ditë Fati po na des, S'jep gas që s'na e vjeth me interes: Ta dinte i palinduri s'na lintte, I linduri më mirë bën kur vdes. 194 Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma: Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark, S'më nxirte në mejdan askurrë mëma. 195 Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve, Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve, Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën Që respiroj në zjarr ma ktheve. 196 Khajam, që Tendën e Mësimit rrite, Në Furrën e Greminës ja ku zbrite; Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës, Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite. 197 U çqepa e u rropa, Zot, shëromë! Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë! Një her' e mir' e tok, jo copra-copra, Si top me vrap te gropa sot shkelmomë! 198 O Zot, më mirë shuaj nga tefteri Shpirtin e një të ziu e të mjeri Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri. 199 Sikur të merrte Engjëll'i bekuar Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar, Për ta rishkruar, për ta mirësuar Ose më mirë fare për ta shuar! 200 Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës, Ku t'arratisurit e Shkretëtirës Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës. 201 Të mirat Botës son' ia studiova. Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova: Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë Nga çdo e mirë tutje u shkelmova. 203 Ah! Vera shkon në derë të myftinjve Dhe Kryevegla n'arkë t'axhaminjve: E Bukura e Dheut flë në shtrat T'eunukëve, në djep të çiliminjve! 204 Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot, Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot: Po rri mënjan' i qet' e bëj sehir Shakatë që na bën i Madhi Zot. 205 Profetët le të lehin hu mi hu Për Providenc' e Perëndi me tru: Eni, me Poçen shtrojani këtu, Dhe losni me Atë që lot me ju. 206 U dashka që ta lë ballsamn' e Verës Nga frik' e zez' e vrerit të Skëterrës, Ah, për shërbetn' e Qiellit që do t'pi Kur të më thahen koskat prapa ferrës! 207 Kurani thotë, Qielli ka Huri Të bukura dhe Verë me gosti: Posa pra ësht' ashtu, o Perëndi, Stërvitem që këtu e që tani! 208 Në qoftë se Parajsa jote s'qas Veçse ata që lodhen me namas Dhe s'duan Ver' e Vajza, pa dyshim Asnjë njeri s'të hyn në atë kafaz. 209 Parajsa paska Vajza syshkëndija, Me Ver' e mjaltë, lum' e kronj e vija; Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë Në dorë njëja sot se nesër mija. 210 Ay që ka në zemër Urtësi S'lë asnjë çast t'i shkojë pa dobi; Po adhuron një Dashuri qiellore, Dhe Kupën kap me Ver' e zbras Dolli. 211 Të Madhit Muhamet i çon selam Dhe e pyet Imami Omar Khajam: "O Pejgamber, më thuaj, mor aman, Pse dhallën bën hallall, Verën haram? 212 Përgjigjet Muhameti me selam: "S'më more vesh, Imam Omar Khajam! Dhalla hallall për lolot, mor aman, Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!" 213 Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë, Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë", O burrani, pra, Kupat mbushini T'ia pimë gjakun qenit të pabesë! 214 Posa e bëri Zoti në fillim, Hardhinë pse m'a thurrni me ndalim? Thomëni, kur s'e njihni për besim, Kush e ka vën' atje këtë mallkim? 215 O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi, Se vijës s'Vreshtës bëji Dashuri; Nga nën' e ëmbël rrodhi bij' e keqe, Po Bija ka më tepër bukuri. 216 Vera, vërtet, më doli e pabesë, Se më largoi prej Zotit e prej Fesë, Po fajn' e ka Sakiu: S'ia diti vlerën; Kur t'ia mësojë, nukë do t'ma shesë. 217 Dëfrimet që kam dashur më verbuan, Në sy të Botës krejt më turpëruan; Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik Dhe namin për një metelik ma shuan. 218 Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem; Po a jam esëll vallë kur betohem? Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil, Pendohem për pendimin që zotohem. 219 Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera. Faqia iu nxi, ia mori namin era: Saki, më sill ca Verë! Cip' e çjerrur Më s'qepet dot as zbardhet dot Skëterra. 220 Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot, Pa kupë barrën, vrerin s'ia duroj dot; Jam mirë vetëm n'atë çast kur shokët "Dhe njëzë!" thon' - e unë s'mëkatoj dot. 221 Kur s'pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë, Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë; Kërkoj pra mezin, Jetën çakërqef: As that' as qull, po lagur leht' e larë. 222 Me poçen nënë sqetull, me Kuran në bres, Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares; Ajme! S'kam Din e s'kam Iman e s'jam As i Krishter' as Mysliman as Putperes. 223 As Kisha as Xhamia nuk më nxe, Allahu më gatoi s;di me ç'hile; Si grua pa lezet, Dervish pa Fe, Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe. 224 Besnikëve në Kisha dhe Xhamia U çthurret zemr' e shpirt më çqetësira; Po sa Sekretin e natyrës studiuan S'i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira 225 Shpesh shpirti sulet nga kafazi t'ikë, Nga Lloma në Liri, pa frikë; Po thik' e Sheriatit ia pret krahët Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë. 226 Xhami e Kish' e Tempull: robëri! Këmban' e Minare: një patërdi! Dervish e Prift e Hoxh' e Kryq e Hënë: Pengime që të gjitha për Liri. 227 Në Labyrinth të Besëve kërkova, Me Porosi e Dogma u qarkova; Po u gënjeva; s'gjeta lule fare Dhe vetëm driza t'egëra zbulova. 228 Fe kundër Fesh pa funt luftojnë, Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë; I hodha që të gjitha tej e tutje, Se Perëndinë s'e përfaqësojnë. 229 "Allahu ësht' i math!" çirren, këlthasin, Nga gjëm' e tyre tunden e kërcasin Për ditë pesë herë Minaretë: Ay s'dëgjon. Vajtimet kot buçasin. 230 Disa bërtasin Dogma dhe Besime, Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime: Po kuajve u zbulohet e Vërteta? Askujt! S'qas pran' as mu' as ty kjo Trime. 231 Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë E të na japë Shpirt e të na varë Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë? 232 Si, qysh! Nga krijatyra të kërkojë Flori për Baltën e të na gjykojë Për borxhe që s'ia detyrojm' aspak E që s'ia lajmë dot! - O Djell, o Shkronjë! 233 Nga tmerr'i Perëndis' e me pahir Padrejtësinë nuk e quaj Hir; Sepse kur s'thom të Drejtën me çekan S'qas dot në buzë Qelqin Xhevahir. 234 Adamin nga Parajsa pse, o Zot, E dbove kur na je mëshirë plot? Për mëkatarët është Hiri Hir; S'ke Hir kur na e jep me djers' e lot. 235 Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë, Shpirti m'u err, o Perëndi, ndriçomë; Jo si çpërblim për vepra që s'bëj dot, Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë. 236 Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë: Ata që flasin n'emrin tënt gënjejnë; Nga thonjt' e tyre, Perëndi, zbërthemë! 237 Vetëm fajtorët, ne, kemi besim Që mirësia jote s'ka mbarim; Me një pendim, kush nuk e bën të keqen Dhe kush e bën s'të ka asnjë ndryshim. 238 Embël gjykon në Qiell Mëshir' e gjërë, Po s'më pëlqen kjo Drejtësi me vërë; E mira e pabërë s'ësht' e bërë E keq' e bërë nuk ësht' e pabërë. 239 Që ke Mëshirë në Kuran e pashë Dhe kurrë një mëkat pa bërë s'lashë: Më thua se më ndih në të këqia; "Më keq se un' a ka?" o Zot, të thashë. 