Kush janë dy mrekullitë që do shënjtërojnë ''Nënë Terezën''
Kush janë dy mrekullitë që do shënjtërojnë ''Nënë Terezën''
Publikuar me: 14 Gus 2016

Nënë Tereza pritet të shpallet shenjtore më 4 shtator nga Papa Françesku.

Por që të shpallesh shenjtore duhet të ofrohen prova se ajo ka kryer mrekulli.

Prifti Brian Kolodiejchuk, një kanadez, është personi kryesor që ka promovuar rastin e saj, duke dokumentuar dy mrekullitë që faktojnë se Nënë Tereza është shenjtore.

Ai është intervistuar nga NY Times.

Mrekullia e parë ishte rasti i Monica Besra në Bengal, Indi.

Ajo kishte një tumor në bark, rreth 17 centimetra.

Familja e saj kishte provuar shumë gjëra, por asgjë nuk po funksiononte.

“Pak a shumë po vdiste. Më 5 shtator, përvjetorin e parë të vdekjes së Nënë Terezës, një nga motrat mori medaljen e Marias, që ka prekur direkt trupin e Nënë Terezës gjatë funeralit dhe e vendosi në stomakun e Monica-s dhe bëri një lutje të thjeshtë: “Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfërit. Bëj diçka për Monica-n”. Kjo ndodhi në orën 5 të pasdites. Në orën 1 të mëngjesit, Monica u ngrit në mes të natës, shkoi në banjë dhe zbuloi se barku i saj ishte i rrafshët”, thotë prifti.

Sipas tij, në rastin e Monica-s janë konsultuar 11 mjekë dhe vetëm një prej tyre ishte katolik.

Mrekullia e dytë ndodhi në Brazil.

Një burrë, Marcilio, kishte infeksion në tru dhe kishte zhvilluar hidrocefali.

“Gruaja e tij nisi një novena, nëntë ditë lutje te Nënë Tereza, dhe u kërkoi familjarëve të bëjnë të njëjtën gjë. Më 9 dhjetor, Marcilio kishte dhimbje të forta në kokë dhe kaloi në koma. Ishte pranë vdekjes. Mjeku u fut në dhomën e operimit, duke shpresuar t’ia thithë ujin, por nuk e bënte dot siç e kishte planifikuar, prandaj u largua nga dhoma e operimit për të gjetur një mjek tjetër që mund t’a bënte. Kur u kthye, ai zbuloi se Marcilio ishte zgjuar, nuk kishte dhimbje dhe thoshte: Çfarë po bëj këtu”. U bënë dy skanime truri dhe të gjithë kirurgët thonin se kjo nuk mund të ndodhë. Mjeku i Marcilio-s tha se ata kanë pasur 30 pacientë me hidrocefali. Të gjithë kanë vdekur përveç Marcilio-s”.

Gazetari i NY Times e pyet priftin edhe për faktin që Nënë Tereza ka shkuar tek varri i diktatorit shqiptar, Enver Hoxha.

Ai thotë se ky është një mashtrim.

“Ajo kishte kërkuar të shihte varrin e nënës dhe motrës dhe qeveria e dërgoi, pa i treguar, tek varri i Hoxhës. Më pas ajo tha, a mund të shkoj të shoh varrin e nënës dhe motrës? Përkthyesi shqiptar, që ka dhënë dëshminë e tij, tha: “Ne në Shqipëri e dimë se çdo vizitor i huaj duhet të dërgohet tek varri i Enver Hoxhës. Kjo është pjesë e protokollit’”.

Burimi: mapo.al Editor: Redaksia Online Lexuar 1287 here

Tags:

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI