Lamtumirë (Xha Sulo) Albert Verria !
Lamtumirë (Xha Sulo) Albert Verria !
Publikuar me: 18 Gus 2015

I është dhënë sot në qytetin e Vlorës lamtumira e fundit Albert Verrisë, aktorit brilant të skenës shqiptare që u nda dje nga jeta në moshën 79-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

Familjarët, kolegët, miqtë dhe qytetarë të shumtë të qytetit bregdetar bënë homazhe në teatrin “Petro Marko” në nder të veprës së paharruar të Bertit, siç e njihnin të gjithë qytetarët e Vlorës, para të cilëve interpretoi për vite me radhë si aktor.

“Po e përcjellim një nga shtyllat e teatrit shqiptar, Artistin e Popullit Albert Verria, i cili ka ngulur një gurthemel i cili nuk do të shkulet kurrë nga historia e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Megjithatë, ai do të mbetet i pavdekshëm, veprat e tij flasin dhe do të flasin brez pas brezi”, u shpreh Luftar Paja.

Vetëm ndarja nga jeta e tij, do të bëntë të njohur për publikun e gjerë faktin se Albert Verria ka lindur në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria. Por, pjesën më të madhe të karrierës si aktor Albert Verria e ushtroi në Teatrin e Vlorës, duke u shndërruar në ikonën e qytetit e duke bërë që publiku shqiptar ta njihte dhe cilësonte atë, si aktorin vlonjat.

“Ky boshllëk është vetëm fizik, ai nuk do të jetë më mes nesh, por sigurisht vepra që ai ka lënë do të jetë, siç ka qenë për të gjithë brezat që janë rritur në këtë vend, një frymëzim i madh për kulturën, një vlerësim i madh për artin e tij. Jam i sigurt që vlonjatët do ta ndiejnë për një kohë të gjatë mungesën e Bert Verrisë”, u shpreh kryetari i Vlorës, Dritan Leli.

Kontributi i Albert Verrisë në skenën e Teatrit të Vlorës, do të vlerësohej në 2006, nga kryebashkiaku i atëhershëm Gjika, me titullin “Qytetar nderi”.

Kush është Albert Verria (Xha Suloja)
Për shumë njerëz, Albert Verria njihet si aktori vlonjat. Por pak e dinë se Vlora nuk është qyteti i lindjes, por qyteti ku nisi rrugën si aktor.

Aktori i 110 roleve lindi në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria, një ndër 5 të parat që zbritën në Fier nga Voskopoja në vitin 1796 me djegien e parë të qytetit mesjetar me emër për kulturën shqiptare, të cilat shënuan nisjen e vizionomisë te qytetit Fierit, aso kohe fshat.

Në Fier bëri shkollën fillore dhe të mesme dhe rrugës së artit i hyri që në vogëli, kur fëmijë, shkonte në Apolloni. Atje gërmonte me durim të jashtëzakonshëm profesor Hasan Ceka, që i mblidhte dy- tre fëmijë të vegjël dhe u tregonte për amfiteatrin dhe dramaturgjinë antike.

Rolin e parë si fëmijë, ishte nga pjesa “Minçurini i vogël”, ku lozi personazhin e një djali të vogël me emrin Shulkë, të apasionuar pas botanistit të famshëm rus.

Pasi mbaroi studimet e mesme për zoteknikë, Albert Verria punoi si zooteknik për dy vjet në Kukës e më pas, u rikthye në Fier si pedagog në shkollën e kuadrove bujqësore, ku mjaft pedagogë të shkolluar jashtë vendit, me kulturë të mirë artistike, flisnin për operan, baletin, teatrin, c’ka ndikoi tek ai për të mbajtur gjallë dëshirën e fshehur për artin.

Në 1959 kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria ishte me punë në Berat, ku regjizori me emër, Viktor Stratobërdha, që nga drejtor i kinemasë, ishte dërguar me internim aty, e nxiti të ngjiste skenën, e ndihmoi në përgatitjen e monologjeve dhe pantonimave të ndryshme.

Konkurroi dhe fitoi studimet në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës, duke shënuar drejtimin përfundimtar të karrierës së Albert Verrisë drejt teatrit dhe kinemasë. Që nga viti 1979, Albert Verria mban titullin “Artist i Popullit”.

Asnjëherë nuk e ndau dashurinë mes kinemasë dhe teatrit: “Teatri të jep kënaqësi se je në kontakt me spektatorin. Ndien buzëqeshjen e tyre, frymëmarrjen, emocioni është i drejtpërdrejtë. Ndërsa kinematografia të jep popullaritet. Filmi transmetohet dhe ritransmetohet disa here”, kujtonte Albert Verria.

Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjizor në disa shfaqje të ndryshme.

Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrenjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Verrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku.

Ishte vetëm 32 vjec në vitin 1972 kur interpretoi rolin e kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë.

Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” [1973], “Soll Lili” tek “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi I vogël”-196, etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Verria.

Numurohen mbi 20 filma ku ai luajti role, që sot mbahen mënd, qoftë dhe për një batutë të vetme, sepse Albert Verria dinte t’i futej në lëkurë cdo roli për ta bërë madhëeshtor dhe të paharrueshëm nga shikuesit.

Për artistin e madh, Albert Verria pensioni nuk ishte asgjë, sepse moshën e kishte sfiduar me gjallërinë dhe pasionet, aq të shumta dhe jo vetëm për artin skenik. Gjithë filozofinë e jetës, fenomentët e saj, shfaqjet e sjelljeve, prej të cilave gjenden burimet e të mirës dhe të keqes, Albert Verria ju dha jetë në disa libra filozofikë dhe gati mitikë.

Në vitet e fundit ja doli të botojë dhe promovojë disa libra si “Rrëfim paradoksal”, “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, ndërsa i mbetën, për mungesë financimi, ende të pabotuar librat e tjerë si “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, “Fundi i pashmangshëm”.

Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi të roleve, personazhet e interpretuar prej këtij mjeshtri të madh të aktrimit. Të gjitha personazhet i mblodhi në një biografi artistike, fiksuar në celuloid si një rrugëtim fotofilm me rolet. Në 62 fotografi me përmasa të mëdha kalojnë rolet e paharruar të “Xha Sulos” te filmi “Kapedani”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Hiluku” tek “Operacioni zjarri”, etj, etj.

“Arsyeja kryesore që më shtyu të hap këtë fotoekspozitë, nuk është vetëm që të ekspozoja krijimtarinë time, por nëpërmjet këtyre fotove t’u kujtoj artëdashësve shqiptarë, kudo ku janë, filmat ku kemi luajtur dhe vazhdojmë të luajmë sot e kësaj dite”, shprehej në përurimin e parë të ekspozitës tek Galeria “Zenit” në Tiranë vite më parë Albert Verria.

E hapi ekspozitën si një homazh artistëve të mëdhenj të skenës dhe artit shqiptar, që nuk jetojnë më, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Naim Frashëri, Kujtim Spahivogli, Violeta Manushi, etj, me të cilët luajti në filma të ndryshëm.

Jetoi një jetë plot dashuri për artin, ku asnjë rrethanë e fatit nuk ia ndryshoi drejtimin e “shkruar” të tij: të bëhej një aktor i madh i teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Burimi: top-channel.tv Editor: Redaksia Online Lexuar 1476 here

Tags:

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI