
Deri Standard: Vlahutin është kërcënuar në Shqipëri, Meta është i shqetësuar...
“Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin dhe familjarët e saj janë 24 orë nën ruajtjen e policëve të armatosur.
Mbi të gjitha kohët e fundit kanë marrë kërcënime.
Ishte e qartë se do ishte e vështirë të zbatoje reformën në drejtësi në Shqipërinë me korrupsion endemik, por edhe vetë të brendshmit janë të habitur nga presioni i madh”.
Kështu raporton sot gazeta austriake “Der Standard”, duke u ndalur në zhvillimet e fundit sa i takon ambasadores së BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, për të cilën qeveria vendosi shtimin e rojeve personale.
Shkrimi vijon me vështirësitë që has reforma në drejtësi, duke kujtuar punën dhe këmbënguljen e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin dhe faktin që ambasada amerikane në vend ka vendosur refuzimin apo bllokimin e vizave për zyrtarë, gjyqtarë e prokurorë.
Duke u ndalur te reforma në drejtësi, gazeta kujton letrën që ministri i LSI-së, Petrit Vasili i drejtoi kreut të Shtetit, për bordin e ONM, për të cilin tha se është mbi Kushtetutën dhe si i tillë i parpanueshëm.
“Në krye të kritikave ndaj ONM është ministri i Drejtësisë, i partisë në koalicionin qeverisës, LSI. Në një letër për SHBA dhe BE, ai shkruan se ‘partitë’ nuk kanë rënë dakord për këtë instancë. Dukshëm LSI – e drejtuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kurorëzuesi i fituesit në politikën shqiptare – është i shqetësuar që SHBA e BE bashkëpunojnë në radhë të parë me kryeministrin Edi Rama”, thuhet në shkrim.
Në fund, theksohet edhe sulmi ndaj Vlahutin, teksa u akuzua si sorosiane. “Se sa nevozë janë bërë oligarkët në Shqipëri, e tregon fushata aktuale kundër Vlahutin të BE.
Ajo akuzohet se është e lidhur me miliarderin dhe filantropin Xhorxh Soros. Përpjekje të ngjashme për diskreditim ka pasur për një kohë të gjatë edhe në Maqedoni” shkruan Der Standard.
Tags:
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