240 Të mirat një nga një m'i nëmëro, Të ligat togje-togje m'i spastro: Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla, Mëshirë pra dhe Drejtësi trego. FLORIRI Shiko Profilin Publik Gjej më shumë postime nga FLORIRI 09-08-2006, 06:45 #36 FLORIRI gjakmatjani Anëtarësuar: 08-11-2003 Postime: 1,549 241 Khajami vark' e fajdeve e shtoi Dhe egjërën nga shpirti s'e qëroi: Po s'dëshpërohet sa për Hir Qiellor, Se Njënë kurrë Dy s'e nëmëroi. 242 Kundër së keqes shpirti më lëfton, Me turp e vrer mëkatet m'i kujton: Kam shpresë se m'i fal Mëshira jote, Po prapë turpi mbetet e s'pushon. 243 Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur: Fal dorën që Gërshetet përkëdhel Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur. 244 A mundin farisjanët zemërngrirë Për ty të bisedojn' e për Mëshirë? Na ndjek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke! Gjetkë m'i shit ato! Të njoh më mirë! 245 Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë, S'dua të shoh njeri e rroj i shkretë: Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di, Ay e di ç'kam vojtur nga kjo Jetë. 246 Me bindjen Mbretërin' un' a ta rrit? Me fajet Madhështin' a ta çukit? Mos më punit, po falm' - o Zot - se the Q'i fal mëkatet shpejt - von' i punit. 247 Me gryk' e zemër' - o Zot - kur më krijove Dhe Ver' e Vajza ballazi më shtrove, E dije pa dyshim që do t'u sulem: S'kam faj! Kam bër' ashtu si e caktove! 248 Fytyrën Vajzës ia stolis me gas, Me Lule, Hën' e Diell ma përqas. Pastaj më porosit të mos e ngas! Tamam: përmbys Dollin' e mos e zbras! 249 Me baltë më gatove: ç'faj të kam? Me lesh e li m'arnove: ç'faj të kam? Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën, Me urtësi m'i shkrove: ç'faj të kam? 250 Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve: S'fëjejmë dot pa dijën tënd'e lejen; Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve? 251 Kur t'erren Tok' e Qiell nga Kijameti Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti, E kap për rrobe Zotin e i thom: "S'të kemi faj! S'na dbon dot nga Xheneti!" 252 Vullnet përveç Vullnetit t'tij s'të ka, Për vepërim Ay liri s'më la, Si deshi Vetë, çdo gjë ësht' e bëhet: Kundër s'i vete dot, - a bën shaka. 253 Më la të verbër e më vuri **** Në Labyrinth të Jetës në çdo çap: Më shtyn të bie brenda dhe pastaj Si mëkatar e si rebel më kap! 254 Rebel t'u sulkam, pse s'më shtyp për dhe? Në sterr' u ngulkam, Dritë pse s'më dhe? Parajsën si një rrogë kur e çkulkam, Mëshirën, Mirësinë ku m'i ke? 255 O Ti, që me pusi dhe gracka thure Greminën e përlotur ku na prure, Që me predestinatën na mbërtheve, Dënime për mëkate qysh na vure? 256 O Ti, që njerëzit me Balt' i tore Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore, Për çdo mëkat që faqen po na nxin Epna e merrna ndjesë njerëzore! 257 Më dhe të mjerit mua sqojtësirë Të mjaftë sa të mbytem n'errësirë: Po sikur t'ishe Vet - o Zot - njeri, A do ta deshe këtë tru të mpirë? 258 Në nisje dorëhapur, buzëqeshur, Me forc' e me shkëlqim më pate ngjeshur: Tani më çjerr e më përmbys përdhe! Përse? C'të bëra që më le të çveshur? 259 Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe, E nesër do t'më shtypësh nënë Dhe: Veprën e bukur, Zot, përse e prish? Në qoft' e keqe, fajin Vet' e ke. 260 Për Vetëdije miriade vjet Më le në Botë. Si ma jep, ma pret: Kur dije q'e merr prapë, ç'ma dhurove? Përse më ngjalle, kur pastaj më vret? 261 Zot, pse ma theve Poçen e skalisur? Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur? Tani më thuaj cili ësht' i dehur: Un' apo Ti, që sillesh si i krisur? 262 Kush rroi mbi Tok' e s'mëkatoj? Më thuaj! Ay që s'mëkatoi a rroi? Më thuaj! O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj, Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj! 263 Më linde pas dëshirës fuqiplote Më le të mbytem nëpër llom' e lote; Tani tregomë ç'është më e fortë: Mëkati im, apo Mëshira jote? 264 O Zot, barrën e Jetës lehtësoma Nga syt' e turmës çdo kusur mbuloma: Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate Kësulën, kokën nesër rrotulloma. 265 Ti, që sekretet na i di të gjithëve, Që në shtrëngic' e zi na ndih të gjithëve, Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi, Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve! 266 Vij në Xhami, po jo të të gënjej; Kur jam atje dëfrim në zemër ndjej Dhe iki shpresëplot; Vend më të mirë Të lahem e të fle ku mund të gjej? 267 O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë! Te lartësia jote Ti afromë! Esëll, të Mirën e të Ligën njih: Dua t'i mbyt e dehem! - Mëshiromë! 268 Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim, Që digjesh në Skëterr' e në Vajtim, Prej teje Zoti a kërkoi drejtim? Cili je ti, që po m'i jep mësim? 269 Kur Ramazani ish më të mbaruar Dhe kur prisnim Hënën e gëzuar Në Furrën e Poçarit isha shtruar Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar. 270 Cudi! Si njerëz, mbledhur në pazar, Ca poçe bisedonin plot me zjarr; Dhe befas një prej syresh pa durim: "Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?" 271 Një tjatër tha: "Ah, punën e dëfteu Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu: Pra, duke qenë një Krijesë Dheu, Andej na mori dhe andej na ktheu!" 272 Një tjatër tha: "As foshnja pa gjykim S'e thyen enën që i dha dëfrim: Qysh pra Ay që na krijoi me mall Po na dërmon, na çqyen me tërbim?" 273 Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi Një poçe e shëmtuar dhe pa soj: "Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej Ustajt të vëngër dora, kur m'artoi?" 274 Një tjatër tha: "Na trëmbin me kazan, Me Ferr e furr; e Djall me katran, Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka! Se Zoti ka Mëshir' e ka derman!" 275 Një tjatër Poçe tha me psherëtim: "Mua më latë fare në harrim; Po lagmëni, vaditmëni me Verë, Dhe ja, e mblodha veten pa vonim". 276 Edhe kështu kur Poçet bisedonin, Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin; Dhe thirrë pasandaj me brohori: "Vjen një Saki!" dhe Verën lavdëronin. 277 O Zot, O Drit' e Vetëm e Vërtetë, Më lumtërofsh a më dënofsh përjetë, Me Ty kungoj më mirë në Tavernë: Se në Xhami s'të puth - e s'rri dot qetë. 278 E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu Burimn' e Jetës q'ëndërroi njeriu Dhe ma tregoi: tani s'i çkulem dot! Ver' e Pavdekësisë më përpiu! 279 Këtu paraja kallpe nukë shkon, Se menjëherë fshesa e spastron; Një Shenjt na thirri në Tavernë: "Pini! S'ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!" 280 Në Jetë si mi Detin udhëtojmë Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë: Po kemi Zotin midis nesh sa herë Me Verën e bekuar po kungojmë. 281 S'do Trëndafili? - Gjëmbin prap' e kemi; Parajsa s'qas? - Në Ferr të lirë vemi: Cfryn Minareja - Ja, gjëmon Këmbana, N'Alltar Kungata pret në re prej kemi! 282 Më thoni që do t'digjem në Skëterrën, Se adhurova Dashurin' e Verën: Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës, Unë kam dy: Kungatën edhe Verën. 283 Një plak të shenjtë, t'urt' e mjekërgjatë Kam parë që vraponte që menatë; I thashë: "Ku po shkon kështu, Uratë?" Më tha: "N'Alltar për Mesh' e për Kungatë". 284 Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur, Me Këng' e Valle në Gërmadhen mbledhur, Kungojm' e puthemi me Dashuri, Përsipër Fes' e Qiellit jemi hedhur. 285 Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini! Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini! Se Vreshta tha: "Ky është Gjaku im, Q'u derth për ju! Kungoni: merrni pini!" 286 Mystikërisht me frikë iu afruam Me Bes' e Shpres' e Dashuri kunguam: Nga Vetja ikm' u tarm' u transformuam, Në Vreshtën e Vërtet' u transplantuam. 287 Te Shpell' e Shenjtë, natën, nga Alltari Një Engjëll dolli me stoli prej ari, Ngre lart Kungatën Vresht' e Xhevair, Ma zgjat - fjesht Rrush! - Puth Qiellin mëkatari! 288 Rrush, Ver' e kuqe, si rubin që rrjeth, Që qesh nga gryk' e shishes kur të derth, Je gjak i zemrës që kërkon Clirim, Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth. 289 Rrush, Rrush, që me Logjikë absolute Të gjitha sektet nëpër vrima i fute, Rrush alkemist, që pistën na e zbardhe Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute. 290 Rrush, o Sulltan Muahmud, o Ngadhënuar, Ti helmet e ti tmerret ke larguar Nga shpirti yn' i ngrysur e i ndryshkur, Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar. 291 Na fryn në zemër gas e ngrohtësi, Na thurr mbi krye drit' e bukuri, Na çkul nga dimr'i djeshm' e brym' e pritme, Na thyen hekurit, na fal Liri. 292 Sëlargu shtaz' e ndyrë u afërua, Sytym, xhybekatran, as burr' as grua, Na tha: "Vera prej Dinit u ndalua!" Na theu Poçen dhe u shenjtërua!" 293 Mor Hoxh' i egër, ma mbaro qërtimin, Mos m'ulëri në dasmën dhe dëfrimin: Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin, Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin. 294 Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro, Beko pa folur, mos më prediko: Un' ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër, Se je i vëngër, sytë çap shëro! 295 E ëmbël është Vera me Dolli, E ëmbël është Harpa, Vallja me Huri: I ëmbël është çdo besnik që s'pi Kur lark një mijë parasanga rri. 296 Me etjen Tavernarin e gëzoj Dhe supet me mëkate i ngarkoj: Kështu Mëshir' e Zotit hyn në punë, Se myshterinjtë gjithënjë ia shtoj. 297 Lus Verën, jam pijanik: po, ashtu jam! Pagan e heretik: po, ashtu jam! Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s'jam! I Vetes jam besnik: po, ashtu jam! 298 Kam parë një heremit pa Ligj' e Fe, Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe; E njoha dhe pyeta duke qarë: Më trim se ky, o Zot, a pe? 299 Të vjetrit shok' e miq më neveritnë, Të rinjt' prapë të vjetrat përsëritnë: Tani kam hequr dorë nga çdo mik; Kurrë Besnikë miq mi Dhe s'u rritnë. 300 Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë, Hap sytë! t'ësht' armiku m'i pabesë: Miq mos kërko në turmën posht' e lart; Të puthi kush? - Largohu pa vonesë! 301 Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë; Vrerin që s'ka shërim e pi si burrë: Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht; Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë. 302 Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi, Dhe intrigant, kur rron në vetëmi: Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli, Më mirë mos u njih, mos njih njeri. 303 Mos qas veç shokë t'Urtë në shtëpi, Largohu nga të marrët pa kufi: Kur t'ep i marri mjaltë hidhe tej, Kur t'ep i Urti vrer, e merr, e pi. 304 Të marrët, të stolisur, syverbuar, Që kurrë me kandilin e pashuar S'kanë kërkuar natën Drit' e Shkencë, Asnjë të Madh s'na lanë pa çnderuar. 305 Rrëmbyen mall, memuriet e ar Dhe t'Urtin plak e t'urët shkencëtar E quajnë Gjaur, se s'beson prralla, Se s'qas mi supet, si ata, samar. 306 Cudi, që parësi e titulluar, Nga skllavëria kalbur, shtazëruar, Kur shohin një të varfër po të lirë, E quajn' a t'marr' a të mallkuar. 307 Nga Bot' e Lartë një Myster m'u zgjidh; Me ty, Njeri, Krijes' e tër' u thith: Je djall a ëngjëll, shtaz' a lule e pisë; Je ç'dukesh; pamja me çdo gjë të lith. 308 Njeriu qënka thelb'i Gjithësisë Dhe drit' e syrit t'madh të Perëndisë: Qarku i Qënies qënka si Unazë Me vulë xhevair; e Njerëzisë! 309 Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar: Kështu në syt' e Perëndisë jemi Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar. 310 Te Bot' e murme dhe e trumbulluar Dy farë shtazësh janë lulëzuar; Ata që paskan çdo gjësent zbuluar Dhe sa s'të kanë asgjësent mësuar. 311 Ari s'lint Mënt, po Mënt që bukë s'kanë Në Kopsht të Dheut qajnë si n'hapsanë: Qesh Trëndafili se ka qesen plot, Kur Vjollc' e vafër kokën var mënjanë. 312 A dini pse Zambakun dhe Selvinë I quajmë symbole për Lirinë? Kjo një qint duar ka, po s'vret e s'vjeth, Ay me dhjetë gjuhë, s'e kafshon njerinë. 313 Më mirë bukëthat' e rrobëçquer Me ujë rro, i lirë, poçethyer, Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer. 314 Mos e përdor për shtypje zgjuarsinë, Mbaj veten, zotëro me fre mërinë: Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme, Goditje prit, po mos godit njerinë. 315 Lakmim' i Trupit ngjan me qen të lik, Që leh pa funt e gjumin na e fik: Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur, Na çjerr, na copëton si ujk armik. 316 Në leqet e ambicjes mos u zir, Nga thonjt' e avaricjes mos u çirr; I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt' u prir, Si pluhër n'erë mos u drith, u tir. 317 Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni Me burrëri dhe dinjitet qëndroni: Përballni dhe armiq si Rustem Zalli, Nga miq si Taj dhurata mos pranoni. 318 Harxhova jetën kot nëpër këneta Dhe asnjë pikë lumturie s'gjeta: Tani kam frikë se u mplaka, shkoj, E s'provoj dot si duhet rrojtur jeta. 319 Ah, nesër Botën plot shamat' e lashë, Nga qindra xhevahire njëz' i dhashë: Pa folur kanë mbetur qindra fjalë, Se nuk' i merrte vesh kjo Bot' e trashë. 320 Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë; Asnjë s'kam zgjidhur prej Enigmave; Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë. 321 Ah, nesër Fati do të na gremisë Dhe çdukemi nga Kopsht'i Dashurisë: O Vajzë, sillmë Ver' e lagm' e puthmë, Dhe prapë nem gëzimn' e djalërisë. 322 O Hën' e shpirtit tim e pavenitur, Ja, Hën' e Qiellit del nga ret' e ndritur: Sa herë do të dal' ajo si sot - E kot në kopsht për ne ka për të pritur! 323 Tavern' e Shenjtë na u çthur me vrima, Veriu vërshëllen, na grin thëllima: Ma bëni baltën tulla e m'i mbyllni Të mos më ngrijnë Verë shokët trima. 324 Për Vdekjen s'dridhem as derth fare lot; M'e mirë gjë në Botë s'gjendet dot: Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot Më kot ma dha - e un' ia kthej më kot. 325 Pas Vdekjes nukë dua veç pushim; Se sy e shpirt m'u tretnë me vajtim: Më keq se sa kam vojtur në Ferr s'ka; S'dua Parajsë! S'dua veç harrim! 326 Miq, shpresa, Qiell' e Tok' e Djaj më lanë, Zi brënda, lart' e posht' e anembanë: Veç Verës s'më ka mbetur tjatër mik, Dhe dua dhe në Varr ta kem pranë. 327 Me Verë, kur t'ap shpirt, kungomëni, Në Verë lamëni, bekomëni, Me fletë Pjergulle pështillmëni, Në kopsht me Këng' e Rrush mbulomëni. 328 Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi Varrin stolismani, qëndismani: Rreth meje buzëqeshur shtrihuni Spërkatmëni me Ver' e pihuni! 329 Te Varri im me Ver' e Rrush të shirë Tym, afshe të lëshojë si një Tirë Sa kur të shkojë Mysliman' i mirë Si në pusi të dehet i papirë. 330 Dhe kur të shkosh, moj Dor' e këmb' argjënde Për të gostitur miqtë në ato vënde, Ku pinim bashkë, e t'arrish ku rri, Mos psherëti! - po zbrasmë Kupën tënde. 331 Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi Dhe kur të bëhem prapë Balt' e Hi, Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli - Dhe shihni po s'u ngjalla përsëri!
×
×
  • Create New...