Fitues i tre çmimeve, Ermal Meta triumfon në  Sanremo
Fitues i tre çmimeve, Ermal Meta triumfon në Sanremo
Publikuar me: 13 Shk 2017

Pas suksesit mbrëmjen e së enjtes, ku u shpall si më i miri në interpretimin e këngëve homazh të muzikës italiane, këngëtari shqiptar, Ermal Meta, arriti jo vetëm të hyjë në natën finale të festivalit të kengës Italiane në ''San Remo'', por edhe të triumfojë.

Meta ka arritur të rrëmbejë plot tri çmime: Çmimin “Cover” për interpretimin e shkëlqyer të këngës së Domenico Modugno-s “Amara terra mia”, Çmimin e Kritikës “Mia Martini” dhe Çmimin e tretë të Festivalit me këngën “Vietato morire”.

Në natën finale, në skenën magjike të Sanremos, e cila dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm, me të ftuar të përzgjedhur, u ngjitën 16 këngëtarë.

Pas raundit të parë të televotimit, u shpall lista e finalistëve nga vendi i 16-të deri tek i katërti.

Ndërsa për tre të parët, që ishin Meta, Francesco Gabbani dhe Fiorella Mannoia, u rihap televotimi, i cili nxori edhe renditjen përfundimtare.

Këtë edicion të Sanremos e fitoi Gabbani me këngën “Oçidentali’s Karma”.

Në vend të dytë Mannoia dhe në të tretin Meta. Pavarësisht se në vend të tretë, Meta e pati fitoren e tij.

Me “Vietato morire” ka zgjedhur një argument tepër të fortë, të prekshëm dhe impenjativ.

Atë të dhunës mbi fëmijët, gratë, qenies njerëzore, sepse, siç thotë në një nga vargjet e tij, “Dashuria nuk gjuan në fytyrë kurrë”. Një rrëfim edhe autobiografik.

“Nuk është vetëm historia ime, që jam me fat që mund ta tregoj, por është një temë aktuale, që do të doja të bëhej e shkuar e tejkaluar. Kënga është një himn për jetën: jeta duhet parë në fytyrë, përballë, jo pas. Jemi rezultat i eksperiencave të jetuara, por kemi edhe fuqinë të bëhemi ata që duam.

Është e domosdoshme të flasësh dhe të ndash që të dalësh nga vetmia. Ndryshimi varet nga ne: secili prej nesh duhet të japë atë që dëshiron të marrë. Është një lloj karme”, është shprehur ai për “Ansa.it”, përpara festivalit.

“Vietato morire”, e cila i jep edhe titullin albumit të dyfishtë e dalë në datën 10 shkurt, përmbyll një qark të hapur me “Lettera a mio padre” në 2016: “Dy fytyra të së njëjtës medalje. Një fill i kuq, jo vertikal, por horizontal, ku lidhja është mbi të gjitha emotive”.

“Për mua Festivali i Sanremos nuk është një garë: kur flitet për muzikë, nuk mund të flitet për garë. Është si të gërmosh në ujë. E pamundur!”.

Ai është i bindur që pas këtij interpretimi do të gërmohet ca më thellë në jetën e tij personale dhe ai thotë se kjo e bën edhe më të përgjegjshëm. Sa i takon këngës së përzgjedhur për mbrëmjen homazh të muzikës italiane, ku ai këndoi këngën “Amara terra mia” të Domenico Modugno-s, ai është shprehur për Ansa.it se “më intereson mesazhi. Kjo këngë u dedikohet të gjithë atyre që qajnë për tokën e tyre.

Një këngë e lidhur ngushtësisht me mërgimin”, shpjegon Ermali, i cili është larguar nga vendi i lindjes, Shqipëria, kur ishte vetëm 13 vjeç.

Ai u vendos në Bari së bashku me familjen. Nisi të merrej me muzikë, fillimisht si kitarist me grupin “Ameba 4”, i cili mori pjesë në Festivalin e Sanremos në vitin 2006, në kategorinë e të rinjve.

Atë kohë nxorën edhe albumin “Sugar Music”. Pa kaluar shumë kohë, grupi ndahet dhe në vitin 2007, Meta krijoi grupin “La Fame di Camilla”, me të cilin realizoi tri albume. Në 2010-n merr pjesë sërish në Sanremo, gjithnjë në kategorinë e të rinjve.

Pas shkrirjes së grupit, prej vitit 2012, Ermal Meta është solist. Përveçse si këngëtar, ai është i vlerësuar edhe si kompozitor. Ka bërë këngë për Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri, Francesca Michielin etj. Me gjithë suksesin në Itali, ai nuk e ka harruar asnjëherë vendin e origjinës.

“Ndihem si një pemë me rrënjët në Shqipëri, por që gjethet më kanë marrë dritë nga dielli i Italisë”, do të thoshte në një intervistë disa muaj më parë Meta.

I pyetur nga gazetarët italianë mbi përgjegjësinë e përfaqësimit të vendit të tij të origjinës, në Itali ai u shpreh: “Këtu ekziston ende tendenca për të folur për vendin tim vetëm në raste krimesh të kryera nga shqiptarë.

Dhe kjo është e gabuar. Kështu i bëhet një dëm shumë i madh, pasi fyhet një popull i tërë. Mollë të krimbura ka kudo, edhe në pemishten më të mirë. Shqipëria është një vend i bukur, me shumë art dhe kulturë.

Tani më vjen në mend Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, i cili ka luftuar për të mbrojtur krishterimin përballë osmanëve. Do të kisha dashur të flisja në televizion për këto gjëra”.

Burimi: panorama.com.al Editor: Redaksia Online Lexuar 1043 here

Tags:

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI