Nard Ndoka në 'Dance With Me' me Greta Koçin, flet kreu i PDK
Nard Ndoka, kryetar i PDK-së njëkohësisht edhe deputet i Parlamentit, do të shfaqet shumë shpejt në një profil tjetër, atë të balerinit.
Ai do të jetë pjesë e show-t “Dance with me”. Ajo që është interesante është fakti se përballë tij do të jetë po një profil politik, i asaj të Greta Koçit.
Tashmë kanë nisur edhe procat për kërcimin me të cilin do të shfaqet në skenë deputeti.
Ndoka nuk ka vetëm sfidën e përballjes me vështirësitë e vallëzimit, në DWM, por edhe me komentuesit, kolegët, të njohurit, të cilët, jo të gjithë e kanë inkurajuar.
Megjithatë, ai ka vendosur ta hedhë këtë hap tashmë, duke argumentuar për të përditshmen ''Panorama''pse vendosi të marrë pjesë dhe duke si po ndihet me Greta Koçin.
Intervista
Cila është frika më e madhe që do të kesh në ngjitjen e parë skenike si kërcimtar?
Frikë nuk do të kem, por emocione po. Unë i kam kaluar dhe hedhur pas krahëve ato çfarë thonë kritizerët apo xhelozët, që nuk mungojnë asnjëherë në momente të tilla.
Nga terreni politik në terrenin e spektaklit. E kishe menduar ndonjëherë veten në një shou ku bëhet vërtet qejf?
Nuk jam larguar për fare nga politika, është thjesht një eksperiencë e re interesante për pak javë, ku do të përpiqem të tregoj se edhe politikanët janë si gjithë të tjerët, që edhe kërcejnë, edhe qeshin, se serioziteti i tepërt që na “karakterizon”, vetëm na dëmton shëndetin mendor.
Mund të na rrëfesh paskuintat e propozimit që të bëri Vera Grabocka? Njiheshit me parë?
Me Vera Grabockën dhe Timo Fllokon kemi njohje vite më parë, i kam vlerësuar nga larg për çfarë ata kanë arritur. Nuk mund t’i thosha jo Verës, personazhit që e vlerësoj dhe simpatizoj ndër vite për punën dhe misionin e saj profesional në spektakle të ndryshme. Ishte një kërkesë këmbëngulëse e saj, por edhe një mirëkuptim dypalësh. Është spektakli më popullor dhe më i ndjekuri nga publiku, ku dhurohet shou, humor, kënaqësi. Ndihem mirë që do të jem pjesë e një eventi të tillë.
Ke qenë ndjekës i rregullt i këtij spektakli, apo t’u desh të hyje në YouTube për të parë çfarë ndodh aty?
E kam ndjekur në puntata këtë spektakël nga ekrani. Më ka pëlqyer shumë, të them të drejtën. Organizimi, personazhet dhe çfarë ata japin për publikun. Por për të marrë një informacion më të detajuar paraprakisht, jam njohur edhe nga arkiva, duke krijuar një ide dhe për të bindur veten që të merrja pjesë.
Sportiviteti yt është dalluar edhe brenda kostumeve seriozë. Po marrëdhëniet e tua me kërcimin si kanë qenë ndër vite?
Jam marrë me sport shumë vite në rininë time. Ndërsa vallëzimi ka mbetur një pasion që politika ma fshehu, duke e bërë si “mollë të ndaluar” për mua, nga komplekset, impenjimet dhe mentaliteti ynë jo fort i çliruar nga paragjykimet e rastit.
Ke nisur provat për kërcimin e parë të spektaklit. Ke një përjetim krejtësisht personal që mund ta ndash me ne?
Kërcimi është një art më vete, që do më mbetet në mendje si një ëndërr e parealizuar si duhet, në perfomancën më të mirë të mundshme, ashtu siç realizova sportin dhe politikën.
Në këtë garë do të jesh çift me Greta Koçin. Njiheshit personalisht dhe si po të duket si partnere?
Me Gretën kam pasur një njohje sipërfaqësore, si drejtuese e Forumit Rinor të PDsë, dhe një respekt në distancë. Gjatë këtyre ditëve në prova, vërej se Greta është një vajzë e jashtëzakonshme, e thjeshtë, e çiltër, shumë sportive, por për fatin tim të mirë edhe shumë profesioniste, fakt që na inkurajon të jemi pretendentë për fitore në këtë spektakël.
Dy politikanë që do bëni shou ndryshe në skenë. Do të jesh ti këshilltari i Gretës, apo ajo këshilltarja jote?
Në këtë fushë Greta ka më shumë eksperiencë, ndaj më duhet t’i dëgjoj këshillat e saj, të cilat kanë filluar. Por do të përpiqemi të jemi një çift i harmonizuar në kërcim dhe performancë, si dhe në detaje.
Je informuar se kush do të jenë anëtarët e jurisë që do të gjykojnë lëvizjet tuaja skenike?
Nuk e di saktësisht, por besoj do të jetë ai format që është vendosur tashmë nga stafi ekselent i Grabockës. Gjatë këtyre ditëve në prova, rrethohemi dhe bashkëpunojmë me personazhe, që do t’i cilësoja pa ngurrim yje në profesionin e tyre. Është një ekip ekspertësh, që ka një perfomancë më të lartë në sektorët e tyre, se qeveria e sotme shqiptare.
Çfarë do bësh ndryshe që të fitosh zemrat dhe pikët e tyre?
Do të përpiqem të jap maksimalen. E kam marrë me sportivitet, por duket se konkurrenca do të jetë e ashpër, përballemi me personazhe të spikatura dhe me ego për më tej.
Një deputet që pranon të bëhet pjesë e spektaklit. Mendon se do të të prishë punë, le të themi kështu, në imazhin si politikan, apo do të të shtojë admirues?
Punë nuk mendoj dhe nuk besoj se do më prishë, për faktin se kjo është diçka ndryshe, por që nuk cenon profilin tim politik. Unë, edhe në jetën e përditshme dhe atë politike jam i çliruar nga komplekset. Unë nuk mund të rri vetëm nën “petkun e zi” të një politikani, por do të jem ndryshe dhe shumë ndryshe.
Në rrjetet sociale njihesh për batutat e famshme. Gjatë këtij spektakli do të punosh më shumë për hapat e saktë apo për batutat?
Ky spektakël i ka të dyja. Hapat e saktë dhe të sigurt, por edhe batutat që nuk do të mungojnë.
Si e priti bashkëshortja këtë aventurë tënden?
Bashkëshortja është njeriu më i afërt për mua për çdo gjë. Ajo më mirëkupton dhe kritikon, por në këtë rast, edhe pse pak me hezitim në fillim, më inkurajoi që të ecja edhe në këtë fushë.
Po për Gretën si partnere, çfarë qëndrimi mbajti?
Gretën për fat e njihte më mirë se unë, dhe e vlerëson si personazh të artit e politikës.
Tags:
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje