“National Geographic” hap për herë të parë Varrin e Krishtit
Për dekada me radhë është spekuluar se çfarë mund të ketë brenda atij që njihet si Varri i Krishtit në Jeruzalem.
Por tani për herë të parë pas rreth 500 vitesh, një ekip i “National Geographic” ka hyrë aty ku mendohet se është vendosur trupi i Krishtit për tre ditë pas kryqëzimit.
Varri ka qenë i vulosur me mermer për ta mbrojtur nga pelegrinët që mund të merrnin copëza si relike të shenjta.
Por me kalimin e shekujve, kjo kishë është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë dhe kjo ka shtuar dyshimet se çfarë mund të ketë brenda.
Tani mermeri është hequr për herë të parë pas pesë shekujsh, duke sjellë një zbulim fantastik.
Aty gjendet sergjeni gëlqeror ku është vendosur trupi i Krishtit.
Por shkencëtarët zbuluan edhe një pllakë të dytë mermeri gri, që askush nuk e dinte se ekzistonte, gdhendur me një kryq, që ata besojnë se është bërë diku në shekullin e 12-të nga kryqtarët.
Arkeologu Fredrik Hiebert i “National Geographic”, që ishte partner i projektit, thotë: “Ishte diçka fantastike për mua kur hoqëm shtresën e parë të pluhurit dhe gjetëm copën e dytë të mermerit”.
“Ishte gri, jo e bardhë krem si ajo e jashtmja, dhe në mes të saj ishte një kryq i gdhendur bukur. Nuk ia kishim idenë që ishte aty”.
“Ky tempull është shkatërruar disa herë nga zjarri, tërmetet dhe pushtimet. Nuk e dinim nëse është ndërtuar ekzaktësisht në të njëjtin vend me kalimini e shekujve”.
“Por kjo është një provë e dukshme se pelegrinët sot luten pikërisht aty ku ka qenë varri që perandori romak Konstandini zbuloi në shekullin e 4-të dhe që adhurohej nga kryqtarët. Është fantastike”.
“Kur kuptuam se çfarë kemi zbuluar, gjunjtë po më dridheshin pak”.
Varri u hap në praninë e liderëve të kishës ortodokse armene, asaj greke dhe murgjve françeskanë.
Negociatat për hapjen e varrit kanë nisur që në vitin 1959, por ka qenë e vështirë të merrej një vendim pasi duhej miratuar nga tre liderë fetarë.
Çelësi i Kishës së Varrit të Shenjtë është mbajtur nga një familje myslimane, që e hap ndërtesën çdo mëngjes për 500 vitet e fundit.
Tags:
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje