Zhigolotë pushtojnë Tiranën, tashmë me zyra shërbimi
Autorja e romanit “Kukullat nuk kanë atdhe” më kishte thënë se shumë ngjarje në libër ishin të vërteta.
Sigurisht që ajo ka bërë disa largime nga realiteti.
Duhet të njohësh ngjarje e personazhe shumë, të ndihmohesh edhe ca nga nuhatja, që t’i biesh në kokë.
Ndër të tjera më tregoi edhe për një djalë të ri që punonte zhigolo.
Gra, të njohura e të panjohura, shkriheshin me të vetëm me një fjalëkalim. Personazhi (që gjendet në Tiranë), me siguri që vazhdon ta ushtrojë zanatin vetëm se tani që kanë kaluar 2-3 vite nga biseda që u ngacmua nga libri, i është rritur konkurrenca.
Mbase pse kërkesa është e madhe ose mbase pse këta djem shohin trupin të vetmen zgjidhje për veten, zhigolotë tashmë po dalin hapur madje të afirmuar me zyra e shërbime publike.
Nuk është më e nevojshme që gratë të pëshpërisin nën zë me njëra-tjetrën për ‘hallin’ që kanë sepse mundet t’i gjejnë specialistët duke bërë pazarin rrugëve.
Më e fundit është hapur diku rrugës së Porcelanit. Njoftimi është bërë zyrtar në “Facebook”, duke thënë “Mirëdita Grupi… doja t’ju njoftoja se ditën e mërkurë, në datë 06/05/2015, hapet e para qendër në Tiranë, e cila do ketë 2 persona, një për të qëndruar gjatë gjithë ditës në ambientin e zyrës dhe tjetri për këdo që do ketë nevojë për vizitë te shtëpia e tij.
Zyra jonë mban emrin ZHIGOLO.
Adresa, pranë ish-”Club Venue”. Për më shumë informacion kontaktoni në “inbox”, ku do të gjeni dhe nr. e telefonit.
Ju mirëpresim goca dhe gra. Ju garantojmë se do ndieni kënaqësi të paimagjinuar ndonjëherë dhe të papërjetuar gjatë gjithë jetës suaj. Ju Mirëpresim!”.
Përveç informacionit, vlerës së parave që duhen paguar për këto shërbime çliruese, të tjerat janë të qarta.
Sigurisht, në raste të tilla, femrat nuk janë aq ‘të rënda’ sa ato, të cilat u referohet djaloshi misterioz që do kode, megjithatë premtojnë njësoj kënaqësi.
Nuk dimë si ndihen burrat në të tilla raste, me siguri më mirë se gratë kur mësojnë për ‘vajzat’ e tyre sepse nuk i tradhtojnë me kohë të plotë.
Marrin ç’u nevojitet dhe largohen. Për ‘procedurat e punës’ nuk po ju tregojmë më gjatë sepse mrekullibërësi, i sqaron të tëra vetë.
Që nga nisja e masazhit, çkodifikimi, e deri te qielli i shtatë, për të cilin gratë rrëfejnë gojë më gojë e sjellin kliente të reja…
Edhe ky problem u zgjidh, djemtë tani nuk kanë pse të ankohen për papunësi. Jo të gjithë sepse ca bekime nga Zoti duhet t’i kenë, përndryshe, ato i kanë në shtëpi…
Fragment nga libri: Kukullat nuk kanë atdhe
-Unë jam ndryshe nga ata…burrat shqiptarë.
-Ndryshe, si ndryshe? Çfarë bëni ju ndryshe që gratë duhet t’ju paguajnë?
Amos omnibus idem. Ovidi duhet ta kishte thënë mbase në një nga ato ditë ku i la paratë në Durrazo dhe i mbetur pa para i shkroi së ëmës që ta ndihmonte nga përtej detit, ndryshe kishte të ngjarë të vdiste këtyre brigjeve.
-Nuk është njëlloj. Ato mund të lexojnë gazeta thashethemesh…o gazeta thashethemesh. Ja ku kishte hyrë në ujërat e saj. Ajo e pa drejt e në sy dhe ai vazhdoi,- por nuk duan të jenë pjesë e tyre.
Gratë me të cilat shkoj unë, klientet e mia, nuk mund të shkojnë me këdo, që i shet në tavolinën e parë ku ulet, pas një tekeje raki me një mik, ku i thotë se ia ka bërë një teke filan gruaje. Unë bëj biznes me to dhe në kushtet e biznesit, i pari është sekreti.
-Sekreti?! Vetëm sekreti?!
-Jo. Unë stërvitem që jem i aftë për to, burrat e tyre tani kanë barqe e shina, u ngjajnë si buldozerë, u janë bërë të neveritshëm.
-Burrat e tyre? Si buldozerë? Kështu të kanë thënë ato?
-Unë nuk jua shpjegoj dot se çfarë u bëj femrave, i çoj atje ku ato nuk kanë qenë ndonjëherë. Kurrë ndonjëherë!
-Ku?
“Kujdes!” Kukulla 30 këshillon sërish.
-Si të ta them me fjalë. Unë stërvitem vazhdimisht për trupin, për mendjen dhe libidon.
-Si ju gjejnë ato?
-Vijnë për masazh në studion time. Kam një fjalëkalim, me të cilin zbërthej dëshirën e tyre për një masazh të thjeshtë apo më shumë.
E teproj me përkëdheljet e mia dhe e ndiej kur ato kërkojnë më shumë. Ose ndal, kur ato nuk kërkojnë më shumë.
-Më shumë?
-Po, ato shpesh kërkojnë më shumë, unë e kuptoj kur ato duan më shumë. French massage?, i pyes dhe ato miratojnë ose jo. Kam edhe ca të huaja. Kur më pyesin se ç’është ky, unë e mbyll aty seancën e masazhit me to.
Kur duan, i përkëdhel, u them fjalë që s’i kanë dëgjuar më parë, ato kanë nevojë për dashuri dhe përkëdheli burri.
Do fërkuar macja, thonë të vjetrit! Unë di t’ua gjej pikën G, të gjitha pikat që ta kuptojnë se ç’do të thotë trup. Pa turp.
-Ç’moshë kanë gratë tuaja?
-Edhe moshën tuaj. Nga 30 deri 60, kam shkuar edhe me vajza të reja, por nuk më shijon fare me to. Ato vijnë thjesht nga dëshpërimi, i lë i dashuri ose kanë ndonjë periudhë melankolike. Kurse femrat e moshës tuaj, vijnë për arsye të vërteta.
-Arsye të vërteta?
-Po, ato kërkojnë seks dhe unë u jap seks, pa lot pa emocion, pa puthje. Me orë të tëra, derisa thonë vetë mjaft. Vetëm kur thonë mjaft, unë ndaloj. I lë t’i shijojnë të gjitha. Dhe më paguajnë mirë.
-Sa mirë?
-Varet nga koha, nga kushtet, paratë që ka dëshirë të të japë tjetra, kënaqësia që ka marrë. Ato që marrin kënaqësi, që dinë të shijojnë, vijnë prapë. Unë kam kliente të rregullta prej vitesh, rekomandojnë njëra-tjetrën.
Gra që kanë nevojë për seks të vërtetë, me dikë që nuk i shqetëson me sms kohë e pa kohë, siç do të bënte një i dashur, gra të martuara, që kanë seks të keq me burrat e tyre, që nuk e ndiejnë për tradhti të shkojnë me një zhigolo.
Unë nuk kërkoj asgjë nga emocioni i tyre dhe as të ndaj me to ndjenjat që kanë për burrin apo partnerin. Ka gra që duan seks pa kufi, siç ua jap unë.
-E kuptoj.
-Jo, ju nuk mund ta kuptoni.
-Si nuk mund ta kuptoj? Atë që pretendoni ju, unë e njoh, e njoh fare mirë. Nuk kam kureshtje.
-As vuajtje?
-Unë?
-Po, ju dukeni grua seksi, nga lëkura, keni feminilitet…e ndiej, i njoh gratë.
-Po, por ka ndryshim të madh mes asaj që po mendoni tani dhe asaj çfarë po them unë tani.
-Çfarë ndryshimi ka, në thelb seksi e zhbën një çast ndjenjën, ne të gjithë kemi nevojë që një orë, një çast, të harrojmë së menduari, të zhveshim arsyen, t’i flakim skrupujt dhe t’i afrohemi natyrës.
Unë gratë i afroj te natyra. Te skrupujt atyre u mjafton jeta me burrat e tyre dhe morali, me të cilin ju mbushni gazetat.
Tags:
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje