Kur qeveria sulmon ''Çmendinën''...
Çmendina Dublim”, një faqe në web dhe në rrjetin social Facebook që publikon video pikante të dubluara në shqip, është sulmuar disa hakera.
Shumë prej videove të saj janë censuruar.
Janë video të dubluara që flasin kryesisht për kryeministrin Edi Rama, si dhe video të tjera që me shumë humor kritikojnë e vënë në lojë pushtetin dhe pushtetarët.
Administratorët e faqes, në reagimin e tyre pas këtij sulmi, e drejtojnë gishtin nga qeveria, por paralajmëron se do të kthehen edhe më të fuqishëm.
Videot janë censuruar në të njëjtën kohë dhe janë hequr ato kritiket ndaj qeverisë.
Çmendina Dublim është faqja e dytë e madhe në Facebook që vihet në një sulm të tillë.
Disa ditë më parë, njerëz pranë pushtetit sulmuan faqen Lolita, edhe ajo thumbuese ndaj qeverisë. Ndaj kësaj faqje u ankua edhe botuesi i Shqiptarja.com, Carlo Bollino, i cili, heqjen e disa postimeve të “Lolistës” e quajti fitore të demokracisë.
Censura ndaj faqeve të internetit që kritikojnë qeverinë tregon nervozizëm pushtetit me ata që nuk mendojnë si ai. Nervozizëm që kreu i qeverisë e shfaq hapur sa herë e kritikojnë nëpër studio televizive apo konferenca shtypi.
Tentativat për t’i vënë nën kontroll edhe mediat sociale vjen në një kohë kur shumë televizione, gazeta e portale online censurojnë shkrime apo emisione që nxjerrin në pah skandale të qeverisë.
Së fundi, emisioni “Publicus” që trajtonte skandalin e vrasjes së 17 –vjeçarit Ardit Gjoklaj dhe zbardhte kontratën e dyshimtë të firmosur nga Erion Veliaj me kompaninë 3R ku ishte punësuar i mituri në Landfillin e Sharrës, nuk u lejua të shfaqej në Vizion Plus.
Të gjitha gazetat dhe thuajse të gjitha mediat online refuzuan të publikonin një investigim të BIRN mbi skandalin e lanfillit të Sharrës.
Sulmi ndaj “Çmendina Dublim” nuk është vetëm përpjekje për të zhdukur kritikën, por njëkohësisht tregon se ku ka arritur niveli i çmendurisë së pushtetit. /lapsi.al
Tags:
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje