MASHTRIMI SHQIPTAR I KOMPANISE AMERIKANE
Nga KRESHNIK KUÇAJ
Të bëhesh miliarder nuk është aq e vështirë sa mendohet, sidomos kur këto pará të ofrohen nga një kompani llotarie amerikane fantazmë e quajtur Plasma Net. Nëse futeni në adresën freelotto.com mund të vini re edhe atë që mund të quhet ndryshim nga faqet e tjera të llotarive:”Mund të bëhesh lojtar i një llotarie prej 1 milion dollarësh pa paguar fare para!”. Që të bëhesh lojtar i llotarisë mbarëbotërore që ofron kjo kompani të nevojitet thjeshtë një adresë e jotja në postën elektronike, të zgjedhësh 6 numra të rastësishëm që të bëjnë pjesëmarrës të llotarisë si dhe disa të dhëna personale. Pasi të kesh ndjekur këto hapa të duhet vetëm një ditë për të marrë vesh nëse je fitues apo jo, sepse kjo kompani “hedh” shorte çdo ditë dhe mund të fitohen shuma të mëdha parash nga njerëz nga të gjithë botën. Kjo llotari u provua edhe nga redaksia e “Eksluzive” në mënyrë që të vertetohej mashtrimi që bëhej nga kjo kompani amerikane fantazmë e quajtur Plasma Net. Si fillim, zgjodhëm disa personazhe publike dhe pastaj hapëm disa adresa e-mail-i me emrat e tyre, pasi që të bëhesh lojtar i llotarisë duhet të deklarosh një adresë elektronike nga e cila mbahen kontaktet me kompaninë. U futëm në faqen e internetit freelotto.com dhe zgjodhëm 6 numra të rastësishëm, pastaj sipas udhëzimeve duhej shtypur butoni “Save as favorite pick” që të bënte direkt lojtar të llotarisë 1 milion dollarëshe. Kjo procedurë u ndoq edhe për emrat e përzgjedhur nga redaksia. Pasi ndoqëm të gjitha hapat që kërkonte llotaria për të dhënat personale, na u desh vetëm një ditë për të kuptuar edhe mashtrimin dhe çudinë e madhe. Pas pak orësh, në adresat e të dy të përzgjedhurve erdhi një e-mail që konfirmonte pjesëmarrjen e tyre në llotarinë 1 milion dollarëshe dhe që të jepte kodin personal me të cilin identifikoheshe si lojtar i llotarisë. Një ditë më pas, në e-mail-et përkatëse elektronike, personazhet publike të përzgjedhur rezultonin si fitues të llotarisë mbarëbotërore prej 1 milion dollarësh amerikanë që ofronte kompania fantazmë. Aplikimet për “llotarinë” u bënë në të njëjtën ditë për “kandidatët” e përzgjedhur nga “Ekskluzive” dhe të gjithë njëkohësisht rezultuan si “fitues”, ndërsa ishte vetëm një çmim 1 milion dollarësh që luhej, pra duhej të kishte vetëm një fitues. Sipas denoncimeve të shumta nw agjensinw e krimit ekonomik nw SHBA, kjo kompani të dërgon vazhdimisht e-mail-e në të cilat të kërkon që të plotësosh të dhëna më të plota dhe një adresë për transferimin e parave. Sigurisht, e njëjta gjë ndodhi edhe me rastet e “Ekskluzive”. E-mail-et vazhdonin të vinin gjithnjë e më shumë duke të krijuar idenë se ata po mundoheshin të të kontaktonin në mënyrë që të jepnin edhe çmimin e fituar por që realisht i vetmi çmim është ai që duhet të paguash ti.
Mashtrimi dhe grabitja e milionave?
Pasi të vjen e-maili në të cilin ti rezulton si fitues i një ose më shumë çmimeve, kompania të kërkon të plotësosh të dhënat e tua më personale. Kjo shërben për të gjetur edhe kodin e llogarisë tënde bankare, pasi shumica e njerëzve përdorin si kode sekrete datëlindjen, vendlindjen ose diçka tjetër personale. Në kuadratet që të duhet të plotësosh ka dhe një kërkesë të veçantë për mënyrën e tërheqjes së parave, nëse do ti tërheqësh paratë me çek apo me transaksion bankar. Nëse kërkon ti tërheqësh paratë me çek, vetë kompania deklaron se është e pamundur ti dërgojë paratë dhe të nxjerr disa justifikime të ndryshme në të cilat thuhet se është shkruar kodi personal gabim dhe duhet gjetur një mënyrë tjetër për të marrë paratë e fituara nga llotaria. Sigurisht që mënyra tjetër është karta e kreditit! “Është një mashtrim i madh! Disa njerëz po grabisin paratë e mijëra njerëzve nga e gjithë bota. Këto e-maile u dërgohen me mijëra personave në ditë, dhe janë me mijëra persona të tjerë të cilëve u merren paratë nga llogaritë e tyre bankare. Ky është një krim i rëndë dhe duhet ndaluar” denoncon Patrice Nassau nga Bahamas në faqen elektronike RipOffReport.com, adresë kjo që denoncon krimet ekonomike në Amerikë, në të cilën gjenden mbi 80 denoncime për këtë mashtrim. Ndërkohë, për të ruajtur etikën dhe balancën e lajmit, redaksia u mundua të kontaktonte me kompaninë Plasma Net në forma të ndryshme por përgjigjet e tyre ishin vetëm një mënyrë tjetër për të marrë numrin e një llogarie bankare.
GAZETA "EKSKLUZIVE"